Kur femrat bëhen "gra shteti"

Pesëdhjetë vjet më parë Sirimavo Bandaranaike fitoi zgjedhjet duke u bërë kështu kryetarja e parë e shtetit që ka parë ndonjëherë bota. Fitorja e saj ishte aq shokuese saqë e tronditi botën në themel

Sirimavo Bandaranaike, Sri Lanka
Pesëdhjetë vjet më parë Sirimavo Bandaranaike fitoi zgjedhjet duke u bërë kështu kryetarja e parë e shtetit që ka parë ndonjëherë bota. Fitorja e saj ishte aq shokuese saqë e tronditi botën në themel dhe askush nuk dinte se si duhet të quhej ajo tashmë. "Tashmë na duhet një fjalë e re", shkroi London's Evening një ditë pas zgjedhjes së saj si Krieministre e Ceylon (që tani quhet Sri Lanka). "Ndoshta mund të fillojmë ta quajmë Sirimavon një "grua shteti". Bandaranaike mori postin e lideres së partisë pas vrasjes së burrit të saj nga një murg budist në vitin 1959. Kur partia e saj arriti të fitonte zgjedhjet e korrikut të vitit 1960, ajo vetë ishte gruaja e parë që mori në dorë regjimin e shtetit dhe e shtrëngoi fort deri në vitin 1965. Më pas ajo u rizgjodh si Kryeministre për periudhën nga viti 1970 deri në vitin 1977 dhe më pas akoma në periudhën 1994 deri në vitin 2000. Tradita e familjes u trashëgua edhe nga vajza e saj, e cila u zgjodh Presidentja e parë grua në vitin 1994 dhe ishte pikërisht ajo që rizgjodhi nënën e saj si Kryeministre për herë të fundit. Sirimavo dha dorëheqjen në vitin 2000 dhe vdiq në fund të po këtij viti, pikërisht në ditët kur hodhi votën e saj në zgjedhjet e vendit.
Indira Gandhi, Indi
Ajo ishte vajza e vendit, e rritur nën kujdesin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të babait të saj, i cili ishte edhe Kryeministri i parë i Indisë pas një dekade të gjatë të sundimit britanik në vend dhe të të gjithë shtetit gjithashtu. Në kopertinën e revistës "Time", jo shumë kohë pas zgjedhjes së saj si Kryeministre në vitin 1966, shkruhej: "Një Indi e trazuar në duart e një Gruaje". Ishin pikërisht ato duar që e drejtuan Indinë për më shumë se dy dekadat e ardhshme duke kapërcyer me sukses dhe kurajo krizën ekonomike, urinë, shpërthimin e bombës së parë atomike në vend dhe një luftë civile me Pakistanin. Ishin pikërisht ato duar që thurën krijimin e një shteti të ri tashmë të njohur me emrin Bangladesh.
Golda Meir, Izrael
Dikur e quajtur "burri i vetëm i Kabinetit", Golda Meir ka qenë një figurë e jashtëzakonshme për politikën e Izraelit. E gjatë, e hollë, e pamposhtur dhe e vendosur para botës, ajo ka qenë mishërimi i kokëfortësisë së hekurt të shpirtit izraelit. "Ekziston një lloj femre", ka thënë ajo dikur, "që nuk e lejon burrin e saj që t'i ngushtojë horizontin". Pas një karriere të shkëlqyer dhe të jashtëzakonshme politike, duke përfshirë këtu edhe emërimin si ministre e Punës në Izrael dhe ministre e Jashtme, përveç shumë e shumë pozicioneve të tjera të larta të administratës qeveritare, ajo u tërhoq kur doli në pension, por në moshën 70-vjeçare e la pensionin pasi iu kërkua të drejtonte vendin e saj si Kryeministre gjatë periudhës 1969 deri në vitin 1974.
Margaret Thatcher, Angli
E njohur ndryshe si "Gruaja e Hekurt", Margaret Thatcher ka qenë një grua me standarde shumë të larta, me temperament të shkurtër dhe një shije të mrekullueshme për sa i përket uiskit. Gruaja shtëpiake e periferisë doli të ishte gruaja më e fuqishme e botës, pasi ka drejtuar vendin e saj nga viti 1979 deri në vitin 1990. Thatcher ka qenë Kryeministrja e parë dhe e vetme femër e Britanisë së Madhe, e cila ka arritur të fitojë tre legjislacione rresht njëra pas tjetrës, duke arritur kështu të drejtonte vendin për periudhën më të gjatë që nga viti 1827. Gjatë 11 viteve të saj, bëri të mundur zhvillimin e reformës së privatizimit, të shtetit kapitalist dhe qe një dëshmitare e fuqishme e kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Për personalitetin e saj jashtëzakonisht të fortë dhe për arritjet e jashtëzakonshme, Thatcher është cilësuar lideri politik më i famshëm dhe më i rëndësishëm që nga periudha e Winston Churchill.
Corazon Aquino, Ishujt Filipine
Pas vrasjes së bashkëshortit të saj karizmatik, vejusha besimtare e devotshme Katolike, Corazon Aquino arriti fitoren më të madhe të jetës së saj kundër opinionit publik dhe shkatërroi regjimin diktatorial, i cili ishte fajtori kryesor i vrasjes së bashkëshortit të saj. Në sajë të vullnetit të saj spektakolar që i shtoi frazën "fuqia e popullit" të gjithë fjalorit global, miliona e miliona mbështetës pushtuan rrugët e vendit për të siguruar emërimin e Aquino-s si Presidente në shkurt të vitit 1986. Pavarësisht sulmeve të ndryshme dhe të vazhdueshme nga forcat ushtarake që donin ta stepnin, ajo arriti të ruante të pacenuar demokracinë për të cilën kishte dhënë jetën bashkëshorti i saj i dashur. Aquino është zgjedhur personi i vitit 1986 nga revista "Time" dhe ishte femra e parë në botë që kishte marrë këtë titull që nga koha e Mbretëreshës Elizabeta II në vitin 1952.
Benazir Bhutto, Pakistan
Vajza e dinastisë së Pakistanit, Benazir Bhutto ndoqi hapat e pagabueshme të të jatit të saj që e çuan drejt politikës dhe dha jetën për këtë gjë. E re dhe rrezëllitëse, ajo mishëronte kontrastin e duhur në një administratë politike të sunduar ekskluzivisht nga forca mashkullore. Ajo drejtoi vendin e saj si Kryeministre nga viti 1988 deri në vitin 1990 dhe përsëri një herë të dytë nga viti 1993 deri në vitin 1996. Gjatë të dy legjislacioneve të saj, është shkarkuar nga vetë Presidenti i vendit për shkak të akuzave të shumta për korrupsion. Bhutto i mohoi me bindje dhe fuqimisht këto akuza duke thënë se ishin të nxitura nga egoja politike. Në vitin 2007 ajo u vra teksa punonte me fushatën e saj të zjarrtë për të rikthyer demokracinë në një vend, i cili në atë kohë drejtohej ekskluzivisht nga forcat ushtarake. Burri i saj, i njollosur gjithashtu me akuza të shumta korrupsioni, është aktualisht President i vendit.
Angela Merkel, Gjermani
Angela Merkel është një femër shumë e rrallë në politikën gjermane. Ajo është këshilltarja e parë, e cila është rritur në Gjermaninë Lindore Komuniste, femra e parë që drejton vendin dhe gjithashtu më e reja në pushtet. Merkel ka kaluar vite e madje dekada me radhë duke u nënvlerësuar vazhdimisht, por asnjëherë nuk ka hequr dorë dhe nuk është mërzitur kurrë. "Mund ta them me plotë gojën se pavarësisht të gjithave që më kanë ndodhur gjatë karrierës time nuk e kam nënvlerësuar kurrë veten", tha Merkel gjatë një interviste me revistën "Time" në janar të vitit 2010. "Nuk ka asgjë të keqe që të jesh ambicioze". Njëqind ditë pasi kishte marrë pushtetin në vitin 2005, një sondazh e emëroi atë si Kancelaren më të famshme të historisë së Gjermanisë.
Ellen Johnson-Sirleaf, Liberi
Në prill të vitit 2006, Zonja e Parë, Laura Bush e përshkroi Ellen Johnson-Sirleaf si gruan e vetme që nuk ka reshtur kurrë së punuari për vendin e saj. "Kurajo dhe përkushtimi i saj ndaj vendit janë një frymëzim për mua dhe për të gjitha gratë rreth e qark botës", cilësoi Bush. Johnson-Sirleaf e ka nisur karrierën e saj politike si ministre e kabinetit liberian në vitin 1970, vazhdoi duke u bërë një administratore me përvojë e Shteteve të Bashkuara në vitin 1990 dhe është zgjedhur presidente e Liberisë në vitin 2006, duke qenë në të njëjtën kohë edhe gruaja e parë që u zgjodh si kryetare e shtetit.
Që nga dita që mori në dorë frerët e qeverisjes, ajo ka luftuar shumë dhe nuk ka reshtur së kërkuari ato që vendi i saj ka humbur gjatë luftës civile. Me një vullnet të hekurt dhe vendosmëri të madhe ajo ia kushtoi jetën luftës kundër korrupsionit dhe ka ecur përpara drejt një të ardhmeje të mbushur me shpresë dhe premtime për vendin e saj të çmuar. Për të nderuar arritjet dhe sukseset e saj, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush e nderoi Johnson-Sirleaf-in në vitin 2007 me Medaljen Presidenciale të Lirisë. Ashtu siç është shprehur edhe Laura Bush, "Johnson-Sirleaf është një shembull konkret për të vërtetuar atë çfarë mund të ndodhë kur vajzat shkollohen".
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers