Kështu nisin LUFTËRAT

Intervistë me shkrimtarin Evan Thomas

"Si nisin luftërat", është një temë kryesore në historinë më të re të Evan Thomas. "Të dashurit e luftës" gjurmon jetët e ndërlidhura dhe veprimet e tri figurave të mëdha (të dashuruar të luftës, të gjithë), në kapërcyell të shekullit XX - Theodore Roosevelt, Henry Cabot Lodge dhe William Randolph Hearst - teksa amerikanët hynin në luftën spanjolle-amerikane në vitin 1898.
Thomas, redaktor në "Newsweek" dhe autor i një biografie të Papa Gjon Palit si dhe "Detit të Stuhisë", një histori e 4 komandantëve detarë si dhe betejës së Gjirit Leyte në 1944, është përqendruar në karakterin dhe ambiciet e tre burrave të fuqishëm që e panë luftën si rrugën e artë të Amerikës drejt superfuqisë botërore
- Si u përfshi Amerika në ethe të tilla proluftës?
Kubanët ishin duke u shtypur nga Spanja dhe SHBA donte që t'i shpëtonte ata. Por, ka patur edhe forca më të thella në veprim. Një prej më interesanteve për mua ishte ideja e hedhur në disa nga klasat e sipërme që Amerika ishte disi e butë - "e mbiqytetëruar", siç ka thënë Presidenti Theodore Roosevelt. Ne kemi nevojë për një luftë për rigjenerimin e vetvetes dhe Roosevelt nuk kishte veçanërisht një luftë të caktuar në mendje.
- A ka folur ai për hyrjen në një luftë?
Ai ka shkruajtur për këtë. Që në fillim të 1886, ai ishte duke menduar për ngritjen e një grupi kaubojsësh për të luftuar meksikanët pas një provokimi të vogël në kufi. Pastaj ai shkroi se shpresonte në një angazhin detar kundër Britanisë. Nuk po përpiqej të bëhej hiperbolik; e kishte seriozisht. Kjo është një temë që në mënyrë të përsëritur ai iu kthye në korrespondencën e tij. Ai tha në 1895 që donte që të kishte një ekspeditë të madhe piratësh, për të marrë Kanadanë nga Anglia apo Kubën nga Spanja.
- A do ta konsideronit Rooseveltin dhe të tjerët si imperialistë?
Po, edhe pse ata nuk e pëlqenin këtë fjalë dhe nuk donin të kolonizonin popujt e tjerë. Ata ishin të ndjeshëm për vetëvendosjen dhe demokracinë. Lodge fliste për atë që ai e quajti "politikë e madhe". Ai kishte lexuar Kapitenin Alfred Mahan dhe ishte i bindur se Shtetet e Bashkuara duhet të rivalizonin Britaninë e Madhe si një fuqi e madhe në det dhe se kishte nevojë që të ndërtohej një marinë e madhe. Ai tashmë kishte parashikuar stacione qymyrguri në Kubë, Porto Riko, Haëaii dhe Guam dhe një kanal përmes Istmit, për të lançuar SHBA si një fuqi e madhe globale në det.
- Si mundet që kaq shumë udhëheqës amerikanë të ishin "luftëdashës" vetëm një gjysmë shekulli pas Luftës Civile?
Një person shqetësohej për këtë: Presidenti William McKinley. Ai kishte qenë në Antietam si major. Ai ishte pëllumbi në këtë rast. Ndihmëssekretari i Marinës, Roosevelt ishte vazhdimisht tek veshi i McKinley për ta bindur që të hynte në luftë kundër Spanjës, për të çliruar Kubën. McKinley rezistoi, duke i thënë Rooseveltit, "Unë kam parë të vdekurit të grumbulluar pirg në Antietam". Dhe ai e kishte parë luftën. Ndonjëherë politikëbërësit që kanë përjetuar në të vërtetë luftën janë më pak të gatshëm për të hyrë në luftë se sa ata që nuk e kanë provuar.
- A ishte gati SHBA për luftë?
Jo. Ne patëm një ushtri shumë të vogël në këmbë prej rreth 25.000 vetësh që kishin luftuar indianët, por ishin jo të gatshëm për një ekspeditë amfibe. Burokracia ishte një lëmsh dhe ushtria nuk mund të siguronte furnizimet e duhura. Mishi qe i prishur; ushtarëve iu dhanë uniforma të nxehta dimri dhe nuk kishte pushkë cilësore të mjaftueshme. Kishte kaos në Tampa, portin e ngarkimit të anijeve. Rooseveltit në thelb iu desh të grabisë një anije nga njësitë e Nee York, për t'u siguruar që i çonte luftëtarët e tij në Kubë.
- A ishte Amerika pas përpjekjeve të luftës?
Nuk kishte asnjë mungesë të vullnetarëve. Propaganda ishte efektive. Ushtria u rrit nga 25.000 në 125.000 njerëz pothuajse brenda natës. Kjo ishte një periudhë shumë patriotike në historinë amerikane. Një nga qëllimet e luftës ishte për ta sjellë vendin së bashku dhe kjo pati sukses. Kur Rough Riders mori një tren nga Teksas në Florida, flamuj amerikanë po tundeshin në Dixie. Kjo nuk kishte ndodhur që para Luftës Civile.
- A ishin Hearst dhe gazetarë të tjerë përgjegjës për nxitjen e kombit për luftë?
Hearst dhe Joseph Pulitzer ndihmuan në shpikjen e faqeve të skandalit në masmedia - tirazh i madh, gazetaria sensacionaliste e verdhë, të ushqyerit e masave me teori konspirative si dhe seks e dhunë. Të gjithë lexonin Hearst dhe Pulitzer, ata kishin një ndikim joproporcional. Standardet e gazetarisë nuk ishin tepër të mirë, të paktën në botimet Hearst. Hearst nuk e mohoi asnjëherë që i detyronte gazetarët të sajonin atë që nuk e dinin.
- Sado kaotike që ishte aventura amerikane në Kubë, spanjollët ishin më mirë, apo jo?
E vetmja gjë që mbante spanjollët të bashkuar ishte krenaria. Ata donin të vdisnin. Kur ata u nisën për betejën e tyre të fundit detare, ata veshën uniformat e tyre, me të gjithë flamujt që valëviteshin, burrat rreshtuar në kuvertë dhe të gatshëm. Ai ishte një mision vetëvrasës. Detarët amerikanë nuk mund ta besonin. Ishte sikur spanjollët kishin dalë në paradë. Dhe ata ishin në paradë, një paradë e vdekjes, sepse ata u fundosën të gjithë.
- Po në lidhje me Filipinet?
Filipinet ishin një mendim i mëvonshëm. Roosevelti dërgoi komodorin [Xhorxh] Dewey dhe flotën e tij për të luftuar flotën spanjolle në portin e Manilës. Pasi kishim mundur spanjollët, krejt papritur ne po pushtonim Filipinet. Problemi ishte, në vend të na mirëprisnin si çlirimtarë, filipinasit na konsideronin si pushtues dhe u revoltuan, duke filluar një luftë që zgjati katër vjet dhe me kosto 4.000 jetë amerikane.
- Roosevelt erdhi si i etur për gjak. A ishte?
Letrat e tij janë të etura për gjak, por unë mendoj se Roosevelt ishte duke u përpjekur për të treguar se ai ishte një realist josentimental. Unë nuk mendoj se ai e bënte qëllimisht, por për të gjithë ai u shfaq si pak i kobshëm. Por, është e qartë se ai e donte luftën. Ndërsa ai zbriste poshtë Kettle Hill, duke çuar njerëzit e tij deri në San Juan, ai thërriste, "Holy Godfrey, sa qejf!". Unë nuk mendoj se ka shumë komandantë, të cilët do të bërtisnin kështu ndërsa mbushnin armët. Por njerëzit e Roosevelt e donin shumë komandantin e tyre. Ata nuk mendonin se ai ishte marrosur, ata thjeshtë mendonin se ishte trim. Ai udhëhoqi që nga fillimi. Ishte ndoshta një mrekulli që ai nuk u vra.
- Ishte lufta spanjolle-amerikane e mirë për Rooseveltin, politikisht?
Ishte një shpërblim i menjëhershëm. Edhe pse nuk ka prova që Roosevelt mendonte se do të kishte një përfitim politik për atë personalisht, kjo me siguri ka ndodhur me mikun e tij Henry Cabot Lodge. Ai i shkroi Rooseveltit, i cili ishte ende në krye të San Juan Hill, për t'i thënë se njerëzit tashmë janë duke folur për Rooseveltin si kandidat për guvernator të Neë York-ut. Brenda një jave pas kthimit në gusht 1898, ai u takua me udhëheqësin e Partisë Republikane të Nju Jorkut.
- Ç'ndikim pati lufta në reputacionin e udhëheqësve ushtarakë amerikanë?
Dewey ishte një hero i madh kombëtar. Leonard Wood bëri mirë dhe vazhdoi të bëhet guvernator ushtarak i Kubës. Por komandanti i ushtrisë (Major Gjenerali William) Shafter, i cili kishte dalë mirë edhe gjatë Luftës Civile, ishte bërë një figurë e përçmuar. Ai ishte aq i shëndoshë saqë sillej vërdallë me një vig.
- A luajti racizmi rol në këtë konflikt?
Po. Ushtria kishte shumë oficerë nga jugu dhe Rindërtimi ishte ende një kujtim i freskët. Një nga krizat erdhi kur Forca e ekspeditës amerikane mbërriti në Kubë dhe rebelët kubanë ishin gjysmë të zinj. Për më tepër, ata kishin oficerë zezakë, gjë që ishte mallkim për shumë ushtarë. Ushtarët amerikanë mendonin se rebelët kubanë ishin luftëtarë të varfër, sepse ata nuk besonin në sulmet frontale. Ata ishin guerilas, nuk donin të ngjiteshin deri në majë të kodrës. Dhe pjesë e arsyes pse ka pasur kaq shumë zezakë në forcën ushtarake të SHBA, kryesisht "Buffalo Soldiers", është për shkak se komandantët e ushtrisë besonin që zezakët ishin disi imunë nga sëmundje tropikale, gjë e cila, sigurisht, nuk është e vërtetë.
- A e formësoi lufta historinë e mëvonshme kubane?
Kur amerikanët përjashtuan rebelët kubanë nga ceremonitë e dorëzimit, kjo ishte një goditje e madhe për krenarinë e Kubës dhe ata kurrë nuk e harruan. Kur Fidel Castro doli nga kodrat në 1959, ai ishte i shpejtë për t'u kujtuar njerëzve se amerikanët u kishin mohuar kubanëve dinjitetin e tyre. Pra, kjo është një plagë e freskët. Edhe pse ne çliruam Kubën, ata nuk e kujtojnë në këtë mënyrë. Ata kujtojnë që ne ndërhymë dhe më pas i vumë kushtet e vështira qeverisë së tyre të re si dhe që i shfrytëzuam ekonomikisht. Ka ende tabela në rrugën nga Santiago në Dakiri, ku amerikanët zbarkuan, që citojnë komandantin ushtarak kuban, Calixto García, me thëniet e tij për dinjitetin kuban si dhe faktin që amerikanët ua kishin grabitur atyre këtë dinjitet.

Google+ Followers