Rezistenca në Gjermani nga 1938 deri më 1945

Një Trëndafil i Bardhë për të vrarë Hitlerin

Përçarjet e pashërueshme midis socialdemokratëve, kristiano-socialëve dhe konservatorëve, një represion i pamëshirshëm dhe bashkëfajësia e shtresave të gjera të popullsisë penguan ndërtimin e një fronti antinazist në brendësi të Rajhut të Tretë. Të paktit që iu kundërvunë e paguan me çmimin e jetës dhe me rezultate të tmerrshme. Por sakrifica e tyre nuk qe e kotë.
"Kur nazistët arrestuan komunistët, nuk hapa gojë: nuk isha komunist. Kur kalbën në burg socialdemokratët, qëndrova në heshtje: nuk isha socialdemokrat. Kur arrestuan katolikët, nuk protestova: nuk isha katolik. Kur më arrestuan mua, nuk kishte mbetur më njeri që të mund të protestonte". Kështu, kleriku protestant Martin Niemöller ka revokuar me efikasitet tragjedinë e rezistencës gjermane në 12 vitet tragjike të diktaturës hitleriane. Në fjalët e tij përmblidhet si thelbi i gjymtimit politik dhe ideal të trashëguar nga Republika e Vejmarit, ashtu dhe parashikimi i asaj që do të bëhej kundërvënia midis dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore.
Kategoria e rezistencës me R të madhe - siç na është mësuar në këtë gjysmëshekull të fundit qysh nga bangat e shkollës, me gjithë rezultatin e saj të opozicionit politik, luftës së armatosur, sabotimeve dhe spiunazhit - nëqoftëse i aplikohet Gjermanisë hitleriane rrezikon që të jetë gënjyese (e pranuar dhe jo e lejuar mundësia për t'i lidhur lëvizjet e rezistencës evropiane në mënyrë univoke). Nëqoftëse në Francë, Itali, Jugosllavi, Poloni, Greqi dhe më në përgjithësi në të gjitha vendet e pushtuara nga Vermahti, rezistenca ndaj nazizmit ka marrë në mënyrë të njëkohëshme, por me gradacione dhe kombinime të ndryshme, karakteret e luftës patriotike, luftë klasash dhe luftë civile, në Gjermani ka marrë në rezultatet finale tragjike të saj një karakter spekulativ dhe tejet ideal. Me pak fjalë, ka qenë një dështim, por që në planin moral ka rënduar po aq sa suksesi.
E flakur tej nga represioni i regjimit, nga sukseset ekonomike dhe të politikës së jashtme që kishin kontribuar të çimentohej një konsensus i fortë ndaj regjimit, opozita ndaj Hitlerit në Gjermani praktikisht nuk mund të përkufizohet si e tillë përpara vitit 1938. Partia Komuniste e fortë tashmë kishte pushuar së përfaqësuari një rrezik me vdekjen e Karl Liebknecht dhe Rosa Luxemburg në janar të 1919. "Gjermanët nuk do ta sulmonin një stacion hekurudhor pa blerë më parë biletën e hyrjes", kishte vërejtur në mënyrë dashakeqëse Lenini pas fiaskos së revolucionit menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Gjatë Republikës së Vejmarit, fraktura dërrmuese midis socialdemokratëve në qeveri dhe komunistëve qe aq e ashpër sa të kompromentojë mundësinë e një fronti të përbashkët forcash progresiste edhe përballë ngjitjes së nazizmit.
"Përçarja dhe konfuzioni politik i opozitës ndaj Hitlerit", ka shkruar historiani gjerman Hans Thamer, "pati të bëjë edhe me teknikën nacionalsocialiste të marrjes së pushtetit, që i hodhi në erë me "revolucionin ligjor" të saj modelet dhe interpretimet tradicionale politike të pushtetit, duke dobësuar kështu forcat potenciale të opozitës. Me ta manipulimet në dukje demokratike, pse jo dhe me lidhjen e tyre ambivalente të traditës e revolucionit dhe të tundimit e kërcënimit, nacionalsocialistët paralizuan çdo tentativë nga ana e opozitarëve për të bërë front të përbashkët.
Nga 1933 e më pas, Hitleri shtoi nga vetja e tij një represion të pamëshirshëm dhe një seri të gjatë suksesesh politike e më pas ushtarake që i qetësuan të gjitha tentativat e rebelimit, si nga e majta, si me tendencë konservatore, ashtu dhe të ardhura nga Vermahti. Mijëra funksionarë të Partisë Komuniste (KPD) u arrestuan menjëherë pas djegies së Rajhshtagut dhe në mesin e viteve '30 praktikisht të gjitha strukturat organizative të së majtës qenë çmontuar të gjitha. Të dobësuar, të mbijetuarit e anëtarësuar në KPD u kufizuan qysh atëherë e më pas në një pozicion pritjeje, me shpresën që të realizohej shembja e pritur e kapitalizmit evropian, të cilit nazizmi - në përputhje me ortodoksinë marksiste më rigoroze - duhej t'i përfaqësonte evolucionin përfundimtar. Pazbatueshmëria e kësaj teorie u manifestua përfundimisht me nënshkrimin e Paktit Ribbentrop - Molotov në gusht të 1939, që u justifikua nga internacionalja komuniste si një instrument për të kundërshtuar vendin imperialist par excellance, Britaninë e Madhe.
Jo më pak falimentar qe qëndrimi i socialdemokratëve (SPD), të cilët nuk arritën të ngrejnë në këmbë një strukturë të organizuar. Disa celula u transferuan në Çekosllovaki, por rezultati i vetëm që një prodhim kopjesh të dërguar në mënyrë klandestine në Gjermani. Fluksit të materialit "subversiv" i vuri surdinën definitive krijimi i protektoratit gjerman në vitit 1939. Por, po aq tregues qe qëndrimi i gjeneralëve të ushtrisë në muajt përpara shpërthimit të konfliktit. Shumë prej tyre i kishin kuptuar rreziqet e politikës naziste dhe tentuan që të vihen në marrëveshje me Londrën për ta përmbysur Hitlerin në rast se do ta tërhiqte Gjermaninë në një luftë me Francën dhe Britaninë e Madhe. Në vitin 1938 u hartua një plan për një revoltë të ushtrisë me qëllim që të shmangej një sulm kundër Çekosllovakisë. Por, Marrëveshja e Mynihut pengoi që të shkohej më tej.
Në vitin 1939 disa gjeneralë (Von Brauchitsch dhe Ludwig Beck), së bashku me Karl Goerdeler, ish-Borgomasterin e Lajpcigut dhe me ish-ambasadorin në Romë, Ulrich von Hassel, u ushtruan në një provë komploti për t'u zbatuar në rast se Hitleri do t'i jepte rrugë luftës në Perëndim. Edhe njëherë akoma nuk u bë asgjë, edhe pse sukseset e rrufeshme në Poloni e në Francë e forcuan besimin në virtytet strategjike të Fyhrerit. Por, kategoria rezistenciale nuk është univoke. E nënkuptuar në kuptim "pasiv" mund t'i aplikohet edhe emigracionit ndaj vendeve të tjera evropiane apo jashtëevropiane. Nuk është ky rasti i shumë hebrenjve, për të cilët zgjedhja e mërgimit shpesh qe e detyrueshme (derikur iu paraqit mundësia), sesa në fakt rasti i intelektualëve, artistëve dhe shkencëtarëve me spesor të madh, thellësisht të lidhur me atdheun e tyre.
Thomas Mann në krye të të gjithëve, që si gjerman i mirë e jetoi mërgimin si një vuajtje të thellë, ama i nevojshëm për të riafirmuar supremacinë e qytetërimit kundër barbarive kryqthyer. Por jo vetëm ai. Mjafton të mendohet për Marlene Dietrich, që pasi mori shtetësinë amerikane në vitin 1937 shumë herë i refuzoi kërkesat e Goebbels për ta bërë një heroinë të filmografisë naziste. Gjatë luftës "Engjëlli i kaltër" mbrojti kauzën aleate duke marrë pjesë aktivisht në spektaklet e argëtimit për trupat amerikane. Por, lista e të mërguarve me dëshirë është shumë e gjatë: Albert Einstein, Joseph Schumpeter, Theodor Adorno, Ernst Cassirer, Karl Popper vetëm sa për të pendur disa. Një eksod që e privoi Gjermaninë nga intelekti më i mirë të saj. Për opozitën e mbetur në Gjermani periudha më e errët qe ajo midis shpartallimit të Francës dhe sukseseve të para të rrufeshme në fushatën e Rusisë.
Të dekurajuar, të zhgënjyer dhe dyshues, rezistentët gjermanë qenë ndarë në tri grupe të mirëpërcaktuar, secili interpretues minoritar i një antipatie ndaj regjimit që lodhej në gjetjen e planveprimeve të përbashkëta me grupet e tjera. Grupi i parë përbëhej nga një rreth i ngushtë intelektualësh të rinj të markës kristiane të dehur nga idelat e vagullta socialiste.
Kishte si kryetar të tyre Kontin Helmuth von Moltke dhe, nga emri i çifligut silezian në të cilin e kishin zakon të takoheshin, morën emrin Rrethi i Kreisau. Në qendër të diskutimit të tyre vunë kërkimin e një rruge të tretë midis kapitalizmit dhe socializmit, tek e cila do të arrihej pas një reformimi të thellë moral të vendit. Çlirimi nga konceptet e vjetra të nacionalizimit, të politikës së fuqisë dhe të nënshtrimit të individit ndaj vullnetit të shtetit, pas eliminimit të nazizmit, duhej të ishin etapat e para për një rilindje gjermane. Kurse grupi i dytë ishte i markës nacionalkonservatore dhe nuk e mbante të fshehur vullnetin e tij për të vendosur, në mbarim të konfliktit, të rolit hegjemon të shtetit gjermano-prusian në skenën evropiane. Konservatori Karl Goerdeler, ish-Borgomaster i Kënigsbergut dhe Lajpcigut, dhe fillimisht mbështetës i nazizmit, ishte personazhi më i spikatur. Së fundi, ishte grupi i oficerëve të rinj të Vermahtit të mbledhur rreth Von Stauffenberg, Von Tresckow dhe Olbricht. Idealistë, romantikë, më pak të preokupuar për të teorizuar sistemimin e ardhshëm institucional të Gjermanisë, shikonin tek aksioni i menjëhershëm, tek vrasja e Hitlerit, objektivin e vërtetë dhe të vetëm që do t'i mundësonte popullit gjerman që të ringjallej në sytë e botës dhe të historisë. Karakteristikë e të gjitha këtyre formave të rezistencës ishte ajo se vinin nga lart, domethënë nga një elitë e shoqërisë gjermane.
Mungonin në fakt shtresat shoqërore numerikisht më të mëdha: nuk ishte e majta dhe klasa punëtore, që kurrë nuk do të kishte pranuar të bashkëpunonte me fisnikërinë prusiane për ta mundur Hitlerin; nuk ishin eksponentët e vjetër të Republikës së Vejmarit; së fundi, mungonin edhe borgjezia dhe klasa sipërmarrëse. Në këtë "boshllëk" meriton që të shënohet aksioni i grupeve të vegjël të palidhur dhe shpesh të improvizuar, që kryen aksione me dobishmëri praktike të paktë, por me vlerë morale të lartë. si të mos kujtohet kështu sakrifica e grupit Trëndafili i Bardhë, i themeluar nga vëllezërit Hans e Sophie Scholl dhe i formuar nga studentë dhe intelektualë të Universitetit të Mynihut. Midis majit 1942 dhe shkurtit 1943 tentuan që t'i kundërvihen nazizmit, duke zhvilluar një një aktivitet propagandistik të nëndheshëm të frymëzuar nga ideale etiko-religjioze. Por lëvizja pati jetë të shkurtër. Të zbuluar nga policia, të gjithë komponentët e grupit u arrestuan dhe iu pre koka në vitin 1943. Një fat të ngjashëm hasi edhe grupi i vogël i intelektualëve të majtë që ishte pjesë e rrethit të Rote Kapelle, në kontakt me Bashkimin Sovjetik. Në fakt u zbuluan dhe u arrestuan në gusht të vitit 1942.
Përmbysjet në frontin rus dhe shenjat e para të pakënaqësisë në frontin e brendshëm i dhanë përpunimeve teorike të tri grupeve opozitare mundësinë për të tentuar goditjen finale. Shumë është diskutuar mbi faktin që atentati ndaj Hitlerit i 20 korrikut 1944 është bërë kur tashmë humbja ishte e sigurtë, me rusët që synonin drejt Rajhut dhe aleatët fuqimisht të ngulur në Francë. Ama duhet kujtuar se nëqoftëse një dozë e caktuar oportunizmi mund të ishte e pranishme (por në këtë masë një kritikë analoge duhet shtrirë edhe në momente të tjera të rezistencës evropiane), oficerët në çdo rast duhej të përdornin një dhunë ekstreme kundrejt shpirtit të kastës me të cilën qenë dehur, trashëgimi e markës prusiane e përbërë nga disiplina, respektimi i hierarkisë dhe i ligjshmërisë. Kur nuk qenë këto elementë për të bllokuar vullnetet e konspiratorëve qe karizma e Hitlerit ajo që u pengoi disa personazheve të afërt me të që të zgjidhnin zgjedhjen e vrasjes. Tipik shembulli i Albert Speer, arkitekt dhe ministër i Armatimeve. Disa vjet pas konfliktit, e revokoi kështu qëndrimin e tij ndaj projekteve të vitit 1944 për të eliminuar Fyhrerin. "Racional tashmë prej shumë muajsh, në mos nga më përpara akoma, e kisha kuptuar se vetëm vdekja e Hitlerit mund të na shpëtonte nga katastrofa. Por, nga pikëpamja psikologjike ose po të preferohet emotive, nuk do të kisha mundur të merrja pjesë. E pata një konfirmim të mëtejshëm 7 muaj më pas, kur, duke përpunuar një plan për ta eliminuar, e kuptova njëkohësisht se nuk do të kisha mundur kurrë ta vija në zbatim".
I ndryshëm qëndrimi Von Stauffenberg, më i vendosuri midis konspiratorëve të 20 korrikut. "Unë e ndjek me të gjitha mjetet në dispozicionin tim tradhtinë e lartë", gjeti rastin të thoshte pa doreza gjatë një mbledhjeje përgatitore të atentatit. Në muajt e fundit të luftës, për Stauffenberg nuk ishte më as në lojë rezultati pozitiv i konspiracionit, sesa gjesti në vetvete. Edhe tentativa më e thjeshtë për ta vrarë tiranin do të kontribuonte për të rigjallëruar moralisht popullin gjerman nga 11 vjet diktaturë, pavarësisht nga rezultati përfundimtar i aksionit.
Dhe dyshimet lidhur me rezultatin e konspiracionit qenë absolutisht të ligjshme, duke parë "ogurin" hyjnor që gjatë vitit 1943 dhe muajve të parë të 1944 i mundësoi shumë herë Hitlerit që t'i shpëtojë një serie atentatesh të përgatitur nga oficerë të lidhur me grupin e Stauffenberg. Dy bomba të vendosura në makinën e Fyhrerit, teksa ndodhej për vizitë në Shtabin e Përgjithshëm, ngecën. Tentativa për të hedhur në erë arsenalin e Berlinit gjatë një vizite tjetër nuk solli asnjë rezultat, pasi Hitleri qëndroi atje vetëm pak minuta. Në një rast tjetër bomba shpërtheu përpara kohe. Tentativa të tjera dështuan me turp si pasojë e ndryshimeve të vazhdueshme të programit, e defekteve teknike apo pse - si në rastin e Von Breitenbuchs, që donte ta vriste Hitlerin me pistoletë gjatë një bisede në Berghof - atentatorit iu mohua aksesi në minutën e fundit.
Nga ana aleate nuk u bë asnjë përpjekje për të inkurajuar rebelimin në ushtrinë gjermane. Megjithatë, gjatë vitit 1943, disa oficerë dhe civilë gjermanë kërkuan në shumë raste të nisin negociata me anglo- amerikanët. Por, dëshira për t'i mbajtur pothuajse të gjitha pushtimet gjermane të bëra përpara pushtimit të Polonisë e paragjykuan çdo dialog të mundshëm. "Dhe nga ana tjetër, ngurrimi i shtetarëve aleatë ishte lehtësisht i kuptueshëm, ka shkruar historiani gjerman Joachim Fest. Refuzimi i tyre për të lidhur duart, përpara fitores që dukej e afërt, bashkuar me preokupimin për t'i dhënë një goditje Bashkimit Sovjetik, nuk ishte aspak i justifikuar. Dhe po aq e kuptueshme është paaftësia e tyre për të kapur konfliktet politike dhe morale komplekse të konspiratorëve gjermanë. [.] Qëndrimi i rezervuar ishte përforcuar më tej nga një mëri e pamohueshme karshi gjermanëve, objekt i së cilës ishte megjithatë ai tip njerëzor që tani u paraqitej atyre si bartës i një rendi të ri botëror, por që në realitet dukej përfaqësesi i të vjetrit, domethënë 'militaristi', 'junkeri' prusian, 'oficeri i shtabit të përgjithshëm'".
Në prillin e vitit 1944 Von Moltke arrestohet dhe rrethi i Kreisau u zhduk nga skena. Për Goerdeler dhe Stauffenberg nuk kishte asnjë sekondë për të humbur, duke pasur parasysh rrezikun për të parë të demaskuara strukturat e tyre konspirative. Nuk kishte kohë as për të kontaktuar aleatët, as për të organizuar një strategji politike afatgjatë, aq më shumë që me zbarkimin në Normandi çdo ëndërr e parealizueshme fitoreje nga ana e ushtrisë gjermane zbehej gjithnjë e më shumë. Edhe Rommel vendosi që të marrë pjesë në grushtin e shtetit: "Nëqoftëse Hitleri refuzon që të nxjerrë pasojat, tha ai, atëhere do të hyjmë në veprim ne". Sapo të eliminohej Hitleri, projekti i konspiratorëve parashikonte vendosjen e një gjendjeje të jashtëzakonshme për të kundërshtuar një revoltë të trupave SS-e të ndërtuar me art. Vermahti do të merrte komandën, duke pushtuar ministritë, stacionet radiofonike dhe duke çarmatosur SS-ët kudo që të gjendeshin. Duhej të ishte hakmarrja e traditës së lashtë ushtarake prusiane kundër nazifikimit të frocave të armatosura. Në një moment të dytë, Karl Goerdeler duhej të merrte në dorë frenat e vendit si Kancelari i ri. Më 20 korrik të vitit 1944 Von Stauffenberg, që me cilësinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Rezervë kishte akses në mbledhjet e Fyhrerit, u paraqit në shtabin qendror në Rastenburg me një bombë të fshehur në valixhe.
Bomba shpërtheu dhe atentatori, i larguar pak minuta pas vënies në funksionim të bombës, fluturoi drejt Berlinit i bindur se Hitleri kishte mbetur i vrarë. Por, për një seri rrethanash të rastësishme ai i shpëtoi edhe njëherë akoma atentatit, duke ia hedhur vetëm me ndonjë gërvishje. Ndërkohë, makina konspiratore tashmë ishte në lëvizje, jo vetëm në Berlin, por edhe në Paris e në Vjenë. Stauffenberg shkoi në Ministrinë e Luftës duke lajmëruar vdekjen e Hitlerit dhe duke urdhëruar që ushtria të merrte pushtetin kundër SS-ëve. Por midis ngadalësive, pavendosmërive dhe tentativave in extremis për të kthyer në kauzën e tyre eksponentë të tjerë të ushtrisë u humb kohë mjaft e çmuar. Lajmi që Hitleri ishte akoma gjallë i arriti konspiratorët ndërsa etapat e grushtit të shtetit akoma nuk kishin përfunduar apo pothuajse kishin dështuar. Urdhri nga vetë zëri i Fyhrerit për ta mbytur konspiracionin i dha fund aktit të rezistencës së fundit dhe ekstrem, duke ia lënë vendin një represioni barbar. Si në aktin final të një tragjedie nibelunge po në mesnatën e 20 korrikut në oborrin e Ministrisë së Luftës u pushkatuan Stauffenberg dhe konspiratorë të tjerë. Të tjerë vranë veten ose u ftuan që ta bëjnë një gjë të tillë, si Gjenerali Rommel. Goerdeler dhe Tresckoë u arrestuan dhe u varën. Hakmarrja u shtri edhe tek familjarët e grupit të vogël të opozitarëve. U konsumua kështu akti final i konspiracionit të fundit kundër diktatorit nazist dhe viktimat kryesore të dështimit, përveç personazheve drejtpërsëdrejti të interesuara, qenë edhe njëherë akoma popujt e përfshirë në konflikt, veçanërisht ai gjerman. Mbijetesa e Hitlerit i kushtoi jetën më shumë se 4 milionë e gjysëm gjermanëve në 9 muajt e fundit të luftës.
Nëqoftëse rezistenca ndaj nazizmit, në aspektet e ndryshme që ka marrë gjatë 12 viteve diktaturë, mund të përkufizohet jonkonkluduese dhe konfuze në objektivat e saj, shumë shpesh e përçarë dhe sigurisht falimentare në planin e efekteve praktike, në planin moral ka vlejtur sa një sukses. Gjaku i derdhur nga studentët e rinj të Trëndafilit të Bardhë, nga Stauffenberg dhe nga konspiratorët e grumbulluar rreth tij shërbyen për të demonstruar (më shumë se Procesi i Nyrembergut, i vendosur nga fuqitë fituese ndaj Gjermanisë së mundur) se një thërrime vetëdije civile ishte e gatshme të rilindte mbi gërmadhat e Rajhut të Tretë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers