Que viva Mexico!



Në majin e vitit 1910 u shfaq në qiell Kometa Halley. Fshatarët e moshuar meksikanë, besnikë të besimeve të paraardhësve të tyre, parashikuan luftë, vdekje dhe uri. Fatkeqësisht, ndryshe nga horoskopët modernë, ato parashikime rezultuan të saktë: gjashtë muaj më vonë, Meksika u përfshi nga një prej revolucioneve më të gjatë dhe më të dhunshëm të nëntëqindës. Pothuajse një milionë vetë gjetën vdekjen në dhjetë vitet e asaj që u transformua shumë shpejt në një luftë civile.
Konflikte klasash
Luftohej për tokën, por edhe për pushtetin: nga njëra anë ishin campesinos (fshatarët vendës) të udhëhequr nga Emiliano Zapata, Pancho Villa dhe të tjerë luftëtarë, nga ana tjetër ishte ushtria federale e presidentit meksikan Porfirio Diaz (dhe pasardhësve të tij). "Struktura politike e Meksikës, ashtu si ajo e shumë vendeve të tjerë të Amerikës Latine, në fundin e viteve tetëqind ishte vetëm në dukje demokratike", shpjegon Manuel Plana, docent i historisë së Amerikës Latine në Universitetin e Firences.
Pavarësisht progresit të bërë në fundin e viteve tetëqind, i favorizuar nga investimet e huaja në sektorin minerar, në fshatra fshatarët punonin ende si indigjenët pas mbërritjes së Kolombit. Campesinos jetonin pothuajse si skllevër nën varësinë e një grupi të vogël pronarësh tokash. Në jug të vendit gjërat nuk ishin më mirë: latifondistët sigurisht që nuk kishin probleme të rrisnin pronat e tyre duke aneksuar fusha prej të cilave shpronësoheshin komunitetet indigjene, e gjithë kjo me mbështetjen e Diaz. "Kriza ekonomike e vitit 1907 i përkeqësoi kushtet e jetesës së atyre që punonin në qytete dhe rriti pakënaqësinë edhe në fshatra", vazhdon Plana.
Pushtet
Por pika që përmbysi vazon ishte kapja pas fronit të presidentit-padron: tashmë në qeveri prej 26 vitesh, Caudillo Diaz nuk linte fare asnjë shenjë se kish ndërmend të hiqej mënjanë. Veç kësaj, kishte modifikuar Kushtetutën për të legalizuar diktaturën e tij. E të mendosh se ishte zgjedhur herën e parë pikërisht se kishte udhëhequr, nën thirrjen "Jo rizgjedhjes", revoltën kundër presidentit Sebastian Lerdo de Tejada, i cili donte të rizgjidhej.
Kundër manive të madhështisë së Diaz, klasa e mesme meksikane gjeti udhëheqësin e saj tek Francisco Indalecio Madero. Ky i fundit, që donte ta bënte Meksikën një demokraci të vërtetë, kandidoi për president pikërisht në 1910, duke mbledhur përreth vetes një lëvizje anti Diaz të përbërë në pjesën më të madhe nga banorë të qyteteve. I shqetësuar nga ky sukses, Diaz e arrestoi rivalin e tij pak përpara votimit, me akuzën se kishte nxitur rebelimin e popullit. Dhe pa patur konkurrentë të tjerë, u rikonfirmua në postin e presidentit.
"Me zgjedhjet e 1910, punëtorëve dhe lëvizjes së Maderos iu bë edhe më i qartë ilegjitimiteti i regjimit. Aktivistët u përgatitën për kryengritje, por qeveria i parapriu, duke i burgosur. Tashmë u përkiste njerëzve të fshatrave që të manifestonin pakënaqësinë e tyre: pikërisht në këtë moment nisi revolucioni", shpjegon Plana. Me armët e varura në qafë me spango dhe imazhin e shenjtit të tyre mbrojtës të ngjitur në kapele, në veri dhe në jug të Meksikës mijëra fshatarë dhe barinj u mblodhën nën banerin e Virgjëreshës së Guadalupes, i njëjti nën të cilin kishin luftuar një shekuj më herët revolucionarët e pavarësisë së Meksikës. Në Chihuahua, Divizioni i veriut kishte uniforma me ngjyrë kaki, të blera bashkë me armët në Shtetet e Bashkuara; ndërsa ushtria e çlirimit të jugut mbante veshur pantallona të thjeshta të bardha, po ato që përdornin për të punuar në fusha. Armët e tyre, kur nuk arrinin t'ua merrnin armiqve ishin bomba të bëra vetë në shtëpi me kuti konservash të mbushura me dinamit.
Legjendarë
Këto dy ushtri komandoheshin nga krerë revolucionarë të improvizuar, por shumë të dashur: Emiliano Zapata dhe Pancho Villa. Të dy janë të mbështjellë edhe sot e kësaj dite nga një aureolë revolucionare, që historianët përpiqen më kot ta ridimensionojnë. Në fakt, është e vështirë të eliminosh nga imagjinata popullore figurën e Villas, bandolero i vetmuar gjithnjë në arrati mes maleve të Sierras. E megjithatë janë një fakt sulmet në dëm të barinjve të pasur me të cilët shfrynte urrejtjen e tij kundër oligarkisë së pronarëve të tokave si dhe nevojën për hakmarrje të punëtorëve të shtypur.
Zapata, më konkret, luftonte kundër latifondistëve për të rimarrë tokat që u ishin shkëputur komuniteteve të jugut. As njëri dhe as tjetri, nuk ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga lufta nëse kushtet për njerëzit e tyre nuk përmirësoheshin: "Populli ynë nuk ka patur asnjëherë drejtësi dhe as liri. Të gjithë tokat më të mira i mbajnë të pasurit, ndërsa ai, i shtypuri, punon nga agimi deri në perëndim. Unë besoj se në të ardhmen jeta do të jetë ndryshe, por nëse nuk do të jetë kështu, ne nuk i ulim armët", do të thoshte Villa gjatë një takimi me Zapatan në kryeqytet, në vitin 1914.
Njeriu i jugut...
Pak para të tridhjetave, të dy krerët ishin në zemër të njerëzve të tyre sepse, ashtu si ata, kishin jetuar dhe punuar në kushte të vështira në fshatra: të ndryshëm e njëkohësisht të ngjashëm, të dy do të kishin mundur të kontrollonin të gjithë vendin, por nuk gjetën asnjëherë një marrëveshje që do t'i kënaqte të dy. "Zapata mbronte me kokëfortësi të drejtën për rikthimin e tokave: megjithatë, limiti i tij ishte të qëndronte i mbyllur në realitetin e shtetit të tij, Morelos, duke mbetur i shkëputur nga pjesa tjetër e revolucionit", thotë Plana. Një sjellje që pasqyronte më së miri karakterin e errët, e heshtur e fjalëpakë dhe të rezervuar të "njeriut të jugut".
I dobët, lëkurëzeshkët, i veshur gjithmonë si një meksikan tipik: xhaketë e ngushtë, shall në qafë dhe këmishë e bardhë. Pantallonat e ngushta, me monedha argjendi të qepura në të dy anët ishin e vetmja veshje e tij: një dëshirë e kultivuar që i vogël, atëherë kur nuk mund t'i lejonte vetvetes veshje tjetër përveç rrobave të bardha të punës. Duket se fati i tij ishte vendosur nga një episod që e kishte përjetuar që kur ishte fëmijë: pronari i një haciend-e aty pranë mori me dhunë një pjesë të tokave të fshatit. Zapata pa babanë e tij të qante duke thënë: "Përse padronët na e marrin tokën?".
"Baba, kur të rritem do t'ua rimarr", i kish thënë vogëlushi. E mbajti premtimin dhe njerëzit e donin aq shumë sa që, kur e vranë, në vitin 1919 edhe të ndodhur përpara kufomës së tij, të shumtë ishin ata që nuk besonin se kish vdekur.
...dhe ai i Veriut
Po aq i dashur nga njerëzit, Villa qe megjithatë shumë i ndryshëm nga alter egoja i tij në jug. Gazmor dhe i shkujdesur, ai ishte i gjatë, i shëndetshëm dhe faqekuq. Lunatik dhe impulsiv, shpesh herë nxirrte pistoletën pa u menduar aspak dhe kishte kaq shumë pak besim sa që çdo mbrëmje ia jepte kalin e tij një ushtari dhe me një kuvertë të leshtë të hedhur krahëve shkonte të flinte në një vend të fshehtë. E megjithatë njerëzit e tij, që me dashuri atërore i thërriste "mis muchachitos ("djemtë e mi") vazhdonin ta adhuronin, sepse bashkë me ta Villa ndante rreziqet, vuajtjet dhe triumfet.
I vetmi dallim nga ushtarët e tij ishte që Villa nuk pinte dhe nuk tymoste. Ishte i apasionuar pas garave, ndeshjeve dhe luftimeve mes gjelave. Një herë ka rrëfyer: "Kam tre vese të mëdhenj: kuajt e mirë, gjelat e shëndetshëm, gratë e bukura". Njeri plot me kreativitet, gjatë betejës së tij të parë fitimtare në malin e Las Escobas i kishte mashtruar ata që e ndiqnin duke lënë Sombreron e tij të dukej mirë mbi gurë dhe duke u larguar në fshehtësi në anën tjetër. Kur ushtarët qeveritarë pushuan së qëlluari me armë, Villa dhe njerëzit e tij ishin larg tashmë.
Kjo gjetje prej filmi uestern ishte ndoshta një parathënëse e "karrierës" së tij të ardhshme kinematografike: në fakt, në vitin 1913 "njeriu i vieriut" takoi një trupë amerikane që po filmonte revolucionin. U ofroi kameramanëve mundësinë që ta ndiqnin ekskluzivisht në këmbim të gjysmës së të ardhurave nga realizimi.
Financimet
Përveç të ardhurave të siguruara nga kjo punë e dytë, revolucionarët arrinin që të mbijetonin me anë të atyre që ofronte vendi. "Ekonomia vazhdonte të prodhonte, por në vend që të jepte për shtetin apo për pronarët e mëdhenj, tashmë fitimet shkonin për revolucionarët", shpjegon Plana. "Në veri, që në fund të fundit qe tokë e barinjve, ishte më e lehtë: eksportonin dhe blinin përtej kufirit bagëtitë dhe me dollarët që siguronin blinin armë. Pronarëve u jepnin bono që do t'i shndërronin në para pas luftës".
Një tjetër burim fitimi ishin huatë që u merrnin me forcë kishave: nëse autoritetet eklesiastike nuk u jepnin të ardhura nga të tyret revolucionarëve, priftërinjtë rrëmbeheshin dhe lëshoheshin vetëm pasi paguhej një shumë e caktuar. Këto metoda u lejonin ushtrive të financoheshin dhe të fitonin kundër Diaz.
Paqe e shkurtër
Në vitin 1911 Madero (më pak i dashur por më kompetent) zgjidhet president, por qëndroi në detyrë vetëm për dy vjet: militarët konservatorë, që bashkë me elitën ekonomike meksikane druheshin se mund të vinte në zbatim reformat e revolucionarëve, e vranë gjatë një grushti shteti. Vdekja e maderos dhe ardhja në pushtet e gjeneralit Victoriano Huerto ishte shkëndija që në vitin 1913 shënoi fillimin e fazës së dytë të revolucionit meksikan: i luftuar edhe me më shumë dhunë nga tre ushtritë revolucionare të Villa, Zapata dhe ish-guvernatorit të shtetit të Coahuilas, Venusiano Carranza. "Shumë historianë mendojnë se me fundin e presidencës së Victoriano Huertas dhe Kushtetutën e re të vitit 1917 u mbyll faza revolucionare. Në fakt, kjo është periudha kur u shuan figurat kryesore të asaj dekade të përgjakur", përfundon Plana.
Në fakt, një vit pas vdekjes së Zapatas i erdhi radha vetë presidentit: në vitin 1920, pothuajse të gjithë ushtarakët u rebeluan, e ndoqën dhe e vranë teksa përpiqej të arratisej nga Meksika. Një prej gjeneralëve, Adolfo de la Huerta mori përkohësisht presidencën dhe mblodhi të gjithë fraksionet në luftë për të bindur krerët e rebelëve që të hidhnin armët. Ia doli.
Në sabinas firmosi marrëveshjen e paqes edhe Pancho Villa. Revolucionari i pamposhtur, që në marrëveshje kishte siguruar një vit pagë për njerëzit e tij, u dha një deklaratë gazetarëve: "Mund të shkruani që tashmë lufta ka mbaruar, njerëzit e nderuar dhe banditët tashmë ecin së bashku". Por Villa vetë nuk gjeti paqe: ai u vra tre vjet më vonë nga autorë që kanë mbetur misteriozë.
Një shekull më herët, lufta për pavarësi
Në Meksikë, revolucionet kanë kohët e tyre. Përgjithësisht të gjatë: meksikanët luftuan në fakt për 11 vite me radhë për të siguruar pavarësinë nga kolonizatorët spanjollë. Pikërisht një shekull më herët se sa revolucioni që u nxit prej Maderos, kishte qenë një prift që kishte shkaktuar revoltën: në 16 shtator 1810, Miguel Hidalgo y Costilla nxiti popullsinë që të rrëmbente armët nën thirrjen: "Viva la Virgen de Guadalupe! Vdekje qeverisjes së keqe! Rroftë Fernando VII!" Përmendja e mbretit spanjoll Fernando VII ishte ironike: në fakt, sovrani në vitin 1808 kish hequr dorë nga froni duke lënë që Spanja të shndërrohej praktikisht në një lloj protektorati të Francës. Çfarë do të ndodhte me kolonitë spanjolle të Amerikës? Mes atyre që pretendonin sovranitetin e Madridit mbi Meksikën dhe atyre që preferonin t'ia njihnin atë francezëve mbizotëruan indipendentistët revolucionarë (ndonëse pa Hidalgon, i pushkatuar në vitin 1811) të ndikuar edhe nga shembulli i luftës amerikane për pavarësi. Pas disa vitesh beteja e përleshjes, në 27 shtator 1821 Meksika u bë më në fund një shtet i pavarur, me Traktatin e Kordobës.
Etapat e revolucionit
1910: Porfirio Diaz okupon poltronën presidenciale për herë të shtatë. Francisco Madero, i larguar me dhunë nga zgjedhjet, u bën thirrje meksikanëve për luftë të armatosur.
1911: Zapata dhe Villa bashkohen me lëvizjen e Maderos bashkë me ushtritë e tyre të fshatarëve. Fitoret e forcave revolucionare shtyjnë Diaz që të heqë dorë nga presidenca. Madero zgjidhet president i Meksikës.
1913: Gjenerali Victoriano Huerta merr pushtetin pas një grushti shteti dhe Madero ekzekutohet. Huerta dërgon më pas trupat kundër zapatistëve në jug të vendit. Kundër tij, Villa bën aleancë me Venustiano Carranzan: të dy e detyrojnë të japë dorëheqjen një vit më vonë.
1915: Krerët rebelë nuk gjejnë një marrëveshje se si duhet rindërtuar shteti. Zapata, i kthyer në jug vë në zbatim reformën e tij agrare. Villa përplaset me Alvaro Obregon, gjeneral i ushtrisë së Carranzas (tashmë kreu i përkohshëm i qeverisë) dhe mundet.
1916: Pasi u ka dhënë një goditje të fuqishme revolucionarëve në veri, Carranza kthehet tashmë nga jugu për t'iu kundërvënë zapatistëve.
1917: Carranza bëhet president i Meksikës. Miratohet Kushtetuta e re.
1919: Zapata i kërkon Carranzas tërheqjen e ushtarëve nga shteti i Morelos, por në 10 prill revolucionari jugor bie gjatë një prite në Chinameca. Ndërkohë, Villa vazhdon luftën e tij kundër carranzistëve.
1920: Të gjithë ushtarakët bëhen bashkë kundër qeverisë së Carranzas, i cili nuk kishte zbatuar reformat e premtuara nga Kushtetuta e re. Villa ul armët dhe firmos një marrëveshje paqeje.

Google+ Followers