Lufta okulte naziste për të përhapur fenë ariane



Hierarkë me maninë e të fshehtës. Teori fantastike mbi civilizime dhe pushtete të humbura. Këto janë komponentët më pak të njohur të periudhës së errët dhe të përgjakshme të nazizmit. Ceremoni natën më të gjatë të vitit, më 22 dhjetor, rite magjike, kërkime të civilizimeve të humbura, janë të shumta legjendat e errëta që janë lindur vazhdimisht me figurën e Hitlerit dhe nazizmin. Fillohet nga bindjet se Fyhreri ishte i poseduar nga djalli, e deri tek besimi se ai kishte pasur lidhje me jashtëtokësorët. Interesi i disa hierarkëve për objekte "magjike" ka frymëzuar filma si "Predatorët e arkës së humbur". Por sa të vërteta ka mbi lidhjet mes nazizmit dhe magjisë?
Urdhëri i Zi
Kulte të gjermanëve antikë, ceremonitë sekrete dhe ritualet hyjnore në të vërtetë nuk kanë munguar. Por pothuaj të gjitha manifestimet e okultizmit nazist janë meritë e një njeriu të vetëm: Henrik Himler, komandanti euforik i SS-ve, shumë i dhënë pas teorive të magjive dhe historive fantastike. "Himler ishte i bindur se ishte mishërimi i mbretit gjerman Enrik", shpjegon politologu Xhorxho Gali, autor i librit "Hitleri dhe nazizmi magjik". "Donte të transformonte elitën e trupave të tij SS, në një Urdhër të ri të Tempullarëve". Për këtë arsye, zgjodhi kështjellën e Vevelsburgut, duke u nisur nga perimetri në formën e majës së shigjetës, për ta kthyer në një qendër të shenjtë ku të përqendronte elitën e SS-ve. Këtu, "luftëtarëve arianë" u mësohej përdorimi i një shkrimi magjik i përdorur në veri të Evropës: simboli i zgjedhur për SS-të ishte pikërisht simboli që përfaqësonte fitoren (një "S" e stilizuar). Në Vevelsburg zhvilloheshin ceremoni të frymëzuara nga kultet e gjermanëve. Gjatë natës më të shkurtër të vitit, solsticit të verës, SS-të i dedikonin festime në pyll, Odinit, zotit të luftës. Gjatë solsticit të dimrit, përsëritej ceremonia e "ajrit mbytës", e frymëzuar nga rituale tibetiane: 12 zyrtarë SS, digjnin flamuj antikë të gjakosur dhe nga tymi nxirrnin parashikime dhe parandjenja.
Fe e re
Në oborrin e Himlerit silleshin shpesh magjistarë, si për shembull, këshilltari i tij Karl Maria Eiligut, që thoshte se kishte një memorie pre antike dhe se mbante mend jetët e tij të shkuara si udhëheqës gjerman. "Himler u besonte verbërisht dhe pa asnjë dyshim këtyre teorive", thonë studiuesit. Po Hitleri? "Ishte i magjepsur nga këto tema. Por mbi të gjitha donte t'i përdorte në politikë. Duke lënë Himlerin të vepronte, synonte të krijonte një fe naziste dhe ariane, neopagane, me mite dhe rituale të reja, që do të zëvendësonte fetë e tjera tradicionale".
Kërkimi i Graal-it
Himler, me çmendurinë dhe mendjen e tij okulte, nisi iniciativa nga më të pabesueshmet: që nga kërkimi i objekteve magjike e deri dhe të qytetërimeve antike. I tillë ishte për shembull misioni për të gjetur gjurmë të Graal-it, simbol mistik kristian (ndoshta kupa ku u mblodh gjaku i Krishtit). Kërkimi i Graalit nga nazistët mundësoi dhe krijimin e një "legjende të zezë". Ka frymëzuar madje dhe një film, "Indiana Xhons dhe kryqëzata e fundit". Edhe në këtë rast, iniciativa ishte e Himlerit që mbështeti kërkimet e një arkeologu të apasionuar pas botës së të fshehtave dhe magjive, Otto Rahn. Anëtar i SS-ve, Rahn e kërkonte Graal-in në jug të Francës. Sipas teorisë së tij, tempullarët e kishin gjetur në Tokën e Shenjtë dhe e kishin fshehur atje. Zotëruesit dhe mbrojtësit e fundit të Graalit, sipas tij, kishin qenë katarët, heretikë të ndjekur nga kisha. Rahn eksploroi fortesën e tyre të fundit, kështjellën e Montsegur. "Kërkonte thesarët e tyre dhe Graalin, por legjenda që lidh katarët me Graalin, kishte filluar të qarkullonte vetëm gjatë viteve 900. Himler që interesohej për të gjitha teoritë dhe historitë fantastike, u dha shumë edhe pas teorive të Rahn-it", shpjegon Introvinje. Qëllimi përfundimtar? "Të nxirrte katarët, të persekutuar nga kisha romake, si mbrojtës të kristianizmit autentik, simbol i të cilit ishte Graali. Një kristianizëm arian, trashëgimtarë të të cilit ishin nazistët", thotë Gali. "Nga këto kërkime, u nis të flitej pas luftës", vazhdon Introvinji. Kështu u krijuan histori plot fantazi. Për shembull, me kërkimin e Graalit u lidh edhe tragjedia e Oradour-sur-Glaine, në Francë, ku SS-të kontrolluan të gjitha shtëpitë dhe vranë 642 banorë. Ishte një raprezalje mizore, që në të vërtetë ishte një përgjigje ndaj aksioneve të partizanëve. Por zgjedhja e këtij fshati si objektiv hakmarrjeje ka bërë që të hidhet hipoteza se SS-të ishin në kërkim të Graalit.
Qytete të varrosura
Nga ana tjetër, është e vërtetë se emisarët e Rajhut kishin shkuar deri dhe në majat më të larta të Tibetit, apo në shkretetirën e Gobit. Pas këtyre ekspeditave sërish qëndronte Himler. Qëllimi i tyre i vetëm ishte të gjendej origjina e vërtetë e racës ariane. Në vitin 1934, Himler kontaktoi studiuesin Sven Hedin, i cili udhëhoqi një mision në shkretetirën e Gobit (Mongoli), për të kërkuar gjurmë të civilizimeve të lashta ariane. Në vitin 1938, studiuesi Ernst Schafer mbërriti në Tibet dhe ekzaminoi indigjenet duke kërkuar tipare të racës antike ariane, si dhe mblodhi një sërë legjendash të asaj zone. Himler dhe ndjekësit e tij besonin se në orient kishte dhe më tepër se kaq: mbretëri të nëndheshme të populluar nga "mjeshtër të panjohur" që zotëronin fuqi të jashtëzakonshme. Teoritë mbi këto qendra ishin të përhapura në atë kohë. Personazhe të ndryshme (si parashikuesja Helena Blavatski), duke përzier tradita budiste dhe teori të pabesueshme fantastike, flisnin për vende si Shamballah, në shkretetirën e Gobit, ku jetonin mjeshtra të racës ariane, apo Agarthi, mbretëria e nëndheshme e fshehur nën Himalajë, ku qeveriste mbreti i botës. "Nazistët përreth Himlerit, ishin të bindur se ekzistonin këto mbretëri dhe këta mjeshtra të panjohur. Dhe se mbreti i botës ishte arian", thotë Introvinji. Himler krijoi dhe Ahnenerbe, një seksion i SS-ve për të bërë kërkime mbi prehistorinë e arianëve.
Po Hitleri çfarë mendonte?
A u besonte këtyre teorive Adolf Hitleri? Pa dyshim ishte formuar në grupet e të djathtës austriake dhe gjermane të kohës së gllabëruar nga ezoterizmi. "Ishte i interesuar për magjinë dhe botën e së fshehtës, por nuk ka prova që të flasin se besonte në ekzistencën e fuqive paranormale të humbura. Ishte më shumë i bindur se kishte një të ardhme të veçantë personale: të shkëpuste Gjermaninë nga errësira", shpjegon Gali. "Në formimin e tij fillestar, i nxjerrë më pas në plan të dytë, ishte i fortë ndikimi i ambienteve që përzinin ezoterizmin, magjinë, racizmin dhe antisemitizmin".
Disa anëtarë të partisë naziste rridhnin pikërisht nga një shoqëri e ushqyer vazhdimisht nga këto doktrina. Virgjili fliste për "Thulen e fundit" për të treguar tokën e ekstremit verior. Për themeluesin e kësaj shoqërie, që u krijua në vitin 1918, Rudolf von Sebottendorf, Thule e fundit ishte Islanda, ku mendohej se ishin strehuar gjermanët e fundit anëtarë të racës superiore që kishte dominuar botën. Nga Tibeti në Islandë, nazistët nuk kishin ide të qarta se ku t'i kërkonin paraardhësit e tyre arianë. Sebottendorf u fliste anëtarëve të Thules për zotëra me "gjak gjerman" dhe për "armikun e pafalshëm Judë". Thule në fakt rridhte nga një shoqëri sekrete anti-Semite, i quajtur Urdhëri i Gjermanëve. Anëtarët merrnin pjesë në rituale duke veshur tunika të bardha dhe helmeta. Objektivi ishte të luftoheshin hebrenjtë. Nazistët e orëve të para ishin pikërisht anëtarë të shoqërisë Thule, si dhe shumë eksponentë të partisë DAP, Deutsche Arbeiterpartei, themeluar në vitin 1919, në të cilën hyri dhe Hitleri e që më pas u shndërrua në partinë naziste në vitet '20. Hitleri vendosi dhe simbolin e partisë së re: kryqin e thyer, që ishte simboli i Thules. "Hitleri ishte pranë shoqërisë, por nuk ishte anëtar", thotë Gali. "Por në Thule bënte pjesë Rudolf Hess, delfini i Hitlerit". Tepër i afërt me Hitlerin që në fillim, Hess ishte fanatik i botës së magjive, i bindur se bënte pjesë në rrethin e iniciatorëve.
Jo të gjithë u besojnë
Megjithatë, duhet kujtuar se këtyre manive nuk iu bashkangjitën disa persona kyç të Rajhut. "Përkundrazi, hierarkët e tjerë ishin skeptikë", saktëson Introvinji. Si për shembull, mareshalli Hermann Goering, asistent i Hitlerit, Martin Bormann dhe ministri i propagandës Joseph Goebbels. Në ditaret e tij ai shprehet kështu për Hess-in: "Një i luajtur si ai ishte zëvendësi i Fyhrerit. Letrat e tij janë të mbushura me teori magjish dhe të fshehtash që mezi përtypen". Për Goebbels, astrologjia dhe ceremonitë "gjermanike" ishin të vlefshme vetëm si propaganda.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers