Spiunet e KGB-së



Për shekuj me radhë, femrat kanë shërbyer në shërbimet e spiunazhit, duke u bërë kështu agjentet më të suksesshme. Shumë prej tyre janë nderuar me medalje për shërbimet e kryera, të tjera janë ekzekutuar e ka dhe nga ato që janë dënuar e më pas janë falur.
KGB-ja njihet si shërbimi sekret që krijoi një linjë mjaft të fuqishme me një rrjet agjentesh, të cilat me bukurinë e tyre zbërthenin çdo sekret. KGB-ja rekrutonte vajza të bukura në radhët e saj, për të zënë në kurth diplomatët e huaj dhe faktet tregonin gjithnjë e më tepër, që taktika e tyre funksiononte në perfeksion. Ato ishin të bukura, sharmante, inteligjente, joshëse dhe mbi të gjitha mjaft dinake. Në kurthin e tyre kanë rënë shumë e shumë diplomatë e burra shteti të fuqishëm. Joshja e tyre ishte e pashoqe dhe rezistenca në shumicën e rasteve ishte e pamundur.
Kërcimtare, aktore apo këngëtare, të cilat stërviteshin për të joshur cilindo person që do të duhej t'i nxirrnin informata. Puna për to nuk ishte aspak e vështirë, pasi avantazhet e tyre më të mëdha ishin joshja femërore dhe dobësia mashkullore. Ndonjëherë mjaftonte vetëm një shikim apo provokim i lehtë për të arritur qëllimin.
Pikërisht në këtë mënyrë, KGB-ja kompromentoi ambasadorin britanik në Moskë, sër Xhefri Harison në vitin 1968. Ambasadori u dashurua pas një gruaje të bukur ruse, e cila punonte si shërbëtore në ambasadën britanike e quajtur Galja. Ajo ishte e futur me mision aty nga KGB-ja. Pasi çifti doli nga dhoma e gjumit në një apartament të Leningradit, Harrisonit iu treguan foto të tij me Galjan gjatë kohës që bënin dashuri. Harrisonit iu komunikua se, në qoftë se nuk i jepte KGB-së informacionet që ajo kërkonte, fotot dhe lidhja e tij me Galjan do të bëheshin publike. Në vend që të bashkëpunonte, Harrisoni u kthye në Londër ku pohoi lidhjen me Galian te oficerët e MI5, (Kundërzbulimi britanik). Ai u nxorr në pension menjëherë. Megjithëse ky lloj kurthi në këtë rast ka dështuar, shumë kurthe përpara Harrisonit ishin të suksesshëm. Koloneli Lui Gibo, atasheu ajror francez, në vend që të jepte informacion dhe të fshihte lidhjen, vrau veten.
Mata Hari
Në krye të listës së spiuneve më të famshme në botë qëndron Mata Hari. Edhe pse ajo është konsideruar gjithnjë si prej spiuneve më të famshme, historianë e autorë të ndryshëm kanë cilësuar se ajo ka qenë më shumë një figurë rastësore sesa e qëllimshme. Mata Hari ishte emri skenik i Margaretha Gertruida Zelle, një valltare ekzotike holandeze dhe kurtizane, e cila u ekzekutua nga skuadra e pushkatimit për spiunazh gjatë Luftës së Parë Botërore. Duke qenë se Holanda ishte neutrale, Margaretha Zelle, mund të kalonte kufijtë lirshëm. Kjo është arsyeja pse mendohet se ajo është përdorur nga shërbimet sekrete.
Nance Wake
Një tjetër spiune e famshme është Nance Wake, e cila punonte si gazetare në Francë, kur nisi Lufta II Botërore. Kauza e saj ishte çlirimi i Francës dhe mundja e fashizmit europian. Shumë shpejt ajo doli vullnetare për të qenë korriere e Rezistencës Franceze dhe shumë shpejt krijoi një rrjet spiunimi aq të gjerë dhe efektiv, saqë Gestapoja vuri një çmim për kokën e saj. Pas luftës ajo u nderua me medalje të lartë civile nga pesë shtete. "E urrej luftën dhe dhunën", ka thënë ajo dikur, "por, nëse lufta vjen nuk e kuptoj përse ne femrat duhet thjesht ti themi lamtumirë burrave tanë që shkojnë në luftë dhe të qëndrojmë në shtëpi, duke i thurrur triko".
Maria Konnenkova
Albert Ajnshtajn mund të ketë qenë gjeni, por jo aq i zgjuar sa për të shmangur magjepsjen me agjenten sekrete Maria Konnenkova. Ajo e takonte Ajnshtajnin në vitin 1940, për të mbledhur informacione rreth përpjekjes së amerikanëve për të shpikur bombën e parë atomike.
Maria Knuth
Maria Knuth, një tjetër vajzë me emrin e shenjtores, por që veç e tillë nuk ishte. Kërcente në kabare dhe magjepste me bukurinë e saj oficerët britanikë dhe amerikanë. Ishte një gjermane e rekrutuar nga KGB-ja, për shkak të bukurisë së saj dhe për aftësinë e saj për të tërhequr oficerët britanikë dhe amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shkak të profesionit të saj si kërcimtare kabareje, ajo e kishte shumë të lehtë të mbulonte misionin e saj të vërtetë dhe me bukurinë mahnitëse i ka ngritur kurthe nga më të ndryshmet oficerëve dhe diplomatëve.
Elizabeth Bentley
Elizabeth Bentley, një amerikane gjithë sharm, ra në dashuri me kontrollorin e saj rus, Jacob Golos, pasi u rekrutua nga KGB-ja në vitin 1940. Ajo e nisi karrierën e spiunazhit, duke menduar se po spiunonte për Partinë Komuniste të SHBA-së, kur në fakt ishte duke punuar për policinë sekrete sovjetike. Si agjente sekrete, ajo instalonte në dhomat e gjumit kamera ku regjistronte gjithçka ndodhte dhe i kërcënonte "viktimat" e saj se do i bënte publike. Pikërisht me anë të kësaj taktike, Elizabet Bentley, ka joshur të paktën 8 zyrtarë amerikanë dhe në biseda intime u nxirrte të dhëna në llogari të sovjetikëve. Gjatë Luftës II Botërore ajo ishte një prej spiuneve më të suksesshme sovjetike në SHBA. Por, një ditë vendosi t'i jepte FBI-së emrat e 150 spiunëve sovjetikë, duke përfshirë dhe punonjës të qeverisë amerikane.
Kystyna Skarbek
Kystyna Skarbek është gjithashtu një prej spiuneve më të suksesshme të Luftës II Botërore për llogari të Anglisë. Ajo ka kryer misione në Poloni, Hungari, Francë dhe Egjipt. Ajo fitoi famë kur shpëtoi dy kolegë të saj, të cilët do të ekzekutoheshin nga Gestapoja, duke u prezantuar si mbesa e një zyrtari të lartë të komandës britanike.
Virginia Hall
Si agjente e operacioneve speciale ekzekutive, edhe Virginia Hall ka kryer misione të panumërta në funksion të Rezistencës franceze, duke fituar një reputacion si person në gjendje t'u shmangej edhe operacioneve më të hekurta naziste. Fama e saj konsiston dhe në faktin se, ajo kishte humbur një pjesë të këmbës dhe ecte me protezë druri.
E njohur si "zonja e çalë e OSS", për shkak të këmbës, ajo luajti një rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Virginia punoi për të shkëputur ndërlidhjen gjermane, duke prerë linjat elektrike dhe telegrafike, mision për të cilin mori medalje zotësie.
Legjenda e Violetës
Aftësia, bukuria si dhe jeta tragjikisht e shkurtër e Violette Szabo-së, kanë kontribuar për të ngritur legjendën e emrit të saj. Si agjente sekrete, misionet e saj në Francën e pushtuar varionin nga mbledhja e informacioneve e deri te sabotazhi. Pas një kohe të gjatë, ajo u kthye në Francë më 7 qershor 1944 me misionin për të koordinuar aktivitetin e makuisadëve të Francës për sabotimin e linjave të komunikimeve gjermane. Autovetura me të cilën udhëtonte tërhoqi shumë shpejt vëmendjen e trupave gjermane dhe si pasojë e konfliktit me armë zjarri që pasoi, Violeta u kap dhe u burgos. E transferuar në një burg të sigurisë së lartë, ajo ju nënshtrua torturave sistematike për t'u ekzekutuar më pas nga forcat naziste në vitin 1945, në moshën 23-vjeçare.
Lona Cohen
Anëtare e Partisë Komuniste, Lona Cohen, në shërbimin e saj të parë punoi si korriere e Theodore Hall-it, një fizikan i projektit "Manhattan", i cili u dërgonte sekrete sovjetikëve. Ajo u rekrutua në spiunazhin sovjetik nga bashkëshorti i saj Morris Cohen. "Lesley", ky ishte kodi i saj, dërgonte materiale nga projektet e armëve atomike amerikane në konsullatën sovjetike në Nju-Jork. Pas luftës ajo dhe bashkëshorti i saj u vendosën në Londër, ku krijuan Rrethin e Spiunëve të Portlandit, që u kalonte sovjetikëve sekretet detare britanike.
Melita Norwood
Melita Norwood ka qenë një punonjëse civile britanike me bindje të thella komuniste, puna e së cilës ishte të punonte për një kërkim sekret bërthamor, duke patur kështu akses të plotë në shumë dosje e informacione "Top Secret". Edhe pse informacionet që ajo kishte zbuluar nuk i alarmonin shërbimet inteligjente britanike, ato tërhoqën vëmendjen e Bashkimit Sovjetik, që arriti ta rekrutonte atë si spiune në vitet 1940.
Për dekatat e mëpasshme të Luftës së Ftohtë, Norwood vazhdoi të përçonte një numër të madh sekretesh qeveritare tek kolegët e saj sovjetikë. Edhe pse aktiviteti sekret i Melitës u zbulua në vitin 1960, në mënyrë të pashpjeguaeshme inteligjenca britanike vendosi të mos reagonte dhe mos të merte masa për asnjë nga informacionet që ajo kishte spiunuar.
Ethel Rosenberg
Aspironte të bëhej këngëtare dhe aktore, por kryesisht punoi si sekretare në një kompani anijesh. U akuzua dhe u dënua me vdekje për dhënien e sekreteve të ushtarakëve amerikanë rusëve. Sipas gjykatësve, Rosenberg kishin sjellë vdekjen e 50 mijë ushtarëve në Kore e gjithashtu kishte shitur edhe sekretet bërthamore te sovjetikët.
Brita Tott
Brita Tott është një tjetër spiune e famshme. Në vitin 1442, vajza e fisnikërisë daneze u martua në familjen mbretërore suedeze. Një dekadë më pas, kur suedezët hynë në luftë kundër danezëve, ajo ishte spiunia perfekte për vendin e saj. Ajo shërbeu si korriere që i kaloi sekrete të mëdha familjes daneze dhe u dënua me djegie në turrë të druve, por më pas u fal.
Princesha Stefani
Si një anëtare e bukur dhe e pasur e aristokracisë gjermane, në vitin 1930 princesha Stephanie u përfshi në elitën e Londrës, ku u miqësua me ministra të kabinetit. Ajo arriti të përfitonte informacione të arta për Hitlerin kur jetonte në Londër.
Judith Coplon
Ishte një nga figurat më të famshme të hedhur në gjyq nga Shtetet e Bashkuara, pasi spiunonte tek Bashkimi Sovjetik. Problemet që dolën gjatë gjyqit të saj patën një influencë mjaft të madhe në aktet penale kundër spiunazhit gjatë periudhës së McCarthy. Afërsia dhe lidhja e saj e ngutshtë me agjensitë inteligjente sovjetike ishin si një alarm për Shtetet e Bashkuara, që kishin nevojë urgjente për të kryer reforma dhe për të nisur kundër spiunazhin.
Judith Coplon punonte në Departamentin e Drejtësisë, në sektorin e agjentëve të huaj. Ajo mblidhte informacione dhe bashkëpunonte me rusin Valentin Gubitchev, një ish-oficer i shërbimeve sekrete. FBI-ja e nuhati situatën dhe i arrestoi të dy në vitin 1949.
Julia Child
Para se të bëhej një kryeguzhiniere e famshme, ajo punonte për OSS-në, që është paraardhësja e CIA-s. Asaj i qe ngarkuar detyra që bashkë me kolegë të saj duhet të vriste peshkaqenët që mund të shkaktonin plasjen e dinamitit poshtë ujit të vënë për gjermanë, dhe mund t'i paralajmëronin ata për eksplozivin.
Betty McIntosh
Ka shkruar një libër kujtimesh për pjesëmarrjen e saj në Shërbimet Sekrete amerikane. Është vlerësuar si një nga spiunet më të afta në OSS. "Nëse njerëzit na pyesin se çfarë po bëni këtu, thojini që jeni një sekretare dhe s'do ju pyesin më", thotë ajo në librin e saj.
Melissa Mahle
Prej tre vjetësh ka lënë CIA-n. Mbante detyrën e një eksperte spiunazhi kundra terrorizmit dhe ka punuar si klandestine në Lindjen e Mesme deri në vitin 2002. Që kur la punën, ajo ka punuar si këshilltare në Lindjen e Mesme për çështjet e sigurisë.
Lindsay Kegley
Edhe Kegley ka pak kohë që është shkëputur nga CIA. Ishte një nga oficeret më të mira të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nga viti 1998 deri në vitin 2003. "Të gjithë njerëzit që më njihnin më thoshin të mos e merrja këtë hap, por është vërtet bukur të ndihmosh vendin tënd", ka thënë ajo.
Irene Nelson
Një vajzë e njomë, por shumë e gjallë, ishte një nga spiunet paraardhëse të CIA-s gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte 23 vjeçe dhe e sapomartuar kur u fut në shërbimet sekrete. "Edhe ajo mësoi të gatuante vonë, si Julia Child", shkruhet në librin "Motrat e spiunazhit.
Virginia Baynes
Është një nga spiunet amerikane gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Ajo u rekrutua nga i dashuri i saj, i cili punonte me shërbimet sekrete. Virginia u largua nga CIA, por jo shumë kohë më pas shiti informacione.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers