Çnjerëzore/Trashëgimia e skllavërisë



Dominic Casciani
Çfarë nënkuptojmë ne me trashëgiminë që ka lënë pas skllavëria? A është diçka e matshme - apo ndoshta një ndjenjë që vjen si jehonë nga një e kaluar e tmerrshme dhe që ende mund të dëgjohet edhe sot e kësaj dite? Trashëgimia e skllavërisë është një prej problemeve më të vështirë të historisë së botës, mbi të cilin do të mund të arrihej në një marrëveshje. Shkalla absolute e transaksioneve të skllavërisë - ngarkesa e pallogaritur e njerëzve, emrat, trashëgimia dhe kultura e të cilëve shumëzohej me zero - është, ashtu si edhe Holokausti nazist, thuajse e pamundur për t'u kuptuar. Por edhe pas 200 vjetësh, ka zëra përreth botës që thonë se ka ende nevojë që ne të përballemi me atë çfarë ato ngjarje kanë lënë pas. Steve Martin, një shkrimtar dhe historian i historisë së njerëzve me ngjyrë, thotë se dështimi ynë për të bërë këtë gjë është shenjë që tregon se ne ende nuk jemi në gjendje të biem dakord në lidhje me thelbin e asaj që tregtia e skllevërve i bëri botës. Martin është një ekspert i mjedisit të ndërtimit në Britani. Ai e përdor shpeshherë këtë si një pedanë për të debatuar në lidhje me kontributin shpeshherë të pashkruar të minoriteteve në historinë kombëtare të Britanisë.
Prova fizike
Ai thotë se një test i thjeshtë për të kuptuar trashëgiminë është të shohësh tek ato kujtesa fizike në ato vende që kanë qenë pjesë e kësaj tregtie. Shumë shpesh, ato janë aty - por shumë të vështira për t'u njohur dhe pranuar. "Merrni për shembull shtëpitë e fshatrave në Angli si dhe ndërtesat hijerënda", thotë ai. "Harewood House në Yorkshire, shtëpia e familjes Lascelles, për shembull. Si i bënë paratë ata?". Më pas është Sheshi i Mbretëreshës në Bristol. Mund të ecësh në këto vende çdo ditë, por si mund ta dish rolin që skllavëria ka luajtur në ekzistencën e tyre? "Trashëgimia e sllavërisë në mjedisin tonë është aty - ngjitja e kopshtarisë të Capability Brown mund të lidhet fare mirë me pasurinë që solli skllavëria". Nëse pyetjet e vështira mbeten pa përgjigje - çfarë janë ato?
Dy shekuj stereotipe
Ken Barnes është President i "100 Zezakë"-ve të Londrës. Është një lëvizje mbarëbotërore, lindur në SHBA, që rekruton njerëz të suksesshëm me ngjyrë me qëllim që këta të bëhen mentorë të brezit të ardhshëm. Por, Barnes thotë se kjo punë nuk ndodh në një vakuum: trashëgimia e skllavërisë është kudo për anëtarët e tij - dhe në qendër të saj është racizmi. "Skllavëria u përdor për të justifikuar dhe përforcuar racizmin si dhe për të lejuar që ai të bëhej endemik, si në Evropë ashtu edhe në Amerikë", thotë ai.
"Krejt papritur, popuj të tërë nisën të shihen si nën-humanë; nëse dikush është nën-human, atëherë skllavëruesi është krejt i justifikuar në atë që bën". Kjo madje, ka edhe ndikim në mënyrën se si njerëzit me ngjyrë e shohin veten e tyre sot. Pyesni njerëzit se çfarë do të thotë të jesh zezak. Të qenit zezak shoqërohet me muzikën rap, me të qenit dembel dhe i painteresuar në shoqërinë. Të gjitha këto janë të gjurmueshme pas në kohë deri në racizmin e skllavërisë. Ky është edhe një prej argumenteve më sfidues të debatit mbi skllavërinë: sa mund të fajësohet racizmi i të kaluarës, për racizmin, kulturën apo pabarazitë e kohëve të sotme?
Dy prej fushave më provokuese të teorisë së trashëgimisë së skllavërisë janë karikaturat seksuale të njerëzve me ngjyrë si dhe arritjet sportive. Sugjerimi është që, imazhi stereotip i kohëve të sotme ka lindur nga preferencat e pronarëve të skllevërve për ata skllevër që ishin më tipa atletë në mes të turmës. Dy shekuj me këta stereotipe dhe këto pseudoshkenca kanë lënë pa asnjë dyshim një plagë të thellë psikologjike në shoqëri - si në perceptimin që të bardhët kanë për zezakët, ashtu edhe përgjigjet që zezakët japin ndaj një perceptimi të tillë.
Thjeshtë teori?
Kjo mund të tingëllojë krejtësisht teorike, por është një problem thellësisht sensitiv. "The Bell Curve" ka qenë një prej librave më të diskutuar amerikanë të kohëve të fundit. Kritikët akuzuan autorët e tij se kishin përjetësuar një stereotip të superioritetit fizik të zezakëve dhe dominimit intelektual të të bardhëve. Autorët u kundërpërgjigjën duke thënë se rezultatet e tyre ishin shkencore. Kritikët thanë se kishte një lidhje direkte ndërmjet teorisë si dhe një pjese të të menduarit në kohën e skllavërisë. Ken Barnes thotë se efekti i këtyre stereotipeve me origjinë prej disa brezash mund të shihet fare mirë në rezultatet e dobta të arsimimit të të rinjve me ngjyrë, kur këta krahasohen me grupet e tjerë.
"Ka një shpjegim për dështimin e zezakëve në shkollë", thotë ai. "Dhe kjo e ka burimin nga mënyra se si janë perceptuar ata historikisht nga sistemi i shkollës. "Imazhi i vazhdueshëm që shoqëria ka për zezakët ndikon në mënyrën se si mësuesit sillen me fëmijët. Por, ky është një rreth vicioz. Nëse i thua në mënyrë të vazhdueshme një fëmije se është i prapë, atëherë ai do të nisë të bëjë prapësira". Megjithatë, disa prej argumenteve të trashëgimisë së skllavërisë kanë edhe kritikët e tyre. Vitin e kaluar, një dramë e transmetuar në BBC shkaktoi një furi kritikash kur personazhi kryesor i saj, një mësues zezak me emrin Joe, pyeste veten përse çdo gjë e keqe që i kishte ndodhur atij përfshinte dikë që ishte zezak. Në një skenë të paharrueshme, Joe u thotë njerëzve që "të hedhin pas krahëve skllavërinë". Kritikët e dramaturges fituese të disa çmimeve Sharon Foster (që është zezake), e akuzuan se po kënaqte dëshirat e racistëve. Në të vërtetë, filmi paraqiste tensionet brenda politikës së komunitetit të njerëzve me ngjyrë - si dhe një dështim për të rënë dakord mbi mënyrën se si duhet ecur përpara me çështjet e trashëgimisë, si skllavëria, racizmi dhe identiteti modern.
Në anën tjetër të Atlantikut, Presidenti Barack Obama është përballur me një copëz të kësaj stuhie politike. Një studiues i gjenealogjisë ka nxjerrë pretendimin se e ëma e Obamas, e cila është e bardhë, ka prejardhje nga pronarë skllevërish. Të paktën për disa aktivistë, si rrjedhim i kësaj Obama nuk ka vuajtur aq sa duhet si zezak për të qenë në gjendje që të flasë në emër të afro-amerikanëve.
Atëherë, nëse kjo është trashëgimia - cili është ilaçi? Historiani Steve Martin thotë se pika e fillesës duhet të jetë një angazhim i sinqertë dhe i hapur mbi këto çështje - sidomos nga të bardhët. "Skllavëria është nga ato çështje për të cilat më shumë preferojnë që të mos përmendet", thotë ai. "Është një shkëndijë emocionale dhe për shumë vetë nuk mund të debatohet në mënyrë racionale".
"Shumë njerëz nuk duan të flasin në lidhje me këtë temë apo madje edhe e sulmojnë dikë që e hap. Por, kur unë fokusohem në argumentin e ndërtimit - atë nuk mund ta anashkalosh - ai është aty dhe bëhet fjalë për një histori që është edhe pjesë e tyre. Ajo që duhet të bësh, është të ngulisësh shpresën", thotë Ken Barnes. "Jepu fuqi njerëzve dhe shikoni si e identifikojnë vetveten. Faktori kyç për çdo të ri është se si pritshmëritë për atë çfarë ai do të bëhet do të influenconin sjelljen e tij".

Google+ Followers