Historia e fshehur e arabëve


Robert Satloff
Një karikaturist maroken mori nderimet më të larta kohët e fundit, me vlerë 12 mijë dollarë amerikanë, gjatë një konkursi ku kërkohej të satirizohej Holokausti, i sponsorizuar nga Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad. Në vend që t'i bënin jehonë antisemitizmit të pagdhendur që sot "emetohet" nga Teherani, marokenët dhe arabë të tjerë do të bënin ndoshta më mirë që t'i bëjnë thirrje historisë së tyre të pasur me hebrenj dhe me Holokaustin, për t'i treguar vendin Ahmadinexhadit.
Në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme, debatet mbi Holokaustin kanë pasur gjithnjë prirjen që të marrin një nga këto tre forma. E para, është mohimi kategorik i mbështetur ky nga demagogë që variojnë nga nacionalistë laikë si Gamal Abdul Nasser i Egjiptit, i cili 40 vjet më parë tha se, "asnjë person nuk e merr seriozisht gënjeshtrën e vrasjes së gjashtë milionë hebrenjve", tek radikalët fetarë si Hasan Nasrallahu i Hezbollahut, i cili ka deklaruar se, "hebrenjtë e shpikën vetë legjendën e Holokaustit". Në krahun e kundërt të këtij spektri janë ata që unë i quaj glorifikues të Holokaustit. Këta tifozë të Hitlerit janë të ilustruar më së miri prej editorialistëve të gazetës shtetërore egjiptiane al-Akbar, të cilët e kanë vlerësuar Zgjidhjen Përfundimtare dhe janë ankuar vetëm për faktin që gjermanët nuk e përfunduan punën e nisur.
Pjesa më e madhe e arabëve qëndrojnë në mesin e këtyre dy ekstremeve, në një lloj "relativizmi të Holokaustit". Ata pranojnë se, hebrenjtë kanë vuajtur gjatë Luftës së Dytë Botërore, por vënë në diskutim si shifrat, ashtu edhe mëkatshmërinë unike të Zgjidhjes Përfundimtare. "Në luftë, gjëra të këqia ndodhin", kanë prirjen të thonë ata, duke përmendur vrasjet në masë të armenëve, kurdëve apo kamboxhianëve për të treguar se, eksperienca e hebrenjve nuk ishte aspak e veçantë. Prandaj, Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad i tha gazetarit amerikan Charlie Rose, në fillim të këtij viti se nuk ka as idenë më të vogël "se si mund të jenë vrarë hebrenjtë, apo sa mund të jenë vrarë", ndërkohë që presidenti i moderuar palestinez, Mahmud Abaz, ishte autor i një dizertacioni për doktoraturë në epokën sovjetike, që vinte në dyshim numrin e hebrenjve të vrarë. Edhe për pjesën më të madhe të arabëve të ndjeshëm, Holokausti është ende një ngjarje e largët - evropiane që vrasin brenda tyre - për të cilin, thonë ata, palestinezët kanë paguar një çmim me krijimin e Izraelit.
9 vjet më parë, menjëherë pas 11 Shtatorit, unë u vendosa sëbashku me familjen time në Rabat, për të nisur një projekt kërkimor që shpresoja se do të ndryshonte mënyrën se si arabët mendojnë në lidhje me Holokaustin. Ideja ime ishte e thjeshtë. As edhe një arab i vetëm nuk është mes më shumë se 20 mijë johebrenjtë të pranuar nga Jad Vashem, memoriali zyrtar i Izraelit për Holokaustin, që shpëtuan hebrenjtë nga rreziku i vdekjes. Për mua kjo nuk kishte aspak kuptim, duke patur parasysh se Afrika e Veriut, me më shumë se gjysmë milioni hebrenj ishte një front kaq shumë i rëndësishëm i luftës. Nëse unë do të mund të gjeja qoftë edhe një histori të vetme të një arabi që kishte shpëtuar një hebre, mendova, ndoshta kjo do të shërbente si një mjet për të transformuar Holokaustin në një burim krenarie në rajon, dhe jo ta lija të ishte një shënjestër mohimi.
Shumë shpejt mësova se Holokausti, ndërkohë që është përgjithësisht një histori evropiane, ishte në të njëjtën kohë edhe një histori arabe. Që nga qershori i vitit 1940 deri në maj të vitit 1943, nazistët dhe aleatët e trye kontrolluan Afrikën e Veriut dhe ekspozuan përgjatë Mesdheut shumë elementë të Zgjidhjes Përfundimtare, që nga kampet e punës së skllevërve, tek Ylli i Verdhë. Arabët u përgjigjën ndaj kësaj tamam si evropianët: shumica ishin indiferentë ndaj fatit të hebrenjve, një përqindje e konsiderueshme bashkëpunoi me vullnetin e vet në persekutimin e hebrenjve, dhe një grup i vogël, por simbolikisht i rëndësishëm arabësh ndihmuan, dhe madje edhe shpëtuan hebrenjtë.
Keqbërësit varionin nga roje arabe që torturonin hebrenjtë në kampet e ndëshkimit të Vishisë në Algjeri dhe Marok, deri tek përkthyes arabë në Tunizi, që shkonin shtëpi më shtëpi me oficerë të SS për të pikasur hebrenjtë. Këta arabë të zakonshëm përfaqësohen më së miri nga një tunizian me emrin Hasen Ferjani, i cili u dënua nga një gjykatë e lirë franceze në vitin 1943 për një komplot që çoi në dëbimin për në Gjermani - dhe më pas ekzekutimin - e tre hebrenjve, një babai dhe dy djemve të tij.
Edhe heronjtë kanë gjithashtu emra. Ndër ta ka njerëz si Si Ali Sakat, ish-kryetar i Bashkisë së Tunizit, i cili hapi fermën e tij në mal për të strehuar 60 hebrenj që u arratisën nga një kamp pune të dyteruar, si dhe Khaled Abdeluahab, bir i një shkrimtari të shquar tunizian, që shpëtoi shumë familje hebreje nga vendi ku qëndronin në mes të natës për të shpëtuar një prej tyre - një grua hebreje, flokëverdhë dhe sy bojëqiell - e cila rrezikonte të përdhunohej nga një oficer gjerman. Gjeta gjithashtu shumë hsitori të arabëve, të cilëve sot nuk ua dimë emrat: kujdestarja arabe që mori dhe strehoi fëmijë hebrenj kur qumështi mezi gjendej; bukëpjekësi arab që nxirrte fshehtas bukë nga furra e tij për familjet hebreje, në kohën kur racionet e Vishisë penalizonin mbi të gjithë hebrenjtë; barinjtë arabë që hapën shtëpitë e tyre modeste për familjet hebreje që largoheshin nga fshatrat e bombarduar. Këto histori të këqinjsh dhe heronjsh përbëjnë eksperiencën në jetën relae të arabëve mbi Holokaustin. Arabët nuk kanë nevojë të marrin mësime nga Presidenti i Iranit. Madje, ata mund t'i mësojnë atij disa gjëra.
"Satloff, drejtor i Institutit për Politikat e Lindjes së Afërme në Uashington është autor i librit: "Mes të ndershmëve: Histori të humbura nga Holokausti në tokat arabe".

Google+ Followers