PERANDORI HIROHITO/Hyjnori i fundit


"Të durojmë të padurueshmen dhe të tolerojmë të patolerueshmen". Kur dëgjonin këto fjalë të dilnin përmes valëve të radios, në mesditën e atij 15 gushti të vitit 1945, miliona japonezë mbetën të pafjalë e të shastisur: pasardhësi i drejtpërdrejtë i perëndeshës së diellit amaterasu, sovrani i 124 "qiellor" që kish hipur në Fronin e Krizantemës, madhëria e tij perandori Hirohito po shpërndante zërin e tij hyjnor mes nënshtetasve të vet, duke i informuar që "situata e luftës nuk po zhvillohej domosdoshmërisht në favor të japonezëve" dhe që perandoria (mbi të cilën pak ditë më herët bombarduesit amerikanë kishin lëshuar dy bomba atomike) kishte pranuar kushtet për një dorëzim të pakushtëzuar.
Traumë kolektive
Fjalimi radiofonik i regjistruar nga perandori, që mori emrin "radiotransmetim i zërit të Margaritarit" ishte një traumë e vërtetë për japonezët. Jo vetëm për shkak të përmbajtjes së tij dramatike, por mbi të gjitha sepse ishte hera e parë që dëgjonin zërin e perëndisë së gjallë (arahitogami), për të cilin çdo nënshtetas ishte i gatshëm të jepte jetën e tij në çdo moment.
Në të vërtetë shumë japonezë, ushtarakë dhe civilë, nuk arritën as që të kuptojnë mirë atë që u kish thënë perandori, duke qenë se ai kishte përdorur leksikun e rafinuar dhe arkaik të oborrit, goxha i ndryshëm nga gjuha e rrjedhshme japoneze që flitej në rrugë. Pavarësisht largësisë së asaj figure nga bota reale, kur u bë e qartë që ishte pikërisht sovrani ai që fliste, dhjetëra japonezë preferuan që të vetëvriteshin. Megjithatë, kulmi i vetëvrasjeve erdhi disa muaj më vonë, pikërisht në 1 janar të vitit 1946 - kur me kërkesë të forcave amerikane të pushtimit të udhëhequra nga Gjenerali Douglas MacArthur - Hirohito firmosi dhe shpërndau për njerëzit e tij "Deklaratën e natyrës njerëzore", me të cilën mohonte në mënyrë zyrtare prejardhjen e tij hyjnore, duke përgënjeshtruar kështu superioritetin e popullit japonez kundrejt kombeve të tjerë. Kushtetuta japoneze, e imponuar prej amerikanëve në vitin 1947, i dha goditjen përfundimtare mbetjeve "hyjnore" të perandorit, duke e reduktuar figurën e tij në thjeshtë një simbol të shtetit si dhe duke i kufizuar funksionet e tij në thjeshtë ceremonialë. Por si ishin gjërat para se kjo të ndodhte?
Nacionalizma
Breza të tërë të rritur me oriz dhe me kultin e perandorit përjetuan krejt papritur një kthesë tronditëse të paprecedentë, që vite në diskutim gjithë çka kishin besuar verbërisht deri atëherë. Nuk mjaftonte turpi për një humbje poshtëruese, as edhe drama e dhjetëra mijëra viktimave që shkaktuan bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, as edhe turpi që shihnin "barbarët" me flamujt me yje e shirita që shkelnin tokën e shenjtë të mbretërisë së lashtë të Yamatos (dinastia e Hirohitos): perandori, jo më qiellor, i detyrohej "për pozicionin e tij vullnetit të popullit tek i cili buronte pushteti sovran". Kështu thuhej në nenin 1 të Kushtetutës së re.
Duke filluar nga dekadat e fundit të Tetëqindës, me të ashtuquajturën Rindërtimi Meiji dhe fundin e shogunatit, japonezët, pas një periudhe entuziasmi për gjithçka që ishte perëndimore, i ishin kthyer në fakt një nacionalizmi të tepruar, i ushqyer nga kasta e ushtarakëve që do të çonte vendin në disfatë në Luftën e Dytë Botërore.
Në themel të kësaj dashurie të pafre për atdheun ishte një program indoktrinimi politik që e bënte perandorin qendrën e unitetit kombëtar, përmes përdorimit të besimit shintoist. Kishte qenë pikërisht shintoizmi që teorizonte autoritetin e perandorit duke i atribuuar atij origjinë hyjnore dhe funksione priftërore. Në vitet '30, karakteri hyjnor i perandorit kishte qenë në themel të teorisë së superioritetit të racës japoneze dhe sovranit iu besua misioni i shenjtë i qeverisjes së popujve të tjerë të Azisë, gjë që u konkretizua me tmerret e pushtimit japonez të kontinentit.
I vetmuar
Hirohito - i mbyllur në burgun e florinjtë të rezidencës perandorake në Tokio - dukej sikur jetonte në një tempull. Në fund të fundit, konsiderohej si vazhdues i një tradite shamanike mijëravjeçare, të cilës i takonte privilegji i kryerjes së riteve madhorë shintoistë, duke përfshirë ceremonitë që lidheshin me hipjen në fron, siç ishte festa misterioze (ndryshe nga kurorëzimet në perëndim) dhe shumë private e ofertës së madhe të ushqimit. Gjatë kësaj ceremonie sovrani, në qendër të tre tempujve shintoistë të ngritur pikërisht për këtë rast në pallatin perandorak të Tokios, i ofron oriz shpirtit të paraardhëses së vet mitike, perëndeshës Amaterasu.
Po kush qëndronte prapa asaj maske ritesh perandorakë? Një monark hyjnor me pushtet absolut, një kriminel lufte apo diçka tjetër? Sigurisht, një prej figurave më të diskutuara dhe kontroverse të nëntëqindës. I përshkruar si një njeri i druajtur dhe vetmitar - pasioni i tij i vërtetë ishte biologjia - ai pranoi në mënyrë pasive ngjitjen në majat e pushtetit të ushtarakëve që në vitet '30 mbushën mbretërinë e tij me një frymë ultranacionaliste. Nuk është e qartë se cila ka qenë fuqia e tij e vërtetë në periudhën e kolonializmit japonez dhe as cilat ishin përgjegjësitë e tij për krimet e kryer në emër të tij nga ushtria në Mançuri dhe mbi të gjitha në Nanking: 6 javë masakra nga ana e ushtrisë perandorake në kryeqytetin e Kinës së pushtuar, që në dimrin 1937-1938 shkaktuan nga 200 në 400 mijë viktima.
Pa pushtet?
"Në një mesazh të shkruajtur afro gjashtë muaj pas fundit të luftës së paqësorit dhe që i dërgohej Mbretit të Anglisë Xhorxhi VI, i nxjerrë në vitin 1988 nga arkivat e qeverisë angleze, perandori pohonte se kishte bërë gjithë sa mundej me qëllim që të shmangte luftën", thotë Daniela de Palma, historiane që studion Japoninë moderne. "Shkruante se i vinte shumë keq për humbjen e aq shumë jetëve dhe për gjithë ato dëme".
"Unë e vendosa firmën time në deklaratën e luftës me shumë hezitim dhe pa dashur fare, duke i thënë në mënyrë të përsëritur gjeneralit Tojo (atëherë kryeministër) që do të detyrohesha ta bëja, por pa dashur aspak". Praktikisht, Hirohito deklaronte se kishte qenë i detyruar të vendoste firmën mbi deklaratën e luftës sepse zakoni japonez parashikonte që perandori të kufizohej në ratifikimin e vendimeve që ishin marrë tashmë prej ministrave. Akti i perandorit ndiqte gjithmonë marrëveshjen e arritur tashmë nga qeveria e Hirohitos dhe ai do të duhej ta firmoste edhe sikur të ishte kundër".
Por...
Megjithatë, disa historianë nuk janë dakord me këtë vizion të një perandori pa pushtet. Të paktën sa i përket pjesëmarrjes në konfliktin e dytë botëror. E akuzojnë se ka qenë plotësisht në gjendje të vendosë, siç e demonstroi më pas me firmosjen e dorëzimit në vitin 1945. "Hirohito mundi ta pranojë në mënyrë autonome dorëzimin pa kushte vetëm sepse nuk kishte marrëveshje mes ministrave", thotë eksperti. "Në fillim të luftës, konsensusi i tyre kish qenë unanim. Eshtë fakt që, në sistemin perandorak japonez, përgjegjësia politike nuk ishte vetëm në duart e perandorit, që i besonte vendimeve të shumicës, as edhe vetëm në ato të udhëheqësve ushtarakë, që ia atribuonin perandorit. Ishte një lloj gjendje "papërgjegjshmërie".
Perandoria e fundit
Në shtator të vitit 1945, duke u prezantuar përpara gjeneralit MacArthur, Hirohito u vetëshpall megjithatë i vetmi përgjegjës për ngjarjet e luftës, duke bërë që të bjerë mbi vetveten ndëshkimi i aleatëve. "Në fakt ishte duke interpretuar funksionet e tij kur tha: 'Unë vij përpara jush, gjenerali MacArthur, për t'u ofruar para gjykimit të Fuqive që Ju përfaqësoni, si një njeri që merr përgjegjësi të plotë për çdo vendim politik dhe ushtarak që është ndërmarrë dhe për çdo veprim të kryer nga populli im gjatë luftës'", thotë De Palma.
Pavarësisht këtij "rrëfimi", Hirohito arriti të shmangë një proces dhe një dënim të mundshëm me vdekje. Qëndroi në postin e tij edhe për 44 vite të tjerë, duke shoqëruar të fundmen perandori që ende ekzistonte në botë drejt një zhvillimi ekonomik të paprecedentë: në një farë kuptimi, një mrekulli hyjnore.

Google+ Followers