PLANI MARSHALL dhe GREQIA



Lufta kundër varfërisë, ndihma apo kurthe?

R. Glenn Hubbard
William Duggan

Mund ta kuptojmë më mirë sesi t'i adoptojmë detajet teknike të Planit Marshall me shqyrtimin e rastit të Greqisë. Në ekonominë dhe politikën e saj, Greqia qe vendi i Planit Marshall më i ngjashëm me vendet e varfëra sot nga këndvështrime të ndryshme: në popullsi, ekonomi dhe politikë. Shembulli i Greqisë na jep idetë konkrete për të huazuar dhe shpresuar se mund të funksionojë sërish.
Greqia është më e vogla e vendeve të mëdha të Europës. Popullsia e saj në atë kohë ishte 7.5 milionë banorë kundrejt pothuajse 50 milionëve secili për Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë. Nga të 16 vendet e Planit Marshall, Greqia qe i treti më i varfër dhe më i paqëndrueshmi në atë kohë. Vetëm Portugalia dhe Turqia qenë më të varfër, por të dyja i shpëtuan pjesës më të madhe të luftimeve të Luftës së Dytë Botërore. Greqia vuajti pushtimet e Italisë dhe Gjermanisë, në të cilat një rezistencë aktive greke u krye me ndihmën e ushtrisë britanike. Pas lufte, rezistenca u përça dhe bëri një luftë civile: komunistët grekë me ndihmën ruse përballë mbretërorëve dhe demokratëve grekë me ndihmën britanike. Kështu, midis vendeve të dëmtuara nga lufta, Greqia qe më i varfëri dhe ai që qëndroi më gjatë në luftë, si dhe ai qe më pak se një demokraci e plotë përpara, gjatë dhe menjëherë më pas Planit Marshall: Mbreti grek qëndroi në pushtet në një masë të caktuar gjatë viteve Dyzet dhe Pesëdhjetë.
I vogël, i dëmtuar nga lufta dhe gjysmëdemokratik: kjo tingëllon shumë si puna e vendeve të varfëra sot, veçanërisht në Afrikë. Sigurisht, Greqia nuk i pati 40 vjet ndihma për t'u zhbërë dhe megjithëse toka e kultivuar e saj qe më e varfëra në Europë, ajo sërish kishte avantazhet e vjetra të saj të një gjuhe të vetme të shkruar, porteve të shkëlqyera dhe një pozicioni ideal në qendër të tregtisë mesdhetare. Nuk mund të shpresojmë që shumica e vendeve të varfëra të imitojnë në masë të plotë suksesin e Greqisë, por fakti sesi Plani Marshall, në mënyrë graduale dhe në shpejtësi, ndihmoi ja vlen që të mësohet dhe të imitohet dhe të imitohet pjesërisht.
Plani Marshall fillestar harxhoi një sasi të ndryshme për frymë në të 16 vendet dhe i ri do të duhet të bëjë të njëjtën gjë. 3 përqind e fondeve të Planit Marshall shkuan për Greqinë: 366 milionë dollarë në një total prej 12.7 miliardësh. Kjo është rreth 50 dollarë për frymë për Greqinë ose 400 dollarë e korrigjuar me kursin e sotëm. Në krahasim, në kapitullin e fundit ne vlerësuam një buxhet 10-vjeçar prej rreth 100 miliard dollarësh për ECA-n dhe ECA Foundation marrë sëbashku, për 10 vjet: i ndarë midis 1.5 miliard njerëzve të varfër në vendet e varfëra të botës. Kjo do të ishte 67 dollarë për frymë ose rreth një e gjashta e asaj çka Plani Marshall shpenzoi në Greqi. Sikur vetëm gjysma e vendeve të varfëra të përfshiheshin, kjo shumë do të dyfishohej. Dhe sikur ECA të kish dyfishin e fondeve që ne vlerësuam, kjo shumë do të dyfishohej sërish.
Në njëfarë kuptimi, Plani Marshall filloi me Greqinë. Në Europën e pasluftës, komunizmi kërcënonte që të përhapej në perëndim në shumë vende, por sidomos Francë dhe Greqi. Në Francë, Partia Komuniste mund të fitonte zgjedhjet. Në Greqi, luftëtarët komunistë mund të merrnin Athinën. Në shkurt të vitit 1947 erdhi kriza: mungesa e fondeve e Britanisë për vetë rimëkëmbjen e saj e detyroi atë që ta ndërpriste ndihmën ushtarake për Greqinë. Amerikanët nxituan të futeshin, fillimisht me ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake dhe më pas, falë Gjeneralit George C. Marshall, me një plan rimëkëmbjeje jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë Europën Perëndimore.
Një muaj përpara krizës greke, në janar të vitit 1947, Presidenti Truman e emëroi Marshall, Sekretarin e Shtetit të tij. Në muajin prill, Marshall u takua me ministrat e Jashtëm të Europës në Moskë për të arritur një traktat final për Gjermaninë dhe Austrinë. Atje ai e pa me sytë e tij sesi Bashkimi Sovjetik donte të vazhdonte të zgjerohej në Perëndim dhe sesi kolapsi ekonomik i Perëndimit po ndihmonte në këtë drejtim. Marshall i kërkoi George Kennan të Shërbimit të Jashtëm që të krijonte një grup pune dhe të propozonte një program ndihme ekonomike për Europën. Kennan e dorëzoi raportin e tij më 23 maj. Katër ditë më pas, një raport i dytë erdhi nga William Clayton, Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Ekonomike i Marshall, një ish-biznesmen nga industria e pambukut. Marshall i diskutoi të dyja raportet me stafin dhe bashkëpunëtorët e tij. Një javë më vonë, më 5 qershor, Marshall e shpalli planin e tij në një fjalim në diplomimet e Harvard. Këto janë pjesërisht fjalët e tij: "Prishja e strukturës së biznesit të Europës gjatë luftës qe e plotë... Ringritja apo ruajtja në vendet evropiane e parimeve të lirisë individuale, institucioneve të lira dhe e pavarësisë së vërtetë mbështetet më së shumti në vendosjen e kushteve të mira ekonomike, marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare të qëndrueshme dhe implementimit në vendet evropiane të një ekonomie të shëndetshme të pavarur me asistencë të huaj të jashtëzakonshme. Arritja e këtyre objektivave kërkon një plan rimëkëmbjeje evropiane, të hapur ndaj vendeve të tilla që bashkëpunojnë në një plan të tillë, bazuar mbi një përpjekje të fuqishme prodhimi, ekspansioni të tregtisë së huaj, krijimit dhe ruajtjes së stabilitetit të brendshëm financiar dhe zhvillimit të bashkëpunimit ekonomik, përfshi të gjitha hapat e mundshme për të vendosur dhe ruajtur kurse të mira shkëmbimi dhe për të realizuar eliminimin progresiv të barrierave tregtare".
Marshall saktësisht nuk i rendit të dhjetë elementët e Doing Business, por jep një fillim të mirë. Nga raporti i Kennan dhe i Clayton, nëpërmjet fjalimit të Marshall dhe më tej në planifikimin e detajuar të asaj vere dhe vjeshte, detajet e mënyrës se si të mbështetej sektori i biznesit të Europës Perëndimore u bënë të qarta. Nga fillimi deri në fund, Plani Marshall synoi ndaj biznesit, jo ndaj bamirësisë. Shumë agjenci ndihmash po punonin tashmë në Europë, veçanërisht United Nations Relief and Rehabilitation Administration (UNRRA) nga viti 1943 deri më 1947, e cila ju dorëzua International Relief Organization në vitin 1948. Më pas, në Europën e pasluftës mbështetja e biznesit pasoi mbështetjen e refugjatëve. Krahasoje këtë me dekadat e fundit në vendet e varfëra, ku OJQ-të kanë hyrë për emergjencë humanitare dhe më pas e kanë vazhduar këtë me projekte bamirësie, jo biznesi.
Nuk kishte asgjë në kurrikulumin personal të Marshall, që ta bënte atë probiznes në mënyrë të veçantë. Babai i tij kishte kompaninë e tij që shiste qymyr në Pennsylvania, por i biri nuk punoi asnjëherë në të. Kompania vuajti në recensionin e vitit 1893, kështu që nuk dukej se ofronte një të ardhme imediate për djalin. Në vitin 1897, në moshën 17-vjeçare, George u fut në një kolegj shtetëror, Virginia Military Institute. U diplomua prej tij në vitin 1901 dhe ju bashkua forcave të armatosura. Nga këtu ai i ngjiti rangjet e ushtrisë, për t'u bërë një oficer planifikimi kyç për trupat amerikane Luftën e Parë Botërore dhe më pas Gjeneral në vitin 1936. Tri vjet më pas, Presidenti Roosevelt e bëri Shef të Shtabit të Ushtrisë. Kjo e bëri atë komandantin ushtarak më të rëndësishëm të Amerikës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai nuk luftoi asnjëherë drejtpërsëdrejti në këtë luftë: Eisenhower në Europë dhe MacArthur në Paqësor i raportonin Marshall në Washington.
Në asnjë rast gjatë këtyre viteve të ushtrisë Marshall nuk pati më shumë kontakt apo nuk tregoi ndonjë interes më të madh ndaj biznesit se oficerët e tjerë amerikanë. Truman e emëroi atë Sekretar Shteti për shkak se qe diplomat dhe planifikues i mirë, jo për ndonjë qëndrim të dalluar probiznes dhe Truman vetë qe demokrat. Republikanët qenë partia më shumë probiznes. Fjalimi i Marshall dhe plani që e pasoi dolën jo nga ndonjë njohuri apo angazhim ndaj biznesit e pazakontë, por nga mentaliteti i rëndomtë mbizotërues amerikan se biznesi qe burimi i begatisë së masës. Deri në ditët e sotme, dy partitë kryesore politike amerikane akoma janë dakord lidhur me këtë pikë dhe ka gjasa se do të jenë gjithmonë kështu.
Shpejt pas këtij fjalimi, Marshall i ftoi të gjitha vendet e Europës, përfshi Bashkimin Sovjetik, për t'u takuar në Paris nga 12 tetori e më pas për të përpunuar detajet. Sovjetikët dhe vendet e Europës Lindore refuzuan, megjithëse Çekosllovakia fillimisht pranoi dhe të tjerat, si puna e Hungarisë, do të kishin marrë pjesë sikur sovjetikët t'i kishin lejuar. Clayton kryesonte delegacionin amerikan. Më 21 korrik, Kennan i raportoi me një memorandum Marshall rezultatet e mbledhjes së Parisit: "Ne nuk kemi asnjë plan". Në alternativë, europianët propozuan struktura, programe dhe shifra të ndryshme për planin në përgjithësi dhe për secilin vend. Pati pak unanimitet, megjithatë Marshall u kënaq. Europianët kishin fjalën e parë në detaje. Ai donte prej tyre që të hartonin programet e tyre sa më shumë të ishte e mundur. Konferenca e Parisit realisht nuk përfundoi asnjëherë. Ajo përfundoi gradualisht në punë dhe raporte nga ana e komiteteve, me stafin e Marshall përkrah. Raporti final doli në shtator.
Menjëherë ne shikojmë një element të transferuar në ECA-n [Economic Cooperation Association] tonë të re. Qeveria e çdo vendi të varfër duhet të bjerë dakord me punën e ECA-s atje. Kështu, një hap i parë për ECA-n është që të ftojë vendet e varfëra në një samit si konferenca e Parisit e korrikut 1947. Ata që nuk pranojnë e humbasin shansin e tyre për t'iu bashkuar dhe influencuar në rezultat. Gjatë muajve në vazhdim delegatët e vendeve dhe stafi i ECA-s punuan sëbashku për të përpunuar detajet lidhur me mënyrën sesi do të funksionojë programi.
Por presim gjithashtu edhe disa diferenca. Delegatët europianë në korrik 1947 e kuptonin të gjithë sektorin e biznesit, por nuk është kështu për shumë vende të varfëra sot. ECA do të duhet të negociiojë me secilin vend përbërjen e delegacionit të tyre për të përfshirë sektorin legjitim të biznesit. Këto biznese ka gjasa do të përfshijnë firma vendase dhe të huaja. Plani Marshall kishte një sponsor të vetëm: ECA ka gjasa do të ketë shumë sponsorë. Kështu këta sponsorë do të duhet ta modelojnë edhe vetë strukturën e tyre gjatë samitit. Kjo do të jetë e gjitha e komplikuar, por Plani Marshall shërben si busull.
Tri llojet e komiteteve që dolën nga konferenca e Parisit qenë: Së pari, një Committee of European Economic Co-operation (CEEC) përfshinte të gjitha vendet pjesëmarrëse evropiane si anëtarë. ECA jonë e re mund të bëjë të njëjtën gjë qoftë në mbarë botën, qoftë rajonalisht, të tillë si Amerika Latine dhe Karaibet, Lindja e Mesme dhe Azia. Në fund të fundit, Europa është rajon. Së dyti, një Komitet Ekzekutiv prej 5 vendesh mblidhte CEEC-në dhe mbikqyrte komitetet teknike që bënë punën e detajuar nga korriku deri në shtator. Marshall dhe stafi i tij zgjodhën pesëshen. Për arsye të ndryshme politike, specifike për kohën dhe vendin, ato qenë Britania, Franca, Italia, Holanda dhe Norvegjia. Sigurisht, disa vende e kundërshtuan. ECA jonë e re do të kishte nevojë për një Komitet Ekzekutiv ekuivalent, në mënyrë të ngjashme të zgjedhur nga vetë ECA, dhe komitetet teknike që do të transportohen krejtësisht në ECA-n e re.
Komitetet ekzekutive dhe teknike i shkrinë në shtator. Roli i tyre ishte të ndihmohej të hartohej një plan, jo implementimi i tij. CEEC-a u bë Organization for European Economic Co-operation (OEEC) e përhershme, për të vazhduar si trupë koordinuese rajonale për planin. Nga tetori deri në mars, amerikanët mbështetës të Planit Marshall ia shitën atë publikut dhe Kongresit të tyre. Committee for Economic Development (CED), i themeluar në vitin 1942, luajti një rol kryesor. Ai qe një grup biznesmenësh drejtues që dolën nga Këshilli Këshillues i Biznesit i Departamentit të Tregtisë për të punuar me departamentet qeveritare si zëri i sektorit privat në politikën ekonomike të kohës së luftës. Presidenti i parë i CED-it qe Paul Hoffman, kreu i shtëpisë prodhuese të automobilave Studebaker. Kongresi amerikan e miratoi Planin Marshall në mars të vitit 1948. U krijua ECA, duke zëvendësuar Komitetin e Ekzekutiv të Parisit dhe vetë stafin planifikues të Marshall. Presidenti Truman emëroi Hoffman si kreun e ECA-s.
Jemi goxha larg nga Greqia, por të gjitha këto detaje kanë rëndësi për mënyrën sesi funksioni Plani Marshall atje. Greqia mori pjesë në çdo hap në anën evropiane. Programi filloi në prill të vitit 1948. Në atë kohë, Greqia kishte një plan njëvjeçar për gjërat që kish nevojë të blinte dhe çfarë donte të bënte me paratë që do të paguanin bizneset greke. Stafi i Marshall e miratoi planin. Për vitet e ardhshme, stafi i ECA-s së Hoffman mori drejtimin. Çdo vit, Greqia nënshkruante një plan të ri njëvjeçar. Kjo rutinë njëvjeçare mund të transportohej tek ECA e re.
Le të kthehemi tani në mënyrën sesi Plani Marshall funksionoi për Greqinë. Plani njëvjeçar grek përfshinte detaje kontraktimi dhe afate dorëzimi. ECA ua dorëzoi këtë bizneseve amerikane nëpërmjet kanaleve normale të tregtisë së eksport - importit: Departamentit të Tregtisë, deklarimeve për shtyp dhe zhornaleve industriale. Një biznes amerikan e kontaktonte drejtpërsëdrejti biznesin grek. ECA siguroi që çmimet normale të tregut të mbizotëronin dhe nënshkroi një letër angazhimi për një bankë amerikane, e cila nga ana e saj rendiste letrat e kreditit me bankën greke të biznesit grek. Banka amerikane jepte një kredi për biznesin grek nëpërmjet pagimit të faturës bankës greke. Më pas, ECA e rimbursonte bankën amerikane në dollarë, të marra nga një fond xhirues për Greqinë në Thesarin amerikan. Sasia e fondit të përgjithshëm dhe e përdorimit vjetor të tij përbënin pjesë të planit vjetor grek që ECA e miratonte.
Në Greqi, fermeri ose fabrika e paguanin bankën greke në dhrahmi, zakonisht këste si një kredi. Në vend që të paguanin bankën amerikane, banka greke i dërgonte paratë në fondin homolog të Thesarit grek. Pastaj, qeveria greke e përdorte 95 përqind të këtyre fondeve për projekte brenda Greqisë, siç ishte miratuar nga ECA në planin njëvjeçar. 5 përqindëshi tjetër i shkonte ECA-s për shpenzime administrative.
Por kishte edhe mekanizma të tjerë pagimi. Greqia mund të paguante me dollarë nga vetë shkëmbimi i jashtëm i saj, për rimbursim të mëvonshëm nga ana e ECA-s; të nënshkruante një draft të ECA-s nëpërmjet Federal Reserve amerikane në favor të furnizuesve amerikanë ose t'i kërkonte ECA-s të nënshkruante një letër angazhimi për furnizuesin, duke premtuar pagim të drejtpërdrejtë pa bankë. Këto mekanizma alternative qenë kryesisht për furnizime të mëdha mallrash, të tilla si gruri, nafta apo çeliku, për biznese greke shumë të mëdha.
ECA e re ka nevojë të adoptojë të njëjtin lloj financimi fleksibël si ECA e vjetër. Ideja themelore është njëlloj: ta kthejë ndihmën në mbështetje efektive për të gjithë sektorin e biznesit të brendshëm në vendet e varfëra. Shumë elementë mund të transportohen të paprekura, për shembull, fondi xhirues për vend. Pagesat në avancë të bankave amerikane për produkte amerikane ka gjasa që nuk do të nevojiten, pasi sot të gjitha vendet kanë akses të lehtë në tregtinë botërore dhe format e ndryshme të financimit për çfarëdo gjëje që kanë nevojë të blejnë. I gjithë financimi do të jenë grante apo kredi për firma dhe organizata vendore, jo kontrata të ECA-s që këto entitete implementojnë. Krahasoje këtë me projektin tipik të ndihmës, ku organizata vendore është një nënkontraktor që dorëzon fatura pagesë pas pagese për një projekt që menaxhon agjencia e ndihmës. Nën ECA-n, bizneset dhe organizatat e tjera menaxhojnë drejtpërsëdrejti dhe raportojnë të ardhura e shpenzime nga procedura llogaritjeje normale biznesi.
Gjatë katër viteve të Planit Marshall, Greqia shpenzoi më pak se gjysmën e fondeve të homologut të saj (45 përqind), duke lënë kështu një balancë të shëndoshë për të ardhmen. Si shumica e vendeve të tjera të Planit Marshall të dëmtuara nga lufta, ajo çka Greqia shpenzoi shkoi më së pari për rindërtim fizik: shtëpi, ndërtesa publike, rrugë, hekurudha dhe porte (31 përqind). Ndryshe nga vendet e tjera të Planit Marshall, për shkak të luftës së saj civile në vazhdim, Greqia shpenzoi një sasi të mirë të fondeve të homologut të saj në ndihmë për refugjatët (29 përqind). Si vend i varfër, ajo shpenzoi gjithashtu një pjesë të mirë në bujqësi (13 përqind), veçanërisht hapjen e tokave të reja, blerjen e bagëtive dhe një sistem kërkimor dhe zgjerimi., si dhe dha kredi të mëtejshme për bizneset private greke të të gjitha llojeve (7 përqind). Pastaj vinin higjiena dhe shëndeti publik (3 përqind), përfshi një fushatë malarieje.
Kjo ligjësi shpenzimesh e fondeve homologe tregon se pjesa më e madhe e parave ndihmoi biznesin: infrastrukturën bujqësore dhe tregtare, përfshi një program rihuazimi të drejtpërdrejtë për bizneset. Plani Marshall jo vetëm që e ktheu ndihmën në financim efektiv për të gjithë sektorin e biznesit grek, por e bëri paranë publike greke të varur në vëllimin e biznesit. Nëqoftëse biznesi grek lulëzonte, ai do të sillte më shumë inpute dhe do të paguante më shumë para në fondin homolog qeveritar. Nga ana e tij, ky fond e shpenzonte pjesën më të madhe të parave për ta mbështetur më shumë biznesin. Të gjithë këta elementë transportohen të paprekur në ECA-n e re.
Plani Marshall përfshinte një program asistence teknike, të ndarë nga programet e vendeve, ku ekspertë amerikanë këshillonin bizneset dhe agjencitë qeveritare evropiane, si dhe europianët që të shkonin në Shtetet e Bashkuara për të studiuar bizneset amerikane. I gjithë programi zinte vetëm 1.5 përqind të buxhetit të përgjithshëm të Planit. Grekët morën pjesë dhe kërkuan edhe më shumë. Lufta civile zgjati deri në vitin 1949, por edhe më pas paqëndrueshmëria vazhdoi. Vetëm në vitin 1950, pati pesë qeveri të ndryshme. Kjo bëri kërdinë ndaj administratës së Planit Marshall, ndërsa stafi i agjencisë qeveritare shkonte dhe vinte. Shumë grekë u kërkuan amerikanëve që të merrnin përsipër anën greke të administrimit të Planit, por ato refuzuan. Kjo qe përgjigja e drejtë, kështu që grekët përpunuan rregullimet institucionale që duhet të zgjasnin, pasi paraja e Planit Marshall të kishte ikur.
Krahasoje këtë me shumë të huaj, që agjencitë e ndihmës emërojnë për të hartuar dhe drejtuar projektet qeveritare dhe të OJQ-ve në vendet e varfëra, për të siguruar që projektet ecin siç duhet. Por projekti ecën siç duhet për aq kohë sa qëndrojnë të huajt dhe më pas degjenerojnë. Kjo është asistencë projektesh, jo asistencë teknike. Diferenca midis të dyjave është thelbësore. Në asistencën e projekteve, të huajt menaxhojnë projektin. Në asistencën teknike, kompania apo organizata vendore drejtojnë projektin dhe asistentët teknikë i këshillojnë ata në aspekte të projektit ku kanë ekspertizë të veçantë.
Dekada më parë në ndihmë për vendet e varfëra, asistenca teknike qe norma. Keqmenaxhimi nga entiteti vendor i çonte agjencitë e ndihmave që gradualisht të ndryshonin në asistencë projekti, megjithëse akoma e quanin atë asistencë teknike. Ashtu si origjinali, ECA e re duhet të financojë asistencën teknike, jo asistencën e projektit. Nëqoftëse entiteti lokal dështon, ai falimenton, në vend që të mbahet në këmbë nga të huajt që drejtojnë lojën.
Për shkak se, qeveria greke qe në gjendje të tillë të keqe, një pjesë e shpenzimeve të partnerit të saj (3 përqind) shkuan për një program special asistence teknike për ta reduktuar dhe reformuar atë. Në shumicën e vendeve të varfëra ndihma ka financuar shumë programe asistence teknike për të reformuar agjenci qeveritare, por pa një mekanizëm të brendshëm financues si financimi partnerial apo një riorientim i përgjithshëm drejt biznesit si Plani Marshall. Megjithëse shkalla e çrregullimit institucional në shumicën e vendeve të varfëra nënkupton që Fondacioni ECA do të duhet të shpenzojë para grant në reformën institucionale, përfshi një pjesë në financimin e ECA-s është një gjë e mirë për t'u marrë nga origjinali.
Në Planin Marshall, bizneset i paguan kreditë e përqindjet dhe këto para financuan drejtpërsëdrejti projektet qeveritare. Në vendet e varfëra, sot stafi i Bankës Botërore harton projekte për qeverinë që t'i implementojë dhe më pas llogarisin sesa shumë kjo do ta nxisë ekonominë e përgjithshme. Kjo i shtohet projekteve për të arritur në një rritje ekonomike të planifikuar për të llogaritur më pas taksat ekstra që do të mbledhë qeveria. Më pas jep një hua të madhe për qeverinë që ta paguajë me taksat e ardhshme nga rritja e ardhshme ekonomike. Pesë vjet më vonë, kurr rritja nuk ka ndodhur dhe qeveria nuk mund ta paguajë kredinë, banka e mbyll atë duke hapur një tjetër ose aktivistët e ndihmës bëjnë fushatë për bankën që ta falë atë. Ndërkaq, banka ka hartuar një grup tjetër projektesh që tashmë janë në rrugë, me një tjetër kredi që qeveria nuk do ta paguajë kurrë.
Plani Marshall hasi më shumë pengesa në Greqi sesa në vendet e tjera, por sërish programi funksionoi. Ekonomia greke u rrit me 30 përqind gjatë katër viteve të planit dhe më pas u ngrit në vitet Pesëdhjetë, kur Greqia u rrit më shpejt se çdo vend tjetër i botës përveç Japonisë. Por ECA hasi probleme jo vetëm në Greqi dhe në vendet e tjera të Planit Marshall, por edhe në Washington. Hoffman luftoi dy lloje amerikanësh: ofiqarët nga agjencitë e tjera dhe lobet industriale.
Shumë zyrtarë të Departamentit të Shtetit e donin ECA-n që ta kishin vetë, pasi ai merrej me punët e jashtme, por Marshall me zgjuarsi vendosi që ta bënte të pavarur. Edhe kështu, zyrtarë në Departamentet e Shtetit, Thesarit, Tregtisë dhe Bujqësisë donin që ECA të merrte staf prej tyre dhe të punonte nëpërmjet tyre kur të futej në fushën e tyre, që ishte të gjithë kohën. Në të vërtetë, Hoffman e pajisi ECA-n në Washington më së shumti me drejtues kompanish, avokatë korporatash dhe bankierë investimesh dhe u përpoq në maksimum që ta drejtonte Planin Marshall sipas parimeve të biznesit më shumë se sipas politikave të departamenteve të ndryshme. Ai i fitoi të gjitha betejat e mëdha, megjithëse luftërat vazhduan gjatë katër viteve të planit.
Lobet industriale qenë një çështje tjetër. Hoffman donte që biznesi amerikan të konkurronte mbi një bazë të njëjtë me biznesin e huaj për kontratat e Planit Marshall, por lobi amerikan i transportit arriti që të shkruajë në ligjin e Planit Marshall se 50 përqind e të gjitha mallrave nën Plan të lëviznin me anije amerikane. Edhe industria e miellit përfitoi, në masën 25 përqind. Industria e aluminit u përpoq për 50 përqind, por Hoffman ia doli që ta rrëzonte këtë në Kongres. Më pas, ai gjykoi se transportuesit amerikanë po e ekzagjeronin me çmimet, kështu që kërkoi se do ta injoronte normën e 50 përqindëshit. Lobi i transportit ju kthye me një fushatë marrëdhëniesh publike. Kështu, Hoffman kërcënoi me dorëheqje. Në fund, ai e humbi këtë raund dhe vazhdoi të punonte. Më pas, ai ia doli që ta rrëzonte rregullin e miellit.
ECA e re ka shumë për të mësuar nga luftërat e Hoffman me agjencitë dhe lobet industriale konkurruese. Donatorët e ECA-s së re duhet t'i japin asaj të njëjtën autonomi burokratike që Marshall i dha planit fillestar. Të njëjtat rregulla prokurimi nacionaliste që Hoffman luftonte kundër ndihmës së huaj akoma të fshikulluar sot, jo vetëm për mallra si ndihma ushqimore, por për asistencë - dhe projekt - teknik, ku agjencitë amerikane huazojnë kompani amerikane dhe britanikët për të njëjtën gjë për francezët. Danezët do të donin një institut të njëjtë teknik që financojnë në vend për të drejtuar ndonjë projekt teknik në Guatemalë. Francezët do të këmbëngulnin në një përqindje të caktuar të shtetasve francezë në stafin e ECA-s. Amerikanët do të përpiqen të rikrijojnë sistemin universitar amerikan përfitues të ndihmave qeveritare në çdo vend. Po kështu, rreth tryezës së donatorëve. Kjo është një praktikë ndihmë e rëndomtë dhe për ECA-n do të duhet që të ndalojë. Kjo do të ishte shumë e vështirë për t'u arritur. Çdo donator do të dojë ECA-n që të promovojë politikat, njerëzit dhe institucionet e saj në të njëjtën mënyrë që departamentet amerikane do të donin që Hoffman të promovonte të tyret.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, duhet të pranojmë efektin e Planit Marshall ndaj integrimit ekonomik evropian. Nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë: Bashkimi Europian filloi si një marrëveshje rajonale qymyri në vitin 1951, më pas u bë Komunitet Ekonomik Europian në vitin 1957, por lidhja jo e drejtpërdrejtë është e fuqishme. ECA i shtrëngoi vendet që të mblidheshin sëbashku me një plan të vetëm në Paris gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1947 dhe ato u mblodhën. Gjithashtu, ECA i shtrëngoi ato që t'ia hapnin kufijtë njëri-tjetrit dhe ata i hapën. Trupa rajonale e ECA-s, OEEC, qe në mënyrë të tepruar një krijesë amerikane, kështu që europianët krijuan të tyren. Të gjitha rajonet e varfëra të botës kanë vende që janë tejet të vegjël sa për t'u begatuar me këmbët e tyre dhe shumica e tyre përbetohen në mënyrë jo të sinqertë për integrimin rajonal, por problemi real është se si ECA e re mund të ndihmojë, së pari në Europë.
Nga Washingtoni në Greqi kjo miriadë detajesh filloi të tregojë rrugën sesi ECA e re mund të punonte. Shumë detaje do të konfliktojnë: Për shembull, nuk do të ketë traktorë dhe miell nga Amerika, por struktura dhe mekanizmat e të vjetrës dhe të së resë thelbësisht do të jenë njëlloj - i njëjti softuer, harduer i ndryshëm, për një kohë të ndryshme dhe një vend të ndryshëm. Është në këtë mënyrë që Plani Marshall mbetet i përjetshëm e universal dhe shpresa më e mirë për të luftuar varfërinë në vendet e varfëra të botës.
R. Glenn Hubbard është Dekan i Columbia Business School dhe Russell L. Carson Professor of Economics and Finance. Ka qenë President i Council of Economic Advisers nga viti 2001 deri më 2003 dhe ka botuar më shumë se 100 artikuj lidhur me investimet, bankat, ekonominë energjetike dhe politikën publike. Libri i tij më i fundit është i shumëshituri Principles of Economics.
William Duggan është lektor i vjetër i Biznesit në Columbia Business School, ku ai jep strategji në kurse diplomimi dhe administrative. Ka 20 vjet përvojë në ndihmën e huaj. Libri i tij më i fundit, i titulluar Strategic Intuition, u quajt si Best Strategy Book nga Strategy + Business.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers