Çfarë ka arritur të bëjë me të vërtetë Che Guevara?


Përpara se të vazhdohet të festohet miti i Che Guevarës, do të ishte mirë t'i hidhej një sy serioz dhe me një lente zmadhuese një figure historike që ka hyrë shumë shpejt dhe shumë lehtësisht në mit
"KASAPI", ose Che Guevara

Kanë kaluar më shumë se 40 vjet nga dita që "Che" Guevara është larguar nga kjo botë nga të shtënat e automatikut të një ushtari bolivian. Por, përpara se të vazhdohet të festohet miti i tij, do të ishte mirë t'i hidhej një sy serioz dhe me një lente zmadhuese një figure historike që ka hyrë shumë shpejt dhe shumë lehtësisht në mit. Sepse nga një këqyrje e vëmendshme ikona e Nëntëqindës del me brinjë të thyera dhe me ndonjë mister më pak. Ndoshta edhe me një më shumë…
Gjëja më romantike e Ernesto "Che" Guevara është se nuk e ka bërë një gjë tamam gjatë gjithë jetës së tij. Domethënë, një lloj pishtari tragjik, por i magjepsur nga revolucioni, nga lufta, nga gjaku. Gjithnjë e më shpesh e pranishme në kortezhet pacifiste dhe demokratike, stema e "Che"-së duhet të qëndronte më shumë komod në kontekste të tjera. Por, ai nuk mund ta protestojë më dhe kush e ka bërë nuk ia njeh mirë historinë. Këtu më poshtë kemi provuar që të notojmë kundër rrymës duke kujtuar disa "detaje" të një personazhi që, historikisht, kanë pak të bëjnë me mitin e tij dhe që në fakt, ndan me të shumtët që e kanë bërë simbol me një dozë të caktuar naiviteti. Vetëm se ai i "Che" Guevara ishte një naivitet jo i pafajshëm, që ka shkaktuar vdekje dhe katastrofa. Me këto do të jenë të mbushura plot radhët e mëposhtme.
Gjëja e parë që ndoshta do t'i linte të ngurosur shumë prej të rinjve dhe ish-të rinjve akoma sot të magjepsur nga figura e Ernesto Guevara është se komunizimi i tij kishte dy shtylla në ditën e sotme jashtëzakonisht jokomode në dritën e hetimeve më të azhurnuara historike: kinezin Mao dhe sovjetikun Stalin. "Kush nuk i ka lexuar 14 vëllimet e shkruara nga Stalini - thoshte për shembull "Che" - absolutisht që nuk mund të konsiderohet komunist". E kotë të thuash se, përveç kësaj, nuk e donte absolutisht paqen. Bile ai teorizoi dhe praktikoi me shumë seri përplasjen dhe luftën globale. Pak muaj përpara se të vdiste, ndërsa ishte ngecur në një fushatë gueriljeje që do ta çonte tek dështimi dhe tek vdekja, jo akoma i dorëzuar dëshmisë së fakteve, shkruante në ditarin e tij (prill 1967): "Duhet çuar lufta aty ku armiku e drejton: në shtëpinë e tij, në vendet e argëtimit të tij, duhet bërë totalisht". Dhe pas pak do të shohim sesi "Che" tentoi, në mënyrë krejtësisht të pazotë, që të zbatojë në terren teoremat e tij. Por, prova e parë e një vizioni gjakatar dhe totalit të rrugës revolucionare, Guevara e dha në muajt e parë të 1959 në atë që ishte atdheu i tij i ri (ai ishte lindur në Argjentinë më 14 qershor 1928): Kuba. Me suksesin e revolucionit kastrist të 1 janarit 1959, lideri maximo kubanez, avokati i ri Fidel Castro, u gjet që t'ua besojë bashkëpunëtorëve të pakët dhe të besuar vendet me përgjegjësi më të madhe. Shumë besnikët e Castros - njeri shumë i vëmendshëm ndaj adhurimit dhe, për pasojë, shumë dyshues dhe pak i prirur ndaj kritikave - numëroheshin me gishtat e dorës: vëllai Raul, "Che", Camillo Cienfuegos, Huber Matos. "Che"-së i takon roli kryesor në spastrimin e njerëzve të kompromentuar me regjimin e kaluar të diktatorit Fulgencio Batista (një-ish tetar i mbetur në pushtet për shumë vjet përpara se Castro ta përmbyste). Bëhet përgjegjësi i Departamentit Ushtarak de la Cabaña, kështjellë koloniale e lashtë në La Avana, e transformuar në burg dhe thertore. Një gjë e forcuar? Jo dhe aq nëqoftëse në vend të nofkës "Che", i ngjitën në ato muaj nofkën "carnicerito" (domethënë "Kasap i vogël"). Në ato muaj Guevara ndjek direktivat e vëllezërve Castro me skrupull dhe me një nënshtrim të caktuar nëqoftëse është e vërtetë ajo çka tregohet nga një bashkëpunëtor i epokës: Dariel Alarcón Ramírez, i quajtur "Benigno". Është "Benigno", që do ta ndjekë Guevara edhe në aventurat e Kongos e të Bolivisë, ai që drejton pjesën më të madhe të ekzekutimeve të ish-policëve dhe të burokratëve të Batista (ekzekutime të konsideruara të nevojshme për të shmangur çdo rebelim kundërrevolucionar). Ndërsa Ramírez pushkaton, "Che" kontrollon punën: shumë e kujtojnë të ftohtë, të paafrueshëm, me puron në gojë, ndërsa nga një ledh shikon nga lart njerëzit të vdesin. Sa kanë vdekur, nuk do të mësohet kurrë: ndoshta jo mbi 20000 që është thënë, por as nuk mund t'i jepet të drejtë Fidel Castro që në mitingjet e para si diktator ndizte turmat me sloganin makabër dhe gënjeshtar: "Mjaft gjak!".
Ish-djaloshi shëndetlig nga Rosario (azma do ta persekutojë deri në fundin e ditëve të tij), shfaq një dell revolucionari prej Robespierre latino-amerikan bashkuar me një disiplinë absolute dhe një përkushtim ndaj Leader Maxímo, nëse është e mundur, akoma më integrale. Prapa qindra ekzekutimeve (në rreth 4 apo 5 muaj) që bien nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Guevara ndodhet gjithmonë procedura e zakonshme: një proces farsë (shpesh gjykatësit qenë të njëjtit guerrilas të zbritur nga malet me Castro), pavarësisht pranisë së gazetarëve, që mund të zgjaste maksimumi disa orë. Por shpesh dënimi vinte pas pak minutash; pastaj dërgimi i urdhrave të ekzekutimeve në burgjet e ndryshme brenda natës; mëngjesin e nesërm rrethi mbyllej me një breshëri plumbash. Është gjithmonë "Benigno" ai që kujton sesi Guevara e priste me ankth, çdo mbrëmje rreth orës 18, ardhjen e vendimeve kapitale që duhet të kryheshin të nesërmen. Dhe nëqoftëse, kushedi se për çfarë arsyeje, pakoja me kartërat e tyre vonohej, "Comandante" nuk arrinte që të fshihte një mosdurim të caktuar. Herë të tjera represioni menaxhohej drejtpërsëdrejti prej tij, me maja dinakërie të papritura për kë është mësuar që të shikojë - dhe imagjinojë - revolucionarin e pastër e të çinteresuar të pavdekësuar nga fotografi Alberto Días Gutierrez Korda dhe i përhapur në të katër anët e globit falë italianit Giangiacomo Feltrinelli. Një prej viktimave të Guevara, Fausto Menocal, ka mundur të tregojë odisenë e tij në la Cabaña. Menocal ka shpëtuar pse anëtar i familjes së një ish-Presidenti kubanez, por kjo nuk ia kursyer vëmendjet e "carnicerito" Guevara: "Më është dashur të rezistoj rreth 40 orë, ditë e natë, pa ngrënë, pa pirë, përpara tij, në zyrën e tij, - ka rrëfyer Menocal. - Ishte një korridor i gjatë ku njerëzit e armatosur shkonin e vinin për të nënshkruar urdhra dhe marrë udhëzime. Talleshin me mua kur më shikonin. Ishte vetë Guevara ai që më bënte pyetjet. Një natë, pasi jam mbyllur në një qeli, erdhi për të më takuar që të më thoshte: 'Dëgjo, Menocal, ne do të të pushkatojmë sonte'. Jam çuar drejt skuadrës së pushkatimit. Më kanë lidhur në një shtyllë, më kanë lidhur sytë, pastaj ka pasur një breshëri të shtënash". Por, skuadra e pushkatimit kishte qëlluar në ajër. Përpara se Menocal të kuptonte se çfarë kishte ndodhur, një goditje e fortë në kokë me qytë pushke e bën që t'i bjerë të fikët. I liruar do të marrë menjëherë rrugën e mërgimit. Vite më pas, gjatë një prej pritjeve të tij jashtë vendit, duke mbrojtur veprën e revolucionit, Guevara do të thotë pa mëdyshje: "Kemi pushkatuar, pushkatojmë dhe do të vazhdojmë të pushkatojmë deri kur të jetë e nevojshme. Lufta jonë është një luftë e pakompromis".
Më pas gjuetia ndaj njerëzve të Batista inicioi larjen e hesapeve në brendësi të lëvizjes castriste. Larje hesapesh që kundërvuri Castro dhe disa shumë besnikë me ata, që me naivitet, kishin protestuar se revolucioni ishte larguar me shpejtësi nga objektivat fillestarë të tij. Midis kritikëve nuk është Guevara, por është Huber Matos, i cili jep dorëheqjen në mënyrë polemike me një letër për Castro, letër që do të jetë fundi i tij. Castro urdhëron një Cienfuegos ngurrues që të shkojë e të arrestojë Matos. Cienfuegos tenton më kot që ta sjellë në vete Leader Maxímo, por ato këmbëngulje të tij shënojnë një prishje tjetër. Pak ditë më pas njoftohet vdekja e Cienfuegos në një incident ajror, të cilit nuk do t'i tregohen asnjëherë gjurmët. Ndërkaq Matos gjykohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Po Guevara? Me Raúl Castro është bashkëpunëtori që i qëndron më afër Fidel, pavarësisht gjithçkaje. Dhe kështu, ndërsa të barabartët me të në gradë në kohërat e gueriljes do të gjykohen apo do të vdesin në incidente të dyshimta, ai destinohet me detyra të reja, të cilat do ta çojnë që të koleksionojë katastrofa të tjera.
Një gazetë franceze - "Historia" - lidhur me periudhën e kaluar nga "Che" Guevara në drejtimin e sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë kubaneze e ka titulluar kështu: "Si ta shktërrosh vendin në 3 leksione". Ose 3 etapa: që në karrierën e shkurtër dhe jo ekzaltuese të Guevara korrespondojnë me pjesëmarrjen e tij në nivelet drejtues të sektorit të industrisë në kuadrin e Institutit Kombëtar për Reformën Agrare (tetor 1959), me emërimin e tij në presidencën e Bankës Qendrore të Kubës (dhjetor 1959) e më pas detyrën e ministrit të Industrisë (janar 1961). Aventura e Guevara në nivelet drejtuese të ekonomisë së trazuar kubaneze do të zgjasë deri në pranverën e 1964, kur do të përfaqësojë Kubën në konferencën e parë të Organizimit për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OCDE). Pak muaj më vonë, Castro do ta destinojë me detyra të tjera, domethënë do ta dërgojë të bëjë guerrilasin. Nuk ishte rastësi. Në fakt, pesë vitet e "Che" ekonomistit nuk kanë regjistruar rezultate të shkëlqyera, përkundrazi. Edhe pse çdo zgjedhje e të riut revolucionar (Guevara në vitin 1959 ishte 31 vjeç) është e influencuar nga ideologjia, e rishikuar dhe e korrigjuar. Në fakt, pasi ka premtuar fundin e latifondit duke inkurajuar kështu shpresën e fshatarëve shumë të varfër kubanezë për të pasur pak tokë për vete, revolucioni castrist - paralajmëron Guevara - bëri një gjysëm xhiroje në favor të shtetit dhe në kurriz të fshatarëve. Në fakt, tokat e konfiskuara për më tepër u shtetëzuan pavarësisht një ligji - të hartuar nga krahu i djathtë i Guevara, Antonio Núñez Jiménez - i ishte dhënë krah shpresës duke përcaktuar se çdo copëzim privat nuk mund t'i kalonte 40 hektarët. Nga çdo anë të dëshirohet të shikohet, zgjedhja e Guevara ishte gjithsesi mjaft ambicioze: në fakt, pasi kuadrot administrativë qenë dhjetuar nga represioni çdo vendim haste vështirësi që të gjente dikë që ta vinte në zbatim. Kjo vlente si për bujqësinë, ashtu edhe për industrinë, fushë kjo e fundit ku Guevara e shtyu Kubën drejt planeve në kufij me megalomaninë. Me bashkëpunëtorët e tij përpunoi një teori të pafundme projektesh për të pajisur Kubën - resursi kryesor i së cilës ishte kallami i sheqerit - me një industri të veten: u projektuan kantierë detarë, ofiçina mekanike, impiante siderurgjike, fabrika kimike për të zbuluar më pas rregullisht se ishte e komplikuar të rekrutoje teknikë të specializuar edhe në Europën Lindore mike të kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik dhe në të njëjtën kohë të mos shikohej të vazhdonte deficiti tregtar. Deficit që për arkat kubaneze të vitit 1961 shkonte në 12.3 milionë pesos, të kaluara në 237 milionë në vitin 1962 dhe në 322.2 milionë në vitin 1963. Me ekonominë në gjendje kome, zgjedhja e Guevara për të favorizuar financimin publik të reformave bujqësore dhe industriale nuk i favorizoi llogaritë. Por, për të kuptuar se duhej ndalur dhe ndryshuar kursi u desh të pritej viti 1964, vit në të cilin u braktisën të paktën ëndrrat e parealizueshme industralizuese dhe u zgjodh për një politikë bujqësore të kishte si bosht shfrytëzimin e kallamit të sheqerit, duke llogaritur edhe mbështetjen e "vendeve mike" (të llojit të atyre që me një dorë të japin pak grurë dhe me tjetrën të vendosin disa raketa të drejtuar nga një fqinj i fuqishëm …). Me pak fjalë, pothuajse 5 muaj për t'u kthyer në pikën e nisjes, por me shumë borxhe më shumë. Që kjo zgjedhje, muaj më shumë muaj më pak, përkon me vendimin e Castro për t'i drejtuar tjetërkund energjitë dhe ëndrrat e parealizueshme të Guevara, nuk duhet të habisë aspak.
Duke mos pasur më kubanezë për të pushkatuar apo për t'i shkatërruar ekonomikisht, objektivi i ri për Komandantin Guevara qe ai i kthimit në bërjen e asaj që, supozohej, se dinte ta bënte më mirë: guerrilasin. Nga ana tjetër, nga një këndvështrim i caktuar, situata ishte e përshtatshme. Amerikanët duhej të pickoheshin kudo që ishte e mundur: Guevara e kishte bërë tashmë pjesën e tij duke i sulmuar në vitin 1964 dhe duke deklaruar - duke anashkaluar në të njëjtën kohë gabimet e veta - se Shtetet e Bashkuara kishin zbatuar një bllokadë ekonomike kundër Kubës që i merrte frymën ekonomisë revolucionare të ishullit. Por një luftëtar i vërtetë jeton në sulm, asnjëherë në mbrojtje: dhe ja që pakoja Guevara - të cilin Fidel Castro, shumë më inteligjent se ai, e shikon për atë që është: një ekstremist i palodhshëm dhe jo idealisti libertar që është imponuar në imagjinatë pas vdekjes së tij - që dërgohet në Congo. Pse në Congo, në Afrikë? Qoftë pse, siç do të thotë vetë Guevara me një çikë çmenduri të shkëlqyer, duhen "shkaktuar dy, tri, shumë Vietname". Qoftë pse Shtetet e Bashkuara duhen luftuar edhe nëpërmjet qeverive që i mbështesin në Botën e Tretë. Për shembull, në Kongo në janar të vitit 1961 lideri progresist Patrice Lumumba është vrarë. Vdekja e tij i ka dhënë jetë një gueriljeje komuniste që Presidenti i ri, Mosé Tshombé, kërkon që ta mbysë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara. Duke folur në Kombet e Bashkuara në dhjetor të 1964, Guevara - që veç shumë gjërave të tjera që nuk ishte, nuk ishte as edhe diplomat - kishte deklaruar pa shumë perifrazime se "të gjithë njerëzit e lirë të botës duhet të përgatiten që të marrin hakun e krimit të Congo". E thënë, e bërë: pak muaj më vonë Guevara zbarkon në Congo me një grup guerrilasish kubanezë, që në javët e mëpasme do të arrijnë në 300 njësi. Duhet ishin ajka e ajkës, profesionistët e luftës në gjendje që të çonin drejt fitores rebelët kongolezë, por përfundojnë për të ngecur në një seri pengesash dhe disfunksionesh që do ta transformojnë aventurën në një komedi tragjike. Duket e pabesueshme, por Guevara nuk dihet se ku ka përfunduar. Duke bërë një gabim që do t'i jetë fatal në vitin 1967, revolucionari argjentinas zbulon vetëm kur ka zbritur në Congo se idetë e tij dhe ato të njerëzve që do të donte të çliroheshin nuk përputhen. Duke filluar nga teknika e guerriljes: për kongolezët futja në një llogore mund të sjellë keq, plumbat e armikut mund të shmangen lehtësisht falë një pijeje magjike apo ndoshta duke iu lutur ndonjë hyjnie animiste. Por, sidomos disiplina është një ndryshore dytësore. Shtojmë praktikën e poligamisë, që ishte e vështirë të shpjegohej në spanjisht, se shpirtrat e ndryshme të gueriljes përplaseshin vazhdimisht mbi bazën jo të diskutimeve ideologjike, por prej rivaliteteve etnike dhe, e fundit, por jo e fundit, se njerëzit që kishin ndjekur "Che"-na nga Kuba qenë dhjetuar nga sifilizi dhe kuadri ishte bërë. Guevara nuk arrin të imponojë as edhe zgjedhje ushtarake me ndonjë kuptim: indikacionet e tij janë neglizhuar, refuzuar apo të bëra të kota nga akte jodisplinimi që, si në rastin e disa pritave, pëfundojnë për t'u bërë më shumë sulmuesve sesa trupave qeveritare. Të ardhur në prill (1965), Guevara dhe njerëzit e tij i heqin çadrat nëntorin e ardhshëm. Lumumba do t'i merrej haku nga dikush tjetër ose në një vend tjetër. Për shembull në Bolivi.
Me një stil mendimi të vështirë për t'u kuptuar sot, por shumë i përhapur në atë kohë në ambientet intelektuale dhe revolucionare (me fjalë ose jo), të mendosh në shkallë të gjerë më shumë se një nevojë ishte një vokacion në kuptimin e vërtetë të fjalës. Dhe kështu Guevara - i shtyrë dhe i frymëzuar nga Castro - arriti të teorizojë deri rebelimin e të gjithë Amerikës së Jugut. Shkëndija do të shkrepte në Bolivi, një vend shumë i varfër prej rreth 6 milionë banorësh të kontrollar nga një qeveri e zgjedhur demokratikisht dhe e drejtuar nga Gjenerali Barrientos, i lidhur me fije të dyfishta me Uashington. Bolivia kufizohet me Perunë, Kilin, Paraguajin, Brazilin dhe Argjentinën, vende ku situata ishte e trazuar në ato vite dhe ku qenë aktive lëvizje revolucionare. Me pak fjalë, duke e shpërthyer revolucionin në Bolivi mund të shpresohej që të eksportohej me shpejtësi në vende të tjera, duke shkaktuar një reaksion zinxhir që do të mund të minonte kontrollin shekullor amerikan në të gjithë nënkontinentin. Deri këtu teoria. Praktika, edhe në këtë rast, qe shumë e komplikuar dhe më pak lineare. Krahasuar me "Che" Guevara, mazzinianët e Tetëqindës qenë planifikues të rafinuar: duke vendosur se guerilja do të rebelonte botën fshatare, Guevara aventuroret në xhunglën boliviane me 16 kubanezë të tjera dhe nja 30 boliviane e peruanë. Gjithsej një bandë prej 50 personash që, duke u qëndruar fjalëve të Komandantit, ka përpara vetes një punë prej të paktën 10 vjetësh përpara se të përfundojë fazën rebeluese. Xhungla bën të sajën, së bashku me insektet dhe sëmundjet, për ta bërë gjithçka të komplikuar, edhe pse për ta parashikuar nuk duhej një diplomë në shkencat natyrore. Pastaj, do të mjaftonte të lexoheshin gazetat për të mësuar se një reformë agrare e kohëve të fundit i kishte përmirësuar pak kushtet e fshatarëve bolivianë, më pak të gatshëm për të "marrë flakë" për revolucionin dhe, në emër të tij, ndoshta të ndihmonin dhe të ushqenin guerrilasit. Për ta bërë akoma më shumë qesharake situatën ndihmoi një fakt jo dytësor: rajoni i zgjedhur nga "Che" për të ndezur flakë kontinentin ishte ndër më pak të banuarat e të gjithë Bolivisë që, duhet kujtuar kjo gjë, nuk është se ka të sajën një dendësi popullsi të stilit Hong Kong… Por ndoshta gjëja më e bujshme është se, shumë përpara se ranxhersat bolivianë që do ta ndjekin, "Che"-ja gjendet kundër Partisë Komuniste Boliviane. Fillimisht në favor të sipërmarrjes së menduar në Kubë, lideri komunist Mario Monje bën një "prapakthehu" të bujshme menjëherë pas takimit të tij të parë e të vetëm me Guevara! Që i duhet kështu ta bëjë revolucionin për llogari të fshatarëve që as e kanë mendjen fare atje, në një zonë ku është vështirë të ndeshen edhe dhi, le më pastaj njerëz, me një armatë bashibozukësh shëndetlig, pa ushqim dhe ilaçe, me ushtrinë boliviane që e ndjek këmba-këmbës dhe pa mbështetjen as dhe të komunistëve vendës. Duke pasur parasysh situatën, është pothuajse mrekulli që aventura boliviane e "Che"-së ka zgjatur komplesivisht 11 muaj e 11 ditë.
Midis gjërave që Guevara nuk i kishte marrë në konsideratë apo që i kishte nënvlerësuar ishte edhe çështja e marrëdhënieve ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, siç ishte parë tashmë në Congo, Bashkimi Sovjetik nuk kishte interes të madh në aventura të kësaj natyre. Lufta e Ftohtë luftohej në mënyrë tjetër dhe me qëllime të tjera. Dhe, për të vërtetën edhe të gueriljes, teknika e teorizuar nga Che Guevara në një libërth me suksese të madha edhe pse askush, në Europën studentore të 1968, nuk ka provuar që të vejë në praktikë, do të duhej të luftohej në mënyrë tjetër. Në mos tjetër, sepse ushtria boliviane kishte vënë në ndjekje të guerrilasve revolucionarë 5000 njerëz dhe kjo kur me "Che" kishin mbetur në këmbë më pak se 30 veta. Por, rruga që çoi në dështimin total të operacionit është e gjatë, sepse Guevara dhe njerëzit e tij të paktën e kuptuan se shpresa e vetme është ajo e lëvizjes vazhdimisht. Bëjnë me këmbë më shumë se 600 kilometra në pak muaj, të dhjetuar edhe nga ndonjë tradhti, të bojkotuar nga një radio që nuk ka ditur asnjëherë të transmetojë, të frustruar nga pamundësia e emetimit të komunikatave, të demoralizuar se sa të duhet të pijnë urinën e tyre për të mos vdekur nga etja menjëherë. Piperi sipër pilafit vjen më 8 tetor 1967: është pikërisht një fshatar ai që u zbulon ushtarëve se në çfarë zone ndodhet banda e Guevara. Vihen në lëvizje 300 rejnxhërsa dhe tashmë është çështje orësh. Pas të shtënave të para banda shpërndahet, Guevara është i plagosur dhe mbahet për krahësh nga një shok. Por bolivianët i kapin me zgjuarsi. I çojnë 2 kilometra larg, në La Higuera, ku është një shkollë e cila transformohet në burg. Guevara qëndron aty nga pasdite - nata e datës 8 deri mëngjesin e datës 9. Pastaj, në mesditë, hyn në dhomën ku mbahet i burgosuri një ushtar. Quhet Mario Téran dhe ka marrë urdhra të sakta nga Bogotà, frut i një mbledhjeje të zgjatur gjithë natën. Téran e shikon dhe pa i thënë asgjë e qëllon me gjakftohtësi 9 plumba automatiku. Një gazetë argjentinase ka gërmuar fotot që tregojnë "Che"-në pak përpara se të ekzekutohet dhe më pas kufomën e tij, jo akoma e vënë në dukje mbi një tavolinë siç e tregojnë fotot e famshme që kanë bërë të dalë paraleli qesharak me Krishtin e shfronësuar të Mantegna. Përpara se kufoma të varroset në një vend të fshehtë i priten duart sepse CIA - që nuk qëndron aspak me vendimin për të vrarë Guevara - bën një identifikim të sigurtë falë gjurmëve të gishtave. Duke mos mjaftuar dukshëm fotot e gjetura nga agjenti i CIA-s, Felix Rodriguez, që e kishte ndjekur të gjithë operacionin me rejnxhërsat bolivianë.
Njerëzve që sapo e kishin arrestuar, Guevara u kishte thënë: "Vlej më shumë i gjallë sesa i vdekur". Në Bogotà mendonin saktësisht të kundërtën - pavarësisht rrezikut të përplasjes me Shtetet e Bashkuara - dhe pak kohë më pas e treguan, me fakte, se edhe bindja e fundit e tij kish rezultuar shumë larg realitetit.
Box 1: Nofka "Che" i atribuohet Guevara nga shokët e tij të luftës kubanezë në Meksikë përpara revolucionit castrist dhe buron nga fakti që Guevara, si të gjithë argjentinasit, e shqiptonte shpesh fjalën "che". Fjala buron nga gjuha Mapuche dhe do të thotë "njeri", "person" dhe përdoret në spanjishten e folur në Argjentinë dhe Uruguaj, për t'i tërhequr vëmendjen një bashkëbiseduesi ose, më në përgjithësi, si një eksklamacion i ngjashëm me një "hej".
Box 2: "Një qenie që nga historike bëhet mitike nuk mund të gjykohet mbi bazë kriteresh racionale, por vetëm për akte feje dhe shprese. Është rasti i Che-së. Sot figura e tij (…) është 'një markë kapitaliste' e shfrytëzuar nga sipërmarrës të çdo lloji në të pestë kontinentet dhe adhurohet, përmendet, admirohet nga një numër i madh të rinjsh që nuk kanë frymëzimin minimal revolucionar dhe ndoshta nuk e dinë as ta gjejnë Kubën apo Bolivinë në hartën gjeografike. Che-ja përfaqëson një personazh për të cilin historia bashkëkohore është jetime: heroin, ekzekutuesin vetmitar, idealist, revolucionarin bujar dhe të çinteresuar që kryen ndërmarrje superlative dhe, në fund, ka rënë, njëlloj si shenjtorët, nga forcat e së keqes. Nuk ka rëndësi që historianët seriozë të demonstrojnë në vepra të hollësishme që Che-ja në mish e kocka ishte shumë larg nga ky model virtytesh ushtarake dhe etike. Sigurisht, qe kurajoz, por edhe gjakatar, i aftë për të pushkatuar dhjetëra persona pa skrupullin më të vogël, mossukseset dhe gabimet e tij kanë qenë shumë më të shumta në numër se rezultatet e mira. Është e vërtetë: ishte koherent, i rreptë dhe i përkorë, i paaftë që të linte veten të lëshohej në paliaçatat dhe në dyfytyrësitë e politikanëve profesionistë. Por edhe e vërtetë që dhuna dhe ajo që Freud e quan 'pulsoni i vdekjes' i kanë drejtuar sjelljen sa dhe pasionin për aventurën dhe revolucionin".
Mario Vargas Llosa
Box 3: Jo dora e gjatë e Departamentit të Shtetit apo e CIA-s, por më thjesht ajo e Presidentit bolivian Barrientos do të fshihej pas vrasjes, më 9 tetor të 1967, së Ernesto "Che" Guevara në pyllin andean. Në këto konkluzione, aq shumë në kontrast me mitin që prej dekadash të tëra mbështjell figurën e "Che"-së dhe vetë figurën e tij arrihet në librin e Vincenzo Vasile, i dërguar i së përditshmes "Unità" dhe Mario J. Cereghino, të titulluar "Che Guevara top secret", mbi bazën e një dokumentacioni dukshëm i pakundërshtueshëm si ajo e dhënë nga letrat e vetë CIA-s, të deklasifikuara gjatë Presidencës Clinton. Mund të rezultojë e besueshme teza e një CIA-je më shumë të interesuar për një "Che" të gjallë sesa të vdekur, i dobësuar nga dështimet në Congo dhe në vetë Bolivinë, për t'u përdorur ndoshta në funksion anticastrist apo atë të ngutur të një Barrientos në heqjen përfundimisht qafe nga skena të një guerrilasi jokomod për vetë sovjetikët dhe që në fakt, amerikanët mendonin që ta transportonin në Panama për marrje në pyetje të gjata, ndoshta, të një procesi me rezonancë botërore. Mbetet vetëm për t'u kuptuar - dhe nuk është një problem pak i rëndësishëm, as i sqaruar nga kërkimi i hollësishëm i Cereghino dheVasile - sesi një qeveri aq e lidhur me Shtetet e Bashkuara si ajo boliviane ka mundur të marrë në mënyrë të pavarur një vendim të një mase të tillë, duke anashkaluar në fakt një aleat dhe mbrojtës kaq të fuqishëm. Dhe misteri i fundit të Guevara dhe mbi skenarët, ndërkombëtare apo lokalë, që i shërbejnë si kornizë, në vend që të sqarohen, përfundojnë për t'u ngatërruar akoma më shumë.
Box 4: Si për shumë personazhe të tjerë të rëndësishëm historikë, edhe për Ernesto "Che" Guevara nuk ka pasur paqe pas vdekjes. Ndërsa bëhej një mit i masave studentore dhe revolucionare deri sa të ngrihej, dekadë pas dekade, në rangun e një ikone të një Nëntëqinde të caktuar, Guevara mbetej për historianët një enigmë. Nëqoftëse në vendin e vdekjes është ngritur një lloj faltoreje e vogël ku disa bolivianë e nderojnë si San Ernesto de La Higuera, mbi mbeturinat e tij është ngritur një pikëpyetje e madhe. Qe Fidel Castro ai që me 15 tetor të 1967 e njoftoi botën se "Che"-ja kishte vdekur dhe ka qenë gjithmonë Leader Maxímo ai që ka dashur për shokun e tij të vjetër të luftës (edhe pse ka mjaft tregues se midis të dyve, prapa fasadës, në vitet e fundit gjërat nuk shkonin mirë) një mauzoleum në kuptimin e vërtetë të fjalës në Santa Clara. Mauzoleum, siç është e lehtë të imagjinohet, shumë i vizituar, por që do të mbante në vetvete një surprizë. Ose më mirë nuk do të përmbante atë që duhet të përmbante. Zbulimi ka ardhur kohë më parë, falë një hetimi të kryer nga gazeta meksikane "Letras Libres". Sipas kërkimit të gazetarëve Maite Rico dhe Bertrand de la Grange, specialistët kubanezë që në korrik të 1997 thanë se më së fundi e kishin gjetur vendin se ku ishte varrosur Guevara pas vrasjes së tij, pranë fshatit Villagrande në Bolivi, kanë gënjyer për arsye politike dhe propagandistike. Duhet të ketë qenë Fidel Castro ai që ka shtyrë të njoftohet gjithsesi gjetja për të "rindezur ethen revolucionare në Kubë". Kalimthi duhet nënvizuar se "gjetja" ka ndodhur në 30-vjetorin e vdekjes së guerrilasit argjentino-kubanez. Ashtu siç duhet kujtuar se nuk është bërë prova klasike e ADN-së për t'i identifikuar pa dyshime mbeturinat e "Che"-së. Që ndoshta, kanë vërejtur Rico dhe de la Grange, nuk janë më pasi kufoma, pas orgjisë së fotografive, u dogj pikërisht për të shmangur atë që 30 vjet më pas Castro ka dashur gjithsesi të vejë në skenë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers