Polonia, një vend i përndjekur nga demonët


Tragjedia ajrore polake e ka tronditur vendin, por a ishte një e papritur? Sigurisht që jo, sipas shkrimtares polake Magdalena Rttenhouse, e cila argumenton se një tendencë fatale e tragjedisë ka shoqëruar historinë e vendit

Presidenti, shefi i ushtrisë, guvernatori i Bankës Kombëtare – të gjithë në të njëjtin avion? Miqtë e mi amerikanë, të cilët duan të marrin vesh diçka më shumë nga kjo histori, më pyesin: “Po si është e mundur? A nuk ekziston një rregull që qoftë edhe për dy njerëz nga e njëjta kompani, që fluturojnë për një konferencë, duhen marrë dy avionë të ndryshëm?”. Një nga ata tund kokën me mosbesim. Por fakti është fakt. Po, ata ishin të gjithë në të njëjtin avion, një avion rus “Tupolev-154” dhe që sigurisht nuk do shumë mend që të kuptosh se ishte me probleme.
Unë vij nga një komb rebelësh, që i përballën tanket naziste me duart dhe gjokset e tyre. Gjyshi im nga ana e mamasë ishte një nga ata që e bëri një gjë të tillë, pas pushtimit nazist të Polonisë, më 1 shtator të vitit 1939. Ai u zu rob dhe u dërgua në një kamp robërish tri ditë më pas. Mund ta quani si të doni, qoftë patetik, qoftë të bukur, apo kurajoz e të marrë, por historia e vendit tim karakterizohet nga dhjetëra kryengritje kolektive dhe personale, me rreziqe vdekjeprurëse, përfshi atë të Varshavës, në gusht të vitit 1944, që mund të konsiderohet edhe si më tragjikja nga të gjitha. Unë vij nga një vend, Presidenti i të cilit fluturon në një avion që nuk ka shanse të ishte kontrolluar mirë, para se të ndërmerrte fluturimin. Piloti i këtij avioni, e pa të arsyeshme që, pavarësisht mjegullës së dendur të ulej në një tokë të rrezikshme, edhe pse u paralajmërua se veprimi i tij mund të ishte fatal. Vij nga një vend që i urren mjetet e shuarjes së zjarrit, që vendosen nëpër godinat e së gjithë botës. Ne kemi një frazë në polonisht, e cila nuk përkthehet mirë në gjuhë të huaj, por që kuptimi i saj është “në njëfarë mënyre, gjërat do të zgjidhen”. Kjo duket se është edhe motoja e polakëve.
Këtë fundjavë, sigurisht që nuk mund të thuash se “gjërat funksionuan”. Një avion “Tu-154” ka shumë shanse që të gjendet me shumicë në Afrikë në transportin e ngarkesave të ndryshme. E megjithatë, pasi e dëgjuan lajmin të shtunën në mëngjes, shumë polakë e patën të vështirë që të mendonin atë që kishte ndodhur. Ata panë në ekranet e televizorit pyllin me pemë të zhveshura, avionin e rrëzuar dhe menduan për varret e 22 mijë oficerëve rezervistë polakë, profesorëve të universitetit, mjekëve, juristëve që u arrestuan në Poloni, në vitin 1939, pas pushtimit sovjetik për t’u vrarë me një plumb kokës. Trupat e tyre u gjetën nga gjermanët në Katyn dhe disa fshatra aty rrotull, pas sulmit që nazistët i bënë Rusisë. Ajo ndodhi në pranverën e vitit 1943. “Një popull, memoria kolektive e të cilit beson dhe mbështetet në kaq shumë në koincidenca mistike, në sensin e providencës që ndonjëherë është pozitive, por më shumë negative, mund të tentohet të mendojë se ndoshta ajo që ndodhi në Katyn nuk ka marrë ende fund, se Lech Kaczynski dhe të tjerët që humbën jetën me të, nuk janë në fakt pjesë e një tragjedie, por e një krimi”, shkroi këtë fundjavë një analist britanik, në median e vendit të tij. Dhe ne nuk mund veçse të mendojmë për historinë dhe demonët tanë, që na kanë përndjekur prej shekujsh. “Kjo është e pabesueshme. Është mallkimi tragjik i Katyn”, deklaroi paraardhësi i Kaczynskit, Kvaznjevski, me të marrë vesh për ngjarjen. “Është shumë e vështirë për t’u besuar pa u rrëqethur”.
Për oficerët polakë, të cilët u vranë në Katyn, mësova nga prindërit e mi. Nuk më kujtohet se ç’moshë kisha, mbase 10 vjeç, por më kujtohet qartësisht se ata më thanë që ta mbaja gojën kyçur për këtë. Për gjysmë shekulli, rusët dhe qeveria komuniste që ata vendosën në Poloni pas Jaltës, deklaruan se krimi u krye nga nazistët. Kjo shkruhej edhe në librat tanë të historisë dhe vetëm me raste, ndonjë mësues i guximshëm do të guxonte të përshpëriste një tjetër të vërtetë. Unë kam qenë me fat, sepse në shkollën time, kisha disa mësues të tillë. Vetëm me ardhjen e Gorbaçovit dhe Perestrojkën e tij, kur ra Muri i Berlinit, nisi të shembet edhe linja zyrtare e një ngjarjeje të tillë. Në vitin 1990, 50 vjet pas tragjedisë, rusët, për herë të parë, pranuan përgjegjësinë e tyre. Për sa i përket Kaczynskit, gjatë periudhës që ai ishte President i vendit, pati shumë raste përplasjesh me Rusinë, duke u përpjekur që ta ndalonte në vazhdimin e shtrirjes së ndikimit të saj në Europën Lindore, apo duke forcuar lidhjet e tij me NATO-n dhe Perëndimin, veçanërisht me Amerikën e Bushit. Kërkesa e tij për çeljen e arkivave të tragjedisë së Katynit dhe ndërmarrjen e hetimeve të plota, sigurisht që nuk i ka pëlqyer Moskës. Mund të duket si ironi e fatit, që tri ditë para aksidentit, Kryeministri Putin u shndërrua në liderin e parë rus, që së bashku me një delegacion polak, u bënë bashkë për të përkujtuar tragjedinë me rastin e 70- vjetorit të saj. Ish-presidenti, i cili nuk ishte i ftuar në ceremoni, duke qenë se Polonia përfaqësohej nga Kryeministri Tusk, zgjodhi që të merrte pjesë në një tjetër veprimtari të shtunën dhe jo i vetëm, po i shoqëruar nga një pjesë e njerëzve më të fuqishëm të vendit dhe pjesëtarë të familjeve të viktimave. Në bordin e avionit të rrëzuar ndodhej edhe 90-vjeçari Ryszard Kaczorowski, Presidenti i fundit polak në mërgim gjatë viteve të pushtimit sovjetik dhe Anna Walentynowicz, punonjësja e portit dhe një nga personat që nisi edhe grevën e famshme në portin e Gdanskut në vitin 1980.
Por veç Katyn, ka edhe një tjetër vend që është pjesë e memories tragjike të polakëve. Ishte një ngjarje që ndodhi në Gjibraltar më 3 korrik të vitit 1943 dhe në të cilën humbi jetën lideri, gjenerali Wladyslaw Sikorski, Kryeministri i qeverisë polake në mërgim. Disa muaj pas ngjarjes së Katyn, i ndjeri sfidoi Stalinin, duke i kërkuar ndërmarrjen e një hetimi zyrtar dhe të pavarur. Aleatët i kishin dhënë mbështetje, por ata njëherazi vareshin edhe nga rusët për sa i përket sulmit ndaj Hitlerit dhe nuk donin që të armiqësoheshin me Moskën.
Bazuar në informacionet e deritanishme, ajo që ndodhi më 10 prill ishte një aksident. Mjegulla, piloti që besonte në vete më shumë seç duhej, ndoshta edhe stresi. Unë shpresoj vetëm që demonët që na kanë përndjekur për shekuj të tërë të zhduken dhe të zhbëhen, që presidentët tanë të fluturojnë në avionë më të sigurt në të ardhmen, që polakët, në fund të fundit, të jenë më të kujdesshëm për veten e të kuptojnë se nuk është gjithçka fatale, por se ata e kanë vetë në dorë fatin e tyre.

Google+ Followers