Ives Saint Laurent, ai që u veshi grave pantallonat!


Ives Saint Laurent, që "shpërtheu" në skenën e botës së modës në vitin 1958, djaloshi-mrekulli pasues i denjë i Christian Dior ka qenë një nga njerëzit e konsideruar si më me influencë në botë për shumë dekada rresht. Gjatë karrierës së tij aktive, që nisi fuqishëm në vitin 1957 dhe zgjati deri në vitin 2002, ai ishte përgjegjësi kryesor për ndryshimin e mënyrës së veshjeve të grave, duke "i futur" ato në pantallona si në veshjet e ditës, ashtu edhe në ato të mbrëmjes dhe duke u rekomanduar xhaketat e këmishat, të cilat deri në atë kohë ishin ekskluzivitet vetëm i meshkujve. Ai ishte dhe ideatori i veshjes që imiton lëkurën e leopardit dhe shumë aksesorëve që sot janë të zakonshme për kostumet e grave. Saint Laurent e merrte frymëzimin kryesisht nga rruga, njerëzit e thjeshtë e kalimtarët e zakonshëm që e popullojnë atë dhe për t'u frymëzuar shëtiste në kënde të ndryshme të botës për të marrë nga secili vend veçoritë karakteristike dhe për t'i përpunuar e stilizuar ato më pas në laboratorin e tij magjik të modës. Kjo lloj krijimtarie ishte edhe mënyra që i ofroi suksesin e garantuar dhe afatgjatë të pasarelave në të cilat emri i tij u lidh ngushtë me konceptin tendencë, klas dhe përsosje. Një tjetër burim frymëzimi ishin edhe veprat e artistëve dhe piktorëve të mëdhenj të shekullit XX si Picaso, Miro, apo Matisse. Ndër femrat që u dashuruan me veshjet e Ives dhe që u bënë ambasadorë të modës së tij në botë ishin të famshmet Catherine Deneuve, Paloma Picaso, Lauren Bacall apo Marie-Helene de Rothchild.
Saint Laurent e preku suksesin dhe famën e madhe në vitin 1958, kur ishte vetëm 21 vjeç. Koleksioni i tij i parë quhej "koleksioni Traqpeze" dhe ishte i pari i nxjerrë prej tij pas vdekjes së mjeshtrit të madh, Dior. Suksesi ishte i menjëhershëm, por ndryshe nga shumë koleksione që shpërfillen e zhduken shumë shpejt nga memoria, fati i koleksionit të Sait Laurent ishte i ndryshëm. Ai ia doli që të mbetej në majat e profesionit të tij, ndërkohë që moda ndryshonte dhe këtë e bëri duke u marrë me të gjitha llojet e veshjeve që nga ato të mbrëmjes e deri tek ato të sportit dhe të fëmijëve. Shtëpinë e tij të modës e hapi në vitin 1962 dhe që nga ai vit koleksionet e Ives priteshin me padurim nga e gjithë bota e modës dhe sigurisht klientët e saj. Ives vendoste gjithmonë tendencën e re, asaj që i shkonin pas shtëpitë e tjera të modës. Ndikimin më të madh ai e pati gjatë viteve '60 dhe '70, vite në të cilat linjat dhe modelet e veshjeve ndryshonin me shpejtësi marramendëse. Ndër sukseset më të mëdha të stilistit ishte koleksioni "Mondrian" i vitit 1965, i bazuar në pikturat e një artisti holandez, si edhe koleksioni tjetër "fshatari i pasur" i vitit 1976, i cili zgjoi një kureshtje dhe një interes të jashtëzakonshëm në Paris. Nuk u desh të kalonin shumë ditë që të përhapej kudo fama e këtij koleksioni të jashtëzakonshëm dhe prej pasarelave të Parisit gjithçka u zhvendos në ato të Nju Jorkut. Edhe në metropolin e botës suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë një interviste të dhënë pas shfaqjes njujorkeze, Ives tha se koleksioni ishte një materializim i ëndrrave të tij dhe se kur krijonte për femrën ai kishte parasysh heroinat e librave të tij të dashur, bukurinë dhe forcën e karakterit të tyre. Por, Ives ka qenë edhe një gjenerues i vërtetë kundërshtish dhe debatesh. Në vitin 1968 ai sugjeroi që gratë duhet të vishnin pantallona në jetën e përditshme, madje ato duhet të përdoreshin masivisht edhe në veshjet e mbrëmjes, sigurisht me stilizimin e duhur për okazione të tilla. Kjo futje e re në veshjen e grave mund të konsiderohet si një revolucionarizim i madh i botës së veshjeve, që bëri epokë dhe ndryshoi kryekëput jo vetëm veshjet, por edhe mentalitete të caktuara. Sipas tij, që një grua të konsiderohej femër me gusto dhe e veshur mirë duhet që të mbante pantallona, një pulovër dhe një xhaketë të lehtë sportive. "Puna ime si stilist është që të parashikoj tendencat e kohës dhe koha që po jetojmë, për nga pozita në të cilën është vendosur dhe do të vendoset femra e do që ajo të mbajë pantallona. Në vitin 1983, kur ishte 47 vjeç, studiuesit e modës e konsideruan punën dhe kontributin e tij si thelbësor dhe të papërsëritshëm në mënyrën e jetesës së gjysmës së dytë të shekullit XX. Për këtë arsye, në Museun Metropolitan, Ives i është kushtuar një pavijon i tërë dhe ky është nderimi më i madh që i është bërë deri më sot një stilisti. Ky pavijon është një ndër pavijonet që vizitohet më dendur nga frekuentuesit e muzeumit. Karriera e viteve të mëvonshme e Ives u fokusua shumë në aspektin klasik të veshjeve. Djali magjik u shndërrua në një burrë të pushtetshëm. Gjatë një interviste të dhënë në vitin 1983 ai thoshte: "Garderoba e një gruaje nuk duhet të ndryshojë çdo 6 muaj. Një grua duhet të jetë në gjendje që të përdorë veshjet që ka duke u shtuar atyre aksesorët modernë". Për vite e vite me radhë, Ives ishte emri që si rrallëkush nënkuptonte modën dhe guston dhe kjo zgjati deri në vitin 2002, kur vendosi që të largohej nga aktiviteti i përditshëm në pasarelat të cilave u kushtoi jetën dhe krijimtarinë e tij.
Ives Henri Donat Mathieu-Saint-Laurent lindi në Algjeri në 1 gusht të vitit 1936. I ati ishte avokat, ndërsa e ëma një femër që shquhej nga një stil i përkryer dhe elegant të veshuri. Fëmijërinë e kaloi në një vilë buzë Mesdheut së bashku me dy motrat e tij. Thuhet se ai ishte një fëmijë i heshtur dhe i tërhequr, që shmangte të gjitha veprimtaritë sportive e fizike, përveç notit dhe që kishte një pasion të madh për teatrin dhe modën. Këtë pasion e shprehu me vizatimet e shumta që u bënte veshjeve të femrave, të cilat më pas ia tregonte të ëmës. Ai kënaqej shumë kur merrte miratimin e kësaj gruaje, që sipas tij, ishte ndër të rrallat me një gusto të jashtëzakonshëm të lindur. Prindërit donin që Ives të vazhdonte traditën e familjes dhe të studionte për drejtësi, ndërkohë që vetë Ives nuk e kishte aspak me pasion një zgjedhje të tillë. Në moshën 17-vjeçare shkoi në Paris dhe vendosi të bënte zgjedhjen që i diktonte zemra: modën. Pasi kreu studimet në shkollat më të mira të kryeqytetit punoi për 3 vjet me mjeshtrin e madh të kohës, Christian Dior, i cili e thërriste me përkëdheli "delfini im" apo "krahu im i djathtë". Pas vdekjes së papritur dhe tronditëse të Dior në vitin 1957, shtëpia Dior e emëroi Ives, pasuesin e të madhit Christian dhe stilistin e saj kryesor. Kështu, në moshën 21-vjeçare ai e gjeti veten në krye të një perandorie të vërtetë veshjesh, e cila kishte një xhiro vjetore prej 20 milionë dollarësh. Nuk ishte e lehtë që të pasoje një legjendë si Dior, por Ives kishte brumin e duhur për ta bërë në mënyrën më të mirë të mundshme një gjë të tillë. Vitet që pasuan emërimin e tij e tregojnë qartë një gjë të tillë. Nga një student i talentuar, Ives u shndërrua shumë shpejt në njeriun që ndryshoi radikalisht mënyrën e veshjeve të femrave, e cila deri në atë kohë ishte ajo e pasluftës. Por suksesi i madh ishte një anë pozitive që do të pasohej nga probleme personale që kishin të bënin me depresionin, apo varësinë fillimisht nga alkooli e më pas nga droga. Pavarësisht hyrjeve e daljeve nga spitali psikiatrik, Ives arrinte gjithmonë në kohë që të nxirrte koleksionet e tij të radhës dhe të merrte pjesë, edhe pse shpeshherë me zemrën e copëtuar e mendjen e turbullt në shfaqjen finale të prezantimit. Pas një periudhe të gjatë në shtepinë "Dior" dhe pas një grindjeje të madhe me drejtuesit e saj, e cila përfundoi në një përleshje gjyqësore aspak të këndshme, Ives vendos që të largohet për të hapur shtëpinë e tij të modës duke lançuar kështu emrin e tij, tashmë pa bashkëngjitjen e deriatëhershme, Dior. Koleksioni i tij i parë personal doli në vitin 1962 dhe ky ishte fillimi i një historie të gjatë suksesi dhe fame që e bëri Ives, ndër të tjera edhe një ndër personat më me influencë në botë deri në fillim të shekullit të ri. Me kalimin e viteve ai u mor edhe me pjesë të tjera të modës përveç veshjes si këpucët, parfumet, apo bizhutë. Dizenjoi edhe për shfaqje e filma të ndryshëm dhe u bë stilisti personal i emrave më të famshëm të botës së artit dhe të spektaklit në Francë, por edhe më gjerë. Në vitin 1993, shtëpia e Saint Laurent do të bëhej pjesë e ndërmarrjes pjesërisht shtetërore El Sanofi, por 43% e grupit do të mbetej sërish në duart e Saint Laurent, i cili do të kontrollonte gjithçka i vetëm deri në vitin 2001. Pas një viti jo të qetë, Ives do të lajmëronte botërisht se kishte vendosur që të largohej përfundimisht nga bota e modës, të paktën në mënyre aktive. Këtë lajmërim ai e bëri gjatë një konference për shtyp në Paris, në të cilën ndodheshin botuesit e gazetave dhe revistave të modës të të gjithë botës. Të gjithë ishin me lot në sy dhe shumë të prekur për këtë ikje të madhe, e cila me vdekjen e tij më 1 qershor të vitit 2008 në moshën 71-vjeçare në Paris mori formë përfundimtare e të parikthyeshme.
Stilisti, gjatë karrierës së tij krijoi shumë kundërshti dhe debate. Në vitin 1971 u shfaq i zhveshur në një foto, e cila reklamonte koleksionin e tij për meshkuj YSL. Më pas në vitin 1977, ai i dha emrin "Opium" njërit prej parfumeve për femra, emër që i hapi telashe me gjykatën pas disa denoncimeve për promovim të drogës. Ives ishte një njeri që sikurse punonte në botën e modës jetoi me një shije e elegancë të vërtetë. Atij i pëlqente që të ishte i rrethuar nga e bukura, nga sublimja, eleganca dhe klasi.
Të gjitha shtëpitë dhe pronat që bleu përgjatë viteve në të cilat banonte vetëm me qentë e tij të racës bulldog, të gjithë të quajtur Moujik, ishin të dekoruara në mënyrë luksoze dhe të mbushura me objekte antike e antikuariate nga artistët e tij të preferuar si Picaso, Cocteau, Braque dhe Christian Berard. "Çdo njeri, për të ekzistuar ka nevojë të rrethohet nga fantazma estetike. Unë kam njohur e përjetuar frikën dhe tmerrin e të qenit vetëm, kam përjetuar miqësine e rreme të qetësuesve dhe drogës, kam përjetuar burgun ku të fut depresioni dhe izolimin e spitalit psikiatrik. Por një ditë ia dola mbanë që t'i lë pas e t'i sfidoj të gjitha këto të këqija. Gjunjët më priteshin, por isha më në fund mendjekthjellët".
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers