Metamorfoza e politikës së sotme



-Shumë fenomene në peisazhin aktual historik sinjalizojnë një vështirësi dhe një krizë e formave dhe instituticioneve të politikës, të paktën duke ju përmbajtur atij imazhi të saj që ka ardhur, duke u konsoliduar në modernizmin europian. Çfarë ka që nuk funksionon më tek demokracia?
Sot, me demokraci mund të nënkuptohen gjëra shumë të ndryshme, siç na kanë mësuar Max Weber e Joseph Schumpeter. Mund të nënkuptohet demokracia pjesëmarrëse, sipas paradigmës verbuese të agorasë athinase. Mund të nënkuptohet një demokraci përfaqësuese në të cilën Parlamenti ushtron vullnetin e popullit dhe nga populli është e kontrolluar në mënyrë efikase. Ose, në dritën e realizimit politik schumpeterian, mund të konsiderohet se format klasike të demokracisë tashmë kanë perënduar në kuadrin e shoqërive të diferencuara dhe komplekse, siç janë shoqëritë industriale të përparuara. Në këto shoqëri menaxhimi i pushtetit politik duhet t'u besohet elitave të specialistëve, ndërsa publikut gjenerik të qytetarëve të privuar nga dijet shkencore, mund t'i rezervohet detyra e zgjedhjes, nëpërmjet konsultimeve të lira elektorale, elita të cilës t'i besojë pushtetin komandues dhe të cilës t'i nënshtrohet. Gjatë gjysmës së dytë të Nëntëqindës ky model demokracie - e ashtuqjajtura "doktrinë pluraliste" e demokracisë - është konsakruar nga autoriteti i filozofëve dhe i shkencëtarëve të politikës si, veç të tjerëve, Raymond Aron, Norberto Bobbio, Robert Dahl, Ralf Dahrendorf. Por në dekadat e fundit të shekullit të kaluar, në kuadër të proceseve të integrimit dhe të informatizimit global, edhe doktrina pluraliste e demokracisë, pavarësisht reduksionizimit ekstrem të saj, ka rezultuar jorealiste. Nga shoqëria e industrisë dhe e punës, Perëndimi ka kaluar në shoqërinë pasindustrialiste, të dominuar nga revolucioni teknologjiko - informativ dhe nga stërfuqia e forcave ekonomike të mëdha. Këto forca shfrytëzojnë dimensionet globale të tregjeve, projektojnë pabarazi sociale në shkallë planetare dhe e bëjnë gjithnjë e më të pasigurtë gjendjen e punëtorëve me rrogë. Sovraniteti politik e juridik i shteteve rritet gjithnjë e më shumë, çmontohen strukturat e shtetit social dhe demokracia parlamentare ia le vendin "videokracisë". Partitë politike të masave zhduken, sepse drejtimet qendrore të tyre nuk i drejtohen më prozelitizmit të anëtarëve dhe militantëve. Instrumenta shumë më efikasë dhe ekonomikë janë kanalet e televizioneve publike e private. Në këtë kuptim, subjektet e reja politike nuk janë "parti": janë elita shumë të ngushta sipërmarrësish elektoralë që në konkurrencë publicitare midis tyre u drejtohen masave të qytetarë - konsumatorëve, duke shfaqur, sipas strategjive të sakta të marketingut televiziv, produktet e tyre simbolike. Siç e ka vërejtur Norberto Bobbio, është verifikuar një përmbysje e raportit midis kontrollorëve dhe të kontrolluarve: janë të zgjedhurit ata që kontrollojnë zgjedhësit dhe jo anasjelltas. Jemi kështu në një regjim që nuk është retorike ta quash video-oligarki pasdemokratike.
-Në punën tuaj kërkimore, që është edhe një tentativë demistifikimi kritik e kategorive dhe lëmave dukshëm neutrale dhe të konsoliduara, ju keni vënë nën akuzë projektin e kozmopolitizmit apo "globalizmit" juridik, që disa intelektualë e tregojnë si rrugën e vetme sot, nëpërmjet implementimit të të drejtave të njeriut në shkallë globale, për të ruajtur diversitetet dhe promovuar drejtësinë. Cilat janë kritikat e tua ndaj projektit universalist dhe cilat janë alternativat ndaj tij në terma filozofike dhe praktike?
Prej shumë kohësh theksoj se, teoria dhe praktika e të drejtave subjektive - apo "të drejta të njeriut" - është një pasuri e çmuar që na ka mësuar tradita liberal - demokratike. Dhe është një pasuri shumë më e çmuar, pasi kultura europiane ka qenë e vetmja që ka shpikur idenë e të "drejtës subjektive" në kuadër të një filozofie dhe antropologjie të përgjithshme që mund ta quajmë "individualizëm politik". Asnjë qytetërim tjetër i planetit nuk ka prodhuar diçka të ngjashme, si në planin teorik, ashtu dhe në terrenin praktik. "Shteti i së drejtës", që është shprehja tipike e doktrinës së të drejtave subjektive, është një aparat institucional që është afirmuar fillimisht në Britaninë e Madhe (rule of laë) dhe më pas në Europën kontinentale, duke u nisur nga përvoja gjermane e Rechtsstaat, në gjysmën e dytë të Tetëqindës. Tentativa për ta bërë të drejtën pozitive një instrument kontrolli të pushtetit politik dhe të reduktimit të arbitrit, edhe me të gjitha limitet praktike dhe krizën aktuale të saj, është një përvojë e pashoq në botë dhe që sipas mendimit tim duhet mbrojtur energjikisht. Është garancia e disa lirive themelore të njeriut, e autonomisë së tyre ndaj shtetit, e përgjegjësisë së pushtetit politik ndaj qytetarëve dhe, në zhvillimin welfare-ist të shtetit liberal - demokratik, i disa shpresave thelbësore të sigurisë sociale nga ana e qytetarëve: ruajtja e shëndetit, arsimi, përkrahja dhe asistenca sociale, puna. Duke thënë këtë, theksoj se teoria dhe praktika e të drejtave subjektive dhe e shtetit të së drejtës është e privuar nga çdo themel "universal". Është një ndodhi e zhvilluar në një fazë historike të veçantë, në një pjesë të Europës, në vijim tensionesh dhe konfliktesh politike e sociale të mëdha. (Të drejtat janë ngushtësisht të lidhura me konfliktin dhe me luftën politike). Në mënyrë të veçantë bota islamike, kultura fetare indiane dhe tradita mijëvjeçare kineze - konfuciane janë thellësisht të huaja ndaj doktrinës perëndimore së të drejtave subjektive dhe të shtetit të së drejtës. Të pretendosh se e gjithë bota e njeh universalitetin e të drejtave subjektive dhe të formave institucionale të shtetit të së drejtës - Kushtetutë e ngurtë, Gjykatë Kushtetuese, ndarje të pushteteve, parim ligjshmërie, etj. - është një imperializëm kulturor në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pastaj, nëqoftëse këto parime dhe vlera janë përdorur për të legjitimuar forma agresive ekspansioni të kulturës dhe të interesave perëndimore, atëhere jemi në prani të një imperializmi tout court. Luftërat "humanitarie" dhe luftërat "preventive" të ndërmarra nga Perëndimi, duke filluar nga vitet e para të Nëntëdhjetës të shekullit të kaluar, nën hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë një shprehje paradigmatike e këtij imperializmi kulturor, politik dhe ushtarak.
-Ekuilibret e krijuara në shkallë kombëtare në Nëntëqindën kanë ditur të garantojnë mekanizma, edhe pse jo të përkryer, përfshirjeje sociale, zgjerimi të të drejtave të shtetësisë dhe të pjesëmarrjes politike. Si të veprohet që të riorientohen këto instanca në shkallë që e tejkalojnë hapësirën kombëtare, për shembull në kuadrin e Bashkimit Europian?
Një temë për t'u marrë në konsideratë lidhur me këtë është i ashtuquajturi "deficit demokratik" i Europës dhe tentativa për ta mbushur me dokumenta kushtetuese dhe deklarime forma të Bills of Rights. Karta e të Drejtave Themelore të Qytetarëve Europianë e miratuar në Nicë në dhjetor të 2000 synonte që ta mbushte të paktën pjesërisht këtë deficit. Njohja e një spektri të gjerë të drejtash subjektive, theksohej, do t'i vendoste në plan të parë "qytetarët europianë" dhe do të reduktonte hiatusin ekzistues midis "shoqërisë civile" europiane, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, një procesi integrimi që deri më tani është dominuar nga "pushtete absolute" të teknokracive ekonomiko - financiare dhe të burokracive administrative. Sipas këtij interpretimi, njohja e të drejtave themelore do t'u ofronte një bazë të re legjitimiteti institucioneve europiane, duke i impenjuar në një trajtim të barabartë dhe homogjen të shpresave të të gjithë qytetarëve, pa diskriminime etnike, kombëtare apo të llojit tjetër. Përveç kësaj, Karta mund të nënkuptohej si bërthama e identitetit politik të europianëve, emblema dalluese e qytetërimit të tyre. Pas Nicës do të mund të flitej për një "qytetari europiane" të mbështetur mbi të drejtat dhe jo vetëm mbi monedhën e përbashkët (apo mbi Bankën Qendrore Europiane). Më në përgjithësi, përsa i përkiste profilit institucional, ishte theksuar se miratimi i Kartës së të Drejtave Themelore përfaqësonte një hap vendimtar - një etapë e pakthyeshme - drejt Kushtetutës së Europës së Bashkuar. Kushtetuta do t'u ofronte qytetarëve europianë mundësinë për t'u ndjerë të përfaqësuar dhe të qeverisur nga institucione unitare, të thjeshtuara dhe transparente - të modeluara sipas skemës të shtetit të së drejtës - të tilla sa t'u sigurojnë qytetarëve të Europës një standard uniform qytetërimi, demokracie dhe mbrojtjeje të të drejtave individuale". Siç e dinë të gjithë, gjërat kanë ecur në mënyrë krejtësisht të ndryshme, duke konfirmuar rezervat klasikisht të shprehura nga autorë si, veç të tjerëve, Dieter Grimm e Joseph Weiler. Këto rezerva për një aspekt nënvizojnë mungesën e një "shoqërie civile" europiane dhe për një tjetër shprehin dyshime rreth mundësisë që lindja e një "shoqërie civile" të stimulohet nga proteza institucionale më të forta dhe nga një sufiçit normatizimi kushtetues. Ajo që e bën një popull të vetëdijshëm për identitetin janë thelbësisht mjetet e komunikimit ato që i ushqejnë një opinion publik unitary dhe u japin jetë kushteve të caktuara, një vetëdijeje dhe ndershmërie demokratike. Në Europë mungojnë të gjitha premisat që të mund të fillojë një proces i këtij lloji: mungon një gjuhë e përbashkët, mungojnë editorë, stacione radiofonike dhe televizive europiane, mungojnë lëvizje, shoqata civile, sindikata, parti politike në shkallë europiane. Veç të tjerash, mund të theksohet se një listim formal i të drejtave është thelbësisht një alibi për të mos bërë atë që në fakt do të ishte vërtet e nevojshme të bëhej: një politikë europiane të të drejtave themelore. Në vend që të shtohen listat e të drejtave apo t'u shtohen të drejta të reja listave tashmë ekzistuese, Bashkimi Europian do të kishte nevojë për agjenci, programe veprimi dhe financime në gjendje që t'i bënin efektive. Në sfond mbetet i hapur problemi i madh i sovranitetit të Europës së Bashkuar, i autonomisë së saj kundrejt Shteteve të Bashkuara dhe ka të ngjarë që kjo të jetë një prej kushteve themelore që ndjenjat e përkatësisë dhe të solidaritetit të rimarrin energjinë në Europë.
-Të godet në këtë pasazh historik protagonizmi i ri publik i feve. Nga ku të fillohet për të ripërpunuar një koncept modernizmi dhe laiciteti në lartësinë e një shoqërie multikulturore, por që nuk mohon lirinë fetare?
Modernizimi është imperativi kategorik i kohës tonë, pasojë normative e proceseve të globalizimit. Modernizimi dhe globalizimi tentojnë që t'i heqin traditat ose, më së paku, t'i injorojnë, duke i braktisur në fatin e tyre të veçantë, si gjë e kotë pastërtisht folklorike. Por traditat nuk vijnë deri tek ne nga e kaluara thjesht për inerci kulturore: janë një shpikje e së tashmes që kërkon një përpunim kulturor të vazhdueshëm. Mund të thuhet se, proceset identitare kolektive ushqejnë pikërisht këtë ripërpunim të gjallë të traditës, të këtij ndërveprimi permanent midis traditës dhe modernizmit. Rrjedha shekullarizuese e modernizimit nuk duhet të nënkuptojë refuzimin e rrënjëve kulturore të popujve, rrënjë kulturore që në pjesën më të madhe janë fetare. Lidhjet e përkatësisë civile dhe politike janë fuqimisht të influencuara nga ikonografitë fetare, aq të pasura me sugjestione antropologjike, motivacione dhe mbështetjes normative të ekzistencës individuale. Braktisja e etnocentrizmit fetar - braktisje e nevojshme për të tejkaluar despotizmin totalitar të mendimit dogmatik - kërkon që secili nga ana e tij të përpiqet për ta kapur anën e errët dhe agresive të kulturës së vet, që nxjerr lakuriq iluzionet e rrezikshme të universalizimit të vet fisnik. Dialogu ndërkulturor kërkon një kritikë të aspekteve dogmatike të feve të lashta, të pretendimit të tyre për të rregulluar në mënyrë autoritare çdo aspekt të jetës. Por, nëse kjo kërkon nga ana e secilit besimtar një qëndrim kritik e të hapur ndaj dialogut me fetë e tjera, nuk imponon mohimin e rrënjëve fetare të secilit popull. Dhe në planin e organizimit publik, modernizmi nuk ka sesi të mos nënkuptojë një shkallë të caktuar diferencimi midis nënsistemeve parësore të sistemit social, duke filluar nga diferencimi midis sistemit fetar dhe sistemit politik. Kjo vlen parasëgjithash për vendet europiane që lagen nga Mesdheu, ku kisha katolike romane - një organizatë hierarkike dhe autoritare, që në brendësi të saj diskriminon rëndshëm gjininë femërore - tenton që të imponojë dogmat e saj edhe me mjete politike e juridike: nga etika seksuale tek konceptimi i familjes, tek shkolla, tek bioetika. Kjo vlen edhe për shtetin e Izraelit, i cili është një shtet sionist dhe konfesional. Vlen edhe për teologjitë islamike që influencojnë pakashumë intensivisht kulturat arabe. Duke u arratisur nga universalizmat etike dhe nga dogmatizmat fetare, modernizmi duhet të frymëzohet nga një "pluriversalizëm" etiko - fetar tolerant dhe përfshirës. Universalizmi i ndan njerëzit, sepse mohon diversitetin dhe kompleksitetin në momentin në të cilin aspiron për consensus universal. Monizimi, filozofik apo teistik, tenton prej natyrës së tij nga fondamentalizmi: në zemrën e zemrës së tij kanë fole intoleranca, racizmi, kolonializmi kulturor, sindroma misionare. Por, ja një pikë shumë e rëndësishme - nuk janë vetëm fondamentalistët fetarë arkaikë me të cilët të ndeshesh. Është edhe fondamentalizimi i modernizmit: është fondamentalizimi i atyre elitave politike dhe kulturore që jashtë rrethit të modernizmit perëndimor shikojnë vetëm barbari, obskurantizëm, shtypje dhe dhunë. Ka në botën perëndimore një fondamentalizëm blerës dhe konsumist, të dominuar nga konkurrenca, nga efikasiteti produktiv dhe nga shpejtësia. Është një botë pa masë dhe pa bukuri, në të cilën zhvillimi i ekonomisë dhe i teknikës nuk has asnjë rezistencë, pasi elementi i vetëm i shenjtë është dominimi i njeriut ndaj natyrës. Dhe kjo e fundit - mjedisi i jetës tonë të përditshme - shkatërrohet dhe helmohet në mënyrë të frikshme. Ky është një prej aspekteve më dramatike të globalizimit - një fondamentalizëm të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë. Në emër të këtij universalizmi humanitar, Perëndimi ka nisur luftëra në Ballkan, në Afganistan, në Irak.
-Përballë sfidave dhe problemeve të reja që vendos përpara botës globale, a janë thirrur sipas jush kultura dhe, më në veçanti, refleksioni filozofik të luajnë një rol orientimi dhe kritike?
Opinioni im është se në kontekstin e proceseve të globalizimit detyra e parë e kulturës dhe e refleksionit filozofik perëndimor është ai i nisjes së një dialogu të barabartë me qytetërimet e tjera e mëdha të planetit, në mënyrë krejtësisht të veçantë me kulturën arabo - islamike dhe me atë kinezo - konfuciane. Në Perëndim është përhapur një ndjenjë superioriteti ndaj kulturave të "ndryshme", në veçanti ato autoktone, afrikane dhe amerikane, qysh nga kohërat e zbulimit të "Botës së Re" dhe nga lundrimi përreth Afrikës. Ka edhe një qëndrim arrogant dhe nganjëherë sfidues sidomos ndaj botës islamike dhe kulturave të Azisë Lindore. Shumë i rëndësishëm lidhur me këtë temë është libri Orientalism i Edward Said dhe po aq të rëndësishme janë kërkimet e Subaltern Studies, që kanë treguar varësinë e kulturave indiane nga kategoritë filozofike dhe epistemologjike të fuqisë pushtuese, Anglisë perandorake. E famshme është thënia, e marra nga Carl Schmitt, Caesar dominus et supra grammaticam. Ndaj botës arabo - islamike në Europë, falë sidomos influencës së kishës katolike, ka ekzistuar gjithmonë një antipati e fortë, jo vetëm fetare. Konfliktet shekullorë që kanë përgjakur Mesdheun - nga kryqëzatat tek ripushtimi spanjoll që ka fshirë kulturën e jashtëzakonshme dhe tolerante arabe nga Andaluzia - sot ia kanë lënë vendin një lloj muri injorance dhe heshtjeje. Në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara praktikisht injorohen qytetërimi, kultura, vlerat dhe parimet e botës islamike. Raportet e vetme të rëndësishme midis Perëndimit dhe botës islamike përcaktohen nga çështja e kontrollit të burimeve energjitike - në veçanti nafta dhe gazet e djegshëm - që përqendrohen në Gjirin Persik, në zonën kaspikase dhe transkaspikase. Fenomeni i terrorizimit lind si nga heshtja kulturore, ashtu dhe nga agresioni dhe pushtimi territorial i vendeve arabo - islamike nga ana e ushtrive perëndimore, sidomos amerikane. Në një libër të kohëve të fundit, të titulluar Dying to Win, Robert Pape ka treguar se terrorizmi i markës islamike, në veçanti ai vetëvrasës, nuk është fryt i fanatizmit fetar: është në pjesën më të madhe përgjigja racionale dhe strategjike e një populli të sulmuar që kërkon të çlirohet nga pushtimi ushtarak dhe nga presioni kulturor i një fuqie të huaj.
-Si zhvillohen studimet mbi të drejtat e njeriut në kulturat lindore? Ka hapësirë për mendimin perëndimor?
Sot, në botën islamike ka një vëmendje në rritje ndaj kulturës politike perëndimore, siç e provon letërsia e gjerë, sidomos euro - islamike: mendoj këtu për veprat e Fatema Mernissi, Muhammad al-Jabiri, Abdullah Ahmad An-Na'im, Soheib Bencheikh, Tariq Ramadan, Yadh Ben Achour. E provojnë edhe dokumentat e shumta të "Deklaratës së të Drejtave" islamike, nga Deklarata Islamike Universale e të Drejtave të Njeriut, e vitit 1981, tek Deklarata e të Drejtave në islam e adoptuar nga Organizata e Konferencës Islamike e vitit 1990, tek Karta Arabe e të Drejtave të Njeriut e vitit 1994. Mbi domethënien dhe shtrirjen brenda në botën islamike e këtyre dokumentave është një zhvillim, një debat i madh dhe i ndezur. Edhe në kulturën kineze po përhapet një interes në rritje ndaj çështjes së mbrojtjes të të drejtave individuale dhe të rëndësisë të së drejtës në administratën publike dhe në raportet ndërpersonale. E rëndësishme në këtë kuptim është Kushtetuta kineze, ajo e vitit 1982, shumë herë e amenduar. Neni i 13-të i amendamentit të fundit kushtetues, atij të vitit 1999, përcakton parimin e "qeverisjes së vendit sipas të drejtës". Kjo nënkupton një impenjim formal të Partisë Komuniste Kineze në adoptimin e parimit të "qeverisjes së ligjit" në Republikën Popullore Kineze. Qëndrimi i autoriteteve kineze është gjithsesi tejet i matur në adoptimin e modeleve politike e juridike perëndimorë, duke rivendikuar diferencat e traditës së vet politike mijëvjeçare, duke ndjekur pjesërisht tezat e idhtarëve të autonomisë së Asian values, që ka zënë vend në zonën e Paqësorit, duke filluar nga Singapori dhe nga Malajzia. Polemika lidhur me këto tema është shumë e gjallë dhe e hapur, duke filluar nga Deklarata e Bangkokut e vitit 1993. Në Kinë një seri të drejtash subjektive të ruajtura në Perëndim (nganjëherë me përjashtime të rënda, si dënimi me vdekje në Shtetet e Bashkuara), nuk është kushtetueshmërisht e pranuar. Një arsye më shumë për ta ushqyer dialogun dhe jo për ta mbytur atë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers