Çfarë duhet të bësh përpara se të vdesësh


Jeta është dhurata më e çmuar, por mësohemi ta vlerësojmë vetëm kur e kuptojmë se po bëhet gjithnjë e më e shkurtër. Më pas muajt duken si ditë, ditët si orë e orët si minuta. E kupton se je shumë afër fundit dhe vetëm atëherë fillon të pendohesh për të gjitha gjërat që nuk ke arritur të bësh ndoshta ngaqë ke qenë shumë i zënë duke fituar para për të bërë kushedi se çfarë. Kjo është edhe ironia e fatit, më në fund ke para të mjaftueshme për të bërë të gjitha gjërat që ke ëndërruar, por nuk ke më kohë dhe koha nuk blihet me para.
Në vitin 1902, teksa qëndronte i shtrirë në shtratin e tij të vdekjes, 48-vjeçari Cecil Rhodes kthente kokën prapa dhe arrinte të shikonte karrierën e tij të çmuar dhe të shumëpërfolur. Ai kishte mbledhur një pasuri të jashtëzakonshme në flori dhe diamante. Kishte ndërtuar hekurudha në zona të egra pyjore dhe në male e shkëmbe të thepisur duke u kthyer në një nga liderët e mëdhenj të shekullit. Ai kishte krijuar një perandori të jashtëzakonshme që nuk mund ta shohësh kurrë në kurrikulumin e një 48-vjeçari tjetër. E megjithatë, Rhodes nuk ishte aspak i qetë dhe i kënaqur që po mbyllte sytë për të mos i rihapur më kurrë. Në shtratin e tij të vdekjes mund ta dëgjoje duke rënkuar në dhimbje: "Sa pak që kam bërë, sa shumë kam ende për të bërë".
Çfarë donte të thonte? A ka mundësi që një njeri si ai mund të kërkojë më shumë toka, pasuri apo pushtet në jetën e tij? Mos ndoshta ishte një nga ata njerëzit e fiksuar pas punës që i kalojnë minutat e fundit të jetës duke dëshiruar më shumë kohë për të kaluar në zyrë? Jo! Në momentet e fundit të jetës, jo vetëm Rhodes, por çdo njeri shqetësohet për një lloj tjetër liste të "gjërave që duhen bërë". Kur Jos Mart nxori një listë të gjërave që çdo njeri duhet patjetër t'i bëjë përpara se të vdesë, nuk përfshiu gjëra si për shembull "çliro një shtet". Heroi i pavarësisë së Kubës përmendi tre gjërat më të rëndësishme për të në jetë: të mbjellësh një pemë, të shkruash një libër dhe të kesh një djalë. Ky është një fillim i shkëlqyer. Ja edhe dhjetë të tjera, në mënyrë që shtrati i vdekjes të jetë pak më i butë se ai i Rhodes:
Bëj një pelegrinazh
Destinacioni mund të jetë një nga më tradicionalët si për shembull Jeruzalemi, Roma apo Meka. Mund të jetë një vend ritualesh parahistorike si për shembull Stonehenge apo Machu Picchu. Për adhuruesit e natyrës idealja mund të jetë savanna e Afrikës ose pylli i Amazonës. Adhuruesit e muzikës mund të zgjedhin tempujt e mrekullueshëm si La Scala ose Bayreuth. Qëllimi është që të paktën një herë në jetë të ndjesh emocionin e të qenurit në katedralen apo tempullin që ju e konsideroni të shenjtë, një vend ku për një çast mund të ndiheni pjesë e diçkaje më të madhe. Një vend ku lumturia është tërësisht personale dhe ngrihet në nivelin më të lartë të mundshëm. Rezultati? Nuk ka çmim! Nuk ka rëndësi nëse zgjedh të dëgjosh "Gloria-n" në Shën Pjetër apo të shohësh me sytë e ty një kaproll teksa bën hapin e tij të parë, do të jetë një nga ato momente kur nuk ke nevojë as për kamera dhe as për aparat fotografik. Do të ngulitet thellë në shpirtin tuaj.
Ha një vakt aq të mirë sa për të qenë i fundit
Kur ndjen se fundi është më afër se kurrë, ekziston një mundësi shumë e madhe të mos jesh në gjendje të shijosh ushqime ekzotike. Duket si diçka e parëndësishme, por një nga kënaqësitë e jetës është edhe kjo. Bota është e mbushur plot me mrekulli që ja vlen t'i shijosh. Nëse i planifikon gjërat me kujdes, nëse shijon sot atë që ke dashur gjithmonë të provosh, nuk do të ndihesh i tradhtuar nga ajo mani e çmendur për të kursyer që ke patur gjithë jetën. Mendoje si një siguracion mbi vdekjen dhe mos i kushto rëndësi çmimeve të kripura në anën e djathtë të menusë.
Mbaj mend dy versionet e fjalëve të fundit të Uilliam Pitt. Historianët kanë debatuar prej kohësh dhe nuk kanë arritur të nxjerrin një version të saktë se çfarë ka thënë ai në momentet e fundit të jetës. Versioni i lavdishëm i skenës së Uilliam-it në shtratin e vdekjes në vitin 1806 tregon se Kryeministri britanik, i zhgënjyer nga suksesi i Napoleonit, është shuar duke thënë: "Vendi im, oh, si po e lë unë vendin tim!" Versioni më pak i lavdishëm, por gjithsesi jo i pamundur, është se fjalët e tij të fundit në fakt kanë qenë këto: "Do të doja të kisha ngrënë një byrek me mish viçi Bellamy". Nëse keni dyshime rreth versionit që mund t'iu duket më i besueshëm, duhet të rishqyrtoni prioritetet tuaja personale.
Ngjisni malin tuaj Ventoux
Thuhet se epoka e re e Rilindjes ka filluar pikërisht me ngjitjen e Petrarkës në majën e këtij mali në Provecë të Francës në vitin 1330. Në atë kohë, të ngjisje një mal nuk ishte një gjë që njerëzit e bënin për të kaluar pushimet. Malet konsideroheshin si të rrezikshëm dhe të padobishëm. Për më tepër, kishte nga ata që mendonin se malet ishin një shpërqendrim mëkatar ndaj Zotit, siç e ka përshkruar edhe Petraka në një nga sonetat e Augistinës, duke përshkruar meshkujt që "adhuronin malet e larta." Poeti në këtë rast mundohej të bindte veten se duhet të shikonte më thellë në brendësinë e shpirtit të tij, sipas versionit mesjetar.
Megjithatë, edhe pse mundohej t'u bindej besimeve të kohës dhe të luftonte me veten, Petrarka vendosi të ngjiste 1.912 metra lartësi i vetëm dhe u mahnit me pamjen e re. "Ato çfarë kam lexuar nga Athos dhe Olympus duken më pak të pabesueshme në krahasim me ato që panë sytë e mi", shkroi ai. Në ditët e sotme, mund të shijosh të njëjtën pamje shumë herë më lehtë. Tashmë ka rrugë për të shkuar në majë të maleve dhe madje mund të gjesh restorante shumë të këndshme atje. Qëllimi nuk është ky. Ajo që duhet të bësh para se të vdesësh, është të ngjisësh diçka që ke frikë ta ngjisësh dhe ashtu si Petrarka të mahnitesh nga pamja e re.
Mëso përmendësh një poezi dhe recito
Zgjedhja më interesante, edhe pse ndoshta nuk ke menduar kurrë ta bësh, është një performancë gjatë një takimi romantik dhe është e pamundur të shkojë keq nëse zgjedh poezinë e Bajronit "Ajo ecën me bukuri, si nata". Nuk ka nevojë të jesh aktor e të kesh publik të gjerë për të recituar. Nuk duhet të shkruash poezi për të qenë poet. Mjafton t'i lexosh djalit tënd vargjet e Kiplingut "…në mundsh t'i mbushësh minutat aq të rënda, me vepra që peshojnë, dije dhe mos ki asnjë dyshim, se jotja do të jetë bota me ç'ka brenda dhe burrë do jesh, o biri im!", për t'u bërë heroi i tij më i madh. Një poezi e bukur mund të bëhet shoqëruesja e momenteve më të bukura të jetës tuaj. Të mësosh përmendësh dhe të recitosh këtë poezi, është njëlloj si të jetosh e rijetosh vazhdimisht atë moment të paharrueshëm të jetës tënde. Nuk ka çmim!
Bëj një armik të betuar
Një person i dashur dhe miredukuar përshkruhet si dikush që nuk i shkakton qëllimisht vuajtje të tjerëve. Megjithatë, ky përkufizim lë një hapësirë të gjerë manovrimesh për të qenë qëllimisht i ashpër me dikë që nuk e duron dot. Ngri zërin përpara një padrejtësie. Merr hak kundër kolegut që të zuri vendin e punës. Lufto me gjithë forcat e tua për të fituar një çmim duke lënë kundërshtarët pas. Mbro me fanatizëm idetë e tua sa për ta çmendur dikë. Një armik të ndihmon të përcaktosh veten. Ashtu siç ka thënë edhe Shopenhauer: "Ndonjëherë na vjen më shumë keq për vdekjen e armiqve se sa të miqve, vetëm sepse mungesa e ekzistencës së tyre nuk i lejon të bëhen dëshmitarë të suksesit tënd".
Fal dikë
Këtë këshillë e ke dëgjuar edhe më parë. Ta ka thënë gjyshja kur ke qenë i vogël, ta kanë thënë në shkollë, ta kanë thënë prindërit dhe miqtë e tu gjithashtu. Të gjithë e dinë që duhet të falin, por ndonjëherë duket thjesht e pamundur. E vërteta është që falja nuk është e pamundur, por të nevojitet një motiv i fortë. E cili motiv mund të jetë më i fortë se vdekja? E gjen veten pa kuptuar në momentet e fundit të jetës kur kanë kaluar aq shumë vite pa folur me atë mik të vjetër dhe tashmë as që të kujtohet më pse. Impulsi i parë është t'i telefonosh dhe ashtu bën. Më në fund ke gjetur guximin t'i flasësh, por është tepër vonë, miku yt e ka lënë këtë botë përpara teje. E çfarë mund të bëjë njeriu kur gjendet përpara vullnetit të Zotit? Ka diçka, fale mikun tënd tani! Nuk besoj se do të doje të gjendeshe në situatën kur ngrihesh nga shtrati i vdekjes për të shkuar tek vëllai yt me të cilin ke vite pa folur dhe që jeton në anën tjetër të qytetit, por këmbët të tradhtojnë. Mos harro që koha është armikja më e pabesë.
Vërteto me sytë e tu që Toka është e rrumbullakët
Mënyra më e sigurt është që të lundrosh vetëm në një drejtim të caktuar dhe mos të ndalosh derisa të kthehesh përsëri në pikën ku u nise. Një metodë më pak e kushtueshme, edhe pse jo aq direkte, është të udhëtosh në veri të Rrethit Arktik në ditën e solstikut apo diellndalimit veror dhe kaloje natën (mundësisht brenda një vaske me ujë të ngrohtë) duke parë diellin që rrotullohet mbi horizont.
Shko tek "Camera degli Sposi" me atë që dashuron
Ndoshta ka shumë vepra arti të tjera më të rëndësishme si për shembull statuja e Davidit, Darka e Fundit apo Faltorja Sistina në Vatikan, por sharmin e pastër dhe të vëretë mund ta gjesh vetëm në kryeveprat e shek. XV të Mantegnas. Këto nuk i gjen në një muze gjigant të stërmbushur, por në një kuti të fshehtë xhevahirësh, në dhomën e vogël të pallatit mbretëror Mantua. Pikturat me gjyra të ndezura shkëlqejnë në një mënyrë të mrekullueshme nga reflektimi i arit. Pikturat portretizojnë fisnikë, kurtizana, oborrtarë, fëmijë, anije, kuaj e kafshë të tjera, të cilët vëzhgohen të gjithë jo nga një Perëndi e sertë, por nga një grup i famshëm "putti" (ëngjëj të vegjël) lozonjarë në tavan. Ëngjëjt duken sikur janë duke kontrolluar disa aktivitete të afirmimit të jetës dhe kjo është arsyeja pse kjo dhomë quhet "Dhoma e Nuses dhe e Dhëndrit".
Mund forcën e gravitetit
Po, është padyshim ligji më i pakundërshtueshëm dhe i pandryshueshëm i planetit dhe në shtratin tuaj të vdekjes do të kënaqeshit duke kujtuar atë moment të mrekullueshëm rebelimi ndaj ligjeve të natyrës, nuk ka rëndësi nëse je hedhur me parashutë nga një aeroplan apo ke bërë bungee-jumping duke u hedhur nga një urë e lartë. Për shumicën e njerëzve, të hidhesh nga një lartësi e madhe si për shembull nga një ndërtesë apo urë, ose nga një aeroplan duket diçka e tmerrshme. Por, kjo është pikërisht arsyeja për të cilën njerëzit vendosin ta bëjnë. Nëse do të ndihesh i gjallë dhe i çorientuar në të njëjtën kohë atëherë bungee-jumping është aktiviteti që bën për ty. Por, kjo nuk do të thotë që këtë aktivitet mund ta bëjnë vetëm njerëzit ekstremisht guximtarë, madje mund të thuhet se sa më shumë frikë të kesh, aq më shumë kënaqesh.
Kur bie me shpejtësi të madhe drejt tokës, litari tendoset dhe ndjen sikur po fluturon përsëri, por duke u ngjitur lart për të zbritur sërisht. Këto osilacione janë po aq elektrizuese sa edhe vetë rënia e lirë. Në ato momente ndjen një lloj euforie të papërshkruar duke e ditur se je hedhur nga një lartësi marramendëse vetëm duke u kapur pas një litari. Nëse ke pyetur veten se çfarë ndiejnë zogjtë teksa fluturojnë, ky është momenti për ta provuar. Eksperiencat e frikshme shpesh herë janë edhe më entuziazmueset. Në fund të fundit, jeta nuk matet nga numri i frymëmarrjeve, por nga numri i momenteve që të lënë pa frymë.
Jepi shans dikujt tjetër të bëjë gjërat që nuk i ke bërë dot
Mund të jetë një nga gjërat për të bërë në listën e çdokujt, si për shembull një udhëtim që ke dashur gjithmonë ta bësh, por në një moment është bërë i pamundur. Me kalimin e moshës kufijtë ngushtohen, por me moshën gjithashtu vjen edhe urtësia, zgjuarsia dhe paratë. Kur e kupton se është bërë tepër vonë për ty, jepi një të riu atë që ti ke dashur gjithmonë të kesh dhe do t'i mbyllësh sytë pak më lehtë se zotëria i diamantëve, Cecil Rhodes.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers