Universitetet, ja sa duhet të shpenzosh për t'u bërë lider



Në listë ndodhet dhe universiteti elitar i cilësuar si një ndër më të mirët në botë. Për shkak të emrit të tij, universiteti "Harvard" tërheq të rinjtë më të talentuar dhe të veçantë nga e gjithë bota. Ai përveç se është në krye të universiteteve më të mira të botës, është dhe ndër më të shtrenjtët. Në listë është llogaritur vetëm tarifa e studimit, ndërsa në total bashkë me strehimin arrin deri në 50 mijë dollarë. "Harvard" pasohet nga një tjetër universitet që ka thuajse të njëjtën famë e emër, ai i "Yale"
Washington D.C - Me krizën ekonomike që ka pushtuar të gjithë botën, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të studiosh në universitetet më të mira. Kur bëhet fjalë për formimin shkollor, çdo shpenzim ia vlen pasi është investim për të ardhmen, por duket se universitetet më të shtrenjta të botës që në të njëjtën kohë renditen edhe si më të mirat, tashmë janë kthyer në lluks për një kategori të vogël njerëzish që mund të arrijnë të paguajnë aq shumë.
Sipas revistës "Forbes", SHBA-ja mbetet vendi më i shtrenjtë për t'u arsimuar. Jo vetëm kaq, duket se edhe universitetet e stilit amerikan nëpër botë janë ata që kryesojnë listën e çmimeve marramendëse. Renditja e universiteteve më të shtrenjta është bërë duke llogaritur vetëm tarifën mësimore pra, nëse shton aty akomodimin, ushqimin, transportin, librat e shumë e shumë shpenzime të tjera, tarifa sigurisht që dyfishohet. Shumë prej universiteteve ofrojnë ndihmë financiare për studentët. Gjithsesi, çmimet e studimeve po rriten, ndërkohë që ekonomia po pëson gjithnjë e më shumë rënie. Në vend të parë të listës qëndron universiteti "George Washington" i ndjekur nga "Sarah Lawrence". Vetëm përsa i përket tarifës vjetore mësimore, universiteti "George Washington" mbetet më i shtrenjti. Sidoqoftë, universiteti është një ndër shkollat më bujare të vendit përsa i përket asistencës financiare. Ndihma financiare që mund të marrë një nxënës është deri në 22 mijë dollarë. Ndërkohë, vetëm në një vit universiteti, "Sarah Lawrence" kaloi nga vendi i pestë në listë, në të dytin. Kjo për shkak të një rritjeje prej 5.9 përqind të tarifave. Duke përfshirë planin për vakte të detyrueshme të studentëve, kostoja totale shkon në 53,150 dollarë dhe kjo është vetëm tarifa mësimore.
Për sa i përket tarifës mësimore dhe taksave "Kenyon" renditet ndër shkollat më të shtrenjta në vend. Por ndërkohë që shuma totale me gjithë shërbimet e përfshira arrin në rreth 46 mijë dollarë, shkolla pretendon se rreth 70 përqind e studentëve marrin një ndihmë financiare që është rreth 24 përqind e shumës. Në faqen e internetit të universitetit "Vassar" thuhet: "S'është nevoja të jeni të pasur për të ndjekur universitetin "Vassar". Por në fakt, po të marrësh parasysh tarifën e shkollës, duket pak e vështirë. Pa përfshirë akomodimin, tarifa vjetore është 40,210 dollarë, ndërkohë që 55 përqind e studentëve marrin ndihmë financiare. "Bucnkell" është në vendin e pestë të listës së universiteteve më të shtrenjta. Bashkë me akomodimin e studentëve në universitet tarifa arrin në 48, 380 dollarë. Ndërsa, vetëm tarifa vjetore arrin në 39, 652 dollarë. Sipas universitetit, 62 përqind e studentëve marrin një formë të ndihmës financiare.
Në listë ndodhet dhe universiteti elitar i cilësuar si një ndër më të mirët në botë. Për shkak të emrit të tij, universiteti "Harvard" tërheq të rinjtë më të talentuar dhe të veçantë nga e gjithë bota. Ai përveç se është në krye të universiteteve më të mira të botës, është dhe ndër më të shtrenjtët. Në listë është llogaritur vetëm tarifa e studimit, ndërsa në total bashkë me strehimin arrin deri në 50 mijë dollarë. "Harvard" pasohet nga një tjetër universitet që ka thuajse të njëjtën famë e emër, ai i "Yale". Ashtu si "Harvard" edhe "Yale" është një prej universiteteve më të mira në botë e gjithashtu dhe ndër më të shtrenjtët. Ai njihet si një institucion arsimor shumë prestigjoz dhe aty janë arsimuar shumë prej presidentëve amerikanë dhe një sërë figurash publike shtetërore.
Me një tarifë rreth 33 mijë dollarë në vit universiteti "Franklin" meriton të jetë në listën e shkollave më të shtrenjta në botë. Kostoja e jetesës i shton dhe 10 mijë dollarë të tjera tarifës vjetore. Pavarësisht se është në Zvicër, në universitet studiojnë shumë studentë amerikanë. Më pas vjen Kolegji Imperial i Londrës, i cili njihet si një prej universiteteve më të shtrenjtë në botë, sidomos për studentët ndërkombëtarë. Kjo për arsye se tarifa vjetore mbulon vetëm mësimin në universitet, ndërkohë që jetesa në kryeqytetin anglez arrin deri në 12 mijë dollarë në vit. Universiteti i Singaporit nuk arriti dot t'i shpëtonte renditjes në 20 universitetet më të mira në botë dhe të studiosh aty nuk është dhe aq lirë. Por, një aspekt pozitiv është se pavarësisht tarifës së lartë të shkollës, kostoja e jetesës në Singapor nuk është aq e lartë sa në vendet e tjera të listës dhe ky është një lehtësim shumë i madh për studentët ndërkombëtarë.
Me sa duket, që të studiosh në universitetet më të mira duhet të jesh patjetër supermilioner dhe këtu qëndron ironia. Megjithatë, për studentët që nuk kanë të ardhura shumë të mira ekonomike dhe që kanë probleme serioze në pagesën e tarifave mësimore të universiteteve private, sidomos për ata që nuk bëjnë pjesë në grupin elitar të studentëve, ka gjithmonë vend për to në universitetet më të mira publike. Këto universitete kanë arritur të zhvillojnë një plan ndihme sociale ekonomike mjaft të mirë dhe u shërbejnë miliona studentëve çdo vit. Në fund të fundit jo të gjithë gjenitë kanë dalë nga universitetet më të shtrenjta dhe më famshme.
1.Universiteti "George Washington". Tarifa vjetore: 40,437 dollarë
2.Universiteti "Sarah Lawrence", Nju Jork. Tarifa vjetore: 40,350 dollarë
3.Universiteti "Kenyon College", Ohajo. Tarifa vjetore: 40, 240 mijë dollarë
4.Universiteti "Vassar College", Nju Jork. Tarifa vjetore: 40, 210 dollarë
5.Universiteti "Bucknell" Pensilvani. Tarifa vjetore: 39, 652 dollarë
6.Universiteti "Harvard", Masaccusets. Tarifa vjetore: 36,173 dollarë
7.Universiteti "Yale", Konektikat. Tarifa vjetore: 35 mijë dollarë
8.Universiteti "Franklin College", Lugano, Zvicër. Tarifa vjetore: 33,100 dollarë
9.Universiteti Amerikan i Parisit. Tarifa vjetore: 32,600 dollarë
10.Kolegji Imperial i Londrës. Tarifa vjetore: 27,800 dollarë
11.Universiteti Kombëtar i Singaporit. Tarifa vjetore: 24 mijë dollarë
12.Universiteti i Melburnit. Tarifa vjetore: 20,200 dollarë
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers