Turqia kundër Turqisë në luftën e gjatë të modernizimit


Ekziston një luftë nën rrogoz për pushtet politik në Turqi - një luftë që disa e shikojnë si një përplasje të islamistëve kundër turqve laikë. Por kjo betejë nuk është fetare: Ajo është për dominim politik në Turqinë e shekullit të XXI-të. E lulëzuar nga suksesi ekonomik, një elitë e devotshme myslimane ka dalë në qendër të skenës politike dhe po sfidon elitën kemaliste.
Qyteti i Anadollit qendror Kajseri, vendlindja e Presidentit aktual Abdullah Gül, është një shembull i përkryer i transformimit mbresëlënës që ka filluar të lulëzojë në Anadollin Qendror gjatë 30 viteve të fundit. Sot, në Kajseri akoma do të gjenit Sahabiye Medrese, një kolegj kushtuar studimit të shkencave islamike, të ndërtuar me gurë të nxirë nga shekujt. Pastaj, atje është kështjella e vjetër selxhuke, shtëpi e vjetër e Sulltanit selxhuk. Megjithatë, shumë pak tjetër mbetet nga e kaluara e qytetit. Zonat e vjetra të banimit janë shembur dhe qendra është tani një panoramë e modernizmit. Stacioni i ri i autobuzave është një eksperiment kurajoz në xham, plastikë dhe beton i bardhë me shkëlqim. Përtej stacionit kemi një zonë të madhe industriale, ku ndërtimi i 139 impianteve të reja filloi një ditë në vitin 2004. Posterat i inkurajojnë njerëzit që të pijnë më shumë kola turke dhe të përdorin traktorët turq.
Elita të reja: Ngjitja e klasave të mesme anadollase
Modernizimi ekonomik në pjesën më të madhe ndodhi gjatë viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, kur kompanitë e tekstilit u rritën këtu nën mbrojtjen e tarifave të larta doganore. Megjithatë, ngjitja reale e kapitalizimit në Turqi ndodhi në vitet Tetëdhjetë nën Kryeministrin Turgut Özal, një ish-funksionar i Bankës Botërore dhe mysliman i devotshëm. Ndërsa ishte në këtë post, ai ftonte investitorë të huaj në Anadoll dhe jepte kredi të favorshme për sipërmarrjet private industriale të vogla dhe të mesme. Privatizimi i ekonomisë nga ana e Özal i lejoi klasës së mesme anadollase që të lulëzonte në fundin e viteve Tetëdhjetë. Ata u bënë një prej shtyllave të industrive eksportuese të Turqisë në vitet Nëntëdhjetë, duke përfituar gjithashtu edhe nga një bashkim doganash midis Turqisë dhe Bashkimit Europian.
Një prej sipërmarrësve ndërkombëtarisht të suksesshëm është Saffet Arslan. Ai është një figurë emblematike për Kajseri dhe karriera e tij mishëron atë të një biznesmeni anadollak. I biri i një qilimabërësi të thjeshtë, në moshën 14-vjeçare ai tashmë po punonte si marangoz në një dyqan mobiljesh. Shpejt më pas, ai hapi një dyqan të vogël mobilierie, krijoi gjithnjë e më shumë degë dhe eventualisht themeloi Ipek Company në vitin 1991, e cila është tani një eksportues në një numër vendesh gjithnjë e në rritje. Duke pajtuar jetën e tij fetare dhe atë të biznesit, 53-vjeçari Arslan është njëherazi një kapitalist dhe një mysliman i devotshëm. Parimet e tij: "Islami na thotë që fitimi duhet të jetë i justifikuar: puno shumë, mos përfito nga të tjerët dhe ndihmoje nevojtarin", thotë ai. Gjithashtu, Arslan financon një shkollë, një qendër sportive dhe bursa për studentë në një universitet lokal. Erciyes University në Kajseri përfiton mbështetje nga një numër i madh biznesesh dhe departamentet e degët e tij mbajnë emrat e bamirësve. Arslan ka qenë tashmë në Haxh, pelegrinazhi në Mekë, por gjen kohë për faljet vetëm të premtet pasdite. Ai i lejon punëtorët e tij që të falen në xhaminë e fabrikës gjatë pushimeve të drekës dhe të premteve ata udhëtojnë sëbashku drejt një xhamie të re të madhe.
Mrekullia ekonomike në Kajseri u ndërtua mbi përpjekjet e biznesmenëve si Arslan dhe Özal, të cilët ndërthurën një përzierje industriale të teknologjisë të lartë dhe standardi të lartë moral. Sëbashku me biznese të tjera në Stamboll dhe qytete të tjera të mëdha, këta sipërmarrës të devotshëm kanë ngritur një industri konkurruese që kontribuon në eksportet e Turqisë.
Anëtarët e një klase të mesme në ngjitje anadollase kanë një pikëpamje pragmatike të shtyrë nga biznesi për shtetin dhe shoqërinë. Disa prej tyre flasin me respekt të lartë për Turgut Özal, i cili abrogoi kontrollet e monedhave të huaja dhe barrierat e tarifave. Formula e tyre për sukses: promovim i ekonomisë së tregut, lirive civile dhe pavarësisë. Klasa e mesme e Anadollit fitoi pushtet nëpërmjet pasurisë. Megjithatë, shumë e ndjenin se influenca ekonomike nuk qe e mjaftueshme. Nga vitet Nëntëdhjetë, objektivi ishte që të merrej kontrolli i qendrës politike ose më së paku të rritej influenca politike e tyre. Duke pasur parasysh se, suksesi ka filluar me akumulim pasurie, strategjia e re inkorporonte "tru dhe transmetime", domethënë universitetet dhe mediat.
Dhjetë vjet më parë, mecenatët anadollas themeluan Fatih University, të ndodhur në rrethinat e Stambollit. Tani, fëmijët e tyre erdhën në metropol. Ndryshe nga bashkëstudentët e tyre në shumë universitete shtetërore, shumica prej tyre nuk vijnë nga klasat e larta të Ankarasë dhe Stambollit, por nga provincat lindore, nga familje konservatore që i "besojnë" universitetin - jo drogë, jo alkool, jo seminare gjatë faljeve të mesditës të premten. Të njëjtat lloje studentësh po ndjekin gjithnjë e më shumë universitetet më të vjetra. Biznesmenë konservatorë nga Anadolli që themeluan Fatih University janë të gjithë të afërt me Fethullah Gülen, i cili, në një kontekst më të gjerë të Lindjes së Mesme, është një predikues me influencë i një islami pak më konservator. Shumë prej diplomantëve shkojnë në industri; një e treta kthehen në biznesin e familjes së tyre në Anadoll.
Për dekada të tëra, monopoli i opinionit publik ka qenë në duart e biznesmenëve të mëdhenj laikë me lidhje të ngushta me shtetin laik. Ky monopol përfundoi më shumë se një dekadë më parë, teksa botimet konservatore kanë hyrë në media. Gazeta konservatore "Zaman" është një e përditshme influente me një tirazh prej 750 000 kopjesh. Veç kësaj, ajo ka një agjenci lajmesh, një revistë dhe një edicion në gjuhën angleze. Kjo perandori mediatike u përket shumë biznesmenëve të afërt me Fethullah Gülen. "Besimi, vlerat dhe një shtet laik qëndrojnë sëbashku", thotë kryeredaktori Ekrem Dumanli. "Zaman" argumenton në favor të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Europian. Edicioni i "Frankfurtit i Zaman" shet 50000 kopje në ditë në Gjermani. Edicioni anglisht i "Zaman" shpërndahet në kutitë postare të diplomatëve të huaj, kërkuesve dhe gazetarëve në Turqi dhe faqja internetore në anglisht është më shumë e lexuara në Shtetet e Bashkuara dhe në Malajzinë myslimane. Edicioni anglisht i "Zaman" është prodhues humbjesh, por pjesë e një vizioni strategjik. Kurdoherë që Turqia zë faqet e para të medieve të huaja, "Zaman" promovon pikëpamjen e botës të saj.
Mediat ekzistuese janë bërë fokusi i ekspansionit strategjik. Një luftë e fortë u zhvillua lidhur me një konglomerat mediash që përfshin kanalin televiziv "ATV" dhe gazetën "Sabah". Gjatë një tenderi që i mungoi çdo standard transparence, "ATV" dhe "Sabah" eventualisht u blenë nga Calik Holding për 1 miliard dollarë. Calik Holding është një prej korporatave gjigante të Turqisë që është e angazhuar njëkohësisht në tekstile dhe prodhimin e energjisë, ndërtim, financë, media dhe telekomunikacione. Në këto aspekte, ajo i ngjan Dogan Media Holding, që kohët e fundit u vu në shënjestrën e autoriteteve tatimore turke, që ngritën një padi multimilionëshe kundër grupit. Në kontrast me Dogan, Calik Holding, gëzon privilegjin e të punuarit ngushtë me qeverinë e AKP-së. Konglomerati fitoi kontrata të rëndësishme qeveritare gjatë viteve të fundit.
Media është vetëm pjesë e sferës publike në Turqi që ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Elitat e klasës së mesme nga provincat janë bërë shumë të dukshme në qendrat e Turqisë, kryesisht në Stamboll. Kjo prani e re në sferën publike ka sjellë gjithashtu një ndryshim në stil dhe modë, e cila është parë në mënyrë shumë kritike nga elita qendrore e konsoliduar. Shumë i referohen numrit në rritje të grave me shami koke nëpër rrugë. Aktualisht, një sondazh i kohëve të fundit tregon gjënë e kundërt. Midis viteve 1999 e 2006, numri i grave që mbanin shami është zvogëluar ndjeshëm. Ajo çka e ka bërë shaminë shumë të njohur është fakti se gjithnjë e më shumë gratë që e mbajnë atë duan të jenë pjesë e hapësirës urbane. Në ndryshim nga e kaluara, ata dalin, psonisin dhe e kalojnë kohën e tyre të lirë nëpër kafene.
Elitat në mbrojtje
Me ardhjen në pushtet të Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP) në vitin 2002, karakteri i ndryshuar i Turqisë është bërë i dukshëm anembanë vendit. Në pikëpamjen e shumë turqve të elitave qendrore, AKP-ja dhe baza e devotshme e votuesve të saj u përngjajnë migrantëve kurdë nga Anadolli Lindor. Ashtu si migrantët kurdë, shumë myslimanë të devotshëm nuk marrin pjesë në projektin klasik të modernizimit të Turqisë, që është arsyeja se pse elitat qendrore tentojnë t'i përshkuajnë ata si të "prapambetur".
Në pikëpamjen e elitave urbane të Turqisë, këto forca të "prapambetura" të asociiuara me AKP-në dhe biznesmenët e devotshëm paraqesin një kërcënim për perëndimizimin 80-vjeçar të Turqisë. Një prej zërave më të përhapura të mbështetura nga gazeta e elitës klasike "Cumhuriyet" dhe shumë laikë të majtë është se forca të caktuara në Uashington dhe Bruksel janë bërë bashkë me qeverinë aktuale me qëllim që "ta kthejnë Turqinë në një Iran tjetër". Ata i kanë frikën një "grushti shteti civil" që eventualisht do ta abrogonte demokracinë. Kundër këtyre gjasave, elitat klasike u mëshojnë vlerave themelore të Republikës turke dhe rrënjëve të tyre në qendrat kulturore dhe politike të Turqisë në mënyrë që të protestojnë kundër ndryshimeve që po rimodelojnë Turqinë dhe botën e globalizuar.
Një shtyllë kryesore e revolucionit kemalist në vitet njëzet dhe tridhjetë, arsimi është akoma një çështje përcaktuese për elitat qendrore të Turqisë. Elitat në Stamboll dhe në Ankara i kanë vënë interesat e tyre në institucionet shtetërore: shkolla, poste publike, ushtri dhe drejtësi. Fëmijët e tyre shkonin në shkolla elitare në Stamboll dhe Ankara, shumë prej të cilave ofrojnë gjuhë të huaja si gjuhë arsimore. Arsimi i nivelit të lartë, pozicionet e rëndësishme në institucionet shtetërore dhe një stil jetese perëndimor kanë modeluar vetëbesimin dhe vetëimazhin e kësaj klase. Ata dominuan rrugët, kafenetë, kinematë dhe mediat, por klasa e mesme e re nga periferia ka fituar prani në media dhe migracioni në shkallë të gjerë drejt qyteteve, duke filluar nga vitet Pesëdhjetë i ka transformuar rrënjësisht qytetet turke. Shumë anëtarë të elitës urbane klasike i shikojnë masat rurale "jo të arsimuara" dhe "jo të qytetëruara" si kërcënim ndaj kulturës urbane. Në Stamboll dhe qytete të tjera turke, elitat e konsoliduara shpresonin që të jetonin në një mjedis pakashumë homogjen njerëzish që ndajnë një kod urban specifik. Megjithatë, të ardhurit e rinj e injorojnë kodin e vendosur dhe nganjëherë e sfidojnë drejtpërsëdrejti atë.
Preokupimi i elitave klasike nuk është vetëm rreth shkelësve që futen në mbretërinë urbane të tyre. AKP-ja dhe baza e fuqishme ekonomike e tij paraqesin një kërcënim për Turqinë moderne që këto elita ndërtuan për vete në shekullin e Njëzet, një kërcënim shumë më i rëndë se ai i paraqitur nga kurdët. Elitat e reja nga provincat po instalojnë kuadrot e tyre në zyrat shtetërore, duke kërkuar të drejtën për myslimanët e devotshëm që të futen në universitete me shami koke, duke aspiruar për aktivitete dhe hapësira publike që elitat klasike dikur dominonin. Me pak fjalë, ata pretendojnë të njëjtat pozicione, të njëjtat shkolla, pasuritë dhe bile të njëjtat koncepte si modernizëm dhe demokraci, të cilat më parë shikoheshin si objektiva të elitave klasike. Elitat periferike kanë nënshtruar bile rrugën drejt perëndimizimit. Qe Tayyip Erdogan ai që pati nderin të hapë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2005 dhe elitat e reja tani duket se kanë rritur mobilitetin brenda shoqërisë. Turqit e elitës qendrore pretendojnë se njerëzit me kurrikulum fetar tani i kalojnë rangjet më me lehtësi në shumë institucione dhe industri. Kompani më të afërta me qeverinë thuhet se kanë një avantazh në fitimin e kontratave shtetërore. Duke i marrë këto argumenta sëbashku, preokupimi kryesor i elitës klasike nuk është feja, por më shumë shpejtësia e lëvizjes për sipër e elitave të periferisë.
Një problem specifik për elitën klasike është fakti që kundërshtarët e deklaruar të tyre duket se janë përsosshmërisht të organizuar, ndërsa ata janë të përçarë. Shoqata më e madhe e biznesit, TUSIAD, nuk mund të jenë dakord nëse ata shpërfillin mbështetjen e qeverisë për biznesmenët e devotshëm apo të duartrokasin politikat ekonomikisht liberale të kabinetit të Erdogan. Politikanët laikë janë të paaftë që të bashkohen në një platformë të gjerë të përbashkët. Partia më e fortë opozitare, Partia Popullore Republikane laike, zë pozicionin e një Partie Socialdemokrate në Turqi. Megjithatë, ajo nuk adreson preokupimet e klasave më të ulëta dhe të punëtorëve, por në vend të kësaj është bërë një parti me pozicione nacionaliste dhe antiperëndimore. Kampi laik është i ndarë në nacionalistët izolacionistë në CHP dhe mbështetësit mendjehapur të globalizimit në TUSIAD. Disa duan që ta çojnë Turqinë në Europë, por të tjerë e urrejnë Bashkimin Europian prej politikave minoritare dhe mbështetjes së heshtur për qeverinë e AKP-së nga ana e tij. Ata pretendojnë që të jenë flamurtari i perëndimizimit të Turqisë, megjithatë refuzojnë shumë standarde perëndimore dhe ndryshojnë në ligje turke të propozuara nga Bashkimi Europian në negociatat e anëtarësimit qysh nga viti 2005.
Përplasje politike në qendër
Në kontekstin e historisë së lëvizjeve islamiste qysh nga themelimi i vëllazërisë myslimane në vitin 1928, Kryeministri Tayyip Erdogan dhe AKP-ja nuk janë islamiste. AKP-ja është një mjedis asimilues forcash konservatore të devotshme, nacionalistësh turq, reformistësh liberalë dhe myslimanësh të devotshme. Me qëllim që t'i mbajë këto fraksione të ndryshme sëbashku, linja politike e saj është kryesisht një linjë pragmatizmi. Megjithatë, kjo nuk mund të shikohet negativisht si një kurs zigzag dhe si një shpjegim se pse reformat nganjëherë janë të ngadalta dhe të shtyra. Zgjedhjet vendore në mars të 2009, demonstruan se AKP-ja është kryesisht partia e klasave të mesme anadollase, ndërsa arriti suksesin e saj më të madh në Anadollin Qendror, por humbi në qytetet mesdhetare dhe Lindjen kurde.
Mandati i Erdogan mund të ndahet në dy periudha të dallueshme. E para, gjatë viteve të reformës nga viti 2003 deri më 2005, Erdogan e reformoi Turqinë nëpërmjet paketave harmonizuese të Bashkimit Europian: një kod penal i azhurnuar, të drejta civile të amenduara, reduktim gradual të rolit të ushtarakëve në politikë. Megjithatë, periudha e dytë e Erdogan ka qenë një periudhë lufte konstante për pushtet. Qysh nga viti 2006, Turqia ka parë një kërcënim pak të mbuluar puçi të Shtabit të Përgjithshëm (prill 2007), mbullje të procedimeve kundër AKP-së (2008) dhe një konflikt të hidhur rreth postit së Presidentit, tani të zënë nga ish-ministri i Jashtëm, Gül. Zgjedhja e Abdullah Gül në postin e Presidentit i mobilizoi kundërshtarët politikë. Tension i mëtejshëm është shkaktuar nga hetimet dhe gjyqet në vazhdim kundër një rrjeti agjencish sigurimi shtetëror të akuzuara për organizim sulmesh terroriste dhe tentativash grushti shteti.
Rregulla të vjetra, lojtarë të rinj, beteja të reja
Një ironi e thellë e luftës së Erdogan me elitën klasike është se ai ka marrë disa pozicione tradicionale të shtetit të centralizuar turk. Kjo është bërë e dukshme në politikat e tij ndaj Armenisë, minoriteteve, rebelëve kurdë dhe medias. Turqia është një shtet jashtëzakonisht i centralizuar - mësuesi në një fshat të thellë emërohet nga agjenci qeveritare në të njëjtën mënyrë si çmimet e kikirikëve fiksohen nga burokratët në Ankara. Erdogan dhe bashkëpunëtorët politikë të tij e kanë përbuzur për një kohë të gjatë këtë sistem të centralizuar, por tani në krye kanë mësuar që ta çmojnë atë. Presidenti Abdullah Gül emëroi Presidentin e YÖK, një agjenci e fuqishme që mbikqyr universitetet, vendimtarë në modelimin e mendjeve dhe të aftësive të kuadrove të ardhshëm ekonomistë dhe zyrtarë shtetërorë. Në mënyrë të ngjashme, Drejtori i Përgjithshëm i televizionit shtetëror TRT u emërua nga Presidenti në vitin 2007. Në mënyrë akoma më vendimtare, Gül do të emërojë tri gjykatës të rinj në Gjykatën Kushtetuese përpara fundit të këtij viti.
Kushtetuta lejon një sistem të çuditshëm kontrollesh dhe balancash. Shteti ideal kemalist që, ndërsa populli i Turqisë zgjedh qeverinë, Presidenca, ushtria e shenjtë, Gjykata Kushtetuese dhe institucione të tjera qendrore duhet të mbesin në duart e elitave klasike. Burokracia shtetërore, forcat e armatosura dhe gjyqësori, supozoheshin që të ishin opozitë me kabinetin e Kryeministrit. Ky rregullim u trondit fort në vitin 2008, kur Abdullah Gül pretendoi presidencën për partinë mazhorancë në Parlament. Ajo që do të kish qenë një hap krejtësisht normal në një demokraci perëndimore u pa si një goditje ndaj regjimit të vjetër.
Kushtetuta turke u shkruajt nën patronazhin e ushtrisë në vitin 1982 dhe qysh atëhere shumë amendamente e kanë pasur shpirtin fillestar të saj. Megjithëse, Erdogan ka folur ndonjëherë rreth nevojës për ndryshim kushtetues, ai ka arritur pak deri më tani. Filizat e autoritarizmit janë akoma të ngulitur në shumë rregulla dhe përbërjen e institucioneve kryesore drejtuese. Një shembull i qartë është ligji i mbylljes së partive turke, i cili kërcënoi vetë ekzistencën e AKP-së në vitin 2008 dhe u përdor për të ndaluar një parti prokurde në vitin 2009. Këto ndërhyrje sqarojnë mënyrën sesi qeveriset Turqia. Në mënyrë të pazakontë për një vend kaq të ndryshëm, këto ekzistojnë pak pushtete të deleguara rajoneve. AKP-ja miratoi një ligj të qeverisjes lokale në vitin 2004, që u jep njësive vendore turke, të paktën në letër, të njëjtat pushtete si të njësive vendore europiane.
Megjithatë, qytetet dhe distriktet nuk i kanë burimet e të ardhurave që do t'u mundësonin atyre të plotësonin përgjegjësitë e tyre. Autoriteti vendor është dobësuar më tepër nga një ndarje pushteti midis një kryebashkiaku të zgjedhur demokratikisht dhe një guvernatori të emëruar burokratikisht. Rajonet më të varfëra kurde në Lindje, ashtu si dhe rajonet e pasura dhe potencialisht të fuqishme në Perëndim, përfshi bastionin laik të Izmirit të qeverisur nga CHP-ja, nuk gëzojnë privilegjin e pasjes së një qeverie vendore të pavarur apo përfaqësues të fortë në kryeqytet që të lobojnë për interesat e tyre. Nuk ekziston asnjë ndarje pushtetesh në majën e shtetit apo në provinca. Në Ankara, nuk ka asnjë institucion që u mundëson autoriteteve vendore që të kontribuojnë në vendime mbarëkombëtare. Fakti që rajonet dhe qytetet janë të privuara nga pjesëmarrja për shkak se nuk kanë aspak para dhe asnjë influencë është pengesa më e madhe për demokracinë në Turqi.
Disa Kemalistë dhe përfaqësues të elitës qendrore argumentojnë, se AKP-ja po ndjek një axhendë të fshehtë islamike. Dëshmia për pretendime të tilla është e vështirë për t'u gjetur, megjithatë ka indikacione të forta se sistemi i vjetër i qeverisjes gradualisht po e koopton AKP-në. Ardhja e elitës periferike në pushtet është rezultat i një ndryshimi afatgjatë sociologjik i kombinuar me një keqfunksionim serioz të sistemit politik turk. Për pasojë, republika e grushtit të shtetit të vitit 1980 është tmerrësisht e dalëmode dhe është e paaftë të përballet me transformimin e Turqisë. Ajo nuk mund të balancojë interesat e grupeve ekonomike që konkurrojnë për pushtet në qendër. Turqia ka përjetuar katër grushte shteti në 40 vjet, secili për të rivendosur një ekuilibër politik të vështirë, por mbështetja popullore për grusht shteti ka rënë ndjeshëm. Në vend të tij, pengimi permanent dhe mundësisht destabilizimi nëpërmjet konfrontimit të pafund duken më shumë të mundura. Frika e elitave klasike turke dhe adoptimi i politikanëve periferikë për zakone të vjetra, nuk janë shenjë e mirë për demokracinë e Turqisë. Sot, vendi ka nevojë për një reformë kushtetuese të plotë që do të synonte në të njëjtën kohë në demokratizimin dhe decentralizimin e Turqisë. Një ndarje e re pushteti në qendër dhe në bazë është prej kohësh i detyruar. AKP-ja, Parlamenti turk dhe Bashkimi Europian në negociata anëtarësimi me Turqinë do të mëshojnë për këto reforma themelore.
Michael Thumann është Shefi i Zyrës për Lindjen e Mesme i "Die Zeit" në Stamboll.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Google+ Followers