iPad kundër të gjithëve

Çfarë është saktësisht iPad? Krahasuar me paraardhësit e tij "të lashtë" - iPod, iPhone, kjo është një pyetje çuditërisht e vështirë për ti gjetur përgjigjen. Funksionon me të njëjtin sistem operimi si iPhone - por nuk mund të bësh telefonata me të. Eshtë lëvduar si pajisja elektronike që mund të shpëtojë industrinë e botimeve - ndonëse softi i tij për leximin e librave elektronikë, që nuk vjen i instaluar kur e blen, nuk shfaq revista dhe gazeta. Ka një turmë me lojëra - por nuk është as një "vrasës" i Xbox apo as edhe i ndonjë pajisje tjetër për lojëra si përshembull nintendo DSi.
Dhe më paradoksalja nga të gjitha, iPad sfidon edhe botën e kompjuterave me Windows e madhe edhe kompjuterët personale që nuk kanë asgjë mangët, ndonëse në vetvete nuk ka programe navigimi në internet. As edhe nuk të ofron një sistem dosjesh që të mundëson të kontrollosh të gjithë dokumentat e tua në çdo program. Këto mangësi do ta bënin qesharak vetë konceptin e konkurimit me një kompjuter personal, po të mos ishte për madhësinë e tij shumë më të vogël, funksionimin me prekje, si dhe jetëgjatësinë mbresëlënëse të baterisë, të gjitha vlera të shtuara për një prej pajisjeve më të mira që janë ndërtuar ndonjëherë për përmbajtje konsumi të të gjithë llojeve, që nga faqet e internetit deri tek librat dhe filmat. iPad është më i limituar se një kompjuter personal, por në të njëjtën kohë ai ofron një model se ku pritet të shkojnë të gjithë pajisjet elektronike të këtij lloji - gjë që përbën arsyen përse merr më shumë kuptim nëse është një shtesë e të gjithë kompjuterëve të tjerë në jetën tuaj dhe jo një zëvendësues për ta.
Shkurt, tableti i Apple konkuron me një sërë pajisjesh ekzistuese pa imituar asnjërën prej tyre. Dhe mënyra më e mirë për të zbuluar nëse përbën një alternativë të pranueshme ndaj kompjuterit personal, ndaj lexuesit të librave elektronikë, ndaj console-ve për lojëra ap edhe çfarëdolloj pajisje tjetër është ta krahasosh.
iPad përballë PC
Të themi atë që duket sheshit: iPad nuk do të jetë asnjëherë kompjuteri juaj i vetëm. Ta thotë vetë këtë që herën e parë që e ndez, kur kërkon të lidhet me kabëll USB me një kompjuter PC apo një Macintosh që ka të instaluar iTunes. Edhe nëse nuk do të blesh muzikë, filma dhe aplikacione në një kompjuter për ti transferuar më pas në iPad, ti gjithsesi duhet të sinkronizohesh herë pas here, sidomos përderisa kjo është e vetmja mënyrë për të krijuar një rezervë të përmbajtjes së iPad.
Kështu, pyetja nuk është nëse dëshiron një iPad në vend të një kompjuteri, por ai i do të dyja. Nëse jeni të kënaqur me kompjuterët në formën që kanë sot, atëherë kufizimet e iPad mund të të duken zvarritëse, sidomos nëse krijon materiale dhe jo thjeshtë i konsumon ato. Tastiera me prekje në ekran është ndoshta më e mira që është krijuar ndonjëherë, por gjithsesi nuk e zëvendëson dot tastierën reale, fizike, të ndjeshme në gishta, kur vjen puna tek rehatia dhe shpejtësia e të shtypurit.
Çdo gjë funksionon në full-screen (ekran të plotë) dhe me pak përjashtime, nuk mund të hapësh më shumë se një program njëkohësisht - një tronditje, sidomos kur je mësuar të hidhesh sa tek shfletuesi në internet, sa tek programi në Word, sa tek Excel, sa të shohësh e-mailin: të gjitha në të njëjtën kohë. iPad nuk mund të luajë programe standardë produktiviteti, të një desktopi në kompjuter dhe të tillë është e vështirë të gjesh edhe në dyqanin virtual të Apple. Pajisja nuk ka ende një program Office (iWork? Ende s'punon).
Lista vazhdon: Nuk ka kamera, nuk ka suport për Adobe Flash, nuk ka një mënyrë direkte për të printuar si dhe nuk ka vend për kartën e memories së kameras tënde dixhitale. (E vetmja mënyrë për të kaluar fotografitë nga aparati fotografik tek iPad është përmes një adaptori që kushton 29 dollarë). iPadi më i madh ka 64 GB vend magazinimi, krahasuar me 500 GB që sot i gjen edhe tek disa prej laptopëve më të lirë në treg.
Por, pikërisht personaliteti aspak i ngjashëm me një kompjuter personal mendohet të jetë virtyti i vërtetë i iPadit. Si fillim, madhësia e vogël, profili i hollë, pesha e lehtë e bëjnë edhe më portabël se një kompjuter i vogël tip netbook. Ekrani 9.7-ësh mund të jetë i vogël, por teknologjia IPS e bën të duket mirë nga çdo kënd që e sheh. Dhe jetëgjatësia e baterisë - 10 orë me një karikim - të shkurton jo pak stres gjatë përdorimit.
Për një pajisje, të cilës i mungojnë tiparet që kursejnë kohë si tek Windows, iPad nuk duket i pashpresë. Dhe në fakt, falë ekranit të vet me prekje, performancës së vrullshme si dhe aftësisë për t'u ndezur në çast kjo pajisje shpesh herë ndihet në duar si më eficiente, më e shpejtë, dhe një alternativë më pak e bezdisshme se sa një PC me Windows apo një Mac. Eshtë absolutisht e pamundur që programet të shfaqein mesazhe të bezdisur pa lejen tënde, dhe siguria këtu nuk përbën aspak një problem, falë kufizimeve rigorozë që ka vendosur stafi i Apple.
Ndryshe nga një kompjuter apo një telefon, iPad nuk është një domosdoshmëri. Shumë njerëz që e mendojnë intriguese idenë e të paturit një iPad do ta blejnë dhe do të kënaqen që e blenë. Por, refuzimi për ta blerë është gjithashtu një opsion i mirë. Po kështu edhe harxhimi i kohës si një shikues i interesuar në vitrina. Si ndodh zakonisht në teknologji dhe në jetë, gjërat e mira do të vizitojnë atë që pret: libraria e programeve të iPad vetëm do të pasurohet, dhe iPhone OS4 që pritet të dalë këtë vjeshtë për iPad do të sjellë dobi të tjera. Dhe shanset janë që pas një viti Apple do të nxjerrë një iPad të brezit të dytë që do të ketë disa prej tipareve që i mungojnë modelit të parë.
Kompjuterët Personalë e bëjnë më mirë kompjuterin se sa iPadi. Por ky është i ri, i dobishëm dhe i rëndësishëm - dhe nuk duhet ta injoroni deri kur ta provoni.
iPad përballë Kindle
Kur Amazon.com shiti Kindlen e parë në 2007, lexuesi elektronik dukej se ishte e ardhmja e librave dhe e leximit. Megjithatë, i vënë në krah të iPadit, sot Kindle duket një fëmijë i të shkuarës. Apple këtu ka bërë goxha punë, gjë që duket kur shkarkon programin e vet të librave që quhet iBooks, duke të ofruar falas edhe një libër me një tipar që Kindle nuk e ka: fotografi me ngjyra të Winnie the Pooh dhe miqve të tij.
E vërtetë, iPad nuk e bën Kindlen të padobishëm. Pajisja 260 dollarëshe e amazon kushton vetëm pak më shumë se sa gjysma e një modeli bazë të iPad - dhe çmimi përfshin internet jokabllor që të mundëson të shkarkosh libra pa paguar një tarifë mujore. Dhe, të paktën për momentin disa libra të Kindle janë disa dollarë më pak se sa ekuivalentët në iBook.
Kryesisht, falë ekranit të vet 6 inch, Kindle është shumë më i vogël dhe i lehtë se sa iPad. Përdorimi i teknologjisë E-Ink nga Kindle e lejon të shkojë deri dy javë me një karikim dhe e bën të lexueshëm edhe nën dritë direkte të diellit: në të kundërt, e njëjta sasi drite dielli e fshin fare ekranin LCD të iPadit. Dhe disa lexues të librave elektronikë e konsiderojnë E-Inkun më të lehtë për syrin.
Por, ekrani E-Ink është njëkohësisht edhe problemi më i madh i Kindle. Teksti gri i erët monokromatik me një sfond gri të hapur si dhe mungesa e dritës së pasme e bëjnë vështirësisht të lexueshëm në dritë të dobët. Ndërkohë, kalimi nga një faqe në tjetrën ndodh relativisht ngadalë.
iPad? Ai ka një prej ekraneve më të bukur shumëngjyrësh në çdo lloj pajisje; ka tekst ngjyrë të zezë mbi një sfond të bardhë; dhe mund të shfletosh faqe libri me aq shpejtësi sa të lejon gishti. Shkurt, ngjan më shumë me një libër real.
Dyqani i librave i Apple e nisi me 60 mijë tituj, vetëm një e gjashta e përzgjedhjes që Amazon ofron për Kindle. Por po atë ditë, kur Apple nisi të shesë iPad-e, Amazon nxorri një program që e lejon tabletin e Apple të shndërrohet në një Kindle, duke u dhënë përdoruesve mundësi hyrje në 480 mijë titujt që ofronte në dyqanin e Kindle.
Veç kësaj, iPad ofron mundësi hyrje në mijëra libra falas në formatin ePub, një format të cilin nuk mund ta lexosh tek Kindle. Nuk përmendëm që programe të palëve të treta lejojnë iPadin të bëjë mijëra gjëra të tjera veç leximit të librave. Apo që mund të jetë pajisja elektronike më e mirë e ndërtuar ndonjëherë për shfletimin e internetit.
Si Kindle, ashtu edhe iPad janë pajisje elegante, të mrekullueshme, por vetëm më të marrosurit pas teknologjisë do të mendonin ti blinin të dyja. Dhe po ta peshosh dollar për dollar, iPad ka një kthim më të mirë të investimit. Si lexues librash elektronik ka avantazh iPad - gjithmonë, nëse nuk e ke të shtrënguar buxhetin, apo nëse je i dhënë pas teknologjisë E-Ink.
iPad përballë gazetave dhe revistave
Kindle i Amazon të lejon të abonohesh në 58 revista dhe 120 gazeta. Por prezantimi vetëm me tekst nuk ndryshon shumë nga CompuServe i viteve 1990. Në teori, iPad duhet të ndryshojë gjithçka. Drejtues të industrisë së botimeve - që 15 vjet më parë nisën të ofrojnë falas përmbajtjen e gazetave të tyre në internet dhe që janë penduar që atëherë për këtë gafë - janë entuziast për mundësitë e reja që ofron kjo pajisje.
Programi ibook i apple dhe programi i Kindle për iPad nuk bëjnë revista dhe gazeta kështu që çdo botues duhet të mendojë vetë për programin që duhet të nxjerrë. Programi që ka nxjerrë TIME e mbush ekranin me fotografi, të mundëson të shfletosh si dhe vendos në një seksion të veçantë materiale ekskluzive që janë vetëm për internet. GQ i kthen fotografitë në prezantime të lëvizshëm. Revista të tjera - përfshirë PC World - janë të disponueshme në iPad përmes aplikimit Zinio, i cili përshtat madhësinë e këtyre gazetave e revistave me madhësinë e ekranit të iPad.
Megjithatë, asnjë prej këtyre qasjeve nuk e zëvendëson atë bojën e vjetër mbi letra të holla, një teknologji që vazhdon të funksionojë shumë mirë. Veç kësaj, disa tipare kompjuterikë si përshembull mundësia e kërkimit nuk janë të disponueshëm në botimet elektronikë të iPad.
Tre gazeta kombëtare në Amerikë - The New York Times, USA Today dhe The Wall Street Journal - janë të gjitha në iPad, dhe që të treja bëjnë një punë të shkëlqyer në përkthimin e letrës në formë dixhitale në dimensionet e iPad. Ato riformatohen në ajër për leximin për së gjati apo për së gjëri, kombinojnë në mënyrë të mrekullueshme tekstin dhe fotografitë, dhe nuk përpiqen të bëhen shumë të mençura.
Modelet e vendosjes së çmimit për periodiket e iPad janë ende një punë e papërfunduar. Dhe disa botues kanë tendencën të kërkojnë jo pak. TIME kërkon 5 dollarë për një numër, dhe çdo kopje është program më vete. E drejta e plotë e hyrjes në Wall Street Journal është 4 dollarë në javë, edhe nëse je tashmë i abonuar në versionin e prontuar apo atë elektronik në internet. Programi i The New York Times është falas, por ka vetëm disa lajme.
Sigurisht, me disa përjashtime shumica e materialeve në programet e iPad i gjen edhe falas, nëse kërkon përmes shfletuesit në internet që quhet Safari. Nëse botuesit duan të bindin lexuesit që t'u qepen pas e të mos lëshojnë gazetat e revistat e tyre të përshtatura për iPad, atëherë duhet të prodhojnë të tillë që të jenë përmirësime të qarta jo vetëm kundrejt letrës, por edhe kundrejt internetit.
iPadi e ka potencialin që të bëjë për revistat dhe gazetat atë që iPodi bëri për muzikën. Por në fillim, botuesit do të duhet të krijojnë produkte që përfitojnë në maksimum nga pamja dhe mënyra e përdorimit të iPad. Ende s'kemi mbërritur aty.
iPad përballë BlackBerry
Në pajisjet e lëvizshme elektronike, filmat, muzika dhe rrjetëzimi social shkojnë të gjitha shumë mirë; por aplikacioni klasik mbetet i çmuari e-mail. Dhe telefonat blackBerry vazhdojnë të mbeten sinonimi i emailit në celular. A është iPad, që ka edhe një program Mail mes shumë të tjerëve, një zëvendësues i mirë për BlackBerry? Përfundimisht jo, sidomos nëse je i marrosuri që kontrollon gjithnjë mos ke mesazhe të rinj.
iPad përdoret më mirë kur je ulur, dhe ai nuk ofron ato sinjalizimet e menjëhershme në kutinë tënde postare elektronike. Ndërkohë që çdo blacberry është një pajisje që transferon të dhëna gjatë të gjithë kohës dhe që ofron mundësi përdorimi të emailit kudo ku ka një sinjal celulari, vetëm iPadit e pajisur me 3G e kanë këtë mundësi. Modelet vetëm me WiFi kërkojnë që të mundohesh të gjesh një hotspot ku ka internet wireless.
Ndërkohë që, për kontrollin e emailit që nuk kërkon nxitim iPad është shumë mirë - dhe është më i shpejtë se ndezja e një laptopi dhe zhytja me kokë në Outlook. Natyrisht, ekrani i madh dhe tastiera me prekje e lënë shumë km prapa BlackBerryn, sa i përket marrjes, leximit dhe shkrimit të mesazheve që janë më shumë se disa paragrafë të gjatë.
Por, aplikacioni Mail i iPad i ka disa kufizime. Për shembull, ndërkohë që mund të krijosh disa llogari emaili, nuk mund të shkrish të gjitha në një kuti të vetme postare, dhe mund të kesh vetëm një llogari të Microsoft Exchange. Po kështu, nuk mund të hapësh materialet bashkëngjitur emailebe kudo përveçse në programet iWork të iPadit. Apple thotë se do t'i ndreqë këta probleme në vjeshtë.
Edhe nëse të pëlqen programi Mail i iPad, me shumë gjasa nuk do ta hedhësh në kosh blackBerrynë. Apo iPhonin, apo Droidin e pajisje të tjera xhepi ku lexon emailet e tua.
iPad përballë iPod
Skeptikët nxitojnë ta quajnë iPadin si asgjë më shumë se sa një iPod Touch, por me përmasa të mëdha. Kur vjen fjala për të luajtur muzikë e filma, kanë të drejtë - iPad të ngjan shumë me një touch me një ekran 9.7 inch. Megjithatë, kjo nuk është gjë e keqe.
Për shumë njerëz - si ata që preferojnë iPod Shuffle me madhësi të vogël - vetë madhësia e iPad është arsye për ta eleminuar si një zëvendësues të iPod. Një pajisje që s'e fut dot në xhep apo që nuk e lidh dot në krah, nuk është pajisje që e merr me vete në palestër. Madje mund edhe të thuash, se iPod Nano apo iPod Classic, janë më të mirë se iPad sa i përket kontrollit në ekran për të naviguar nëpër dosjet me muzikë.
Por prisni: me përjashtim të Shuffle, të gjithë iPodët kanë bërë prej kohësh video dhe audio - dhe ekrani i mrekullueshëm i iPad e bën atë në fakt "iPod"-in më të mirë deri sot për të parë filma. Eshtë i pari, të cilin një, dy apo më shumë njerëz mund ta shohin së bashku, sidomos kur janë ulur në sediljet ngjitur në një avion.
Në fakt, iPad mund të jetë sistemi më i mirë i argëtimit gjatë fluturimit që është projektuar ndonjëherë, me një jetëgjatësi baterie që të mjafton të të mbajë në argëtim nga New Yorku në Athinë. Dhe nëpër shtëpi, tableti mund të shërbejë si një televizor i lëvizshëm - altoparlanti mund të jetë mono, por është zëlartë dhe i qartë.
Kur vjen puna tek përmbajtja, iPad të jep gjithçka që mund të sigurosh nga një iPod, plus më tepër. iPad nuk është një zëvendësues i iPod - është në të vërtetë një gjë tjetër. Por me të vetën, është një prej pajisjeve më argëtuese që nga koha e iPodit të parë.


Dritëhije të iPad
Lojërat: lamtumirë panele!
Fillojmë nga lojërat: në iPad janë një argëtim i paparë dhe ka lënë pas të gjithë panelet e tjerë. Luftimet e NOVA, garat e Real Racing HD, dhe Small World që e transformon tabletin në një lojë tryeze interaktive... të mrekullueshme! Mëkat që kushtojnë shumë. Bëjnë mirë krijuesit e Crazy Traffic Crashed XL, një lojë dinamike shumë argëtuese në të cilën administron semaforët e një lagjeje: e ofrojnë me çmimin që jepet për iPhone. Një truk për të kursyer? Shumë lojëra të telefonit celular me mollë luhen shumë mirë edhe në iPad: një prekje e vetëm në ekran dhe zoom...!
Efekti kinema
Ekrani pothuajse 25 centimetra është një mrekulli për ata që dëshirojnë të shohin video, ndërkohë që udhëtojnë. Shumë i lehtë, nëse vendos të shkarkosh filma në high definition direkt nga dyqani i iTunes USA (gjen menjëherë fitues të kohëve të fundit si 2012). Disi më pak kur provoj të kopjoj DVD-të e mia: më parë më duhet ti konvertoj, përndryshe iPad nuk i dëshiron. Ngushëllohem me videot HD të Youtube, duke menduar megjithatë me një farë zilie për amerikanët që shijojnë Lost, Grey's Anatomy dhe të tjerë serialë përmes aplikacioneve të ABC Player dhe Netflix. Që këtej nga Europa ende nuk funksionojnë!
Kartona...në TV!
Lexuesit elektronikë të librave? Me aplikacionet e përshtatur iPad i ha me një kafshatë. Më e mira është iBooks që më duket si një libër i vërtetë kur e shfletoj (me një klik në ekran dhe mund të blej në iBookstore). Por, për të "studiuar" është më i mirë Kindle, i kolosit të librave amazon: më lejon që të vendos shënimet e mia në tekst si dhe të evidentoj pasazhet më të rëndësishëm. Megjithatë, avantazhin e vërtetë iPad e kanë kartonat: i shfaq me ngjyra, ndërkohë që të gjithë lexuesit tradicionalë elektronikë janë bardhë e zi. Dhe pastaj, me programe si Marvel dhe Comics si dhe funksionin e tyre të "leximit të orientuar" më krijohet përshtypja sikur po shoh kartona në TV.
Internet e rrjet social
Për iPad nuk mund të mungonin tonelata të tëra programesh socialë. Përveçse për facebook, që është pak si dush i ftohtë: duke e hapur me Safari, humbas rrugën funksionet video dhe chat. Ç'të bëj? Për chatin e zgjidh, duke shkarkuar Aim for iPad. Ndërkohë, që facebook video Player for iPad (3 dollarë) premton të zgjidhë problemin e filmimeve, por kur e nis marr një mesazh që ka një problem. Ndoshta gjithçka do të zgjidhet kur të dalë tableti për Europën. Në ndërkohë shijoj pjesën tjetër të internetit: nuk shoh videot e të përditshmeve online, por pjesa tjetër është spektakël i vërtetë!
Dëshirë për të punuar...
Por iPad është i mirë edhe për punë? Provoj Pages, programi më i bukur për të shkruar që është parë ndonjëherë, sipas Apple. Dhe përshtypja e parë është e mrekullueshme: në 5 minuta krijoj një faqe provë me tekst, foto, grafika dhe efekte. Por kur e nis pastaj me email tek kompjuteri im Macintosh, ka një surprizë të shëmtuar: versioni në pdf ka humbur rrugës fjalët, ndërsa ai si doc është një lëmsh i vërtetë. Jo vetëm kaq: i kam rinisur drejt iPad nga një tjetër email dhe aty nuk i hap dot më. I kam përsëritur provat dhe problemi rishfaqet në mënyrë të përsëritur. Pages nuk është ende i përsosur.
Pikturoj!
Mes të tjerave, programit që më kanë bërë më shumë përshtypje dhe që tregojnë sa rrugë të reja hap iPad janë ata të grafikës. Me art Studio for iPad, për shembull, kam ribërë kopertinën e revistës Jack: prek këtu, prek atje, në 5 minuta kam ... zhveshur Elisha Cuthbert pa qenë një artist. Animation Creator HD më lejon madje të realizoj kartona: ende nuk kam arritur rezultate për Oscar, e pranoj, por kushton vetëm 1 dollar dhe jam i kënaqur që e kam blerë. Dhe çfarë mund të thuash për Crazy Shodo XL. Më fut në një garë kaligrafie japoneze. E çuditshme, por shumë argëtuese në ekranin e madh të iPad. Dhe relaksuese!

Google+ Followers