A është Spanja viktima e radhës e spekulantëve?


image

A do të jetë Spanja pas Greqisë vendi i dytë që kërkon mbështetje brenda zonës së euros? Ajo që menjëherë bie në sy është fakti që BE-ja dhe Spanja u detyruan t'i përgënjeshtrojnë fuqishëm këto pohime. Sa më shumë që dikush mohon një gjë, mosbesimi është më i madh. Kështu të paktën është në dashuri e duket se kjo vlen edhe për tregjet financiare. Prandaj është shumë shqetësues fakti, që përgjegjësit në Bruksel për dy ditë me radhë po përgënjeshtrojnë pohimet për problemet financiare të Spanjë. Fillimisht me një deklaratë doli kryeministri i Spanjës Jose Luis Zapatero: “Ne të gjithë e dimë, që gjërat rregullisht ndryshojnë. Tregjet reagojnë ndaj të gjitha zhvillimeve, që shpesh bazohen vetëm në thashetheme, pa asnjë bazë të vërtetë. Unë kam besim të plotë në fuqinë ekonomike dhe likuiditetin e sektorit publik, si dhe faktin që ekonomia jonë po rimëkëmbet". Por shumë shpejt u përhapen spekulimet se Spanja ka nevojë për ndihma të BE-së në vlerë prej 250 miliardë eurosh. “Totalisht e pavërtetë, me siguri që nuk i besoni këto gjëra!”. Por tregjet janë të trazuara. Spanja aktualisht duhet të paguajë për një kredi 1,2 për qind më shumë interes se sa ministri gjerman i Financave. Gjendja nuk u përmirësua as pas prognozave pranverore të Komisionit të BE-së. Spanja këtë vit do të shënojë vetëm rënie të vogël ekonomike, por rritje nuk parashikohet as për vitin 2011. Edhe Presidenti i Këshillit të BE-së Herman van Rompuy u detyrua të përgënjeshtrojë spekulimet e fundit. “Në tregjet financiare po shoh zhvillime irracionale, të influencuara nga spekulimet. Dje për shembull ka pasur spekulime për Spanjën dhe Portugalinë. Unë ju them shumë qartë: situata në këto dy vende nuk mund të krahasohet fare me Greqinë, e cila është një rast specifik”. Megjithatë komisioneri i BE-së për monedhën Olli Rehn paralajmëron për mundësinë e përhapjes së krizës në zonën e euros. “Për të mbrojtur rritjen ekonomike e cila edhe më tej është brishtë, duhet të koncentrohemi edhe më tej në shuarjen e zjarrit në Greqi. Duhet evituar mundësia e përhapjes së zjarrit, që do të rrezikonte stabilitetin e financave në tërë BE-në”.

Google+ Followers