Të fundit që dorëzohen



Fundi i një lufte zakonisht sanksionohet nga një armëpushim mes palëve, e cila përcakton mbi të gjitha një datë dhe një orë për pushimin e luftimeve. Por nëse në epokat më të largëta nuk ndodhte rrallë që reparte të tërë vazhdonin të luftonin edhe pas fundit zyrtar të luftimeve për shkak të mungesës së komunikimit, është vërtetë e habitshme të zbulosh se raste të ngjashëm janë verifikuar edhe pas futjes së një mjeti të fuqishëm informacioni siç është telegrafi. Kështu, nëse në librat e shkollës është shkruajtur që lufta civile në Amerikë përfundoi në 9 prill të vitit 1865, që Lufta e Parë Botërore përfundoi "në orën njëmbëdhjetë të ditës së njëmbëdhjetë të muajit të njëmbëdhjetë të vitit 1918" (siç thuhej në tekstin e marrëveshjes së armëpushimit) dhe që konflikti i dytë botëror përfundoi në Europë në 8 maj të vitit 1945 e në Lindjen e Largët në 2 shtator të po atij viti, nuk është e vërtetë që të gjithë të humburit u dorëzuan në ato data.
Motivime të ndryshme
Disa reparte, ata më të largëtit apo që nuk ishte e lehtë të arriheshin, nuk merrnin në kohë lajmin apo nuk ishin të përmendur nëpër marrëveshjet; të tjerë nuk pranonin termat e marrëveshjeve dhe jepeshin pas luftës guerilase; të tjerë thjeshtë nuk besonin dhe nuk pranonin të dorëzoheshin, duke vazhduar luftimet për muaj të tërë e ndonjëherë edhe për vite të tërë. Këto janë disa prej historive të tyre.
Lufta civile në Amerikë
Piktura në këtë faqe të gazetës tregon dorëzimin e gjeneralit Jugor Lee para gjeneralit verior Grant, e firmosur në 9 prill të vitit 1865 në Appomattox, në Virginia. Ky akt, i cili sanksionoi në mënyrë zyrtare fundin e luftës së gjatë dhe shumë të përgjakshme civile në Amerikë, në atë kohë nuk ishte megjithatë i mjaftueshëm për të bërë të pushojnë luftimet në të gjithë frontet. Lee firmosi në fakt vetëm dorëzimin e Armatës së Virginias Jugore, komandant gjenial dhe shumë i dashur i të cilës ishte që nga viti 1862. Paradoksalisht, pushtimi verior i kryeqytetit të armikut, Richmond, me arratinë dhe shpërbërjen më pas të qeverisë konfederative, kishte bërë të mundur gjetjen e një interlokutori unik për të bashkërenduar kapitullimin e të gjithë armatave jugore, që do të duhej të dorëzoheshin njëra pas tjetrës.
Gjenerali Johnston, komandant i forcave që vepronin në Karolinën e Veriut u dorëzua me trupat e tij në 26 prill. Në Alabama, 12 mijë burrat nën komandën e gjeneralit Taylor i dorëzuan armët në 4 maj. Ndërkohë në perëndim të Mississipit repartet e gjeneralit Kirby Smith vazhduan që të luftojnë, duke marrë një fitore të fundit në 13 maj në Palmito Ranch. Megjithatë pas marrjes së lajmit për rënien e Richmond dhe të dorëzimit të Lee, një muaj më vonë, pjesa më e madhe e ushtarëve u demoralizuan dhe filluan që të braktisin vijën e frontit. Kirby Smith u përpoq më kot që të riorganizonte radhët, deri kur në 26 maj gjenerali Buckner duke vepruar në kokë të tij, firmosi dorëzimin. Megjithatë, jo të gjithë i hodhën armët: 2 mijë ushtarë, disa të paorganizuar e të tjerë nëpër reparte duke patur në krye të padorëzueshmin Kirby Smith, u arratisën në Meksikë. Të fundit që hodhën armët ishin... lëkurëkuqtë. Jugorët kishin krijuar në fakt një brigadë të përbërë ekskluzivisht nga amerikanë lëkurëkuq që vepronin në rajonet e Midwestit (përreth të ashtuquajturit territori indian) nën komandën e gjeneralit Stand Watie, shefi i Cherokee. Ai e vazhdoi luftën edhe për një muaj tjetër, duke u dorëzuar vetëm në 23 qershor.
Nëse me kaq ushtria jugore mund të konsiderohej e shpërbërë, flamuri i konfederatës valëvitej ende në det: anija e luftës Shenandoah vazhdonte të ishte në gjuajtje të anijeve veriore në Detin e Ochotsk në veri të Japonisë, kur një anije britanike i komunikoi lajmin e dorëzimit. Kapiteni Waddell, për të mos rrezikuar akuzat për pirateri e çarmatosi mjetin duke e transformuar në një anije tregtare dhe ndërroi drejtim drejt portit të Liverpulit, duke u dorëzuar tek anglezët. Ishte 6 nëntori i 1865.
Lufta e Parë Botërore
Në orën 11 të 11 nëntorit 1918 ra heshtja në mijëra kilometra transhetë e frontit perëndimor. Pas 1560 ditësh luftime shumë të ashpra armët më në fund heshtën. Lufta në Europë kishte përfunduar, por në frontet më të largëta kishte nga ata që vazhdonin ende të qëllonin...
Toka e Afrikës
Pavarësisht disproporcionit të Forcabe (15-20 mijë vetë kundër 150-200 mijë) largësia nga Gjermania si dhe fakti i të qenurit të rrethuar nga armiq, gjë që sillte si pasojë pamundësinë për t'u furnizuar, trupat gjermane të Afrikës lindore (Tanzania e sotme) të komanduara nga koloneli shumë i aftë Paul Vorbeck, luftonin prej katër vitesh kundër forcave të aleatëve dhe kishin akumuluar sasi të mëdha ushqimi, ilaçesh dhe municionesh për të rezistuar të paktën deri në qershor të vitit 1919. Në 1 nëntor të vitit 1918 kishin pushtuar Rodezinë (Zambia e sotme) dhe në 13 nëntor përballuan me sukses një luftë shumë të ashpër në Kasama. Ishte kjo beteja e fundit e Luftës së Parë Boterore. Pasi mori lajmin e fundit të luftës Vorbeck shkoi bashkë me trupat e tij në qytezën e Abercorn dhe iu dorëzua anglezëve në 25 nëntor.
Më larg akoma, në Guinenë e Re gjermane që ishte pushtuar që nga 17 shtatori i vitit 1914 nga trupat australiane, një tjetër oficer gjermanik vazhdonte që të mbante lart flamurin e një perandorie, e cila tashmë nuk ekzistonte më. Tenenti Herman Detzner ishte dërguar në fillimin e vitit 1914 në pyjet e paeksploruar për të verifikuar korrespondencën në kufijtë mes Guinesë së Re gjermane dhe angleze me aq sa ishte vendosur prej marrëveshjeve. Duke mos patur kontakte radio, Detzner kishte mbetur i painformuar për shpërthimin e luftës. Me rikthimin e tij drejt bregdetit zbuloi se kolonia ishte pushtuar, por ai refuzoi që të dorëzohet duke u tërhequr përsëri në brendësi të pyjeve me një grusht ushtarësh besnikë. Bashkëpunimi i disa misionarëve gjermanë i mundësoi që t'u shpëtonte kërkimit të australianëve, të cilët në fakt, asnjëherë nuk është se u munduan shumë, duke patur parasysh parëndësinë e këtij grushti rebelësh. Nga ana e tij, gjatë 4 viteve të konfliktit, Detzner u kufizua me vetëm disa veprime rastësore në brendësi si dhe duke ngritur flamurin gjerman dhe duke kënduar këngë patriotike, thjesht sa për të vënë theksin në mospushtimin e plotë të kolonisë nga ana e australianëve.
Në 11 nëntor lajmi i armëpushimit mbërriti edhe në Guinenë e Re dhe, pas dhjetë ditësh, Detzner u informua prej misionarëve. Në 9 dhjetor, i veshur me uniformë të rregullt dhe me flamurin e Reichut në dorë u dorëzua edhe oficeri i fundit gjerman.
Lufta e Dytë Botërore
Klauzolat e dorëzimit të pakushtëzuar që firmosën gjermanët parashikonin armëpushimin për në orën 23.01 të 8 majit 1945. Me të marrë lajmin, brenda një jave u dorëzuan edhe ata gjermanë bashkë me pozicionet e tyre, të cilët përparimi i shpejtë i aleatëve në Europë i kishte lënë jashtë. Tre portet francezë të Saint-Nazaire, Lorient dhe La Rochelle për shembull, të cilët kishin një rëndësi strategjike sa i përket luftës me nëndetëse, ishin shndërruar nga gjermanët në fortesa të parrëzueshme, me vepra gjigante mbrojtjeje, trupa shumë mirë të armatosur si dhe sasi të mëdha ushqimesh dhe municionesh. Një problem i cili nuk mund të zgjidhej lehtë për aleatët, të cilët në fund vendosën që të mos investonin sasi të mëdha për të sulmuar pozicione që, pas zbarkimit në Normandi në qershor të vitit 1944 e kishin humbur vlerën e tyre strategjike. Për pothuajse një vit gjermanët mbetën kështu padronë të asaj pjese të vogël të Francës. Deri kur, pasi morën lajmin e dorëzimit, mes 8 dhe 11 majit 1945 edhe ata kapitulluan.
Jersey, Guernsey, Alderney dhe ishujt më të vegjël të arkipelagut në perëndim të gadishullit francez të Contentin në Normandi ishin e vetmja pjesë e Anglisë që gjermanët arritën të pushtojnë në korrik të vitit 1940. Edhe në këtë rast ishujt ishin fortifikuar kundër armikut ashtu sikurse dhe portet francezë. Dhe e njëjtë ishte përgjigjja e komandës së lartë të aleatëve: thjeshtë i injoroi deri në firmosjen e armëpushimit. Jersey dhe Guernsey u çliruan në 9 maj të vitit 1945, Alderney rezistoi edhe një javë tjetër, duke u dorëzuar në 16 maj.
Megjithatë, dhjetë ditë pas armëpushimit kishte një vend ku vazhdohej të luftohej: ishulli i Texel në veri të Holandës. Zbarkimi i aleatëve në Normandi e kishte zvogëluar shumë rëndësinë strategjike të tij dhe në fakt për ta kontrolluar ishin dërguar një batalion "vullnetarësh" gjeorgjianë, të formuar nga ish-të burgosur të ushtrisë sovjetike që ishte integruar nga disa reparte gjermane. Në 5 prill të vitit 1945 gjeorgjianët duke besuar në një mbështetje prej aleatëve u rebeluan. Të ndihmuar nga partizanë holandezë, ata i rezistuan tentativave të gjermanëve për të marrë të gjithë ishullin. Lufta vazhdoi e dhunshme edhe përtej datës së armëpushimit, deri kur në 20 maj trupat kanadeze i dhanë fund marrëzisë. Beteja e fundit që kishin luftuar gjermanët në Luftën e Dytë Botërore kishte përfunduar.
Por... jo të gjithë gjermanët ishin dorëzuar! Në veriun e skajshëm përtej rrethit polar 11 komponentët e operacionit super të fshehtë "Haudegen" ishin ende aktivë. Në shtator të vitit 1944 këta burra ishin përzgjedhur me kujdes, ishin pajisur për një qëndrim të gjatë në të ftohtin polar dhe ishin dërguar në një udhëtim shumë të vështirë në ishullin Spitzbergen të arkipelagut Svalbard, që i përkiste Norvegjisë së pushtuar prej nazistëve. Detyra e tyre kryesore ishte që të transmetonin të koduar informacionet shumë të vyer meteorologjikë në Tromso dhe prej aty në Gjermani. Kushtet atmosferike përreth atyre ishujve ishin në fakt thelbësorë për të parashikuar motin në Atlantikun jugor dhe përgjithësisht në Europën Veriore.
Në 8 maj 1945, 11 burrat morën nga Tromso lajmin për dorëzimin, urdhërin për të shkatërruar dokumentacionin sekret si dhe të vazhdonin të transmetonin tashmë jo me kode. Qartë: edhe pse lufta kishte përfunduar, buletinët meteorologjikë mbeteshin të dobishëm për të gjithë. Më pas, reparti i izoluar polar nuk mori më urdhëra dhe u harrua. Pasi humbën çdo shpresë se do të shpëtoheshin prej vendit të tyre, pa mundësi kthimi (kishin vetëm një varkë me rrema) ata kërkuan me të gjithë mënyrat që të kontaktonin përmes radios me aleatët për t'u dorëzuar. Më në fund norvegjezët, që u vetëdijësuan për situatën dërguan një anije për të marrë gjermanët e fundit ende nën armë. Ishte 4 shtatori 1945. Pak ditë më herët, në 2 shtator ishte dorëzuar edhe Japonia.
Lufta e pafund e japonezëve
Etika japoneze, që e gjykonte si çnderim dorëzimin tek armiku, kishte mbizotëruar aq shumë në mes trupave të Perandorisë ku Lind Dielli saqë, pavarësisht se në 2 shtator të vitit 1945 perandori kishte pranuar dhe komunikuar dorëzimin e Japonisë, në disa vende veçanërisht të izoluara lajmi nuk u mor seriozisht. Askush nuk besonte në të. Amerikanët në fillim dhe më pas forcat lokale të policisë patën shumë punë për të bërë që të bindnin dhe të bënin të arsyetonin këta të "pagdhendur". Vetëm 35 vjet pas fundit të luftës, japonezi i fundit u bind që të dorëzohej! Ja rastet më të dokumentuara:
1945: Në ishullin e Saipan, në arkipelagun e Marianne disa japonezë vazhduan që të luftojnë me operacione guerilase. Vetëm në 1 dhjetor, reparti me 46 ushtarë nën komandën e kapitenit Sakae Oba u dorëzua tek amerikanët.
1949: Në ishullin e Iwo Jima, i cili u pushtua nga amerikanët pas një beteje shumë të përgjakshme, dy ushtarë japonezë me mitralozë rezistuan për më shumë se tre vjet, të fshehur në mbi një mijë llogoret që ishin hapur në tokë për të mbrojtur ishullin në kohën e luftës.
1950: Në mars në Filipine, në ishullin e Lubang një vend veçanërisht i pasur me pyje të papenetrueshëm u dorëzua ushtari Yuichi Akatsu.
1954: Një shok i Akatsu, Shooichi Shimada vdes në një shkëmbim zjarri me ushtarët filipinas.
1960: Në Guam, në arkipelagun e Marianne një repart shumë i vogël me dy burra dhe një ushtar vazhdoi që të luftojë. Ushtari, Bunzo Minagawa u kap i gjallë diku rreth mesit të majit. Disa ditë më vonë, në 23 maj u kap edhe një tjetër ushtar, Tadashi Ito.
1972: Në janar kapet komponenti i fundit i repartit të Guam, Shoici Yokoi: pasi kishte jetuar në një shpellë të vogël për 28 vite me radhë ai u prit në Japoni si një hero. Një fat i ndryshëm e priste një tjetër prej ushtarëve të Lubang, Kinshichi Kozuka, që u vra në tetor.
1974: Me urdhërin e komandantit të tij të një herë e një kohe, po në ishullin e Lubang në mars u dorëzua edhe Hiroo Onoda. Vazhdonte të mbante veshur uniformën e tij me shpatën në brez, pushkën në krahë si dhe me disa bomba në duar. Në 18 dhjetor një tjetër luftëtar, Teruo Nakamura i zbuluar nga një avion indonezian në ishulliin e Morotai, u dorëzua para një patrulle që ishte nisur në gjurmë të tij. Nakamura, i lindur në Taivan, nuk ishte në të vërtetë japonez, por i përkiste etnisë lokale të Amis dhe për më tepër ai ishte një ushtar i thjeshtë: kështu që atij nuk i njiheshin ato nderime të shumta që iu bënë Onodas. Ai vetë preferoi që të kthehej direkt në Taivan pa kaluar nga Japonia, që gjithsesi tregoi se ishte një atdhe aspak mirënjohës. Nakamura do të përftonte as edhe një pension të vogël, por vetëm atë që mbetej nga paga e tij si ushtar: rreth 227 dollarë amerikanë.
1980: Në prill, në Filipine, kapiteni Fumio Nakahira doli nga pylli i malit Halcon (ishiulli Mindiros) duke iu dorëzuar forcave të rendit.

Google+ Followers