HORROR/Çfarë pasioni!



Eshtë i gjallë, por trupin e ka të përbërë nga copa të kufomave të mbledhura bashkë. Tjetri është i vdekur, por del nga varri për të thithur gjakun e të gjallëve. Janë respektivisht krijesat e Frankenshtainit dhe Drakulës apo më saktë mostrat e shenjta të horrorit, që bashkë me zombiet, vrasësit serialë, alienët dhe kafshët "e çmendura" kanë populluar makthet e brezave të tërë, të ushqyer përmes gojëdhënave, rrëfimeve, romaneve, filmave e madje edhe kartonave. Të dy kanë të përbashkët edhe datën e lindjes. Që është e dyfishtë.
E para është data e debutimit të tyre amerikan në kinema: viti 1931. Shtetet e Bashkuara, që sapo kishin rënë në batakun e një krize ekonomike të paprecedentë, kishin zbuluar kinemanë e frikës, që në shumë pak kohë ishte ngritur në një zhanër në krye të klasifikimeve. "Kinemaja, trashëgimtare e mitografisë dhe letërsisë, mori në ato momente përsipër detyrën për të përfaqësuar prototipët, apo më saktë 'vendet e përbashkët' të frikës, duke i riadaptuar dhe rivizituar", shpjegon Ricardo Strada, psikoterapist dhe ekspert i zhanrit të horrorit. "Viti 1929 ishte viti i "të premtes së zezë", e cila bëri që të rrënohet e gjithë ekonomia, duke u dhënë kështu një fund të hidhur të viteve '20. Shoqëria u gjend krejt papritur në një realitet të errët dhe të mbushur me pasiguri, që kinemaja filloi ta rrëfejë".
Të vampirizuar
Kush e bëri të kërcejë nga karrigia për herë të parë publikun ishte Drakula, prodhuar nga Universal Pictures dhe me regjisor Tod Browning, i veshi rrobat e kontit vampir hungarezit Bela Lugosit, ylli i parë i horrorit. Divit iu kërkua menjëherë që të interpretonte monstrën Frankenshtain të James Whale, i cili do të dilte në po atë vit. Megjithatë, Lugosi i braktisi xhirimet përpara "çak"-ut të parë, duke ia lënë vendin anglezit Boris Karoff, i cili i bindi të gjithë falë trukut që afirmonte pamjen e krijesës (fytyrë katërkëndore, e çarë plage në ballë dhe bulona të dalë). Karloff e përsëriti suksesin vitin pasardhës duke u mbështjellë me 14 metra fashë: në fakt ishte mumja e filmit homonim të gjermanit Karl Freund.
"Të shumtë janë të vdekurit që kanë populluar qysh atëherë ekranin e madh: nga Freddy Krueger i serisë Nightmare, deri tek pranitë demoniake të filmit Poltergeist të vitit 1982 e deri tek vajza e vogël e filmit 'The ring', 2002", thotë Strada. Përse kaq shumë sukses? "Sigumnd Freud thoshte se nepërmjet letërsisë, teatrit, botës së fiction-it (pjesë e të cilës është edhe kinemaja) njeriu mund të pajtohet me vdekjen". Atëherë do të ishte kjo arsyeja e magjepsies pas horrorit?
Rrënjë teutonike
Pra, ishte Amerika djepi kinematografik i këtij zhanri? "Aspak. Me temën e vampirit, që ka frymëzuar më shumë se një mijë filma, episodi i parë u xhirua në Gjermani në vitin 1922", vazhdon eksperti. Ai u realizua nga regjisori Friedrich Murnau, i cili u frymëzua nga romani "Drakula" (1987) i Bram Stokerit dhe që, për të mos paguar të drejtat e autorit, ndryshoi emrat dhe vendngjarjet dhe e titulloi "Vampiri Nosferatu", duke përdorur një term rumun që përkthehet "jo i gjallë".
"Sa i përket horrorit, kinemaja gjermane e viteve '20 prodhoi kryevepra që do të frymëzonin të gjithë kinematografinë e mëvonshme", thotë Strada. "Në vitin 1919 lindi Republika e Weimarit, e cila inauguroi një dhjetëvjeçar me kriza dhe me pasigurira, i dominuar nga një nacionalizëm i fortë dhe një militarizëm në rritje, dhe që u konkludua me ngjitjen në pushtet të Adolf Hitlerit në vitin 1933. Regjisorë si Murnau, por edhe Fritz Lang (autor në vitin 1922 i filmit pa zë "Doktor Mabuse" dhe, 9 vite më vonë i filmit 'M. Monstra e Dyseldorfit', interpretonin atmosferën e zymtë dhe kërcënuese që mbizotëronte në vend. Krijuan një kinema të mbushur me monstra që përfaqësonin panikun në rritje që shkaktohej prej situatës politike".
Binjakë
Por, thuhej se monstrat e Frankenshtainit dhe Drakulës ndajnë së bashku edhe një tjetër datë lindjeje, atë letrare. Të dy personazhet dolën në dritë së bashku. Historitë e tyre kanë konceptuar respektivisht nga anglezja Mary Shelley dhe nga John William Polidori, britanik me origjinë italiane, një mbrëmje të vitit 1816. Të dy shkrimtarët, në verën e atij viti të ndodhur për pushime në liqenin e Gjenevës së bashku me një grup miqsh letrarë, sfiduan njëri-tjetrin në shkrimin e një tregimi me fantazma. Lindën dy rrëfime të paperëndueshëm.
Romani i Shelley, botuar në vitin 1820 u "përkthye" menjëherë në vepër teatrale (shfaqur në Londër në vitin 1823) dhe që në vitin 1910 me metrazh të shkurtër. Vampiri i Polidorit ishte në fakt mishërimi i parë letrar i një legjende antike, asaj të "të pavdekurit".
Të dy veprat i përkasin të ashtuquajturës letërsi gotike, e cila u inaugurua në vitin 1764 me botimin e romanit të Horace Walpole "Kështjella e Otrantos", një histori me fantazma. Pra, cilat janë tiparet e këtij zhanri letrar? "Një lloj theksi në përshkrimin e tmerrueses, një përdorim i konsiderueshëm i supernatyrores dhe një tentativë për të perfeksionuar teknikat e suspensit letrar", shkruan David Punter në librin e tij "Historia e letërsisë së terrorit".
"Narrative gotike është narrativë e kështjellës së mbushur me fantazma, e heroinave që bien pre e horroreve të papërshkrueshëm, e të keqit gjithmonë kanosës, e fantazmave, e vampirëve, e monstrave dhe likantropëve".
Varrosur të gjallë
Një prej trashëgimtarëve më pjellorë të gotikës ishte shkrimtari amerikan Edgar Allan Poe (1809-1849), tregimet e të cilit i kanë paraprirë shumë prej kollonave mbajtëse të zhanrit të horrorit: si për shembull, tema e personalitetit të dyfishtë që ka frymëzuar në vitin 1886 Robert L. Stevensonin të shkruante "Rasti i çuditshëm i Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde (dhe më pas në vitin 1932, filmin e Rouben Mamoulian 'Dr. Jekyll'). Por, Poe ka lënë edhe trashëgiminë e trillerit investigues (i zhvilluar nga Conan Doyle, babai i Sherlock Holmes) dhe temën e "të varrosurit të gjallë" që kohët e fundit është rikthyer në kinema përmes një filmi "Buried", ku pothuajse i gjithë filmi dhe xhirimet zhvillohen brenda një arkivoli.
Për të varrosurit e gjallë diçka dinte edhe një tjetër regjisor i kultit, Tod Browning. I lindur në 1880, ishte larguar nga shtëpia në moshën 16-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e tij: të punonte në një cirk. Pasi kish kaluar nga roli i artistit që ecte mbi litar në atë të kllounit, zbuloi profesionin e kufomës së gjallë: për 24 orë apo edhe 48) qëndronte i varrosur, për gëzimin e publikut me vetëm dy lukse, një impiant ajrimi të fshehur mirë në arkivol si dhe një sasi të bollshme karamelesh me malt. Ishte ai që kur u rrit xhiroi "Freaks", filmi që në vitin 1932 i bëri t'u bjerë të fikët shumë spektatorëve. "Filmi ambientohej në një cirk të populluar nga binjakë siamezë dhe mikrocefalë: ishte një grusht në stomak për atë shoqëri të pacenuar që vihej përballë monstruoziteteve pa modestira apo moralizma falsë", kujton Riccardo Strada.
Kujdes ujkun
Në fundin e viteve '30, në Hollywood monstra dhe vampirë ia lanë vendin (ndonëse pa u zhdukur asnjëherë për fare) një zhanri të ri kinematografik që kishte si temë dominuese takimin-ndeshjen mes njeriut dhe kafshës. Si ngjarja në qendër të filmit "Njeriu-ujk" i George Waggner (1941), që rrëfen historinë e një njeriu që, pasi është kafshuar nga një likantrop shndërrohet vetë në një krijesë të etur për gjak. Në SHBA ndiheshin tashmë erërat e luftës dhe bisha e egër ishte njëkohësisht simbol i nazizmit.
Në vitet '50 Hollywood-i u prek nga një tjetër virus, "frika e kuqe". Pushtimi i ultrakorpëve (1956) i Don Siegel paraqitet si historia e një komuniteti të pushtuar nga bacilë misteriozë që gjenerojnë kopje të përsosura të qenieve njerëzore, duke i zëvendësuar ata përgjithmonë. "Kërcënimi që i prodhonte njerëzit duke u bërë ata të gjithë të barabartë mishëronte në realitet frikën nga infektimi komunist", shpjegon Strada. "Por ky gur i çmuar kinematografik aludone dhe për një terror edhe më të thellë; atë të të zëvendësuarit nga një alter ego pa ndjenja dhe emocione, shoqëruar me frikën ehumbjes së personalitetit".
Në po ata vite, filmi i parë që merrej me monstrat që kishin pësuar mutacion, japonezi Godzilla (i vitit 1954 por që dy vite më vonë u ribë në versionin për perëndimorët) u shndërrua në simbol të një tjetër paranoje historike, asaj të një lufte bërthamore dhe dëmeve të saj, mes të cilëve edhe mutacionet që shkaktoheshin prej rrezatimit.
Dhe fituesi është...
Eshtë shumë e vështirë të bësh një klasifikim të filmave më përfaqësues të këtij zhanri. E ka provuar disa vite më parë Instituti Amerikan i Filmit, një shoqatë që lindi me qëllimin për të ruajtur trashëgiminë kinematografike të SHBA. Në listën e tyre të 100 më të mirëve të horrorit në vend të parë është Psycho (1960) i Alfred Hitchcock (i pranishëm me plot 9 filma). Në vend të dytë është "Peshkaqeni" (1975) i Steven Spielberg, i cili pasohet nga "Ekzorcisti" (1973) i William Friedkin, një klasik i zhanrit satanik. Vitet '70 ishin epoka e "B Movies", populluar nga krijesa vrasëse si peshqit e panginjshëm të Pirana-s (1978) apo majmunët vrasës të "Swarm" (1973). "Ekzorcisti, në mënyrë të veçantë bëri epokë duke e rilançuar edhe një herë zhanrin. Nevojat e publikut kishin ndryshuar: tashmë spektatorët donin situata gjithnjë e më ekstreme, që do të shihnin kulmin e tyre në vitet '80". Që atëherë, me pak përjashtime, kemi asistuar në një degjenerim progresiv të horrorit. Që megjithatë vazhdon të ushtrojë magjepsjen e tij të paperëndueshme.

Google+ Followers