Origjina dhe domethënia e supersticioneve që edhe sot e kësaj dite na shqetësojnë



Mace e zezë apo mace e bardhë?
Macja e zezë përballë maces së bardhë: e para sjell fat, e dyta ters. Mbi të gjitha kur i pret rrugën një kalimtari, i cili për të dëbuar fatin e keq duhet që të bëjë tre hapa pas dhe pastaj të vazhdojë rrugën. Apo të presë që, një tjetër person, që po kalon aty pari, të tërheqë drejt vetes fatin e keq. Eshtë një besim tipik latin (në Shtetet e Bashkuara, të ndiqesh nga një mace e zezë, për shembull, është shenjë e mirë) origjina e së cilës është që në Mesjetë, kur macja shihej si e lidhur me të keqen dhe me demonët. Në origjinë të këtyre besimeve ishte prirja për jetën e natës e maceve si dhe aftësia e tyre për të parë në errësirë. Përveç faktit që ishin objekte kulti pagan, sidomos mes egjiptianëve. Në vitin 1233, Papa Gregori IX nxorri madje një urdhëresë ku autorizonte shfarosjen e tyre in nomine Dei, me në krye ekzemplarët e zinj. Kalimi nga macja si zot i natës tek macja që shihej si e lidhur me demonët ishte i shpejtë. Dhe u shoqërua nga shumë akte dhune kundër maceve të zeza, viktima të ritualeve të purifikimit dhe që ndonjëherë përfundonin në turrën e druve bashkë me shtrigat.
Mos kaloni nën shkallë: fat i keq
Nëse duke ecur në një shkallë ju pengohet hapi ka vetëm një zgjidhje: të vini vërdallë saj. Por, nëse vërtetë duhet të kaloni nën të, kryqëzoni gishtërinjtë apo pështyni në këpucë: janë dy forma arkaike të dobishme edhe kundër syrit të keq. Frika që të ecurit nën një shkallë sjell fat të keq e ka origjinën që në Mesjetë: e mbështetur në mure gjatë sulmeve, shkalla formonte një trekëndësh, simbol i paprekshëm i trinitetit. Megjithatë, elementi i shkallës shfaqet në thuajse të gjithë besimet fetarë: në Egjiptin e lashtë, Orusi quhej edhe "Perëndia i shkallës" për mbështetjen që u jepte shpirtërave të të vdekurve në udhëtimin e tyre drejt "dritës së përjetshme". Jo më kot shumë egjiptianë mbanin të varur në qafë fatsjellës me këtë formë. Në Bibël, shkalla që ëndërroi Jakobi ka një domethënie të ngjashme (të lidh me qiellin), ndërkohë që Muhamedi fliste për një shkallë të gjatë me anë të së cilës shpirtërat e të drejtëve shkojnë drejt Allahut. Duke u nisur nga këto nënkuptime, ka rrjedhur edhe besimi se të ecurit nën shkallë shkakton zemërimin hyjnor. Sipas një tjetër shpjegimi, origjina e këtij supersticioni duhet të jetë më shumë ushtarake se sa fetare: mbrojtësit e kështjellave mesjetare e kishin në fakt për zakon të hidhnin vaj të nxehtë dhe zift mbi ata që sulmonin muret me shkallë. Që këtu ka lindur frika e të ecurit nën shkallë.
Mos hapni atë çadër
Hapja e një çadre në shtëpi "afronte" mjerimin për familjen. Jo vetëm sepse shpesh mbahej e hapur kur kishte rënie uji nga çatitë e çara, por edhe sepse sillte në kujtesë kupën qiellore që mbahej në kokën e priftit në kohëra vajtimesh. Për të dëbuar fatin e keq që vinte nga një çadër e hapur në shtëpi bëheshin më pas xheste me origjinë antike: spërkatja e dyshemesë me një solucion që largonte fatin e keq apo vendosja tek porta e një xhufke lëkurë vjedulle (sipas shumë traditave një kafshë që sjell fat) të lidhur me një copë të kuqe. Mes fatkeqësive që besoheshin se sillte një çadër e hapur pa arsye: xhelozi, zili, dhimbje dhe grindje mes familjarëve apo vdekje e papritur e njërit prej tyre. Edhe më e rrezikshme ishte vendosja e saj në tryezë.
Kalendari...
"Të premten apo të martën nuk martohesh apo nuk nisesh, as nuk i jepet përparësi artit" thotë një proverb që, bashkë me "Kush qesh të premten, qan të dielën", i bën këto ditë më të pafatat e javës. Origjina është mesjetare dhe fetare: në Ungjijtë, e premtja është në fakt dita e kryqëzimit të Jezusit dhe ajo i rezervohet pendesës / ndëshkimit. Dhe kush qeshte në atë ditë mendohej që ndëshkohej ditën e ringjalljes së Krishtit, të dielën. Ndërsa e marta ishte tashmë "e pafat" mes romakëve, sepse i dedikohej Marsit, Perëndisë së Mosmarrëveshjeve. Po kështu, besohej se fëmijët e nisur ditë të premte do të kishin një jetë të vështirë dhe që vitet që nisnin në këtë ditë do të ishin katastrofikë. Dallimi mes ditëve pozitive dhe negative ishte e njohur tashmë për traditën romake, ku bëhej dallimi mes dies fasti (kur mund të administrohej drejtësia) dhe nefasti.
Numrat
Gabriele D'Annunzio nuk do të kish ëndërruar asnjëherë që të vendoste në një letër datën 13: supersticioz siç ishte, ai përpiqej që ta shmangte këtë numër, duke shkruajtur madje, në rastet kur ishte e domosdoshme, 12 + 1. Në shekujt e parë të epokës kristiane, njerëzit nuk e bënin asnjëherë që të uleshin 13 vetë përreth të njëjtës tryezë, nga frika se, afronin vdekjen mbi njërin prej bashkëbiseduesve. Një besim që lind prej rrëfimit mbi darkën e Fundit: në tryezë, në atë banket të trishtë ishin në fakt 13 vetë (Jezusi dhe 12 apostujt, duke përfshirë tradhëtarin Juda). Por lidhja mes numrit 13 dhe fatkeqësisë është e dokumentuar në epokat e mëhershme: historiani grek Diodor Sikulo (shekulli I para Krishtit) shkruan që Filipi II (shekulli IV para Krishtit), mbret i Maqedonisë dhe babai i Aleksandrit të Madh u vra nga një prej rojeve të tij, pasi kishte vendosur një statujë të tijën në krah të atyre të dymbëdhjetë hyjnive të Olimpit (vdekja mendohej se ishte një pasojë e kësaj sfide ndaj perëndive). Por, ndoshta frika prej numrit 13 e ka origjinën që në konceptet e lashtë astrologjikë asiro-babilonianë (ku 12 ishte numër i shenjtë, sepse ishte lehtësisht i ndashëm). Pikërisht fakti që 13 vinte pas 12 i ka siguruar këtij numri famën e keqe.
Fuqia e syrit...
Frika nga syri i keq (që kuptohet si "mallkim përmes shikimit") lindi në brigjet lindorë të Mesdheut dhe është përmendur që herët nga mitografi grek Esiodi (shekulli VIII para Krishtit). Megjithatë, të gjithë kulturat i atribuoojnë një fuqi të madhe shikimit. Për shembull, në Bibël Mbreti Solomon paralajmëron: "Mos hani bukën e atij që ka syrin e keq". Dhe frika që syri mund të shkakojë influkse negativë ka qenë lidhur herë pas here në shekuj me strabikët (keqformimi i syrit i bënte ata të dukeshin të ligë), arixhinjtë, personat me flokë të kuq, njerëzit që mbanin syze të errëta. Nga rreziku i syrit të keq, njerëzit mbroheshin duke pështyrë tre herë përtokë (treshi, numri i përsosur, kishte një vlerë të shenjtë në krishtërim dhe pështyma lidhej me një akt pastrues), duke bërë me duar formën e brirëve (simbol i aftësisë riprodhuese të demit, domethënë të vitalitetit), duke prekur organet gjenitalë (njësoj si më lart) apo duke mbajtur në xhep një dhëmb derri (kafshë e shenjtë në shumë kultura). Por të shumtë janë edhe ata që përdorin hudhrën.
Kripa dhe vaji...
Rrallësia dhe si pasojë kostoja e lartë e kripës, përveç karakteristikave të saj, kanë gjeneruar në botën e lashtë një seri besimesh. Mes romakëve të lashtë, shpërndarja e kripës në rrënojat e qyteteve të fituar nënkuptonte, që ata nuk do të mund të riktheheshin sërish në prosperitet (në fakt kripa e bën tokën jopjellore). Që këtu lind ideja që kripa e rrëzuar përtokë shkakton fat të keq dhe varfëri. Dhe një herë e një kohë besohej se kush rrëzonte kripën ishte i dënuar që në botën e përtejme ta mblidhte atë me kapakun e syrit. Vetëm hedhja pas krahëve (xhest i përhapur, por me origjinë jo të sigurtë) tre copëza (numër i shenjtë) kripë e largonte mallkimin. Edhe përreth vajit, që për antikët ishte i shenjtë dhe për kristianët shumë i rëndësishëm në ritet e tyre, ka patur shumë supersticione. Për të shpëtuar nga efektet ogurligë, nëse ai derdhej duhej që mbi të të hidhje kripë (e cila me fuqinë e saj largonte fatin e keq). Por në Siçili, si alternativë, mbi vajin e derdhur mund të hidhje urinë.
Shtatë vite fat i keq
Ka shumë hipoteza mbi atë që përse besohet që një pasqyrë e thyer sjell shtatë vite fatkeqësi. Sipas antropologëve, ky supersticion është i lidhur me karakteristikat reflektuese të një sipërfaqe të shndritshme. Prishja e imazhit të reflektuar nënkuptonte dëmtimin edhe të "origjinalit", apo vetë personin. Sipas historianëve, ky supersticion e pati origjinën në Romën e lashtë: atëherë pasqyrat kushtonin shumë, sepse mbaheshin në një sipërfaqe të artë apo të argjendtë. Shtatë (numër i artë edhe për romakët vitet e sakrificës mendohej që të ishin të domosdoshëm për të fituar paratë që nevojiteshin për të blerë një pasqyrë të re. Për të dëbuar fatin e keq duhej që të mblidheshin copat dhe të hidheshin në ujë të rrjedhshëm të një lumi (që do të merrte me vete fatin e keq).
Por kishte edhe supersticionë të tjerë të lidhur me pasqyrat. Në periudha zie dhe gjatë funeralëve për shembull, mbuloheshin me një rrobë apo ktheheshin nga tavani. Në fakt besohej se shpirti i të vdekurit, duke u reflektuar nuk mund të dilte nga banesa dhe të shkonte në botën e përtejme. Besohej se, nga momenti i vdekjes deri në shkëputjen e shpirtit kishte një periudhë të ndërmjetme gjatë të cilës shpirti endet. Në këto rrethana besohej që pasqyrat ishin katalizatorë shpirtërash.

Google+ Followers