Antisemiti Louis-Ferdinand Céline: "Hebrenjtë po na fusin në luftë"



Një intervistë historike, pak përpara se të vdiste, që shkon nga antisemitizmi tek mërgimi: "Njeriu i bardhë ka frikë dhe i ziu e nuhat këtë gjë dhe qëndron gati në pritje të fitores…
"Nuk do të duhet akoma shumë, por në fund do të fitojë i verdhi" -
"Të shkruash është një torturë, urrej ta bëj, por jam i zoti" -
"Hemingway? Është njeri fals, një amator" - "Nuk ka dyshim, unë jam një i persektuar… një lebroz…"
Po botojmë më poshtë tekstin e "Duke folur me Louis-Ferdinand Céline", intervistë e Robert Stromberg me shkrimtarin e madh francez në revistën e famshme amerikane "Evergreen Review" në korrik të vitit 1961, pikërisht në ditët në të cilat Céline do të ndërronte jetë. Tani ky tekst na rijepet nga revista "Satisfiction".
Është një ndjenjë shumë e çuditshme të shkosh e të takosh Céline. Céline i tmerrshmi! Céline i fyeri! Céline koka e turkut! Céline i çmenduri! Céline jeton në Meudon, në rrethinat e Parisit. Jeton në një shtëpi të shekullit XIX me dru e malt prej tri katesh me gruan e tij Lucette Almanzor dhe, me një shikim të parë, rreth një gjysëm dyzine qensh. Gruaja e tij, thotë, është pronarja e shtëpisë.
"Mendoja se do të vinit nesër... nuk iu prisja... nuk jam përgatitur... mendoja... hajdeni, hajdeni". Këto qenë fjalët e para të tij. Iu kthye të shoqes duke i thënë që të më merrte pallton dhe të më jepte një karrige. Është një njeri masiv, por i kërrusur. Lëvizi me ngadalë, duke i tërhequr këmbët - sikur të ishte tejet i dobët për të bërë ndryshe - drejt anës tjetër të një dhome të madhe, e cila dukej se përmblidhte kuzhinë, dhomë ngrënieje dhe studio. U ul në një tavolinë të madhe të rrumbullakët, duke shtyrë anash dhe në tokë grumbuj librash, fletushkash e revistash dhe duke bërë vend për ne.
"Çfarë doni? Për çfarë iu hyn në punë? Nuk dua skandal!... Kam pasur boll kësosh".
Kur arrita më së fundi që ta kënaq, atëhere u ul përsëmbari i kënaqur në karrigen e tij.
"Ka shumë interes lidhur me ju në Amerikë", fillova unë. E skartoi pohimin tim me një ngërdheshje dhe një gjest të bërë me dorë.
"Çfarë interesi? Kush është i interesuar? Njerëzve u intereson Marlene Dietrich e sigurimi dhe kjo është gjithçka!"
"Si ndjeheni, e praktikoni akoma mjekësinë?".
"Jo, nuk e praktikoj më. E kam lënë gjashtë muaj më parë, nuk ndjehem dhe aq mirë".
"Fqinjët këtu iu njohin si Céline?".
"Më njohin aq sa mjafton që të mos jenë të kënaqur".
Dhe nuk dha shpjegime të tjera. "Çfarë bëni pjesën më të madhe të kohës?"
"Jam gjithmonë në shtëpi... qentë.... kam gjëra për të bërë... e mbaj veten të zënë... nuk shikoj asnjeri... nuk dal... jam i zënë".
"Po shkruani?".
"Po, po, jam duke shkruar... Duhet të jetoj, kështu që shkruaj... Jo! E urrej! Gjithmonë e kam urryer... është gjëja më e tmerrshme që mund të bëj, për mua... nuk më ka pëlqyer asnjëherë, por jam i zoti që ta bëj... nuk më intereson aspak ajo që shkruaj, por më duhet ta bëj. Është torturë, është puna më e vështirë në botë".
Fytyra e tij është e mprehtë, kockore dhe e hirtë; dhe sytë e tij gjëra të tmerrshme për t'u parë brenda. Ishte i tërbuar nga ideja se duhej akoma të punonte.
"Jam pothuajse 67... në maj do të mbush 67 vjeç... dhe kjo torturë, puna më e vështirë në botë...".
Gallimard, shtëpia botuese e tij, kohët e fundit ka botuar librin e tij të fundit, "Nord".
"Është lidhur me sa kanë vuajtur gjermanët gjatë luftës", thotë Céline. "Askush nuk ka shkruar lidhur me këtë... Jo! Jo! Nuk duhet t'ua thoja këtë, sa vuajtën... rri urtë... shhh!".
Bëri gjestin e vënies së gishtit tek buzët. "Nuk është mirë të flasësh për këtë... rri urtë... Jo! Vetëm pjesa tjetër ka vuajtur... shhh!".
Midis librave të Céline të përkthyer në anglisht janë "Vdekje me kredit", "Udhëtim në mbarim të natës" dhe "Guignol's band". Céline është akuzuar nga shumë persona si përgjegjës pse ka shkruajtur artikuj dhe pamflete të zjarrta dhe antisemite gjatë pushtimit gjerman të Francës. Këto u botuan në gazeta të shumta franceze dhe u referua se u ribotuan nga gjermanët për publikun në Gjermani.
Megjithatë, librat e tij u ndaluan në Gjermaninë naziste. Si rezultat i këtyre akuzave, ai u shtrëngua që të largohet nga vendi. Shkoi në Danimarkë, ku jetoi për gjashtë vjet, por i kaloi dy prej këtyre viteve në një burg danez.
"Pse shkuat në Danimarkë?"
"Atje kisha para. Këtu nuk kisha asgjë".
"Jeni shtrënguar që ta braktisnit Francën... ka qenë qeveria që iu ka thënë të largoheni... apo ka qenë një vendim i juaji?"
"Kishin plaçkitur apartamentin tim në Montparnasse...".
"Kush?".
"Të çmendur, ja se kush... morën me vete gjithçka që posedoja, gjithçka që kisha... ndodhesha jashtë në atë moment, me gruan time, kur u kthyem gjithçka ishte shkatërruar... prishur... gjithçka ishte vrarë... u largova për në Danimarkë".
Disa ditë pas bashkëbisedimit tim me Céline takova një ish-anëtar të rezistencës franceze, i cili kishte qenë pjesë e grupit të plaçkitësve për të cilët kishte folur Céline. Ky njeri më siguroi se sikur Céline të kishte qenë në shtëpi kur plaçkitësit goditën, me siguri që do ta kishin vrarë.
"Përse u burgosët në Danimarkë?".
"Isha kriminel lufte".
"Ishit akuzuar për kolaboracionizëm?".
"Kam thënë kriminel lufte! Nuk e kuptoni! Kriminel lufte! Nuk më bëhej akuza për kolaboracionizëm... Isha kriminel lufte! Është e qartë kjo!"
"Besohet se ju keni shkruar gjëra kundër hebrenjve".
"Nuk kam shkruar asgjë kundër hebrenjve... gjithçka kam thënë ishte 'se hebrenjtë po na fusin në luftë' dhe kjo është ajo sa kam thënë. Kishin një kunj me Hitlerin dhe nuk qenë punët tona, nuk duhet të përziheshim në këtë muhabet. Hebrenjtë kanë pasur një luftë ankesash për 2000 vjet dhe tani Hitleri u kish dhënë shkak për ankesa të tjera. Nuk kam asgjë kundër hebrenjve... nuk është logjike të thuash diçka të mirë apo të keqe lidhur me pesë milionë njerëz".
Ky qe fundi i diskutimit lidhur me këtë temë. Céline u kthye në Francë në vitin 1950, pas gjashtë vitesh të trishtueshme në Danimarkë. Kur u kthye, ulërima fyese u ngritën nga sektorë të shumtë të shtypit francez dhe nga shumë funksionarë qeveritarë, të cilët kërkonin ndëshkime të tjera. Asgjë nuk u krye zyrtarisht, por siç u theksua nga vetë Céline, fqinjët e shprehnin mjaft qartë atë që mendonin për të.
Muzika e përshtatshme
I ulur në kuzhinën e Céline, duke e vëzhguar dhe dëgjuar me kujdes, kisha përshtypjen se, pavarësisht gjithçkaje që thoshte, pavarësisht vrazhdësisë natyrale dhe refuzimit të dukshëm të kontakteve personale nga ana e tij, ai ishte i lumtur që që kishte dikë i cili kishte ardhur për ta takuar, dikë që e dëgjonte dhe që i bënte pyetje; t'i kujtonte të kaluarën, që t'i demonstronte se nuk ishte harruar, se njerëzit e lexonin akoma "Vdekje me kredit" dhe "Udhëtim në mbarim të natës".
Diskutohej për të pavarësisht të gjitha vështirësive dhe urrejtjet dhe shijen e hidhur që linte tek shumë njerëz. Nëqoftëse ka ndonjë shpirt tek ai - dhe kjo duket e dyshimtë - është një shpirt që thotë: "Unë e di se cila është muzika e përshtatshme... unë e di motivin e vockël të duhur... nuk dëgjojnë asgjë...".
"Ju thatë se nuk arrini të lexoni libra aktualë, të cilët qenë 'lindur të vdekur, të papërfunduar, jo të shkruar...'. Po lexoni ndonjë gjë tani?".
"Lexoj enciklopedinë dhe Punch. Kaq. Punch nuk është argëtuese. E provojnë, por nuk ia arrijnë".
"Nuk ka asnjë që ju ta konsideroni sot si një shkrimtar të denjë për t'u marrë në konsideratë?".
Përpara se unë të mund t'i sugjeroja një, ai ma ktheu: "Kush? Hemingway? Është një fals, një amator... realistët francezë të shekullit XIX qenë nja njëqind herë më mirë".
Dhe qëlloi si me breshëri emrat e shkrimtarëve të shumtë francezë, aq me shpejtësi sa që nuk arrija t'i kuptoja se cilët qenë. "Dos Passos ka një stil të bukur dhe kaq".
"Po Camus?", e pyeta me naivitet.
"Camus!". Mendova se do të ma fuste me vazo kokës.
"Camus!" më përsëriti si i hipnotizuar. "Është një nulitet... një moralist... gjithmonë i gatshëm që t'u thotë të tjerëve se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar... se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë nuk duhet të bëjnë... martohuni, mos u martoni... kjo i takon kishës... është një nulitet!".
Kështu, Céline propozoi romancierin anglez Lawrence Durrell. "Një libër i tërë lidhur me faktin sesi puthet një vajzë, mënyrat e shumta sesi mund të puthet dhe çfarë nënkuptojnë ato... kjo do të ishte të shkruash? Kjo nuk është e shkruara ime, është asgjë, është një harxhim i kotë. Librat e mi nuk janë kështu, librat e mi janë stil, asgjë tjetër, vetëm stil. Stili është e gjëja e vetme për të cilën të shkruash".
Stil i paimitueshëm
"Kush e di sa kanë provuar që ta kopjojnë stilin tim... por nuk munden. Nuk mund t'ia arrijnë për katërqind faqe njëra pas tjetrës. Provojeni, nuk mund ta bëjnë... e vetmja gjë që kam, vetëm stil, asgjë tjetër. Nuk ekzistojnë mesazhe në librat e mi, kjo i takon kishës!". Ngërdheshet dhe bën një gjest përçmimi me dorë. "Jo, librat e mi shpejt do të harrohen, nuk duan të thonë asgjë, nuk ndryshojnë asgjë, nuk hyjnë në punë për asgjë...".
"Kam qenë gjithçka: një kaubojs në Amerikë, kontrabandist në Londër, një peshkaqen, pothuajse gjithçka. Kam punuar qysh kur kam qenë 11 vjeç. E di se për çfarë bëhet fjalë... e njoh gjuhën frënge. Mund të shkruaj dhe kaq".
"Dëgjoni njerëzit tek flasin në rrugë... nuk ka të bëjë aspak me librat... është gjithmonë: 'Atëhere i kam thënë... dhe ai më ka thënë dhe atëhere i kam thënë' - aktorë, ja. Të gjithë duan duartrokitjet. Peshkopi thotë: 'Dje kam folur për 2000 njerëz, nesër do të flas përpara 3000 personave'. Kjo është feja! Shikoni Papën. Kur njerëzit shohin Papën do të donin ta hanin! Është aq i shëndoshë - ha shumë, pi shumë... aktorë, ja se çfarë janë të gjithë!".
"Njerëzve u interesojnë sigurimet dhe dëfrimi - e gjitha këtu. Seks! Ja se ku është lufta... çdonjëri do ta hajë tjetrin... Ja pse kanë frikë nga zezaku. Është i fortë! Është plot me energji! Do të predominojë. Ja pse e kanë frikë... është momenti i tij, janë shumë... tregon muskujt e tij... njeriu i bardhë ka frikë... është i flashkët. Ka qenë në majë për shumë kohë... qelbësira ka arritur tavanin dhe Zezaku e ndjen, i merr erë dhe qëndron në pritje të fitores... nuk do të duhet akoma shumë kohë".
"Është koha e ngjyrës së verdhë... i ziu dhe i bardhi do të përzihen, i verdhi del më i fortë, kjo është gjëja e vetme... pas 200 vjetësh dikush do ta shikojë statujën e një njeriu të bardhë dhe do të pyesë nëse një gjë kaq e habitshme vallë ka ekzistuar realisht... dhe dikush do të përgjigjet: 'Oh, jo, duhet të jetë rilyer'".
"Kjo është përgjigjja! Njeriu i bardhë i përket së kaluarës... tashmë ka mbaruar, është zhdukur! Është radha për diçka të re. Këtu të gjithë flasin, por nuk dinë asgjë... lërini të shkojnë atje poshtë dhe do të shikoni se lloqet janë krejtësisht muzikë tjetër atje. Kam qenë në Afrikë, e di si është, di se është shumë e fortë, e dinte se ku shkojnë të përfundojnë... njeriu i bardhë e ka groposur kokën e tij për një kohë të gjatë në mitër... ka lënë që kisha ta korruptonte, të gjithë janë tërhequr brenda... nuk të është lejuar të thuhet kjo... Papa të shikon, ki kujdes... mos thuaj asgjë! Qielli e ndalon... Jo! Është mëkat... do të kryqëzohesh... rri urtë... rri mirë... mos leh... mos kafsho... ja ushqimi yt... pusho!".
"Nuk ka asgjë brenda tyre... janë si demat, tundu diçka përpara syve për t'ua marrë mendjen; gjokse, patriotizëm, kishën, çfarëdo gjëje, praktikisht dhe do të hidhen në erë. Nuk na duhet shumë, është shumë e lehtë... duan gjithmonë të na marrin mendjen... asgjë nuk ka rëndësi... jeta është shumë e lehtë".
Libra për femrat
Për atë që u duk një periudhë e gjatë, Céline nuk tha asgjë. Së fundi, i thashë se nuk kisha njohur kurrë një femër që të mos i ishte shpifur nga librat e tij, që nuk arrinin kurrë t'i mbaronin deri në fund.
"Sigurisht, sigurisht, që pritej... librat e mi nuk janë për femrat... kanë truket e tyre ato... shtratin... paratë... Lojëzat e tyre... librat e mi nuk janë truket e tyre... e dinë vetë ato sesi ia hedhin..."
"Jo, nuk shikoj më asnjeri... Po, ime bijë është gjallë, rri në Paris, nuk e shikoj kurrë. Ka pesë fëmijë. Nuk i kam parë kurrë".
Sërish një heshtje e gjatë. Dhe pastaj: "... Nuk ka kurrfarë dyshimi - Unë jam një i persekutuar... një lebroz".
Heshtje. "Hap derën dhe futet një armik...".
Heshtje. "Tani më duhet t'iu lë... duhet të shkruaj".
Më drejtoi për nga dera.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers