Një marrëveshje me talebanët?


Prej 30 vjetësh Afganistani projekton një hije të gjatë dhe të errët mbi ngjarjet e të gjithë botës, por ky 30-vjeçar ka qenë gjithashtu i shënuar nga episode vendimtare që mund të kishin qenë fidanishte paqeje dhe deri të ndryshonin kursin e historisë botërore. Një prej episodeve të tilla ndodhi në shkurt të 1989, atëherë kur trupat e fundit sovjetike ishin duke lënë Afganistanin. Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik, Edvard Shevarnadze, shkoi në Islamabad dhe ishte hera e parë që një eksponent i lartë sovjetik vizitonte Pakistanin. Bëhej fjalë për një mision in extremis për të bindur kreun e qeverisë, zonjën Benazir Bhutto, pse jo dhe ushtrinë dhe Inter-Service Intelligence (ISI), që të binin dakord lidhur me një ndarje të përkohshme të pushtetit midis regjimit komunist afganas të Kabulit dhe muxhahedinëve afgan. Shevarnadze shpresonte që të shmangte një luftë civile dhe të hidhte bazat për një transferim politik të pushtetit politik ndaj këtyre të fundit.
Në këtë pikë sovjetikët qenë në një gjendje paniku frike. Ironi e fatit, ata ndanin tezën e analistëve të CIA-s, sipas së cilës Presidenti afganas Mohammad Najibullah do të mund të qëndronte në pushtet vetëm pak javë pas largimit të trupave sovjetike. Ama CIA e kishte bërë një gabim trashanik: Najibullah ishte destinuar të qëndronte në pushtet për tri vjet të tjera, domethënë derikur shpërthimi i luftës civile do ta shtrëngonte që të kërkonte strehim pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në prill të 1992. Kështu ISI refuzoi që ta pranojë këshillën e Shevardnadze. Qëllimi i tij ishte që të instalonte në pushtet në Kabul Gulbuddin Hekmatyar, të përkëdhelurin kryesor të tij midis liderëve islamikë. Veç kësaj, CIA e kishte nxitur ISI-n që t'u qëndronte fort sovjetikëve - për t'u hakmarrë për poshtërimin e pësuar në Vietnam dhe për të realizuar një humbje totale komuniste në Kabul, pa i marrë parasysh kostot në jetë njerëzish midis afganasve që do të sillte një gjë e tillë. Me pak fjalë, një kompromis politik nuk qëndronte në planet e veprimit të ISI-t dhe të CIA-s.
U ftova që ta takoja Shevardnadze një mbrëmje në orë të vonë dhe kujtoj një njeri, përveçse të frustruar, dukshëm i tërbuar prej miopisë së Pakistanit dhe të Shteteve të Bashkuara, pse jo dhe prej dëshirës së dukshme të këtyre dy vendeve për ta poshtëruar Moskën. Ky njeri, që nuk ishte fare në vete, më paraqiti një vizion apokaliptik të asaj që mendonte se ishte e ardhmja e të gjithë skakierës që përfshinte Afganistanin dhe Pakistanin. Parashikimet e tij për dhunën e ardhshme do të rezultonin të sakta.
Në atë moment vendimtar, sikur të ishte pranuar kompromisi i propozuar nga Shevardnadze, do të mund të ishin shmangur 10 vjet luftë civile, shkatërrimi i Kabulit dhe ngritja e talebanëve, duke shmangur gjithashtu që këta t'i ofronin vendstrehime al Qaedas. Ndoshta mund të ishte shmangur masakra e Kullave Binjake dhe, për pasojë, shumë prej fatkeqësive të mëpasme, përfshi tentativën e një kamikazi nigerian për të hedhur në erë një avion në fluturim për Detroit, vrasja e 7 efektivëve të CIA-s në një bazë afganase dhe humbjet e vazhdueshme në jetë njerëzish midis ushtarakëve NATO dhe civilëve afganas.
Në vijim të planit shumë të rrezikshëm dhe kontradiktor të Presidentit Obama, që parashikon të rriten kontingjentet e trupave amerikane në Afganistan dhe më pas - pas 18 muajsh - të fillohet të çmobilizohen, të gjitha vendet dhe të gjithë liderët e skakierës kanë përpara vetes një dilemë të re vendimtare. Posti në lojë është të përcaktohet nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të gatshëm për të bërë traktativa me talebanët afganas, duke qenë se nuk ka në horizont asnjë fitore eventuale në terren, as nuk shikohet ndonjë mënyrë tjetër për t'i dhënë fund luftës që zgjat tashmë prej 30 vjetësh.
Kur do të vijë momenti për të vendosur - dhe herët a vonë do të vijë patjetër - Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja a do të jenë të gatshëm të bëjnë traktativa me talebanët apo të jenë të përçarë, në brendësinë e tyre, siç janë sot? Do të ketë Presidenti Hamid Karzai besueshmërinë e nevojshme për të marrë pjesë në traktativa dhe të arrijë marrëveshjen e shpresuar? Dhe ISI, nga ana e tij, do të kërkojë apo jo që të përkëdhelurit talebanë të kthehen në pushtet? Do të jenë fajkojtë talebanas - të cilët tashmë ndjejnë aromë fitoreje - të gatshëm nga ana e tyre që të marrin pjesë në traktativa dhe, për pasojë, ta braktisin al Qaedan? Apo do të hezitojnë për 18 muaj në pritje që amerikanët të fillojnë të largohen?
Talebanët afganas përbëjnë tashmë një lëvizje të rrënjosur në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2009, ata kanë hedhur rrënjë në rajonet e Veriut dhe të Perëndimit deri dje të qeta. Drejtuesit e tyre kanë vendstrehime të sigurta në Pakistan. Humbjet e jetëve njerëzore janë rritur gramatikisht nga të gjitha anët. Sipas Kombeve të Bashkuara, në vitin 2009 janë kryer mesatarisht çdo muaj 1200 sulme nga ana e talebanëve dhe e grupeve të tjera rebele, me një rritje prej 65 përqindësh respektivisht 2008. Në 12 muaj, janë vrarë 2412 civilë afganas (+ 14 përqind) dhe dy të tretat janë vrarë nga bashkëkombasit talebanë (+ 40 përqind). Humbjet njerëzore të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në luftime janë rritur me 76 përqind, duke i rritur nga 295 në vitin 2008 në 520 në vitin 2009.
Vështirësitë me të cilat ndeshet qeveria afganase nuk bëjnë gjë tjetër veçse të rriten nga viti në vit. Në provincat jugore, në masë të madhe të kontrolluara nga talebanët, është gjithmonë e vështirë të rekrutohen efektiva për ushtrinë dhe policinë midis njerëzve me etni pashtune, pavarësisht rritjes së pagave. Veç kësaj, talebanët kanë arritur të infiltrojnë në ushtri e polici, mbi të cilat mbështeten sidomos Shtetet e Bashkuara, për të realizuar planin e tyre të veprimit që synon t'ua dorëzojë tërësisht pushtetin forcave lokale brenda korrikut 2011. Në zona të mëdha të Afganistanit, programet e zhvillimit kanë ngecur dhe pothuajse gjysma e personelit të Kombeve të Bashkuara të caktuar për Afganistanin është transferuar në Dubai dhe në Azinë Qendrore për shkak të frikërave lidhur me sigurinë.
Sipas Gjeneralit Michael Flynn (shefi i shërbimeve të inteligjencës të NATO-s në Afganistan), talebanët kanë emëruar guvernatorë - hije në 33 provinca nga 34 të tilla. Ata kanë detyrën që të organizojnë lëvizjen në provinca të ndryshme dhe aty të bllokojnë iniciativat e qeverisë. "Një lëvizje e tillë mund ta mbështesë vetveten pafundësisht", ka thënë Flynn dhe e ka përcaktuar intelligence service amerikan në Afganistan si të "privuar nga të dhënat" dhe "injorant".
Komandantët talebanë kanë çuar përpara fushatën e tyre perverse të finalizuar për të vrarë apo frikësuar ata civilë afganas që punojnë për qeverinë Karzai, për agjencitë e ndihmave dhe deri për Kombet e Bashkuara, pse jo dhe për grupet femërore. 18 janarin e kaluar, disa militantë kanë kryer një sulm të dyfishtë vetëvrasës pak metra larg nga pallati presidencial, në qendër të Kabulit, duke provokuar një shkëmbim zjarri në të cilin kanë humbur jetën 3 ushtarë dhe 2 civilë, ndërsa 79 të tjerë kanë mbetur të plagosur. "Kemi arritur tashmë në një pikë kritike... Situata nuk mund të vazhdojë kështu nëqoftëse duam të kemi sukses në Afganistan", ka deklaruar kohët e fundit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban-Ki-Moon, në Këshillin e Sigurimit dhe ka shtuar: "Ekziston rreziku që situata, në kompleksin e saj, të përkeqësohet deri sa të bëhet e pakthyeshme".
Teza mbizotëruese në Washington është se shumë luftëtarë talebanë të vijës së parë mund të shtyhen që të dezertojnë, por ofensiva aktuale e trupave amerikane duhet që fillimisht t'i detyrojë të tërhiqen, duke i kthyer në humbje sukseset e tyre dhe duke marrë kontrollin ndaj popullsisë, të qendrave të banuara dhe të rrugëve kryesore. Në bazë të strategjisë aktuale amerikane, forcat e armatosura duhet t'i dobësojnë talebanët përpara se të hyjnë në negociata me ta.
Gjenerali Stanley McChrystal (komandant i përgjithshëm i forcave amerikane dhe të Kombeve të Bashkuara) disponon një fond special prej 1 miliard e gjysëm dollarësh të destinuar për dhënien e stimuluesve dhe formave të tjera të mbështetjes atyre talebanëve që dorëzojnë armët. Është pastaj një bërthamë oficerësh amerikanë dhe anglezë që po përgatisin plane veprimi për të bindur që të dorëzohen komadantë dhe të zëvendësve të tyre sapo ofensiva në vazhdim do t'i përmbyste fatet në fushën e betejës në favor të amerikanëve.
Në Islamabad, në ditët e para të janarit, Gjenerali McChrystal më ka thënë se është i bindur që në betejë shumë talebanë mund të nxiten që të dezertojnë. Një përpjekje e tillë pajtimi do të kryesohet nga Karzai, i cili prej vitesh mëshon për bisedime me krerët talebanë.
Kriza aktuale mund të shikohet në mënyrë tjetër. Pavarësisht sukseseve të tyre, talebanët janë ndoshta afër apogjeut të pushtetit të tyre. Ata nuk kontrollojnë qendrat urbane më të populluara, as mund t'i kontrollojnë nga ana tjetër, duke pasur parasysh forcën ushtarake dhe supremacinë ajrore të NATO-s. Nuk regjistrohen rebelime populiste në fshatra kundër forcave të NATO-s, siç ka ndodhur në Irak kundër forcave të koalicionit. Pjesa më e madhe e afganasve nuk e do kthimin e regjimit taleban, pavarësisht antipatisë së madhe ndaj qeverisë Karzai dhe pakënaqësisë së përgjithshme prej tentativës së dështuar ndërkombëtare për t'i siguruar vendit përparimin ekonomik. Shumë afganas mendojnë se deri kur trupat perëndimore do të qëndrojnë në Afganistan, ka shpresë që siguria mund të rivendoset dhe jetët e tyre të ndryshojnë për mirë. Kështu që muajt e ardhshëm mund të ofrojnë një rast të shkëlqyer për t'i bindur talebanët se ka ardhur momenti i përshtatshëm për të negociuar një marrëveshje, pasi që ata sot janë në maksimumin e forcës së tyre.
Si Gjenerali McChrystal, ashtu dhe Gjenerali David Petraeus (shefi i CENTCOM-it amerikan), kanë thënë se nuk janë në gjendje ta "arrijnë fitoren duke luftuar". Obama është i vendosur në mënyrë të deklaruar që ta shpartallojë al Qaedan, por është i gatshëm që të bjerë në ujdi me ata talebanë që heqin dorë nga dhuna - siç ka thënë nëntorin e kaluar në një diskutim të mbajtur në Akademinë Ushtarake të West Point - dhe që "respektojnë të drejtat e njeriut të bashkëpatriotëve të tyre".
Strategjia aktuale amerikane synon që të heqë qafe komandantët dhe luftëtarët talebanë dhe t'i "sistemojë" pa asnjë lëshim domethënës politik, si dhe pa i bërë modifikime kushtetutës afganase. Por Washington mbetet thellësisht i përçarë përsa i përket bisedimeve me krerët talebanë. Dikasteret e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, Shtëpia e Bardhë dhe CIA janë me mendim të ndryshëm lidhur me këtë dhe ekzistojnë gjithsesi divergjenca midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.
Mua Gjenerali McChrystal më ka thënë se, ka mjaft komandantë talebanë të nivelit të mesëm, të cilët - sëbashku me njerëzit e tyre - duan që Karzai të shpallë një "strategji pajtimi" përpara se të jenë të gatshëm të ndryshojnë lojën. Dhe ka shtuar: "Riintegrimi i ish-talebanëve në gjirin e shoqërisë afganase ofron një rast të mirë për ta reduktuar rebelimin kryengritës në Afganistan... ndërsa al Qaeda duhet patjetër që të luftohet dhe shpartallohet".
Më ka rrëfyer gjithashtu se, përsa i përket bërjes së traktativave me drejtuesit talebanë bëhet fjalë për një vendim politik, që duhet marrë në Washington. Dhjetorin e kaluar Richard Holbrooke, përfaqësuesi Special për Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe Pakistan, më ka rrëfyer se sipas vlerësimit të tij rreth 70 përqind e talebanëve "lufton për motive "lokale" apo për para më shumë sesa për arsye ideologjike apo për impenjime të marra me "lëvizjen", kështu që, sipas tij, mund të katandisen që të dorëzohen".
Ndërkohë, talebanët kanë treguar një shenjë të parë fleksibiliteti, siç lë të kuptohet deklarata e shkruar në 10 faqe dhe e bërë publike në nëntor 2009, me rastin e festimeve fetare të Eidit. Mullah Omari, lideri taleban, megjithëse i nxit militantët e tij që ta çojnë përpara xhihadin kundër "armikut arrogant" (Shteteve të Bashkuara), ka siguruar gjithashtu se një regjim i ardhshëm taleban do ta sillte paqen dhe do t'i elimininonte ndërhyrjet nga ana e forcave të huaja. Për më tepër, nuk do të përfaqësonte asnjë kërcënim për vendet limitrofe, duke nënkuptuar me këtë se, al Qaeda nuk do të kthehej në Afganistan sëbashku me talebanët. Duke u treguar më shumë diplomat sesa fondamentalist, Omari ka deklaruar: "Emirati islamik i Afganistanit synon që të marrë masa konstruktive sëbashku me të gjitha vendet e tjera me qëllimet e një bashkëpunimi reciprok, për zhvillimin ekonomik dhe për një të ardhme më të mirë të bazuar mbi respektin reciprok".
Një javë më pas, përgjigja talebane ndaj diskutimit të mbajtur nga Obama në West Point linte sërish të kuptohej një qëndrim i ndryshuar. Në të nuk i bëhej asnjë cekje "luftës së shenjtë", as imponimit të sharias. Flitej në fakt për luftë patriotike për pavarësinë e Afganistanit dhe sigurohej se talebanët "janë gati të japin "garanci legale" atëherë kur forcat e armatosura të huaja do të tërhiqen nga Afganistani". Në një mesazh me rastin e Vitit të Ri, talebanët, megjithëse duke e dënuar ofensivën amerikane, dukej deri se simpatizoheshin me Obama, duke vërejtur se ata duhet të përballojnë "probleme shumë të rënda dhe një opozitë të fuqishme të brendshme".
Toni i ndryshuar i talebanëve vinte nga takimet sekrete të zhvilluara në pranverën e 2009. Të sponsorizuara nga Arabia Saudite pas kërkesës së Presidentit Karzai, në bisedime të tilla morën pjesë ish-talebanë (apo talebanë që më pas kanë dalë nga skena), ish-eksponentë arabë të al Qaedas dhe zëdhënësi i Karzait. Nuk është hapur kurrfarë e çare, por këto bisedime sekrete i kanë dhënë jetë një serie vizitash në Arabinë Saudite nga ana e liderëve të shquar talebanë në muajt e mëpasëm të 2009. Funksionarë amerikanë, britanikë e sauditë që qenë në mënyrë indirekte në kontakt me talebanët, i inkurajonin që të distancoheshin nga al Qaeda dhe i vunë në tryezë kërkesat e tyre negociuese. Nga ana e tyre, talebanët theksuan se distancimi nga al Qaeda do të kish si pasojë nga ana e amerikanëve dhe e aleatëve të tyre që të plotësohej një nevojë kryesore e tyre: domethënë që të gjitha forcat e armatosura të huaja të shpallnin një "tabelë largimi" të evakuimit nga Afganistani.
Istakhbarat (intelligence service saudit) nuk është në gjendje të prodhojë rezultate politike, por u ka mundësuar talebanëve një rrugë aksesi të sigurtë në bisedime dhe ka vepruar si nikoqir me qeverinë afganase dhe me funksionarët perëndimorë. Në mënyrë domethënëse, ISI - që kërkon nga sauditët, dikur aleatët e tij, një rol kyç në negociata - nuk është përjashtuar asnjëherë deri më tani, sipas kërkesës si të talebanëve, ashtu dhe të qeverisë afganase, pavarësisht se të dy nuk e kanë besim. Një mosbesim i tillë tani mund të jetë më i pakët. Çelësi i artë për negociata të mëtejshme formale me krerët talebanë tani është në dorën e Pakistanit dhe të ISI-t.
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit janë ashpërsuar kohët e fundit, pasi që Shtetet e Bashkuara kërkojnë që forcat e armatosura pakistaneze "t'i kapin ose t'i vrasin" krerët talebanë, po ashtu edhe hierarkët talebanë pakistanezë. Midis tyre figurojnë disa talebanë afganas të rangut të lartë që jetojnë në Quetta e në Karachi, pse dhe aleatët e tyre, si puna e Jalaluddin Haqqani dhe Gulbuddin Hekmatyar, të cilët qëndrojnë në Waziristanin verior në zona tribale që i japin ndihmë Afganistanit. Pakistani thotë se, ka goxha punë për të bërë që të zgjidhë problemet akute me talebanët pakistanezë dhe me një numër në rritje të sulmeve terroriste nga ana e bërthamave të ndryshme rebele. Forcat e armatosura të tij, thotë se janë shumë të përhapura, shteti nuk disponon financa të mjaftueshme dhe, për pasojë do t'i dëgjojë amerikanët vetëm kur do të jetë në gjendje që ta bëjë. Efektivisht, Pakistani nuk do të jetë kurrë i gatshëm që të lëshojë një ofensivë ushtarake kundër krerëve talebanë, pasi i konsideron si aleatë potenciale të tij, në një Afganistan pa amerikanët, atëhere kur Shtetet e Bashkuara, ka mundësi do ta shkarkojnë edhe Pakistanin.
Aparati ushtarak pakistanez është në ankth të madh dhe ka frikë se me tërheqjen e amerikanëve nga Afganistani mund të pasojë një luftë civile dhe, sërish, trazira të mëdha në territorin e vet. "Duam që ofensiva amerikane të ketë sukses në Afganistan, pasi që në rast të kundërt do të ishim ne ata që do t'i paguanim çmimin", më është rrëfyer një oficer i lartë i ushtrisë pakistaneze. Veç kësaj, ushtria është e bindur se Shtetet e Bashkuara do të rreshtohen eventualisht me Indinë dhe deri i kanë lejuar tashmë asaj që të forcojë influencën e saj ndaj Kabulit në kurriz të Pakistanit. Pavarësisht sakrificave të bëra prej tyre për 30 vjet me qëllim që t'u jepte mbështetje afganasve kundër sovjetikëve, pakistanezët janë sot të privuar nga miqtë në Afganistan, me përjashtim të talebanëve afganas, të cilët janë më shumë mosbesues se të përzemërt ndaj ISI-t.
Me qëllim që të rifitojnë influencë në Afganistan dhe të dëbojnë indianët pas largimit të amerikanëve, ushtarakët pakistanezë në alternativë, mund t'i mbështesin talebanët në një plan veprimi që synon në ripushtimin e Kabulit dhe instalimin e një qeverie miqësore ndaj Pakistanit. Por kjo perspektivë aktualisht është tejet e rrezikshme: bashkësia ndërkombëtare nuk do ta toleronte dhe, veç të tjerash, një regjim i sipërpërmendur do t'u jepte talebanëve pakistanezë një bazë nga e cila të lëshonin sulme të mëtejshme kundër Pakistanit.
Në kuadrin e një ndryshimi të madh të rregullave, eksponentë të ushtrisë dhe funksionarë të shërbimeve sekrete pakistaneze thonë se, janë ofruar si ndërmjetës në pritje të bisedimeve midis liderëve më të mëdhenj talebanë, amerikanëve dhe Karzai. "Duam që traktativat të fillojnë menjëherë, jo pas 18 muajsh, kur amerikanët do të largohen. Por për këtë duhet që amerikanët të na besojnë dhe që nga ne të varen", më ka thënë një oficer i lartë i ushtrisë pakistaneze. Mungesa e theksuar e besimit midis CIA-s, ISI-të dhe vendeve të tjera mund të bjerë përballë këmbënguljes së pakistanezëve të prirur që t'i kanalizojnë negociatat nën exhidën e ISI-t. Disa funksionarë pakistanezë kanë mendimin se, nëse ISI do të ndihmojë që të organizohen bisedimet, iniciativat me kontakte të pavarura midis krerëve talebanë, CIA-s, MI-6-ës britanike dhe DNS-së (Drejtoria Kombëtare për Sigurinë) afganase duhet të pushojnë. Në shkëmbim, disa funksionarë pakistanezë kufizohen të thonë se duan të jenë të sigurtë se, "interesat kombëtare të Pakistanit në Afganistan do të ruhen". Deri më tani, "interesa" të tilla nuk u janë shprehur qartë amerikanëve dhe afganasve.
Bëhet fjalë për një ndryshim të rëndësishëm në pozicionin zyrtar të Pakistanit. Për 9 vjet me radhë - pavarësisht lidhjeve të mirënjohura midis ISI-t dhe talebanëve afganas - Pakistani ka vazhduar që ta mohojë fuqimisht për të ushtruar influencë ndaj krerëve talebanë dhe të pranojë se t'u ofrojë atyre hapur mikpritje ishte "jashtë diskutimit". Pakistani do të duhet të kryejë përpjekje serioze me qëllim që të fitojë besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të afganasve në rast se synon që të sponsorizojë negociatat me talebanët. Por divergjencat e tyre mund të zbuten nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të caktuara midis agjencive të ndryshme të intelligence dhe qeverive të interesuara. Funksionarë të lartë amerikanë thonë se, Pakistani po tregohet më fleksibël se në të kaluarën përsa i përket rregullit politk afganas.
Si do të përgjigjen krerët talebanë? Shumë prej tyre e kanë në grykë nga ISI, që bën skema dhe strategji për llogari të tyre, dhe do të preferonin që ai të qëndronte jashtë traktativave. Disa eksponentë talebanë kanë hartuar një raport sëbashku me DNS-në e Afganistanit, shërbimet sekrete afganase dhe qeverinë Karzai. ISI dhe DNS-ja urrehen dhe nuk kanë besim reciprokisht për njëri-tjetrin, kështu që DNS-ja do të ishte jashtëzakonisht ngurruese për të lejuar që ISI të luajë një rol parësor në kryerjen e negociatave. Veç kësaj, është thelbësore që pranimi i pajtimit me talebanët të miratohet edhe nga popullsia jo pashtune e veriut, e cila sot është jashtëzakonisht armiqësore si ndaj talebanëve, ashtu dhe ndaj ISI-t. Nëqoftëse grupet etnike veriore që përbëjnë 50 përqind të popullsisë nuk do ta pranonin planin e pajtimit, atëhere mund të shpërthejë një luftë e re civile si në vitet Nëntëdhjetë.
Por, ISI mund të ushtrojë një infuencë të fortë ndaj talebanëve. Jo vetëm talebanët janë në gjendje t'i shtojnë radhët e tyre me luftëtarë të ardhur nga Pakistani dhe të sigurojnë asistencën shëndetësore dhe shërbime të tjera, por familjarët e pjesës më të madhe të liderëve talebanë jetojnë në Pakistan, ku posedojnë shtëpi dhe menaxhojnë kompani e dyqane. Liderët talebanë shkojnë në Arabinë Saudite të pajisur me pasaporta pakistaneze. E gjitha kjo i bën të cënueshëm ndaj presioneve nga ana e ISI-t. Akoma përpara se ushtarakët amerikanë të mund të marrin në konsideratë eventualitetin e kooptimit të komandantëve talebanë të nivelit të mesëm, nga të dyja palët duhet të sqarohet se në çfarë mënyrë kjo do të perceptohej nga ISI.
Dëshira e zjarrtë që ushtria pakistaneze ushqen për të ushtruar ndonjë kontroll ndaj evenimenteve të ardhme në Afganistan i detyrohet, veç të tjerash, synimit strategjik që ai ndjek për të shmangur rrethimin nga ana e Indisë; por është edhe rezultatet i shaheve të vazhdueshme që ka pësuar duke filluar nga viti 2001. Ushtarakët kafshojnë akoma sot gishtat për shkak të vendimeve të marra nga ish-Presidenti Bush që i lejoi Aleancës së Veriut, armiqësore ndaj Pakistanit, të pushtojë ushtarakisht Kabulin, injoroi kërkesën e avancuar më pas nga Islamabadi për të nisur konsultime lidhur me strategjinë amerikane në Afganistan dhe i trajtoi të gjithë pashtunët afganas si talebanë potencialë. Kjo kontribuoi që të radikalizoheshin ndjenjat e popullsisë pashtune rezidente në Pakistan, e cila është shumë më e madhe në numër se ajo afganase: ka 27 milion pashtunë në Afganistan dhe vetëm 12 milion në Afganistan.
Për të bërë traktativa duhet shumë më tepër se një bashkëpunim sekret midis agjencive të ndryshme të intelligence, ose që CIA t'u paguajë ryshfete komandantëve talebanë me qëllim që të kthejnë krahun (siç bëri në vitin 2001, duke korruptuar Aleancën Veriore). Kërkohet një strategji publikisht e shpallur që të involvojë përpjekje konkrete për të ndërtuar institute politike dhe për të zgjeruar ndihmat humanitare në mënyrë të tillë që të mos kërkojnë ndërfutjen dhe kontrollin e perëndimorëve: një strategji në gjendje të tërheqë shumë anëtarë të talebanizmit, të reduktojë dhunën dhe të qetësojë shpirtrat e atyre afganasve që i kundërvihen çdo kompromisi. Bashkëpunëtorët e Presidentit amerikan kanë bërë prezent nevojën e një strategjie publike të mësipërme, por shumë pak është realizuar lidhur me këtë nga kur Obama ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, objektiva të tilla janë me rëndësi të madhe.
Këto më poshtë janë sugjerimet lidhur me hapat që duhet të kryhen dhe masat që duhen ndërmarrë përpara se të bihet dakord që të bëhen bisedime me talebanët. Në linjë teorike, pothuajse të gjitha pikat janë pranuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nga NATO-ja, por deri më tani nuk është ndërmarrë lidhur me këtë asnjë iniciativë konkrete.
Të bindë vendet limtorfe me Afganistanin, ashtu si dhe vende të tjera të skakierës, që të kundërfirmojnë një strategji pajtimi me talebanët për t'u zbatuar nën drejtimin e qeverisë afganase. Krijimi i një strategjie rajonale dhe i një konsensusi lidhur me Afganistanin ka qenë një prej objektivave parësore të qeverisë Obama; por shumë pak është realizuar. Nga Irani në Indi, tensionet rajonale sot janë më të forta sesa një vit më parë.
T'i mundësojë Afganistanit që të depozitojë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një kërkesë për të fshirë emrat e liderëve talebanë nga "lista e terroristëve" e hartuar në vitin 2001, boll që liderët të deklarojnë se, heqin dora nga dhuna dhe i shkëpusin lidhjet e tyre me al Qaedan. Rusia tashmë e ke refuzuar që t'i përmbahet kërkesës së tashme, por Obama nuk ka tentuar me energji të mjaftueshme që ta sigurojë këtë lëshim nga liderët rusë.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nxjerr një rezolutë, që i jep formalisht mandat qeverisë afganase që të negociojë me talebanët dhe u mundëson Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara që t'i inkurajojnë negociata të tilla. Kjo nënkupton që të binden vendet ngurruese si Rusia dhe India që ta mbështesin rezolutën e sipërpërmendur. (Me 27 janar, një komitet i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka shpallur se, me miratimin e Rusisë - janë abroguar sanksionet kundër ish 5 funksionarëve talebanë, të cilët kanë deklaruar se mbështesin qeverinë Karzai).
Forcat e armatosura të NATO-s dhe afganase bëhen përgjegjës të sigurisë së talebanëve dhe të familjeve të tyre që kthehen në Afganistan, duke i ngarkuar agjencitë ndërkombëtare, të tilla si Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, që të bashkëpunojnë me qeverinë afganase për të asistuar të mbijetuarit, të shpërndajë shpërblimet dhe banesat, të sigurojë trajnimin për punë dhe të favorizojë riintgerimin e tyre.
Dhënia e fondeve të duhura, formim dhe personel për një ent të ngarkuar me pajtimin, i drejtuar nga qeveria afganase, që do të operojë sëbashku me forcat e armatosura perëndimore dhe me agjensitë humanitare me qëllim që të shkruajnë të zezë mbi të bardhë një program të kuptueshëm dhe të përcaktuar siç duhet për sigurinë e të mbijetuarve talebanë dhe për t'u lehtësuar mikpritjen.
Të inkurajojë ushtarakët pakistanezë që të asistojnë forcat e armatosura të NATO-s dhe afganase që të garantojnë sigurinë e të mbijetuarve talebanë, ashtu si dhe t'u mundësojnë tranzitin përtej kufitar agjencive humanitare. Të inkurajojë Pakistanin dhe Arabinë Saudite që të ndihmojnë talebanët për të formuar një parti politike të ligjshme - ashtu siç kanë bërë tashmë militantë të tjerë afganas - si puna e ish-anëtarëve të Partisë Hizb-i-Islami të Gulbuddin Hekmatyar. Kjo do t'i jepte një goditje shumë të fortë al Qaedas dhe talebanëve pakistanezë dhe do t'i jepte formë konkrete impenjimit të marrë nga Obama, kur ky është shprehur, në mënyrë të përsëitur, i gatshëm që t'ua shtrijë dorën myslimanëve.
Drejtuesve talebanë u duhet lejuar një vend takimi natyral - në Arabinë Saudite apo tjetërkund - ku të mbajnë bisedimet me qeverinë afganase dhe me NATO-n. Shtetet e Bashkuara duhet t'i lirojnë të burgosurit afganas të mbajtur akoma sot në Guantánamo dhe t'u lejojnë atyre që të shkojnë në Pakistan, në Afganistan apo në Arabinë Saudite.
Deri kur një procedurë e tillë politike nuk do të shpallej publikisht, talebanët mund të mendojnë se për ta është më mirë që ta kufizojnë hapin e tyre për 18 muaj dhe të presin që amerikanët të fillojnë të largohen dhe më pas - atëhere kur do ta konsiderojnë të cënueshëm Afganistanin - të marshojnë mbi Kabul... edhe me koston e shpërthimit të një lufte të re civile.
Ahmed Rashid, gazetar dhe shkrimtar pakistanez, është autori i librave: Talebanë: Islam, naftë dhe ndeshja e madhe në Azinë Qendrore; Në zemër të Islamit dhe Kaosi Azi. Dështimi perëndimor në fuçinë e barutit të botës. Bashkëpunon me "BBC"-në dhe shkruan për gazeta të ndryshme londineze, midis të cilave "Daily Telegraph" dhe "International Herald Tribune".
Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Google+ Followers