Të gjithë jemi futuristë


Çfarë kanë të përbashkët Topolino, Teks Uiller dhe lëvizja futuriste? Në dukje, asgjë. E megjithatë, një fije e kuqe shumë e hollë i lidhë të gjithë bashkë në gjuhët e tyre. Ja për shembull: zang tumb tumb tuuuuuuuumb tuuuuuum tuum. Ishin futuristët të parët që nuhatën dhe zhvilluan potencialet e pashprehur të gjuhës, ata që qëndrojnë në themel të publicitetit dhe komunikimit masiv sot. I eksperimentuan në opera dhe vepra për kohët revolucionare si Bombardimi i Adrianopojës, një tekst përparimtar i shkruajtur nga poeti Filipo Tomazo Marineti, në të cilin shkrimtari përdorte edhe fraza si kjo: "5 sekonda, topat sulmuan dhe shshshkatërrrruaan ZZZANG TUMB TUM". Ideja në këtë rast ishte transformimi i goditjeve të mitralozit në fjalë-tinguj: tararatatata. Ndërsa shuplakat dhe grushtat në pic-pac-pum-tumb, tamam si në filmat vizatimorë.
Idetë provokuese të futuristëve janë tashmë 100-vjeçare: në fakt, manifesti i parë i lëvizjes u botua në Paris në 20 shkurt të vitit 1909, ndërsa vizionet e tyre janë shndërruar në realitetin tonë. Jo vetëm në filma vizatimorë.
Për t'u ribërë
"Shumë elementë arkitektonikë të kohës sonë janë menduar, projektuar apo thjeshtë imagjinuar nga futuristët", shpjegon Elio Gracioli, kritik arti dhe docent i Historisë së artit bashkëkohor në Universitetin e Bergamos. "Mendoni pak për teleferikët apo për tapis roulant të aeroporteve dhe metrove: projekte vizionarë që niseshin nga dëshira për të transformuar qytetet në vende më modernë, në një hap me evolucionin e teknikës dhe të shoqërisë industriale. Qendra urbane në të cilat fluksi nga një hapësirë në tjetrën mundej jo vetëm të lehtësohej, por edhe rritej".
Ndryshimi i gjithçkaje, duke filluar nga qytetet: ishte ky objektivi i futuristëve. Motoja e tyre ishte shpejtësia, dinamizmi dhe aktivizmi në çdo sektor të shoqërisë: nga arti në arkitekturë, nga politika në muzikë, deri tek jeta e përditshme, duke përfshirë modën dhe kuzhinën. Për futuristët "stresi i jetës moderne" nuk ishte një problem, por një objektiv që duhej arritur.
Ndryshime të mëdha
Sfondi i gjithë kësaj ishte një vend në rritje frenetike, që nga viti 1860 deri në 1900 kishte kaluar nga 22 milionë në 33 milionë banorë dhe që në periudhën nga viti 1901 deri në 1914 ishte përfshirë nga industrializimi dhe përhapja e risive absolute si radio, energjia elektrike si dhe tramvajët e parë.
"Futuristët ishin të vetëdijshëm se jetonin në një periudhë transformimesh të thellë", vazhdon Gracioli. "Dhe i interceptonin dhe ripërpunonin në mënyrë konstruktive dhe pohuese. Ishin, për shembull, ndër të parët që nxitën një përdorim modern dhe inteligjent të reklamës. Nuk është rastësi që zgjodhën të botojnë manifestin e tyre programatik tek 'New York Times' i asaj kohe: Le Figaro, e përditshmja e Parisit që ishte atëherë kryeqyteti botëror i artit". Edhe ideja për të "dhënë skandalin" si mënyrë për të fituar dukshmëri mediatike ishte një nuhatje e tyre.
Arti i skandalit
Shfaqjet e tyre shndërroheshin shpesh në grindje të mëdha, kryesisht të organizuara. Dhe përfundonin me ardhjen e forcave të rendit. Me një kundërgoditje (pozitive) të pashmangshme mediatike, sepse faqet e kronikës të të përditshmeve e merrnin lajmin dhe ua transmetonin lexuesve, duke i dhënë edhe më shumë peshë aktivitetit.
"Natë e madhe futuriste", shkruhej në faqen e parë të revistës "Lacerba" në 12 dhjetor 1913, "me një mbyllje hesapesh sintetike (fizike dhe spirituale) në fund të mbrëmjes". "Kurajë, arrogancë, besim, ide të reja, fyerje të domosdoshme", janë armët e përdorura nga futuristët. "Patate, karrota, sardele dhe vezë", ato të përdorura nga publiku. Dhe më pas sherri. "Një i plagosur (Marineti) mes futuristëve" me "shumë të plagosur në plate (nga shokët e tyre). Është një takim i ndezur shumë: "Rezultatet: irritim i publikut që donte të dëgjonte. Rritje e simpatisë për futurizmin. Konvertime të shpejtë në futurizëm".
"Ata që merren me publicitetin sot e dinë mirë se një prej rregullave për të patur sukses në treg është që të bësh të qarkullojë marka e produktit që ke në dorë dhe që të arrish që njerëzit të flasin për të. Futuristët e zbuluan të parët këtë gjë. Çdo performancë teatrale dhe artistike e tyre ishte e mbushur me episode ekscentrikë, për të cilët të përditshmet kishin dëshirë të madhe të spekulonin", shpjegon më tej Gracioli. "Me një risk të pashmangshëm: shumë shpesh gazetarët përqendroheshin më shumë tek aspektet e çuditshëm se sa tek ata artistikë. Dhe një ekspozitë e pikturave futuriste përfundonte që të kujtohej më shumë për shkak se Marineti kish veshur çorape të grisura, se sa për veprat që ekspozoheshin".
Grafikë të lindur
Ndërsa pikërisht pikturat e Xhakomo Balas, Umberto Boçionit, Fortunato Deperos dhe Xhino Severinit i kanë kapërcyer kufijtë e historisë së artit, duke çuar deri në influencimin e shijes e duke sjellë ndryshimin e përhershëm të saj. "Futuristët i jepnin shumë rëndësi gërmave tipografike: në manifestet publicitarë, ku deri atëherë shkrimet ishin poshtë pamjeve, ishte i madh kontributi i tyre në ndryshimin e këtij rregulli", thotë Gracioli. "Risia pati shumë sukses saqë hyri në përdorimin e atyre që merren me reklamat duke mbërritur deri tek ne: kopertina e filmit "Ocean's Twelve" e Steven Soderbergh, për shembull, ka një frymëzim të qartë futurist. E demonstrojnë përpjestimet grafikë mes shkrimit dhe imazhit. Si dhe përdorimi i ngjyrave si e kuqja dhe e zeza, tipike e stilit të futuristëve rusë".
Edhe shumë yje të muzikës rrok janë paraprirë prej futuristëve. Njëri mbi të gjithë, Xhimi Hendriks, i cili ndoshta as nuk e ka ditur se kush ka qenë piktori dhe kompozitori venecian Luixhi Rusolo. E megjithatë, kur që nga skena e Udstokut përdori tingullin e çjerrë të kitarës së tij elektrike për të riprodhuar zhurmën e tmerrshme të bombardimeve ajrore në Vietnam, duke ndjekur versionin e tij të himnit kombëtar amerikan bëri diçka shumë të ngjashme me "intonimezhurmat" e Rusolos, të ideuara më shumë se pesëdhjetë vite më parë.
"Intonazhurmuesit ishin instrumente muzikore shumë inovativë", shpjegon Gracioli. "Secili ishte i formuar nga një paralelpiped i lëkurtë me një altoparlant të vendosur në pjesën e përparme. Në brendësi kishte shtresa metali, ingranazhe dhe korda metalike që vibroheshin prej tingullëshuesit, i cili në këtë mënyrë mund të prodhonte tinguj të klasifikuar".
Në kuzhinë dhe në modë
Ka nga ata që i konsiderojnë si paraprirësit e "nouvelle cuisine" për shkak të vëmendjes që i kushtonin prezantimit artistik të piatancave si dhe për kurajën eksperimentale me të cilën guxonin të shijonin ushqimin. Ndërsa në modë u çimentuan me shpikje dhe gjetje që revolucionarizuan shijen borgjeze të atyre kohëve.
Për shembull, ishte njëri prej tyre që ideoi tutën e punës (tuta blu e ardhshme) me xhepa dhe me rripa në vitin 1919: piktori, skulptori dhe stilisti Thayaht (pseudonim i fiorentinit Ernesto Michaelles), i cili aderoi në futurizëm në vitin 1918, pasi kishte njohur Marinetin. Prototipi i tutës e ka ndoshta origjinën që në kohë më të hershme, në vitet 700, por Thayaht e thjeshtëzoi përdorimin e saj.
Shumëngjyrësh
"Zgjedhja për të përdorur ngjyra agresive, tipike e futuristëve, ka patur pasoja në të gjithë modën në vitet e mëvonshëm", thotë Gracioli. "Edhe prerjet që deformojnë gjeometrikisht trupin në koleksionet e disa stilistëve janë ide futuriste". Xhakomo Bala projektoi një "veshje futuriste" dhe në vitin 1914 firmosi një manifest me titullin "Veshja antineutrale", në të cilin deklaronte se veshjet futuriste do të duhej të ishin agresive, dinamike, të thjeshta dhe komode, higjienike, të gëzueshme, shndëritëse, asimetrikë, me kohëzgjatje të shkurtër dhe të ndryshueshme. Më pas projektoi veshje, jelekë e kravata për burra dhe pulovra, çanta dhe këpucë grash. Në fund, shpiku "modifikuesit": copa stofi shumëngjyrëshe dhe kopsa speciale që mund të vendoseshin në çdo pjesë të veshjes, për të rinovuar në mënyrë të vazhdueshme veshjet.
Në poezi dhe në pikturë
Edhe Rusia pati lëvizjen e saj futuriste, bashkëkohore me atë italiane. Lindi në vitin 1910, nën shtytjen e grupit të Budetljaniny (Njerëzit e të ardhmes) dhe u afirmua me emrin e kubofuturizmit. Eksponenti më i njohur ishte poeti dhe dramaturgu Vladimir Majakovski. "Këngëtar i revolucionit", Majakovski pati një sjellje ambivalente dhe kritike kundrejt regjimit sovjetik që po lindte: aq sa në vitin 1930 përfundoi në vetëvrasje. Edhe pse Marineti u bëri një vizitë "kushërinjve" rusë në vitin 1914, të dyja lëvizjet patën një evolucion të pavarur. Dhe kjo, pavarësisht disa ngjashmërive të dukshme: për shembull, edhe futuristët rusë i recitonin vargjet e tyre nëpër rrugë me veshje ekstravagante (Majakovski mbante një veshje me vija të verdha dhe të zeza) dhe me fytyrën e lyer. Dallimi parësor ishte refuzimi, nga ana e rusëve (shumë prej të cilëve simpatizantë të komunistëve) i individualizmit dhe nacionalizmit, që për kolegët italianë solli aderimin në fashizëm.

Google+ Followers