KUBA/Duke pushtuar La isla Bonita


Thonë se në fillim ishte Bariay: domethënë një bregdet pa shtëpi, në veri të qytetit Holguin, në zonën lindore të Kubës. Atje lart, në një livadh me pamje nga deti, sfilojnë kolona të mëdha greke, bashkë me idhuj parakolumbianë ngjyrë okër. Kompleksi i pamundur quhet Parque Monumento Nacional: ai që e ideoi në vitin 1992 ishte një arkeolog kuban që nuk jeton më, Jose Manuel Guarch, i cili donte që në këtë mënyrë të paraqiste përplasjen mes dy kulturave, tek të cilat ishulli mendohet se i ka rrënjët: evropiane (kolonat) dhe indiane (statujat).
Vendi dhe data e inaugurimit të Parkut nuk ishin rastësorë: në Bariay, 500 vjet më parë, në 28 tetor 1492 Kristofor Kolombi kishte udhëhequr zbarkimin e parë të evropianëve në Kubë: "Eshtë ishulli më i bukur që ka parë ndonjëherë syri i njeriut", kishte shkruajtur në ditarin e tij. Dhe kishte përshkruar fshatin indian që e kishte pritur. Guarch ishte mirënjohës si për komplimentin ashtu edhe për lajmet, që e kishin ndihmuar të konfirmonte zbarkimin. Në fakt, në Bariay ishin gjetur gjurmë të "fshatit të Kolombit": një sëpatë, një statujë, si dhe një ngarkesë me guacka kocash deti. Ide e bukur, parku i Bariay. Që sidoqoftë është diçka false, pasi përplasja mes dy kulturave nuk ka ndodhur asnjëherë: më shumë mund të thuhet se e para e bëri copë të dytën.
Spastrim etnik
Ishte një genocid total: i vetmi "monument" që e kujton është qyteti i Matanzas ("masakra" në spanjisht), i cili në emrin e tij të kujton fatin që konkuistadorët i kishin rezervuar Siboneys-ve dhe Tainos-ve, dy etnitë që popullonin atëherë ishullin, që në atë kohë quhej Juana. Regjisori i kasaphanës quhej Diego Velazquez, ndërsa kreu i Tainos-ve që tentoi t'i rezistonte ishte Hatuey. I pari hyri në veprim në fundin e vitit 1511, i dyti u dogj i gjallë në vitin 1512.
Rezultati i atij spastrimi etnik: indios-ët, që me mbërritjen e spanjollëve ishin 100 mijë, në vitin 1550 ishin reduktuar me njëzetë herë. Sot nuk ka më prej tyre: sipas statistikave të CIA-s, e cila është shumë e informuar sa i përket Kubës, banorët aktualë të ishullit janë 37% të bardhë, 11% zezakë, 51% mulatë dhe 1% kinezë. Nuk ka trashëgimtarë që të mund të kujtojnë Hatuey-n, por mbeten vetëm vargjet melankolikë të një poeti shumë popullor, Cristobal Napoles Fajardo: "Me një çibuk të madh në gojë/një indio mbi një shkëmb, shihte qiellin kuban/natën, malin, fushën...".
Fundi i një epoke
Pra, harrojmë statujat indigjene të Bariay. Historia e vërtetë e Juanas filloi me perëndimin e atyre idhujve, në dy data të ndryshme: në 1511, kur Velazquez themeloi qytetin e parë euro-kuban (që nuk ishte Havana, por Barakoa); dhe në vitin 1517, kur në ishull mbërritën 12 skllevërit e parë zezakë. Deri në vitin 1515, qytetet e konkuistadorëve u bënë shtatë, gjashtë prej të cilëve u kushtoheshin shenjtëve. Dhe deri në fund të tetëqindës, kur mori fund skllavëria, zezakët e sjellë aty me forcë, sipas të dhënave të shoqatës së miqësisë Itali-Kubë, kishin arritur shifrën 925 868.
"Libri" më i mirë që rrëfen historinë dyngjyrëshe të atij komuniteti bardhë e zi, paraardhës i Kubës së sotme është muzika, e përbërë nga zhanre të ndryshëm, por hibridë: rumba, mambo dhe mbi të gjitha son, prototip i të gjithë ritmeve afro-latinë, që e ka "tempullin" e vet në Santiago, një qytet mulat par excellence. "Afrikanët sollën me vete në ishull instrumentet e tyre me perkusion, që u pasuruan edhe më tutje me instrumente e korda të tjera me origjinë spanjolle. Kështu lindi son", thotë Jorge Gomez, drejtor i Moncadas, një kompleks shumë i njohur kuban.
Tradita në tym
"Libra" të historisë koloniale janë edhe purot e famshme kubane: Montecristo, Romeo y Julieta, Cohiba (të preferuarat e Fidel Kastros) e të tjerë. Por, ndryshe nga muzika son, los cigarros patën një histori jo dy, por trengjyrëshe. Ata që i shpikën ishin në fakt lëkurëkuqtë. Të bardhët dhe zezakët menduan që t'u japin vlerë me role të dallueshëm: të parët i tymosnin, të dytët i prodhonin, si punëtorë krahu në fusha (nëse ishin meshkuj) apo si punëtore në fabrikat e purove (kur ishin gra). Megjithatë, thuhet se purot e përftonin aromën e tyre të famshme vetëm nëse rrotulloheshin në kofshën e një mulateje.
Një "libër" i tretë me të cilin të bardhët dhe zezakët në Kubë kanë shkruajtur historinë e tyre është rumi, pije që nxirret nga kallami i sheqerit, që pikërisht në Kubë e pati versionin e vet kryevepër: Bakardi. Megjithatë, sot në Kubë "mbreti i rumit" nuk është më, ose më mirë ka ndryshuar etiketë. Në fakt, pas revolucionit të Kastros në vitin 1959 pronarët e markës e trasferuan kompaninë në Porto Riko. Ish-Bakardi vazhdon të prodhohet edhe sot, në të njëjtat toka dhe në të njëjtat distileri të njëherë e një kohe; por quhet Habana Club. I vetmi dallim është se kushton më pak se gjysma.
Sheqer e duhan
Mund të jetë habi, por tre librat e mësipërm janë shkruajtur shumë vonë. Në fakt në Karaibe, kallami i sheqerit është një produkt i importuar, i cili e pati bumin e vet vetëm duke filluar nga vitet 700 e këtej (katalanasi Facundo Baccardi krijuesi i homonimit "mbret i rumit" mbërriti në Kubë në vitin 1830 dhe e filloi veprimtarinë në vitin 1844). Duhani ka ekzistuar atje ngahera, por kultivimi i tij u bë i ligjshëm vetëm në vitin 1614: më parë ai mbillej vetëm në fshehtësi nga banorët e ishullit. Ndërsa sa i përket muzikës Son, ajo e pati fillimin pas viteve tetëqind. Po më parë?
Më parë, Kuba i dedikohej çdo gjëje veç bujqësisë, për këtë arsye nevoja për krah pune ishte e kufizuar dhe zezakët e importuar ishin të paktë (vetëm 700 në shekullin XVI, 60-64 mijë deri në gjysmën e shekullit XVIII). Atëherë, kartëvizita "ishulli më i bukur që ka parë ndonjëherë syri i njeriut" (që më vonë shkurt do të quhej Isla Bonita) nuk ishte ende binomi rum dhe puro: në 250 vitet e parë pas mbërritjes së europianëve më shumë se sa me cana y tabacco, Kuba pasurohej me floririn, që megjithatë në ishull nuk ka dhe as nuk ka patur ndonjëherë në sasi të konsiderueshme. Si ishte e mundur?
Ishulli
Për të kuptuar paradoksin duhet një premisë. Juana njohu tre faza të historisë koloniale: ajo u dominua fillimisht nga Spanja, më pas Britania e Madhe dhe në fund sërish Spanja. Në fazën e parë, Havana u shndërrua në pikën e grumbullimit të të gjithë floririt që galionët e drejtuar për në Sevilje ngarkonin në vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore: porti i saj ishte "pista e lëshimit" për kalimin e Atlantikut, që anijet e përshkonin në varg për t'u shpëtuar sulmeve të shumtë. Në vitin 1560 konvojët u bënë të detyrueshëm prej mbretit Filipi II: galionët, që niseshin nga Spanja në verë, pasi kishin ngarkuar në Amerikë mjetet e tyre të vyera duhej të dimëronin në Havanë (e cila nga viti 1607 u shndërrua në kryeqendër administrative në vend të Santiagos) dhe nisesin së bashku, të shoqëruara, në mars. Është e qartë që përgjatë të gjithë dimrit prania e shumë marinarëve dhe e një sasie të madhe floriri në tranzit ushqente një ekonomi të lulëzuar: gjashtëqinda, që në Spanjë quhet siglo de oro (shekulli i floririt), ishte i tillë edhe për La isla Bonita, qoftë edhe për shkak refleksi.
Një abat-shkrimtar francez, Guillaume-Thomas Raynal, i cili vizitoi Havanën në fundin e periudhës së parë spanjolle, e quajti "Bulevardi i botës së re". Por, ishte një bulevard shumë i çuditshëm "i mbushur me ish-të burgosur, dezertorë, skllevër të arratisur, lojtarë të lojërave të fatit, mashtrues, marinarë në kërkim të imbarkimit, prostituta në kërkim të marinarëve dhe priftërinj pa një destinacion të saktë", ka shkruajtur Hugh Thomas, historian anglez, një ndër më të spikaturit që është marrë me historinë e Kubës. As edhe Tortuga aty pranë, bastion i piratëve nuk kishte një faunë kaq shumëngjyrëshe.
Shekulli i artë ishte i tillë edhe për piratët, që mbanin një flamur unik të zi, por që vepronin për llogari të fuqive të ndryshme: mbi të gjitha Franca dhe Anglia, të bashkuar prej urrejtjes antispanjolle. Pastaj, në vitin 1697, shtetet evropiane vendosën të bien pak në qetësi. Por, frymëmarrja e çlirimit për Kubën ishte shumë e shkurtër: Londra thjesht kishte vendosur që të përdorte metoda të tjera. Dhe në fakt, në vitin 1762 një flotë mbretërore prej 62 anijesh, nën komandën e George Keppel, kont i Albemarle, u nis nga Portsmouthi, i drejtuar pikërisht për në Havana, e rrethoi dhe e pushtoi.
Tërmet anglez
Një vendosje e tillë forcash nuk ishte në ekzagjerim: atëherë Havana ishte qyteti i tretë i Amerikës, pas qytetit të Meksikos dhe Limës, dhe kishte fortifikime shumë të mira. Dhe për ta pushtuar, anglezët humbën 6754 burra: shumë, jashtëzakonisht shumë. Nga ajo luftë, kubanët kujtojnë një hero të tyre, Jose Antonio Gomez i quajtur Pepe Antonio, i cili luftoi kundër pushtuesve i armatosur vetëm me hanxhar dhe i cili ra në fushëbetejë. Por, më shumë se sa Pepe punën e bëri diarrea në atë luftë: nga të rënët britanikë, vetëm 746 ranë në fushën e betejës, më shumë se 6 mijë të tjerë vdiqën për shkak të dizenterisë.
Dominimi i atyre kolonëve zgjati vetëm njëmbëdhjetë muaj. Më pas, një traktat (ai i Parisit, pas luftës shtatëvjeçare) ua riktheu Havanën spanjollëve. Por, ai vit në të cilin Kuba foli anglisht ishte një tërmet i vërtetë: kultivimi i kallamit të sheqerit u nxit në maksimum (e thotë vetë emri i rhumit, që ka një origjinë anglo-saksone). Kështu, kur Spanja mori përsëri kontrollin gjeti një ishull të ndryshuar, me një fat tashmë të pakthyeshëm e të pandalshëm, një ishull me fusha më të gjelbra dhe me banorë me lëkurë më të errët.
Shekulli kyç
Vazhdimi i historisë së kallamit të sheqerit është i shenjuar nga pesë data. Në më pak se një shekull Kuba u bë prodhuesja e parë e sheqerit në botë (1830), kjo pasi banorët me ngjyrë të ishullit kishin kaluar tashmë në numër banorët e bardhë (1827). Në atë kohë tregtia e qenieve njerëzore ishte ndaluar (1821), por një gjë të tillë nuk e pengoi një person me emrin Juan de Zululeta, që të hapte fabrikën më të madhe të sheqerit në ishull (1845) ku punonin 600 skllevër: ligjërisht, sepse reforma kishte ndaluar tregtinë, por jo skllavërinë e njerëzve me ngjyrë që ishin të pranishëm në ishull, e cila mbijetoi deri në vitin 1886. Tetëqinda nuk pa vetëm lirimin e skllevërve, por edhe atë të Kubës nga dominimi kolonial, që megjithatë nisi më vonë dhe kaloi nëpërmjet tre luftave. Konflikti më i gjatë (1868-1878) ishte i pari, që pati për protagonist një pronar të çuditshëm tokash në Bayamo, Carlos Manuel de Cespedes, i cili, një ditë i liroi skllevërit e tij dhe i shndërroi në një armatë diletantësh, që u nis për pushtimin e Kubës duke i dhënë kurajë vetvetes me një këngë që më vonë do të shndërrohej në himn kombëtar: "No temais una muerte gloriosa / que morir per la patria es vivir"! Në fakt jetuan (domethënë vdiqën) pothuajse të gjithë: duke përfshirë komandantin, i cili arriti megjithatë që më parë të zgjidhet President i Republikës, si dhe të kontrollojë për vite të tërë pjesën lindore të ishullit.
Pavarësi përgjysmë
Shumë më pak rezistuan protagonistët e luftës së dytë për pavarësi, që në Kubë quhet chica (vogëlushe), sepse zgjati vetëm pak muaj në vitin 1879. Fitues ishte në të vërtetë konflikti i tretë (1895-1898) ku gjeti vdekjen Jose Marti, poet, gazetar dhe luftëtar, njëkohësisht autor mes të tjerash, i fjalëve të një kënge që më vonë do të fitonte famë botërore: Guantanamera (Vajza e Guantanamos). Kuba e fitoi pavarësinë në vitin 1899. Por, ishte gjithsesi një pavarësi goxha e çuditshme, sepse ata që morën pushtetin prej administratës koloniale nuk ishin mambit (luftëtarët vendas), por John Brooke, gjeneral i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që teksa lufta po i afrohej fundit kishin ndërhyrë në ndihmë të kryengritësve në emër të një slogani që lindi plot 76 vite përpara Presidentit James Monroe: "Amerika, amerikanëve". Efekti i parë i asaj pavarësie të çuditshme u vu re në bare dhe lokale, atje ku nisi të ofrohej Cuba libre (Kuba e lirë), një kokteil me rum dhe coca cola.
Nga tigani në zgarë
Por pati edhe efekte të tjerë, më pak të kënaqshëm se sa ai rumi me coca cola: që nga ai moment Shtëpia e Bardhë nisi të fusë hundët në të gjithë vendimet e ishullit, duke mbrojtur sipas humorit të momentit një herë qeveritë demokratike, një herë diktatorët si Gerardo Machado (1925-1933) dhe Fulgencio Batista (1952-1958). Në një rast në vitin 1906, SHBA ndërhynë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke dërguar në Havanë 2 mijë ushtarë. Tashmë, Kuba ishte ricikluar nga koloni spanjolle në një varësi prej Uashingtonit. Jose Marti i druhej këtij epilogu: i ishte kundërvënë, por kishte vdekur shumë shpejt.
Nga ana tjetër, në Shtetet e Bashkuara kishte nga ata që nuk kishin mbajtur aspak të fshehur misteret prapa qëllimeve të shprehura nga Monroe. Shembull ekstrem ishte gazeta "New Orleans Delta", që në vitin 1855 kishte shkruajtur tekstualisht për kubanët: "Gjuha bastarde latine e atij populli nuk mund të mbijetojë gjatë përballë fuqisë së gjuhës së fortë dhe kurajoze angleze. Sentimentalizmi i tyre politik dhe tendencat e tyre anarkike do të sjellin shumë shpejt fundin e asaj gjuhe". Nuk shkoi tamam kështu, por Cuba libre mbeti përgjithmonë: edhe në Havanën e Kastros.

Google+ Followers