"Google"/E përhershmja "PËRSE JO"?


David Smith

12 vjet më parë, në një garazh të padëmshëm periferie, Page dhe Brin, dy studentë "të humbur" të Universitetit të Stanfordit krijuan një kompani me emrin Google. Më vonë, ata do të krijonin atë që vazhdimisht votohet si marka numër një në botë, kanë fituar lëvdata pa fund si punëdhënësit dhe miliarderët numër një në botë. Kritikët thonë se, ata mundet që të shkelin ligjet e të drejtave të autorit, kërcënojnë të gëlltisin media si një Murdoch dixhital si dhe të korrin më shumë sekretet tona se sa çdo qeveri totalitare - duke dëmtuar sigurinë e drejtuesve të kompanive publicitare, botuesve të librave, pronarëve të gazetave, manjatëve televizivë dhe mbrojtësve të të drejtave civile.
Misioni i Brin dhe Page është të "organizojnë informacionin e botës dhe ta bëjnë atë universalisht të aksesueshëm dhe të dobishëm". E bëjnë këtë çdo minutë të çdo dite me kërkime të indeksuara në internet, në blog-e, libra, e-maile, harta, lajme, fotografi, filmime dhe në enciklopedinë e tyre. Kanë ndërtuar një tru elektronik gjigand të përbërë nga "ferma" serverash kompjuterikë të lidhur në të gjithë botën, një tru që mëson dhe përfton inteligjencë çdo herë që dikush përdor Google.
Gjithçka ka ndodhur kaq shpejt, saqë askush nuk mund ta rrokë, aq më pak të përpiqet ta ndalë. Tani të gjithë ne, nga fermeri në Afrikë që hyn për herë të parë në internet deri tek Presidenti i SHBA, po mësojmë të jetojmë në një botë Google. "Nuk mendoj se është e mundur të ekzagjerosh domethënien e kësaj", thotë Andreë Keen, një shkrimtar dhe sipërmarrës i lindur në Britani dhe që jeton në Silicon Valley të Kalifornisë. "Sa herë që e mendoj, jam i mrekulluar në çdo nivel. Ata janë duke revolucionarizuar natyrën e dijes; kërkimi është bërë integral në mënyrën se si ne mendojmë dhe veprojmë. Pas 50 apo 100 vitesh, kur të shkruhen historitë e vërteta për internetin, gjithçka do të nisë me dy djem në Stanford". Por, Keen ka një paralajmërim për ruajtësit e portave në internet. "Ata kanë mbledhur më shumë informacion për njerëzit në 10 vite se sa të gjithë qeveritë e botës të marra së bashku. Ata bëjnë STASI-n e dikurshëm dhe KGB të duken si gjyshe të pafajshme në derën ngjitur. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Nëse ndokush dashakeq i bën të tijat, fare mirë mund të shndërrohen në Big Brother".
Blerja kohët e fundit nga Google e kompanisë së reklamave DoubleClick, bëri të bien këmbanat e alarmit. Pati kundërshtime se kjo do t'i jepte kompanisë një thuajse monopol të tregut të reklamave në internet, duke zgjeruar fushëveprimin e saj në grumbullimin e të dhënave të përdoruesve, por lobistët e fuqishëm të Google ndihmuan që marrëveshja të pranohej nga rregullatorët në Amerikë dhe Evropë.
Motorrët e kërkimit janë ndoshta më të rëndësishëm se kurrë për të naviguar në internetin e mbipopulluar: Google katalogoi kohët e fundit faqen e vet të një triliontë. Kompania nuk dominon në çdo vend, sidomos në Kinë, por sapo ka rritur në 70 përqind pjesën që zë në tregun amerikan.
Që në fillim, Page dhe Brin donin ta bënin informacionin të disponueshëm dhe falas dhe nuk donin t'ia dinin shumë për biznesin. Ata u mbështetën nga kapital investimesh në tre vitet e parë dhe nuk kishin praktikisht asnjë fitim. Vetëm kur Google nisi të vendosë reklama përbri rezultateve të kërkimeve si dhe në faqe të tjera interneti, dollarët nisën të vërshojnë me miliona dhe miliarda. Ishte një model që ripërcaktoi mënyrën si bëhet biznes në internet për të gjithë llojet e pjesëmarrësve: ndërto trafik, duke ofruar materiale falas, dhe fito para nga reklamat. Kjo formulë thuhet se zë 99% të të ardhurave vjetore të Google që janë 16.6 miliardë dollarë dhe fitimit 4.2 miliardë dollarë.
Kudo
Tentakulat e Google janë kudo. Ajo ka shërbime për blogging, e-mail, mesazhe të çastit, për të bërë Pazar dhe rrjetëzim social. Ofron një grup programesh si dhe mjete të tjerë për të rivalizuar produktet e Microsoft. Eshtë duke ndërtuar një platformë për telefonë celularë që mund të sfidojë Iphone-n e Apple. Sapo ka lançuar Knol, një enciklopedi që do të konkurojë Wikipedian. Në Amerikë, Gogle Health u mundëson përdoruesve që të ruajnë të dhënat e tyre mjekësore. Kompania po punon gjithashtu me përkthimin e gjuhëve, njohjen e zërit dhe kërkimin e videove. Brin dhe Page i kanë hedhur madje sytë edhe nga hapësira: ata kanë ofruar një çmim 20 milionë dollarë për atë që ndërton një anije kozmike me financime private që do të ulet në Hënë.
A mund të jenë këto shumë përgjegjësi për një institucion të vetëm, e jo më një korporatë shumëkombëshe? Motoja informale e Google "Mos ji i keq" vihet në provë përditë. Një kompani e lindur në utopianizmin e Kalifornisë Veriore tani e sheh veten si një perandori 157 miliardëshe biznesi, në ndjekje të fitimeve, në luftë për të mbytur konkurentët, duke hedhur në erë modelet e vjetër të biznesit.
Këto shqetësime nuk vlejnë vetëm për Amerikën. Si kryetar i Komisionit parlamentar të Kulturës, Medias dhe Sportit, John Whittingdale është përplasur disa herë me Google, duke përfshirë debatin e fundit, nëse YouTube duhet të bëjë më shumë për të bllokuar materialet ofenduese. "Nuk ka asnjë dyshim që ata janë shumë të fuqishëm", thotë ai. "Ka shqetësim për dominimin e tyre në reklamimin online. Kur dikush është në një pozitë të tillë të fortë, të paktën duhet ta shohësh". Ambienti relaksues në Google është një pjesë kyçe e suksesit. Përftimet falas për stafin përfshijnë tre vakte të bollshëm në ditë, masazhe dhe shërbime lavanderie si dhe një palestër dhe pishinë. Inxhinierë të veshur casual shihen shpesh, duke luajtur bilardo, volejboll apo hokej. Pavarësisht projekteve mjedisore dhe degës filantrope, perceptimi për Google po shndërrohet gradualisht nga Davidi trim, në Goliathin e lig. Thënë me fjalët e ish-drejtorit ekzekutiv të Intel, Andy Grove, ajo po shihet gjithnjë e më shumë si një kompani që "merr steroide, me një gisht në çdo industri". Nga një garazhd në periferi, thonë, doli kompania që gllabëroi botën.
Historia
Nr. 232, Santa Margarita Avenue, Menlo Park, Kaliforni, duket si një tjetër shtëpi e zakonshme në një tjetër rrugë të zakonshme. Susan Vojcicki bleu shtëpinë me katër dhoma për afro 600 000 dollarë në 1998 dhe ia dha me qera garazhdin dy studentëve të Stanfordit për 1700 dollarë në muaj, për të mundësuar pagimin e kredisë. Larry Page dhe Sergey Brin ishin takuar tre vite më herët kur Brin ishte një udhërrëfyes për studentët e rinj në Stanford dhe Page ishte në grupin e tij. Fillimisht, të dy e konsideruan njëri tjetrin të padurueshëm. Por ishte fillimi i një miqësie shumë fitimprurëse.
Page ish i interesuar në matematikën e internetit dhe nisi të studiojë lidhjet. Mprehtësia e tij qëndroi në faktin se i mendoi faqet e internetit si dokumenta akademikë, që ndërtonin argumenta përmes citimeve të dokumentave të mëparshëm (dhe i liston ato në shënimet e fundit të faqes). Po kështu, faqet e internetit përmbajnë link-e, të cilat kur klikohen e çojnë përdoruesin në një tjetër faqe. Page kuptoi se, numri i link-eve në një faqe do të qe një udhërrëfyes i dobishëm për rëndësinë e saj relative. Ai punoi me rusin Brin për të krijuar një algoritëm kompleks, që do të rendiste faqet sipas lidhjes, e më pas kthenin atë në një motorr kërkimi për internetin. Versioni i parë i Google - që mori emrin sipas googol, termi për 1 e pasuar nga 100 zero - doli në faqen e internetit të Stanford në gusht 1996.
Page dhe Brin janë përshkruar si Toas Edisonët e internetit. Ashtu si shumë prej shpikësve të mëdhenj të historisë, ata ishin në vendin e duhur në kohën e duhur, duke ngarë dallgën e bumit të internetit dhe duke i shpëtuar përplasjes së madhe. Bashkëthemeluesit nuk patën asnjëherë synim të ndërtonin një biznes, por donin të shijonin frytet e suksesit, duke fluturuar përreth botës me një Boeing 767, bërë surf në oqean dhe ndjekur pasionet si mjedisi. Brin dhe Page, mbeten bashkëpresidentë, Brin i ngarkuar me teknologjinë dhe Page përgjegjës për lancimin e produkteve. Por, rritja e fuqishme e viteve të fundit është udhëhequr nga Eric Schmidt, i cili iu bashkua dyshes në 2001 si truri komercial, një negociator mes evangjelizmit të themeluesve dhe etjes së aksionerëve për fitime.
Tashmë, sfida më e madhe përballë Google është privacia - gjë që një prej drejtuesve e ka etiketuar "bomba e atomit". Google është makina më eficiene e mbledhjes së informacionit, që është ndërtuar ndonjëherë. Sa herë e përdor për të kërkuar në internet, çdo e dhënë e jotja rregjistrohet dhe ruhet për 18 muaj. Ne, hyn në ndonjë prej shërbimeve të personalizuar të Google, si Google Checkout, kompania mbledh të dhëna që kanë të bëjnë me rregjistrimin tënd. Objektivi kryesor është të mësojë për preferencat e tua me qëllim që të të ofrojë rezultate më të mirë kërkimi si dhe të të dërgojë reklama të ndryshme. Peter Fleischer, këshilltar për privacinë globale në Google thotë se, kompania po bën gjithë përpjekjet për të qenë transparente për të dhënat që mbledh, duke përfshirë një seri videosh shpjeguese në YouTube. Ai shton: "Ne ofrojmë shërbime sipas dy shijeve. Nëse nuk hyn, por shkon drejt e në kërkim, atëherë informacioni është anonim. Nëse hyn e rregjistrohesh, do të kujtojë historinë tënde të navigimit dhe do të të ofrojë përfitimet e kërkimit të personalizuar. Edhe për këto shërbime mund të përdorësh një pseudonim: Google nuk ka nevojë të dijë dhe nuk do të dijë emrin tënd të vërtetë". Eshtë e vërtetë se, Google nuk detyron askënd të zbulojë asgjë. Por, përdoruesit preferojnë të japin sa më shumë informacion për të marrë shërbime të personalizuar. Google mund të të kursejë kohë e para, të të gjejë një restorant sipas shijes apo një doktor për t'u shëruar, por gjithë këto t'i ofron vetëm nëse të njeh mirë. Ndihmoje të të ndihmojë; kjo është ideja. Schmidt shkaktoi habi gjatë një udhëtimi në Londër vitin që kaloi, kur deklaroi: "Ne nuk mund t'u përgjigjemi as përgjigjeve me bazë sepse nuk dimë mjaftueshëm për ju. Qëllimi është t'u mundësojmë përdoruesve të Google që të pyesin gjëra të tilla si 'Çfarë do të bëj nesër' apo 'Çfarë pune duhet të gjej'?" Ky është aspekti më i rëndësishëm i ekspansionit të Google.
"Problemi me Google është se ata duhet te vazhdojnë të rriten", thotë Andrew Keen. "Nëse duan, ata mund të shkatërrojnë biznesin e reklamave dhe të vrasin gazetat. Çdo gëj që ata bëjnë ka një impakt të thellë. Eshtë si ajo thënia për Amerikën: kur teshtin Google, ftohet pjesa tjetër e botës".
Lindur në idealizmin e Silicon Valey, tashmë e përkëdhelur nga kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, Google nuk është si kompanitë e tjera. Ajo po kolonizon dhe depërton hapësirën mendore, është një Shell apo një BP e informacionit. Stafi i vet, zakonisht më të mprehtët dhe më të mirët gjithmonë pyet: "Përse jo?" Tashmë, po punëson disa ekspertë të mençur për të shpjeguar përse përgjigja ndonjëherë duhet të jetë "jo". Ndoshta mund të jetë shumë vonë. Mrekullia që Page dhe Brin i dhanë botës dhjetë vjet më parë u shndërrua në një gorillë gjigande në kohë rekord. Por, askush nuk u kujtua të pyesë - çfarë ndodh kur një gorillë rritet e rritet pa pushim?

Google+ Followers