E vërteta e fshehtë e Italisë që njohim



Italia nuk është përkeqësuar, ka qënë e keqe që në fillim
Ndërhyrje humanitare - Kur Londra dhe Parisi (domethënë Lordi Palmerston dhe Napoleoni i III-të) vendosën që të mbështesnin Savojat në pushtimin e principatave italiane, gazetat evropiane u mbushën me përshkrime të tmerrshme lidhur me keqqeverisjen e shtetit të Kishës dhe të Mbretërisë së dy Siçilive: këta popuj "rënkonin" në mjerim, në prapambetje, nën një represion reaksionar mizor regjimesh idioteske dhe mizore. Aq sa kërkohej "një ndërhyrje ndërkombëtare" për t'u dhënë fund qeverive "kundër interesave të popullsisë".
Shtypi masonik italian i mori me kënaqësi lajmet e egra të diktuara nga jashtë. Me 9 mars të 1857, "Il Corriere Mercantile di Genova", konfirmoi se në burgjet burbone përdorej "kufja e heshtjes", një pajisje torture e aplikuar në fytyrën e të burgosurve për t'i penguar ata që të flisnin. E kotë të thuash se ky objekt ishte i panjohur në Napoli. Në të vërtetë - si rrëfen Christophe Moreau, një ekspert francez i ngarkuar nga qeveria e tij për të studiuar sistemin britanik të burgjeve - ishte në përdorim në burgjet angleze: "... Një instrument i përbërë nga kapëse të ndryshme hekuri që kapin kokën e fajtorit dhe përfundon poshtë me një gjuhë të hekurt të lakuar që futet në gojë deri në qiellzë".
U shkruajt se, Vatikani i dënonte fajtorët me kamxhik. Praktikisht, kishte 5 apo 6 të fshikulluar në vit. Në Britaninë e Madhe, macja me 9 bishta ishte një sistem korrent ndëshkimi i aplikuar nga gjykatat në 700 - 800 raste në vit dhe përdorej normalisht pa kurrfarë procesi kundër marinarëve të anijeve të luftës.
Sipas shkrimeve, në Jug gëlonin dënimet kapitale pa kontroll. Në realitet, pas "revolucionit" të dështuar të 1848, gjykatat napolitane u dhanë revolucionarëve mazzinianë dhe profrancezë 42 dënime me vdekje. Mbreti Ferdinandi i II-të i ndryshoi të gjitha, nuk u krye asnjë ekzekutim. Në mbretërinë civile të Sardenjës, model i gazetave evropiane, më 26 mars 1856 deputeti Brofferio i së majtës u ngrit kundër numrit të tepruar të ekzekutimeve kapitale të marra kur qeveria piemonteze është bërë "konstitucionale dhe liberale": 113 ekzekutime midis viteve 1851 dhe 1855, ndërsa qeveria absolutiste e mëparshme (1840 - 1844) kishte ekzekutuar vetëm 39. Mbretëria savojase konstitucionale dënonte me vdekje 8 herë më shumë se Franca, u ankua Brofferio.
Shërbëtorë të Londrës - "Vendet (europiane) i njihnin Italisë të drejtën e të ekzistuarit si komb përsa i besonin detyrës shumë të lartë për t'i çliruar nga zgjedha e Romës katolike (...)": kështu shprehej Buletini i Lindjes së Madhe Italiane në vitin 1865. Për ta kënaqur regjimin anglikan dhe për t'i siguruar mbështetjen, Cavour mbylli urdhrat fetarë dhe konfiskoi pronat ekleziaste në krahinën Piemonte (gazeta "Times" i thuri himne këtij veprimi). Superfuqia e epokës - Mbretëresha Victoria - formon një "coalition of the willing" në vitin 1854 për të luftuar Carin në Krime, me qëllim që t'i pengojë Rusisë eksesin në Bosfor: Cavour dërgon 15000 ushtarë piemontezë në Krime, me qëllim që t'i bëjë qejfin Mbretëreshës Victoria. Do të vdesin 5000, një e treta e efektivave, në ato luftëra në të cilat Pimenonte nuk kishte asnjë interes. Për ta paguar këtë luftë të largët, Cavour lidh një kontratë huaje me financën britanike, të cilën Mbretëria e Italisë do ta shlyejë vetëm më 1902.
Cavour, shkruan Angela Pellicciari, ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se "Italia nuk ndërtohet me mbështetjen e popullsisë italiane, por me mbështetjen ndërkombëtare të qeverive liberale, kundra fesë (...) së mazhorancës dërrmuese të popullsisë".
Deficit publik i jashtëzakonshëm- Cavour pranon në Dhomën subalpine me 1 korrik 1850: "E di sa të tjerët se, duke vazhduar në rrugën që kemi ndjekur prej dy vjetësh me shpejtësi do të shkonim drejt falimentimit dhe, duke vazhduar t'i rrisim barrat, pas shumë pak vjetësh do të jemi në pamundësinë për të marrë hua të tjera dhe të kënaqim të moshuarit".
Borxhe të reja për të paguar borxhet e vjetra: është këtu që fillon Italia që njohim. Në 34 vitet që shkojnë nga rënia e Napoleonit të III-të më 1848, pavarësisht dëmeve të pushtimit francez, Mbretëria e Sardenjës akumuloi 134 milionë borxhe. Vetëm në 12 vitet e qeverisë Cavour, nga 1848 deri më 1860, borxhi publik shkon përtej 1 miliardëshit (Shteti i Kishës dhe Mbretëria e Napolit kanë aktive të lehta bilanci). Natyrisht, kontribuesit piemontezë u shtypën nga taksimi më i rëndë i Italisë. Piemonte kishte akumuluar 1 miliard lireta borxh, të barabarta me 200 miliard euro të sotme. Falimentimi i shtetit ishte i afërt, në pikën që vetëm lufta ndaj Austrisë (dhe pushtimi i principatave italiane) mund të japë një shpresë për të dalë prej krizës. E pranon Pier Carlo Boggio, deputet cavourian në vitin 1859: "Çdo vit bilanci i Piemontes mbyllet me një rritje të pasivit... Vetëm ushtria thith një të tretën e të gjitha hyrjeve... Piemonte do ta rriste me 500 milion borxhin publik të saj... Piemonte falsifikoi bazat normale të bilancit pasiv të tij. Ja pra udhëkryqi: o lufta, o falimentimi. Politika e Piemontes në këto vite do të quhet e mençur, bujare dhe e fortë, ose e pakujdesshme, impulsive apo aventureske, nëse do të kemi luftë apo paqe". Fituan dhe vetëm në bankat e Burbonëve gjetën (dhe morën) ekuivalentin e 1500 miliard eurove.
Miliarderë shtetërorë- Camillo Benso Konti i Cavour imponoi liberalizimin absolut ndaj modelit anglez. Nga ana e tij, ishte aksionisti më i madh i "Shoqërisë Anonime të Mullinjve anglo - amerikanë" (siç) të Collegno, enti privat më i madh drithor i gadishullit. Në vitin 1853, me të korrat e pakta dhe urinë që gëlon midis shtresave popullore, ndërsa principatat "reaksionare" ndalojnë eksportimin e drithërave për të ushqyer popullsitë e tyre, Piemonte e lejon, kështu që prodhuesit vendas realizojnë fitime të mëdha nga eksportimet e produktit të shtrenjtuar. Për këtë arsye ndodhin trazira përpara banesës së Cavour, të shtypura nga policia dhe nga ushtria me të shtëna.
Tashmë i përmenduri Angelo Brofferio, deputet i së majtës, akuzon: "Nën qeverinë e Kontit Cavour trashen në mënyrë të paligjshme monopolistët, magazinierët, hajdutët, spekulatorët, ndërsa lëngon dhe vuan tërësia e qytetarëve nën peshë e taksave dhe të tatimeve". Deputeti nënvizon konfliktin e interesit: "Konti Cavour është magazinier i grurit dhe i miellit...".
Cavour posedonte edhe një pronë në Leri: 900 hektarë që i përkasin abacisë së Lucedio, të blera nga babai i tij Michele me shumën 2 lireta gjatë konfiskimit të parë të pronave kishtare, domethënë nën pushtimin napoleonian.
Kasta - E "çliruar" Toscana me "kryengritje spontane", masonët vendas në pritje të trupave savojase vendosin një qeveri provizore, një diktaturë "popullore". E kryeson Baroni fiorentin Bettino Ricasoli. Vetë Cavour do t'i thotë për të Mbretit Vittorio Emanuele: Ricasoli "e qeveriste Toscana tamam si një pasha turk, duke mos e çarë kokën as për ligje, as për ligjishmërinë". Brofferio saktëson: "Llogaritë e qeverise toscane (sapo ishte përmbysur) parashikonin për vitin 1859 një aktiv prej 85000 liretash. Në arkat kishte 6 milion lireta në kesh. Qeveria e re e mbyllte 1859 me një pasiv prej 14 milion e 168 mijë liretash". Në më pak se një vit, e masakruar më shumë se dyfishi i asaj që diktatori gjeti në arkë. Si? Akoma Brofferio: "Thesari shtetëror ishte masakruar për të kënaqur babëzinë e favoritëve të rinj; lukse kalecësh dhe spiunësh në pafundësi; përzënie, arrestime, bastisje; garda kombëtare e vënë në shërbim të policisë dhe jo të mbrojtjes kombëtare. Asnjë liri personi, shtypi, banimi; çdo shoqatë e ndaluar; njerëz pa fe dhe pa karakter të nderuar...". Qenë tashmë të rekomanduarit.
Shërbime të devijuara - Një pafundësi sheshesh dhe rrugësh të Italisë i janë kushtuar Ricasoli, Cavour, Carlo Farini, Mazzini, Daniele Manin ("diktator" provizor i Venezia, allaRicasoli), të Niccolò Tommaseo dhe të terroristëve të tjerë. Në këtë listë etërish të adhuruar të Rilindjes mungon dukshëm një hero shumë aktiv: Filippo Curletti, funksionar i policisë politike (Digos-i i ardhshëm), i përkëdheluri i Cavour dhe instrumenti i tij. I ngarkuar prej tij, Curletti organizoi në mënyrë të palodhur kryengritje popullore spontane në principatat italiane, ku Vittorio Emanuele të mund të thoshte se "nuk ishte i pandjeshëm ndaj thirrjes së dhimbjes" që ngrihej nga italianët e shtypur nga obskurantizmi dhe të justifikonte ndërhyrjen e ushtrisë piemonteze. Curletti organizoi kryengritje në Ancona, Perugia, Fano, Senigallia, duke rekrutuar për to kriminelë të rëndomtë dhe të arratisur nga burgu. Si ia arrinte? U zbulua vetëm pas vdekjes së Cavour, kur Curletti e humbi mbrojtësin e tij dhe u procedua. Origjina e procesit qe një i penduar - i penduari i parë i historisë italiane - Vincenzo Cibolla, kreu i "bandës së Cocca", një bandë kriminelësh që terrorizoi Torinon në vitet Pesëdhjetë. I kapur, Cibolla zbulon se informatori i parë i bandës, pse jo dhe ortaku i ndarjes së plaçkës dhe rrëmbimeve, ishte funksionari i policisë Curletti. Banda e Cocca ishte prototipi i Banda della Magliana apo i grupeve mafioze, që shpesh u kanë dhënë një dorë me atentate dhe vrasje shërbimeve sekrete të devijuara (të ashtuquajtura) në strategjinë e tensionit. I dënuar me 20 vjet në mungesë (ishte arratisur në Zvicër), Curletti boton një memorial të tijin të bujshëm. Duke treguar sesi Farini, në atë kohë diktatori provizor i Parma, i kërkoi që të organizojë masakrën e Kolonelit Anviti (ish-kreu i policisë të Maria Luizës), si linçim "popullor". "Ne nuk mund ta prekim pa shkaktuar bujë. - i thotë Farini Curletti. - Do të duhej mjeshtëri që popullsia ta përkrahte aferën. Ju më keni kuptuar. Besoj se më keni kuptuar". Curletti vëren: "Unë u nisa dhe dihet ajo që ndodhi".
Koloneli Anviti, i njohur nga "populli", u tërhoq zvarrë, midis shkelmave, thikave dhe këngëve patriotike, "në Caffè degli Svizzeri" në Parma, ku "u vendos sipër një tavoline dhe ju pre koka, ndërkohë që nuk ishte shuar akoma". "Me kokën e përgjakur është dashur të pihet një filxhan kafe, i është vendosur një cigare në gojë dhe në këtë mënyrë u dërgua në kolonën që ngrihet mbi një prej kuadrateve të sheshit tonë të madh", shkroi gazeta "La Civiltà Cattolica". Kufoma e shpërfytyruar u vëdallis nëpër rrugë për 4 orë.
Kush qenë patriotët që kryen këtë akt drejtësie popullore? "Nja 1000 të dënuar me kush të plakur në ves dhe të organizuar në krim", që diktatori Farini (baba i atdheut) "u nguc që të lironte nga kështjella e Castelfranco".
Ryshfete dhe tanxhente - Curletti është një prej pagatorëve që nën komandën e Admiralit Persano korruptuan me para oficerët e lartë të ushtrisë burbonase, me qëllim që të përgatisnin suksesin e "të Njëmijëve". Carlo Persano është një komandant detar shumë i keq (do të mundet në Lissa në vitin 1860 nga flota inferiore austriake), por një subversiv i shkëlqyer. Në gusht të 1860 i shkruan Cavour "Shkëlqesi, më është dashur të marr para të tjera. 20000 dukate Devincenzi-t, 2000 Konsullit Fasciotti, 4000 komitetit...". Në kompensim, thotë ai, "mund të mbështetemi tashmë në pjesën më të madhe të oficerëve të Marinës Mbretërore napolitane". Në fakt. Tetëqind "qelbanikë" (thotë Ippolito Nievo, që ishte njëri prej tyre) pushtojnë Palermo pa shkrepur një pushkë dhe penetrojnë në Mbretërinë e Napolit si thika në gjalpë. Massimo D'Azeglio i shkruan një nipi me 29 shtator 1860: "Kur shikohet një ushtri prej 100 mijë njerëzish e mundur me humbjen e 8 të vdekurve dhe 18 të plagosurve, kush do ta kuptojë, e kupton". Vetë Garibaldi thotë se, janë luftëtarët e tij patriotë me këmishë të kuqe: "të gjithë përgjithësisht me origjinë shumë të keqe dhe për më tepër hajdute... me rrënjë në llumin e dhunës e të krimit". Në fakt, qeveria garibaldine që ka zëvendësuar Mbretin e Napolit përshkruhet kështu nga Boggio: "Shpërdorimi i parasë publike është i pabesueshëm... shuma përrallore zhduken me shpejtësinë me të cilën u muarën nga arkat burbonase... Harxhohen miliona, ndërsa ushtarëve tuaj (i shkruan Boggi Garibaldi) u mohohet deri buka. Ushtarët, të privuar nga gjërat më të nevojshme, janë detyruar që t'i sigurojnë siç munden, nga këtu abuzimet, shpërdorimet, dhunat që irritojnë popullsitë".
Janë detyruar - Edhe kreu i Digos-it, Curletti, i dërguar në Napolin e çliruar, nënvizon: "E gjeta Napolin në rrëmujën më të pabesueshme. Ushtria gurgullonte me femra: Milady White dhe Admiralja Emilia i qenë heroinat. Netët kalonin në orgji. Garibaldi nuk ishte më i njohshëm; kur nuk kënaq maninë e tij të tepruar për popullaritet, duke u brohoritur nëpër rrugë, e kalonte kohën midis Milady dhe Alexandre Dumas...". Qysh atëhere, velina dhe putana, xhuxhë dhe balerina. Në qeverinë garibaldine, ministri Franceso Crispo kërcënon ministrin Cordova, duke i vënë pistoletën në gjoks. E kështu me radhë. Garibaldi tund kokën dhe ëndërron që të formojë një republikë mazziniane, duke tradhtuar Piemonte monarkist. Tashmë i përmenduri Boggio e fton që të ndërmjetësojë: nga kush i pati "topat dhe municionet e luftës? Po shumat e mëdha të parave? Pse, Gjeneral, hytë në Napoli pa e shkrepur një pushkë?".
Dhe i kujton se nuk është ai që ka vepruar në mënyrë të atillë që "krerët e trupave" t'i shpërndanin "trupat e tyre". Dhe Pietro Borreli, mason, do të shkruajë në "Deutsche Rundschau" në tetor të 1882: Garibaldi?: "Një nulitet intelektual. Anëtarët e dinë se i gjithë revolucioni në Siçili u bë nga Cavour, emisarët e të cilit, të veshur si tregtarë endacakë, përshkonin ishullin dhe blinin me peshë floriri personat më influentë". I njëjti aparat që propagandoi Garibaldin si heroin shumë të pastër të dy botëve, e përqeshte si nulitet e të paaftë dhe përhapte zërin se, nëqoftëse heroi biond e kish lënë krifën bionde të flokëve t'i mbulonte veshët, kjo ndodhte pse ia kishin prerë veshët në Amerikën e Jugut për një vjedhje kuajsh.
Kapitalistë pa kapital - Heroi e kuptoi muhabetin dhe shqiptoi "bindjen" e tij. Shkoi në Caprera, duke ia lënë Jugun, Vittorio Emanuele. Am,a jo përpara se t'ia kish dhënë tenderin e Hekurudhave Jugore, Augusto Adami dhe Adriano Lemmi, të dy financierë hebrenj nga Livorno, pse jo dhe kunetër, që kishin paguar pjesë të llogarive të Bjondit nga Nizza. Një konçension në të cilin shteti do të duhej të mbështeste të gjitha humbjet e menaxhimit. Deputeti Poerio tha në Parlament: një kontratë e tillë "e bllokon për shumë vjet të ardhmen e këtyre provincave (jugore), i vendos nën barrën e pamatshme të 650 milionë liretave dhe, veç të tjerave, i siguron arkës koncesionare fitimin neto prej 17 përqindësh pa e derdhur asnjë qindarkë të veten". Pikërisht, siç do të veprojnë Agnelli, Pirelli, Bastogi, kapitalistë të mbajtur me kapitalin e Mediobanca. Adriano Lemmi do të bëhet më pas Mjeshtër i Madh i Masonerisë, pse jo dhe padron i monopolit të duhanit.
Mashtrime elektorale - Pavarësisht revoltave që shpërthejnë kudo, pushkatimet dhe represionet shumë të egra, "popujt e Jugut" (dhe të Kishës) votojnë pasivisht për aneksimin Savojave në plebishitet që mbahen në territoret e sapopushtuara më 1860. Ata që votojnë janë pothuajse 3 milionë njerëz dhe 98 përqind është në favor të Vittorio Emanuele. Është një rezultat nga ato që sot i quajnë "bullgarë", bile savojas. Paksa e habitshme po të mendohet se një vit më pas, në zgjedhjet e para politike të Italisë së bashkuar të vitit 1861, ku e drejta e votës bazohet mbi censusin dhe mund të votojnë vetëm 2 përqind e shtetasve (domethënë 419938 meshkuj), praktikisht del në votime vetëm 57 përqind e atyre që kanë të drejtën e votës, domethënë 242000 individë. Mrekullinë e shpjegon akoma në memorialin e tij kreu i Digos-it, Curletti, hero i vërtetë i injoruar i Rilindjes: "Kishim marrë regjistrat e famullive për të formuar listat e votuesve. Përgatitëm të gjitha fletët e votimit (...) Një numër i vogël votuesish u paraqitën për të marrë pjesë, por, në momentin e mbylljes së kutive të votimit, i futëm fletët e votimit, natyrisht në kuptimin piemontez, të atyre që kishin abstenuar (...) Pastaj thonim që votimi kishte mbaruar (..). Për sa i përket Modena, mund t'ju flas me dijeninë e problemit, pasi gjithçka u bë para syve të mi dhe nën drejtimin tim. Gjërat nuk shkuan ndryshe në Parma e në Firenze". Duke mos pasur kontrollorë nga opozita (Cilët? Çdo opozitë ishte e jashtëligjshme), duke qenë të thirrur për të votuar për më tepër analfabetë dhe injorantë të metodës elektorale dhe, për pasojë, abstenues masivë, gjëja mundi të kalojë me lehtësi. Gazetat angleze i thurën himne triumfit të demokracisë.
Zgjedhje të pavlefshme - Nga ana tjetër, qysh në Piemonte në vitin 1857, Cavour kish treguar sesi i respektonte kutitë e votimit. Me sistemin e censusit, votuan atëhere vetëm 69470 qytetarë; 67 përqind e atyre që kishin të drejtë vote, që qenë 2.4 përqind e popullsisë. Pavarësisht kësaj, për shkak të imponimeve fiskale, të mjerimit dhe të pasigurisë (kriminalitet shumë i lartë) dhe borxhe publike shumë të mëdha, në atë votim të kryer vetëm me pasanikë, opozita (katolike) kaloi nga 20.4 përqind në 40.2 përqind. Qeveria Cavour rrezikon që të ndodhet përballë një opozite në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe deri të rrëzimit. Zgjidhja është gjetur shpejt: kreu i qeverisë Camillo Benso anullon zgjedhjen e 22 deputetëve të opozitës. Votimi, i mbajtur me 23 dhjetor 1857, është shenja se "Partia klerikale po vepron në hije... për ta kthyer prapa shoqërinë, për të penguar zhvillimin e rregullt të qytetërimit modern". Faj i klerikëve, që në konfesionarët e tyre kanë nxitur të votohet kundër atdheut. Cavour: "Denoncohet përdorimi i mjeteve shpirtërore në luftën elektorale". Ky është motivacioni për të cilin zgjedhjet janë anulluar: abuzim me mjete shpirtërore.
Në pritje të gjykimit - Në dimrin 1862 - 63 Lordi Henry Lennox, një admirues i Rilindjes, vizitoi burgjet e Napolit nën qeverinë pimeonteze, të mbushura plot me rebelë ndaj regjimit. Referoi për këtë në Dhomën e Komuneve.
Lidhur me burgun Santa Maria: "... mendoja se të burgosurit qenë proceduar përpara se të dënoheshin; më vjen keq ta them, nuk ishte kështu. Një hungarez me emrin Blumenthal, francez influent, më tha se ndodhej prej 18 muajsh në qeli pa qenë as i proceduar, as i marrë në pyetje (...). Kur lashë qelinë e tij, të burgosur të tjerë u grumbulluan rreth meje dhe shoqëruesit tim, duke na pyetur në italisht: "Pse jemi në burg?Pse nuk na gjykojnë? (...). Drejtori m'u përgjigj se nuk dinte çfarë të thoshte: kishte nën mbikqyrjen e tij 83 njerëz asnjëherë të proceduar, nga të cilët rreth gjysma nuk u qenë nënshtruar as pyetjeve. Qenë të burgosur pa e ditur se për çfarë krimi qenë akuzuar (...). Shumë prej tyre qenë njerëz me pamje të mjerë, mezi flisnin, me flokë të thinjura, të mbështetur në paterica, fatkeqë të mjerë të dëshiruar që t'i përfundonin ditët e tyre në një azil".
Vizitë në burgun La Concordia: "...Qenë një peshkop katolik roman dhe dy priftërinj, të tërhequr zvarrë nga krevati një muaj më parë, dhe të destinuar që t'i kalojnë ditët e tyre në shoqërinë e kriminelëve të regjur (...). Një njeri ishte në burg prej 2 vjetësh, një plak afër të 70-ve, i kërrusur nga mosha dhe i detyruar me vaktet e burgut: një në ditë dhe vetëm ujë për të pirë".
Një burg në Salerno: "...Drejtori qe jashtëzakonisht i sjellshëm dhe, duke e ditur motivin e vizitës time, uroi që të mund të sillte ndonjë pasojë pozitive. Shtoi se ishte detyruar në atë moment të mbante 1359 të burgosur në një burg që mund ta mbante vetëm 650: një grumbullim i tillë kishte shkaktuar një epidemi tifoje që kish vrarë edhe një mjek e një gardian".
Vizitë në burgun Vicaria: "…Prej 1000 të burgosurve, 800 qenë të vendosur në 5 dhoma jo të ndara me dyer, por me zgara hekuri, kështu që efektet e nxjerra nga këta 800 njerëz qarkullonin lirisht nga njëri cep në tjetrin (...). Por le të kthehemi në oborrin e burgut. Për fakt, nuk ndodh shpesh të shikoj atë që kam parë, një spektakël që nuk do ta harroj kurrë... Sapo më parë, të burgosurit u vërsulën drejt meje me ulërima proteste dhe sharje, me sytë e etura për gjak dhe krahët e ngritura lart, duke kërkuar jo lirinë, por procesin; jo faljen, por një vendim (...). Kam biseduar me të burgosur në pritje të gjykimit që më thoshnin: "Sikur të mund të kishim ndonjë indikacion për vendimin që na pret, dëshpërimi ynë nuk do të ishte kaq i zi. Në fund të çdo rruge, për sa e vështirë, është e mundur të ndizet një shkëndijë shprese; kurse tani ka vetëm dëshpërim".
Holodmor jugor - Francezi Charles Garnier grumbulloi një numër të mirë shpalljesh të nxjerra nga komandantët piemontezë gjatë luftës ndaj banditizmit dhe të vendosura në vend. Nga shtabi qendror i tij në Teramo, Gjenerali Galatieri, qershor 1861: "Vij që të mbroj njerëzimin e të drejtën e pronësisë dhe të shfaros banditizmin. Kushdo që s'tregon një bandit do të pushkatohet pa dallim seksi, moshe, gjendjeje; spiunët do të pësojnë të njëjtin fat. Kushdo, që merret në pyetje, nuk bashkëpunon me forcat publike për të zbuluar pozicionet dhe lëvizjet e banditëve, do ta shikojë shtëpinë e tij të plaçkitur dhe të djegur".
Shpallje e Majorit Fumel, shkurt 1862: "...Njerëz që u japin strehim apo çdo mjet tjetër mbështetës banditëve, ose i shikojnë ose e dinë se ku kanë gjetur strehim dhe nuk informojnë për këtë autoritetet civile dhe ushtarake, do të pushkatohen menjëherë. Të gjithë kafshët do të duhen të çohen në magazinat qendrore me eskortën e duhur. Të gjitha kapanonet (e përdorura nga barinjtë, shënimi im.) duhet të digjen. Kështjellat dhe shtëpitë e fshatit e pabanuara duhet të zbulohen dhe hyrjet të murosen brenda 3 ditësh; pas skadimit të një afati të tillë, do të digjen pa dallim dhe kafshët pa ruajtjen e duhur do të vriten. Është e ndaluar që të dërgohet bukë apo ushqime të tjera jashtë territorit të komunës. Shkelësit do të konsiderohen bashkëpuntëorë të banditëve. Gjuetia ndalohet përkohësisht. I nënshkruari, duke pasur parasysh rrethanat, nuk ka ndërmend të njohë më shumë se dy rreshtime: pro dhe kundër banditëve! Kështu që do ta klasifikojë midis të parëve indiferentët dhe kundër tyre do të adoptojë masa energjike, pasi në kohë emergjence neutraliteti është krim. Ushtarët e hallakatur që nuk do të paraqiten brenda 4 ditësh, do të konsiderohen banditë".
Koloneli Fantoni, në shpalljen e nxjerrë nga Lucera më 9 shkurt 1862, në nenin e parë ndalonte hyrjen, edhe në këmbë, në 13 pyje, midis të cilëve ai i Gargano. "çdo pronar tokash, qehaja apo gjysmatar do të detyrohet, menjëherë pas botimit të këtij lajmërimi, që ta tërheqë nga pyjet e sipërpërmendura të gjithë punëtorët, barinjtë, lopçarët e të tjera dhe bashkë me to edhe tufat; personat e mësipërm do të detyrohen që të shkatërrojnë të gjitha stallat dhe kapanonet e ngritura në këto vende. Tash e prapa, asnjeri nuk mund të nxjerrë jashtë nga zonat e caktuara asnjë furnizim për fshatarët dhe këtyre të fundit nuk do t'u lejohet të çojnë më shumë ushqim nga sa është e nevojshme për një ditë të vetme çdo njeriu të familjes së tyre. Njerëz që nuk do t'i binden këtij urdhëri, i cili do të hyjë në fuqi 2 ditë pas botimit, pa asnjë përjashtim kohor, vendi apo personi, do të pushkatohen".
Prefekti De Ferrari i Foggia dhe i Capitanata, 1863: "...Të gjithë kafshët e territorit do të grumbullohen menjëherë në pak lokalitete me qëllim që të ruhen më mirë. Të gjitha fermat e vogla do të braktisen, ushqimi dhe tagjia do të spostohen dhe ndërtesat do të murosen. Asnjë nuk do të mund të shkojë në fushë pa autorizimin e shkruar të kryebashkiakut dhe eskortën e mjaftueshme". Më 8 korrik, Prefekti Ferrari shton edhe një ndalim tjetër: "Kuajt mund të pajisen me patkonj vetëm në publik dhe në ofiçina të autorizuara; asnjë nallban apo prodhues patkonjsh dhe gozhdash nuk mund të largohet nga distrikti i tij pa një dokument, i cili të tregonte rrugën që do të bënte, orën e nisjes dhe orën e kthimit. Kushdo që posedonte patkonj dhe gozhdë duhet t'i denonconte ato tek autoritetet". Nuk qenë kërcënime të kota.
Më 29 prill 1862, deputeti Giuseppe Ferrari tha në Dhomë: "Nuk mund të mohoni se familje të tëra arrestohen pa pretekstin më të vogël; se ka, në ato provinca, njerëz të liruar nga gjykatësit, të cilët mbesin në burg. Është futur një ligj i ri në bazën e të cilit çdo njeri i kapur me armë në dorë pushkatohet... Nëqoftëse vetëdija juaj nuk ju thotë se po derdhni gjak, nuk di më sesi të shprehem".
Qe shkatërrimi i mbështetshmërisë ekonomike, vënia në uri; dhjetëra fshatra të djegura, të panumërta mizoritë, për të cilat më pas është fshirë kujtesa, që të kujtojnë nga afër shfarosjen e fshatarëve në Ukrainë, e kryer nga Stalini dhe Kaganoviçi.
Për një mizori dihet, pasi u diskutua në Dhomën e Komuneve britanike: në Pontelandolfo të krahinës Molise, 30 gra qenë grumbulluar rreth kryqit të ngritur në sheshin e tregut, duke shpresuar që të shpëtonin nga fyerjet, u vranë të gjitha me bajoneta. Deri Napoleoni i III-të, që i kish dhënë mbështetjen e tij të armatosur Cavour për pushtimin e Italisë, më 21 korrik 1863 i shkruante Gjeneralit të tij Fleury: "Kam shkruar në Torino protestat e mia; detajet për të cilat vihemi në dijeni janë të tilla sa t'i anashkalojnë të gjithë të ndershmërit ndaj kauzës italiane. Jo vetëm mjerimi dhe anarkia janë në kulm, por aktet më të padenja konsiderohen si gjëra normale: një Gjeneral të cilit nuk ia kujtoj emrin, duke u ndaluar fshatarëve që të marrin rezerva ushqimi kur shkojnë të punojnë në fusha, dhe duke dekretuar që të pushkatohen të gjithë ata që gjenden në posedim të një cope buke. Burbonët nuk i kanë bërë kurrë gjëra të tilla - Napoleon".
Duke qenë se Italia ka lindur kështu, nuk duhet habitur aspak, që sot është kështu. Në fund të fundit, mund të jetë ngushëlluese: nuk jemi përkeqësuar, qemë të këqinj qysh nga fillimi. Prej 150 vjetësh kjo qelbësirë fillestare, në vend që të diskutohej dhe t'i shërbente një provimi të rreptë vetëdijeje kombëtare, fshihet dhe kallajiset me retorikën e fryrë të shpifur rilindëse të dalë drejtpërsëdrejti nga lozhat; kush kundërshton se përcjell të dhënat e kësaj qelbësire groposet nga akuzat e "integralizmit katolik", "revizionizmit" të ndaluar, reaksionit dhe censurohet nga mediat, njëlloj si vëllimi i historianes Angela Pellicciari, nga ku kemi nxjerrë dhe këto informacione. Me këtë bëjmë thirrjen: Mos harroni Kujtesën!
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers