Nuk ka jetë pa “Twitter”


Përveç çatimit, rrjeti social është bërë shumë i rëndësishëm edhe për njerëzit që bëjnë politikë, gazetari, ekonomi dhe shumë gjëra të tjera


Mes mjeteve të komunikimit dhe të informacionit që kanë lindur vitet e fundit, “Twitter” është më i thjeshti për t’u përdorur dhe një nga më të kënaqshmit. Mund të duket paradoksale të shkruash (dhe të lexosh) një libër përmes një platforme që konsiston në dërgimin e mesazheve të shkurtra vetëm me 140 karaktere, por në fakt, nuk është kështu. Pas kutisë, nga ku mund të shkruhet dhe të ndahet menjëherë me universin e internetit një mesazh, fshihet një infrastrukturë e fuqishme teknologjike që përdoret për të arritur shumë objektiva: të gjesh një punë, të jesh i informuar mbi lajmet e fundit, të zhvillohesh profesionalisht, të njihesh me klientë të rinj, apo të marrësh reagime nga konsumatorët.
“Twitter” ka qenë platforma e parë mjaft e suksesshme e hedhur në  internet, nga e cila mund të shkëmbesh mesazhe në kohë rekord. Për këtë arsye, me kalimin e kohës “Twitter” u ka siguruar njerëzve në një kohë të shkurtër dëshmi dhe ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur nëpër botë. Fluksi i informacioneve të publikuara sot në këtë platformë, nuk përfshin vetëm mesazhet e abonentëve të “Twitter”, por të gjithë ato që publikohen në faqen e “Facebook”-ut dhe rrjetet e tjera sociale. Në këtë platformë çdolloj ngjarjeje publike, e cila mund të jetë interesante vetëm për disa persona, mund të tregohet, dokumentohet, komentohet dhe shpërndahet në kohë rekord në çdo cep të botës.
Nuk është rastësi që sot “Twitter” është bërë pikë referimi nëpër media dhe pjesën tjetër “më të gjallë” të rrjetit, për të komunikuar dhe për të marrë pjesë në një bashkëbisedim të gjerë që nuk ka kufij gjeografikë. Një bashkëbisedim sa lokal aq edhe global.
Sekreti për të mos u zhdukur në pafundësi është të përsosen më së miri funksionet e filtrit dhe të zgjedhësh me kujdes burimet, qofshin këta persona, media, institucione publike ose firma private. Nga kjo pikëpamje “Twitter” është strukturuar si një rrjet social ku lidhjet midis anëtarëve janë njëdrejtimëshe. Në fakt, çdo njeri mund të zgjedhë për të ndjekur atë që dëshiron, apo përkon me interesat e tij. Ndërsa në “Facebook” me lajmet e reja të publikuara nga një person mund të azhornohesh vetëm nëse kjo faqe të autorizon që të hysh në rrjet dhe anasjelltas.
Shpejtësia, lehtësia dhe shkathtësia e platformës për të përhapur në kohë rekord një mesazh, e bëjnë “Twitter”-in një mjet i cili mund të përdoret çdo ditë nga një univers i larmishëm profesionistësh: nga mjeku tek avokati, nga gazetari tek administratori i firmës, pa lënë mënjanë mësuesit, politikanët dhe shkrimtarët. Si një përdorues i rregullt i internetit e në veçanti i “Twitter”-it i interesuar për çdolloj teme mund të lidhesh me profesionistë më autoritarë dhe të marrësh përgjigje, vëmendje, këshilla, përgjigje të rëndësishme të pyetjeve publike. Ata që duan lidhje të reja në fushën e biznesit, “Twitter”-i është platforma ideale për të arritur shumë objektiva. Si të gjitha faqet e rrjetit social, mesazhet e natyrës komerciale kanë jetë të shkurtër. Në ndryshim nga kanalet e tjera të komunikimit, online ose jashtë rrjetit, “Twitter” ka gjasa të bëhet për një firmë lidhje mes klientëve dhe sipërmarrësve, për shitje apo veprime të tjera. Me një kërkim të shpejtë në “Twitter” mund të gjeni përdorues të tjerë me të njëjtat interesa profesionale si ju dhe të komunikoni lirshëm sa herë që të dëshironi. Në të njëjtën mënyrë mund të tregoni kompetencat tuaja, duke përdorur “Twitter”-in si mbështetës të strategjive tuaja personale. Në çdo vend të botës, “Twitter” ka treguar që është një platformë mjaft e shpejtë. Një ngjarje e madhe ndërkombëtare e viteve të fundit – tërmete dhe atentate, por edhe vdekja e Michale Jackson, apo protestat nëpër sheshe kundër regjimeve të ndryshme- është publikuar menjëherë në “Twitter” duke e bërë këtë sit një burim informacionesh të gazetave online.
Raporti mes medias dhe “Twitter”-it ka pësuar një zhvillim konstant. Sot janë të njëjtat gazeta dhe gazetarë online që e kanë “përvetësuar” “Twitter”-in dhe e përdorin për të mbledhur informacione nga burime kryesore dhe për t’i përhapur më shpejt lajmet, duke përzier ofertën e tyre me mesazhet e publikuara në platformë.
Këtë vit “Twitter” do të mbushë plot katër vjet nga krijimi i saj, por vetëm prej pak muajsh njerëzit kanë filluar t’ia dinë vlerën dhe të vlerësojnë avantazhet e saj. Gjatë viteve të ardhshme, fenomeni do të marrë përmasa më të mëdha.
Së bashku me “Facebook”-un dhe disa faqe të tjera, “Twitter” ka qenë ndër shërbimet e para të rrjetit social që kanë çarë barrierat, duke tërhequr në mënyrë të paimagjinueshme vëmendjen e publikut. Nga Shtëpia e Bardhë, në Hollivud, “Twitter”-i është bërë pjesa e pandarë e miliona personave, me platformën e saj për të komunikuar me miqtë, për të qëndruar në kontakt me njerëzit e tjerë, për t’u informuar dhe për të informuar të tjerët.
Ne si përdorues mund të ndikojmë vërtet në zhvillimin e platformës, drejt një përdorimi më të gjerë, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë me asnjë prej mjeteve të komunikimit global. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi duke dhënë edhe kontributin tonë të vyer.

Google+ Followers