LUIGJI XIV/Dielli i Francës



Paris, shkurt 1563. Në rezidencën mbretërore të Louvre ishte në program Ballet de lla Nuit, një lloj "rave party" i oborrit mbretëror: që nga perëndimi deri në agim do të inskenoheshin koreografi të frymëzuara nga bota e Greqisë së lashtë. Një pikë e fortë e shfaqjes do të ishte performanca e Perëndisë Paollon (mbrojtës i arteve dhe karrocier i yjeve), i interpretuar për atë rast nga një djalosh shumë i zoti në kërcim dhe me një emër me goxha peshë: Luigji XIV i Borbonës, trashëgimtar i paracaktuar për në fronin e Francës. Djaloshi mban veshur një kostum të mrekullueshëm me formën e Diellit dhe për ta bërë ka dy motive të vlefshëm: e para është që, një veshje e tillë i shkon shumë për shtat pikërisht personazhit të Apollonit; e dyta, siç shkruante ai vetë, është që "Dielli, për shkëlqimin që e rrethon, për dritën që u komunikon yjeve të tjerë... për të mirën që prodhon kudo... është sigurisht imazhi më i gjallë dhe më i bukur për një monark të madh".
Mbret fëmijë
"Luigji XIV ishte me të vërtetë i madh", konfirmon historiani Roberto Moro, docent i historisë së doktrinave në Universitetin e Milanos. "Mbi të gjitha, nëse mendojmë për aftësitë që ai kishte për të teatralizuar pushtetin e tij, aq sa për ta shndërruar në një instrument gjenial të komunikimit politik".
"Gjeniu i kurorëzuar" në fjalë kishte lindur në 5 shtator të vitit 1638 në Saint-Germain-en-Laye, një fshat i vogël në dyert e Parisit. Biri i Anës së Austrisë (një Habsburgase) dhe i mbretit francez Luigji XIII (një Borbon), me vdekjen e këtyre (në 14 maj të vitit 1643) trashëgoi fronin. Duke qenë se u bë mbret që 5 vjeç, levat e komandës i shkuan të ëmës, të cilës iu bë krah në këtë detyrë edhe kryeministri, kardinali Mazarino. "Ishte ky i fundit që ushtronte pjesën më të madhe të pushtetit", shpjegon Moro. "Por, drejtimi i qeverisë nga ana e ministrave të fortë nuk ishte një gjë e re në monarkinë franceze. Vetë Luigji XIII kish patur në krah shumë të fuqishmin kardinalin Richelieu, i cili arriti deri sa të ushtrojë edhe më shumë pushtet se sa sovrani.
Politika e Mazarinos, e mishëruar me moton "më shumë taksa për të gjithë", solli në vitin 1648 revoltën e disa eksponentëve të parlamentit parizien. Ky i fundit, i lindur në shekullin XIII ishte në atë kohë një lloj gjykate, me disa kompetenca administrative që mund t'u kundërvihej disa dekreteve mbretërorë. "Parlamentarëve" iu bashkuan edhe turma të mëdha nga populli, të cilët e manifestonin zemërimin e tyre me goditje "katapultash" (prej këtu e mori emrin edhe lëvizja), duke detyruar oborrin që të merrte arratinë e të largohej nga Parisi.
"Për Luigjin e vogël ishte një traumë e vërtetë", rrëfen Benedetta Craveri, historiane e letërsisë franceze dhe studiuese e ancien regime. "Përvoja e arratisë u ngulit në kujtesën e tij dhe mbi të gjitha e bindi për domosdoshmërinë e qeverisjes së vendit me grusht të hekurt". Pasi oborri u rikthye në Paris, shpërtheu një revoltë e dytë e katapultave. Në rrugën drejt përplasjes me Mazarinon dhe sovranin e ri në moshë ishin këtë herë fisnikët, për të cilët Luigji kishte një opinion shumë të keq: "Defekti i fisnikërisë është se është e mbushur me uzurpatorë... me tituj që i kanë marrë me para dhe jo me meritë", shkruante ai në Kujtimet e tij. Kjo valë e dytë protestash ishte më e dhunshme se e para dhe e detyroi oborrin të largohet sërish.
Pak muaj përpara "Ballet de la Nuit" të vitit 1653 ishte rikthyer qetësia, por djaloshi mbret kishte tashmë vetëm një gjë në mendje: të merrte në duar frerët e mbretërisë dhe të vendoste vetë. Por mes të thënës dhe të bërës ishte gjithmonë në mes kardinali i rëndë.
Në pushtet!
Në 7 qershor 1654, pak përpara ditëlindjes së tij të gjashtëmbëdhjetë, Luigjit XIV iu vendos më në fund kurora mbi kokë. "Por duhej të kalonin edhe shtatë vite të tjerë deri kur mbreti të mund të hynte me të vërtetë në skenë si protagonist", thotë Moro. Bëjmë disa llogari: 1654 plus shtatë është e barabartë me 1661, apo më saktë viti i vdekjes së Mazarinos, i cili ndërroi jetë në 9 mars. "Vetëm në atë moment Mbreti Diell u bë i tillë, duke shtënë tërësisht në duart e tij mbretërinë".
Absolutizmi i tij gjeti shprehje në sektorët kyçë. Për të rishëndoshur ekonominë e një France në prag të falimentit total, Luigji angazhoi ekonomistin Jean-Baptiste Colbert, i emëruar në vitin 1665 kontrollor i përgjithshëm i financave. Ky i fundit rriti tarifat doganore për të mos favorizuar importet dhe për të nxitur eksportimin e mallrave francezë, duke përdorur më pas të ardhurat për të financuar industrinë kombëtare, e vendosur nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kurorës.
Më pas sovrani iu dedikua ushtrisë, duke ia besuar riorganizimin e saj Michel Le Tellierit dhe të birit, markezi i Louvois. Këta i hoqën fisnikëve dhe zotërinjve lokalë çdo kompetencë që u kish mbetur mbi drejtimin e ushtrive duke i transferuar drejtpërdrejtë tek sovrani, i cili zemëroi edhe më shumë fisnikërinë franceze duke autorizuar promovimin e të gjithë atyre ushtarëve që ishin dalluar nëpër beteja, edhe pse nuk kishin tituj fisnikësh. Në llojin e vet, ishte një revolucion.
"Dallimi i madh me politikën e të kaluarës", shpjegon Moro, "qëndronte në faktin që në këtë proces të përqendrimit të pushtetit Luigji (të cilit jo më kot i atribuohet fraza "shteti jam unë") ishte me të vërtetë në qendër të gjithçkaje: si Colbert ashtu edhe Le Tellier konsideroheshin vartës të thjeshtë, të cilët asnjëherë nuk do të kishin patur të njëjtën hapësirë veprimi që kishin patur më herët Richelieu dhe Mazarino".
Veç të tjerash, si aktor i sprovuar që ishte, mbreti argëtohej duke favorizuar një herë njërin dhe një herë tjetrin nga bashkëpunëtorët e tij, duke ruajtur kështu në mënyrë të palëkundur qendrën e pushtetit. Por kryevepra e tij absolutiste nuk kishte ardhur ende.
Lëvizje luksi
Si sfond zgjodhi një pronë të vogël në fshatrat përreth Parisit, në Versajë, që përgjithësisht përdorej në rastet kur shkohej për gjah. "Këtu ndërtoi një regji të madhe sa një qytet, në të cilën sovrani çoi në nivelet më të lartë vënien në skenë të pushtetit të tij", rrëfen Craveri.
Ideja ishte të përmbysej skema, sipas së cilës, mbreti duhej që të udhëtonte në të gjithë vendin për të mbajtur nën kontroll fisnikërinë dhe për t'u shfaqur para nënshtetasve të tij. Nga ana tjetër, mendoi Luigji, nëse Dielli ndodhej në qendër të universit (kështu besohej në atë kohë) ai do të duhej të qëndronte në qendër të mbretërisë, me të gjithë planetët e tjerë (të parët fisnikët) që vinin në orbitë përreth tij.
Në origjinë të Versajës ishte një arsyetim i thjeshtë: Nëse aristokratët dhe eksponentët e qeverisë do të kishin kaluar ditët e tyre nën vështrimin plot vigjilencë të mbretit atëherë nuk do të kishin më rast që të komplotonin kundër tij. Përtej kësaj, zhvendosja jashtë Parisit nënkuptonte që mbreti të linte pas krahëve rrezikun e revoltave popullore. Pra, me një gur vriste dy zogj. Dhe kështu, që nga viti 1682, gjithë fisnikëria dhe entourage mbretëror u detyruan që të zhvendosen në skenën gjigante, mes pemëve dhe kopshteve alla italianë, por në kontakt të ngushtë me sovranin.
Në qytet mbeti Parlamenti, të cilit në vitin 1673 iu hoq "e drejta e ankesës", apo më saktë e drejta për t'iu kundërvënë dekreteve të mbretit, duke zhveshur nga çdo lloj rëndësie Parlamentin. Sa u përket oborrtarëve, ata i priste një stil jetese i privilegjuar dhe luksoz, i mbushur me festa mondane të çdo lloji.
"Shumë prej tyre nisën të bëjnë gara për të siguruar vendet më ekskluzivë, apo më saktë ata që ishin sa më pranë sovranit që të mundeshin", vazhdon Moro. "Dalëngadalë në Versajë u rikrijua një shoqëri urbane, me shumë dyqane artizanësh, rrugë të shtruara dhe të reja të tjera. Veç kësaj, për t'i dhënë edhe më shumë luks imazhit të tij, Luigji u rrethua nga grupe artistësh, të gjithë të gatshëm për ta mbushur atë me portrete e piktura në të cilat shpesh herë paraqitej si një lloj hyjnie, ashtu si perandorët helenikë dhe romakë".
Ceremonialë
Megjithatë, përfaqësimi i pushtetit jepte më të mirën e vet në ceremonialët që rregullonin jetën e oborrit, e famshmja "etiketë". "Një prej veçantive të monarkisë franceze ishte ajo e zhdukjes së çdo lloj dallimi mes privates dhe publikes, duke e shndërruar çdo lloj aktiviteti, edhe ndër më intimët, në një ngjarje", shpjegon Craveri. Për të krijuar një ide do të mjaftonte të merrje pjesë në ritualin e përditshëm të "Lever du Roi", rizgjimi i mbretit. Ja se si funksiononte: zgjimin e bënte një shërbëtor që flinte tek këmba e krevatit, ndërkohë që kuzhinierët më të mirë të mbretërisë i futeshin punës për të përgatitur mëngjesin dhe, duke qenë se "spektakli" ishte publik, lejoheshin që të hynin në dhomë disa prej pjesëtarëve të autorizuar të oborrit. Mes tyre ishin shambellani i madh dhe kamerieri i parë, që i sillte këpucë dhe veshje sovranit, i cili në atë pikë ngrihej në këmbë dhe atij i afrohej garderobieri i parë, i cili me ndihmën e një shërbëtori kishte detyrën t'i hiqte këmishën e natës dhe ta vishte. "Të gjithë këto u ishin ngarkuar fisnikëve, të transformuar në këtë mënyrë në maxhordomë të thjeshtë", shpjegon Moro. "Rizgjimi ishte vetëm njëri prej momenteve të shumtë të ditës të dominuar nga etiketa: çdo gjest i sovranit shoqërohej në fakt nga një ritual dhe marrja pjesë konsiderohej një privilegj".
"Mes këtyre privilegjeve ishte madje edhe ai i asistimit në funksionet fiziologjikë të Luigjit", shton Craveri. "Shenjë që tregonte se si edhe vetë sovrani ishte në fund të fundit i burgosur i kësaj etikete të papajtueshme". Dukej se i vetmi ngushëllim ishte, për mbretin, frekuentimi i të dashurave të tij të shumta, në mënyrë të veçantë pas vitit 1683, vit kur ndërroi jetë bashkëshortja e tij, Maria Tereza e Spanjës.
Madhështi
Në Versajë, Luigji XIV shprehu idenë e tij të pushtetit në mënyrën më të mirë, duke e futur aristokracinë brenda një burgu të praruar dhe duke hedhur poshtë parimin e sovranit primus inter pares. Ai që po formohej ishte në fakt parimi i a deo rex, a rege rex ("nga perëndia vjen Mbreti, nga Mbreti vjen ligji").
Por nëse pushteti i sovranit buronte në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vullneti hyjnor, atëherë do të duhej të pohohej edhe mbi Kishën. E thënë e bërë. Mbreti vendosi që çdo dispozitë papnore nuk ishte hiçgjë nëse i mungonte konsensusi i tij. Nën flamurin e katolicizmit pohoi supremacinë e shtetit duke u hedhur fillimisht kundër giansenizmit (një rrymë disidente që predikonte rikthimin në një sjellje më të pajtueshme me mesazhin origjinal të Ungjijve) dhe më pas kundër ugonotëve (protestantët e përtej Alpeve), të cilëve u revokoi lirinë e kultit që u kish lejuar në 1598 me Dekretin e Nantes.
Pushtues
"Pasi e zhveshi vendin nga çdo lloj opozite, e vetmja gjë që i mbetej të bënte ishte që të arrinte të përçonte dritën e tij përtej kufijve francezë", vazhdon Moro. "Luigji XIV kishte ndërmend që të vendoste Francën në qendër të politikës europiane, ashtu sikurse ai vetë ishte në qendër të Francës". Këto ëndrra madhështie e çuan vendin në një seri konfliktesh që shkatërruan moralin e popullsisë ashtu sikurse dhe arkat e mbretërisë. Ajo e Luigjit ishte një epokë luftash dhe sakrificash për francezët. Ishte megjithatë një periudhë lavdie.
"Po të bësh llogaritë, ndonëse në planin ndërkombëtar pushtimet ishin të kufizuar, Luigji diti të konsolidojë hegjemoninë e Francës në kontinent", thotë Moro. "Frëngjishtja u bë atëherë gjuhë zyrtare e të gjithë elitës europiane, ndërkohë që artistë dhe shkrimtarë transalpinë filluan që të imitohen kudo dhe nga kushdo".
Disa prej këtyre intelektualëve ishin shërbëtorë mes shërbëtorëve, ndërsa të tjerë ishin të preferuarit e tij. Për shembull, dramaturgët Moliere dhe Racine. Por lidhjet më të forta Luigji XIV i kishte me kompozitorin me origjinë italiane Jean-Baptiste Lully. Kishte qenë pikërisht ai, në atë 23 shkurt të vitit 1653, që kishte këmbëngulur që sovrani të parqitej në skenë me veshje si Diell. Një kontribut vendimtar për një imazh mbretëror që do të hynte në histori.
Mbretërimi i gjatë i Mbretit Luigji
Luigji XIV konsiderohet "një mbret i madh" edhe sepse mbretëroi për një kohë të gjatë (61 vite) dhe ishte protagonist i ngjarjeve vendimtare për Francën. Ja disa prej fakteve për t'u mbajtur mend nga jeta dhe mbretërimi i tij.
1638: Në 5 shtator, në Saint-Germain-en-Laye lindi Luigji i Borbonës, djali i parë i mbretit të Francës Luigji XIII dhe Anës së Austrisë.
1643: Luigji XII ndërron jetë dhe pushteti i kalon formalisht të birit: por në fakt frenat i merr në duar e ëma e tij, e cila qeveris në bashkëpunim me kardinalin Mazarino.
1654: Në 7 qershor, në Bazilikën e Saind-Denis, Luigji i ri kurorëzohet mbret.
1660: Martohet me Maria Terezën e Spanjës.
1661: Pas vdekjes së Mazarinos, Luigji merr drejtimin e mbretërisë duke filluar menjëherë përqendrimin e pushtetit tek vetvetja.
1667: Fillon lufta kundër Spanjës për kontrollin e Fiandrave (lufta e kalimit të kompetencave). Një vit më vonë në avantazh ishte ushtria franceze. Luigji sheh kështu të zmadhohet dominimi i tij në kontinent.
1682: Luigji XIV urdhëron të gjithë oborrin dhe personazhet politikë më të rëndësishëm që të transferohen nga pallati i Louvre në oborrin e ri në Versajë, rreth njëzetë kilometra larg nga Parisi.
1683: Vdes Maria Tereza e Spanjës, bashkëshortja e Luigjit. Sovrani do të ngushëllohej shumë shpejt me një sërë të dashurash.
Në Fontaineblau firmoset një dekret që, duke anuluar garancitë e lirisë fetare që ishin dhënë më parë nga Dekreti i Nantes, detyron rreth 300 mijë protestantë ugonotë që të marrin arratinë.
1700: Sovrani spanjoll Carlo II vdes pa lënë trashëgimtarë. Shpërthen në Spanjë lufta për pasardhësin: vendet e gjysmës së Europës përpiqen me armë që të imponojnë kandidatin e tyre.
1713: Luigji del fitimtar nga përplasja dhe Traktati i Utrehtit ia jep Mbretërinë e Spanjës Filipit, nipit të tij.
Në 1 shtator Luigji XIV ndërron jetë në dhomën e tij të gjumit në Versajë, dhomë e cila ndodhej mu në qendër të pallatit. U varros në Bazilikën e Saint-Denis.

Google+ Followers