Komploti i RAI-t për të mos futur Italinë në Eurovizion



Italia është një ndër vendet themeluese të Eurovizionit, i cili në vetvete është i frymëzuar nga festivali legjendar Sanremo. RAI, anëtari i vetëm italian i EBU (European Broadcasting Union), pas vitit 1997 ka ndërprerë në mënyrë misterioze pjesëmarrjen e këtij vendi në Eurovizion dhe ka ndërprerë gjithashtu edhe shfaqjen e tij. Megjithatë, shumë artistë të tjerë kanë marrë pjesë në këtë festival gjatë viteve si përfaqësues të kombeve të tjera (si pjesëmarrës ose si këngëtarë të korit si p.sh. Al Bano në vitin 2000). Italishtja gjithashtu ka hyrë edhe në modë ndër gjuhët që përdoren për seleksionimin, veçanërisht për Europën Perëndimore.
Italia ka fituar Festivalin Europian dy herë: fillimisht në edicionin e vitit 1964, i cili zhvillohej në Kopenhagen me këngëtaren në atë kohë 17-vjeçare, Gigliola Cinquetti me këngën e saj "Non ho l'eta" dhe më pas ka fituar përsëri në vitin 1990 në Zagabria me këngën "Insieme" të kënduar me mjeshtëri nga Toto Cutugno. Sipas traditës tashmë shumëvjeçare të festivalit, Italia ka fituar të drejtën që një vit më pas të organizojë edicionin e ardhshëm të Eurovizionit pikërisht më 20 maj 1965 në Napoli, drejtuar nga Renata Mauro dhe më 4 maj 1991 në Romë.
Pjesëmarrja e parë e Italisë koincidion me edicionin e parë të Festivalit Europian, i zhvilluar në Lugano në vitin 1956. Që nga ai moment ka patur rezultate të kënaqshme duke mos u pozicionuar kurrë në vendet e fundit dhe madje duke zënë vendin e tretë me Domenico Modugno dhe këngën e tij të famshme "Nel blu dipinto di blu".
Gjatë viteve të para të këtij dhjetëvjeçari, këngët italiane vazhduan të përfaqësosheshin denjësisht duke zënë edhe një vend tjetër të tretë me "Uno per tutte" interpretuar nga Emilio Pericoli në vitin 1963, e cila më pas u ndoq nga fitorja e vitit 1964 në Kopenhagen kur Gigliola Cinquetti shkëlqeu me këngën "Non ho l'eta". Në vitin pasues, Bobby Solo arriti të zinte vendin e pestë me këngën "Se piangi se ridi", pas të cilit erdhi një periudhë me rezultate të varfra për vendin e muzikës elitare. Rezultati më i keq ka qenë ai i Domenico Modugno në vitin 1966 kur u pozicionua i fundit, i ndjekur më pas nga tre edicione të tjera ku rezultati më i mirë ka qenë një vend i dhjetë, pavarësisht pjesëmarrjes së artistëve të mirënjohur dhe të talentuar si Claudio Villa, Sergio Endrigo dhe Iva Zanicchi.
Në vitin 1990 Italia fiton përsëri në Zagabria (e cila ndodhet në Jugosllovinë e atëhershme) falë Toto Cutugnos, i cili ishte autor dhe interpretues i këngës së famshmë "Insieme". Ndodhi kështu që Italia u bë përsëri mikpritësja e edicionit të ardhshëm (1991). Fillimisht u mendua që eventi madhor i muzikës të zhvillohej në Sanremo, por për motive sigurie (për shkak të Luftës së Golfit dhe tensioneve në Jugosllavi) u vendos që edicioni i Eurovizionit të zhvillohej në Romë, ku si skenë u zgjodh një kapanon në Cinecitta. Sipas kritikave të pjesës më të madhe të komentatorëve europianë, pati një shkallë të lartë improvizimi dhe prezantimi i festivalit, që u ishte besuar dy fituesve Toto Cutugno dhe Gigliola Cinquetti nuk ishte në nivelin e duhur për disa arsye, ndër të cilat skenografia, disorganizimi (i cili bëri që trasmetimi të zgjaste një orë më shumë se sa ishte parashikuar) dhe aftësia e dobët e Toto Cutugnos për të folur anglisht.
Për organizimin e eventit u shpenzuan 12 miliardë lireta dhe gjatë shfaqjes direkte në televizion u numëruan rreth 6 deri në 7 milionë spektatorë. Italiua u prezantua nga Peppino Di Capri, i zgjedhur ekskluzivisht nga RAI dhe për herë të parë kënga u interpretua në dialektin napoletan; bëhej fjalë për këngën "Comme è ddoce 'o mare", e cila u pozicionua në vendin e shtatë. Ai edicion u fitua nga Zvicra, e cila në vitin 1992 organizoi festivalin tjetër ku Italia u përfaqësua nga Mia Martini, e cila la përshtypje shumë të mira me këngën "Rapsodia", aq sa arriti të zinte një vend të mirë të katërt. Në vitin 1993 ishte radha e Enrico Ruggeri, i cili ndodhej në disavantazh edhe për shkak të shorteut (iu desh të këndonte i pari) arriti të zinte vetëm vendin e 12.
Në vitin 1994, RAI u tërhoq nga pjesëmarrja në Eurofestival, duke e motivuar zgjedhjen e saj me anë të interesit minimal të publikut. Kjo mungesë zgjati dy vite të tjera dhe EBU nuk kurseu asnjë kritikë kundrejt televizionit të shtetit italian për shkak të sjelljes së tij arrogante. Ndoshta për këtë arsye dhe gjithashtu për shkak të presionit të shtëpive diskografike, në vitin 1997 RAI mori pjesë sërish në Eurovizion. Bëhej fjalë për edicionin e zhvilluar në Irlandë ku mori pjesë grupi Jalisse (më i preferuari i publikut natën e gjysmëfinales), i cili arriti të zinte vendin e katërt me këngën "Fiumi di parole", që ishte gjithashtu kënga fituese e Sanremos në të njëjtin vit. Komentator i eventit ka qenë Ettore Andenna ndërsa Peppi Franzelin deklaronte votat që Italia i jepte shteteve të tjeras pjesëmarrëse (i njëjti çift komentatorësh ishte orezent edhe në eventin e Iralndës).
Pa dyshim që bëhej fjalë për një rezultat të kënaqshëm, por shumë dyshues sipas vetë Andenna, i cili deklaroi se RAI nuk dukej shumë e kënaqur për parashikimet dhe kërkonte me çdo kusht që të evitohej fitorja e Italisë. Sidoqoftë, edicioni i vitit 1997 shënoi edhe fundin e pjesëmarrjes së këngës italiane në Eurovizion. Protestat e shumta të shtëpive diskografike dhe Annalisa Minettit, e cila në vitin 1998 donte të merrte pjesë në edicionin e atij viti, qenë tërësisht të padobishme. Që nga ajo kohë, RAI jo vetëm që nuk pranoi më të merrte pjesë, por nuk dha më asnjë shpjegim për qëndrimin e saj.
Edicionet e vitit 1993 dhe 1997: bojkotim i mundshëm i RAI-it?
Sjellja e RAI-it në Eurovizion ka qenë majft e dyshimtë dhe e ka rrethuar çështjen me hije. Që në edicionin e vitit 1993 u bënë aludime të shumta rreth kanalit televiziv shtetëror, i cili dyshohet të ketë penguar fitoren Enrico Ruggerit vetëm për të mos qenë i detyruar të organizojë edicionin e ardhshëm të Eurovizionin në Itali në vitin 1994. Ai që ka bërë publike këto dyshime ka qenë vetë Ruggeri, në librin e tij "Piccoli mostri" në të cilin i ka dedikuar një kapitull kësaj ngjarjeje. Më pas në vitin 2001, prezantuesi i atij edicioni (të vitit 1997), Ettore Andenna, u thirr për të komentuar këto deklarata të Ruggerit në një intervistë ku pohoi se: "Nuk mund të parcaktohen me bindje të plotë këto zëra që po bëheshin legjenda metropolitane televizive. Por, mund të them hapur se ka patur me siguri një lloj terrori të krijuar nga televizionnet e 'rangut të lartë', të cilat nuk të lejonin të fitoje Eurovizionin vetëm për të mos qenë më pas të detyruar të organizojnë edicionin e ardhshëm në vënd. Nuk kishte as dëshirë dhe as vullnet për të investuar para pasi kishin frikë se audienca nuk do të ishte në lartësinë e duhur. Këto janë gjëra që tashmë i dinë të gjithë, por i mjeri ai që i thotë publikisht dhe ende nuk arrij të kuptoj pse. Ndoshta pikërisht për këtë arsye më kanë nxjerrë jashtë loje".
Megjithatë, polemikat më të mëdha kanë lidhje me edicionin e vitit 1997. Përfaqësuesit e atij viti ishin grupi Jalisse, të cilët ishin më të favorizuarit e publikut për fitoren e madhe. Edhe ky edicion u komentua për Italinë nga Ettore Andenna, i cili në intervistën e sipërpërmendur pohon se kishte vënë madje një bast të madh në favor të fitores së dyshes italiane. Duke iu referuar fjalëve të komentatorit, të brendëshmit italinë nuk ishin shumë të kënaqur me mundësinë konkrete që kishte kënga për të fituar çmimin e parë. Arritën madje të ndërprisnin lidhjen me komentatorin Andenna pikërisht në momentin kur po pohonte për të gjithë publikun se kishte vënë një bast të madh në favor të Jalisse. Këto janë fjalët e tij:
"Një orë para fillimit të këngës italiane, kërkova të flisja me kryeorganizatorin dhe i thashë: 'Mario (Maffuci) në faqen zyrtare të basteve na konsiderojnë fitues ose në rastin më të keq të mundshëm të dytët'. Mbaj mend si tani buzëqeshjen e ngrirë dhe të shtirur kur më pyeste nëse po tallesha apo jo. Në momentin që konfirmova që edhe unë vetë kisha vënë bast të madh, lidhja direkte u shkëput menjëherë dhe nuk u rikthye deri në mesnatë kur më thanë se trasmetimi po ecte mirë, se paratë e mia kishin shkuar dëm, se edhe organizuesit e basteve mund të gabohen dhe bla bla bla të tilla. Më ka mbetur ende peng dyshimi se ndoshta duke mos ndenjur i heshtur dhe duke protestuar me entuziazmin dhe patriotizmin italian, mund t'i kisha bërë nder edhe dyshes Jalisse që do të kishin fituar me siguri".
Fjalët e Andennës nuk u kapërdinë kurrë nga çifti Jalisse, siç u deklarua edhe në këtë intervistë. Në veçanti ata tregojnë se kur u kthyen në Itali u kthyen në viktimat e një lloj "gjuetie shtrigash" dhe se për shkak të kësaj çështjeje është dëbuar nga bota e muzikës. Paralelisht, në një artikull të gazetës "Gazzettino" për më tepër edhe i shfaqur në emisionin "Striscia la Notizia", dyshja Jalisse ka thënë këto fjalë në lidhje me fitoren e bojkotuar në edicionin e Eurofestivalit në Dublin: "… ata na futën në kurth pasi RAI nuk kishte as dëshirën më të vogël për të organizuar festivalin e ardhshëm në Itali, siç do të kishte ndodhur nëse do të shpalleshim fitues". Në të njëjtën kohë, në lidhje me të ardhmen e tyre pas festivalit thanë: "Kur u kthyem nga Eurovizioni na 'fshinë'. Kishin planifikuar të merrnim pjesë në Festivalbar dhe gjithashtu në Sanremon e ardhshme me një këngë të Morra dhe Fabrizio të cilën e kishim gati. Asgjë! Na i kthyen të gjithë kundër, filluan t'i thonin këngëtarëve të tjerë 'do të përfundoni si Jalisse-t', shkruan nëpër gazeta se ishim zhdukur dhe se nuk donim të bënim më asgjë. Për vite me radhë kemi dashur të marrim pjesë në çdo event muzikor duke prezantuar këngë me muzikë të kompozuar nga Bacalov, nga Rita Levi Montalcini dhe këtë vit madje me një bashkëpunim me Santino Spinelli, ambasador i muzikës Rome në botë. Asgjë! Më në fund kuptuam që e gjithë kjo nuk kishte lidhje me muzikën, nuk na donin ne".
Prapaskenat
Kjo ngjarje e tmerrshme është përshkruar kohët e fundit edhe në librin e Gigi Vesigna, "Vox Populi, zëra nga gjashtëdhjetë vite të jetës sonë", i cili u prit me entuziazëm të madh nga të interesuarit e drejtpërdrejtë. Libri përshkruan me detaje të gjitha prapaskenat dhe komplotet që kanë protagonist festivalin e Sanremos duke i kushtuar një hapësirë të veçantë edhe pjesëmarrjeve italiane në Eurovizionet e viteve 1993 dhe 1997.
Gigi Vesigna, ish-drejtues i "Sorrisi e Canzoni" e ka publikuar librin e tij dhjetë ditë pas edicionit të fundit të festivalit të Sanremos. "Vox Populi" është tejmase i pasur me informacione, anekdota, kujtime dhe "sekrete" rreth festivalit të Sanremos me një parathënie interesante të Antonio Ricci-t, autor i "Striscia la notizia".
78-vjecari Vesinga, ekspert i famshëm muzikor, e ngul thikën e tij thellë duke sulmuar sistemin e votimit: "Funksionon vetëm në rastin kur votojnë ata që marin vesh nga këngët, pjesa tjetër është thjesht mashtrim i drejtuar nga televotimi me anë të së cilit përfitohet një sasi e madhe votash". Është kujtuar gjithashtu edhe episodi kur ishte emisioni "Striscia la notizia" ai që shpalli paraprakisht fituesin e festivalit një javë para finales.
Jalisse në Sanremo - Fitorja e Jalisse në vitin 1997 ishte një rast ekstrem. Dyshja veneciane ishte në fakt totalisht i "vet-prodhuar" dhe kjo shkaktoi, gjithmonë sipas librit, tërbimin e "shumicës". Në parathënien e Ricci-t lexohet: "Në mënyrë të pashpjegueshme dhe tërësisht të padrejtë, fituesit e atij viti, në vend që të gjenin një të ardhme të ndriçuar dhe një karrierë të sigurt, avulluan. Që atëherë, të fitoje Sanremon u bë një gjë e parëndësishme. Dy muaj më pas, këngëtari fitues harrohet automatikisht. Festivali është kthyer nga një konkurs kënge, në një trasmetim televiziv".
Në fakt, direkt pas foltores, kundër Jalisse-ve shpërtheu tërbimi i të gjithëve, të cilët i akuzonin se mbroheshin nga kantautorja dhe producentja Carmen Di Domenico, partnerja e Sergio Bardotti, autor i festivalit. Por, Vesigna shpjegon se si "fitorja e tyre duket e pastër" dhe se si Jalisse-t "nuk i përkasin atij sistemi që tashmë i ka dëbuar." Megjithatë, libri nuk rezervohet këtu, por shkon shumë më thellë.
Aty flitet pikërisht edhe për pjesëmarrjen e dyshes në Eurovizion si përfaqësues të Italisë duke qenë edhe të fundit para se RAI të jepte dorëheqjen. "Edhe në Eurovizion, të guximshmit Jalisse shkuan vetëm por, kur në "rrugën Mazzini" kuptuan se mund t'ia dilnin, ranë dakord me vendet e tjera për t'i pakësuar votat pasi kishin frikë se mund të fitonin dhe RAI do të detyrohej të shpenzonte para për të organizuar festivalin e vitit të ardhshëm.
Zhdukja
Ndodhi kështu që Italia nuk dëgjoi më të flitej për Festival Europian, përveç se në disa raste të rralla kryesisht nga burime të jashtme duke bërë që çështja të bëhej pjesë e të shkuarës dhe të harrohej. Vetëm në vitin 2006, RAI dhe EBU u afruan sërish për të folur rreth rikthimit të Italisë në edicionin e vitit 2007, por pa rezultat. Në vitin 2008 merr pjesë San Marino, televizioni shtetëror SMRTV, i së cilës është ngushtësisht e lidhur me RAI-n në shumë aspekte. Kënga "Complice" e interpretuar nga grupi "Miodio" (e zgjedhur me një seleksionim të brendshëm), përfundoi në vendin e fundit të gjysmëfinales së parë. Në shtator të të njëjtit vit, para edicionit të vitit 2009, Raffaella Carrà (e cila ka drejtuar edhe 3 programe të tjera në Spanjë në lidhje me këtë event), kërkoi dhe arriti të kishte mundësinë të ftonte në emisionin e saj "Carràmba che fortuna", një këngëtar ose grup që kishte marrë pjesë në edicionin e vitit 2008 të Eurovizionit për të bërë më të njohur eventin në Itali dhe për të ringjallur interesin publik për të. Në puntatën e parë u prezantua fituesi i vitit 2008, Dima Bilan, por ishin parashikuar shumë më tepër pjesëmarrje nga ç'pati në realitet. Prezantimi i danezit Simon Matheu u parapri nga një lavdërim special të Carra-së për Festivalin Europian dhe më pas disa grupe dhe këngëtarë që duhet të merrnin pjesë në puntatat e tjera nuk u paraqitën asnjëherë. Nuk dihet ende motivi i kësaj mungese.
EBU, me qëllimin për të patur numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes, ka bërë të pamundurën që Italia të merrte pjesë përsëri. Veçanërisht në vitin 2008, përgjegjësi i Eurovizionit, Svante Stockselius ka deklaruar gjatë mblidhjes së OGAE-së serbe (klubi më i madh i fansave të Eurovizionit) që në rast se vendos të rikthehet, shteti do të bëhet anëtare e Big 4 (Katërshja e madhe janë vendet që për kontributin themelor që kanë dhënë për realizimin e Eurofestivalit, zotërojnë një status të paprekshëm që i lejon të hyjnë direkt në finalen e madhe).
Në çdo edicion, çdo vend që nuk merr pjesë është munduar ta justifikojë mungesën e tij me situatën ekonomike të rënduar ose me interesin e dobët të publikut. E kundërta ndodh me Italinë. Në edicionin e vitit 2010, RAI vendosi të mos marrë pjesë në Festivalin Europian dhe njëlloj si në edicionet e kaluara, mungesa nuk është shoqëruar nga asnjë deklaratë ose motiv duke treguar në këtë mënyrë se do të vazhdojë të ruajë me fanatizëm izolimin dhe elitarizmin e saj kulturor.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers