AFRIKA E JUGUT/Zebra, apartheid dhe topa ovalë



Një vend, shumë popuj

Emri afrikaner shkakton edhe sot e kësaj dite një farë frike: mbetje e ideologjisë raciste që të bardhët afrikano-jugorë e përdorën përgjatë shekujve dhe që u institucionalizua në vitet 900 me ngjitjen e partisë nacionaliste (National party). Pasardhës të kolonëve kalvinistë që banonin në zonën e Kepit të Shpresës së Mirë gjatë administratës së Kompanisë holandeze të Indive Lindore (1652-1795), ata nisën të quhen afrikaner, vetëm duke filluar që nga shekulli XVIII. Më parë pjesëtarët e këtyre komuniteteve, që të përbashkët kishin faktin që flisnin të njëjtën gjuhë, afrikaans, një gjuhë e ngjashme me atë holandeze njiheshin si boerë ("fshatarë"), trek-boers, holandezë të Kepit, apo "voortrekkers".
Besimi i tyre fetar, në bazë të faktit që konsideroheshin të zgjedhur prej perëndisë, vinte theksin jo vetëm në sensin e superioritetit, por edhe tek papajtueshmëria, gjë që iu demonstrua anglezëve që mbërritën diku nga fundi i viteve 700, pas rënies në Europë të fuqisë holandeze. Në ndeshjen mes këtyre dy kulturave, afrikaner-ët e pësuan më keq dhe u detyruan që të hiqnin dorë nga pjesë të territoreve të tyre, pasi ishin larguar nga tokat e pushtuara dhe kishin luftuar në dy luftërat anglo-boere (1880-1881 dhe 1899-1905), që përfunduan me pranimin e sovranitetit anglez mbi Afrikën e Jugut.
Zulutë (fjalë që buron nga amazulu - "njerëz të qiellit") janë në fakt ndër etnitë indigjene më luftarake (përveçse më të shumtë si numër bashkë me Xhosat me origjinë bantu). Pushuan së qeni një komb pas luftës anglo-zulu (1879) duke u bërë kundërshtarë të racizmit. Në vitin 1970, një ligj vendosi që ata do të kufizoheshin në privincën e KëaZulu-Natal dhe nuk do të konsideroheshin nënshtetas afrikano-jugorë. Vetëm në vitet e fundit, Zulutë kanë marrë një farë shpagimi: presidenti aktual i vendit, Jacob Zuma është në fakt i kësaj etnie. Një veçanti që del më shumë në pah prej poligamisë së shprehur hapur nga ana e presidentit si dhe nga shfaqja e rrënjëve të tij në ceremoni publike.
Futboll dhe regbi, ish-ë të ndarë në fushë
Për të bardhët regbia, sport britanik. Për zezakët, futbolli popullor. Edhe sporti në Afrikën e Jugut ka respektuar barrierat racore dhe sociale. Ose të paktën, kështu ka qenë përgjatë të gjithë viteve të aparteidit, aq sa fundi i segregacionit u vulos në mënyrë simbolike në 24 qershor të vitit 1995 nga Nelson Mandela, i pari president afrikano-jugor me ngjyrë, i cili i dorëzoi kupën e botës të regbisë me 15 kapitenit (të bardhë) të kombëtares së vendit të tij, Jacobus François Pienaar. Një episod, i cili ka frymëzuar filmin e kohëve të fundit të Clint Eastwood, Invictus. Federata e parë e regbisë në Afrikën e Jugut e lindur në vitin 1889 ishte rigorozisht e bardhë. Vetëm në vitin 1992, u shkri në unionin afrikan të futbollit dhe regbisë, një organizëm ndëracor. Presidenti i sapozgjedhur Mandela përdori pikërisht kombëtaren e regbisë me 15 (Springbokët shumë popullorë) si instrument pajtimi. Të bardhët ishin në fakt të shqetësuar se gjendeshin krejt papritur në minorancë për fundin e aparteidit dhe gjetën tek presidenti me ngjyrë mbështetjen e nevojsshme për të fituar kampionatin botëror të vitit 1995, që u zhvillua pikërisht në Afrikën e Jugut.
Ndërsa, futbolli ka qenë gjithmonë një privilegj i popullsisë me ngjyrë dhe u shndërrua në një simbol të ndarjes racore e sociale. Por, vetëm në vitin 1992, ata që quheshin bafana, bafana ("djemtë tanë" kështu quhen lojtarët jugafrikanë të futbollit në gjuhën e zuluve) u kthyen të luajnë në nivel botëror. Ndryshimi erdhi në vitin 1991, kur edhe në Afrikën e Jugut u krijua një kombëtare e përzierë, e përbërë nga të bardhë dhe me ngjyrë. Edhe në këtë rast, sporti mori një vlerë simbolike, pajtimi, që kurorëzimin e arrin këtë vit me Kupën e Botës.
Parajsa e quagga-ve
Një zebër pa vija... as pikëla. Thjeshtë dyngjyrëshe. Apo më mirë: ta shohësh përballë të duket një zebër normale. Por nga pas duket si një kalë brun. Apo më mirë dukej. Quagga (Equus quagga quagga) ishte në fakt një zebër e një specieje tipike e Afrikës së Jugut, e cila u zhduk në vitet 800. Ekzemplari i fundit ngordhi në 12 gusht të vitit 1883, në Kopshtin Zoologjik të Amsterdamit. Pikërisht në fundin e viteve 800, në Afrikën e Jugut filluan politikat e para për mbrojtjen natyraliste: pasi kishin vënë rregulla për gjuetinë (e rezervuar për boerët) në vitin 1888 u shpallën zona të mbrojtura pyjet shtetërorë të provincës së Kepit. Dhjetë vjet më vonë, u krijua rezerva e Sabit dhe në 1903 ajo e Shingëedzi, bërthamë origjine e Parkut Kombëtar Kruger, më i madhi i Afrikës së Jugut me dy milionë hektarë savanë dhe pyje të populluar nga qindra specie të rralla sisorësh, peshqish, zvarranikësh dhe shpendësh.
Në vitin 1998, Vatikani deklaroi se Adami dhe Eva kishin hedhur hapat e tyre të parë pikërisht në këto anë. Në një samit ndërkombëtar të organizuar nga Akademia papnore për jetën, atë Angelo Serra i Universitetit Katolik të Milanos argumentoi: "Kemi mbërritur në këtë konkluzion, pasi kemi studiuar informacionet gjenetike që përmbahen në kromozome. Studime të kryer në ADN e shumë popullsive të ndryshme demonstrojnë se mund të shkohet përtej mutacioneve drejt një paraardhësi të Homo Sapiens-ëve që ndodhej mes Afrikës së Jugut dhe Tanzanisë. Prej aty, pasardhësit e Adamit dhe Evës kanë emigruar në kontinente të tjerë". Një "lajm", i cili bazohet në atë që shkenca tashmë e dinte, pra që paraardhësit tanë i kanë hedhur hapat e tyre të parë pikërisht në Afrikë.
Lesoto e Swaziland: dy mikrokombe në zemër të gjigandit
E quajnë Zvicra e Afrikës Jugore. Por jo për shkak të të ardhurave të banorëve të saj, se sa për shkak të gjeografisë: Mbretëria e Lesotos ka në fakt një sipërfaqe prej 30 mijë kilometra katrorë, pak më e vogël se sa sipërfaqja e konfederatës helvetike dhe gjendet në mes të maleve kryesorë të Afrikës së Jugut. Ajo është një enklavë në brendësi të territorit afrikano-jugor, pak a shumë ashtu sikurse Zvicra është në Europë. Në Verilindje ndodhet shteti edhe më i vogël i Swaziland, i madh sa gjysma e Lesotos. Të dy këta kombe morën formë në fillim të viteve 800 nën shtytjen e mfecane (një imigracion i madh, i cili u shkaktua prej tregtisë së skllevërve dhe prej konflikteve ndëretnikë) si dhe për shkak të inkursioneve boere në brendësi të kontinentit që pasuan udhëtimin e madh. Pavarësia nga perandoria britanike erdhi në vitin 1966 për Lesoton dhe dy vjet më pas për Swazilandin, dhe ajo u favorizua prej kompaktësisë etnike (në Lesoto popullsia është kryesisht e etnisë basoto, Swazilandi është i bazuar në shumicë prej fiseve Swazi, të cilët në vitet 800 kanë qenë aleatë të anglezëve kundër fiseve Zulu që ishin reshtuar në krah të Boerëve). Duke patur mbështetjen e britanikëve të dy vendet arritën që të sigurojnë një autonomi politike, pavarësisht fqinjit gjigand, me të cilin marrëdhëniet kanë qenë shpesh herë kontradiktore. Në fakt, Lesoto në vitin 1910 u aneksua nga dominion-i i Afrikës së Jugut, por megjithatë pa u bërë asnjëherë pjesë integrale. Dhe Swaziland, pasi ishte aleat në vitet shtatëdhjetë me Afrikën e Jugut të aparteidit në funksion antibritanik, me fundin e regjimit segregacionist i ka paraqitur madje pretendime territoriale qeverisë së Pretorias.
Shpresë e Mirë? Jo dhe aq
Konsiderohej dikur si pika më e skajshme e Tokës. Këtu, sipas legjendës së shekullit XVII ka lundruar holandezi fluturues në bordin e një anije fantazmë, i shtyrë nga dëshira për të mbërritur në kufijtë e botës. Në fakt, konsiderohej skaji më jugor i Gadishullit të Kepit dhe pikë kryqëzimi mes Atlantikut dhe Oqeanit Indian (që në realitet i takon Kepit Agulhas). Europianët e parë që mbërritën këtu ishin portugezët, në fundin e viteve 400. Lundërtari Bartolomeo Diaz në vitin 1487 u gjend në mesin e një stuhie që e dërgoi në të urryerin Mossel Bay. Lundërtari i madh e quajti Kepi i Stuhisë për shkak të rrymave të dhunshme. Por kolegu i tij, Vasco de Gama, një dekadë me vonë zbuloi se pikërisht kjo ishte pika që duhej të kapërcehej për të shkuar në Indi.
Vetëm atëherë nëpër harta nisi të shfaqet toponimi Kepi i Shpresës së Mirë. Ia vuri këtë emër Mbreti i Portugalisë, Giovanni II, duke menduar ndoshta për perspektivën tregtare që hapej falë këtij zbulimi. Ndonëse i kishin vënë emrin Kepit, portugezët nuk e përdorën zonën dhe shkuan në brigjet më të sigurtë të Mozambikut. Ishin holandezët, pothuajse dy shekuj më vonë, që krijuan të parin port për furnizime për anijet në Table Bay, vend origjine i Qytetit të Kepit.
Afrika e Jugut që askush nuk e pret
Nelson Mandela, fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1993 dhe President i vendit nga 1994 deri në 1999 ishte simboli i kësaj lufte. Por, në krah të tij ishin edhe peshkopi Desmond Tutu, aktivisti i ri në moshë Stephen Biko, i vrarë në vitin 1977 në burgun e Pretorias (dhe të cilit Peter Gabriel i ka dedikuar një këngë shumë të famshme) dhe këngëtarja Miriam Makeba, e cila ndërroi jetë për shkak të një ataku në castel Volturno në vitin 2008
Aparteid, krimi i bardhë
Në gjuhën afrikaans (gjuha e të bardhëve afrikano-jugorë) do të thotë "ndarje". Suksesin ia sanksionoi fitorja e National party në zgjedhjet e vitit 1948 si dhe ratifikimi më vonë i ligjeve racorë, që deri në vitet nëntëdhjetë e bënë Afrikën e Jugut një prej vendeve më jotolerantë. Jo kundrejt një minorance, por kundrejt një shumice me ngjyrë. Në vitet gjashtëdhjetë, në bazë të këtyre ligjeve, afro 3 milionë e gjysmë persona u segreguan në homeland-et e jugut (apo bantustan, territore të caktuara për njerëzit me ngjyrë nga ana e qeverisë).
Lëvizjet e protestës u shtypën me gjakderdhje dhe në vitin 1976, ndërkohë që një kryengritje në Twonship-in e Sowetos në Johanesburg shkaktonte 200 deri në 600 viktima, Organizata e Kombeve të Bashkuara e denoncoi aparteidin si një krim kundër njerëzimit. Në po të njëjtin vit, shumë kombe afrikanë e bojkotuan Olimpiadën e Montrealit në Kanada dhe aktivistët nisën përpjekjet për të mobilizuar të gjithë botën.
Nelson Mandela, fitues i Çmimit Nobel për Paqen në vitin 1993 dhe President i vendit nga 1994 deri në 1999 ishte simboli i kësaj lufte. Por në krah të tij ishin edhe peshkopi Desmond Tutu, aktivisti i ri në moshë Stephen Biko, i vrarë në vitin 1977 në burgun e Pretorias (dhe të cilit Peter Gabriel, i ka dedikuar një këngë shumë të famshme) dhe këngëtarja Miriam Makeba, e cila ndërroi jetë për shkak të një ataku në Castel Volturno në vitin 2008.
Zemra e parë e transplantuar
Mes risive të Afrikës së Jugut është edhe transplanti i parë i zemrës në një qenie njerëzore. Ai që e kreu në 3 dhjetor të vitit 1967 ishte Christiaan Barnard (1922-2001), një kirurg i njohur për kronikat edhe për shkak të jetës së tij si playboy, tre bashkëshortet (e fundit, një top model) si dhe divorcet e shumtë.
Pasi u perfeksionua në kardiokirurgji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1958 ai u rikthye në Qytetin e Kepit. Këtu ngriti të parën qendër të ndërhyrjeve koronare në Spitalin e Groote-Schuur, duke filluar të eksperimentojë transplante zemre tek shimpanzetë, babuinët dhe kafshët e tjera. Dhe duke kultivuar me shumë kujdes ëndrrën e tij: të kryejë "mrekullinë" tek njeriu (në 1950 në SHBA ishte transplantuar e para veshkë e njeriut). Rasti iu paraqit pas një aksidenti automobilistik që shkaktoi vdekjen e një vajze 24-vjeçare, Denie Darvall. Barnard ishte duke u kujdesur për një të droguar, 54- vjeçarin Louis Washkansky i prekur nga diabeti dhe që ndodhej në gjendje kritike.
Sipas shumëkujt, kuadri shumë i rëndë klinik e bënte rrezik të vërtetë hipotezën e një transplanti. Nga ana tjetër, tentimi i asaj ndërhyrjeje në kushte më pak të rëndë ishte jashtë çdo diskutimi, duke parë rrezikun (pothuajse një siguri) e vdekjes. Kështu, kur babai i vajzës dha miratimin për përdorimin e zemrës së saj, Barnard iu vu punës. Në përfundim të ndërhyrjes, pas nëntë orësh, në trupin e Washkanskyt rrihte një zemër e re.
Lajmi bëri xhiron e botës, por pacienti ndërroi jetë 18 ditë më vonë për shkak të një polmoniti të shkaktuar prej ilaçeve imunosopresorë. Në transplantin e dytë, dentistit Philip Bleiberg (i operuar në 2 janar të vitit 1968) i shkoi më mirë: mbijetoi për 19 muaj. Por që gjatë atij viti, zemrat e transplantuara me sukses në botë ishin më shumë se njëqind.
Nga Udhëtimi i madh i boerëve, tek... trekking
Trek-u i Madh (Udhëtimi i Madh), migrimi epik i boerëve nuk ka aspak të bëjë me udhëtimet tanë alpine. E megjithatë, termi trekking e ka prejardhjen (përmes anglishtes) nga termi në gjuhën afrikaans. Eksodi ndodhi mes viteve 1830 dhe 1840 dhe ai përfshiu pothuajse 12 mijë boerë, të cilët u larguan nga rajonet juglindore të vendit dhe u zhvendosën në drejtim të verilindjes, në Transvaal. Ata që i vunë në lëvizje, pak a shumë si pionerët e Perëndimit në Amerikë ishin familje të tëra me skllevërit e tyre nga pas: karvanët përfshinin karro, bagëti, tenda. Po çfarë i shtyu pasardhësit e kolonëve holandezë që të viheshin në lëvizje? Kongresi i Vienës (1815), i cili mbyllte epokën napoleonike ia kishte dhënë koloninë e Kepit (rajoni pranë Kepit të Shpresës së Mirë) anglezëve. Këta të fundit kishin nxjerrë menjëherë një urdhëresë antiraciste (1828) që garantonte të drejta të barabarta për të gjithë personat me ngjyrë.
Ligji u konsiderua një fyerje prej boerëve si dhe një rrezik për ekonominë e tyre të bazuar tek skllavëria. Kështu zgjodhën eksodin. Një "udhëtim" i gjatë që kontribuoi për formësimin e karakterit të tyre të ashpër dhe të fortë. Dhe si pasojë edhe imazhi i tyre si afrikaner kokëfortë. Migrimi ishte edhe një pushtim i territoreve të rinj: popullsitë indigjene, të zvogëluar shumë në numër për shkak të sëmundjeve të panjohura dhe armëve të zjarrit, iu nënshtruan boerëve. Rezistenca më e madhe u organizua nga luftëtarët zulu: në dhjetor të vitit 1838, në lumin Ncome 470 boerët e udhëhequr nga Andries Pretorius mposhtën 15 mijë zulutë, duke hapur kështu rrugën për lindjen e Republikës së Transvaal.
Trek-u i Madh është ende i gjallë në imagjinatën e afrikano jugorëve. Pasardhësit më nostalgjikë të boerëve e festojnë fitoren e vitit 1838 me një përkujtim me kostume të migrimit, me himne afrikaner si dhe meshë në gjuhën afrikaans. Në bregun tjetër të lumit Ncome, Zulutë përkujtojnë të rënët e tyre me kërcime ritualë.
Këtu Gandhi eksperimentoi jo-dhunën
Përpara se të bëhej lider i pavarësisë së Indisë, Mahatma Gandhi i kreu "provat gjenerale" në Afrikën e Jugut. Mbërriti në Durban në vitin 1893 nën mbulimin e një avokati dhe me veshje të stilit viktorian, i dërguar nga kompania indiane Dada Abdullah & Co. U largua në vitin 1914, pasi kishte provuar mib vetveten segregacionin, i cili përveç zezakëve godiste edhe 150 mijë bashkëkombasit e tij që ndodheshin në këtë vend. Ishin të shumtë episodet e racizmit që iu desh të durojë: dëbimi nga Gjykata e Durbanit kur refuzoi që të heqë rrobën, për shembull, apo dëbimin nga një tren, pasi kishte refuzuar të kalonte nga vagoni i klasit të parë tek ai i klasit të tretë i rezervuar për zezakët, njerëzit me ngjyrë dhe indianët.
Në vitin 1894, ai themeloi Kongresin indian Natal, pararendës i kongresit kombëtar Afrikan të Nelson Mandelës. Ndryshe nga këta, të paktën gjatë viteve të parë, Gandhi mbrojti kryesisht të drejtat e migrantëve indianë. Në disa prej shkrimeve të tij ai përdori në fakt termin kaffirs, duke iu referuar zezakëve, të cilët në fakt i quante jocivilë dhe injorantë: "Ambicia e vetme e kaffirs-ëve ishte që të mblidhnin një sasi të caktuar bagëtish, me të cilët të mund të blinin një bashkëshorte dhe më pas të kalonin jetën e tyre lakuriq, në plogështi", shkruante në gazetën "The Indian" opinion, e krijuar prej tij në vitin 1904. Në vitin 1906 i dha jetë Shoqatës për Rezistencën Pasive me qëllimin për t'iu kundërvënë vendimit britanik që iu impononte komunitetit indian detyrimin për të kaluar. Në vitin 1913, intensifikoi protestat, duke përfunduar në burg, por duke marrë edhe mbështetje për disa prej veprimeve të tij.
Një vend me Çmime Nobel
Politikanë, shkencëtarë, poetë: Nobel-at e shumtë që i kanë dhënë shkëlqim Afrikës së Jugut
Max Theiler (1951), për mjekësinë
I pari Nobel afrikano-jugor u dha për vaksinën kundër verdhëzës.
Albert Lutuli (1960), për paqen
President i Kongresit Kombëtar afrikan (partia antiaparteid) nga viti 1952 deri në 1967 dhe udhëheqës i jo-dhunës.
Allan Cormack 91979), për mjekësinë
Zhvilloi diagnostikimin e bazuar në tomografinë e kompjuterizuar, që sot njihet si TAC.
Aaron Klug (1982), për kiminë
Me origjinë lituaneze dhe më vonë i natyralizuar si anglez, në Universitetin e qytetit të Kepit vuri në veprim metodat kristalografike për studimin e proteinave.
Nadine Gordimer (1991), për letërsinë
E bardhë, ka denoncuar nga brenda dinamikat segregacioniste të aparteidit.
Frederik W. De Klerk (1993), për paqen
I fundit president i bardhë, hodhi themelet për një Afrikë Jugu demokratike.
Nelson Mandela (1993), për paqen
Lider i lëvizjes antiaparteid, i liruar në vitin 1991 pas 27 vitesh burgim ka qenë i pari president zezak.
Sydney Brenner (2002), për mjekësinë
Ka studiuar gjenetikën qelizore.
John M. Coetzee (2003), për letërsinë
Në shkrimet e tij ka trajtuar kushtin e të huajit dhe limitet e racionalizmit.
Etapat që bënë Afrikën e Jugut
1500 para Krishtit
Gjuetarë të etnisë san (apo Boscimanë) të vendosur prej mijëvjeçarësh në Afrikën e Jugut konvertohen në fermerë.
100-500 pas Krishtit
Popullsitë që flisnin gjuhën bantu vendosen përgjatë Bregut Lindor të Afrikës së Jugut (rajoni i Natal)
1487
Portugezi Bartolomeo Diaz mbërrinnë Kepin e Shpresës së Mirë. Vasco de Gama (1497) e kapërcen dhe kalon në Indi
1652
Vendosja e parë e holandezëve në Table Bay, sot Qyteti i Kepit: deri në mbërritjen e anglezëve në vitin 1820 do të jenë kolonët e vetëm.
1830
Mbërritja e anglezëve provokon Trek-un e madh të holandezëve, prelud i dy luftërave anglo-boere (1880-1095).
1910
Pas fitores së anglezëve kundër Boerëve dhe Zuluve lind Unioni Afrikanojugor, dominion që i përkiste Commonwealthit.
1930
Afrika e Jugut fiton pavarësinë e plotë, pasi kish marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore në krah të Mbretërisë së Bashkuar
1948
National Party, disa prej anëtarëve të së cilës kishin simpatizuar Hitlerin merr pushtetin dhe sanksionon aparteidin.
1961
Afrika e Jugut, e shtyrë edhe nga presioni ndërkombëtar lë Commonwealthin dhe shndërrohet në republikë
1962
Nelson Mandela, lider i ri i Kongresit Kombëtar Afrikan, organizata kryesore e zezakëve arrestohet
1975
Në township (periferitë e banuara prej zezakëve) shpërthen revolta e parë e madhe kundër aparteidit.
1990
Mandela lirohet. Një vit më herët qeveria Botha kishte legalizuar Kongresin Kombëtar Afrikan.
1994
Në zgjedhjet e para demokratike, Mandela u zgjodh President dhe nisi procesin e ripajtimit.
1997
Hyn në fuqi Kushtetuta e re e Afrikës së Jugut, bazuar në parimet demokratike dhe barazitarë.

Google+ Followers