Glenn Cooper/Përse ka sukses Noir-i historik



Biblioteka e të vdekurve, libri i misterit shumë i shitur i Glenn Cooper, linte shumë pikëpyetje pa përgjigje. Me të vërtetë të gjithë librat e shkruajtur në abacinë e Vectis, me datën e lindjes dhe të vdekjes së pjesës më të madhe të njerëzimit, ruhen tashmë në Zonën 51? Me të vërtetë viti 2027 përfaqëson fundin e kohëve? Dhe me të vërtetë protagonisti gërnjar, ish-profilizuesi i FBI, Will Piper ka dalë tashmë në pension dhe i është dhënë gëzimeve të familjes? Natyrisht që jo: dhe përgjigjet janë tek "Libri i shpirtërave", që sapo është botuar.
Kam shkruajtur "Bibliotekën e të vdekurve" si një roman të vetëm. Ka qenë agjenti im që e shiti duke paralajmëruar edhe një libër të dytë dhe kështu mua m'u desh të përshtatem. Fatmirësisht patëm kohë për të ndryshuar gjëra në librin e parë dhe për të lënë të hapura disa pikëpyetje të mëdha të cilave duhet t'u jepnim përgjigje në librin e dytë. Megjithatë, nuk do t'i uroja të njëjtën përvojë një debutuesi.
-Dy romane me të njëjtën temë: njohja e momentit të vdekjes tënde. Përse?
Sepse që fëmijë kam qenë i magjepsur prej idesë së fatit të parathënë. Kur isha student mendoja: epo, nëse çdo gjë është e vendosur tashmë, ndoshta nuk duhet të studioj për provimet. Disa vite më parë kuptova se fati do të ishte një subjekt i mrekullueshëm për një triller.
-Duhet të ketë qenë ndonjë interes tjetër. Historia e mesjetës? Feja?
Historia, mbi të gjitha: kam qenë gjithmonë i apasionuar. Sa i përket fesë, më bënte të reflektoja ideja që sistemi i bazuar mbi besimin fetar ka qeverisur jetët e njerëzve në të gjithë kohët dhe në të gjithë vendet. Doja të përdorja këto tema në një roman: misteri dhe trilleri ishin rruga për të arritur tek një publik sa më i gjerë që të ishte e mundur.
-A ka një arsye përse lexuesit e duan kaq shumë trillerin?
Sepse duan të përdorin atë pak kohë që kanë në dispozicion për t'u argëtuar dhe për t'u shkëputur nga jeta e përditshme, të paktën për disa orë. Misteri është një mënyrë shumë e mirë për t'ia dalë mbanë.
-Mbi të gjitha misteri historik: borxh kundrejt "Emrit të Trëndafilit"?
Umberto Eko është babai, është mësuesi. Emri i trëndafilit ka hedhur themelet për trillerin historik.
-Të tjerë shkrimtarë që ju kanë influencuar?
Dan Brown, John Le Carre, Frederick Forsyth, Ken Follet.
-Dhe nga autorët që nuk i përkasin zhanrit?
Mbi të gjitha John Steinbeck. Më pëlqen shumë edhe Graham Greene, Auden, John Foeles, Shakespeare.
-I cili jo rastësisht shfaqet tek "Libri i shpirtërave", ku në qendër të tij është një vëllim i vetëm.
Po, kam imagjinuar që nga ata 700 mijë libra që ndodheshin në bibliotekën e Vectis, njëri kishte rënë në duar të huaja: duke influencuar më pas jetët e shumë njerëzve, duke përfshirë Calvinon, Nostradamusin dhe Shakespearen. Dhe kur shfaqet në një shtëpi në Londër, vetë ai libër mbërthen protagonistin, Will Piper brenda aventurës.
-Shakespeare dhe Calvino së bashku në Zonën 51?
Sigurisht. Eshtë argëtuese të përziesh kulturën e lartë e të ulët. Në të njëjtën kohë kryej kërkime të gjatë për t'i bërë romanët e mi absolutisht rigorozë dhe respektues të figurave dhe vendeve historikë. Lexuesve duket se u pëlqen ideja e takimit të historisë me modernitetin.
-Ndërsa personazhi juaj urren librat, do alkoolin, është shumë instiktiv. Antihero?
Nuk më pëlqejnë ndarjet klasike të heroit dhe antiheroit. Askush nuk është totalisht i mirë apo i keq. Wsill Piper është një njeri jo i përsosur që dëshiron të bëjë gjënë e duhur: por që, ndonjëherë gabon.
-Ka shumë diskutime për domosdoshmërinë e dallimit mes zhanreve dhe nënzhanreve. Duhet bërë?
Unë mendoj se ka dallime të rëndësishëm, për shembull mes një trilleri dhe misteri: tek i dyti, gjërat mund të ecin ngadalë, kënaqësia qëndron në zgjidhjen e krimit apo enigmës. Eshtë si të ngasësh rehat automobilin e turizmit. Në një triller, ritmi është i shpejtë dhe një dobësi e protagonistit mund të ketë pasoja të tmerrshme. Është si të ngasësh një Ferrari.
-Cilës kategori i përket romani juaj i tretë, The Tenth Chamber?
Eshtë një triller që ka në qendër një pikturë historike. Zhvillohet në ditët tona, me referime të Francës mesjetare dhe asaj të 30 mijë viteve më parë. Ndryshe nga dy librat e parë, të gjithë misteret shpjegohen prej shkencës. Këtë herë asnjë lidhje me fantastiken.
-Dhe libri juaj i ri, Near Death?
Zhvillohet në të tashmen dhe përqendrohet në përjetimet e pasvdekjes. Doja të dija nëse mund të shkruaja një triller më tradicional e megjithatë ka qenë shumë e vështirë të punoja me të, edhe pse mendoj që rezultati është i mirë. Por është e vështirë t'i rezistosh thirrjes së historisë: libri me të cilin po punoj i zhvillon ngjarjet në Romën moderne, mesjetare dhe antike. Jam rikthyer në zona të rehatshme.
-Po, por pas një libri mbi vdekjen.
Eshtë tema më interesante në botë.

Google+ Followers