Shangai, kryeqyteti i ri i botës?


Për qytetin më dinamik, kosmopolitan dhe arrogant të Kinës, kjo është me të vërtetë një periudhë feste. Pas një dekade të ngrirë, Shangai po rikthehet fuqishëm si qendra botërore e tregtisë dhe kulturës

Jessie Jiang / Shanghai

Spektakli i Zhou Libos, i mbajtur në një qendër nëntokësore "Shanghai International Gymnastics" ka aq shumë akses saqë biletat janë shitur tashmë prej ditës dhe pasi arrij më në fund të gjej një biletë arrij të kuptoj përse. I veshur me smoking të zi dhe një papion të bardhë, Zhou 43-vjeçar, një humorist tejmase i njohur në vend, fillon shoun e tij duke bërë batuta thumbuese të shkurtra veçanërisht për jetën në Shangai. Tema është "jam i cmendur pas parave" dhe Zhou fillon të ironizojë rreth çmimeve të shtëpive, se sa e vështirë është të rrisësh fëmijë madje edhe se sa i detyrohen Shtetet e Bashkuara Kinës. Audienca prej rreth 3700 njerëzish bërtasin për të miratuar fjalët e tij. Njerëzit duartrokasin, brohorasin duke i gjuajtur me këmbë dyshemesë. Arrij të bëj një buzëqeshje të sforcuar pasi edhe pse jam një folës i përkryer i gjuhës Mandarin, nuk arrij dot të kuptoj humorin dhe jam i bindur që shumica e miqve të mi kinezë do të ndiheshin njëlloj me mua. Ndërkohë që Zhou vazhdon me humorin e tij ironik, fjalët sa vijnë e kthehen më shumë në dialekt. Megjithatë kaq gjë arrij ta kuptoj: performanca është një festim krenar i jetës dhe qytetarëve të Shangait.
Për qytetin më dinamik, kosmopolitan dhe arrogant të Kinës, kjo është me të vëretetë një periudhë feste. Pas një dekade të ngrirë si pasojë e themelimit të Republikës së Popullit nga Mao Ceduni në vitin 1949, Shangai po rikthehet fuqishëm si qendra botërore e tregtisë dhe kulturës. Këtë vit Shangai si vendi mikpritës i Expo 2010 është në qendrën e vëmendjes së gjithë botës. Panairi i hap më 1 maj dhe pritet të ketë mbi 70 milionë vizitorë në gjashtë muajt e ardhshëm.
Stili i Shangait është t'i bëjë gjërat e mëdha. Me një popullatë prej 19 milionë banorësh, është një nga metropolet më të mëdhaja në planet. Mbi 750 kompani të huaja multinacionale kanë zyra në këtë qytet. Linja e horizontit numëron më shumë se 30 ndërtesa mbi 200 metra të larta. Po të kalosh nëpër disa rrugë të caktuara, mund të imagjinosh se ndodhesh në qendër të Manhatanit. Është aq i mahnitshëm saqë kur vizitoi qytetin në vitin 2007 për të ndjekur MTV Style Gala, Paris Hilton u detyrua të pranonte, "Shangai duket si e ardhmja".
Megjithatë, Shangai është ende duke u përpjekur të përcaktojë se si do të jetë e ardhmja. Pavarësisht gjithë atyre parave (lokale dhe të jashtme), ndërtimeve dhe rindërtimeve, profilit ndërkombëtar dhe krenarisë dhe vetbesimit që gjithë këto gjëra rrënjosin, mund të kuptosh shumë lehtë nga shumë qytetarë të Shangait se qyteti vuan nga një krizë e thellë identiteti. Kjo krizë rrotullohet rreth pikëpyetjes nëse duhet ruajtur apo jo e shkuara dhe jo vetëm për strukturën fizike, por edhe për atë çfarë gjithmonë e ka bashkuar dhe njëkohësisht e ka veçuar Shangain nga pjesa tjetër e Kinës. "Nga njëra anë, kushtet e jetesës janë më të mira se më parë", thotë novelisti i mirënjohur Qiu Xiaolong, i cili i ka bazuar librat e tij në Shangain e viteve '90. "Në të njëjtën kohë, njerëzit ndihen disi të humbur. Në librat e mi njerëzit uleshin përpara shtëpive të tyre shikumen (me derë prej guri) dhe bisedonin me njëri-tjetrin. Në ditët e sotme njerëzit mbyllen brenda ambienteve me ajër të kondicionuar. I duan gjërat të jenë më të mira, por ende nuk dinë nëse duhet të shikojnë para apo pas".
Një trashëgimi e pasur
Shangai ka qenë këtu edhe më parë. Peshkimi dhe porti tregtar kinez fitoi famë botërore në mes të shek XIX, kur pas Luftës së Parë Opium, forcat britanike e hapën qytetin për tregti të jashtme. Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara zhvatën koncesione. Investimet filluan të buronin dhe bizneset e jashtme ndërtuan tempuj të pafund tregtie përgjatë Bundit, linja e ndërtesave të shek 20 përgjatë Lumit Huangpu. Popullsia e të huajve u rrit deri në 70.000 në vitin 1932 dhe u dyfishua në dekadën pasuese për shkak se rusët që arratiseshin në regjimin stalinist dhe hebrenjtë që u shpëtonin nazistëve gjetën aty një qytet të shenjtë. Shangai i vjetër njihej më parë si Parisi i Lindjes për kosmopolitanizmin e tij, por në të vërtetë ishte më internacional se çdo vend tjetër i botës.
Të gjitha këto u përgjysmuan për shkak të regjimit komunist të vendosur në vitin 1949 kur komuniteti i huaj u arratis në masë dhe rezidentët e Shangait u dërguan nëpër provinca për të ndihmuar në zhvillimin e industrisë kombëtare. Kina më pas u mbyll për tre dekada rresht, por mondaniteti i Shangait nuk u shua kurrë plotësisht. Ylli i spektaklit Cao Kefan, i cili është diplomuar në Universitetin St. John's në vitin 1949, kujton se si babai i tij i mësonte anglisht dhe japonisht kur ishte fëmijë, atëherë kur gjuhët e huaja nuk ofroheshin më në shkolla.
Pas vitit 1949, qytetarët e Shangait mësuan disa leksione të dhimbshme poshtërimi, sidomos nga ana e Pekinit. "Kur studioja në Pekin në fund të viteve '70 dhe në fillim të viteve '80, komplimenti më i mirë që kam marë nga një shok klase ishte se nuk dukesha sikur vija nga Shangai", thotë Qiu, novelisti i cili është rritur në Shangai dhe tani jeton në SHBA. "Ishte diçka negative". Në ditët e sotme kur çdo ide inferioriteti është zhdukur, shumë njerëz në Shangai kanë nostalgji për madhësinë e së shkuarës. "Zemra e njerëzve në Shangai tashmë po i rikthehet shkëlqimit të viteve '30 dhe '40. Të gjithë duan t'i kthehen lavdisë së atëhershme".
Lavdia e mëparshme e Shangait erdhi si nxitje e perëndimit. Tani, Shangai po e rikthen atë sipas mënyrës së saj dhe kjo është arsyeja e interesit të lartë për kulturën dhe gjuhën lokale. Në dhjetor, kur dy prezantues të një emisioni në radio "Moving 101" po bisedonin me njëri-tjetrin në dialektin e Shangait midis pauzave të këngëve, një dëgjues dërgoi një letër ankimimi duke shprehur neverinë e tij për këta dy njerëz që nuk flisnin gjuhën standarde Mandarin. Për kënaqësi të spikerëve të tij, drejtori Xiao Jun, iu përgjigj dëgjuesit duke i thënë se bënte mirë të largohej nga qyteti. Edhe emigrantët shekullorë ndihen të përjashtuar. "Jetoj këtu prej shumë e shumë vitesh", thotë Beryl Wang, një dizenjues 50-vjeçar nga Taivani, i cili zotëron një dyqan modern. "Por, për shkak se jam i jashtëm vazhdoj të ndiej se njerëzit më trajtojnë ndryshe". Wang qëndron aty pasi qyteti ofron atë lloj shansi që nuk mund ta gjesh askund tjetër. "U dashurova pas energjisë shpërthyese të Shangait", thotë ajo.
Qyteti i zgjedhjeve të shumta
Ky është qëndrimi që prentendon se do ta bëjë Expon e Shangait një ekstravagancë të veçantë. Organizuesit e eventit janë të bindur se ky nuk është thjesht një çështje tregtare. Panairet botërore mund të jenë vërtetë thjesht një unazë që tani është në dorën e tyre, por ashtu siç bëri edhe me Lojërat Olimpike në Pekin, Kina po mirëpret me zemërgjerësi edhe expon. Në 5 kilometra katrorë të ish-zonës portuale në jug të qendrës së Shangait, qëndrojnë më shumë se 100 pavione.
"Shumica e kinezëve nuk kanë shanse të udhëtojnë jashtë shtetit", thotë Wu Jianmin, ish-ambasador i Kinës në Francë, i cili promovoi edhe ofertën e Kinës për panairin Expo 2010. "Por, me anë të Shangai expo, ata kanë shansin të shikojnë me sytë e tyre se si është zhvilluar bota".
Për të prezantuar një eventë të denjë për të, Shangai ka harxhuar mbi 58 bilionë dollarë, sipas medias zyrtare kineze. Metroja është zgjeruar në mënyrë masive, aeroporti i qytetit Hongqiao ka shtuar një terminal të ri gjigand, punëtorët kanë harxhuar tre vjet për të ristrukturuar Bondin, për të lehtësuar trafikun nëntokë dhe duke zgjeruar më tej shëtitoren e saj të famshme përgjatë bregut të detit. Për më tepër, kompania Hongkong & Shanghai Hotels Ltd, inauguroi Gadishullin Shangai të ri në mars. Kompania drejtohet nga familja Kadoorie, rrënjët në Shangai të së cilës fillojnë që në vitet '90, kur Ellis Kadoorie, një çifut i Irakut u shpërngul në këtë qytet. Për të kurorëzuar majën e rizhvillimit të Bundit, qyteti ka caktuar artistin italo-amerikan, Arturo Di Modica, për të skulpturuar një dem, si ai që ndodhet në Wall Street-in e New Yorkut, për të reflektuar qartë ambiciet e Shangait për t'u bërë qendra botërore financiare.
Por, me vrapin e saj të shpejtë drejt së resë, Shangai po humb ato gjëra thelbësore që e bënin unik.
"Ana negative i gjithë këtij modernizimi është se në 18 muajt e fundit, ndoshta kemi humbur më shumë nga ndërtesat tona të vjetra seç mund të kishim humbur në një shekull", thotë shkrimtari Paul French, i cili prej vitesh jeton në Shangai.
Ndjenja të çuditshme
Ashtu si panairi botëror Expo, liderët e Shangait janë të përqendruar në krijimin e një të ardhmeje më të mirë. Në të njëjtën kohë, qyteti ka qenë qendra e kativizmit të Kinës Urabane që dëshiron të bllokojë kërcënimet ndaj jetës. Në vitin 2008, qytetarët e Shangait bënë një sërë protestash kundër planit për të zgjeruar ngritjen magnetike në ajër të qytetit apo të sistemit hekurudhor, pasi i trembeshin një zhvlerësimi të pronave të tyre, madje edhe rreziqeve që i kanoseshin shëndetit. Në distriktin Minhang, një zonë e re me komplekse apartamentesh dhe zonash të gjelbra, ndjenja e përçmimit të burokracisë është e fortë. "Disa zyrtarë të qeverisë shpërdorojnë me paturpësinë më të madhe burimet tokësore dhe hapësirat urbane", shkruajti kohët e fundit një kritik anonim në një gazetë. "Ky është një krim kundër nesh dhe kundër brezave të ardhshëm".
Protestat nuk janë revolucionare, por për të nxitur autoritetet që të mendojnë për kërkesat e qytetarëve në mënyrë që të ndihen më të pasur dhe më të sigurtë ndaj të ardhmes së tyre. Me Kinën që sa vjen e bëhet më e pasur dhe më e urbanizuar, qytetet e tjera do të shikojnë se si Shangai do të përballojë dhimbjet e saj.
Qyteti kënaqet tejmase duke qenë në qendër të vëmendjes. "Ne, qyetetarët e Shangait, jemë mësuar që të bëhemi objekt interesi", thotë humoristi Zhou gjatë shout të tij. "Shumë e shumë njerëz na kanë zili kur ne ecim mirë dhe nuk kanë mëshirë për ne kur jemi keq. Këtyre njerëzve do t'u thoja: 'Ne, qytetarët e Shangait, preferojmë të jemi objekt zilie dhe jo mëshire'". Mijëra njerëz në sallë brohorasin të ekstazuar. Ata e dinë mirë që qyteti i tyre tashmë është në majë të botës, aty ku duhet të ishte.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers