Një shqiptar drejt “Nobelit”


image
Edor Kabashi ka identifikuar gjenin përgjegjës për çrregullimet neuromuskulare. 31-vjeçari, i kërkuar nga qarqet shkencore botërore
Një 31-vjeçar nga Durrësi ka arritur të bëhet pjesë e ekipeve më të njohura të shkencëtarëve franko-kanadezë, duke zgjuar interesimin e tyre për vetë kapacitetin e tij. Zbulimi i të riut nga Shqipëria ka ardhur pasi agjencia amerikane e lajmeve, UPI (United Press International) dhe mediat kanadeze raportuan në mbarë globin nga Montreali se “një ekip shkencëtarësh kanadezë dhe francezë kanë identifikuar një gjen të tipit të ri, përgjegjës për një fraksion të shënueshëm të rasteve të ALS-së (amyotrophic lateral sclerosis – skleroza laterale amiotrofike)”. Sipas lajmit shkencor, “ALS zakonisht quhet edhe sëmundja e “Lon Gehrig-ut”, një çrregullim neuromuskular i pashërueshëm, që dëmton neuronet motore dhe çon në paralizë ose vdekje brenda 1-5 vjetësh. Lajmi është botuar në edicionin e muajit mars 2010 të revistës “Nature Genetics”, ku studimi i mbi 200 subjekteve njerëzore me ALS u udhëhoq nga doktorët Gi Rulo (Guy Rouleau), durrsaku Edor Kabashi, Pol (Paul) Valdmanis të Qendrës Kërkimore CRCHUM (Centre Hospitalier de l'Université de Montréal – Qendra Spitalore e Universitetit të Montrealit). Ekipi shkencëtarëve ka identifikuar disa mutacione gjenetike në gjenin TDP-43, me anë të studimit të pacientëve me ALS nga Franca dhe Kebeku . Pas verifikimeve shkencore, ata vërtetuan se TDP-43 është gjeni përgjegjës për rritjen deri në 5 për qind të numrit të pacientëve të prekur nga ALS. Zbulimi i madh (breakthrough) është rezultat i një pune në ekip me kolegë të barabartë për nivelin që kanë nga universitetet e Waterloo dhe Laval në Kanada, Federata e Sëmundjeve të Sistemit Nervor dhe Instituti i Biologjisë në Francë. “Sipas shkencëtarëve, identifikimi i mutacioneve shtesë në TDP-43 në pacientë të tjerë me ALS do të vërtetojë se ky gjen është shkak i dukshëm i këtij tipi çrregullimi”. Në krah të dr. Rulo, drejtor i qendrës kërkimore të spitalit “Sainte-Justine” ndodhej në çdo çast edhe durrsaku 31-vjeçar, fenomeni Edor Kabashi, sipas përfundimit shkencor, “modelet animale, që tejshprehin mutacionet e identifikuara në këtë studim do të sigurojnë pamjen vendimtare në brendësi se si TDP-43 grumbullon dhe vret më në fund neuronet motore”. Ky zbulim është një hap drejt zhvillimit të terapive për njerëzit, që vuajnë nga kjo sëmundje e tmerrshme, po ashtu ka gjasa dhe për sëmundje të tjera neurodegjenerative”, - shprehet fenomeni durrsak me titullin e lartë dr. Kabashi i cituar nga mediat ndërkombëtare. Pesë në 100 mijë veta preken nga ALS dhe sipas regjistrimeve, 30 mijë amerikanë të moshës 45-65 vjeç janë të sëmurë. Rreth 20% të pacientëve me ALS jetojnë 5 vjet, 10% mbijetojnë më shumë se 10 vjet, 5% jetojnë 20 vjet pas diagnozës. Kostoja e kujdesit për stadet e vona të sëmundjes për një kuadriplegjik arrin në 200 mijë dollarë në vit. Doktorët Rulo dhe Kabashi janë mbështetur financiarisht nga Institutet Kanadeze të Kërkimeve në Shëndetin Publik (CIHR - Canadian Institutes of Health Research) dhe Instituti i ALS. Kërkimi i tyre u financua gjithashtu dhe nga Shoqata e Distrofisë Muskulare dhe Shoqata e ALS-së. Studimi u botua në 30 prill 2009, kur dr. Kabashi mbushi 31 vjeç. Edori ka lindur në Durrës. Babai i tij, Kujtim Kabashi, i specializuar për matematikë, ka mbajtur titullin e kandidatit të shkencave pedagogjike, kurse e ëma, Irma Mborja (Kabashi), është diplomuar në arkitekturë. Por Edori, që shkoi në SHBA dhe Kanada drejt e nga bankat e gjimnazit më 1995, parapëlqeu profesionin e gjyshit nga e ëma, dr. Sulë Mborjes, një nga mjekët më të shquar shqiptarë. Edor Kabashi është nipi i Mjeshtrit të Madh të Punës, aktorit të mirënjohur, “Sokratit” shqiptar, Mirush Kabashi, ky me famë ndërkombëtare si një nga aktorët më të mirë të momentit. Vëllezërit Kabashi, me origjinë nga Gjakova e Kosovës, janë të njohur në Durrës, pasi veç Mirushit, xhaxhallarët e tjerë të Edorit janë Saliu, ish-kryeinxhinier i fabrikës së duhan-cigareve dhe i njohur në qarqet e tregtisë së jashtme në Tiranë dhe jashtë shtetit si ekspert dhe gazetari i ATSH-së, Gëzimi, që ka pasur më tepër akses si gazetar në forcat ushtarake të huaja në Durrës e Tiranë nga viti 1997 e këtej. “Në shkollën “Nako Spiru” në Durrës kam kryer tetëvjeçaren. Më pas kam vazhduar në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”. Në vitin 1995, pasi mbarova maturën, vazhdova studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëra një vit në Rogers High School, në Newport, Rhode Island”, - shkruan Edori, i cili gjatë studimeve në shkollën e mesme të Roxherit, ka marrë diplomën presidenciale të Clintonit si nga nxënësit më të mirë të SHBA-ve. Është jo rastësi që këtë diplomë e kishte marrë dhe një ish-nxënës tjetër po i shkollës “Gjergj Kastrioti”. Si 8-vjeçarja “Nako Spiru” (sot 9-vjeçarja “Maria Kaçulini”) ashtu dhe e mesmja e përgjithshme “Gj. Kastrioti” janë nga më të mirat jo vetëm në Durrës, por dhe në rang kombëtar. Është një fakt kurioz: i ati i Edorit, kandidati i shkencave pedagogjike, Kujtim Kabashi, ka qenë drejtor i shkollës së mesme “Naim Frashëri”, rivale e “Gjergj Kastriotit”. Edori shkoi në këtë të fundit. Prandaj nuk ishte e rastit që Edori merr diplomë presidenciale në SHBA. Edori tregon: “Më pas fillova universitetin në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, me specializim Biologjinë dhe Psikologjinë, ku vazhdova për 2 vjet. Gjithashtu, një semestër e bëra në Universitetin e Sorbonës në Francë, ku studiova gjuhën dhe kulturën franceze. Më pas u transferova në Universitetin McGill në Montreal, Quebec në Kanada, me specializim në biologji. Diplomën e universitetit e mora në vitin 2000”. Brenda 5 viteve, Edor Kabashi përballon një vit gjimnaz, dy vjet Biologji e Psikologji në universitet, në SHBA, pastaj një semestër në Sorbonë dhe diplomohet në Kanada. Gjatë viteve 2001-2006, Edori bëri doktoraturën në degën e Shkencave Neurologjike në Institutin Neurologjik të Montrealit, nën mbikëqyrjen e dr. Heather Durham. Gjatë këtyre studimeve ka fituar disa çmime për punën e tij, si dhe një bursë nga Instituti i Kërkimeve Shkencore të Kanadasë. Kjo punë është bërë publike në disa artikuj në revista ndërkombëtare mjekësore dhe shkencore. Gjithashtu, ka shkruar një përmbledhje shkencore dhe një kapitull libri mjekësor. Pasi mbrojti diplomën, fitoi një çmim shumë të rëndësishëm, një bursë (fellowship) për vazhdimin e studimeve pasdoktorale në fushën e neurologjisë nga shoqata “Amyotrophic Lateral Sclerosis Canada” dhe Instituti i Kërkimeve Shkencore. Pas mbarimit të punës doktorale, ka filluar një specializim prej një viti në fushën e gjenetikës me dr. Guy Rouleau dhe tashmë punon në spitalin “Notre Dame” pranë Qendrës së Shëndetit të Universitetit të Montrealit. Edor Kabashi nuk është thjesht një shkencëtar i mbyllur vetëm në biblioteka dhe laboratorë. Përkundrazi, pamja e tij e jashtme jep përshtypjen e një njeriu trendy. Pasi, siç thotë vet ai, ka edhe pasione të tjera: i pëlqen shumë kinemaja, muzika, sportet, si futboll, volejboll, pingpong. Qyteti ku jeton, Montreali, i jep mundësinë t’i pasurojë këto pasione. Pra, ashtu si ka shkencën pasion, ai nuk u lë kusur sporteve për nga pasioni. Por nga xhaxhai, Mirushi, ka trashëguar dhe pasionin e arteve, kinemasë dhe muzikës. Duke luftuar kundër një sëmundjeje të rëndë që merr jetë njerëzish, Edori ka një etje të pashuar për të gëzuar jetën. Ndoshta këto pasione të gërshetuara me njëra-tjetrën e bëjnë atë një ikonë të njeriut modern. Edori nuk është i shkëputur nga zhvillimet në atdhe, pasi vjen dhe për pushime, sikurse vitin e kaluar në 30-vjetorin e lindjes. Me gjithë mallin që ka, nuk mban doreza të bardha, kur flet për problemet në shëndetësi: “Do të kisha shumë dëshirë të studioja dhe të bëj bashkëpunime me shkencëtarë në Shqipëri. Për fat të keq, sektori i shkencave të shëndetit, si dhe shumë sektorë të tjerë, ka shumë probleme dhe me të vërtetë është trajtuar keq këto vitet e fundit. Shpresoj në të ardhmen, me përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat, t’i jepet më shumë rëndësi këtij sektori”. Ndërkaq, Edori lë përshtypjen se dëshiron jo vetëm të bashkëpunojë me kolegët e tij që nga Kanadaja, por është i gatshëm së bashku me shqiptarë të tjerë të shquar në shkencat e shëndetit të rikthehet në Shqipëri. Edori thotë: “Gjatë studimeve në Amerikën e Veriut kam takuar shumë shqiptarë që studiojnë në fusha të ndryshme. Për shembull, në konferencën e fundit ku kam qenë nëntorin e kaluar në San Diego, Kaliforni, u takova me një grup shqiptarësh që punonin në të njëjtën fushë (neuroshkenca) në qytete të ndryshme si New York, Chicago, Cleveland. Shpresoj që do të krijohet një politikë e rikthimit të trurit në atdhe, sepse jam i sigurt që të dyja palët do të përfitonin”, - shkruan Edori.

Google+ Followers