"Mbreti i Shkrepseve", merrte kredi nga Amerika për tia dhënë Europës


Të Shtunën, më 12 Mars 1932, Andre Kostolany ecte në rrugën e njohur të Parisit Champs-Elysées. Francezët ishin grumbulluar për të marrë pjesë në lamtumirën e presidentit të shtetit Aristide Briand, që kishte vdekur. Kostolany, që dikur kishte qenë më shumë një njeri praktik se sentimental, shfrytëzoi rastin që të ndalej me dillerat e tij të bursës të ndodhur në Champs-Elysées, pasi ai në atë kohë të shtunave bënte veprime në bursë, edhe pse e kishte dy orë larg.
Kostolany ishte i habitur, se si tregtia ecte aq ngadalë. Vetëm në një vlerë ndodhte të kishte xhiro jashtëzakonisht të larta, në atë të aksioneve të fabrikave të shkrepëseve të famshme suedeze: "Kreuger & Super Aksionet" - Ivar Kreuger (1880-1932). Por çfarë ishte dhe më e habitshme, ishte se megjithë xhirot e larta kursi nuk ndryshonte. Kostolany ishte atëherë mjaftueshëm profesional për të njohur se çfarë ndodhte. Bankat u përpoqën dukshëm në favor të Kruegerit, duke vepruar që kursi i aksioneve të mos binte nën një shumë të caktuar pavarësisht valës së shitjeve. Por mbështetja për shitjet duhet të ishte shumë më e shtrenjtë.
Çfarë nuk dinin as Kostolany e as bankat mbështetëse ishte se në këtë moment, Ivar Kreuger shtrihej mbi shtratin e tij në apartamentin e tij në Paris jo shumë larg Champs-Elysées - me një plumb pistolete në zemër. Vdekja e sipërmarrësit të famshëm botëror të dikurshëm u mbajt e fshehtë zyrtarisht një gjysëm dite, megjithëse depërtoi goxha informacion nëpër rrethin "interesant", që donin të përfitonin nga kjo gjysëm dite ende me një Kreuger zyrtarisht të gjallë, por faktikisht të vdekur, duke spekulluar me shitjet e aksioneve.
Vdekja e Kreugerit dhe shkatërrimi përfundimtar i grupit sipërmarrës të tij ishin ngjarjet që zotëronin kryeartikujt e shtypit botëror të asaj kohe. Të thënat ishin nga "gazeta më e madhe e botës" (Time Magazine), dhe deri sapo dolën në sipërfaqe edhe disa teori konspiracioni ku në kundërshtim të të dhënave zyrtare të policisë pariziene nuk kishte pasur në asnjë mënyrë një kryerje vetëvrasjeje, por një porosi vrasjeje mbrapa shpine nga njerëz vetullngrysur. Argumentet pro dhe kundra të disa tezave nuk mund të listoheshin dhe të gjykoheshin në këtë pozicion. Fakti qëndronte që Kreuger zotëronte arsye për t'u asgjësuar, por që edhe shenja të tjera flisnin për një vetëvrasje.
Ivar Kreuger u lind më 2 Mars të 1880-ës në Kalmarin suedez, si biri i një fabrikanti të shkrepëseve. Familja në origjinë quhej Kröger dhe në shekullin e 17 lëvizën nga Mecklenburg - Gjermania veriore - për në Suedi. Në rininë e tij, ai tregoi performancë të jashtëzakonshme në studime dhe u diplomua në moshën 20-vjeçare si inxhinier minierash. Më pas, ai përshkroi kilometra të tëra për shumë vite nëpër botë si p.sh. për në Amerikë (ku ai shpëtoi një vajzë të re nga Mississipi), për në Afrikën e Jugut (ku ai drejtoi ndërtimet e hoteleve më të mëdha në botë asokohe), Indi, Meksikë dhe Britaninë e Madhe. Më në fund, Kreuger u kthye në Suedi dhe themeloi atje bashkë me mikun e tij Paul Toll, firmën e ndërtimit Kreuger & Toll. Në vitin 1913, ai mori përsipër të drejtonte grupin e shoqërisë të babait të tij, i cili kryesisht bazohej në prodhimin e shkrepëseve, që atëherë ishte një degë prodhimi me fitim. Kreuger e rindërtoi shumë më mirë shoqërinë, por si një njeri me famë botërore, ai do të njihej nga aftësitë e tij si financier.
Pas Luftës së Parë Botërore, bota financiare dukej thjesht kështu: Në Amerikë kishte shumë para, ndërsa në Europë kishte mangësi të mëdha valute dhe sistemi bankar e kishte të vështirë të menaxhonte nga një anë kreditë e këqija dhe nga ana tjetër të fitonte besimin e depozituesve. E parë në retrospektivë, Kreuger për këtë situatë zhvilloi një ide të thjeshtë e intriguese. Ai do ta vendoste veten në pozicionin e bankave dhe do të thithte para nga Amerika, të cilat do t'ia jepte hua shteteve të rrënuara të Europës në formë kredie, pra do të luante ndërmjetësin e kredive amerikane për shtetet e rrënuara europiane. Me këto transaksione parash, Kreuger nuk do të kishte qëllim fitimi. Por ai do të orvatej për diçka tjetër. Shtetet kredimarrëse europiane do t'i mundësonin atij të qenurit monopol i markës së tij të shkrepëseve për një kohë të gjatë në vendet e tyre përkatëse.
Shumë shtete ranë dakord me kërkesën e Kreugerit, ndryshe ato zor se do t'i arrinin dollarët aq të nevojshëm dhe të domosdoshëm për nevojat e tyre financiare. Kreuger pas kësaj pune kontrollonte tre të katërtat e tregut botëror të shkrepëseve. Njëri prej kredimarrësve ishte edhe Mbretëria Gjermane, që i ishte siguruar nga Kreugeri një shumë prej 125 milionë Dollarë. Edhe pas rënies së Kreugerit dhe Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u soll korrekt me kredinë për dhjetëra vite dhe respektoi në të njëjtën kohë edhe monopolin. Për këtë arsye, në republikën gjermane deri në vitet '80 kishte vetëm shkrepëse "Welt-Hölzer".
Volumi total i kredive të dhëna nga Kreuger, shteteve të Europës, arriti në shumën 387 milionë dollarë, që me vlerën e sotme është baras me 30 miliardë Euro. Borxhlinjtë më të mëdhenj të Kreugerit ishin: Mbretëria Gjermane (125 milionë Dollarë), Franca (75 milionë Dollarë), Hungaria (36 milionë Dollarë) dhe Polonia (32.4 milionë Dollarë). Por plan-biznesi i madh i Kreugerit nuk do të shkonte mirë gjithmonë: Ai i kishte dhënë shteteve të Bashkimit Sovjetik një kredi mbi 1 miliardë dollarë dhe kishte formuar edhe një grup bankar, por në fund Stalini e shkeli me këmbë.
Nga jashtë ky lloj biznesi dukej të funksiononte jashtëzakonisht mirë. Grupi i sipërmarrjes së Kreugerit u rrit aq sa përbëhej nga rreth 400 shoqëri si-motra, të cilat nuk kishin si aktivitet vetëm prodhimin e shkrepëseve, por edhe miniera, prodhim letre dhe shkrirje e përpunim metalesh. Kreuger posedonte edhe banka dhe pyje të mëdha. Bizneset e tij ku ai spikaste si një financier ndërkombëtar i zoti, e bënë atë një njeri të famshëm, dhe ai hynte e dilte në sallone të tilla si në ato të Shtëpisë së Bardhë, Pallati Elysee apo në Berlinin e kancelarit gjerman. Suedezi zotëronte një personalitet të fortë dhe vepronte në mënyrë shumë të hijshme dhe bindëse. Kreuger zotëronte shumë ndërtesa të këndshme dhe ndiqej ngado nga mediat, të cilat ndër të tjera kalonin edhe në spekullim në lidhje me të dashurat e tija - Kreuger qëndroi gjatë gjithë jetës i pamartuar që prej ndarjes nga jeta të të dashurës së tij kur ai ishte i ri.
Por modeli i biznesit të Kreugerit pati një problem, pasi në krizën ekonomike botërore të viteve '30 u bë gjendje akute. Investitorët amerikane nuk ishin aq pro kredive të dhëna shteteve europiane, kredibiliteti i të cilave u dukej atyre me pikëpyetje. Kjo pati si pasojë që një pjesë të kredisë të planifikuar nga Kreuger të mos jepej. Kështu, ai filloi që të vendoste në banka pasuritë e kompanive të tij si garanci apo kolaterale për kreditë.
Grupi i sipërmarrjeve të Kreugerit filloi gradualisht të bëhej shumë i errët për llogaritë e arkëtueshme që kishte dhe ishte jotransaprent në transaksionet financiare. Një sekretare e Kreugerit tregonte njëherë se si shefi i saj vetëm në një pasdite kishte përpiluar tre raporte biznesi të kompanive simotra, vetë me dorën e tij. Ndërkaq, ajo vuri re se si brenda sipërmarrjeve të tij kishte zhvendosje parash si në një sistem "piramidal" apo edhe ishin bërë transaksione fiktive. Por, ndërsa suedezi në bërthamën e biznesit të tij synonte fitime të larta prej kohësh me shkrepëset, bankat e tij në të kundërt duken jo dhe aq mirë. Nga ana tjetër, një klient kaq i madh nuk duhej mërzitur shumë me kontrolle financiare dhe zbatime rigoroze të principeve të kontabilitetit. Kreuger, atëherë emëron si parimin kryesor të biznesit: "Heshtje, më shumë heshtje dhe akoma më shumë heshtje për të palarat e grupit të tij që shtoheshin dita ditës".
Kriza ekonomike botërore e gjeti Kreugerin rëndë, por ai ia doli që për ca kohë të fshihte vështirësitë e grupit të tij, ndërkaq ai kryente pagesat e dividenteve në rënie nga burime të tjera. Nëse "Time Magazine" duhet të kishte të drejtë, ai mbërtheu edhe kredi të tjera. Kështu, ai duhet të mashtronte vetë një klient për një kredi shtetërore italiane për 143 milionë Dollarë. Përveç kësaj, shumë shtete tregonin se si në këtë krizë nuk ishin më në gjendje të paguanin kreditë e akorduara nga Kreuger. Pas një "vizite" të fundit në SHBA, Kreuger u nis për në Francë në fillim të Marsit të vitit 1932. Atje e prisnin përfaqësues të bankave për të folur me të për gjendjen e kompanive të tij. Por, ndërsa bankierët prisnin Kreugerin, suedezi la në banesën e tij një shënim - sipas teoricienëve konspirative ky ishte një mashtrim - me fjalët "Tani mirupafshim dhe faleminderit. I.K." Pak mbas kësaj, ai ishte i vdekur.
Kur vdekja e Kreugerit u njoftua, aksionet ranë bashkë të gjitha si shtëpi prej letre. Kompania mëmë Kreuger & Toll pak javë më vonë do të duhej të shpallte falimentin, dhe si përfundim do të bëhej e ditur që Kreuger kishte falsifikuar bilancet. Dëmi total kapi shifrën më shumë se një miliardë Dollarë, dhe çfarë e çoi në fund ishte se pasuria e Kreugerit më shumë u shpërdorua se sa falimentoi nga kreditë e dhëna shteteve europiane.
Shumë bashkëkohës të Kreugerit zor se e kapnin se rënia e tij rezultonte nga mashtrimet dhe jo nga lëkundjet e kohëve të këqija ekonomike. Afro tre dekada më vonë, Kostolany shkruante në gazetën "Zeit": U shokova më shumë, ndërsa unë nuk e njihja Ivar Kreugerin për mashtrues, kur e shfaqi si të tillë shtypi botëror. Ideja kryesore e bizneseve të tija ishte e rregullt dhe korrekte. Ai u zhgënjye nga ngjarjet dhe u bë viktimë e rrethanave. Publiku humbi miliarda, por gjithsesi përgjegjësia nuk i duhet ngarkuar vetëm proçeseve të kundraligjshme financiare, por edhe sjelljeve politike dhe financiare në Europën Qendrore".
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers