“Wikipedia”, në një libër historia dhe sekretet


Një nga “arkitektët” e saj tregon në një libër të fshehtat dhe mënyrën se si funksionon enciklopedia më e madhe “online”


Është krijuar në vitin 2001 dhe brenda më pak se dhjetë viteve ka më shumë se 10 milionë artikuj në 250 gjuhë. Ka më tepër se 11 milionë përdorues të regjistruar, që rastësisht bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, dhe qindra milionë vizitorë kalimtarë. Tashmë nuk ka asnjë detyrë shkolle apo tezë universitare, ku studentët nuk kanë marrë apo nuk kanë lexuar asgjë nga “Wikipedia”. Gazetarët dhe shkrimtarët, docentët apo skenaristët e televizioneve të vendosur përballë imperativit për të verifikuar informacionin me shpejtësi, janë bërë përdoruesit e saj më të rregullt. Është “Wikipedia”, enciklopedia online “e bërë nga njerëzit e zakonshëm”, një nga fenomenet kulturore më me influencuese të kohës sonë. Ambicia e saj është të pasurojë njohjen njerëzore. Në versionin anglez, atë më të kilikuarin, rreth 2 milionë artikujt nisin nga A deri te Z. Në fenomen i jashtëzakonshëm i bashkëpunimit kolektiv, që vazhdon të rritet me shpejtësinë e 30 mijë artikujve në muaj. Mesatarisht me një ritëm prej 60 milionë lexuesish në ditë, është një nga tetë faqet e internetit më të vizituara në botë. Në ditët e para të prillit azhurnoi edhe grafikën e saj. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e përdoruesve e di që “Wikipedia” ka lindur nga një grup vullnetarësh: punojnë falas dhe pothuajse gjithmonë në anonimat. Është i vetmi mes sajteve të mëdha të internetit, që nuk fsheh pas vetes një kompani për qëllime fitimi: “Wikimedia Foundation” është një organizatë jofitimprurëse. Tani, falë Andrew Lih, një bashkëpunëtor që ka ndarë një pjesë të mirë të historisë së kësaj kompanie, është e mundur të “shohësh” nga brenda këtë enciklopedi dhe natyrën e saj të vërtetë. Një fenomen social, më shumë se teknologjik apo kulturor. Lih është një nga administratorët e versionit anglez të “Wikipedia”, d.m.th i përket grupit drejtues që duhet të organizojë dhe disiplinojë një “ndërtesë” në ndryshim të vazhdueshëm. Është kinez dhe në Pekin është angazhuar kundër censurës së internetit. Ka punuar si ekspert softuerësh në “Bell Labs”, ka dhënë mësim më “Columbia University” dhe sot është docent në “University of Southern” në Kaliforni. Libri i tij “Revolucioni i Wikipedia” është i pari që përshkruan nga “brenda” protagonistët e projektit, debatet mbi rregullat, funksionin konkret të kësaj vepre kolosale, që ka errësuar çdo enciklopedi tjetër. Ashtu siç i ka hije metodave të “Wikipedia”-s, fundi i librit është i hapur dhe është shkruar nga vetë lexuesit. Përmes një galerie personazhesh, Lih ndërton rrugën e “Wikipedia”-s, debatet e ashpra mes themeluesve të saj, betejat e brendshme dhe mënyra se si arriti të jetë ajo që është sot. Në fillimet e saj, kjo enciklopedi kolektive përmban gjurmë gishtash të kulturës antiautoritare, të lirë dhe antikapitaliste, tipike e pionierëve të internetit. Në ndryshim nga enciklopedia iluministe e Didëroit dhe D’Alemberitit, nuk përdor pretekstin për të hequr një njohuri të vjetër për ta zëvendësuar me një të re. Mes dy themeluesve më të njohur të saj janë Larry Sanger dhe Jimmy Wales, ku i pari ka një diplomë në filozofinë epistemologjike, i dyti për ekonomi- financë. Megjithatë të dy kanë arritur në përfundime të ngjashme mbi natyrën krejtësisht sociale dhe bashkëpunuese të njeriut. Rregullat e arta që Sanger dhe Wales vendosën në fillimet e “Wikipedia”-s ishte refuzimi i kërkimeve origjinale (artikujt nuk duhet të përmbanin lajme ekskluzive). Respektimi i tyre ka qenë një betejë e vazhdueshme, që e ka çuar enciklopedinë të ndryshojë dukshëm në krahasim me fillimet e saj. Duke treguar se si funksionin “Wikipedia”, Lih përfundon duke iu përgjigjur një pyetjeje të rëndësishme: përse funksionon. Në fakt kjo enciklopedi i ka rezistuar sulmeve të paimagjinueshme. Gabime të mëdha që kanë çuar në skandale: sidomos kur ndonjë VIP i politikës, kulturës apo spektaklit ka zbuluar gabime në biografinë e tij, për ta bërë këtë çështje shumë të madhe. Bota akademike shpesh i ka kundërshtuar shumë gjëra që ndodhin aty. Për kritikët më të ashpër, “Wikipedia” është kthyer në një armë të shkatërrimit në masë, që ul besueshmërinë shkencore dhe i imponon epokës sonë diktaturën e pop-kulturës. Libri i Lih është i çmuar, sepse rrëzon disa nga mitet dhe tregon për përmasat më komplekse të “Wikipedia”-s. Në të vërtetë, prej kohësh bërthama krijuese ka krijuar distancë nga një version jo shumë demokratik i enciklopedisë. Shumë shpejt u bë i qartë rreziku që mund të hasej nëse hartimi dhe korrigjimi i artikujve do të bazohej në rregullin se “mazhoranca ka të drejtë”. Është e lehtë të imagjinohet se si regjimi i Pekinit mund të mobilizojë grupe të rinjsh nacionalistë dhe fanatikë për të manipuluar artikujt e enciklopedisë mbi tema shumë delikate (si ajo e Tibetit). Sot “Wikipedia” kombinon pjesëmarrjen vullnetare të masës me një sistem filtrash dhe korrigjimesh eksperte. Kështu që gabimet nuk janë të shpeshta. Wikipedianët (70 për qind e të cilëve janë më pak se 30 vjeç) janë të pavarur nga informacionet e disponueshme “online”. Ndaj të dhënat dhe lajmet që përdoren për të krijuar një artikull tek “Wikipedia”, janë më të pasura që nga vitet ‘90 deri në ditët tona. Për periudha të mëparshme, pjesa më e madhe e informacioneve gjendet ende në copa letre. Nëse në të ardhmen do të zbatohet projekti i “Google” për të dixhitalizuar gjithë dijen njerëzore, përfshi edhe biblikët e vjetër, edhe ky limit do të kalohet. Në horizont nuk duken konkurrentë në gjendje që të vënë në dyshim rekordin e “Wikipedia”-s. Enciklopedia online është një organizatë pa qëllime fitimi, ndaj nuk përbën ndonjë interes të veçantë për fuqitë e tjera të mëdha të internetit. “Me sajtin tonë, kompanitë si ‘Google’ nuk mund të bëjnë biznese të mëdha”, thotë Wales. Megjithatë, “Google” u përpoq të konkurronte “Wikipedia”-n, duke themeluar “Knol”, një tjetër sajt që funksionon me kontributet e përdoruesve. Sipas shifrave të komunikuara kohët e fundit nga kompania kaliforniane, projekti ka mbledhur vetëm 100 mijë artikuj. Pak më pak se dhjetë vjet nga fillimi dhe pa një strategji për të ardhmen, pozicioni i ‘Wikipedia’-s bën që të ngrihen një sërë dyshimesh. Wikipedianët, për shembull, refuzojnë akuzat e një profesori spanjoll, sipas të cilit, numri i redaktorëve po zvogëlohet, por pranojnë se versioni në anglisht i sajtit po kalon një periudhë tranzicioni. Sue Gardner, drejtoresha e përgjithshme e “Wikimedia Foundation”, shoqëria përgjegjëse për administrimin e sajtit, tregon se numri i redaktorëve nuk është rritur më që prej vitit 2006, edhe pse pasojat e këtij ndalimi nuk janë ende të qarta. Por sipas disave, kjo përbën një problem. Nëse numri i redaktorëve është i njëjtë dhe artikujt sa vijnë e shtohen, atëherë kontrolli i cilësisë së teksteve është gjithmonë e më i vështirë. Kjo, nënvizon Andrew Lih i “University of Southern California” dhe autor i “Wikipedia Revolution”, do të favorizojë të gjithë ata që publikojnë informacione të pjesshme. “Ekziston rreziku se mund të ketë një erozion të së vërtetës. Do të jetë shumë e vështirë ta kuptosh”. Para se të kritikosh konceptin që qëndron në bazë të “Wikipedia”-s duhet bërë një kompromis: e vërteta absolute nuk ekziston, as në rastin e informacioneve të konsideruara objektive.

Google+ Followers