FAMILJA/Mafia e re meksikane




William Finnegan

The New Yorker


Mëngjesin para mbërritjes time në Zitacuaro, dikush kishte lënë trupin e shfytyruar të një djaloshi në mes të kryqëzimit kryesor. Në këtë qytezë të shtetit Michoacan, në Meksikën perëndimore, njerëzit e quajnë "gjuha e kufomave". Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një trup të gjymtuar - apo për një grup kufomash të gjymtuara apo vetëm për një kokë - të shoqëruar nga një pusullë e shkruar me shkrim dore: "ka folur shumë", "kështu mësoni respektin", "Çdokush merr atë që meriton". Në një fotografi të botuar nga një e përditshme e Zitacuaro, krahët, këmbët dhe trungu i viktimës ishin të shpërndara në asfalt. Nuk kishte pusullë, por mesazhi ishte shumë i qartë dhe të gjithë e dinin kush ishte autori: Familja michoanas-e, një organizatë kriminale që i ka degët të shtrira në të gjithë rajonin.

Do të doja të ntervistoja njerëzit e policisë, por dikush më këshilloi që të mos i lajmëroj për mbërritjen time në qytet: ata do të kishin njoftuar "los malosos" - të këqinjtë - dhe do u kishin thënë që vija vërdallë dhe bëja pyetje.

Presidenti meksikan, Felipe Calderon u ka shpallur luftë trafikantëve të drogës menjëherë pas fillimit të mandatit të tij, në dhjetor 2006. Ishte një lëvizje që bëri efekt. Edhe pse narkotrafiku në shkallë të gjerë ekzistonte prej dekadash, në ato vite dhuna që lidhej me tregtinë e drogës ishte rritur shumë. Së pari, Calderon dërgoi në Michoacan 6500 ushtarë dhe agjentë federalë. Më pas dërgoi ushtarakët edhe në pika të tjera të nxehta, si Acapulco në shtetin e Guerreros dhe Tijuana dhe Ciudad Juarez në kufirin me SHBA. Sot, në rrugët dhe fshatrat meksikanë janë 50 mijë ushtarë dhe 20 mijë agjentë federalë, por të vdekurit nga përleshjet vazhdojnë të rriten në numër. Që nga dita kur Calderon shpalli luftë, kanë vdekur më shumë se 23 mijë vetë. Pesëmijë vetëm gjatë 2010.

Inseguridad, siç e quajnë meksikanët, tashmë është përgjithësuar dhe droga ka rrëshkitur në fundin e listës së shqetësimeve të qytetarëve, pas rrëmbimeve, zhvatjes, torturave, vrasjeve, korrupsionit dhe thjesht frika për të dalë nga shtëpia. Organizatat e mëdha kriminale - të njohura më mirë si kartele, edhe pse në realitet nuk bëjnë marrëveshje mes tyre për të fiksuar çmimet - fitojnë ende miliarda nga prodhimi, kontrabanda dhe shitja e drogës, por kanë diversifikuar me sukses veprimtarinë e tyre. Një hetim i kohëve të fundit ka treguar që në Michoacan, 85 përqind e kompanive të ligjshme janë në një farë mënyre të lidhura me Familjen. Disa analistë kanë filluar ta quajnë Meksikën një "shtet të dështuar". Një gjykim ndoshta i parakohshëm. Ndërsa shprehja "shtet i burgosur" nuk është ekzagjerim kur mendon dinamikat e pushtetit që janë duke u përvijuar. Dhe korrespondon me idenë që krijohet pasi ke kaluar dy muaj në Michoacan.

"Familja bën ligjin", më ka thënë një drejtor shkolle i Zitacuaros. "Ndoshta më shumë se shteti. Nëse duhet të marrësh mbrapsht një borxh, shko tek ata. Marrin një përqindje, por të jesh i sigurtë që do i rigjesh paratë e tua. Policia punon për ta. Kur arreston dikë nuk e dërgon në rajon, por tek krerët e familjes".

Drejtori, që më kërkoi të mos ia zbuloj emrin, e kish fjalën për policinë lokale. Njerëzit, më shpjegoi, kanë frikë nga ata, por edhe nga policia federale, nga ushtria dhe nga marina. Por forcat e rendit nuk punojnë direkt për los malasos. Në korrik 2009, drejtoria e përgjithshme e policisë federale u sulmua nga njerëzit e Familjes të armatosur me automatikë dhe granata. Një mëngjes kalova nga godina, që edhe sot është e mbushur me vrima plumbash, pa dritare, e karboniziuar dhe e braktisur. Shoferi më konfirmoi sulmin. Shtoji edhe që dy agjentë kishin humbur jetën. E pyeta se kush e kish organizuar atentatin.

Për një moment mori një shprehje si të përhumbur. Në fund, duke mërmëritur, më tha: "Los otros". Të tjerët.

Mes organizatave meksikane që menaxhojnë trafikun e drogës, Familja është e mbërritura e fundit. U shfaq në kronikat kombëtare për herë të parë në shtator 2006, atëherë kur pesë koka të prera u rrotulluan në pistën e vallëzimit në një klub nate të quajtur Sol y Sombra, në Uruapan, në pjesën perëndimore të shtetit. Mesazhi që kishin lënë vrasësit thoshte: "Familja nuk vret për para, nuk vret gratë dhe të pafajshmit. Vret vetëm ata që meritojnë të vdesin. Të gjithë duhet ta dijnë: kjo është drejtësia hyjnore".

Në mesazhet e lënë tek kufomat, Familja përmend shpesh drejtësinë hyjnore. Duket sikur pjesëtarët e saj kanë detyrimin që të marrin me vete një Bibël, apo, në raste të tjerë, një vëllim të vetëbotuar të epigramëve të Nazario Moreno Gonzales, kreu i njërës prej bandave që ndryshe e thërrasin El Chayo o El Mas Loco (më i çmenduri). Thuhet se vetë El Chayo u frymëzua nga kristianizmi agresiv i evangjelistit amerikan John Eldredge, autor i "I egër në zemër", një manual që tregon si të bëhesh një luftëtar i përsosur i Perëndisë. Libri, që është përkthyer në spanjisht, studiohet në vendet e stërvitjes së familjes.

Përveç se një frymë gjysmë fetare, daljet publike të organizatës përmbajnë edhe një mesazh politik. Kohë më parë, Familja kish blerë një hapësirë publicitare në dy gazeta të përditshme që shpërndahen në të gjithë vendin. Mesazhi, me titullin "Kush jemi ne", fillonte kështu: "Punëtorë në rajonin e Tierra Caliente në shtetin e Michoacan, të vendosur që t'i japim fund shtypjes dhe poshtërimit që jemi të detyruar të provojmë nga ana e atyre që kanë patur gjithmonë pushtetin".

Kohët e fundit, një fraksion i familjes ka filluar të lërë mesazhe në kufoma ku shkruhet "La resistencia". Një funksionar amerikan që vetë punon në qytetin e Meksikos më tha: "Familja po fillon t'i ngjajë më shumë një grupi të armatosur rebelësh se sa një karteli".

Por vena e narkotrafikut mbetet e fortë në organizatë. Aktivitetet kryesore të saj janë trafiku i marijuanës dhe lulja e opiumit, të kultivuara mbi të gjitha në Sierra Madre del Sud, vargmali në jugperëndim të Michoacan. Merret dhe me kristalet e amfitaminës, prodhuar në laboratorë klandestinë po në mes atyre maleve dhe zonave përreth tyre. Kokaina mbërrin përgjithësisht nga deti, mbi të gjitha nga Kolumbia dhe nga Peruja, dhe hyn në meksikë përmes plazheve dhe gjireve të shumtë apo direkt nga porti inustrial Lazaro Cardenas. Pjesa më e madhe e drogës shkon në veri, në SHBA, atje ku familja ka një rrjet të jashtëzakonshëm shpërndarjeje.


Mbretëresha dhe narcos-ët


Po i afroheshim Apatzinganit, qyteti kryesor i territorit të Tierra Caliente. Sipas shokëve të mi të udhëtimit - një funksionare politike në rajon që do ta quaj Veronica Medina dhe Isaac Reyes, gazetar i një agjencie në internet - gjatë tridhjetë kilometrave të fundit disa roja të Familjes kishin ndjekur udhëtimin tonë duke regjistruar edhe targën. "Për fat të mirë jemi me mbretëreshën e jugut", më tha Reyes. E kish fjalën për Veronica Medinan. Mbretëresha e jugut është titulli i bestsellerit të Arturo Perez-Reverte që flet për narkotrafikun në Meksikë dhe Medina është - mes të tjerave - një sipërmarrëse e suksesshme në Apatzingan, e njohur për angazhimin e saj politik. Ka një elegancë mbresëlënëse si dhe një superioritet imponues në qasje. Reyes shpresonte se prestigji i saj do të na shmangte telashet. Postblloqet rrugorë të ushtrisë na e ngadalësonin rrugëtimin tonë. Ushtarët e veshur me të zeza ndalnin kamionët dhe merrnin në pyetje shoferët e irrituar, që i shihnin vëngër.

"Askush nuk do të përdorte këtë rrugë për të transportuar armë apo drogë", më tha Reyes. "Dinë vetëm të fusin para në xhepa", shton Medina. "Dhe Lipe nuk kupton përse njerëzit i urrejnë".

Lipe është Felipe Calderon, presidenti. Heqja e "Fe" - që në spanjisht do të thotë "besim" - është një shprehje evangjeliste. Medina është militante e apasionuar e një partie të opozitës.

Një ushtar na bëri me shenjë të kalojmë.

Rruga të çonte në veriperëndim, përmes fushave pjellore: oriz, agave, pjepra, mango, limonë. Në luginën përreth Apatzingan, bujqësia ka patur një bum në vitet e Pasluftës së dytë, atëherë kur qeveria financoi projekte ujitjeje, duke tërhequr investitorë amerikanë si dhe mijëra punonjës migrantë. Më pas, politika bujqësore e shtetit ndryshoi dhe produktet vendas ranë. Sot, fushat e mëdha të Michoacan janë të mbushura me kapanone ambalazhimi të braktisur si dhe copëza binarësh të ndryshkur.

Por, kapaciteti prodhues i rajonit u përqendrua më pas në industrinë e re në ekspansion, atë të drogës. Në Sierran në jug të Apatzingan, bujqit e vegjël kultivonin prej kohësh marijuanë dhe lulëkuqe opiumi, të cilat ua shisnin ndërmjetësve në Tierra Caliente. Me rritjen e tregut të drogës në SHBA, shumë prej atyre të mbetur pa punë u shndërruan në kultivues apo kontrabandistë droge dhe kamionët e ndalur u vunë sërish në lëvizje. Më pas, kur amerikanët mbyllën rrugët kryesore të kokainës që nga Amerika Latine shkonin drejt veriut, duke kaluar nga Karaibat dhe nga jugu i Floridës, zotërinjtë e vegjël të drogës në Michoacan u bënë të mëdhenj. Kokaina nisi të kalojë nga Meksika dhe veçanërisht nga Michoacan. Një impakt edhe më të madh, të paktën në Tierra Caliente, e pati zhvillimi i përpunimit të amfitaminës. Përbërësit kimikë të kristalit, siç e quajnë këtu, mbërrijnë nga Azia. Metamfetamina garanton marzhet e prodhimit më të mëdhenj në këtë sektor. "E shihni atë auditorium?", më pyeti medina, duke treguar me gisht një pavion ngjyrë të verdhë pranë një shkolle fillore fshati. "E ka ndërtuar Familja. Bashkë me fushën e volejbollit". Më pas, më tregoi një arenë në anën tjetër të rrugës: "Atje organizojnë festa. Festa shumë popullore. Ose të paktën kështu ishin. Tani kanë pushuar. Besoj për shkak të fushatës së Lipes".

Fushata e Lipes është lufta e Calderonit kundër narkotrafikantëve. Medina beson se ka shkatërruar ekonominë në Tierra Caliente dhe paqen sociale në komunitet. Familja ofronte punësim, garantonte sigurinë publike dhe ndihmonte të varfërit. Mbërritja e ushtarëve dhe e policisë federale në zonë e detyroi organizatën që të kthehet në hije. Dhe tani kush kujdeset për të varfërit? Qeveria? Me një shprehje sfide në fytyrë, Medina priste përgjigjen time. Jo, qeveria sigurisht që jo. Policia lokale është e paguar keq dhe si pasojë jo e aftë dhe e korruptuar.

Atëherë kur komandonte Familja, më tha Medina, askush nuk mundej të gabonte. As nuk duhej ta mbyllje me çelës derën kur shkoje të flije. "Nëse të gjenin të dehur në një vend publik, të merrnin, të ulnin pantallonat dhe të rrihnin me shkop".

Akte të tillë dhune të duken kaq "të mirë" saqë u ndjeva pothuajse në siklet kur e pyeta për krimet për të cilët familja qe bërë e famshme. Pak ditë më parë, gjashtë trupa me kokë të prerë ishin braktisur në një rrugë, në periferi të Apatzinganit. Kishin të gjithë një Z të ngulitur në gjoks. Sipas një raporti që kam lexuar, 'Z" provon që ata njerëz janë vrarë nga grupi Los Zetas, një bandë rivale e Familjes. Por besoj se i ka vrarë Familja për shkak se ishin Zetas, apo të paktën donte të bënte të besohej që ishin. Edhe një agjent i shërbimeve të fshehtë të Morelias, ekspert i kriminalitetit të organizuar, mendonte se ishte Familja që kish kryer vrasjet. Los Zetas janë dëbuar tashmë nga ajo zonë, më shpjegoi ai. Ndoshta këta viktima janë rezultat i një konflikti brenda Familjes. Gjëja më shqetësuese, sipas agjentit, është mosha e tyre. Viktimat duket se janë baballarë të narcos-ëve dhe kjo gjë mund të çojë në një seri të përgjakshme larjesh hesapesh.

Mbretëresha e jugut nuk dukej aspak e interesuar për gjithë këto. Sapo mbërritëm në shtëpinë e saj, në Apatzingan, më tregoi një grumbull gazetash lokale. I ktheu për të më treguar faqet e fundit. Në fund të pothuajse të gjithë gazetave meksikane është "nota roja", buletini i policisë gjithnjë i mbushur me foto që të ngjethin mishtë. Kishte kudo kufoma të përgjakura, që dukej se i jepnin asaj të drejtë: tashmë, dhuna e narkotrafikantëve është e vazhdueshme. Dhe kjo gjë nuk bie në kontradiktë me pozicionin e Medinas mbi familjen dhe rendin publik. Therjet janë larje hesapesh mes tyre.

E pyeta për zhvatjet e tregtarëve. Në Apatzingan ishte problem, më tha, por vetëm kur vërdallë ishin Los Zetas. Kur Familja zuri vendin e tyre, Medina shkoi të flasë zyrtarisht me krerët e organizatës dhe i bëri të kuptojnë që detyrimi i tregtarëve të vegjël për të paguar taksën e mbrojtjes do të dëmtonte ekonominë lokale. Ndryshe nga Los Zetas, që ishin gangsterë mercenarë të ardhur nga jashtë, Familja kishte rrënjë dhe aleanca të konsoliduara në vend. Mund të arsyetonte. Gjobvëniet morën fund. Morën fund edhe rrëmbimet.

Por kanë vazhduar në Zitacuaro, ia ktheva unë. Medina m'u kthye duke ngritur supet. "Konsiderohen të pasur nga ato anë", m'u përgjigj.

Reyes dhe unë shkuam drejt bashkisë. Edhe pse sot jeton në Morelia, në të kaluarën Reyes ka drejtuar një të përditshme në Apatzingan dhe njerëzit në rrugë i njeh dhe e njohin, kështu që ndalet e i përshëndet. Në bashki gjetëm zëdhënësen e shtypit, që do ta quajmë Elena Torres. Kryebashkiaku i qytetit u arrestua vitin e kaluar gjatë një operacioni federal që çoi në burg dhjetë kryebashkiakë të Mochoacan, bashkë me 18 funksionarë të tjerë që dyshoheshin se punonin për Familjen.


Bosi me kalë


Torres, një vajzë e re që drejton edhe një gazetë të përjavshme, e priti ngrohtë Reyesin. Zyra e saj ishte plot. Në një mur ndodhej një portret i guvernatorit të Michoacan, Leonel Godoy, por gjëkundi nuk kish gjurmë të Felipe Calderon. Të jesh guvernator në Michoacan sot, do të thotë të jesh i rreshtuar. Godoy dhe Caldeorn u përkasin partive kundërshtare dhe vitin e kaluar Calderon e nisi fushatën e tij ushtarake pa e lajmëruar më parë Godoyn, që e quajti "një pushtim". Dy funksionarë të lartë, mes të cilëve këshilltari i parë i kryeprokurorit, u arrestuan. Edhe vëllai nga babai i guvernatorit, një deputet, është ende në kërkim. Shumë prej të arrestuarve, më pas u liruan.

Torres më shoqëroi jashtë zyrës së saj në një tarracë të qetë me pamje nga sheshi qendror i Apatzingan. "Prej këtu, dikur shihnim krerët e Familjes", më tha duke ndezur një cigare dhe duke më treguar me një shenjë të kokës sheshin e shkretë tashmë. Vinin në darkë me kuaj. Organizonin festa të mëdha me artistë të mrekullueshëm si të ftuar. Vallëzohej dhe këndohej. El Chayo është një xhentëlmen, shumë i edukuar. Jo shumë i gjatë. "Ka një prani imponuese".

Edhe Medina më foli për El Chayon. Si ajo, edhe Torres, përdorin të njëjtën fjalë, guapo, që do të thotë "i bukur". Por në atë kontekst shërbente më shumë për të krijuar idenë e një burri të nderuar, një komandanti të sertë, por bujar.

El Chayo është një gjysmë i jashtëligjshëm dhe gjysmë padron. Nuk është kreu suprem i familjes, që me sa duket udhëhiqet nga një këshill, por është kreu i pothuajse të gjithë Tierra Calientes. Dhe në versionin e narcos të traditës së vjetër revolucionare meksikane, lufton kundër një qeverie të urryer nga njerëzit.

Torres, pasi thithi fort cigaren, më tha: "Për faj të federalëve, tashmë gjithçka ka marrë fund", duke iu referuar festave në qytet. Më pas, më pa drejt e në sy. "Por këtu të gjithë kanë simpati për Familjen michoacan-ase".

Nëse njerëzit nuk i besojnë policisë dhe gjykatave, atëherë atë boshllëk e zënë grupet kriminalë. Një nënë e vetme që jeton në Morelia, më tha plot krenari: "kam një numër të cilit mund t'i telefonoj gjithmonë". E kish fjalën për dikë nga Familja. "Nuk është El Chayo, por është një prej njerëzve të tij", shtoi ajo. "nëse kam një problem, nëse dikush më kërcënon apo përpiqet të më vjedhë makinën, mjafton një telefonatë dhe ata më dërgojnë një agjente policie, një grua".

Në Tierra Caliente, Familja shërben edhe për të gjetur punë. Ushtria thotë se ka shkatërruar më shumë se 400 laboratorë metamfetamine në rajon. Nëse kjo shifër është e saktë, bëhet fjalë për humbjen e shumë vendeve të punës. Natyrisht, njerëzit e dinë që kristali është i paligjshëm. Dinë edhe që krijon varësi dhe që është shkatërrimtare për shëndetin. Por Familja këtu veproi duke luftuar përdorimin e metamfetaminës në Michoacan, duke dëbuar toksikët dhe ndëshkuar shpërndarësit. Familja këmbëngul që i gjithë prodhimi i metamfetaminës është i destinuar për eksport. Ndoshta është një pohim jokorrekt nga pikëpamja etike, por në një rajon kaq të varfër puna e punëtorëve dhe kontrabanda do të jenë gjithnjë shumë të vlerësuar nga popullsia.


Gabimi i Calderon


Rritja e madhe e kriminalitetit të organizuar në Meksikë, në dhjetë vitet e fundit, i atribuohet shpesh shumëfishimit të partive. Nga 1929 deri në 2000, vendi praktikisht u qeveris nga një forcë e vetme politike, Partia Revolucionare Institucionale (PRI). Narkotrafikantët pasuroheshin, por kishin raporte të vendosura me autoritetet. Periodikisht, zakonisht me kërkesë të SHBA, kryheshin fushata kundër drogës që rezultonin farsa, duke patur parasysh penetrimin e kriminalitetit të organizuar në institucione.

Gjërat ndryshuan në vitin 2000, kur Vicente fox, i Partisë së Veprimit Kombëtar mundi kandidatin e PRI për presidencën. Nisi një tranzicion demokratik i paprecedentë, që shpërbëu rrjetet e vjetër klientelistë, duke krijuar një boshllëk të madh pushteti. Politikanët, që vinin nga parti të reja kishin nevojë për fonde për fushatat e tyre. Dhe zotërinjtë e drogës ishin gati që t'i ndihmonin. Konfliktet mes bandave, tashmë pa ndërmjetësimin e PRI u shpeshtuan. E ashtuquajtura "pax mafiosa" mori fund. Administrata e Fox arrestoi shumë narkotrafikantë dhe disa bosë, duke përfshirë joaquin El Chapo Guzman Loera, kreu i kartelit të Sinaloas, i cili u arratis nga një burg i sigurisë së lartë në 2001. Por, Meksika post PRI ishte në kaos dhe qeveria nisi të humbasë terren.

Fernando Gomez Mont, ministri i Brendshëm, drejton pjesën politike të luftës antidrogë të Calderonit. Eshtë i bindur që me rënien e PRI, krimi i organizuar vetëm sa u bë më i dukshëm. "Ndodhi kështu edhe në Bashkimin Sovjetik", më tha. "Regjimi autoritar drejtonte shumë interesa të fshehur".

Për Gomez Mont, vrasjet e agjentëve federalë në Michoacan dëshmojnë për ndershmërinë e policisë. "Kushton më pak të korruptosh se sa të vrasësh. Atëherë përse vrasin? Sepse procesi i korruptimit nuk shkon si do të donin ata".

Sipas tij, popullariteti i Familjes në rajone si tierra Caliente është simptomë e një "sindrome Stokholmi" masive.

Meksikanët nuk besojnë që qeveria po fiton luftën kundër karteleve. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, 59% mendojnë se po fitojnë narcos-ët dhe vetëm 21 përqind besojnë se qeveria po bën progres. Narcos-ët përdorin avionë dhe helikopterë, motoskafë e madje edhe nëndetëse. Kanë para dhe armë për të lënë pas ushtrinë. Edhe pse shumica e meksikanëve nuk e bëjnë Calderonin personalisht përgjegjës për pasigurinë, në zgjedhje e ndëshkojnë. Në ato legjislative të 2009, partia e tij e veprimit kombëtar u mund keqas nga PRI, që tashmë kontrollon Parlamentin dhe mund të rimarrë Presidencën në 2012.

Edgardo Buscaglia, profesor i të drejtës dhe ekonomisë në Columbia University, është një ekspert i kriminalitetit të organizuar dhe ka qenë konsulent në OKB dhe Bankën Botërore. Prej vitesh punon në Meksikë dhe mendon që qeveria e Calderon po gabon rrugë. "Puna nuk është sa ushtarë hedh në rrugë apo sa bosë arrin të kapësh", më tha. "Gjithçka rrotullohet tek pasuria. Konfiskimet. Sekuestrimi civil dhe penal i pasurive të trafikantëve. Mund të arrestosh 53 mijë vetë, siç ka ndodhur nga 2003, por derisa gjykatësit dhe ministritë janë të korruptuar, do të jetë e pamundur të zgjidhet problemi".

Kriminaliteti i organizuar mbështetet tek korruptimi i sektorit publik dhe përdor burimet e veta për ta mbajtur. Dihet që e vetmja masë efikase për të mundur kriminalitetin është të sekuestrosh mallrat dhe të luftosh korrupsionin. Sipas Buscaglias, Meksika nuk po punon në asnjë nga këta dy fronte. Magjistratëve u mungon gjithçka që u duhet për të mposhtur kartelet: burime, ligje, informacione financiare, pavarësi gjyqësore. "Që t'i shpallësh luftë krimit të organizuar, duhet t'i shpallësh luftë shoqërisë tënde", shpjegon Buscaglia.


Gjeografi kriminale


Përbërja e karteleve meksikane është e ndryshme. Organizata e Sinaloas, që vepron në bregun e Paqësorit dhe që drejton shumë veprimtari përtej kufirit, është karteli më i madh dhe i qëndrueshëm. Është gjithmonë në përpjekje për të zgjeruar territorin dhe duket se rritja e dhunës në Ciudad Juarez kohët e fundit është pasojë e kësaj tentative. Bregu lindor i vendit është mbretëri e kartelit të Gjirit, edhe ky me një histori të madhe pas krahëve. Dy grupe po kaq të fuqishëm, me baza në Tijuana dhe Juarez dominojnë rajonet e veriut, nyje thelbësore për trafikun mes Meksikës dhe SHBA. Më pas është grupi Beltran Leyva, që ka një territor të gjerë, por të fragmentuar. Kreu i vjetër i grupit, Arturo Beltran Leyva është vrarë nga ushtarakët në dhjetor 2009 dhe tashmë grupe të tjerë të armatosur po përpiqen të shtien në dorë disa prej zonave të tij të interesit. Duket se familja është gati të marrë kontrollin e Acapulcos.

Los Zetas janë një rast më vete. E kanë nisur si truproja: komandos të forcave speciale të stërvitur në SHBA, që në vitet nëntëdhjetë dezertuan të joshur nga premtimet e Osiel Cardenas Guillen, në atë kohë kreu i kartelit të Gjirit. Los Zetas e transferuan në trafikun e drogës përvojën e tyre ushtarake, duke fituar famë si organizatë brutalisht e dhunshme dhe eficiente.

Në fillim, fushatat e tyre të rekrutimit ishin publike: reklama në autostrada, me shumë numra celularësh për të thirrur, i joshnin ushtarët që "të dezertonin kundrejt një page të mirë, ushqimi dhe asistence mjekësore për familjet". Kush afrohej, merrte një pagë të pamendueshme në ushtri. Më pas, grupi u rrit, duke u bërë diçka më shumë se krahu i armatosur i kartelit të gjirit. Filloi të bashkëpunojë me grupe të tjerë, si stërvitës apo mercenarë freelance. Sot është një organizatë kriminale e rëndësishme, në luftë me aleatët e vjetër, mes të cilëve Familja dhe Karteli i Gjirit. Siç ka shkruajtur Cynthia Rodriguez në best sellerin e saj "Contacto en Italia", punojnë në bashkëpunim të ngushtë edhe me "ndraghettan kalabreze".

Në fundin e epokës së Partisë Revolucionare Institucionale, kriminaliteti në Michoacan dominohej nga një grup i mesëm i njohur si El Milenio, aleat me kartelin e Sinaloas dhe shumë aktiv në sektorin e metamfetaminës. Karteli i Gjirit pushtoi Michoacanin me krahun e vet të armatosur, Los Zetas, në 2001. Sipas disave, ata të Gjirit kishin ardhur me kërkesë të disa disidentëve vendas të dalë nga Milenio, mes të cilëve El Chayo, që donin të rrëzonin krerët e dikurshëm. Sipas të tjerëve, ka qenë një nismë e kartelit të gjirit, i interesuar për një zgjerim në perëndim, favorizuar nga të larguarit prej El Milenio. Në çdo rast, El Milenio u mposht nga zetas që, për llogari të kartelit të Gjirit, morën Michoacanin me brutalitetin e tyre.


Ngjitja e El Chayo


Familja ka origjinë të përzier. Bërthama formohej nga grupi që i përkiste dikur El Milenio-s, që ishte stërvitur nga Los Zetas dhe që më vonë ishte rebeluar. Shumë pjesëtarë vendas - bujq dhe punëtorë në Tierra Caliente - nuk e duronin dot regjimin shtypës të Zetas dhe rritjen e madhe të përdoruesve të konsumatorëve të kristalit. Në 2006, familja doli nga hija duke shpallur luftë dhe në 2008 kishte dëbuar Los Zetas nga një pjesë e madhe e zonave strategjike të shtetit. Në fletëvolantet e veta grupi sulmonte madje edhe el Chapo Guzman dhe kartelin e Sinaloas, që reaguan duke kërcënuar se do të asgjësonin të rinjtë e Familjes.

Në realitet, grupet kryesorë kriminalë duhej të ndanin qytetin port të Lazaro Cardenas, një shesh shumë i çmuar për t'i përkitur një grupi të vetëm. Familja kishte sasi të mëdha droge për të transferuar në SHBA dhe duhej të negocionte të drejtat e kalimit përmes territoreve të grupeve të veriut. Fryma evangjeliste e Familjes, ideja e saj e çuditshme e mëshirës si dhe prirja për dhunë rezultuan një kombinim fitues edhe përtej kufijve të Michoacan. Në maj të 2009, ministri i Drejtësisë e quajti Familjen kartelin meksikan më të rrezikshëm, për brutalitetin, aftësinë për të korruptuar autoritetet dhe për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm në prodhimin e drogave sintetike. Spas Ramon Pequeno Garcia, kreu i antidrogës në policinë federale, sot Familja ka kontakte për prodhimin dhe shpërndarjen e metamfetaminës në Kinë, Indi, Bullgari dhe në Vendet e Ulët.

Përpara se të mbërrija në Zitacuaro kisha folur me Lazaro Cardenas Batel, guvernator i Michoacan nga 2002 deri në 2008, periudha me rritjen më të shpejtë për Familjen. Doja të kuptoja se si krimi i organizuar kish arritur të vinte në kontroll territorin. "Në të gjithë qendrat e vogla të Michoacan përsëritej e njëjta skenë", më tha Batel. "Më thërriste kryebashkiaku dhe më thoshte se dhjetë furgonë me njerëz të armatosur kishin ardhur në bashki. Policia nuk mund të bënte asgjë sepse ishte në pakicë. Por kriminelët ishin treguar shumë të respektueshëm. I kishin thënë kryebashkiakut: Ne duam të punojmë këtu. Nuk do ketë probleme. Asnjë krim, asnjë i dehur në rrugë, asgjë, asgjë. Më pas kishin marrë kontrollin e qytetit dhe kishin imponuar rregullat e tyre. Nëse një djalë rrihte të ëmën, e ndëshkonin dhe më pas e hidhnin në sheshin qendror që ta shihnin të gjithë. Nëse e bënte prapë, e vrisnin. Ishte një strategji për të fituar simpatinë e njrrëzve dhe funksionoi". Në përgjithësi, Familja paguan kryebashkiakët që të qëndrojnë në shërbim të saj. Është ligji i plata o plombo, argjend ose plumb. Ose merr paratë, ose do të të vrasim ty dhe familjen tënde.

Megjithatë, është një kuadër jo i plotë, sepse përshkruan realitetin e qyteteve të vegjël. Në Zitacuaro, një komunë me 140 mijë banorë, veç kryebashkiakut hyjnë në lojë edhe aktorë të tjerë. Ka policë të trembur dhe banda të jashtëligjshmish që vijnë vërdallë me fuoristrada. Por mbi të gjitha ka një numër sipërmarrësish, bankierësh, të pasurish të rinj e të vjetër, të gjithë për t'u shtrydhur, por secili në mënyrë të ndryshme.

Përpara mbërritjes së Familjes, zhvatja përmes huave ishte e përhapur. Familja premtoi ta eliminojë. Dhe ia doli. Gjëja e parë që duhej bërë ishte të bindeshin njerëzit e duhur në Zitacuaro që familja e kishte seriozisht. Orihuela ishin një familje me ndikim, shumë aktive në politikë dhe me sensin e biznesit. Juan Antonio Ixtláhuac Orihuela, një i ri brilant me fytyrë fëmijërore, i njohur si Tonio, u zgjodh kryebashkiak i Zitacuaros në moshën 27 vjeç. Njëri prej xhaxhallarëve të tij, thuhet, i kish dhënë punë Noe Ayala Garcias, një djalë shumë i varfër. Garcia ishte inteligjent dhe ambicioz. Por ishte edhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme. Familja i preu kokën dhe ia la, bashkë me atë të një tjetër djaloshi, përpara derës së autosallonit të xhaxhait të Tonios. Mesazhi për Orihuelat ishte shumë i qartë.


Para të lehta


Për zhvatjet, kundërshtarët më të mirë ishin të pasurit e rinj vendas. Njerëzit i quanin los fresas, luleshtrydhet. Ishin të mjaftueshëm në numër për të krijuar një klasë të re, la fresada: makina të bukura, veshje marke dhe shtëpi luksoze. Ishin edhe të kollajtë për t'u rrëmbyer, dhe zakonisht baballarët dhe vëllezërit paguanin mirë për t'i riparë të gjallë. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se në Meksikë 96% e rrëmbimeve nuk denoncohen. Për njerëzit atje është një punë që duhet kryer më mirë privatisht, duke ndjekur udhëzimet e rrëmbyesve. Policia mund të jetë në anën e tyre.

Të gjithë ata me të cilët fola në Zitacuaro njihnin dikë që ishte rrëmbyer. Intervistova dy mësues në shkolla të ndryshme. Të dy kishin patur familjarë të rrmbyer. Në Zitacuaro funksionon kështu: pasi paguhet shuma, viktima lëshohet pak a shumë i paprekur. "Por përpara se të të lënë të ikësh, zakonisht të kërkojnë një tjetër emër, më tregoi një prej dy mësuesve. "Një i njohur i pasur që mund të rrëmbehet".

A mund të merren masa? "Duhet të shmangësh rutinën e përditshme", më tha. Nuk arrija të imagjinoja se si mundej një mësues të shmangte rutinën. "Duhet të ndërrosh rrugë", këmbënguli. "Ata të vëzhgojnë".

Në fund arrita të gjej dikë në Zitacuaro që ishte rrëmbyer dhe që ishte gati të më tregonte historinë e tij. Do ta quaj Enrique Delacruz. Një njeri i sjellshëm, në të tridhjetat, punon në bashki si konsulent mjedisi. Ishte rrëmbyer në një restorant në periferi të qytetit. "Po drekoja me tre kolegë", më tregoi. "Hynë brenda katër burra, me pistoleta në duar. Nuk bënin asnjë përpjekje për t'i fshehur. Njëri më erdhi pranë dhe më ngjiti pistoletën në shpinë. Na urdhëruan t'i ndjekim pas. Jashtë ishin tre furgonë që na prisnin. Na çuan në një zonë të izoluar dhe kapoja i tyre, që e thërrisnin Lagrimita, nisi të ulërasë e të më qëllojë".

Lagrimita do të thotë "lot i vogël". E kish kapur me Delacruz për shkak të një copë toke pranë basenit hidrik të Zitacuaros. Një ndërtues i kish kërkuar ndihmë Familjes për të siguruar tokën dhe për të ndërtuar. Projekti dukej i parealizueshëm për shkak se ishte tokë ku nuk mund të ndërtohej, por njerëzve të Familjes pak u interesonte mendimi teknik i delacruz. Donin vetëm që të pushonte së dhëni të drejtë ankimeve të bujqve të vegjël të zonës që protestonin për shkatërrimin e pemëve dhe të korrave.

Ata të Familjes e kishin parë në vend teksa bënte fotografi të dëmeve. Si të mos mjaftonte, gjyshërit e Delacruz ishin pronarë të një copë toke pranë basenit hidrik, që nuk donin ta shisnin. Duhej t'i bënte të ndryshonin mendje. Për Delacruz ishte një pasdite e tmerrshme. Në një moment arriti të telefononte njeriun më të fuqishëm që njihte tek Familja, një farë El Tapa. Bosi nuk u përgjigj dhe Delacruz arriti vetëm t'i dërgojë një sms të shkurtër ("duan të më vrasin"), përpara se të mbaronte krediti i kartës.

Delacruz i tha Lagrimitas se nuk do t'i ndihmonte. Atëherë je i vdekur, i tha Lagrimita. Në muzg, tre furgonët u nisën sërish për qytet. U ndalën në një urë, një vend i famshëm për ekzekutime. Kolegët e Delacurz i mbajtën në furgonë, ndërkohë që atë vetë e nxorrën tek ura. Lagrimita u afrua për t'i lidhur duart pas shpinës, duke ia dhënë pistoletën një shoku. Delacruz, që është një i apasionuar pas taekuondo, e kapi nga pas. Nisën të përleshen në buzë të urës. Delacruz i thirri lagrimitas që nëse binte nga ura, do ta merrte me vete. Pikërisht në atë moment ra zilja e celularit të njërit prej njerëzve të Lagrimitas. Ishte El Tapa. U kërkoi t'i jepnin lagrimitan dhe e urdhëroi të ndalej. Ndërtuesi nuk i paguante mjaftueshëm sa për të kryer një vrasje.

"Më lanë të iki. Por më parë më çuan në një supermerkatë. Më urdhëruan t'i blej një dhuratë time shoqeje, sepse kishte telefonuar gjithë ditën dhe nuk isha përgjigjur asnjëherë. I bleva lule". Kur pa të shoqin, gruaja mori frymë e lehtësuar. "Por unë shpërtheva në lotë", tha ai. "Dhe nuk pushoja së puthuri djalin tonë".

Nuk ishte historia e një rrëmbimi normal, gjithnjë nëse pranojmë që në Zitacuaro normaliteti ekziston. Vetëm pas takimit tonë mendova që ishte gjë e çuditshme që Delacruz kishte numrin e El Tapas. Ai është funksionar shtetëror dhe El tapa është një prej krerëve të Familjes. Teorikisht është e paligjshme të kesh kontakte me krimin e organizuar, mbi të gjitha nëse je funksionar publik. Por Delacruz dhe El Tapa kishin qenë shokë shkolle. Dhe Delacruz duhet të ketë menduar që është më mirë të qëndrojë në kontakte me shokun e dikurshëm të shkollës, pasi asnjëherë nuk i dihet. Personalisht, mendoj që El Tapa është një prej atyre që duhet t'u dërgosh një kartolinë në Krishtlindje.

Mirësevini në shtetin e burgosur!

Google+ Followers