Një udhëtim i paharrueshëm drejt një prej shtatë mrekullive


Qielli i shtatë
Në perëndim, 10 milje tutje, maja e një grumbulli gurësh ranorë ngrihej mbi horizont. Me pak fat, do të mund të ngrinim kampin në anën e saj para se të binte mbrëmja, pasi kishim përshkuar një peisazh të egër dhe të thiktë që më parë përdorej me raste vetëm nga beduinët dhe nga cjepërit e alpeve. Përpara kësaj, ishte koha të shtrëngonim lidhëset e këpucëve, të mbuloheshim dhe të përplasnim pakëz këmbët për të shmangur të ftohtin e mëngjesit.
Përreth nesh, ndihmësit tanë beduinë kishin nisur të ndiznin zjarrin dhe të zbraznin atë që kish mbetur në enët e tyre me çaj nenexhiku të ëmbël. Mushkat pëllisnin me të madhe. Jamani, udhërrëfyesi ynë qëndronte i gatshëm, duke tundur shkopin e tij prej druri qershie. "Sabah il Kheer", më tha kur më pak të afrohesha. Përshëndetja tradicionale në arabisht përkthehet pak a shumë si "mëngjesi i dritës", dhe në ato momente i shkonte shumë për shtat situatës. Ishte ora shtatë e mëngjesit dhe dielli po shpërthente si një e verdhë veze nga prapa maleve.
Njëri pas tjetrit, udhëtarët e tjerë u mblodhën të ndjekur nga Jusef dhe Muhamed, dy ndihmësit tanë dhe tre mushkat e tyre. Beduinët e tjerë do të qëndronin pas për të mbledhur plaçkat e kampit, do të ngarkonin gjithçka në kamionë dhe do të largoheshin me ta, për t'u takuar me ne në mbrëmje.
"Jallah, atëherë", tha Jaman, duke bërë me shenjë nga shtegu. "Shkojmë". Qëllimi ynë ishte të ecnim përmes maleve që formojnë krahun lindor të Uadi Araba, lugina e madhe që shtrihet prej Detit të Vdekur deri në Gjirin e Akabas. Do të na duheshin shtatë ditë, në fund të të cilave do të mbërrinim në Petra, vendndodhja arkeologjike më e bukur e Jordanisë, dhe një prej shtatë mrekullive të reja të botës, sipas faqes së internetit neë7ëonders.com, e cila tërhoqi 100 milionë votues nga e gjithë bota.
Të gjithë pjesëtarët e grupit tonë ishin të ngazëllyer nga ideja që po të shihnim Petran me të gjithë madhështinë e saj, do të arrinim një prej kulmeve të jetës sonë, por të mbërrinim në këmbë, direkt nga malet, do të ishte një përvojë për të mos u harruar asnjëherë. Në ditët që do të vinin, e njohëm shumë mirë njëri-tjetrin.
E nisëm në rajonin Feinan, ku mendohet që Moisiu bëri shkopin e tij të mrekullive me gjarpërin e bronztë. E gjithë zona është e pasur me histori biblike dhe peisazhi dramatik ta bën të lehtë të imagjinosh praninë e një njeriu mjekërrgjatë, të moshuar e të mençur, teksa udhëheq izraelitët nëpër grykat e thikta. Në fakt, Moisiu u kthye në një lloj teme gjatë udhëtimit, pasi Jusefi, mushkari gazmor, tha se Piers ishte një emër shumë i vështirë dhe se Musa do të ishte më i përshtatshëm për mua. Në pjesën e mbetur të udhëtimit, u mësova tek dëgjoja thirrjen Musa që jehonte deri poshtë në luginë.
Të gjithë mbetëm të mahnitur nga bukuria e atij vendi. Plasa e Detit të Vdekur përmban një shkretëtirë gropa-gropa, gryka të thella, përrenj, pellgje dhe ujëvara. Flora është një kombinim i rrallë bimësie shkretëtire, mesdhetare dhe tropikale. Ne bëmë përpara nëpër shtigjet plot gropa të beduinëve, duke ndjerë djegien e muskujve, si dhe zgjerimin e lavdishëm të ndërgjegjes, që vjen sa herë udhëton në vende të egër.
Deri në fund të ditës së parë, të shpartalluar, ne ishim më shumë se të gëzuar tek pamë kampin e ngritur që larg. Çadra kryesore, e bërë me dorë, me lesh dhie dhe deleje, ishte ngritur tashmë, ndërkohë që zjarri me dru dëllinje kish ngrohur tashmë ambientin rreth e rrotull. Brenda, kishte shilte dhe velenxa të shtruara si dhe ibriku i kudogjendur me çaj nenexhiku. Pasi ngritëm çadrat tona - ato më modernet - u rehatuam përreth zjarrit për të ngrënë darkë.
Mikpritësit tanë, me sa duket nga hiçgjëja, si me magji kishin shtruar një gosti - sallatëra, mish qengji të pjekur, ullinj, oriz. Kishte edhe pak verë - diçka që reflekton natyrën kozmopolitane të shoqërisë jordaneze.
Megjithatë, vetë beduinët kënaqeshin me nargjilenë e tyre - llulla e gjatë, tymosja e të cilës përbën një aktivitet shoqëror esencial në Lindjen e Mesme. Duhan i lagësht, i përzier me tul frutash vendoset në majë të llullës - për beduinët, ky është një institucion kënaqësie, një kohë për të formuluar mendime filozofike dhe për të medituar, dhe me raste për të zgjidhur problemet e botës.
Deri në mëngjesin e katërt, më në formë fizikisht dhe të nxirë nga dielli, ne ishim mësuar me të ecurit. Ndoshta kjo ishte arsyeja përse dëgjoja me më pak vëmendje llafet e Jamanit para nisjes për në udhëtim. "Ndoshta duhet të të them se dita e sotme do të jetë e vështirë", ia nisi ai. "Fatkeqësisht, i vetmi vend për të ngritur kampin këtë mbrëmje është Shkaret Msei'd".
Ky, siç do ta zbulonim më vonë, ndodhej 18 kilometra larg, dhe terreni drejt tij ishte jashtëzkaonisht i vështirë. Pasi u nisëm teposhtë, përgjatë kanionit Sakakin, nisëm të ngjitemi. Deri kur mbërritëm në qafën e parë, kullonim të gjithë djersë. Muskujt e pulpave na dhimbnin, dhe nisi të shfaqet gjithnjë e më shumë një dozë nervozizmi. Fatmirësisht për ne, Jaman mbeti gazmor dhe goxha simpatik, pa ndryshuar asnjë çast.
Muzgu po binte ngadalë teksa ne ecnim plot mundim nëpër bregun e rrëpirtë, dhe nuk mund të përshkruhet vlerësimi dhe kënaqësia që ndjemë kur pamë flakët e zjarrit dhe brohoritjet mikpritëse. Beduinët kishin përgatitur jo vetëm kampin si dhe një darkë spektakolare, por kishin ngritur edhe çadrat tona. Atë natë, hëngrëm si mbretër dhe fjetëm si të vdekur.
Në mëngjesin e shtatë, mbërritëm më në fund në Petra. Fshehur në mesin e maleve Shara mes kubeve, kodrave dhe majave si kështjella, ndodhet një prej thesareve më të mëdhenj të botës. Mbetur në harresë për më shumë se 100 vjet, interesi për Petra u rizgjua prej eksploruesit anglo-zviceran James Buckhardt, i cili në vitin 1812 u maskua si një studiues mysliman dhe bindi beduinët vendas që ta udhëhiqnin drejt qytetit të harruar.
Afro 2400 vjet më parë, një tribu e quajtur Nabateasit ngriti më shumë se 800 ndërtesa dhe monumente me gurë ranorë ngjyrë të kuqe, mes tyre varre mbretërorë, një amfiteatër me 800 vende, tempuj, dhe - më mbresëlënësja - një sistem tubacioni të shkëlqyer, rezervuarë, burime dhe cisterna për të furnizuar qytetin me ujë.
Në dritën e yjeve të mbrëmjes, ne u mblodhëm përmes El Khazneh (Thesari i Faraonëve), një tempull i mrekullueshëm bojë rozë me kolona korinthase. "Përpara luftës, ka patur mbi 2000 turistë që vinin këtu', më tha Jaman. "Por tani ka shumë pak. Në këtë kuptim, ju jeni me fat. Nuk duhet të jesh në turmë kur shijon një bukuri kaq të rrallë".
Tek linim pas Petran, duke ecur nëpër kanionin e famshëm të Sik, u ndjemë të mrekulluar nga ajo që kishim parë. Të nesërmen, do të shkonim nëpër Detin e Vdekur, duke shkrythur muskujt përpara se të riktheheshim në shtëpi. Shumë shpejt do t'i riktheheshim jetës metropolitane, të larguar edhe një herë nga supremacia e maleve dhe qiellit. Por, mrekullia e peisazheve, mikpritja mbresëlënëse dhe ngrohtësia e beduinëve, dhe vetë Petra "një qytet i kuq, i vjetër sa gjysma e kohës", do të vazhdonte të jehonte për një kohë shumë të gjatë.

Google+ Followers