T'ia hedhësh paq me torturën



Enigmat e një rrëmbimi

Në vjeshtën e vitit 2002, Maher Arar, shtetas kanadez në kthim për Kanada nga një vizitë në Tunizi, u kap nga policia amerikane në aeroportin John Fitzgerald Kennedy të New York, ku kishte bërë ndërrimin e avionëve. U mbyll në një qeli për 12 ditë, i izoluar pjesën më të madhe të kohës dhe i pyetur me ashpërsi. Kur në krye të një jave izolimi iu lejua që të telefonojë, ai lajmëroi të ëmën, e cila nga Kanadaja i prokuroi asistencë ligjore në New York.
Avokatja e zgjedhur pati një bisedë të parë me Arar të shtunën e ardhshme. Natën e të nesërmes - të dielën -funksionarët e Shërbimit të Emigracionit mbajtën një seancë të jashtëzakonshme, e cila e filluar në orën 21, u shtyr për 6 orë, e orkestruar nga Washington. Kur Arar kërkoi që të ishte e pranishme avokatja e tij, iu dha përgjigjja se vetë ajo kishte zgjedhur që të mos merrte pjesë në seancë. Në realitet, hetuesit as nuk e kishin lajmëruar dhe qenë kufizuar që t'i linin një mesazh në sekretarinë telefonike të zyrës ligjore të saj natën e së dielës. Avokatja e dëgjoi mesazhin të hënën në mëngjes dhe menjëherë i telefonoi Shërbimit të Emigracionit. Ju dha përgjigjja (duke gënjyer) se Arar po transferohej në New Jersey dhe se mund të vihej në kontakt me të të nesërmen. Në realitet, po mbrëmjen e së hënës agjentët federalë e hipën në një avion të marrë me qira që e çoi në Jordani dhe, prej andej, në Siri.
Në Siri, Arar iu dorëzua funksionarëve të CIA-s, të cilët e mbyllën në një birucë të vogël 1 metër me 2, pakashumë si një arkivol. Agjentët e policisë siriane e torturuan - veç të tjerash me një tel korrenti - dhe i bënë të njëjtat pyetje që i qenë bërë nga agjentët e FBI-së në aeroportin JF Kennedy të New York. Ishte terrorist? Ishte në lidhje me al Qaeda? Njihte persona të tjerë të konsideruar militantë të al Qaeda?
Është "gjerësisht e njohur" se shërbimet e sigurisë siriane zakonisht e përdorin torturën, siç referohet periodikisht nga Departamenti amerikan i Shtetit në "Raportin vjetor të të drejtave të njeriut".
Pas një viti burg, sirianët e liruan Arar, duke sqaruar se "nuk kishte bërë asgjë të keqe". Arar u kthye në Kanada, kësaj radhe pa ndërruar avion në New York. Kanadaja inicioi një hetim të gjerë të pavarur, i cili arriti në konkluzionin që Arar ishte krejtësisht i pafajshëm dhe se disa funksionarë kanadezë kishin gabuar në dhënien amerikanëve të informacioneve të gabuara lidhur me të, ndërsa ndodhej në gjendje arresti në Shtetet e Bashkuara. Në thelb, kanadezët gabimisht u kishin thënë hetuesve amerikanë se Arar ishte objekt i një hetimi kundër terrorizmit. Praktikisht, ai ishte identifikuar si individ "për t'u dëgjuar" për të sqaruar nëse ishte në posedim informacionesh lidhur me hetimin e sipërpërmendur, por nuk dyshohej për ndonjë aktivitet terrorist.
Parlamenti kanadez i shfaqi Arar keqardhje formale dhe Kanadaja i dhuroi një dëmshpërblim të barabartë me 10.5 milionë dollarë kanadezë.
Nga ana tjetër, kanadezët qenë të paditur për faktin se Shtetet e Bashkuara kishin ndërmend ta transferonin Arar në Siri dhe kështu që nuk qenë bashkëpërgjegjës të një vendimi të tillë. Qenë Shtetet e Bashkuara dhe jo Kanadaja ato që burgosën Arar pa i kontestuar asnjë aktakuzë, që penguan eksesin e tij në gjykatat e drejtësisë, që e transferuan në mënyrë klandestine në Siri dhe që u dhanë sirianëve një dosje në të cilën sugjeroheshin pyetjet për t'u bërë ndërsa e torturonin.
Arar bëri një denoncim pranë një gjykate amerikane kundër funksionarëve federalë që kishte marrë pjesë në keqtrajtimet e tij, duke akuzuar veç të tjerëve: Avokatin e Shtetit, John Ashcroft; zëvendësin e tij, Gjeneralin Larry Thompson dhe Drejtorin e FBI-së, Robert Mueller. Me cilësinë e eksponentit vullnetar të Qendrës për të Drejtat Kushtetuese, kush shkruan është një prej avokatëve të Maher Arar.
Rivendikimet e Arar qenë të thjeshta: fakti i dërgimit me forcë në Siri për t'u torturuar atje shkel nenin e Kushtetutës që flet për procedurë të barabartë, klauzolë kjo që Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ka interpretuar si ndalim të çfarëdo qëndrimi që "traumatizon vetëdijen" dhe shkel gjithashtu ligjin që mbron viktimat e torturës (Torture Victim Protection Act). Në bazë të këtij ligji, viktimat mund të ndjekin rrugët ligjore kundër njerëzve që i kanë nënshtruar ndaj torturave "under color of foreign law", domethënë duke i deportuar në një vend ku praktikohet tortura. Gjykatat amerikane prej shumë kohësh theksojnë se tortura përbën rastin shembullor të një qëndrimi që traumatizon ndërgjegjjen dhe dhunon procedurën e drejtë penale.
Në padijen e tij, Maher Arar deklaronte se funksionarët e inkriminuar e kishin transferuar në Siri me qëllim që ta nënshtronin ndaj torturave në bazë të ligjit sirian. Deklarime të tilla janë demonstruar ad abundantiam jo vetëm nga hetimi kanadez, por edhe nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Homeland Security të Shteteve të Bashkuara. Në 25 vjet aktivitete policie shkencore nuk kam mbështetur kurrë një çështje në të cilën shkeljet e kontestuara të qenë më të qarta dhe më të dukshme.
Megjithatë, deri më tani, gjykatat amerikane ia kanë mbyllur derën në fytyrë Arar, pa i lejuar deri që të paraqesë provat në mbështetje të asaj që deklarohet prej tij. Në çështjen e fundit të humbur, një komision prej 11 gjykatësish të Gjykatës së Apelit të aneksuar Qarkut të Dytë të Drejtësisë ka marrë vendimin më 2 nëntor të vitit 2009 se "faktorë specialë që këshillojnë maturi" ia kanë prerë rrugën rivendikimit kryesor të Arar, sipas të cilit të drejtat kushtetuese të tij janë shkelur atëhere kur u dërgua në Siri për t'u torturuar. Gjykata Supreme ka sanksionuar se çështjet për dëme në përgjithësi mund të nisen kundër shkeljeve të sipërpërmendura të të drejtave kushtetuese, por ka ndaluar që të mbahen çështje të tilla atje ku Kongresi ka parashikuar një zgjidhje alternative, ose atëhere kur "disiplina ushtarake" të rezultonte e dëmtuar, duke u mundësuar ushtarëve dhe vartësve që të nxirrnin përpara gjykatës eprorët e tyre.
Qeveria "Bush" theksoi se kërkesa për dëmshpërblim nga ana e Arar duhej refuzuar në mënyrë të ngjashme për sa vinte në lojë çështje shumë të ndjeshme lidhur me sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe korrespondencën e mbuluar nga sekreti diplomatik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverive të huaja. Gjykata e Apelit e Qarkut të Dytë e dha miratimin e saj me shumicë dërrmuese, duke parë dhe duke konsideruar se çdo gjykim do të mund të sillte divulgimin e informacioneve të mbuluara nga sekreti shtetëror dhe nuk do të ishte e mundur të procedohej "pa hetuar mbi domosdoshmërinë e perceptuar për t'i bërë rekurs rregullit politik të ashtuquajturit extraordinary rendition, dorëzim apo deportim i jashtëzakonshëm, pse jo dhe për të hetuar mbi kërcënime të cilave u përgjigjet, mbi thelbin dhe mbi burimet e informacioneve të përdorura për të formuluar rregulla të tilla dhe mbi mundësinë për të adoptuar masa specifike të pritura që të përballojnë kërcënime të veçanta, në dritën e rrethanave evidente gjeopolitike dhe duke mbajtur gjithashtu parasysh marrëdhëniet tona me vendet e huaja".
Dy gjëra të bëjnë të mendosh lidhur me këtë vendim të Gjykatës së Apelit. Para së gjithash, arsyetimi i ngjallur duket që presupozon se të darkosh dikë që të torturohet mund të lejohet sipas "rrethanave gjeopolitike" apo të "kërcënimeve të cilave ajo [tortura] u përgjigjet". Megjithatë, në bazë të ligjeve të Shteteve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare, tortura nuk është kurrë e lejueshme dhe, për pasojë, një eventualitet i ngjashëm as nuk duhet marrë në konsideratë. Në radhë të dytë, që të mund ta mbyllë çështjen Arar në mënyrë kaq të ngutshme, gjykata e mësipërme do të duhej të shprehej se, edhe duke i marrë për të vërteta pohimet sipas të cilëve funksionarët federalë kishin dërguar një të pafajshëm për ta torturuar, Arar nuk do të duhej të kishte të drejtën për asnjë dëmshpërblim.
Gjykata e Apelit arsyetoi dhe vendosi, praktikisht pa shqyrtuar asnjë provë sekrete, se çështja Arar ishte tepër delikate sa të mund të gjykohej. Në fakt, do të kishte kërkuar një hetim nga ana e gjykatës së mësipërme të politikës lidhur me sigurinë kombëtare, pse jo dhe të së ashtuquajturës diplomaci konfidenciale. Në fakt, gjykata i sugjeroi Arar që t'i kërkonte një dëmshpërblim Kongresit amerikan, pavarësisht se është me shtetësi të huaj (kanadeze) dhe nuk ka të drejtë vote në Shtetet e Bashkuara, pa llogaritur se i është ndaluar zyrtarisht që të shkelë në Shtetet e Bashkuara për çfarëdo motivi.
Katër gjykatës të Gjykatës së Apelit kanë votuar kundër vendimit. Njëri prej tyre, Guido Calabresi, ish-Dekan i Fakultetit të Jurisprudencës së Yale, ka deklaruar: "Kur do të shkruhet historia e kësaj gjykate, vendimi i sotëm i marrë me shumicë do të konsiderohet i habitshëm". Një tjetër anëtare e kësaj gjykate, Rosemary Pooler, i ka quajtur "hiperbolike dhe hipotetike" frikërat lidhur me sigurinë kombëtare, duke theksuar se Arar duhet të marrë një dëmshpërblim "me qëllim që të forcojë sistemin tonë të peshave e të kundrapeshave, pse jo dhe për të dhënë një pengues që dekurajon nga rekursi ndaj çdo sjelljeje që traumatizon vetëdijen".
Gjykatësi Barrington Parker, i emëruar në Qarkun e Dytë nga Presidenti George W. Bush, ka shkruar: "Nëqoftëse Kushtetuta ka aluduar ndonjëherë për një 'dëmshpërblim për dëmet e pësuara' ky është një rast ad hoc, në të cilin funksionarët ekzekutivë do t'ia bllokonin aksesin nëpërmjet rrugëdaljesh ligjore me qëllim që t'i dorëzonin një njeri torturuesve të njohur". Sikur Arar të kish qenë në gjendje t'i apelonte një gjykate për ta kontestuar transferimin e tij në Siri përpara se funksionarët federalë ta hipnin në një avion, një gjykatës patjetër që do të mund ta ushtronte autoritetin e nevojshëm për të ndaluar një transferim të tillë. Në fakt është rregull i zakonshëm pranë gjykatave amerikane ndalimi i ekstradimit të një të huaji në rastin kur ky ka rrezikun e rëndë që të pësojë tortura në vendin në të cilin dërgohet.
Fakti që të akuzuarit e kanë gënjyer avokaten e Arar, përveçse t'i pengonin që të përdorte rrugët ligjore dhe të shmangte kështu që klienti i saj të torturohej në Siri, patjetër që ka forcuar, sipas Parker, të drejtën e Arar për një dëmshpërblim nga ana e Shteteve të Bashkuara. Në rast të kundërt, gjykatat në thelb nuk do të bënin gjë tjetër veçse të vlerësonin pengimin e kursit të drejtësisë.
Gjykatësi Robert Sack ka bërë me dije se sikur Arar të ishte torturuar nga funksionarë federalë në aeroportin JFK të New York, ai padyshim që do të kishte pasur të drejtën për të bërë denoncim dhe se zgjedhja nga ana e të akuzuarve për t'ua deleguar të tretëve torturat nuk duhet t'i çlirojë nga fajësia: "Nuk besoj se të akuzuarit, të cilët kanë shkelur të drejtat e Arar të sanksionuar nga Amendamenti i V-të (i Kushtetutës amerikane), mund të pretendojnë që faji i tyre t'u transferohet atyre që vetë ata i kanë zgjedhur si ekzekutues materialë të torturave: qofshin ata funksionarë të shërbimeve sekrete siriane, zotërinj të luftës somalezë, narkotrafikantë bolivianë, kontraktorë irakenë, mafiozë siçilianë apo banditë nga Los Angeles".
Por ajo që asnjë gjykatës nuk ka bërë të ditur është se ajo që e ka shpallur këtë vendim kontradiktor ka qenë e njëjta Gjykatë Apeli, e cila në të kaluarën ka gjykuar procese të ndryshme për tortura apo për shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut në ngarkim të funksionarëve qeveritarë të vendeve të huaja - edhe atëhere kur krimet qenë kryer jashtë Shteteve të Bashkuara dhe të akuzuarit qenë krejtësisht të huaj.
Mund të mendohet se procese të mësipërm, në të cilët ne kemi gjykuar krimet dhe gabimet e supozuara të vendeve të tjera, duhet të jenë më shumë se kurrë "delikatë" në planin diplomatik. Megjithatë, një muaj pas përfundimit të çështjes Arar, e njëjta gjykatë mori një vendim që dënonte me pagimin e 19 milionë dollarëve dëmshpërblim Emmanuel "Toto" Constant, kreun e një skuadre vdekjeje haitiane, për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e tentuar të një bashkëkombaseje të vet. Në dritën e një precedenti të tillë, sikur Arar të kish qenë në gjendje të padiste sirianët që e torturuan, gjykatat federale amerikane do të kishin qenë të gatshme dhe të afta që të merrnin shkak nga padia e tij. (Efektivisht nuk mund t'i denonconte pasi askush prej atyre sirianëve nuk gjendej në Shtetet e Bashkuara, parakusht ky me qëllim që gjykata të mund të ushtronte juridiksionin e saj). Por duke qenë se ai kërkoi që të inkriminojë funksionarë amerikanë, akuzat e tij qenë tepër "delikate" sa për t'u marrë në konsideratë. Kështu, me sa duket të drejtat e njeriut janë një gjë që Gjykata e Apelit e Qarkut të Dytë amerikane ka qenë e gatshme që ta ushtrojë dhe imponojë të tjerëve, por jo ndaj vetë neve.
Të njëjtën javë në të cilën gjykata e mësipërme njujorkeze refuzonte apelin e Arar, një gjykatë e Milanos ka dënuar 22 agjentë amerikanë të CIA-s, një nënkolonel të aeronautikës ushtarake amerikane dhe dy agjentë të shërbimeve sekrete italiane për extraordinary rendition e Imamit mysliman Abu Omar. Ky i fundit u rrëmbye në rrugë në Milano në vitin 2003 dhe iu dorëzua shërbimeve të sigurimit egjiptian, të cilët e mbajtën në burg - pa i kontestuar asnjë aktakuzë - dhe e torturuan për ta ridërguar më pas në Itali pa inkriminime.
Kjo çështje kishte në valle të njëjtin lloj informacionesh të sekretuara, komunikimesh diplomatike të rezervuara dhe sjelljeje nga ana e funksionarëve amerikanë për të mos marrë parasysh në çështjen Arar. Por në Itali prokurorët nuk kanë pranuar që të mohojnë apriori çdo përgjegjësi, por e kanë marrë në shqyrtim secilën çështje dora-dorës që ngrihej. Disa lëvizje në ngarkim të akuzuarve janë refuzuar - pasi që bazoheshin mbi informacione të mbuluara nga sekreti shtetëror - por procesi ka ecur përpara kundër pjesës më të madhe të të akuzuarve. Siç e ka treguar gjykata italiane, pengesat e lidhur me sekretin shtetëror dhe komunikacionet konfidenciale diplomatike mund të pranohen dhe të pajtohen gjatë zhvillimit të çështjes dhe nuk përbëjnë patjetër një prag domosdoshmërisht të pakalueshëm që përjashtojnë ipso facto ngarkimin e përgjegjësive penale.
Më shumë se 60 vjet më parë, në një seri procesesh të mbajtura në Nuremberg të Gjermanisë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre "bënë histori" duke theksuar se funksionarëve të lartë nazistë mund t'iu vihej përgjegjësia për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshi rrëmbime, tortura dhe gjenocid. Vendimet e marra në Nuremberg nga ana e tyre luajtën një rol vendimtar në shpalljen e të drejtave njerëzore ndërkombëtare. Mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, shumë vende, duke punuar krah për krah Shteteve të Bashkuara, krijuan një kod të drejtash dhe përgjegjësish që synonte afirmimin e padhunueshmërisë të dinjitetit njerëzor dhe për të vepruar në mënyrë të tillë që mizori të tilla të mos kryheshin më.
Trashëgimia e kësaj periudhe historike përfshin një seri "magnae chartae" që përkufizojnë sferën dhe entitetin e të drejtave të njeriut, të tilla si: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventat e Gjenevës dhe Traktati Ndërkombëtar i Ndalimit të Torturës. Gjë me rëndësi të njëjtë, në mos më të madhe, vetë kjo trashëgimi përfshin krijimin e "forumeve" të ngarkuar për të dënuar shkelësit e të drejtave të njeriut. Forume të tilla përfshijnë gjykatat ndërkombëtare për krimet e luftës (si European Court of Human Rights) Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe gjykata kombëtare që morën vendime ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut. Nurembergu u mor shumë me nevojën e një forumi që të jepte si përkufizimin e saktë të përgjegjësisë penale, aq edhe kodifikimin e normave relative. Në mungesë të një legjislacioni efikas ndërkombëtar, të drejtat e njeriut janë thjesht fjalë në letër.
Një prej forumeve të sipërmërmendur - gjykata kombëtare - mund të jetë më i rëndësishmi. Duke e konfrontuar çështjen e të drejtave të njeriut në kontekstin kombëtar, gjykata të tilla u japin atyre atë konkretësi dhe drejtësi të domosdoshme për efikasitetin e tyre. Edhe në këtë Shtetet e Bashkuara kanë pasur një rol lideri. Në vitin 1980, e njëjta gjykatë që ka refuzuar çështjen Arar kishte vendosur (dhe qe një vendim që bëri epokë) në përfundim të një procesi të arkivuar si Filartiga kundër Pena-Irala, se gjykatat federale mund të marrin vendime të promovuara nga shtetas të huaj kundër shtetasve të huaj të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut të kryera jashtë vendit. Procesi Filartiga i përkiste një të riu që kishte qenë rrëmbyer, torturuar e vrarë nga një oficer i policisë paraguajane. Kur familja e viktimës mori vesh se ky polic ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara, ajo e denoncoi në një gjykatë amerikane. Gjykata e Apelit e Qarkut të Dytë vendosi se torturuesi është "armik i të gjithë gjinisë njerëzore" dhe, për pasojë, mund të përndiqet për krimin e tij kudo që të ndodhet.
Ngurrimi i zakonshëm për të pranuar që një gjykatë mund të gjykojë një krim të kryer jashtë vendit që nuk përfshin ndonjë shtetas amerikan u hoq prej faktit se ndalimi i torturës është universal. Në vijim të vendimit të Filartiga, gjykatat amerikane kanë iniciuar procese për shkelje të të drejtave të njeriut të kryera në Birmani, në Afrikë të Jugut, në Jugosllavi, Nigeri, Marok, Filipine, Argjentinë dhe në shumë vende të tjera. Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e miratoi këtë rregull në vitin 2004 dhe megjithatë, sipas Gjykatës së Apelit të Qarkut të Dytë, çështjet e kësaj natyre janë "tepër delikate" për të lejuar që të procedohet në gjykim kur akuzat janë ngritur kundër funksionarëve amerikanë.
Në shtojcë të një forumi që i sanksionon dhe që i imponon në normë ligji, të drejtat e njeriut kërkojnë një zbatim të barabartë. Qëllimi i tyre është të identifikojnë ato norma aq themelore për dinjitetin njerëzor që asnjë qeveri nuk mund t'i shkelë. Në të vërtetë, trashëgimia e Nurembergut ka qenë në njëfarë mënyre e errësuar nga fakti që Bashkimi Sovjetik - vetë ai fajtor për krime të tmerrshme kundër gjinisë njerëzore - mori pjesë në atë proces me cilësinë e akuzës, pa u inkriminuar asnjëherë vetë për krimet e tij. Nëqoftëse dëshirohet që të drejtat e njeriut të konsiderohen legjitime, ato duhet të jenë universale dhe jo vetëm një eufemizëm për "drejtësinë e fituesit". Koncepti standard i "torturës" nuk mund të ndryshojë sipas çështjeve, domethënë atëhere kur tortura kryhet nga Shtetet e Bashkuara më shumë sesa nga Paraguaji, nga Rusia apo nga Haiti. Gjykata e Milanos ka dënuar si italianë, ashtu dhe amerikanë, në mënyrë të barabartë. Nëse, duhet të jetë më e lehtë - jo më e zorshme - të merren në konsideratë eventualisht përgjegjës ai shumë prej funksionarëve të qeverisë tënde, ashtu dhe eksponentë të qeverive të huaja.
Koncepti në bazë të të cilit gjykatat kombëtare mund të inkriminojnë torturues të vendeve të tjera nuk është një anomali amerikane, siç e demonstron rasti i Abu Omar në Itali. E drejta ndërkombëtare e njeh parimin e "juridiksionit universal", sipas të cilit torturuesit mund të procesohen kudo. Duke zbatuar këtë parim, një gjykatës spanjoll në vitin 1998 dërgoi një urdhër arresti për ish-diktatorin kilian Augusto Pinochet për "krime kundër njerëzimit", përfshi edhe torturën. Law Lords - gjykata më e lartë britanike - përcaktuan se ky mandat mund të ishte me qëllim që të ekstradohej Pinochet nga Anglia në Kili për t'u procesuar atje. (Në fund Pinochet u transferua në Kili për arsye shëndetësore, por më pas u inkriminua).
I njëjti gjykatës spanjoll, Baltasar Garzón, aktualisht po heton nëse është rasti për të inkriminuar konsulentët ligjorë të qeverisë Bush - John Yoo, Alberto Gonzales, David Addington, Jay Bybee, William Haynes e Douglas Feith - pse kanë autorizuar torturat në Guantánamo. Torturat e urdhëruara prej tyre iu bënë edhe shtetasve të ndryshëm spanjollë, duke shkaktuar akuza terrorizmi kundër tyre në Spanjë. Nga akuza të tilla, të kontestuara nga Garzón, më pas janë çliruar.
Në bazë të parimit të juridiksionit universal, pranohet se atëhere kur një vend ndjek në mënyrë të përgjegjshme inkriminimin për krime të atribueshme autoriteteve të veta, një gjykatë e huaj duhet t'ia transferojë çështjen prokurorisë së këtij vendi.
Në diskutimin e mbajtur më 21 maj 2009 në National Archives, Presidenti Obama ka nënvizuar se Departamenti i Drejtësisë dhe gjykatat "mund të procesojnë dhe të dënojnë çdo shkelje të ligjeve tona dhe çfarëdo gabimi gjyqësor".
Raste si ky i Maher Arar vënë në provë të vështirë besimin tek drejtësia, gjë që ndodh edhe atëherë kur Departamenti i Drejtësisë nuk është as në gjendje të hetojë mbi konsulentët ligjorë që autorizuan CIA-n dhe ushtarakët që të praktikojnë torturën si mjet që t'i bëjnë njerëzit e dyshuar të flasin. Nëqoftëse nuk jemi të gatshëm që t'i marrim këto përgjegjësi, vende të tjera - duke iu apeluar pikërisht atyre parimeve për hartimin e të cilëve Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar në mënyrë të ndjeshme - mund të bëjnë padi.
David Cole jep Jurisprudencë në Georgetown University të Shteteve të Bashkuara. Veç të tjerash, është autor i librave Enemy Aliens: Double Standards and Constitutional Freedoms in the War on Terrorism (New Press, 2003); dhe Less Safe, Less Free: Why America Is Losing the War on Terror (me Jules Lobel, New Press, 2007).
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers