Pikë kthese për Lindjen e Europës


Duke lënë menjanë disa objeksione teknike dhe fërkime rajonale, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi do të integrohen plotësisht të gjitha në NATO dhe në Bashkimin Europian

Në muajt e parë të dekadës së dytë të shekullit XXI, ajo zonë e hirtë Europës euroatlantike ku Europa Lindore bie në botën passovjetike, duket pak a shumë siç ka qenë qysh nga kolapsi i perandorisë sovjetike në vitin 1991. Bjellorusia mbetet diktaturë. Tbilisi parashikon luftë me Rusinë. Kievi më i paqëndrueshëm se kurrë vazhdon të flirtojë me falimentimin kombëtar. Moska ankohet rreth statusit të saj të reduktuar dhe kërkon horizontin për interferenca të NATO-s dhe Moldavia e harruar mbetet e harruar.
Një njeri mund të falet pse mendon që asgjë realisht nuk ndryshon ndonjëherë në këtë pjesë të botës, por do ta kishte gabim. E humbur në fluksin më të fundit të raportimit lidhur me zgjedhjet e fundit presidenciale në Ukrainë, është historia më e madhe se Bashkimi Europian ka filluar më së fundi të ndërtojë një politikë lindore në emër të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara. Disi e injoruar në kundërshtitë më të fundit rreth ndërtimit të një naftësjellësi apo shitjes egoiste të një aeroplanmbajtësjeje ka qenë rreshtimi i paprecedent i tregtisë dhe institucioneve multilaterale në marrëdhëniet midis Europës dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Dhe kjo ka ndryshuar gjithçka.
Parasëgjithash, ka pasur një ndryshim themelor në mënyrën sesi funksionojnë forcat binjake të ekspansionit të NATO-s dhe të integrimit në Bashkimin Europian. Ndryshimi është në një shkallë të tillë sa që është me vend të mendohet se një po fillon një periudhë e re historike në lindjen e Europës. Thënë më shkoqur, ky ndryshim është kuptuar pak në Uashington dhe në Bruksel. E kaluara e kohëve të fundit e integrimit europian dhe ekspansioneve të shumëfishta masive në Europën Qendrore thjesht nuk është më një prolog i dobishëm për sfidat që përballojmë tani në lindjen e Europës.
Pyetjet e menjëhershme janë: Si u gjetëm në një periudhë të re historike? Kur e lamë botën dinamike, optimiste të Europës së pas 1989? Kushdo që ka marrë pjesë në samitin e NATO-s në Bukuresht në prill të 2008 duhet ta ketë ditur se periudha argëtuese e ekspansionit të NATO-s është bërë një gjë e së kaluarës. Qysh nga ftesa e Kroacisë për t'iu bashkuar Membership Action Plan (MAP) të NATO-s më 2002, nuk ka pasur më ndonjë ftesë të mëvonshme për MAP deri kur Malit të Zi iu lejua që ta fillojë procesin në dhjetor të 2009. Përtej asociimeve të vagullta me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, NATO si institucion ka ngecur në kufijtë e hapësirës passovjetike.
Ashtu si NATO, optimizmi i kufizuar dhe rriskmarrja e ndrojtur politike e Bashkimit Europian ka ngecur në Ballkan dhe bile edhe lëvizja përpara atje brenda politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian është fshehur në vajtime rreth "cfilitjes së zgjerimit" dhe llomotitjeve në burokracitë europiane rreth "partneriteteve të privilegjuara". Vitin e kaluar, Presidenti Nicolas Sarkozy dhe Kancelarja Angela Merkel qenë korrektë dhe mizorisht të sinqertë në deklarimin se asgjë nuk duhet të ndodhte në ekspansion apo në integrim që mund të zëvendësonte ratifikimin e Traktatit të Lisbonës me rrezikun më të vogël politik. Këto qenë të gjitha shenja paralajmëruese se një periudhë e jashtëzakonshme politike në Europë - që shtrihej në mbi 20 vjet, nga rënia e Murit të Berlinit nëpërmjet integrimit të pothuajse 110 milionë "europianëve të rinj" - po përfundonte.
Një fazë e re
Fillimi i një periudhe të re historike, më e dukshme në lindjen e Europës, ndodhi diku në vitin 2009 dhe u shkaktua dhe u shoqërua nga katër spostime të mëdha në gjeopolitikë. Nëqoftëse shikojmë veçmas në secilën prej tyre, mund të fillojmë të shikojmë konturet e një politike të re në lindjen e Europës.
Ngjarja më e rëndësishme në vitin 2009 qe padyshim ekonomike. Ka pak dyshim se shkatërrimi i një integrimi në shkallë të gjerë si strategji e madhe e Perëndimit u shkaktua nga recesioni global. Efektet proteksioniste, izolacioniste dhe inflacioniste që na u paraprinë nga historia e viteve tridhjetë nuk ndodhën, por hareja jonë për ekspansion dhe globalizim ra më shpejt sesa Lehman Brothers. Brenda natës, strategjia u kthye në të kundërt më shumë sesa në internacionaliste - ruajtëse më shumë sesa aktiviste. Pretendimet që "liria është universale", "demokracia është historikisht e pashmangshme" dhe "ka ardhur Fundi i Historisë" thjesht u hoqën nga debati politik dhe, pas pak muajsh, dukeshin të çuditshme dhe të pazakonta sa femrat dhe kërcimi Charleston duhet të jenë dukur gjatë thellësive të Depresionit të Madh. Preokupimet për defiçitin buxhetor grek dhe tregun imobiliar të Spanjës shpejt do të bëheshin më urgjente sesa çdo ekspansion europian i mëtejshëm.
Përgjithësisht, mendoj se elitat europiane e keqkuptuan këtë ndryshim si "efektin Obama". Nëqoftëse është kështu, ata e kishin tejet gabim. Siç Brukseli e kupton më mirë se çdo kryeqytet në Europë, ekspansioni dhe integrimi janë tharje të mëdha në kapitalin politik dhe financiar. Nga marsi i 2009, në mungesë të plotë parash dhe kurajoje, objektivat politike duhej të ndryshonin.
Së dyti, pati një kthesë të konsiderueshme ideologjike të shkaktuar nga lufta ruso-gjeorgjiane në gusht të 2008 dhe gjatë muajve që pasuan luftimet. (Argumenti në fjalë rreth faktit se cila palë mban akuzën më të madhe për fillimin e luftës nuk ka asnjë rëndësi për shkak se fakti i thjeshtë i luftës qëndron në politikën ndërkombëtare). Konflikti ruso-gjeorgjian qe një goditje katastrofike për themelet ideologjike të politikës së jashtme amerikane në hapësirën passovjetike dhe, në një shkallë më të vogël, por sërish të konsiderueshme, me përpjekjet promovuese të demokracisë anembanë botës.
Në terma të përgjithshme, politika amerikane dhe europiane ndaj vendeve ish-sovjetike është vërtitur rreth një grupi objektivash "tingëllojnë mirë, ndjehem mirë", të cilat me kalimin e kohës supozohej që ta transformonin botën passovjetike në një version sllav të papërfunduar të Europës Qendrore. Marrëdhënia me Rusinë duhet të çmilitarizohej. Konfliktet e ngrira do të shkriheshin në diplomaci multilaterale. Demokracitë lindore (të cilat, me që ra fjala, kurrë nuk hyjnë në luftë me njëra tjetrën) do të fokusoheshin në vitalitetin e parlamenteve, shoqërive civile dhe ekonomive të tyre dhe, mbi të gjitha, lufta - kjo relike e frikshme e Europës së shekullit XX - thjesht ishte jashtë çdo diskutimi.
Në të vërtetë, natën e 7 gushtit 2008, Gjeorgjia, më premtuesi i revolucioneve me ngjyra, dhe Rusia, objekti i diplomacisë perëndimore qysh nga 1989, filluan të lëshojnë flakë ndaj njëri-tjetrit, jashtëzakonisht të shkujdesur për dëmin që po i bënin parimeve ideologjike të promovimit të demokracisë dhe aktivizmit ndërkombëtar në pjesën tjetër të botës euroatlantike. Fatkeqësisht, lufta ruso-gjeorgjiane nuk mund të arkivohet si incident kufitar; e gjithë Armata e 58-të e Federatës Ruse u angazhua në operacione luftarake. Katastrofa për ideologjinë e demokracisë që pranimi i pashmangshëm se lufta ruso-gjeorgjiane qe e parandalueshme, megjithatë nuk u parandalua. Pretendimi qendror për zgjerimin e sistemit të shteteve demokratike është se ky grupim jo vetëm që është i përshtatshëm për begati më të madhe, por gjithashtu se është jashtëzakonisht efektiv në zgjidhjen e konflikteve potenciale dhe në parandalimin e luftës.
Pa dyshim, ka pasur disa lëkundje në veprim qysh nga 2003, teksa plani me synime të mira i Amerikës për të larguar Saddam Hussein, mbrojtur popullin e Irakut dhe rindërtuar një demokraci funksionuese filloi që të dalë nga binarët. Por gjëra si kjo ndodhin në vende kaq të pazakonta dhe shpesh mund t'i atribuohen një dështimi të taktikave dhe të planifikimit. Ama kur ushtritë hyjnë në luftë në kufijtë e Europës, siç bënë në luftën ruso-gjeorgjiane, ajo shkakton një krizë në nivelin e teorisë nga e cila politika ekzistuese nuk mund të shërohet menjëherë. Pothuajse brenda natës, ekonomia zëvendësoi ideologjinë në leksikun politik amerikan dhe multilateralizmi u spostua menjanë në mbetjet e fundit të mendimit hegjemonist në politikën amerikane. Për pasojë, me fillimin e presidencës Obama, pati një recesion global në shkallë të plotë i shoqëruar nga një krizë e thellë në teorinë sesi mund të eksportohet demokracia.
Së treti (duke pasur në mendje se po shikojmë ngushtësisht në këto ngjarje politike botërore, nëpërmjet syzeve sesi ato prekin lindjen e Europës), kriza ekonomike dhe dështimi i diplomacisë amerikane për ta parandaluar luftën ruso-gjeorgjiane e detyroi administratën që po vinte Obama që t'i rikonsideronte interesat kombëtare amerikane në botën euroatlantike lindore - duke nënkuptuar në vendet e Eastern Partnership, Rusinë, Kaukazin dhe Azinë Qendrore. E influencuar nga mungesa e kapitalit, e zverdhur nga luftërat e shumta dhe ndoshta vetëm e etur për të qenë "jo Bush", administrata e re pranoi (në mënyrë korrekte, mendoj unë) se nëqoftëse dikush i flak tej dëshirat - atë trupë autoktone shpresash, evangjelizmi dhe eksepsionalizmi që i ka detyruar amerikanët të vrapojnë rregullisht për ta shpëtuar botën qysh nga historia më e hershme e vendit të tyre - atëhere Shtetet e Bashkuara janë interesa të sigurisë kombëtare "hard" mjaft të kufizuara në zonën euroatlantike lindore. Kur një fuqi e madhe e rikalibron përkufizimin e interesave të saj në një zonë të gjerë si ajo euroatlantike, kjo ka një domethënie kërkon sqarim.
Ndërsa tregjet dhe besimi ynë ideologjik po binin, një përkufizim i gjerë (dhe për disa rrezikshmërisht universalist) i interesave amerikane po binin bashkë me to. Në mënyrë domethënëse, sqarimi i parë i ripërkufizimit të interesave të administratës Obama u bë në riformulimin e politikës ruse, që u shfaq në mënyrë qesharake me politikën e përgjithshme "reset" në konferencën vjetore të Mynihut lidhur me Politikën e Sigurisë në shkurt të 2009. Çfarë po përpiqeshin të thonin këta zyrtarë disi të çorientuar në ditët e para të administratës Obama?
Megjithëse kuptimi sesa grupe bilaterale mund të vallëzonin në majën e një gjilpëre ruse do t'i harxhonte Shtëpisë së Bardhë shumë muaj të tjerë, Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates tashmë e kishte shfaqur premisën strategjike në deklaratën e tij se Rusia thjesht nuk ishte rrezik. Ajo çka ai nënkuptonte ishte diçka paksa më delikate. Rënia në ekonominë globale dhe paqëndrueshmëria në rritje në Kaukazin Verior dhe, më së vonshmi, Kaukazin Jugor i kish detyruar Shtetet e Bashkuara të konkludonin se paqëndrueshmëria politike, brishtësia ekonomike dhe izolimi ndërkombëtar rus qenë kërcënime shumë më të mëdha ndaj interesave amerikane sesa perspektiva e largët e fuqisë dhe e begatisë ekonomike ruse, që, krahasuar me alternativat më të errëta të sipërpërmendura, Amerika do t'i mirëpriste.
Përpara fundit të shkurtit 2009, ndërvarësia ekonomike midis Rusisë dhe Perëndimit - deri më atëherë një Ostpolitikë shrëderiane e dyshimtë si kolaboracioniste - uzurpoi neofrenimin si doktrinën e rënë dakord të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës. Qysh nga koha kur George Kennan shkroi Telegramin e Gjatë të tij, Uashingtoni nuk kish rënë kaq shpejt dhe plotësisht në dashuri me një doktrinë që qeveris politikën ruse. Pothuajse brenda natës, Uashingtoni rizbuloi efektet e shëndosha të teorisë së tregtisë liberale dhe sharmet e diplomacisë klasike europiane.
Qysh nga koha kur David Ricardo e refuzoi merkantilizmin duke pretenduar se tregtia u lejonte të dyja palëve të fitonin, interpretuesit politikë të ekonomisë kanë bërë pretendimin shtesë se tregtia në vetvete mund të veprojë si një dorë e padukshme për t'i vendosur vendet në marrëveshje politike. Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, e rafinoi këtë argument përsa i përket Rusisë, duke argumentuar se shkëmbimi i gazit natyror rus për para në dorë europiane do të krijonte një marrëdhënie ekonomike të ndërvarur që do të siguronte themelin për angazhime politike fitimprurëse të qëndrueshme dhe reciproke. Si shumë europianë të tjerë përpara tij, Steinmeier argumentoi gjithashtu se është ndoshta e urtë të mos shpohej ariu rus me shkop teksa përpiqeni të bëni biznes me të. Saktësisht pse fjalimshkruesit të Shtëpisë së Bardhë ndjenë nevojën për t'i emërtuar këto ide ekskluzivisht europiane rreth Rusisë si "Reset policy e Presidentit Obama" mbetet mister.
Karakteristika të politikës së re lindore
Konvertimi i recesionit global dhe zhgënjimi ideologjik që stimuloi një delimitim ndërkombëtarisht të interesave amerikane dhe një rikonsiderim të politikës ruse ndaj Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Francës qenë më shumë se të mjaftueshme për të shënuar një fund të riorganizimit të shpejtë të një Europe më të gjerë, që ka vepruar me shpejtësi për 20 vitet e mëparshme. Në muajt e parë të presidencës Obama, konturet e një periudhe të re historike po bëheshin të qartë.
Politika e "derës së hapur" e Europës, e cila ishte krijuar me shpresën që një valë e tretë ekspansioni shpejt do të pasonte raundin e Vishegradit të 1999 dhe raundin e Vilnius rreth 2004, u nda në dy dyer të ndryshme që pasqyronin një kuptim të ri se tani kishte vende aspiruese që ngjanin pak ose aspak me Poloninë, Republikën Çeke apo Hungarinë. Rruga klasike e ekspansionit, e shoqëruar me Poloninë - fillimisht NATO-n dhe më pas, në mënyrë të pandalshme, anëtarësim në Bashkimin Europian - qe tani një derë e hapur vetëm për vendet ballkanike, të cilat qenë mbuluar nga premtimi kategorik i integrimit të plotë të bërë në Komunikatën e Selanikut. Duke lënë menjanë disa objeksione teknike dhe fërkime rajonale, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi, bile edhe Maqedonia e Serbia - dhe të paktën teorikisht Bosnja dhe Kosova - eventualisht do të integrohen plotësisht të gjitha në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Por dera e dytë, një trajektore e re passovjetike, do t'u rezervohej fqinjve lindorë të Europës. Këto vende nuk do të ishin kandidatë në vetvete, por më shumë partnerë. Ukraina dhe Gjeorgjia do të ndërvepronin me NATO-n dhe Bashkimin Europian nëpërmjet shoqërimesh ambige shumë të ndryshme nga termat e pashmangshmërisë historike të përfshira në Komunikatën e Selanikut. Dera e dytë e hapur nuk garanton anëtarësim, por as nuk e përjashton atë. Trajektorja passovjetike nuk është ateiste lidhur me ekspansionin e mëtejshëm; ajo është agnostike. Megjithëse politika ndaj partnerëve lindorë nuk pasqyron besimin se ka demokraci evropiane përtej Bratislavës, ajo është një derë e hapur sepse autorët e saj janë të hapur ndaj mundësisë të një besimi të tillë në të ardhmen. Një agnosticizëm iluminist është tani karakteristika përcaktuese e politikës lindore të Perëndimit. Ajo është tejet e ngjashme me atë çka mund të quhet "trajektorja turke" në termat e marrëdhënieve me Bashkimin Europian, të cilën do ta diskutoj më tej më poshtë.
Karakteristika e dytë e madhe e fazës së re të historisë ka të bëjë me NATO-n. Në lindjen e Europës, NATO është e vdekur. Siç e sugjerova më parë, ajo vdiq në samitin e Bukureshtit të NATO-s në prill 2008. Por do të ishte gabim të konkludoje, siç bëjnë disa, që NATO u vra nga diplomacia agresive e Rusisë. Ajo vdiq nga një vdekje natyrale parëndësie. Problemi themelor i fqinjve të afërm passovjetikë, si puna e Ukrainës, është paqendrueshmëria politike, e cila nga ana e saj kontribuon në keqfunksionimin ekonomik dhe falimentimin potencial kombëtar. Lidhur me këtë, NATO nuk di asgjë.
Në terma relativë, Ukraina nuk ka ndonjë kërcënim të jashtëm sigurie dhe në mënyrë korrekte e shikon hyrjen në NATO si një harxhim të kotë financiarisht dhe politikisht. Rënia e rëndësisë së NATO-s në Ukrainë mund të shikohet në mbështetjen publike për të, e cila ka rënë në mënyrë të pandalshme në çdo qeveri qysh nga kulmi i saj në mesin e viteve të Presidentit Leonid Kuchma. Për të qenë i saktë, është thjesht shumë herët për NATO-n në Ukrainë dhe Moldavi. NATO nuk mund ta garantojë Ukrainën ndaj kërcënimit që paqendrueshmëria politike i paraqet asaj vetë dhe nuk mund t'i përmirësojë rrethanat ekonomike që paraqet një kërcënim ekzistencial ndaj familjeve dhe jetëve të ukrainasve. Politika në lindjen e Europës është në nivelin e një "politike libri xhepi" dhe deri kur elektoratet të arrijnë një nivel minimal sigurie ekonomike atraksioni i një organizate sigurie të përbashkët është jashtëzakonisht i kufizuar.
Ose ndoshta do të ishte më e saktë të thuhej se atraksioni i NATO-s duhet të jetë jashtëzakonisht i kufizuar për ato vende që dalin më shumë nga kolapsi i sistemit ekonomik dhe social i Bashkimit Sovjetik sesa nga pushtimi sovjetik. Eksepsionet e këtij rregulli janë vendet ku "konfliktet e ngrira" nga prishja e perandorisë mbesin brenda kufijve të tyre. Eksepsioni më i natyrshëm është Gjeorgjia, e cila kërkon ndihmën e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara në marrjen e Oshecisë së Jugut dhe të Abkhazisë, të marra nga Gjeorgjia në spastrimin etnik të luftërave të 1991 dhe 2008. Ashtu si Gjeorgjia, Azerbajxhani kërkon aleatë në marrjen e Nagorno-Karabakh, ndërsa Armenia e shikon Membership Action Plan të NATO-s si mbrojtje diplomatike për Nakorno-Karabakh. Vetëm Moldavia duket se pranon që aleanca ushtarake nuk e huazon veten për zgjidhjen e konflikteve të ngrira.
Eksepsioni gjeorgjian paraqet një problem për politikën lindore të Europës, ashtu si nacionalizmi intransigjent ka paraqitur gjithmonë një problem për idetë paneuropiane. Miti kombëtar i fitimit të territorit të humbur i Gjeorgjisë është thjesht më i rëndësishëm për shumicën e gjeorgjianëve sesa ideja e bashkimit me një komunitet europian, pak a shumë në mënyrën sesi imperativi i historisë serbe shpesh futet në rrugën e integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Analitikisht, cilado politikë që Europa do të zgjedhë do të duhet t'i ndajë vendet passovjetike - që mbesin në një zonë lufte, me të gjitha pasionet politike të saj - nga vendet ku kujtesa e spastrimit etnik është mjaft larg sa që izolimi ekonomik i tyre duket problemi më i madh.
Reperkusioni i natyrshëm me largimin e NATO-s nga lindja e Europës është rritja dramatike e Bashkimit Europian si fuqi përkufizuese normative në marrëdhëniet me partnerët lindorë. Lindja e Europës është krejtësisht provinca e Bashkimit Europian në mënyrën që fusha gjermanolindore qe krejtësisht provinca e NATO-s një çerekshekulli më parë. Vendosjet e zyrtarëve në Komisionin Europian, të tillë si Komisioneri Stefan Fule dhe zëvendësi i tij Hugues Mingarelli, kanë shumë më tepër impakt në jetët, vendet e punës dhe të ardhmet e ukrainasve të thjeshtë sesa politikat dhe Membership Action Plans e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen. Dhe kjo nuk është aspak një gjë e keqe.
Hapësira passovjetike është dhe duhet të jetë gjeoekonomike përpara se të bëhet sërish gjeopolitike. Nuk është pa vend të mendohet për lindjen e Europës si Europë paragjeopolitike. Nëqoftëse njeriu shqyrton semantikën e dialogut të Europës me lindjen e saj, ai është i dominuar nga terma të tilla si marrëveshje e tregtisë së lirë, liberalizim vizash, sistem tranzit gazi dhe kushtëzim i ndihmës së Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky është fjalori i rigjallërimit dhe i zhvillimit ekonomik. Është krejtësisht i ndryshëm nga retorika demokratike e Presidentit George Bush në fjalimin e tij në Sheshin e Lirisë në Tbilisi dhe nuk ka asgjë të ngjashme me sloganet popullore dhe populiste të revolucioneve me ngjyra dhe, ndoshta, ky postim është maturimi normal i demokracive lindore. Në traditën tonë, teoritë ekonomike liberale të Adam Smith dhe David Ricardo i paraprinë Shpalljes së Emancipimit për pjesën më të mirë të një shekulli.
Por nëse zhvillimi ekonomik duhet ose jo t'i paraprijë dhe të shoqërojë ajkën e një demokracie evropiane, zhgënjimi me premtimin e revolucioneve me ngjyra në Gjeorgji dhe Ukrainë është bërë karakteristikë domethënëse e karakterit politik të Europës Lindore. (Këtu nuk po i referohem zhgënjimit të ish-entuziastëve të revolucionit të trëndafiltë dhe portokalli, midis të cilëve përfshij veten. I referohem zhgënjimit të gjeorgjianëve dhe të ukrainasve). Pika e rëndësishme për politikën qëndron në frustrimin e njerëzve, të cilët shpresonin që ndryshimi radikal politik do ta përmirësonte menjëherë cilësinë e jetëve dhe të qeverisë së tyre.
As revolucionet me ngjyra nuk çuan në demokracinë që imagjinonim. Pavarësisht reformave fillestare premtuese të Presidentit Mikheil Saakashvili, në terma të përgjithshëm, demokracitë lindore revolucionare janë karakterizuar nga forma eksentrike carizmi, paqendrueshmërie, lufte dhe shpenzime të mëdha në subvencione dhe pensione (në Ukrainë) dhe në armë e shërbime sigurie banditeske (në Gjeorgji). Diku në vitin 2009, Revolucioni Portokalli e humbi lidhjen e tij historike me Revolucionin e Kadifenjtë dhe kryeqytetet perëndimore pushuan së menduari për Ukrainën si vendi i prapambetur kushëri i Polonisë. Tani është e dukshme se të gjithë liderët e "demokracive gulash" të lindjes janë disa forma Cari relativisht të mirë ose thellësisht të keq, nëse flasim për Victor Yushchenko, Ilham Aliyev, Mikheil Saakashvili, Vladimir Putin apo Alexander Lukashenko. Për të qenë të saktë, ne tani pranojmë se këta janë presidentë caristë (ose kryeministër këtë vit në Rusi) me parlamente që performojnë keq dhe shoqëri civile të pazhvilluara që janë thellësisht ndryshe nga demokracitë robuste parlamentare të pjesës tjetër të Europës.
Ajo çka doli nga ky rivlerësim i realiteteve ekonomike dhe i kushteve demokratike në lindjen e Europës qe një kuptim se trajektorja e shteteve passovjetike në marrëdhëniet e tyre me Europën mund të përshkruhej më mirë si "trajektorja turke". Me këtë nënkuptoj se shumë si marrëdhënia që ka ekzistuar midis Bashkimit Europian (dhe organizatave të mëparshme të tij) dhe Turqisë qysh nga viti 1963, kur Turqia iu bashkua Komunitetit Ekonomik Europian, marrëdhënia e Bashkimit Europian me Ukrainën dhe shtetet e tjera passovjetike do të konsideroheshin shumë si një zbulim shumëvjeçar i identitetit kombëtar sesa një proces formal integrimi. Megjithëse marrëdhëniet me të ngushta të Turqisë me Bashkimin Europian filluan në 1963 me hapjen e tregjeve, nuk ka qenë deri në zgjedhjet e 2003, kur Kryeministri Recep Tayyip Erdogan dhe Partia AHK erdhi në pushtet, që u bë e qartë se Turqia qe shumë më afër një demokracie të moderuar islamike sesa vizioni i Kemal Ataturkut i një shteti laik luftarak me një shtab të përgjithshëm prusian. Çështja e identitetit ka qenë në zemër të marrëdhënies turko-evropiane të paktën për 47 vitet e fundit dhe vetëm tani po merr formë më të mprehtë.
Një kërkim i ngjashëm për identitet ka ndodhur në Ukrainë për 5 vitet e fundit në formën e një beteje politike në zhvillim për të vendosur nëse Ukraina është blu apo portokalli, proruse apo proeuropiane, lindore apo perëndimore. Zgjedhja e Victor Yanukovych si President më 7 shkurt dhe formimi koalicioneve drejtuese rajonale në Radë do të fillojnë të sqarojnë se qendra e politikës ukrainase qëndron në Donbasin rusishtfolës, sllav, rastësisht ortodoks, industrial dhe oligarkik, jo në elitën e evropianizuar të Kievit. Do të më dukej mua se xhungla e fraksioneve rajonale, industrialistëve të fuqishëm dhe teknokratëve premtues që është tani mazhoranca qeverisëse në politikën ukrainase është në njëfarë mënyre më autentike dhe më përfaqësuese e Ukrainës sesa performancat heroike dhe të lodhshme potjemkinase të liderëve të mundur portokallinj. Megjithëse shpresat për qeverinë aktuale janë tejet më të ulëta se shpresat në 2005, pas revolucionit portokalli, shpresa më realiste mund ta ndihmojnë Europën që ta prishë modelin e zhgënjimit të vazhdueshëm në përpjekjet e saj për ta ndihmuar Ukrainën.
Por, pavarësisht shijes së qeverisë së parë pasportokalli në Ukrainë (këtë vit ose në vitet në vazhdim) ky do të jetë vetëm një hap në zbulimin reciprok të identitetit që do të zhvillohet midis Ukrainës dhe Bashkimit Europian për pjesën më të madhe të kësaj dekade. Në mënyrë shumë të ngjashme me etapat e para të marrëdhënieve të Turqisë, guri i parë i themelit në "trajektoren turke" të Ukrainës do të jetë negocimi i një marrëveshjeje për tregtinë e lirë me Bashkimin Europian. Njeriu shpreson se kjo shpejt do të pasohet nga liberalizimi i udhëtimit dhe më pas do të ecet nëpër një progresion asociimesh joanëtarësuese më të afërta.
Ndryshe nga periudhat e mëparshme të ekspansionit, kur problemi qendror ishte "jo nëse, por kur", Europa tani ka nevojë të dijë se kush është Ukraina. Ne jemi në një fazë të kushtëzuar historike kur po habitemi nëse Ukraina mund të bëhet anëtare. Megjithatë, ekziston një keqkuptim rreth faktit se ku qëndron pesha e vendimmarrjes lidhur me çështjen nëse Ukraina futet ose jo në një rrugë anëtarësimi apo, me që ra fjala, Turqia qëndron në të. Pikëpamja popullore është se Europa i ka të gjitha kartat dhe se Kievi dhe Ankaraja janë në mëshirën e gjykimit të Brukselit. Por kjo është shumë si disa të rinj në një dhomë zhveshjeje që përpiqen midis tyre se cilën vajzë do të marrin në shtëpi atë natë. Meshkujt mendojnë se ata vetëm do ta bëjnë zgjedhjen, por nuk është kështu. Njëlloj si femrat, shtetet sovrane kanë një mendje të tyren dhe meshkujt - bile edhe zyrtarët e lartë në Bashkimin Europian - mund ta gjejnë veten duke pritur për një kohë relativisht të gjatë për vendimin e tyre.
Dyshoj se do të duhen vite përpara se ukrainasit do të marrin një vendim përfundimtar se e ardhmja e tyre qëndron brenda institucioneve europiane. Tashmë ata kanë sugjeruar se nuk do ta marrin në konsideratë anëtarësimin në NATO deri në një referendum kombëtar që është minimumi midis 5 dhe 7 viteve në të ardhmen. Ajo çka është në lojë në "fazën shoqëruese" të Eastern Partnership është nëse Ukraina mbetet një Moldavi veriore e izoluar dhe e prapambetuir apo evoluon në një Norvegji lindore, një partner kyç i Bashkimit Europian në vlera dhe energji, por jo anëtar i plotë.
Nga fundi i këtyre shoqërimeve, identitetet moderne të Ukrainës dhe Turqisë do t'u bëhen të dukshme shtetasve të tyre dhe Bashkimit Europian. Është e imagjinueshme që Bashkimit Europian më pas do t'i duhet të vendosë nëse e do një Turqi islamike apo një Ukrainë passovjetike brenda institucioneve të Europës, por është gjithashtu e mundshme që një ose të dyja vendet mund të kenë bërë zgjedhje të tjera nëse Bashkimi Europian ka pasur ndonjëherë një vendim real për të marrë.
Ndryshime në ekonominë politike
Shpesh njeriu bën më shumë progres në kuptimin e ndryshimeve në ekonominë politike të zonës euroatlantike nëpërmjet shqyrtimit rastësor të sipërfaqes sesa nëpërmjet përpjekjes për të përkufizuar forcat strukturore që po sjellin ndryshim historik. Kështu që le të harrojmë pllakat tektonike dhe thekset gjeopolitike dhe le të hedhim një vështrim për të parë se cilat ngrehina po lëkunden. Të mëposhtmet janë pasojat e shpejta të argumentave që kam ofruar:
1- NATO vepron në Afganistan, jo në lindje të Europës. Në fund të ditës, NATO do të jetë garantuesi i sigurisë në një Europë më të gjerë, por kjo ditë është larg dhe ne akoma nuk dimë nëse Europa do të jetë më gjerë nga sa është aktualisht.
2- Me përjashtim të disa prej shteteve ballkanike, kjo do të jetë një dekadë pa zgjerim të NATO-s apo të Bashkimit Europian.
3- Politika përcaktuese e Perëndimit kundrejt Rusisë do të jetë një shkrirje e ndërvarësisë ekonomike gjermane dhe e interesit të rinovuar amerikan në diplomacinë multilaterale. Angazhimi i Rusisë në mosproliferim, sanksionet ndaj Iranit dhe iniciativa të tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka gjasa që të vazhdojnë - me ndonjë kosto ndaj aktivizmit vokal lidhur me të drejtat e njeriut dhe promovimin e demokracisë. (Disa do të argumentojnë se kjo mundësi e injoron përgjegjësinë e qeverive perëndimore për të hapur hapësira jashtë për shoqëri civile, por nëqoftëse pretendimet për ndërvarësi ekonomike janë për t'u besuar, një klasë e mesme do ta bëjë këtë shumë më mirë sesa diplomacia fisnike perëndimore).
4- Ne po shikojmë ngritjen e shpejtë të ekonomistëve dhe të teoricienëve të tregtisë në korridoret e pushtetit në Uashington, Berlin e Paris. Kjo është shoqëruar nga një rënie po aq e shpejtë në influencën e liderëve të Europës Qendrore e Lindore, interpretimi historik dhe ideologjik i Rusisë dominoi periudhën nga Presidenti Reagan tek Presidenti Bush. Një ekonomist mesatar i mirë i Fondit Monetar Ndërkombëtar duket tani se ka më shumë gjasa të prodhojë ndryshim pozitiv në lindjen e Europës sesa një ish-disident nga Praga apo më i miri teoricien politik neokonservator.
5- Si pasojë, roli modern i nordikëve, balltikasve, qendroeuropianëve dhe i gjeorgjianëve në shpjegimin e Rusisë pjesës tjetër do të reduktohet ndjeshëm. Në një kuptim, këshilla me synime të mira e asaj që pak kohë u quajt "Europa e re" për Amerikën rreth rrezikut të Rusisë është një tjetër aksident i postimit nga besimi ideologjik në kalkulimin ekonomik.
6- Po aq shumë sa planifikimi i matur i NATO-s për mbrojtjen e anëtarëve të saj është gjë e mirë, thjesht planifikimi për të mbrojtur një vend nuk e krijon një demokraci. Në analizë të fundit, NATO-ja është një politikë sigurimi shumë efikase, por e kushtueshme, të cilën nuk ia vlen ta blesh deri kur të kesh diçka me vlerë politike dhe ekonomike për të siguruar. Ideja se NATO mund të jetë vetëm një garantues i demokracisë evropiane ex post facto dhe jo kushti i mjaftueshëm për krijimin e saj, do të vinte si një zhgënjim për shumë prej miqve dhe admiruesve të Amerikës në Europë. Asnjë sasi sigurimi dhe shtrëngimi duarsh nga administrata nuk do ta ndryshonte këtë realitet për europianoqendrorë dhe lindorë.
7- Lindja e Europës do të zhytet ose do të notojë në koherencën e Bashkimit Europian dhe sukseseve të tij në zhvillimin e mekanizmave, të tillë si Eastern Partnership, që mund të menaxhojë ekonominë e vështirë dhe korrentet politike të kësaj periudhe të ndërmjetme.
8- Ndërsa integrimi hard i forcave të armatosura dhe institucioneve formale tashmë është zhdukur, një integrim soft, pothuajse i paparë midis popujve, kulturave dhe tregjeve do të vazhdojë dhe, në rrethana të caktuara, bile mund të përshpejtohet.
24 muaj më parë secili prej ndryshimeve të sipërpërmendura në panoramën politike do të kishte qenë i pamendueshëm. Të marrë së bashku, këto ndryshime përbëjnë një rikompozim të marrëdhënieve të ekonomisë politike midis hapësirës passovjetike dhe pjesës tjetër, zonës euroatlantike, atë çka Kennan e quajti "Rusia dhe Perëndimi". Sot është më saktësisht marrëdhënia midis "lindjes së Europës dhe pjesës tjetër të Perëndimit".
Si konservator, jam i predispozuar të shikoj nga ndryshimi politik, veçanërisht ndryshimi politik dramatik në kufijtë e Europës, si jo domosdoshmërisht një gjë e mirë. Emocionalisht, është e vështirë të shikohet në kalimin e një periudhe historike që na solli rënien e Murit të Berlinit, figura politike të tilla si Papa Gjon Pali II e Presidenti Vaclav Havel dhe përfshirja e 110 milionë njerëzve në institucionet evropiane me çdo ndjenjë tjetër përveç humbjes dhe keqardhjes. Por, nëqoftëse shikojmë në interesat dhe aspiratat e popullit të Ukrainës dhe të shteteve të tjera të Eastern Partnership, ndryshimi i rregullave dhe i marrëdhënieve nuk është domosdoshmërisht gjë e keqe. Ridrejtimi i Rusisë në tregtinë energjetike me Europën, ngjitja e Bashkimit Europian pas Lisbonës dhe shfaqja e Fondit Monetar Ndërkombëtar si lojtar i madh në shëndoshjen ekonomike mund të hapë mundësi që ose qenë humbur, ose i qenë mohuar lindjes së Europës në periudhën midis viteve 1989 dhe 2009.
Duke lëvizur përpara
Çdo konkluzion rreth mënyrës sesi politikat e Ukrainës dhe të Europës ndaj Lindjes do të zhvillohen në këto rrethana të ndryshuara duhet domosdoshmërisht të jetë tentativë ekstreme. E kotë ta thuash, një seri gabimesh, gjykimesh dhe faullesh diplomatike befasuese e kanë përbërë politikën amerikane dhe europiane ndaj Ukrainës gjatë 20 viteve të kaluara. Lidhur me Europën Qendrore dhe Lindore, historianët do të thonë se ato qenë jashtëzakonisht me fat që e kapën siç duhet arkitekturën bazë. Lidhur me Ukrainën, ata do të thonë se është e habitshme të thuash sesa gabim qemë. Është e ndershme të thuash se do të duhet të shikojmë nga Ukraina dhe vendet e tjera passovjetike me modesti të konsiderueshme dhe sikur po i shikojmë ato për herë të parë, që në një kuptim kjo periudhë e re historike na shtrëngon që të bëjmë.
Përtej modestisë të politikës perëndimore, kam besim vetëm në dy konkluzione. Faza e domosdoshme dhe përkufizuese e "integrimit soft" të lindjes së Europës do të fillojë, në qoftë se fillon ndonjëherë, me zgjedhjen e Victor Yanukovich në Ukrainë, që mund të sjellë një çikë stabilitet politik Ukrainës. Ajo do të përfundojë me rizgjedhjen e Vladimir Putin si President i Rusisë më 2012, me një mandat për të imponuar reforma strukturore drakoniane për t'i dhënë krizës ekonomike që po përhapet me shpejtësi në ekonominë ruse. Këto 30 muaj janë ato çka historiania Barbara Tuchman i quajti në një kontekst tjetër "momenti plastik" në histori ku gjërat mund të modelohen dhe politikat të formësohen. Këto muaj janë koha e kufizuar ku dora e Europës mbetet e hapur dhe një Partneritet Lindor efektiv dhe politika shoqëruese mund të krijohen. Nëqoftëse Europa do të ketë një politikë lindore që e meriton këtë emër, ajo do të duhet të konceptohet në këtë periudhë dhe të ndërtohet fillimisht në Ukrainë.
Bashkimi Europian duhet të përfundojë me shpejtësi një marrëveshje të tregtisë së lirë që është po aq e rëndësishme për të, aq edhe për Ukrainën. Më pas, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të angazhojnë elitën oligarkike të Ukrainës, e cila është zona elektorale e parë reale që duket në politikën e saj, sado të shpifur mund ta gjejnë disa elitën e re të pasur passovjetike, dhe Bashkimi Europian duhet të shënjestrojë studentët dhe rininë ukrainase me viza falas dhe mundësi e shkëmbime arsimore menjëherë aksesibël në shkallën e Planit Marshall.
Cilidoqoftë rezultati i këtyre angazhimeve soft power, ne tashmë e dimë se rezultati do të jetë krejtësisht ndryshe nga zhvillimi i Europës Perëndimore pas vitit 1945 dhe Europa Qendrore e Lindore pas vitit 1989. Ai nuk do të ketë të bëjë aspak me raundet e mëparshme të ekspansionit të NATO-s.
Fatmirësisht, historia ka një ndjenjë të hollë ironie. Ne mund të gjejmë se lindja e Ukrainës mund ta lëvizë drejt Perëndimit shumë më shpejt sesa romanticizmi politik perëndimor mund të tërheqë dikur të dashurët revolucione të ngjyrosura në Europë. Ne mund të rizbulojmë se fuqitë e buta të tregtisë liberale dhe udhëtimit sjellin lidhjen e ngushtë të demokracive po aq vendosmërisht dhe përfundimisht sa një aleancë ushtarake, ose jo.
Bruce Pitcairn Jackson është President Project on Transitional Democracies, një organizatë jofitimprurëse që mbështet demokracitë passovjetike dhe ballkanike në ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta me Bashkimin Europian dhe NATO-n.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers