NASA: Nuk ka apokalips më 2012

E gjithë bota është futur në një ankth të madh dhe histeri kolektive për shkak të kësaj teorie tragjike, por çfarë mendon NASA rreth kësaj çështjeje?

Shpërthime vullkanike të mëdha, stuhi magnetike, rrezatime nga hapësira etj... Pas vetëm dy vjetësh në Tokë do të mbretërojë ferri, ose të paktën sipas Laurenc Xhozef, fizikan nga SHBA dhe autori i librit "Apokalipsi 2012".
Bindjet e tij bazohen në një fakt: më 12 dhjetor të vitit 2012 do të përfundojë cikli i kalendarit Maja, qytetërimi misterioz që banoi në Amerikën Qendrore nga viti 1800 përpara Krishtit deri në vitit 1450 pas Krishtit.
Për më shumë, të nesërmen e asaj dite do të ndodhë solstici dimëror dhe Dielli do të pozicionohet me qendrën e Rrugës së Qumështit për herë të parë pas 26 mijë vjetësh...a duhet të shqetësohemi?
Pozicionimi astronomik nuk do të jetë i rrezikshëm, të paktën sipas shkencëtarëve që e mbikqyrin hapësirën në vazhdimësi. Për shembull, në vitin 2002 pesë planetë u pozicionuan në një vijë të drejtë në harkun e 33 gradëve pa shkaktuar asnjë pasojë në kozmos. Ndërsa, kultura Maja ishte një nga më komplekset në botë dhe shquhej për diturinë në fushën e matematikës dhe astronomisë. Por e gjitha kjo po krijon një klimë ankthi në lidhje me vitin 2012, që kujton pak a shumë atë të vitit 2000. Kur sipas raporteve në të gjithë botën u shpenzuan rreth 300 miliardë dollarë për të ndërhyrë në sistemet informatike dhe për të parandaluar katastrofën e madhe.
E gjithë bota është futur në një ankth të madh dhe histeri kolektive, për shkak të kësaj teorie tragjike, por çfarë mendon NASA rreth kësaj çështjeje?
Bota nuk do të marrë fund më 21 dhjetor të vitit 2012, insiston Agjencia amerikane e Gjithësisë, në kuadër të një fushate të rrallë për të zhvleftësuar pohimet e përhapura, të nxitura nga interneti dhe filmi hollywoodian 2012, i cili përveç fundit të botës, na shfaq edhe një version modern të Arkës së Noes të mbushur me kafshë dhe njerëz të përzgjedhur nga elita botërore për të nisur ciklin e ri të jetës nga e para.
Filmi më i fundit, "2012", që bëri bujë duke u shfaqur në të gjitha kinematë botërore dhe, duke shfrytëzuar "famën e momentit" të nxitur nga teoritë konspirative të apokalipsit, paraqiti një produksion 200-milionë dollarësh rreth fundit të botës, që bazohet në mitet e mbështetura nga kalendari i Majave.
Skenari apokaliptik rrotullohet rreth pohimeve, se fundi i botës do të vijë kur Planeti X - apo Nibiru - do të përplaset me Tokën. Planeti misterioz thuhet se është zbuluar nga sumerët, sipas pohimeve të pseudo-shkencëtarëve, entuziastët e aktiviteteve paranormale dhe teoricientët në internet.
Disa uebfaqe e akuzojnë NASA-n se është duke e fshehur të vërtetën rreth ekzistencës së planetit, mirëpo Agjencia amerikane e Gjithësisë i ka hedhur poshtë këto pohime, duke i quajtur "Mashtrime në internet".
"Nuk ka bazë faktike në këto pohime", kanë thënë përfaqësuesit e NASA-s". "Po të kishte ndonjë të vërtetë në përplasjen e tillë, astronomët do ta kishin përcjellur së paku gjatë dekadës së kaluar dhe deri më tani ai planet do të mund të shihej nga të gjithë", kanë thënë astronomët. "Është evidente se ai planet nuk ekziston".
"Shkencëtarët e besueshëm në tërë botën e dinë se nuk ekziston ndonjë kërcënim i lidhur me vitin 2012", ka shtuar NASA.
Ekziston një planet tjetër, Eris, që është duke lëvizur në hapësirë. Megjithatë, ky planet i vogël, i ngjashëm me Plutonin, do të mbetet në pjesën e jashtme të sistemit diellor dhe nuk mund të afrohet më shumë se 6.4 kilometra me Tokën, sipas NASA-s. NASA ka insistuar se kalendari i Majave në të vërtetë nuk merr fund më 21 dhjetor të vitit 2012, pasi që një periudhë tjetër fillon menjëherë pas tij.
Një teori tjetër, të cilën NASA e ka zhvleftësuar janë stuhitë gjeomagnetike, ndërrimi i poleve apo jostabiliteti i pllakave të Tokës. Për shembull, disa mite pohojnë se, rotacioni i Tokës dhe polariteti magnetik janë të lidhura, me një ndërrim polesh që ndodh çdo 400.000 vjet.
"Me sa e dimë ne, një ndërrim i tillë magnetik nuk ka ndikim në jetën në tokë", dhe ndërrimi i rotacionit të Tokës është "i pamundur", ka siguruar NASA.
Po ashtu, edhe pse kometat dhe asteroidet gjithnjë e kanë goditur Tokën, "goditjet e mëdha janë shumë të rralla", ka theksuar NASA. Goditja e fundit e madhe besohet se kishte ndodhur 65 milionë vjet më parë, duke shkaktuar fundin e periudhës së dinosaurëve. "Tashmë e kemi parë, se nuk ka asteroidë aq të mëdhenj sa ai që vrau dinosaurët", ka thënë Agjencia e Gjithësisë.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI


As Majat nuk e besojnë Apokalipsin e vitit 2012
Apolinario Chile Pixtun është ngopur me pyetjet në lidhje me kalendarin e majave, i cili gjasme skadon më 21 dhjetor të vitit 2012. Pas të gjithave, nuk është fundi i botës.
"Jam kthyer nga Anglia vitin e kaluar dhe mund të them se më kanë lodhur me gjëra të tilla", thotë Pixtun.
Situatat dhe deliri i njerëzve sa vijnë e përkeqësohen. Majat këtej, majat andej, ngrohja globale, shpërthimet, planeti X, filmi "2012" në Hollywood një film, i cili për temë ka fundin e botës etj., etj. Edhe sa do të zgjasë ky panik i vetnxitur?
Në Universitetin Cornell, astronomja Ann Martin, thotë se njerëzit janë të frikësuar. "Situata është shumë e keqe. Po marrim letra nga studentët, të cilët theksojnë se janë ende të rinj për të vdekur. Kemi marrë një letër nga një nënë e re e dy fëmijëve, e cila ka theksuar se nuk do të jetojë për të parë fëmijët e saj duke u rritur", tha Martin. Pixtun, një shtetas i Guatemalës, theksoi se teoritë për fundin e botës janë pjellë e Perëndimit, e jo ide të majave.
Një periudhë domethënëse kohore e majave përfundon më 21 dhjetor të vitit 2012.
Por arkeologët, astronomët dhe majat theksojnë se e vetmja gjë, e cila mund të godasë tokën janë breshëria e epokës së filozofisë së re, popastronomia, spekulimet për fundin e botës në internet dhe emisionet speciale në televizor, siç janë ato që emetohen në kanalin televiziv History Channel, emisione në të cilat gërshetohen parashikimet e Nostradamusit dhe të majave, për të parashtruar pyetjen: "A po lëviz viti kozmik 2012 drejt pikës zero, pikës së shpresës?"
Një nga objektet që ka nxitur spekullimet për fundin e botës, është monumenti gjashtë. I gjetur në mesin e disa gërmadhave në jug të Meksikës, gjatë ndërtimit të një rruge në vitet '60. Në të përfshihet një mbishkrim, në të cilin theksohet se diçka do të ndodhë në vitin 2012 dhe përmendet emri i Bolon Yoktes, një perëndi enigmatike e majave, i cili ndërlidhet si me luftën, ashtu edhe me krijimin.
Sidoqoftë, disa plasaritje në këtë monument e bëjnë të palexueshme pjesën e mbetur të mbishkrimit. Arkeologu Guillermo Bernal, nga Universiteti Kombëtar i Meksikës, thotë se fundi i mbishkrimit ndoshta synon të paralajmërojë "Ai do të zbresë nga qielli". Bernal thotë se, në mbishkrimet e majave ka data, të cilat shkojnë shumë përtej vitit 2012, duke përfshirë këtu edhe një mbishkrim, i cili në përkthim flet për vitin 4772. Sidoqoftë, pasardhësit e majave në Gadishullin e Yukatanit kanë brenga shumë më të mëdha, sesa vitin 2012.
"Nëse shkojmë në ndonjë komunitet të majave dhe pyesim njerëzit se çfarë do të ndodhë në vitin 2012, ata nuk do të kenë asnjë ide. Bota do të marrë fund? Ata nuk do ta besojmë. Ata kanë brenga të tjera, siç është mungesa e reshjeve", tha Jose Huchim, arkeolog specialist për majat në Yukatan. Civilizimi i majave, i cili arriti kulminacionin e vet nga viti 300 deri në vitin 900 para epokës sonë, kishte një talent të madh për astronomi.
Kalendari numërues i majave përfundon më 21 dhjetor të vitit 2012. "Ky është një përvjetor special i krijimit", thotë David Stuart, ekspert për kulturën e majave në Universitetin e Texasit në Austin. "Majat nuk kanë thënë kurrë se bota do të përjetojë fundin, ata nuk kanë thënë kurrë se do të ndodhë diçka e keqe, ata thjesht kanë regjistruar këtë përvjetor të së ardhmes në monumentin gjashtë", shtoi ai. Bernal sugjeroi se, "apokalipsi" është një koncept i krishterë, i cili është projektuar te majat, ndoshta për arsye se mitet perëndimore kanë "shteruar".
Por disa ekspertë theksojnë se, kanë njohuri për një fshehtësi tjetër të majave: boshti i tokës lëkundet, duke ndryshuar për çdo vit lehtazi radhitjen e yjeve. Një herë në 25.800 vjet, dielli rreshtohet në qendër të galaktikës sonë, pika më e ulët e diellit në horizont. Kjo do të ndodhë më 21 dhjetor të vitit 2012. Një rastësi tjetër.
"Një pyetje që do t'ua bëja këtyre njerëzve është, edhe çfarë? Ndryshimi i radhitjes nuk do të ndodhë saktësisht në vitin 2012 dhe yjet e largëta nuk kanë forcë që të dëmtojnë tokën", theksoi astronomi Phil Plait. Por, autori John Jenkins theksoi se, studimi 20-vjeçar nga ana e tij i gërmadhave të majave lë të kuptojë se majat kanë qenë të vetëdijshëm për këtë zhvendosje dhe se i kanë kushtuar një rëndësi të madhe këtij fenomeni.
"Nëse dëshirojmë të respektojmë dhe të nderojmë mënyrën se si kanë menduar majat, atëherë do të thoshim se majat vitin 2012 e kanë cilësuar si fundin e një qarku, si periudhë të transformimit dhe ripërtëritjes", theksoi Jenkins. Autori Lawrence Joseph theksoi se një shpërthim në sipërfaqen e diellit mund të nxjerrë jashtë përdorimit për vite me radhë termocentralet në Amerikën Veriore, duke nxitur mungesë të ushqimit dhe të ujit dhe duke çuar kështu drejt shembjes së civilizimit.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers