RIKARDI/Një zemër prej luani


Nata ishte plot me yje. Megjithatë pas darkës, Mbreti i Anglisë, Rikard Zemërluani vendosi që të kontrollonte gjendjen e rrethimit. Pa armaturë, u ndal poshtë bastioneve, ishte i bindur që askush nuk do të mund t'i bënte keq. Më pas një shigjetë, e lëshuar nga një frëngji e kapi në shpatullën e majtë. Ai u përpoq ta minimizojë, siç e kishte zakon, por plaga ishte e rëndë: helmimi i gjakut i shkaktoi vdekjen brenda disa ditëve, në 6 prill 1199, nën muret e kështjellës së Chalus-Chabrol, pranë Limoges, ku kishte shkuar për të shtypur një revoltë të fisnikëve në zotërimet angleze në tokën e Francës.
Sipas disa kronistëve të epokës, ishte një ndëshkim hyjnor dhe, në të njëjtën kohë, një favor: duke i dhënë fund veprimeve të këqia të mbretit, në fakt, Perëndia kishte shmangur shtimin e krimeve të tij. Dhe Rikardi kështu do të mund t'ia hidhte me purgatorin. E megjithatë, pavarësisht gjykimit të Kishës, në historiografinë e mëvonshme mesjetare, ky njeri u bë një shembull i mbretit të drejtë dhe të mëshirshëm, modeli i virtyteve mbretërorë.
Atëherë, cila ishte fytyra e tij e vërtetë? Ajo e një njeriu të madh e krenar, arrogant e fytyrë të zbehtë, që i përballte armiqtë e tij me ashpërsi dhe që e injoronte rrezikun, apo i mbretit fisnik dhe xhentil që, sipas disa historive, pas rikthimit nga kryqëzata në tokën e Shenjtë i dha bekimin e tij legjendarit hajdut-xhentëlmen, Robin Hud.
I etur për pushtet
E sigurtë është që, nga pesë meshkujt e sjellë në këtë botë me Henrikun II, Rikardi ishte i preferuari i luftarakes Eleonorë, e cila e lindi në Oksford në vitin 1157. Historiani anglez Stivën Rancimen e përshkruante "një djalë të keq, një mbret të keq, por një ushtar i vlefshëm, i mrekullueshëm". Ishte një personalitet kompleks, qartësisht një i pangopur për nga ambicia dhe me një dëshirë të madhe për pushtet që ia kishte ngulitur e ëma", shpjegon Enriko Baso, docent i historisë së Europës mesjetare në Universitetin e Torinos.
Mbretëresha Eleonorë, e vetmja të cilës ai i besonte gjithmonë, i frymëzoi dashurinë për tokën franceze, poezinë dhe muzikën. "Rikardi u rrit në oborrin e Akuitanias, në një ambient stimulues nga pikëpamja kulturore. Fliste frëngjisht, jetoi në pjesën më të madhe të jetës në Francë dhe aty u varros: edhe pse konsiderohet një prej sovranëve më të mirë anglezë, në dhjetë vite mbretërim ai qëndroi në Angli për vetëm gjashtë muaj", vazhdon Baso.
Jo rastësisht nga perandoria plantagenete-angioine që përfshinte pothuajse të gjithë Britaninë e Madhe dhe dy të tretat e Francës, babai i rezervoi dukatin e Akuitanias dhe të Poitou. Duke qenë se djali i parë, Gulielmi kish vdekur vetëm 3 vjeç, ai i premtoi të dytit, Henrikut të Ri kurorën e Anglisë, Normandinë, Angion dhe Maine dhe të katërtit, Goffredit, Bretanjën. Xhovanit të vogël i ofroi vetëm sovranitetin e Irlandës. "Rikardi nuk duhej të ishte bërë mbret i Anglisë, por ai ishte i gatshëm të shkelte mbi të gjithë e gjithçka për të siguruar fronin", vazhdon eksperti. E ëma e ndihmoi në këtë drejtim, duke e nxitur që të luftonte, kur nuk kish mbushur ende 16 vjeç, në krah të vëllezërve kundër babait Henriku II. "Eshtë në natyrën tonë, të lënë trashëgimi nga paraardhësit tanë, që asnjëri prej nesh nuk duhet të dojë tjetrin, kështu, vëllai do të luftojë kundër vëllait dhe djali kundër babait", u shpjegonte Gofredi ndërmjetësve të paqes të dërguar nga babai përpara betejës.
Legjenda
Rikardi nuk lodhej së motivuari këtë urrejtje të lashtë me origjinën e mbinatyrshme të familjes së tij: "Të gjithë vijmë nga djalli dhe tek djalli duhet të shkojmë", thoshte. Përtej mitologjisë, si një njeri i kulturuar, i dhënë pas veprave epike dhe këngëve, ai njihte vlerën e legjendave si instrument për të frikësuar armiqtë dhe për t'u bërë përshtypje ushtarëve të tij. "Kur vdekja e vëllait të madh, Henriku i Ri në vitin 1183 dhe babait në vitin 1189 i hapën rrugën drejt fronit, përdori në mënyrë shumë të aftë legjendat e njohura të Bretanjës, duke e lidhur vetveten me figurën e Mbretit Artur", shpjegon Baso.
Nisi kërkimet "me sukses" të vendit të varrimit të sovranit legjendar. Zgjodhi vetë personalisht emrin Artur për djalin e vëllait të tij, Gofredit. Deklaroi se, kishte në zotërim shpatën mitike Excalibur, duke pretenduar kështu se ishte pasardhësi i ligjshëm i pushtetit të Mbretit Artur. Duke u identifikuar me këtë mbret të lashtë, i cili përfaqësonte kujtimin e një të kaluare të lavdishme dhe shpresën për rikthimin në epokën e lashtë e të artë, Rikardi arriti që të mbajë të bashkuar bretonët, normanët dhe anglo-saksonët e mbretërisë së madhe angleze.
Edhe pse më pas, pa u menduar shumë, ia dhuroi të famshmen 'Excalibur" mbretit të Siçilisë, Tankredi, në këmbim të mikpritjes: ky fakt flet shumë për atë armë dhe për vlerën e saj të vërtetë jashtë Anglisë. Por edhe për sensibilitetin e sovranit të ri, që u demonstrua jo shumë e spikatur në kurorëzimin e tij, kur ndaloi hyrjen e grave dhe të hebrenjve. "Në atë shoqëri maskiliste, pushteti u përkiste burrave: pra, ishte më shumë se normale që në një ceremoni zyrtare të mungonin gratë. Dhe sa u përket hebrenjve, do të isha habitur më shumë në qoftë se do t'i kishte ftuar: antisemitizmi ishte shumë i përhapur në atë epokë dhe Anglia ishte vendi më ksenofob i Europës", komenton historiani.
Me të njëjtin përçmim trajtonte edhe njerëzit e zakonshëm: gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë, gjatë fushatës kalabre u përplas me disa fshatarë të Miletos. Arsyeja: U kishte grabitur atyre një fajkua, i bindur se ai ishte një privilegj i rezervuar vetëm aristokratëve.
Diplomaci e mangët
Le ta themi, ishte një përzierje krenaria, pavetëdije dhe madhështie, që e vrau në rrethimin e fundit: këta defekte, që në politikë i sollën shumë armiqësira, në fushën e betejës i dhanë megjithatë emrin 'Zemërluan". Luani ishte jo vetëm mbreti i pyllit, kurajoz dhe i pamposhtur ashtu si sovrani, por edhe emblemë e familjes Plantageneti, i pranishëm shumë shpesh në veshjet e tij. Nga ana tjetër, Rikardi ndihej rehat vetëm kur ishte me armaturë.
Që ai nuk ishte një diplomat i madh, këtë e demonstron një prej propozimeve për paqe që i bëri Saladinit gjatë kryqëzatës së tretë: një martesë e përzierë mes motrës së tij, e krishterë, dhe vëllait të sulltanit, mysliman. Saladini ia dha të qeshurës kur e njoftuan, duke menduar se bëhej fjalë për një shaka, dhe Rikardi falë gafës u ftua në një banket të madh me emirët. Eshtë fakt "që në banket ai u fye dhe u ndodh përballë shprehjes së mallkimeve kundër tij", sipas kronikave të kohës.
Homoseksual?
Por mallkimet në atë rast nuk kanë qenë të vetmit drejtuar Rikardit: shumë e akuzonin për imoralitet, duke iu referuar "sjelljet jomorale që e kishin karakterizuar në rini". Sjellje që nuk u përgënjeshtruan asnjëherë nga sovrani, i cili pranonte se, "shkurret me gjemba të epshit kanë pushtuar shpirtin tim", dhe është penduar publikisht, më shumë se një herë. Edhe pse disa shkrimtarë i kanë atribuuar veprime të lavdishëm seksualë me murgesha, bashkëshorte dhe bija të të tjerëve, thashethemet për "aktet e tij të paligjshëm" që i shtoheshin përkorisë së tij deri 32 vjeç, mungesës së të dashurave të njohura si dhe raporteve thuajse inekzistente me bashkëshorten Berengaria e Navarrës, kontribuan për lindjen e famës së tij si homoseksual.
Më shumë gjasa ka që të ketë qenë kavaleria, dashuria e vetme e vërtetë e mbretit. "Besonte, ashtu si shumë sovranë të epokës, në idealin e mbretit-kalorës mbrojtës i krishtërimit: për këtë arsye, në vitin 1190 u nis për në kryqëzatën e tretë, i vendosur që të çlironte Jeruzalemin, i cili ishte ripushtuar tre vite më herët nga trupat e Saladinit", shpjegon Baso.
Besnik ndaj personazhit të tij dhe ndonëse me të gjithë limitet që kishte, mbreti i Anglisë u përpoq të sillej në realitet si një njeri legjendë. Por u organizua edhe si një politikan modern, duke garantuar "favorin e shtypit" me një sërë kronistësh dhe këngëtarësh. "Për zotërinë tim mund t'u them se është kalorësi më i mirë i botës dhe luftëtari më i mirë, një njeri bujar e me cilësi të mëdha", shkruan në shkrimet e tij normani Ambrogio, i cili vazhdon duke ngritur në qiell sipërmarrjet ushtarake të sovranit të tij: kështu, mësojmë se në betejën e Arsufit, fitorja më e madhe e Rrikardit kundër Saladinit ai "kreu akte të tillë trimërie sa që përreth tij, nga të dy anët, para dhe mbrapa, toka ishte e mbushur me saracenë të vdekur... dhe radha e të vdekurve ishte e gjatë pothuajse gjysmë lege".
Gogol
Pasi kreu akte të tilla trimërie, Rikardi u shndërrua në idhull të kalorësisë dhe në makth për myslimanët. "Kur fëmijët grindeshin, nënat saracene u thoshin atyre: pusho, pusho! Përndryshe do të thërras Rikardin dhe ai do të të vrasë!" kujton kronisti mesjetar, Jean de Joinville. Ishte e pamundur që të mos viheshin re mizoritë që shoqëronin aktet e mbretit. Përgjatë rrugës, kryqëzatat masakronin të gjithë hebrejtë që gjenin në Gjermani dhe shkatërruan fshatra të tërë në Turqi, pasi nuk e kishin kuptuar, që ishin të banuara nga popullsi që tashmë ishin konvertuar në krishtërim. Pa llogaritur pothuajse 3 mijë të burgosurit, gra dhe fëmijë të përfshirë, që Rikardi u preu kokat pranë mureve të Akrit (në Palestinë) pavarësisht marrëveshjeve që kishte patur me Saladinin për lirimin e tyre.
Megjithatë, një mizori e tillë nuk shërbeu aspak. Pas dy vitesh luftime, Rikardit iu desh që të kënaqej me një barazim: solli me vete në shtëpi vetëm një marrëveshje paqeje me sulltanin, madje pa arritur as edhe që të vërë këmbë në Jeruzalem. Në fakt, Anglia kishte nevojë për mbretin e saj. "E ëma e kishte njoftuar se tashmë situata kishte degjeneruar: mbreti i Francës, Filip Augusti kishte thyer betimin dhe kishte pushtuar provincat franceze të mbretërisë, ndërkohë që Xhovani po përpiqej që t'i uzurponte fronin", shpjegon Baso.
Kthimi i mbretit
Rikthimi i tij u transformua në një odise të gjatë, përfunduar në burgjet e perandorit gjerman, Henriku VI, një prej njerëzve të kurorëzuar, të cilit mbreti i ishte kundërvënë për shkak të sjelljes së tij prepotente. Pas rikthimit, Rikardi i mbushur me entuziazëm u armatos kundër armiqve të tij: pushtoi territorin e Notingemit me një kontigjent të vogël dhe mundi rebelët e komanduar nga vëllai i tij, Xhovani, më pas luftoi kundër Filip Auguistit me të cilin firmosi një marrëveshje armëpushimi në 13 janar 1199. Por më pak se tre muaj më vonë, ndërroi jetë.
Çfarë la si trashëgimi? Sipas studimeve angleze të kohëve të fundit, asgjë më shumë se sa një gjendje lufte gjysmë të përhershme kundër Francës si dhe një kryqëzatë që shkoi keq. Në fakt, figura e Rikardit I është ridimensionuar shumë nga historianët britanikë, që e gjykojnë si një mbret mediokër, i interesuar më shumë për zotërimet franceze se sa të Anglisë.
E megjithatë, kur bëhej fjalë për pagimin për lirimin e tij të shifrës shumë të madhe të 150 mijë markave të argjendit, shtetasit e tij dhanë gjithçka që kishin për ta ripatur në Angli. Përse e bënë? "Sepse ishte një gjeneral shumë i mirë dhe një politikan energjik", përgjigjet Baso. "Merita e tij ishte se mbajti të bashkuar strukturën komplekse të mbretërisë: me forcën e tij si dhe mizorinë që e karakterizonte Rikardi kontrolloi fisnikërinë e madje arriti edhe të veshë me një shtresë të artë mirësie mbretërinë e tij. Ndryshe nga vëllai Xhovani, i cili trashëgoi fronin dhe i humbi tokat franceze në më pak se njëzetë vite".
Sovranët e mëvonshëm të Anglisë jetuan me ëndrrën se do të mund të rindërtonin perandorinë e lashtë dhe mitizuan figurën e atij mbreti, që me zemrën e tij prej luani kishte arritur t'i mbante të bashkuar.
Masakër në shkretëtirë
Beha-ed-Din ishte një pjesëtar i oborrit të Saladinit dhe (bashkë me një pjesë të madhe të ushtrisë së saraçinëve që shihnin nga distanca) qe një prej dëshmitarëve të masakrës së 2700 prej shokëve të tij të luftës:
"Pastaj, Mbreti i Anglisë, duke parë të gjithë vonesat e shkaktuara nga Sulltani për ekzekutimin e marrëveshjes, veproi në mënyrë të pabesë me të burgosurit e tij myslimanë. Në momentin që mori qytetin, ai kishte premtuar që të falte jetën e tyre, duke shtuar se, nëse Sulltani do të respektonte anën e tij të marrëveshjes ai do t'u jepte atyre lirinë dhe do t'u garantonte që të merrnin me vete fëmijët dhe bashkëshortet e tyre; nëse Sulltani nuk do të përmbushte detyrimet në bazë të marrëveshjes, ata do të shndërroheshin në skllevër. Tani mbreti i theu premtimet e tij ndaj tyre dhe shfaqi në mënyrë të hapur atë çfarë kishte mbajtur deri tani të fshehur në zemër, duke kryer atë që kish patur qëllim të bënte, pasi të kish marrë paratë dhe të burgosurit.
Në pasditen e të martës së 20 gushtit, diku rreth orës katër, ai doli i hipur mbi kalë me të gjithë ushtrinë, kalorësit, këmbësorët dhe shkoi drejt rrëzës së kodrës së Al 'Ayadijyeh, vend ku tashmë kishte nisur çadrat e tij. Ushtarët me të mbërritur në mesin e pllajës që shtrihet mes kësaj kodre dhe asaj të Keisanit, vend shumë pranë të cilit ishin tërhequr forcat e Sulltanit, urdhëruan të gjithë të burgosurit myslimanë, martirizimin e të cilëve Zoti e kishte shkruar për këtë ditë, që të vinin para tij.
Ata ishin më shumë se tre mijë dhe qenë të gjithë të lidhur me litarë. Më pas, ushtarët e Rikardit u turrën kundër tyre në të njëjtën kohë dhe i masakruan me shpata dhe me heshta, me gjakftohtësi të tmerrshme. Pararoja jonë e kishte lajmëruar tashmë Sulltanin në lidhje me lëvizjet e armikut dhe ai dërgoi disa përforcime, por vetëm pas masakrës.
Myslimanët, pasi panë atë që po u bëhej të burgosurve, rendën drejt ushtrisë së Rikardit dhe gjatë luftimeve që zgjatën deri natën vonë, pati shumë të vrarë e të plagosur në të dy krahët. Të nesërmen në mëngjes, njerëzit tanë u mblodhën në vendngjarje dhe gjetën aty myslimanët të shtrirë përtokë, si martirë të besimit. Ata njohën madje disa prej të vdekurve, dhe pamja shkaktoi një dhimbje të madhe. Armiku kishte kursyer vetëm të burgosurit që ishin të fuqishëm për të punuar.
Motivet e kësaj masakre tregohen në mënyra të ndryshme: sipas disave, robërit u vranë si raprezalje për vdekjen e atyre të krishterëve që ishin vrarë prej myslimanëve. Të tjerë thonë se, Mbreti i Anglisë, kur vendosi që të sulmonte për të pushtuar Askalonin, mendoi se nuk ishte gjë e mençur që të linte kaq shumë të burgosur prapa pas ikjes së tij. Vetëm Zoti e di, se cila ishte arsyeja e vërtetë".
Enigma e Robin Hud
I fundit që i ka dhënë hua fytyrën është Rasël Krou, në filmin Robin Hud me regjisor Ridli Skot. Legjenda e të jashtëligjshmit që grabit të pasurit për tua dhënë të varfërve është e famshme: buron nga poema dhe romanë që rrëfejnë për një fisnik, i cili niset për në kryqëzata me Rikard Zemërluanin dhe që pas kthimit gjendet i privuar nga të mira e tituj nga uzurpatori Xhovani i Patokë. Kështu i hyn luftës dhe, i mbështetur nga njerëz me harqe dhe shigjeta, zhvillon betejën e tij për të rikthyer Rikardin në fron. Historia e Anglisë është e mbushur me Robinë, të ardhur nga fisnikëria saksone që hyri në krizë për shkak të reformave që kërkoheshin prej sovranëve me origjinë normane. Përmendja e parë ndodh në poemën Piers Plowman (1377) të William Langland, por demonstron vetëm që miti ishte shfrytëzuar tashmë nga baladat popullore. Bëmat e Robin Hud (1510), poemë me tetë këngë e zhvendos veprimin në Jorkshajër, përmend një Mbret Eduard (dhe jo Rikard) dhe në të Robin Hud shfaqet një njeri i dhunshëm. Komedi të viteve 500 dhe romane të viteve 800 e kanë ëmbëlsuar figurën e atij që mund të ketë qenë edhe një "vrasës i njohur", sipas kronistit mesjetar Valter Bauer, apo një njeri në arrati sipas History of greater Britain, me autor Xhon Major në 1521.

Google+ Followers