Studentë-injorantë, të abrogohet teza 3-vjeçare?



Claudio Giunta

Zëvendësoni filozofi me filologji, ose letërsi italiane me histori arti, ose Giordano Bruno me Martin Lutero, ose Auerbach me Gombrich e kështu me radhë dhe do të siguroni n variantet e ankimit që në mënyrë të pandërprerë dëgjohen të përsëriten, që në mënyrë të pandërprerë përsërisim në korridoret e degëve shoqërore.
Me t'u konstatuar se studentët janë shumë injorantë, të vijnë në mendje shumë pyetje mjaft të kota. Qenë më pak injorantë dikur? Dhe dikur kur: më 1950, më 1960, më 1980, vitin e kaluar? Pse janë bërë kaq injorantë? Janë vërtet injorantë apo sasia e gjërave që studentët dinë ka mbetur e njëjtë dhe bile është shtuar, përveçse ka ndryshuar cilësia: më pak latinisht, të themi dhe më shumë anglisht, më pak histori dhe më shumë politikë? Dhe janë injorantë vetëm studentët apo edhe pedagogët, të cilët megjithatë vijnë nga shkolla e "dikurshme" dhe do të duhet të dinë gjithçka?
Propozoj që të hiqen mënjanë këto krahasime, këto statistika të bazuara mbi parametra fluidë dhe inekzistentë dhe, sidomos, këto ankime. Është humbje kohe. Le të nisemi në fakt nga ajo që dimë për të sigurtë.
Gjëja e parë që dimë është se në përgjithësi ka një përgatitje më të pakët për lëndë që i përkasin atij që mund ta quajmë kurrikulumi tradicional i studimeve: gjuhë italiane, histori, art, letërsi, gjuhë klasike (dhe ndoshta edhe matematikë, fizikë, kimi: por këto, këtu, nuk na përkasin). Kjo mund t'i detyrohet faktit që studentët janë më të shumtë në numër se dikur dhe më pak të përgatiturit e ulin mesataren e përgjithshme. Ose faktit që studentët më të mirë nuk frekuentojnë degët shoqërore, por preferojnë që të studiojnë inxhinieri, mjekësi apo ekonomi. Ose më tej akoma, faktit që bota bashkëkohore është shumë e mbushur me informacione, nocione, ide - të mira dhe të këqija, interesante dhe jo - pasi trutë e studentëve mund t'i përmbajnë si këto informacione, nocione, ide, ashtu dhe ato që i përkisnin kurrikulumit tradicional. Cilido qoftë shkaku (dhe nuk është aq e rëndësishme ta përcaktosh), situata është kjo.
Gjëja e dytë që dimë është diçka që dimë se e duam: duam që të paktën studentët e degëve shoqërore t'i njohin më mirë lëndët që i përkasin kurrikulumit tradicional të studimeve. Duam që të njohin më mirë italishten, historinë, historinë e mendimit, historinë e arteve, gjuhët e lashta dhe moderne. Dhe nuk duam vetëm që bagazhi i tyre me nocione të rritet, duam edhe që mendja e tyre të rrihet në dialogun me veprat e mëdha që qëndrojnë në themelin e këtyre disiplinave, duam që të reflektojnë dhe që të marrin shembull. Domethënë, asgjë të jashtëzakonshme: a nuk është për këtë që shërben universiteti? Nëqoftëse jemi të gjithë dakord lidhur me këto objektiva, atëhere çfarë kuptimi ka teza 3-vjeçare?
Përpara reformës universitare vitet e kursit qenë 4 dhe diploma ishte 1. Një punë zakonisht shumë impenjuese që kërkonte muaj dhe në fakt ishte e rrallë që të diplomoheshe në kohë, edhe pse i përfundonin provimet brenda vitit të katërt. Midis risive të ndryshme, reforma universitare ka futur këtë. Karriera universitare është e ndarë në dy pjesë, një 3-vjeçar e një 2-vjeçar dhe si në fund të 3-vjeçarit, ashtu dhe në fund të 2-vjeçarit, studenti duhet të shkruajë një tezë. Teza 2-vjeçare e ka një kuptim: studenti është një specialist i ri (në të vërtetë, "diplomë e specializuar"), një studiues i ri, pasi duhet të japë provë se di ta bëjë një punë sa më shumë origjinale të jetë e mundur në brendësi të fushës së studimeve që ka zgjedhur. Për pasojë, teza 2-vjeçare është e rëndësishme dhe kërkon kohë e impenjim: veç të tjerash, është me këtë tezë që vendoset nëse studenti mund t'i vazhdojë ose jo studimet me një doktoraturë dhe eventualisht të qëndrojë në universitet. Fakti që për një punë të kësaj natyre i mbesin vetëm copëza kohe, midis një provimi dhe tjetrit, në vitin e dytë e të 2-vjeçarit, është një gjë shumë e keqe, por nuk është ky problemi.
Problemi është teza 3-vjeçare. Në universitetin tim (Trento), teza 3-vjeçare vlen 9 kredite: ekuivalenti i një provimi vjetor sipas rregullave të vjetra. Domethënë, shumë pak. Por kjo "shumë pak" paguhet megjithatë me çmimin e humbjes së shumë kohe, ankthesh, shpresash dhe sidomos shumë retorikë: komisione me 5 apo 7 anëtarë që përgjithësisht shtiren se shqyrtojnë një tezë që askush nuk e ka lexuar me përjashtim të relatorit dhe, në rastet e veçanta, bashkërelatorit (komisione tashmë mujore, duke parë numrin e madh të diplomatëve); publik i mallëngjyer, fotografi, duartrokitje, lule, kore.
Por ky është vetëm konteksti dhe mund të mos ketë shumë rëndësi. Le të shikojmë atëhere objektin - tezë. Është një punë e shkruar me n faqe, ku n është një numër pothuajse gjithmonë më i lartë se 50 dhe shpesh më i lartë edhe se 100, me raste jo shumë të rralla që shkojnë mbi 200, 300 faqet: vepra e jetës, duke qenë se teza është megjithatë gjithmonë teza. Por vepra e jetës kërkon kohë dhe pjesa më e madhe e vitit të tretë shpenzohet në leximin e bibliografisë lidhur me argumentin e përzgjedhur dhe në shkrimin e mundimshëm të 50, 100, 300 faqeve. Nëqoftëse mendohet se vitin e dytë studentët e kalojnë shpesh, për fat, jashtë vendit (Erasmus, bursa shkëmbimi), universiteti "normal" zgjat 1 vit: i pari. Dhe qysh në vitin e parë fillojnë makthet, afrimi i "punës për tezën": sikur gjëja më e mirë për t'u bërë, kur je injorant, të ishte që të lije të gjithë pjesën e mbetur dhe të përqendroheshe mbi një argument, autor, vepër të vetme dhe, lidhur me këto, të "ezaurohej bibliografia", domethënë të bëhesh specialist përpara se të kesh edhe vetëm një ide të përgjithshme të çështjeve më të rëndësishme në aspektin historik, historiko-artistik, filozofik.
Specialistë të çfarë gjëje? Të çfarëdo gjëje që është mjaft origjinale dhe mjaft e "vogël" që i diplomuari të mund të "thotë diçka të re" dhe ndoshta më pas, me kohë, të vazhdojë lidhur me këtë argument në tezën 2-vjeçare, t'i bëhet eksperti më i madh në qarkullim, të botojë, të fitojë konkurse, e të tjera. Specialistë të çfarëdo gjëje: qoftë pse studenti duhet të jetë i lirë që ta zgjedhë argumentin që i pëlqen, qoftë edhe sidomos pse në tezën e njëzetë 3-vjeçare në një vit pedagogët nuk dinë më se çfarë argumentesh të shpikin dhe do t'i pëlqejnë me qejf propozimet e studentëve: lëre të shkojë.
Por të lësh të shkojë është rrallëherë strategjia e duhur. Të gjithë e dinë, sidomos në disiplina si letërsia, filozofia, historia e artit, se shpesh për studentët ka një problem afërsie të tepruar me argumentin e studimit. Shumë prej nesh kishin dhe kanë akoma një shkrimtar, një filozofi apo një piktor të preferuar: dhe këto preferenca kanë kontribuar që të orientohen idetë dhe zgjedhjet tona. Por duhet të jetë e qartë se një student i dashuruar me Oscar Ëilde, me Monet apo me Pink Floyd është mirë që të mos caktojë një tezë mbi Oscar Ëilde, mbi Monet apo mbi Pink Floyd. Shkohet në universitet për të mësuar gjëra të reja dhe mënyra të reja - më të pjekura, më serioze - për të shikuar gjërat dhe jo për të thelluar manitë e tua. Kjo vlen sidomos (shembujt nuk janë zgjedhur rastësisht) për ato disiplina që janë të orientuara nga e tashmja apo nga e kaluara e afërt dhe jo nga e kaluara e shkuar. Këtu entuziazmet shpesh janë fëminorë dhe zakonisht më mirë të mos i shuash për të mos krijuar monomaniakë injorantë dhe jorealistë.
Por në fakt, teza 3-vjeçare rrezikon që megjithatë të jetë - edhe pse nuk i lihet të bëhet studentit, edhe nëqoftëse i imponohet një temë kërkimi - një mënyrë e mirë për të formuar monomaniakë injorantë dhe jorealistë. Ta kufizojmë bile lirinë e studentëve. Të zgjedhim argumente seriozë, të vështirë, formues. Përgjithësisht, rezultati është një formë tjetër amatorizmi. Mua nuk më duket as e drejtë, as e dobishme dhe as e mundur që në moshën 21-vjeçare një student të shkruajë një monografi të vogël, midis 50 dhe 150 faqeve, lidhur me përdorimin e burimeve tek Thuqididi, mbi Kritikën e gjykimit apo mbi Jetën e re. Janë argumente tejet të komplikuar. Natyrisht që është e nevojshme që studentët ta njohin Thuqididn, Kantin apo Dante Alighieri dhe është e nevojshme që universiteti të këmbëngulë mbi këto lexime formuese për arsyen e thjeshtë që studentët përgjithësish i injorojnë: sepse pjesa më e madhe e tyre nuk vijnë nga licetë dhe sepse edhe ata që vijnë prej tyre pësojnë krizën e kurrikulumit tradicional për të cilin po flisja më sipër. Ajo që nuk është e nevojshme është se studentët e 3-vjeçarit të shkruajnë diçka lidhur me këto argumente, pasi nuk janë në gjendje që ta bëjnë një gjë të tilë dhe sepse përfundojnë për të përsëritur - shpesh pa i kuptuar, pa ditur t'i vendosin në një debat - opinionet e shprehura nga të tjerë: një ushtrim stimulimi dhe konformizmi së bashku. E thënë më shkoqur, shkrimi i keq i teksteve varet sidomos nga kjo. Nuk është se studentët nuk njohin italishten. Nuk është se shkruajnë në mënyrë tejet të thjeshtë, përkundrazi, shkruajnë në mënyrë tejet të vështirë, të errët, pseudoelegante, pikërisht pse janë të zënë me një detyrë që i tejkalon forcat e tyre: të shpjegosh Thuqididin, Kantin, Danten. Shkruhet qartë kur dihen gjërat, por për këtë - dhe do të kthehemi shpejt - duhet studiuar.
Thuhet: "Në mos për gjë tjetër, teza 3-vjeçare mëson që të shkruash". Kjo është një ide e gabuar si në linjë parimore, ashtu edhe në linjë faktike. Në linjë parimore, sepse nuk është kjo për të cilën shërben teza (është një çikë si ideja, aktuale akoma në kohën time, që shërbimi ushtarak ishte një idiotësi, por që edhe bënte mirë: ndoshta, edhe pse nuk besoj, por nuk është për këtë që duhet të shërbejë). Për të mësuar të shkruash janë mirë ushtrimet në klasë ose detyrat në shtëpi, bile për të mësuar të shkruar duhet parasëgjithash të lexosh, si sepse dalëngadalë mësohet një stil, ashtu dhe pse mësohen gjërat dhe përfundohet për të qenë më pak të lidhur në paraqitjen e tyre. Teza është kontributi shkencor i atij që tashmë di, të paktën, të shkruajë siç duhet: përndryshe për çfarë po flasim? Dhe ideja sipas së cilës "mësohet të shkruhet" është e gabuar edhe në linjë faktike, pasi ndodh shpesh që tezat 3-vjeçare të rishkruhen nga pedagogët, edhe pse kjo nuk është detyra e tyre (duke qenë se, siç tentojmë të harrojmë, teza e diplomës është një provim). Kështu, përmbajtja e tezës bëhet e parëndësishme (edhe për këtë, në fund, Pink Floyd vlejnë sa Thuqididi) dhe të gjitha përpjekjet përqendrohen mbi formën: kryeradhat, lidhëset, sintaksa, "të dish të bësh një bibliografi". Dakord, nëse kjo hyn në punë, po atëhere të mos e quajmë tezë apo provë tezë, këto detyra të vogla dhe të mos u japim një notë në fund.
Teza 3-vjeçare nuk është gjë e mirë, nga çdo pikëpamje. Ankohemi pse studentët janë injorantë, por pastaj i detyrojmë që të shkruajnë për gjëra që injorojnë dhe të përqendrohen mbi detajet përpara se të kenë krijuar besim me tërësinë. Le ta abrogojmë dhe në vend të saj të vendosim një gjë tjetër.
Në fakultetet shoqërore të disa prej universiteteve më të mira amerikane është një provim kushtuar "librave të mëdhenj". Supozohet se një student i Sociologjisë apo i Letërsisë, përpara se të hapë gojën, duhet t'i ketë lexuar librat më të rëndësishëm të fushës së tij. Jo manuale apo antologji, por librat që një sociolog, një filozof, një letrar (dhe një historian arti, një muzikolog e të tjera) duhet të ketë lexuar që të mund të quhet i tillë. Provimi konsiston në leximin e n librave, jo në shkruarjen e n faqeve. Pedagogët përgatisin një listë të gjatë librash themelorë dhe studentët zgjedhin një rrugë të tyre leximi në brendësi të kësaj liste. Nuk është e nevojshme që lista dhe rruga t'i përkasin vetëm disiplinës në të cilën studenti do të specializohet, përkundrazi. Nga momenti që në këtë stad të formimit ajo që ka vlerë është shtrirja, jo thellësia, inkurajohen studentët që të zgjedhin edhe libra që nuk i përkasin fushës së tyre të studimeve: letrari bën lexime filozofike dhe psikologjike, filozofi do të lexojë romane dhe libra kritike, historiani i artit do të studiojë klasikët e historiografisë.
Megjithatë: nuk është ky një model për t'u ndjekur? Nuk është saktësisht kjo që kërkojmë tek një intelektual - lexime të zgjeruara mbi një spektër të gjerë leximesh? Dhe a nuk është pikërisht "siplomimi i shkurtër" momenti, rasti i duhur për të bërë këto lexime të zgjeruara, duke qenë se nuk bëhen as në gjimnaze, as tashmë në universitet, prej shumëfishimit të mallkuar të kurseve, copëzimit të moduleve, reduktimit të programeve? Lexime të kësaj natyre a nuk do të kishin edhe një efekt pozitiv mbi mënyrën sesi studentët shkruajnë - pse sa prozë të bukur kritike ka lexuar vërtet një student, në vitin e tretë të Letërsisë?
Le ta abrogojmë këtë stimulim të mjerë që, në më të shumtën e rasteve, është teza e vockël 3-vjeçare. Ose, nëqoftëse pikërisht nuk duam ta abrogojmë, le ta bëjmë fakultative: të zëvendësueshme - në barazi "peshe" në dhënien përfundimtare të notave - me leximin e 10, 15, 20 "librave të mëdhenj" mbi të cilët studentët të pyeten. Po, edhe këtë. Provimi të kthehet e të jetë një provim serioz, jo një farsë, me relatorin që e pyet kandidatin se për çfarë flet teza, kandidatin që përsërit pjesën e mësuar përmendësh, relatorin që bën një pyetje të rënë dakord më përpara, bashkërelatorin që nuk do të bezdisë dhe që bën vërejtje jo të dëmshme… Le të bëjmë komisione prej 3 personash (Pse pesë? Pse shtatë? Pse e gjithë kjo retorikë?); le të bëjmë një pyetje të vërtetë mbi librat që kandidati ka zgjedhur: le të shikojmë atë që ka kuptuar, le të shikojmë sesi na flet dhe pastaj t'i japim një notë, ashtu si për të gjithë provimet e tjera.
Dha ja ku vijmë tek pyetja më e rëndësishme. Kjo gjë mund të bëhet? Duhen ndryshuar ligje? Duhet thirrur për këtë problem Ministria, Dhomat, Qeveria? Përgjigjja: kjo gjë mund të bëhet lehtësisht, pa kaluar nëpër Romë, pasi legjislacioni në fuqi tashmë e lejon. Dekreti Ministror Nr. 270 i 22 tetorit 2004 përcakton se është rendi didaktik i kurseve të ndryshme të studimit ai që përcakton "karakteristikat e provës finale për arritjen e titullit të studimit" (Neni.11, Pika 3, Germa d), domethënë diploma, diploma magjistrore dhe diploma e specializimit (Neni. 1, Pika 1, Germa f), duke saktësuar se vetëm për diplomën magjistrore duhet "prezantimi i një teze të përpunuar në mënyrë origjinale nga studenti nën drejtimin e një relatori" (Neni 11, Pika 5).
Claudio Giunta jep mësimin në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë të Universitetit të Trentos. Veç të tjerash, është autor i Poezia italiane në epokën e Dante (shtëpia botuese Il Mulino, 1998); Vargje për një destinatar (shtëpia botuese Il Mulino, 2002); Kodekse. Ese mbi poezinë e Mesjetës (shtëpia botuese Il Mulino, 2005) dhe Rrethimi i së tashmes. Mbi revolucionin kulturor në zhvillim (shtëpia botuese Il Mulino, 2008).
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers