ARTHUR SCHLESINGER/Njeriu i historisë


Jon Meacham


Në një mbrëmje të shtune në Georgetown, në fundin e vitit 1946, editorialisti Joe Aslop kishte shtruar një darkë në shtëpinë e tij në lagjen 2700 të Dumbarton. Ndodheshin aty mysafirë që i përkisnin sërës së lartë të artit dhe politikës; Gjykatës së Lartë, ambasadorë dhe gazetarë me influencë të cilët ishin shpesh herë të ftuar në tryezën e Aslop. Arthur Schlesinger Jr., që ende nuk i kishte mbushur 30 vjeç, por kishte statusin e historianit që kishte fituar Çmimin Pulitzer, ishte aty, ashtu si edhe Henry Cabot Lodges. Zonja Lodge, siç u shkruante në një letër prindërve të tij Schlesinger, ishte "jashtëzakonisht joshëse". Ishte dhe një tjetër mysafir që shfaqte shumë interes: një kongresmen i zgjedhur nga Massachusetts, me emrin John F. Kennedy. "Kennedy dukej shumë i sinqertë dhe aspak jointeligjent", shkruante Schlesinger, "por disi në krahun konservator".
Skena është tipike e Schlesinger: ja tek është ai, njëkohësisht një historian i të shkuarës dhe aktor në politikën e momentit, duke shijuar një darkë të shijshme në shoqëri të këndshme, duke vëzhguar tryezën me një sy të mprehtë - herë bujar, herë i pamëshirshëm, herë politikisht therës. Schlesinger, i cili vdiq javën e kaluar në moshën 89-vjeçare, njihte gjithkënd dhe dukej se dinte gjithçka. Ai dashuronte festat, pijet martini, politikën, filmat, papionet (të cilat i pëlqenin, sepse po kaq u pëlqenin edhe Franklin Delano Rooseveltit apo Winston Churchillit) dhe uiskin bourbon; ai mund të zhvendosej me një lehtësi të jashtëzakonshme nga debati për politikën e paraluftës që kishte ndjekur Roosevelt në ndihmë të Britanisë së Madhe, tek analiza e meritave relative të Knob Creekit që prodhohet në Kentucky kundrejt Jack Daniel's-it që prodhohet në Tennessee.
Lindur në vitin 1917, bir i Arthur Meier Schlesinger, historiani i njohur i Harvardit, Arthuri i ri e donte shumë fëmijërinë e tij në Cambridge; ai u zhyt në veprat e G.A.Henty, Mark Twain, H.G.Wells, Alexandre Dumas, Robert Louis Stevenson dhe Sir Walter Scott. Leximet e hershme, kombinuar me studimet në Exeter dhe Harvard, ushqyen një imagjinatë kumbuese letrare dhe historike.
Në librat dhe esetë e tij, Schlesinger ofronte me një dorë të sigurtë kronikën intelektuale, politike dhe popullore, duke rikrijuar, sipas fjalëve të Churchillit, "pasionin e kohëve të kaluara" me një forcë të tillë, saqë një lexues mund të arrijë të ndiejë erën e tymit të duhanit të Roosevelt, apo të ftohtin e mesditës së ceremonisë së inaugurimit të Kennedy. Ai ishte një mjeshtër i rrëfimit, i frazës së lëmuar si duhet dhe i skenës kinematike, por krenohej me veten se kishte shkelur në terrene të reja analitike. "Historia është në të vërtetë një argument pa fund", shkruante Schlesinger. "Kjo është arsyeja përse ajo është aq argëtuese".
Me aftësinë e tij, që e ndoqi gjithë jetën, për të qenë gjithmonë në qendër të ngjarjeve, Schlesinger ishte në Angli në periudhën mes Mynihut dhe pushtimit të Polonisë nga Hitleri. Gjatë luftës, ai punoi në Zyrën e Shërbimeve Strategjike, pararendësja e CIA. Në vitin 1946, Schlesinger botoi veprën e tij shpërthyese "Epoka e Jackson" dhe fitoi Çmimin Pulitzer (të parin). Ishte vetëm 28 vjeç.
Më pas, erdhën libra monumentalë nga dora e tij: "Epoka e Roosevelt", "Qendra Vitale", "Një mijë ditë", "Robert Kennedy dhe koha e tij", "Presidenca Imperiale". Një liberal i epokës së Marrëveshjes së Re - besim që e ruajti gjatë gjithë jetës - dhe antikomunist i vendosur, ai jo vetëm e shkroi historinë, por edhe e bëri atë, duke i shërbyer Adlai Stevensonit dhe Robert Kennedy-t. Ditën e premte, në 22 nëntor 1963, Schlesinger ishte duke drekuar në zyrat e Newsweek kur erdhi lajmi që Presidenti ishte qëlluar për vdekje në Dallas. "Mendova se ishte një shaka e kobshme", kujtonte më vonë ai. Pas vrasjes, ai u zhvendos në New York, ku vijoi të shkruajë, të japë leksione si dhe të komentojë stuhitë e kohës.
Schlesinger ishte i këndshëm dhe bujar, por mund të bëhej arrogant. Ai kujtonte një incident me të ëmën, Elisabeth Bancroft Schlesinger, një e afërme e George Bancroft, historiani i madh amerikan. Si fëmijë, Arthur e ndërpriste herë pas here dhe kur ajo i tha të mos e zgjasë më, ky iu përgjigj: "Nënë, si mund ta qep gojën unë, kur t'i vazhdon thua gjëra të cilat nuk janë faktikisht të sakta?" Megjithatë, ishte përgjithësisht i vetëpërmbajtur. Në vitet e adoleshencës, Schlesinger u fut në një turmë që ishte e "pseudo-sofistikuar, tymoste duhan dhe bënte aludime gjoja mendjemprehtë. Ishte ai lloj grupi që, më vjen turp ta them, po mund të përshtatem edhe sot", thoshte ai.
Schlesinger shkruante shpejt, rrjedhshëm dhe i pëlqenin shumë citimet. (Një kapitull me 20 faqe në librin e tij të fundit "Lufta dhe presidenca amerikane" citon Hegelin, Sir Walter Raleigh, Edmund Burken, Marc Bloch, Crane Brinton, Andrew Jackson, Alexander Hamilton, George Marshall, Churchill, Arnold Toynbee, Mark Twain, John Maynard Keynes, Harold Wilson, Reinhold Neibuhr Herbert Butterfield, Jean-Jacques Rousseau, Richard Goodwin dhe Librin e Klerikëve). Nga fundi i jetës, ai shqetësohej se kishte kaluar shumë kohë duke shkruar opinione apo editoriale, një kohë që sipas tij, ua kishte hequr librave, por prodhimi i tij gazetaresk pasqyron angazhimin e thellë të Arthur Schlesinger në jetën e kombit të tij.
Nuk e ngadalësoi kurrë ritmin, duke lëvizur shpesh nëpër Manhattan me bashkëshorten e tij të dashur, Alexandra, një grua e mrekullueshme.
Deri në fund, ai ishte i interesuar për çdo aspekt të jetës, nga Kabineti i Kuzhinës i Jacksonit, tek e ardhmja e Irakut e tek gratë joshëse. Herën e fundit që e takova ishte për Krishtlindje, gjatë një feste në shtëpinë time. E prezantova me Luoisa Thomas, stërmbesa e Norman Thomas, kandidati socialist i përhershëm për President. "E njihja stërgjyshin tënd", i tha Schlesinger dhe më pas nisi të bisedojë me të për tensionet mes radikalizmit dhe kapitalizmit në vitet '30. Louisa, një bionde shumë e bukur në mesin e të njëzetave, foli me ne për pak kohë dhe pasi u largua, Schlesinger u kthye nga unë. "E kemi harruar se sa pranë revolucionit ishim në kohën e Rooseveltit", tha, duke folur ngadalë. Mendja e tij ishte në Epokën e Rooseveltit, e pushtuar nga historia. Pas pak çastes, kapsalliti sytë dhe tregoi me gisht nga Louisa, e cila ishte ende aty pranë. "Është shumë e bukur, apo jo?", më tha dhe më pas u zhduk në natën e New Yorkut, i magjepsur dhe magjepsës.

Google+ Followers