AMERIKA/Nga vikingët, tek Kolombi



Banda e motorçiklistëve me emrin "Engjëjt e Ferrit" nën efekt steroidësh - ky është një përshkrim i duhur i sulmuesve vikingë, të cilët udhëtuan që nga vendlindja e tyre në Skandinavi për të plaçkitur brigjet e Evropës veriore, duke filluar nga shekulli VIII. Preja ishte shpërblimi i tyre dhe manastirët e pambrojtur që lulëzonin në izolim të plotë në kodrat pranë brigjeve të detit ishin shpesh herë shënjestra e tyre.

Ata përdornin taktika të pamëshirshme godit-dhe-largohu. Ata e sulmonin viktimën, plaçkisnin sa më shumë thesar të ishte e mundur dhe më pas kërkonin një haraç për të premtuar që nuk do të riktheheshin - një premtim që shpesh herë nuk mbahej.

Deri në shekullin X, këto sulme ishin shndërruar në një aktivitet sezonal dhe Vikingët kallnin kudo frikë, si "Kamzhiku i Evropës". Me kalimin e kohës, sulmuesit nisën të ndërtojnë vendbanime e të mos plaçkisin më disa prej territoreve që vizitonin, si Islanda, Irlanda (ku themeluan qytetin e Dublinit), Normandia në Francë si dhe Rusia qendrore (emri e ka prejardhjen nga termi nordik Rothsmenn, që do të thotë lundërtar dhe i shkurtuar në Rus). Fakti që vikingët përdornin detin si vendin ku kryenin sulmet dhe më pas arratiseshin, i motivoi që të zhvillojnë anije që lundronin mirë si dhe teknika të besueshme lundrimi me të cilat mund të lundronin në det të hapur në distanca të mëdha.

Këto avantazhe i mundësuan atyre që të udhëtonin në oqeanin e ftohtë dhe të pabesë në drejtim të perëndimit dhe të arrinin në brigjet e Amerikës pothuajse pesëqind vjet përpara Kolombit. Eriku i Kuq ishte i pari që përshkoi këto ujëra kur - pasi ishte dëbuar nga ishulli për një seri vrasjesh - ai lundroi nga Islanda në 985 apo 986 drejt ishullit të cilit i vuri emrin "Groenlandë". I biri, Leif Ericsson vazhdoi eksplorimet e të atit dhe në vitin 1000 apo 1001 ai lundroi në drejtim të jugperëndimit nga Groenlanda në drejtim të ishujve pranë brigjeve të Kanadasë veriore dhe më në fund në brigjet e Tokës së Re. Nordikëve iu duk kaq mikpritëse, saqë qëndruan gjatë të gjithë dimrit përpara se të ktheheshin në Groenlandë.

Udhëtim në një tokë të re

Historia e eksplorimeve të vikingëve mbërrin përmes sagave që përcilleshin gojë më gojë nga një brez në tjetrin përpara se të hidheshin në letër. Provat arkeologjike moderne kanë vërtetuar pjesën më të madhe të historisë së sagës. Në këtë rrëfim, flitet për Leif Ericsson, teksa ky udhëheq ekuipazhin e tij nga Labradori - të cilin e quajti "Toka e Pyjeve" - në drejtim të Tokës së Re.

"E kështu udhëtuan ata në det të hapur me një erë që frynte nga veriperëndimi, dhe ishin dy ditë në det përpara se të shihnin tokë, dhe aty lundruan e mbërritën në një ishull që ndodhej në lindje të tokës, shkuan atje dhe panë përreth, në një mot të mirë, dhe vërejtën se mbi bar kishte vesë. Dhe kështu ndodhi që ata prekën vesën me duart e tyre dhe më pas çuan gishtërinjtë tek goja, dhe menduan se asnjëherë më parë nuk kishin shijuar diçka kaq të ëmbël.

Pas kësaj, ata shkuan tek anija dhe lundruan në një ngushticë që ndodhej mes ishullit dhe një kepi, i cili zgjatej tej në lindje të tokës dhe më pas lundruan në perëndim, pasi kaluan kepin. Ishte shumë cekët për shkak të zbaticës dhe kështu u ndalën.

Por aq shumë donin të zbrisnin në tokë, saqë nuk i dhanë kohë vetes që të prisnin deri sa ujërat të ngriheshin sërish nën anijen e tyre, por vrapuan menjëherë në breg në një vend ku një lum buron prej një liqeni. Por sapo ujërat nisën të ngrihen nën anijen, ata morën varkat dhe lundruan drejt anijes dhe e tërhoqën atë drejt lumit e pas tij drejt liqenit ku e ankoruan. Aty ngritën barakat.

Pasi u këshilluan dhe vendosën të qëndrojnë aty gjatë dimrit, ndërtuan shtëpi të mëdha. Nuk kishte mungesë salmoni as në lumë e as në liqen, e madje ishin edhe më të mëdhenj nga sa ata kishin parë ndonjëherë.

Natyra në këtë vend, menduan ata, ishte aq e mirë saqë bagëtitë nuk kishin nevojë për ushqime të ruajtura për dimrin, pasi në dimër nuk kishte ngricë dhe bari aty nuk thahej.

Dita dhe nata ishin më të barabarta se sa në Groenlandë apo në Islandë, pasi në ditën më të shkurtër dielli ishte mbi horizont nga ora shtatë e gjysmë deri në orën katër e gjysmë të pasdites..."

Zbulimi i hardhive i dha emrin vendit

"Një natë ndodhi që një prej burrave nuk po dukej dhe ky ishte Tyrker, gjermani. Leif e kish atë shumë për zemër, pasi Tyrker kish qëndruar gjatë pranë babait të tij dhe atij vetë, dhe e kish dashur shumë Leifin kur ky ish fëmijë. Leif u përgatit tashmë për ta kërkuar dhe mori me vete dymbëdhjetë burra. Por kur nuk kishin ecur shumë, ja tek u duk Tyrker që vinte drejt tyre dhe ata e pritën me gëzim.

Shumë shpejt, Leif vërejti se Tyrker nuk ishte fare në vete... dhe i tha: "Përse erdhe kaq vonë dhe u ndave nga grupi?" Pas një kohe të gjatë, ai tani foli në gjermanisht dhe sytë i rrotullonte në të katër anët, por ata nuk kuptonin asgjë nga ato që thoshte. Pas pak, nisi të flasë gjuhën e tyre: "Nuk isha shumë larg, por kam diçka të re për t'iu treguar. Kam gjetur hardhi dhe rrush".

"Vërtetë?", pyeti Leif.

"Sigurisht që është e vërtetë", u përgjigj ai, "pasi unë jam ushqyer në një tokë ku nuk ka nevojë as për hardhi e as për rrush".

Ata fjetën atë natë, por në mëngjes Leif u tha lundërtarëve të tij: "Tani ne do të bëjmë dy gjëra, një ditë do të mbledhim rrush dhe ditën tjetër do të presim hardhitë dhe rrëzojmë pemët, dhe prej aty do të ngarkojmë anijen". Kështu u vendos dhe thuhet se ata e mbushën anijen e tyre me rrush.

Tani me ngarkesën e bërë gati për anijen, kur erdhi pranvera ata lundruan mbrapsht. Leif i vuri emrin Vineland - Toka e Hardhive.

Ata dolën tani në det të hapur dhe patën një erë të mbarë deri kur panë Groenlandën, si dhe malet poshtë akullnajave..."

… I dyti qe Kolombi

Kolombi udhëhoqi tre anije - Nina, Pinta dhe Santa Maria - duke u nisur nga porti spanjoll i Palosit në 3 gusht 1942. Objektivi i tij ishte të lundronte në drejtim të perëndimit deri kur të mbërrinte në Azi (Inditë), atje ku prisnin pasuritë përrallore me ar, perla dhe erëza. Ndalesa e tij e parë ishin ishujt Kanarie, aty ku mungesa e erës e ndali ekspeditën deri në 6 shtator.

Tek u nis sërish, Kolombi përfitoi nga deti i qetë dhe erërat e qëndrueshme, të cilat e shtynë vazhdimisht drejt perëndimit. Megjithatë udhëtimi ishte i gjatë, më i gjatë nga sa kish parashikar qoftë Kolombi, qoftë ekuipazhi i tij. Për të zbutur frikërat e ekuipazhit të tij, Kolombi mbante dy dokumente udhëtimi: njëri që tregonte distancën e vërtetë që përshkohej çdo ditë dhe një tjetër që tregonte një distancë më të vogël. I pari mbahej i fshehtë. I dyti i qetësoi disi ankthet e ekuipazhit, por duke zvogëluar distancën e vërtetë që ata kishin përshkuar që kur ishin nisur nga bregu.

Kjo gënjeshtër pati një efekt vetëm të përkohshëm; deri në 10 tetor, frika e ekuipazhit ishte rritur shumë deri në rebelim. Kolombi u premtoi se në qoftë se brenda dy ditësh nuk do të shihnin tokë me sy, do të riktheheshin në shtëpi. Ditën tjetër, u zbulua toka.

Një botë e re

Ditari që Kolombi mbajti për udhëtimin e tij të parë në Amerikë ka humbur. Megjithatë, ne kemi një përmbledhje të saktë të ditarit që u mbajt nga Bartolome de la Casas në 1530. La Casas ishte një historian dhe biograf i Kolombit, i cili kishte patur mundësi të lexonte ditarin origjinal të udhëtimit. Në këtë rrëfim, ai ofron ditarin e Kolombit teksa ekspedita e tij i afrohet tokës së ishujve Bahamas. Gjatë rrëfimit, Kolombi flet për veten e tij në vetën e tretë, si "Admirali":

E enjte, 11 tetor

Kishte më shumë det nga sa kishim parë gjatë të gjithë udhëtimit. Ata panë zogj deti dhe kallama të gjelbër pranë anijes. Ata të anijes "Pinta" panë një shkop dhe një hu, dhe pak më tutje panë edhe disa të tjerë që duket se ishin punuar me hekur; më tutje një tjetër hu i madh, një bimë që rritet në tokë si dhe një dërrasë e vogël. Ekuipazhi i anijes "Ninja" pa gjithashtu shenja toke, si dhe një degë të vogël plot me kokrra. Të gjithë morën frymë thellë dhe u gëzuan shumë nga këto shenja. Deri në perëndim vazhduam edhe 27 lega.

Pas rënies së muzgut, Admirali iu rikthye kursit të tij fillestar drejt perëndimit dhe ata vazhduan me 12 milje në orë. Deri në dy orë pas mesnate ata kishin ecur 90 milje, e barabartë me 22 lega e gjysmë. Duke qenë se "Pinta" ishte një lundruese më e mirë dhe ajo ecte përpara Admiralit, ishte ajo që e gjeti tokën si dhe bëri shenjat për të cilat Admirali kishte dhënë urdhër. Toka u pa për herë të parë nga një marinar me emrin Rodrigo de Triana. Por Admirali, në orën dhjetë, duke qenë në kullën e kuvertës pa një dritë, ndonëse ishte aq i pasigurtë sa nuk mund të pohonte se ishte tokë. Ai thirri Pero Gutierrezin, një xhentëlmen nga oborri mbretëror dhe i tha se duket kishte parë një dritë dhe se duhej që edhe ai t'i hidhte një sy. Edhe ai e pa dritën. Admirali i tha të njëjtën gjë Rodrogo Sanchezit të Segovias, të cilin Mbreti dhe Mbretëresha e kishin dërguar me flotën si inspektor, por ai nuk mund të shihte asgjë, pasi ndodhej në një vend ku nuk mund të shihte asgjë.

Pasi Admirali kishte folur, ai pa dritën një apo dy herë dhe ishte si një qiri prej dylli që ngrihej dhe binte. Shumë pak besuan se ishte një tregues për tokë, por Admirali i siguroi të gjithë se toka ishte shumë pranë. Kur ata kënduan Salve (Salve Regina), të cilën marinarët ishin mësuar ta këndonin gjatë rrugës, Admirali u kërkoi dhe i qortoi që të mbanin sytë hapur dhe të shihnin mirë për tokë; dhe ai shtoi se, atij që do të thërriste i pari "Tokë!" ai do t'i jepte një xhamadan të mëndafshtë, përveç shpërblimeve të tjerë që ofronin Sovranët, që ishin 10 000 maravedë për atë që do të shihte i pari tokën. Në orën dy pas mesnate, u vërejt toka dy lega larg anijes".

Kolombi urdhëroi tre anijet që të ndalen dhe të presin agimin përpara se të lundrojnë më tutje. Ditari i tij vazhdon:

E premte, 12 tetor

Anijet ishin ndalur, në pritje të agimit; dhe të premten, ato mbërritën në një ishull të vogël të Lukajos, që në gjuhën e indianëve quhej Guanahani. Shumë shpejt panë njerëz lakuriq. Admirali shkoi në breg në varkën e armatosur, bashkë me Martin Alonso Pinzon dhe vëllain e tij, Vicente Yanez që ishte kapiten i Nijas. Admirali mori flamurin mbretëror ndërsa kapitenët morën dy flamuj të kryqit të gjelbër, të cilët Admirali i kishte marrë në të gjitha anijet si shenjë, me një F dhe një Y si dhe një kurorë mbi secilën gërmë, njëra në njërën anë të kryqit dhe tjetra në anën tjetër.

Pasi zbarkuan, ata panë pemë shumë të gjelbëra dhe shumë ujë, si dhe fruta të llojeve të shumtë. Admirali thirri dy kapitenët si dhe të tjerët që zbritën në breg, si dhe Rodrigo Escovedon, sekretar i të gjithë flotës, si dhe Rodrigo Sanchez i Segovisë, dhe tha se ata duhej të bëheshin dëshmitarë besnikë që ai, në prani të të gjithëve, kishte marrë pronësinë e këtij ishulli për Mbretin dhe Mbretëreshën, duke bërë deklaratat e kërkuara, siç parashtrohet tashmë në dëshmitë që u bënë atëherë me shkrim.

Pak kohë pasi zbritën, shumë prej banorëve të ishullit u mblodhën në plazh dhe Kolombi u dha dhurata si kapele të kuqe dhe rruaza. Vendasit nga ana e trye ofruan dhurata të tilla si papagaj, pambuk dhe mallra të tjerë. Tek përshkruante vendasit, Kolombi shkruante: "Ata lëvizin lakuriq siç i ka bërë nëna dhe po kështu bëjnë edhe gratë, ndonëse unë nuk pashë më shumë se një vajzë. Janë shumë të fuqishëm, me trupa shumë të fuqishëm si dhe pamje shumë simpatike".





Christopher Columbus/Një dështim

Turma nga e gjithë Spanja u rreshtua në rrugët e Seviljes në 1493 për ta mirëpritur nga udhëtimi i tij i parë në Amerika, por ai tashmë nuk e kishte gjetur atë që po kërkonte, një rrugë detare drejt porteve të tregtisë së erëzave në Afrikë. Ai kurrë nuk do të arrinte, edhe pse kërkimi për këto rrugë i konsumoi pjesën tjetër të jetës. Pak genocid këtu, pak skllavëri atje, disa kryengritje dhe ekzekutime të shumta të anëtarëve të ekuipazhit, dhe Kolombi u mor me sy të keq nga kurora spanjolle dhe publiku. Kur vdiq, ai ishte i rrethuar nga familja. Por, ai shkoi në varr me ndjenjën e fortë të padrejtësisë që nuk mund të falte si dhe të dështimit që nuk mund ta shpjegonte.

Reputacioni i tij filloi të dëmtohet gjatë ekspeditës së dytë. Pas suksesit të 1492, ai kishte qenë i emëruar mëkëmbës dhe guvernator i të gjithë ishujve që kishte zbuluar. Rreth 1400 burra grindeshin për të zënë vend në 17 anijet e tij të nisura për në parajsat e floririt në perëndim. Por ekuipazhi ishte i madh, i vështirë për të ushqyer dhe puna që duhej bërë ishte kolosale. Në vend të hyjnë në parajsë, kolonizatorët spanjollë gjetën ferrin mbi tokë, e plotësuar kjo me një guvernator të pavend. Në komandë të një anijeje, instiktet e lundrimit, besimi i lartë dhe ambicia e padobësuar e bënin Kolombin një admiral të shkëlqyer. Por, aftësitë e tij udhëheqëse u zhdukën sapo ai vuri këmbë në stere. Kur u kthye në Spanjë, në qershor 1496 me 500 indianë skllevër - duke hidhëruar mbretëreshën Izabelë, e cila e urrente skllavërinë - ai u rrëzua edhe përballë akuzave të pjesëtarëve të sëmurë të ekuipazhit, mes të cilëve një prift, të cilit i kishte mohuar racionet për arsye se ai e kishte kritikuar ngaqë rrihte me kamzhik kolonët kokëfortë.

Mbreti Ferdinand, nga ana e tij, ishte i shqetësuar rreth konkurrencës me portugezët sa u përket pretendimeve për territore të reja. Mbreti i Portugalisë hidhte teorinë se kishte toka të reja në jug të Kubës. Kolombi premtoi që do t'i gjente ato për Spanjën. Ai bindi Izabelën besimtare duke theksuar se floriri që do të mund të zbulonte do të mund të financonte një kryqëzatë për të rimarrë Jeruzalemin nga të pafetë.

Më 30 maj 1498, gjashtë anije lundruan në perëndim nga Sanlúcar de Barrameda, tre në kalimin e zakonshëm për në Hispaniola, ku Kolombi kishte lënë vëllanë e tij, Bartolomeun në drejtim dhe tre në ujërat e palundruara përgjatë ekuatorit. Por pas një muaji udhëtim në kurs të ri, Kolombi dhe ekipi u gjendën të ndalur për tetë ditë nën një diell flakërues që u kalbi ushqimet dhe, që ata kishin frikë se do t'u ndizte flakë anijet. Kur një fllad më në fund i shpëtoi, Kolombi u drejtua për nga kanalet e njohur në veri, duke hequr dorë kështu nga rruga që do ta kishte çuar në basenin e Amazonës.

Njerëzit e tij arritën gjithsesi që të bëhen evropianët e parë që panë Amerikën e Jugut. Rojet dalluan kodrat e pyllëzuara të gadishullit Paria Venezuela në gusht, por detarët, të ngatërruar prej shtratit të arkipelagut të karaibeve, menduan që bëhej fjalë thjeshtë për një tjetër ishull. Javë të tëra nën diell kishin lënë Kolombin me sytë e fryrë e të gjakosur dhe ai thjesht nuk mund të dallonte faktin që Paria mund të ishte pjesë e diçkaje më të madhe. Kur pjesëtarë të ekuipazhit të tij dolën në breg, më 5 gusht, duke u bërë evropianët e parë që ecnin në kontinentin amerikan, ai qëndroi në shtrat. Por kur po ata burra u kthyen, më 11 gusht, me tregimet për një deltë shumë të madhe me ujë të pastër - aq e madhe saqë patjetër duhej të ishte fundi i një lumi shumë të gjatë, që asnjë ishull nuk mund ta mbante - ata mbollën farën e parë të dyshimit në mendjen e Kolombit. Dhe ai u zhyt në konfuzion.

Urtësi gjeografike me burim që nga të parët supozonte që ekzistonin vetëm tre kontinente. Askush në Europë, Lindjen e Mesme islamike, Kinë apo Indi nuk kishte dëgjuar për një të katërt. A mund të gaboheshin të gjithë, mendimtarët e Greqisë, autorët e Biblës dhe kozmografët kryesorë modernë? Kolombi kërkoi për një tjetër shpjegim. "Shkrimet e shenjtë na thonë se në Parajsën Tokësore rritet pema e jetës", shkruante ai më 15 gusht, "dhe se prej saj rrjedh burimi që furnizon katër lumenjtë e mëdhenj, Ganges, Tigri, Eufrati dhe Nil. Parajsa Tokësore, të cilën askush nuk mund ta arrijë, përvese me vullnetin e Perëndisë, qëndron në fund të Orientit dhe pikërisht këtu jemi ne". Eksploratorët e pranonin idenë se Kopshti i Edenit ishte një vend fizik në tokë deri në mesin e viteve 1500. Megjithatë, Kolombi bënte bisht. "Nëse ky lumë nuk rrjedh nga parajsa, ai duhet të burojë nga një tokë e madhe në jug, për të cilën askush deri më sot nuk ka pasur asnjë njohuri", shtoi ai. "Unë besoj se ky është një kontinent më i gjerë, për të cilin askush nuk kishte patu dijeni deri sot".

Por bazuar në vijën e hollë që ndan kozmografinë dhe teologjinë, ai kishte për të sfiduar asgjë më pak se vetë doktrinën e kishës për të pohuar atë mendim dhe duke bërë kështu mund të merrte mbi vete një akuzë për herezi. Shpjegimi më i sigurtë, të cilin ai duket se e ka gëlltitur me padurim, ishte se bëhej fjalë vetëm për një krahinë të paeksploruar të Kinës. Pasi vendosi këtë, eksploratori më i famshëm i historisë bëri një lëvizje jokarakteristike: Ai vendosi se nuk do të eksploronte asgjë që dëmtonte njohuritë e deriatëhershme. Duke braktisur, ai braktisi Venezuelën për të parë ç'bënte vëllai i tij në Hispaniola. Kështu, zbulimi më i madh në gjeografi kaloi pa u vënë re nga vetë zbuluesi i tij. Gjatë të gjithë jetës së tij, Kolombi besonte se Perëndia e kishte destinuar drejt lavdisë. Por pasi e la pas, fati nuk do të ishte më asnjëherë në krah të Kolombit.

Si fillim, në Hispaniola pritej kaosi i gjakosur. Të keqtrajtuar nga ana e kolonizatorëve spanjollë, indianët ishin ngritur përsëri në kryengritje të dhunshme. Sëmundjet dhe uria, të përkeqësuara nga drejtimi i keq i Bartolemeut, i kishin ndarë banorët në dy grupe ndërluftuese. Njëqind burra, të udhëhequr nga shefi i drejtësisë i kolonëve, Francisco Roldan, u rebeluan kundër atyre që ishin ende besnikë ndaj Bartolomeut. Kolombi e pa menjëherë kryengritjen si potencialisht fatale për të dyja, koloninë e tij dhe autoritetin si mëkëmbës. I biri i një tregtari gjenovez, ai ishte ngritur për të komanduar në favor të kurorës spanjolle; kishte ardhur aty me një epsh të koncentruar për pushtet dhe prestigj. Por me vetëm 70 besnikë, ai nuk mund të kthehej kundër Roldonit. Kështu, përfundimisht u nënshtrua para të gjitha kërkesave të rebelëve: Të përjashtuar nga dënimi, ata mund të ktheheshin të lirë në Spanjë ose të pretendonin tokë të lirë në Hispaniola; atyre do t'u paguheshin pagat e prapambetura dhe Roldon u ngrit në detyrë.

Në një letër drejtuar mbretërve të Spanjës ku u shpjegonte situatën, Kolombi kërkonte 50 burra më shumë dhe një administrator të drejtësisë. Ferdinandi dhe Isabella nuk ishin gati të angazhonin më shumë subjekte në këtë koloni në dukje të kotë dhe problematike, por administratori i dukej si një ide e mirë. Duke pasur parasysh rëndësinë e Hispaniolas si një ndalesë në eksplorimin e mëtejshëm të perëndimit, mbretërit kuptuan se i kishin dhënë shumë pushtet Kolombit. Ata shpresuan se Francisco Bobadilla, një oficer i kurorës, do të mund ta kthente paqësisht në Spanjë.

Ajo çfarë pa Bobadilla sapo zbriti në Hispaniola ishte një trekëmbësh me kufomat e varura të gjashtë banorëve rebelë spanjollë. Kolombi dhe Bartolomeu qenë në një ekspeditë në brendësi, por kur Bobadilla mori në pyetje vëllain e tyre, Diego, ai i zbuloi se më shumë banorë ishin planifikuar të vareshin të nesërmen. Bobadilla ndaloi ekzekutimet, por Diego u përgjigj se ai merrte urdhëra vetëm nga mëkëmbësi. Në atë moment, Bobadilla burgosi Diegon dhe mori shtëpinë, zotërimet dhe punën e Kolombit. Kur Kolombi dhe Bartolomeu u kthyen, Kolombi i zemëruar sfidoi autoritetin e Bobadillas - kështu që Bobadilla e futi edhe atë bashkë me bartolemeun në burg. Aty, tre vëllezërit Kolombi pritën dy muaj, derisa Bobadilla kuptoi që një hetim gjyqësor do të kërkonte shumë punë dhe i ktheu në Spanjë për gjykim. Teksa Kristofor Kolombi po nxirrej nga qelia e tij me zinxhirë në fillim të tetorit 1500, ai mendonte se po e çonin për ta ekzekutuar.

Në vend të kësaj, një stallier kuajsh i oborrit çoi atë dhe vëllezërit e tij mbi një anije që të ktheheshin në shtëpi. Sapo u nisën nga porti, kapiteni ofroi që t'i hiqte kufizimet Kolombit. "Mua më janë vënë prangat me urdhër të sovranëve", u përgjigj Kolombi, "dhe unë do t'i mbaj ato derisa vetë sovranët të urdhërojnë që të më hiqen". Duke u qëndruar besnik fjalëve të tij, ai zvarriti zinxhirët me uturimë nëpër rrugët e Cadiz dhe Seviljes. Ferdinandi dhe Isabella urdhëruan që t'i hiqeshin sapo morën vesh lajmin. Kishin kërkuar të largohej nga pushteti dhe jo të poshtërohej.

Por, besimi i tyre i palëkundur tek ai ishte tretur. Ai iu lut për t'u rikthyer si mëkëmbës, ata refuzuan. Për një njeri që besonte se kishte qenë caktuar nga Perëndia për të zbuluar dhe sunduar Inditë, kjo dukej si një çoroditje e fatit. Ai mund të vazhdonte të kishte të ardhura mbi fitimet e Spanjës nga Bota e Re, të ardhura që do të lejonin të dilte në pension në luks. Por eksploratori 49-vjeçar, gati i verbër dhe i gjymtuar nga artriti, nuk mundej kurrë të hiqte sytë nga horizonti në perëndim.

Ai ndjeu se ishte duke humbur ndikimin e tij mbi eksploratorët e rinj. Nën flamurin portugez në 1498, Vasco de Gama kishte arritur në Indi duke lundruar nga lindja përreth Kepit Horn. Portugezët e kishin mposhtur Kolombin. Por në qoftë se Kolombi do të gjente një rrugë më të shkurtër nëpërmjet perëndimit, ndoshta ai mund të fitonte sërish pozicionin e guvernatorit. Nga Marco Polo, evropianët kishin mësuar për rrugën detare të vetme midis Kinës dhe Indisë - ngushticën e Malacca, që ndan Sumatran dhe Malajzinë. Nëse Kolombi kishte gjetur kontinentin aziatik në udhëtimin e tij të fundit, kalimi duhej të ishte afër. Sigurisht, konceptimi i tij për gjeografinë aziatike ishte pak i shtrembër. Ai nuk kishte asnjë ide të madhësisë të kontinentit dhe supozonte që Kina dhe India ishin plaquritur së bashku me Inditë në det të hapur. Por Ferdinandi dhe Isabella nuk ishin më mirë të informuar. Ata miratuan ekspeditën e tij më 14 mars 1502, me dy përjashtime: Ai nuk do të dërgonte skllevër dhe ai nuk do të ndalej në Hispaniola përveçse në raste urgjente.

Pra, me katër anije rangullina dhe 150 burra, ai iu nis Atlantikut për një të shtënë të fundit në terr. Ai e bëri kalimin në kohë rekord, 16 ditë dhe u nis direkt për Hispaniola. Guvernatori i ri nuk pranoi ta linte të afrohej dhe injoroi paralajmërimet e tij për një stuhi që po afrohej. "Cili njeri, nuk do të kishte vdekur nga dëshpërimi kur në mot të tillë, duke kërkuar siguri për djalin tim, vëllanë, shokët e anijes dhe veten time, nëse ashtu si unë do të pengohej të zbriste në tokën dhe portet që unë, me vullnetin e Perëndisë me gjak dhe djersë, kisha fituar për Spanjën?". Pasi ai gjeti një gjë të sigurtë në perëndim të Santo Domingos, guvernatori dërgoi 30 anije që shkonin për në Spanjë, 25 prej të cilave u mbytën në stuhinë që parashikoi Kolombi. Të dy, Roldon dhe Bobadilla u mbytën. Katër anije u detyruan të kthehen mbrapa, dhe vetëm një arriti në Spanjë - ajo që transportonte pjesën e floririt të botës së re që i përkiste Kolombit.

Kur qielli u pastrua, Kolombi dhe ekuipazhi i tij udhëtuan në perëndim për një zonë të Karaibeve që nuk e kishin eksploruar asnjëherë. Ata mbërritën në Hondurasin e sotëm më 31 korrik. Aty Bartolomeu u takua me një lundër plotë me indianë që transportonin frytet e një qytetërimi të përparuar: makina rroje bakri dhe thika, shpata druri me strall, këmisha pambuku me ngjyra dhe birrë. Ata ishin Chontal Mayans, që udhëtonin nga Gjiri Campeche në portet tregtare të Amerikës Qendrore. Sikur Kolombi t'i kishte ndjekur pas deri në Yucatan, ai do të kishte zbuluar piramidat dhe monumentet e qytetërimit meksikan. Por ai nuk kishte kohë për të devijuar nga kërkimi për pasazh. Në fund të fundit, kjo ishte Azi, sa e pazakontë ishte të gjendeshin kinezë të përparuar? Në një letër drejtuar Ferdinandit dhe Isabellas, ai shkruante dy rreshta në lidhje me majat dhe i kushtonte katër herë më shumë hapësirë një ndeshje mes një derri dhe një majmuni. Në një tjetër udhëkryq, Kolombi, duke menduar se ishte duke zgjedhur rrugën drejt zbulimit, përsëri zgjodhi rrugën drejt dhimbjes dhe keqardhjes.

Duke udhëtuar në jug kundër erës dhe rrymës, anijet e tij lëvizën vetëm gjashtë kilometra në ditë për muajin e ardhshëm përgjatë bregdetit në lindje të Amerikës Qendrore. "I nxehti ishte i padurueshëm", shkruante djali i tij Fernando. Por Kolombi, i vetëdijshëm se ky mund të ishte udhëtimi i tij i fundit, nuk pranoi të heqë dorë. Më në fund, spanjollët arritën në Lagunën Chiriqui në Panama në fillim të tetorit, ku vendasit u thanë atyre se ishin vetëm nëntë ditë larg një tjetër oqeani dhe rruga kalonte nëpër një istëm. Ky duhej të ishte vendi. Nga këtu, llogariti Kolombi, do të ishte një lundrim dhjetë-ditor drejt Ganges. Njerëzit e tij hulumtuan çdo hyrje të lagunës në kërkim të ngushticës, por pa dobi. Pritshmëria e lumtur u shndërrua në dëshpërim dhe dëshpërimi në zhgënjim të hidhur. Pas tri ditësh, Kolombi u kthye në det të hapur, me shpresat të shuara. Qëllimi i tij i vetëm tani ishte pasuria.

Batica e ulët e nxorri në breg deri në prill në burimet e floririt të Panamasë, ku njerëzit e tij zhvilluan një luftë të përgjakshme me indianët. Ai vetë u sëmur nga malaria. Kur më në fund ujërat u ngritën, krimbat tip termit kishin dëmtuar keq anijet. Me vetëm tre anije në gjendje lundrimi, ai u drejtua për Hispaniola për herë të fundit. Shkoi deri në Xhamajkë. Nga atje, dërgoi një emisar me kanoe 105 kilometra në Santo Domingo për të kërkuar transport për në shtëpi. Guvernatori i Hispaniolas priti nëntë muaj për t'iu përgjigjur kërkesës, nëntë muaj në të cilin spanjollët e uritur e të goditur nga sëmundjet në Xhamajkë u ngritën edhe një herë në rebelim kundër kapitenit të tyre. Në fund, më 12 shtator 1504, një ekspeditë u nis për në Sevilje me Kolombin në bord. Ai nuk do të shihte më kurrë me sy tokën që kishte fituar për Spanjën 12 vite më herët.

Kthimet e tij të mëparshme në shtëpi kishin qenë plot triumf, por kur arriti në Sevilje më 8 nëntor, atij i rëndonte dështimi. I mbështjellë nga deliri, ai vazhdoi të kërkoi zyrat e mëkëmbësit dhe guvernatorit të Indive. Ferdinandi nuk pranoi, por ai i ofroi Kolombit titullin e admiralit të oqeanit si ngushëllim. Për herë të parë, Kolombi regjistroi humbjen. Artriti e bëri të zërë shtratin.

Pas pak vitesh, kartografët do t'u vinin tokave të pamata të Hemisferës Perëndimore emrin e Amerigo Vespucit, eksploratori fiorentin që njohu i pari Amerikën e Jugut si kontinentin e tij dhe Ferdinand Magelanitelani do të gjente një kalim për në Paqësor nga perëndimi duke parë në jug të ekuatorit. Tashmë, njeriu që u kishte hapur dyert këtyre përparimeve - por që ishte ndalur dhe nuk kishte shkuar më tej - nuk ishte më gjallë për të kërkuar meritat. Në 20 maj 1506, në Valadolid, Spanjë, me dy vëllezërit dhe dy bijtë e tij në krah, Kolombi foli fjalët e fundit: "In manus tuas, Domine, commendo spiritum meum".

Ai vdiq mes pasurisë - pasardhësit e tij do të jetonin për breza të tërë me paratë e Kolombit - dhe heshtjes. Por vetëm pak milje larg, Mbreti Ferdinand as nuk mori lajmin për sëmundjen e Kolombit. Udhëtimi i fundit i eksploratorit që riorganizoi globin, një funeral nëpër rrugët e qytetit, kaloi pa u vënë re as edhe nga banorët e Valadolidit.

Google+ Followers