Marrëzia në pushtet


Mbretvrasje, incest, tortura, sakrilegj. Janë akuzat e historianëve të lashtësisë kundër perandorit të tretë romak, Kaio Jul Cezar Gjermaniku, i quajtur Kaligula. Po të dëgjosh rrëfimet e Senekës, Svetonit dhe Kasio Dionit, dhuna shkaktohej për shkak të një çmendurie progresive. Prova? Ekseset dhe çuditë si përshembull emërimi senator i kalit të tij. Njeriu që për katër vite, ndërmjet pranverës së 37 dhe fillimit të vitit 41 pas Krishtit dominoi Romën me kapriçiot e tij u shndërrua në prototipin e tiranit të marrë e të degjeneruar. Por ndoshta Kaligula do të mund ti rrëmbente batutën Xhesika Rabitit, personazhit të kartonave: "Unë nuk jam i keq, do të thoshte. Thjeshtë më dizenjojnë kështu".
Fanatik
"Që në vitet tetëqind nisi të thuhej se, burimet antikë në lidhje me këtë perandor nuk janë të besueshëm siç duan të duken", pohon Alois Uinterling, docent i Antropologjisë në Universitetin e Friburgut në Gjermani si dhe autor i një biografie të shumëdiskutuar, e cila e rehabiliton pjesërisht Kaligulën. "Për shembull, lajmi se ai ka patur marrëdhënie incesti me tre mortat është i pavërtetë dhe gjendet i formuluar për herë të parë në Svetonio një shekull pas vdekjes së perandorit", këmbëngul Uinterling. 'Seneka dhe Filoni i Aleksandrisë, të dy kundërshtarë të perandorit, sigurisht që nuk do të kishin lejuar t'u shpëtonte një lajm i tillë, por nuk e kanë përmendur gjëkundi".
Kaligula, sipas studiuesit, do të ishte pra një prej personazheve më të famshëm të historisë. Por a do të mjaftonte heshtja e dy historianëve për ta shfajësuar? "Shumë episode që i vishen Kaligulës janë ndoshta të vërtetë", thotë Xhuzepe Antoneli, studiues i historisë romake dhe autor i një studimi mbi figurat "e mallkuara të Romës së lashtë", "por ata duhet që të interpretohen në dritën e personazhit: një sovran i papërshtatshëm në një moment të vështirë".
Princ i vogël
Të paktën për datën e lindjes, të gjithë bien dakord: 31 gushti i vitit 12 pas Krishtit. Hipotezat nisin të kenë dallime kur flitet për vendin: Tivoli (e pamundur), Anzio (me më shumë gjasa duke qenë se familja kalonte aty pushimet), një kamp ushtarak në Gjermani (legjendare; në Gjermani shkoi kur ishte dy vjeç). E sigurtë është edhe prejardhja nga një familje që kishte shumë peshë. Gjyshi dhe babai i Kaligulës kishin qenë gjeneralë që kishin fituar famë dhe respekt me ekspedita ndëshkuese kundër gjermanëve. Për këtë arsye quheshin Gjermanikë, një emër që i kaloi edhe Kaio Jul Cezarit të vogël, i cili nga e ëma ishte i lidhur me familjen e Oktavian Augustit, themelues i perandorisë në vitin 27 para Krishtit dhe i cili ndodhej në fron kur ky erdhi në këtë botë. I rritur në bazat ushtarake të Gjermanisë së largët, u shndërrua në maskotin e trupave dhe (me sa duket me sugjerimin e të ëmës) vishej si "legjionar" me shumë kaligae, apo veshje ushtarake, dhe për këtë arsye i vunë edhe nofkën Kaligula.
Në vitin 14 pas Krishtit, vendi i Augustit u zu prej Tiberit. Dymbëdhjetë vjet më vonë, tashmë i moshuar, perandori u tërhoq për të jetuar në vilën e tij të mrekullueshme në Kapri. Atje ku, në vitin 31 erdhi djaloshi 18-vjeçar i gjermanikos. Kaligula, i adoptuar prej Tiberit, pavarësisht se ky sapo kish urdhëruar rojet pretoriane që të shfarosnin familjen e fuqishme, zbuloi artin, kulturën dhe teatrin. U dashurua aq shumë sa që do të mbushte me nderime të mëdha aktorin e pantomimave Maestrin dhe aktorin Apele, në po të njëjtët bankete ku godiste me peshq në fytyrë patricë dhe senatorë. Megjithatë, në Kapri, përveç verës rridhte edhe gjaku.
Sipas Svetonit, Kaligula "asistonte me një kënaqësi shumë të madhe në torturat dhe ekzekutimet e të dënuarve dhe natën, i maskuar me një parukë dhe një mantel të gjatë, jepej pas shthurjeve". Në ishull, biri i Gjermanikos njohu Makronin, kreun e pretorianëve si dhe bashkëshorten e tij, Enia, të cilën ndoshta e pati edhe të dashur. Në 16 mars të vitit 37, ky trekëndësh rezultoi vdekjeprurës për Tiberin. Ka nga ata që thonë se u vra prej Makronit. Për të tjerë, vetë Kaligula e helmoi dhe më pas e mbyti. 'Sido që të kenë shkuar gjërat", shpjegon Uinterling, "rrëfimet konfirmojnë idenë që bashkëkohësit kishin për ambientin ku Kaligula kaloi gjashtë vite të gjatë: një vend ku rrezikohej jeta në çdo moment". I rritur në një rrezik konstant nga vdekja, nuk është habi që me kalimin e viteve demonstroi një paranojë të pashembullt.
Shëmtuar
I quajtur nga turma si "vogëlush" si dhe i kurorëzuar me flijimin e 160 mijë kafshëve, perandori i ri hyri në Romë në prill: në moshën 24-vjeçare ishte perandori më i ri që Roma kishte patur ndonjëherë. I ri, por jo i bukur. Të paktën po të besosh portretin 'e zi' që i bënte Seneka: "Aq e madhe ishte verdhësia e tij, simptomë e çmendurisë, aq kanosës ishin sytë e tij, të futur në një ballë prej plakushi, aq e shëmtuar ishte koka e tij; shtoji gjithë këtyre edhe qafën leshtore, si dhe këmbët e trasha e të mëdha". Svetoni shtonte se "e bënte edhe më të shëmtuar pamjen e tij, që nga natyra ishte e tmerrshme dhe e frikshme, duke studiuar para pasqyrës shprehje të fytyrës që frymëzonin terror dhe frikë". Ngjajnë më shumë me karikatura se sa me portrete besnikë: për retorikën e kohës, një sovran i keq duhej të ishte domosdoshmërisht edhe i shëmtuar dhe i sëmurë.
Në të vërtetë, kartela klinike e Kaligulës ishte pak siguruese. Kishte vetëm tetë muaj që kishte hipur në fron kur u godit nga një sëmundje misterioze (ndoshta epilepsi), e cila pothuajse i shkaktoi vdekjen. Atëherë nisi një seri komplotesh kundër tij, udhëhequr nga Makroni, por të zbuluar në kohë. Tiber Xhemeli, nip i Tiberit që do të duhej të merrte vendin e Kaligulës, u detyrua që të vrasë veten. Një ushtari iu desh ti tregojë si të përdorte shpatën. Makrioni, më ekspert e bëri vetë. Në Romë ishte tashmë e qartë se kush komandonte.
Absolutist
I shëruar fizikisht, Kaligula nuk u përmirësua në karakter. Afranio Potiti, një lajkatar që kishte thënë se do të vetëvritej nëse sëmundja do të kursente perandorin, u detyrua që t'i qëndrojë besnik betimit të tij. Një tjetër, Atanio Sekondo u detyrua që të mbante premtimin për të zbritur në arenë si gladiator. Për historianët e lashtësisë ishin shenja të qarta marrëzie: askush nuk kishte ëndërruar ndonjëherë që të merreshin seriozisht premtime të tillë. Për historianët modernë kjo është prova që perandori kishte vendosur të qeveriste si absolutist. "Ideja që Kaligula kishte për pushtetin, mund të përmblidhet me moton: I bëj çfarë të dua, kujt të dua", thotë Antoneli.
Karriera perandorake ishte e mbushur me eksese. Në një vit harxhoi pa hesap nëpër spektakle dhe ndeshje gladiatorësh pasurinë miliardere që kishte lënë Tiberi; kur shkoi deri në Kanalin anglez kur qe nisur të pushtonte Britaninë, i dërgoi ushtarët e tij që të mblidhnin guacka deti për t'i shfaqur si plaçkë lufte. Në kthim nga ekspedita, bëri që të ndërtohej një urë e kushtueshme me varka 5 kilometra në Gjirin e Baias në Napoli ndoshta për t'u tallur me një profeci të vjetër të një astrologu të Tiberit ("Kaligula ka aq shumë mundësi për t'u bërë perandor aq sa ka edhe për të kaluar me kalë Gjirin e Baias"). Ka edhe më: fshihej poshtë krevatit gjatë stuhive, fliste me Hënën, sfidonte Jupiterin me zë të lartë, ishte ndjekës i kulteve egjiptiane dhe kërkonte të adhurohej si perëndi. Faje të rëndë për tradicionalistët. Kishte një bordello në pallatin e tij. Të gjithë këta zëra në manualet mjekësorë të 800 u bënë simptoma të "marrëzisë cezariane": një megalomani pa frena, e rënduar nga mania e persekutimit.
Kuaj dhe senatorë
Po përse historianët e lashtë ishin kapur kaq shumë me një sovran, i cili mbretëroi kaq pak, pa ndryshuar kursin e historisë dhe as duke lënë shenja të veçanta përveç një hipodromi të madh në Vatikan? Përgjigja gjendet në luftën e ashpër mes senatit dhe pushtetit perandorak. "Ndërkohë, që Augusti dhe Tiberi ishin përpjekur të ndërmjetësonin me senatorët, Kaligula u përpoq që të imponohej si sovran absolut", shpjegon Antoneli. "Kishte vënë në lojë aristokracinë dhe senatorët, duke i shtyrë drejt një vetëposhtërimi të skajshëm", sintetizon Uinterling. E vërtetonte këtë episodi më i famshëm, emërimi si sentor i Incitatusit, kali i tij i preferuar. Thuhet se, Kaligula i kishte ndërtuar atij një stallë të mermertë, që atij i shërbehej me enë të florinjtë dhe që kishte ndërmend ta emëronte konsull. Mesazhi për senatorët ishte i qartë: kali im vlen më shumë se të gjithë ju. Historianët armiq të absolutizmit mund të jenë hakmarrë, duke e paraqitur Kaligulën si një të çmendur.
Fundi i perandorit ishte i dhunshëm ashtu si edhe mbretërimi i tij i shkurtër. Truri pas komplotit ishte aristokracia që donte në fron Klaudion. Krahu, të njëjtët, garda pretoriane. Kaligula u vra nga shpata e tribunit të Pretorios, Kerea dhe ndoshta edhe iu pre koka. Sipas Svetonit, fjalët e tij të fundit ishin: Jam ende gjallë! Bashkë me të, në 24 janar të vitit 41 pas Krishtit u vranë edhe gruaja e katërt, Cesonia dhe bija e vetme, Drusila, vetëm 3 vjeçe.

Google+ Followers