Kurrikulumi i diktatorit sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore Stalini, një tru i kalibrit më të lartë ushtarak



Si lider i një diktature tejet të centralizuar, Josif Stalini luajti një rol qendror në çdo zonë të përpjekjes luftarake sovjetike gjatë Luftës së Madhe Patriotike (1941 - 1945). Megjithatë, ai mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ecurinë e luftës dhe rezultatin e saj. Në fund të luftës titanike ai e parakaloi veten si gjeneral dhe hero lufte. Megjithatë, e vërteta është deri diku e përzier. Për shembull, pse Stalini e lejoi veten që të "befasohej" nga Hitleri në qershor të 1941 kur qe e qartë, se cilat qenë planet gjermane? Pse lideri sovjetik vazhdoi me politika e dështuara ushtarake për kaq gjatë? Nga ana tjetër, cilat qenë vendimet e marra nga Stalini, sidomos pas vitit 1941, që e pilotuan Rusinë nga katastrofa në fitoren triumfuese?
Kolapsi i Bashkimit Sovjetik të vjetër në vitin 1991 i ka mundësuar historianët që të kenë akses në arkiva dhe t'u përgjigjen më mirë këtyre pyetjeve. Libri "Russia's Ëar" i Richard Overy, i botuar në vitet nëntëdhjetë, qe gur themeli. Libra të tjerë të shkruar më së vonshmi, si "Thunder in the East" i Evan Maëdseley dhe biografitë nga Simon Sebag Montefiore e Robert Service, na japin një kuptim më të madh të proceseve reale të mendimit të Stalinit dhe na mundëson që të vlerësojmë më qartë se pse u morën vendime të caktuara.
Periudha e paraLuftës
Elita sovjetike qe e fiksuar me idenë se, lufta me fuqitë kapitaliste qe e pashmangshme. Pjesërisht për këtë arsye, Stalini kish hyrë në kursin e një industrializimi të shpejtë nëpërmjet planeve 5-vjeçare të tij, kështu që në vitin 1941, ekonomia e Rusisë i rivalizonte lehtësisht fuqitë e tjera të Europës. Fatkeqësisht, e njëjta gjë nuk mund të thuhet lidhur me gatishmërinë ushtarake. Përgjegjësia për këtë qëndron mbi diktatorin sovjetik dyshues dhe hakmarrës. Spastrimet e komandantëve të ushtrisë dhe të forcës ajrore nga ana e tij në periudhën 1937 - 1938 patën efektin e minimit të moralit dhe paralizimit të iniciativës. Veç kësaj, forcat sovjetike qenë pak të përgatitura për luftë moderne. Atyre u mungonin radiot nëpër tanket dhe avionët e tyre për të koordinuar çdo sulm dhe kishte shumë pak mjete transporti për t'i transportuar trupat me shpejtësi. Kështu që, nevojitej kohë përpara se forcat sovjetike të ishin gati.
Me paktin nazisto - sovjetik të gushtit 1939, Stalini besonte se kish fituar hapësirë dhe kohë të çmuar. Ai shqiptoi me brutalitet: "Unë e di se çfarë ka ndërmend Hitleri. Ai mendon se ma ka futur, por aktualisht jam unë ai që ia kam futur atij". Kështu që, ai përfitoi nga kjo marrëveshje për t'i shtyrë më thellë nga Perëndimi kufijtë sovjetikë. Linja e vjetër mbrojtëse, linja Stalin, e cila shkonte përgjatë kufirit të mëparshëm sovjetik ishte braktisur (në linjë me idenë e "strategjisë ofensive") dhe spostuar në një kufi të ri. Por, plani shpejt filloi që të prishet kur Hitleri i likuidoi me shpejtësi kundërshtarët e tij në Perëndim dhe qe shpejt në gjendje që t'i vendoste ushtritë e tij drejt Lindjes. Në vitin 1941, pozicionet e avancuara sovjetike nuk qenë akoma gati dhe nuk kishte asnjë vijë të dytë për t'u mbështetur, teksa linja Stalin qe lënë në një gjendje të keqe. Megjithatë Stalini akoma shpresonte se, Hitleri do të vonohej. Sigurisht, Vermahti do të kërkonte më shumë kohë për t'i rritur forcat e tij dhe, në fund të fundit, Gjermania ishte akoma në luftë me Britaninë e Madhe. Por sulmi i Hitlerit ndodhi.
Siç sugjerohet nga Marshalli Georgi Zhukov, më i madhi i komandantëve të luftës sovjetike, lidershipi ushtarak i Stalinit mund të ndahet në tri faza. Faza e parë, fillon me shpërthimin e luftës dhe përfundon me përgatitjen për Stalingradin në shtator 1942. Faza e dytë, shkon deri në përfundim të Betejës së Kurskut në korrik 1943. Faza finale mbulon periudhën deri në mbarimin e luftës në maj 1945. Në këtë kohë, Stalini kishte dalë si një "komandant ushtarak i vërtetë". Nëpërmjet këtyre tri fazave në mund të kuptojmë sesi evoluoi ai si lider lufte.
Faza Një - Katastrofë
Gabimi i parë, pothuajse fatal i Stalinit qe, që nuk i lejoi forcat e tij të mobilizoheshin në kohë përpara sulmit të afërt nazist. Në Perëndim është besuar për një kohë të gjatë, se arsyeja kryesore për këtë qe mosgatishmëria e diktatorit sovjetik për të pranuar se qe mashtruar nga Hitleri. Të pranoje se gjermanët po ndërmerrnin një sulm tani do të nënkuptonte se e gjithë strategjia e tij e fitimit të kohës me paktin nazisto - sovjetik kish dështuar. Veç kësaj, ai padyshim që kuptoi se ushtritë e tij nuk qenë ende gati për një konflikt të shkallës së gjerë me Fyhrerin.
Megjithatë, kohët e fundit ka dalë në dritë informacion tjetër nga burimet. Ndoshta një faktor tjetër, që influencoi vendimmarrjen e Stalinit qe zgjedhja e momentit nga ana e nazistëve. Stalini mori informacione nga Britania, Japonia dhe vetë Ministria gjermane e Ajrit lidhur me datën e një sulmi të mundshëm. Të treja sugjeronin se, sulmi do të ndodhte gjysmën e dytë të qershorit. Megjithatë, më parë këto burime kishin sugjeruar majin si muajin e sulmit. Ata kishin të drejtë, por Hitleri e kish shtyrë sulmin minutën e fundit. Prandaj kur asgjë nuk ndodhi, Stalini qe skeptik rreth dobishmërisë së tyre. Në çdo rast, fundi i qershorit dukej si shumë vonë për një sulm ndaj Rusisë. Për më tepër, Stalini besonte se lidershipi nazist ishte i përçarë dhe se mobilizimi paraprak i forcave sovjetike mund ta shpërthente konfliktin. Mendime të tilla padyshim që peshuan rëndë në mendjen e tij.
Sulmi nazist filloi mëngjesin e 22 qershorit 1941. Urdhërat e vonuara të Stalinit për t'u mobilizuar nënkuptuan katastrofë për forcat sovjetike. Shumë njësi ushtarake nuk patën asnjë shans për të reaguar, u shpartalluan krejtësisht. Duke përdorur taktikat e tyre të blickrigut, forcat naziste shpejt qenë të afta që të shkaktonin të çara të mëdha në linjën e frontit sovjetik. Qe më e lehtë për gjermanët që të ecnin në sektorin qendror dhe verior, teksa Stalini gabimisht e kish vendosur pjesën më të madhe të forcave të tij në jug. Si rezultat, forcat gjermane qenë në gjendje të arrinin Minskun (300 milje brenda territorit sovjetik) brenda një jave. Vetëm në këtë zonë, pothuajse 340 000 trupa sovjetike u humbën brenda pak javësh. Veç kësaj, forca ajrore sovjetike pothuajse u asgjësua krejtësisht, me rreth 4000 avionë luftarakë të humbur në ditët e fillimit.
Reagimi i Stalinit nuk qe kolaps psikologjik. Përkundrazi, ai qëndroi në detyrë me një ditar të plotë. Vetëm për disa ditë në fund të qershorit, ai u tërhoq i dëshpëruar. Por shpejt e mori veten dhe mori në dorë situatën. Ai bëri një fjalim mobilizues të rëndësishëm për kombin me 1 korrik. Më 12 korrik, ai rikrijoi Stavkan dhe e bëri veten Komandant Suprem. Në një moment kritik, ai e tregoi veten të vendosur dhe energjik.
Fatkeqësisht, idetë e Stalinit lidhur me faktin se si të drejtonte luftën bazoheshin në ato çka ai kish përjetuar në Luftën Civile ruse të periudhës 1918 - 1921 dhe që kish rezultuar e suksesshme në atë kohë. Kjo nënkuptonte se do të kishte disiplinë të rreptë, kontroll politik të fortë dhe një strategji ofensive konstante e mbështetur kjo nga zelli revolucionar i supozuar. Përkrah kësaj qe zhvilluar politika e "mostërheqjes" dhe e "qëndrimit fort". Megjithatë, kjo rezultoi të ishte një strategji difektoze përpara blickrigut nazist, i cili përmbante lëvizje të mëdha rrethuese thellë prapa linjave të armikut. Sipas Marshallit Zhukov, diktatori kish pak dijeni për kërkesat e luftës moderne. Kontrolli me dorë të hekurt e të gjitha lëvizjeve të ushtrisë nga ana e Stalinit u mohonte çdo fleksibilitet komandantëve të tij. Katastrofat qenë pothuajse të pashmangshme.
Shpejt u bë e qartë sesi lideri sovjetik synonte të ruante kontrollin dhe disiplinën. Në korrik komisarët politikë, ose të quajtur politruki, u rivendosën në çdo njësi ushtarake me detyrën e mbajtjes të një syri vigjilent ndaj të gjithë oficerëve komandues dhe njerëzve të tyre. Komandantët që supozoheshin se kishin dështuar u përballën me egërsimin e tërbuar të diktatorit. Për shembull, Gjenerali D. Pavlov dhe shumica e shtabit të tij u akuzuan për katastrofën në Minsk dhe u pushkatuan. Fatkeqësisht e gjitha kjo pati një efekt asfiksues ndaj iniciativës. Veç kësaj, në muajin gusht Dekreti Nr.270 urdhëronte që familjet e atyre që dorëzoheshin do të arrestoheshin dhe burgoseshin. Askush nuk ishte i përjashtuar. Dorëzimi i djalit të Stalinit, Jakovit, nënkuptoi që vetë e reja e diktatorit të kalojë 2 vite në një kamp burgu sovjetik. Frika, asgjë tjetër, do t'i mbante këto forca duke luftuar.
Në mënyrë arrogante Stalini vazhdonte me këtë strategji të plotë sulmuese. Në gusht, Hitleri urdhëroi Gruparmatën e Qendrës që të kthehej drejt jugut dhe të kapte në darë pjesën më të madhe të forcave ruse në jug. Zhukovi, vetë një anëtar i Stavkas, këshilloi një tërheqje strategjike dhe braktisjen e kryeqytetit ukrainas, Kievit, por Stalini në fakt derdhi më tej forca të rezervës. Rezultati qe një katastrofë me përmasa epike. Në një fushatë të shkurtër, qeveria sovjetike humbi tani rreth 500 000 trupa.
Situata në veri nuk qe më e mirë, teksa Leningradi rrethohej dhe vihej plotësisht nën rrethim në muajin shtator. Shpejt do të ishte radha e Moskës. Stalini thirri ushtritë e tij të fundit rezervë dhe Milicinë Popullore për të bërë një mbrojtje të fundit në frontin e kryeqytetit. Megjithatë, humbjet e mëtejshme sovjetike vazhduan. Rruga drejt Moskës dukej e hapur. Por, dimri rus kishte ardhur herët dhe nga fundi i nëntorit avancimi nazist kishte ngecur në rrethinat e kryeqytetit. Pas disa lëkundjesh, Stalini e tregoi kurajën e tij, duke qëndruar në Moskë në vend që të largohej. Për momentin, situata qe stabilizuar. Në të vërtetë, kjo qe një pikë vendimtare kthese në luftë. Paaftësia e Hitlerit për ta marrë Moskën nënkuptonte që, Blickrigu kish dështuar: lufta do të ishte tani një luftë cfilitjeje.
Për Stalinin këto muaj qenë kritikë. Ai e kish dërguar Zhukovin në nëntor të 1941 fillimisht në Leningrad për të ngritur mbrojtjen atje dhe më pas, në dhjetor, e kish urdhëruar atë që të shpëtonte Moskën. Menjëherë më pas, me forcat e freskëta siberiane, komandanti sovjetik kundërsulmoi dhe i detyroi gjermanët që të zmbrapseshin me 100 milje. Kjo tregonte thjesht faktin se çfarë mund të bënin gjeneralët sovjetikë nëqoftëse u lejohej pak fleksibilitet.
Megjithatë, kjo fitore përpara Moskës nuk lajmëroi një kthesë të përgjithshme të rrjedhës së ngjarjes. Në mënyrë të vendosur, Stalini ruajti kontrollin e përgjithshëm dhe përpjekja e tij ambicioze për t'i s'mbrapsur gjermanët në të gjithë linjën e frontit çoi në humbje të mëtejshme. Në pranverën e 1942 gjermanët iniciuan një tjetër ofensivë të madhe. Ajo nuk qe ndaj Moskës, siç pritej, por në jug dhe drejt Kaukazit. Sërish lideri sovjetik spostoi me nxitim forca pa u dhënë komandantëve të tyre fleksibilitet të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e situatës. Një preokupim i mëtejshëm qe që trupat sovjetike qenë bërë rrezikshëm të demoralizuar prej humbjeve konstante dhe nuk po luftonin kushedi se çfarë. Pavarësisht dekretit të Stalit "Asnjë hap prapa!" në muajin korrik, avancimi gjerman dukej i pandalshëm. Rezultati qe në shtator 1942 forcat e Hitlerit kishin arritur malet Kaukaz dhe ndodheshin në rrethinat e Stalingradit.
Faza Dy - Kundërsulmi sovjetik
Nga fundi i gushtit 1942, Stalini më së fundi kuptoi se të vazhduarit me sistemin aktual të komandimit të tij po sillte katastrofë. Kështu që, ai emëroi Zhukovin si zëvendësin e tij dhe lejoi që Stavka, i së cilës diktatori ishte pjesë, do të binin dakord sëbashku lidhur me strategjinë. Shpejt emëroi edhe dy gjeneralë të tjerë me aftësi të jashtëzakonshme në Stavka. Ata qenë Aleksandër Vasilevskij si Shef i Shtabit të tij dhe Aleksei Antonov si Shef i Operacioneve të tij. Vendimmarrja do të bëhej në një bazë më kolegjiale dhe mosmarrëveshjet me diktatorin do të toleroheshin. Kjo metodë e re shpejt i dha frytet e saj në një kthesë dramatike në luftë.
Pse kish vazhduar kaq gjatë Stalini me strategjinë e tij të dështuar? Arsyeja kryesore padyshim qe, që ai nuk ishte në kontakt me luftën moderne, por pozicioni i tij i mëparshëm gjithashtu i ishte përshtatur sistemit të tij të sundimit. Krenaria dhe arroganca qenë gjithashtu arsye themelore: të ndryshoje politikë do të thoje të humbisje fytyrën, nevojën e ndarjes së pushtetit me gjeneralët e tij. Gjithashtu, Stalini besonte se, sulmi konstant do t'i dobësonte forcat gjermane në një luftë cfilitjeje, të cilën vetëm sovjetikët mund ta fitonin. Ndoshta kishte të drejtë në këtë supozim, megjithëse qe një pikëpamje e rrezikshme, duke pasur parasysh shkallën e madhe të humbjeve sovjetike deri në atë moment.
Në shtator 1942, Stalini propozoi ofensivën e tij të menjëhershme të zakonshme me trupa të freskëta rezervë në Stalingrad. Zhukovi dhe Vasilevskij mërmëritën diçka rreth nevojës për "një zgjidhje tjetër", ndaj së cilës Stalini në mënyrë të famshme u kthye dhe pyeti "Çfarë zgjidhjeje tjetër?". Ky ndryshim në stil qe themelor. Në vend që të sulmonte, ekipi i tij vendosi që t'i linte gjermanët ta vazhdonin avancimin e tyre. Ushtri të reja sovjetike do të krijoheshin, të stërvitura imtësisht dhe të përgatitura, por të mbajtura në rezervë deri kur të vinte momenti i përshtatshëm të vinte për një kundërgoditje madhështore. Ky qe Blickrigu për sëprapthi.
Humbja rezultuese e forcave gjermane në Stalingrad qe një pikë kthese vendimtare në luftë. Zhukovi i përgatiti forcat e tij për 45 ditë përpara se të lëshonte dy lëvizje të forta anësore, të cilat kapën 330 000 forca gjermane brenda në qytet. Në janar 1943, komandanti i pashpresë gjerman, Von Paulus, më së fundi u dorëzua. Kjo qe një goditje katastrofike pë Rajhun e Tretë. Stalini e festoi këtë, duke e bërë veten Marshall të Bashkimit Sovjetik. Ai e veshi këtë uniformë të re deri në mbarim të luftës. Strategjia e re po funksiononte.
Përpjekjet e mëtejshme të Stavkas për të kapur më shumë ushtri gjermane tani kryesisht dështoi. Nuk pati asnjë depërtim domethënës. Kështu, në prill Stalini kërkoi të këshillohej me ekipin e tij për të vendosur ecurinë e mëtejshme. Stava e dinte se, gjermanët do të ndërmerrnin një sulm të koncertuar ndaj forcave ruse rreth Kurskut. Stalini donte të ndërmerrte një ofensivë parandaluese menjëherë, Zhukovi dhe gjeneralët e tjerë nuk qenë dakord. Ata dolën me një qëndrim të ndryshëm. Nuk do të kishte asnjë ofensivë, por forcat sovjetike do të prisnin dhe adoptonin një politikë "mbrojtjeje në thellësi". Ushtria ruse do ta absorbonte sulmin dhe, me forcat e mbajtura rezervë, do të lëshonte një kundërsulm masiv. Stalini i ri e pranoi këshillën. Rezultati qe që lideri sovjetik shmangu një humbje tjetër të mundshme.
Sulmi i shumëpritur gjerman erdhi në korrik 1943. Duke e pritur atë, qenë 8 linja të përpunuara rrjetesh mbrojtëse që shtriheshin për 150 milje. Hitleri i lëshoi forcat e tij kundër qafës së forcave, duke sulmuar nga Veriu dhe Jugu. Pavarësisht dislokimit të trupave SS më të mira, ashtu dhe të tankeve të rinj të rëndë Tiger, sulmi shpejt u dobësua. Brenda një periudhe dyjavore beteja e madhe kish përfunduar dhe forcat naziste u detyruan që të tërhiqen. Për Stalinin, kjo fitore e mëtejshme nënkuptonte se vetëm brenda 6 muajve ai kish arritur një kthesë vendimtare në luftë. E gjitha kjo që padyshim për shkak të strategjisë së tij të re vendimmarrëse.
Megjithatë, ndryshimet nuk po ndodhnin vetëm në krye. Me këmbënguljen e Stalinit, politruki-ve (komisarëve politikë) të urryer ju reduktuan pushtetet në vjeshtën e 1942. Gjithashtu, komandantët nuk ekzekutoheshin më për dështime. Më së fundi, ai kuptoi nevojën për një pavarësi dhe fleksibilitet më të madh për oficerët e tij komandues.
Stalini kreu ndryshime të plota për t'u bërë në të gjitha forcat e armatosura sovjetike pas 1941. Organizimi i ushtrisë u ndryshua krejtësisht. Në imitim të gjermanëve, ushtria tani bazohej mbi idenë e korpuseve tankiste që lëviznin me shpejtësi sëbashku me korpuset e reja të mekanizuara që përmbanin artileri lëvizëse. Edhe forca ajrore u riorganizua për t'i lejuar vetes që t'i koncentronte njësitë e saj për mbështetje të afërt të ofensivave të mëdha. Rezultati qe që forcat sovjetike tani qenë të afta të mateshin me Vermahtin në fushën e betejës.
Faza tre - Fitore sovjetike
Në këtë fazë finale nga korriku July 1943 deri në fitoren finale në maj 1945, sipas Zhukovit, Stalini u maturua dhe evoluoi në diçka që i afrohej "një komandanti ushtarak të vërtetë". Megjithëse në përgjithësi ai akoma ndante vendimet politike strategjike, kuptimi i tij personal i operacioneve të kombinuara ushtarake dhe i teknologjisë moderne ushtarake ishte rritur dhe nënkuptonte se ishte shfaqur vërtet si një "komandant i përgjithshëm i vlefshëm".
Kundërsulmi i planifikuar i Stavka pas tërheqjes së Hitlerit në Kursk shkaktoi një vrimë të thellë në frontin qendror gjerman. Sulme të tjera të koordinuar pasuan. Në shtator 1943, lideri sovjetik po sugjeronte gjithë gëzim se lufta mund të përfundonte brenda pak muajsh. Por gjermanët sërish ia dolën ta stabilizojnë frontin e tyre dhe t'i lejoje ata që të nguleshin mund të kishte pasoja serioze. Ushtritë më të mirëpajisura dhe më mirë të organizuara sovjetike tani qenë në gjendje të kryenin një seri të mëtejshme ofensivash të mirëpërgatitura dhe t'i s'mbrapsnin gjermanët. Në nëntor 1943, Kievi, kryeqyteti ukrainas, ishte çliruar dhe shpejt fitore të reja pasuan.
Fillimi i 1944 pa të parën e "10 goditjeve vdekjeprurëse" të Stalinit të atij viti. Parasëgjithash, në janar Leningradi u çlirua nga rrethimi nazist i tij. Në maj Zhukovi filloi Operacionin spektakolar Bagration. Gruparmata gjermane e Qendrës qe kapur krejtësisht në befasi kur njësitë sovjetike shpërthyen nëpër moçalishtet e Pripetit. Avancimi u bë i shpejtë dhe nga fundi i shtatorit tripat sovjetike kishin hyrë në shtetet balltike, në Poloni dhe në Rumani. Roli i Stalinit në të gjithë këto kish qenë qendror. Sipas Vasilevskijt, ai ishte në vitet më të mira dhe ishte bërë një "koordinator ushtarak efektiv".
Diktatori sovjetik tani ndjehej aq i sigurtë në aftësitë e tij ushtarake sa që mori vetë kontrollin e teatrit qendor të operacioneve. Gjithashtu, teksa forcat sovjetike i afroheshin Berlinit, Stalini mund të ketë pasur frikë se mos komandantët ushtarakë ia rrëmbenin atij të gjithë lavdinë. Ai i nxiti komandantët e tij që të ecnin akoma më shpejt drejt objektivit të tyre përfundimtar të kryeqytetit gjerman. Ndoshta i preokupuar se mos aleatët perëndimorë mund të arrinin atje të parët, ai e ktheu marrjen e Berlinit në një garë midis gjeneralëve Zhukov dhe Koniev. E gjithë fushata u nxitua e u improvizua dhe rezultoi në humbje të mëdha në jetë njerëzish, por ky nuk kish qenë asnjëherë preokupim për diktatorin sovjetik. Më 2 maj 1945, forcat gjermane në kryeqytetin nazist u dorëzuan.
Një Stalin i lodhur u argëtua në rolin e tij si fitimtar dhe e emëroi veten Gjeneralisim, megjithëse ankohej se kjo uniformë e bardhë e bënte atë të dukej si "kamerier hoteli"! Megjithatë, e vërteta prapa fitores nuk qëndron vetëm me strategjinë ushtarake.
Luftë totale
Për Stalinin forcat ekonomike kishin qenë po aq të rëndësishme se ato ushtarake. Gjatë Luftës Civile, ai kishte parë sesi e gjithë shoqëria ishte mobilizuar për konfliktin dhe sesi mjetet e prodhimit qenë përfshirë tërësisht për këtë qëllim. Dy ditë pas sulmit gjerman, në qershor 1941 u dha udhëri për transportimin e një numri të madh fabrikash, makinerish dhe fuqie punëtore përtej Maleve Urale. Eventualisht rreth 25 milionë punëtorë dhe familjet e tyre lëvizën drejt Lindjes. Si rezultat, në gjysmën e dytë të 1942, ekonomia sovjetike që e aftë që ta tejkalonte prodhimin gjerman në artileri, tanke dhe avionë në një masë 2 apo nganjëherë dhe 3 me 1. Bashkimi Sovjetik qe bërë një ekonomi lufte e suksesshme. Kjo shpjegon në një masë të mirë kthesën e fatit sovjetik.
Stalini nuk la gurë pa lëvizur me qëllim që të mobilizonte popullsinë. Ai qe në gjendje të përdorte të gjithë shoqërinë urbane për përpjekjen luftarake. U rekrutuan të gjithë meshkujt nga mosha 16 deri në 55 vjeç. Gratë u çuan nëpër fabrikat e luftës dhe në bujqësi. Punëtorët e gulagëve, të cilët qenë të paktën 2 milionë, dhanë një kontribut të rëndësishëm në prodhim.
Diktatori sovjetik qe dinak në shfrytëzimin e aleatëve të rinj perëndimore për përpjekjen luftarake. Sipas skemës Lend-Lease, Amerika dhe Britania ranë dakord që të furnizonin sasira të mëdha mallrash jetike. Më të rëndësishmet e tyre qenë pajisjet komunikuese (350 000 aparatura radio ju dërguan Rusisë), karburanti, kamiona (200 000 kamionë ushtarakë Studebaker) dhe pajisje hekurudhash. Të gjitha këto bënë një diferencë jetike dhe u lejuan ushtrive sovjetike që t'i koordinonin përpjekjet dhe ta realizonin strategjinë e tyre konstante "ofensive të thellë" nga Stalingradi e prapa.
Si lider lufte, Stalinit ju desh të punonte diplomatikisht me këta aleatë të rinj. Në Teheran, në nëntor 1943 dhe në Jaltë në shkurt 1945, në mënyrë oportuniste ai shfrytëzoi ndarjet midis Çërçillit e Ruzveltit, dhe idealizmin naiv të këtij të fundit. Kështu, ai shmangu një çarje të hapur kur forcat sovjetike pushtuan Europën Lindore dhe siguruan qëllimin e tij kryesor për sigurinë sovjetike. Në fund ai lëshoi pak, por fitoi goxha shumë. Në këtë zonë diktatori qe madhërisht i suksesshëm.
Konkluzion
Stalini qe në të vërtetë vendimtar në fitoren e luftës për Bashkimin Sovjetik. Ai pati një rol vendimtar në qendrën që koordinonte strategjinë ushtarake dhe ekonomike. Nëpërmjet dorës së hekurt ndaj qeverisë, aparatit partiak dhe ekonomisë, ai qe në gjendje të shmangte kolapsin dhe ta kthente humbjen në triumf. Ai nuk kishte iluzionet lidhur me atë që do t'i kërkohej për të mbijetuar në luftën moderne. Lufta totale qe një koncept që ai e kish mësuar në vitet e para të pushtetit sovjetik nën Leninin. Diplomati amerikan, Averill Harriman, mendonte Stalinin si "më efektivin e liderëve të luftës".
Si komandant suprem ushtarak, ai qe fleksibël dhe i aftë që t'u përshtatej rrethanave. Ai ndërtoi një ekip jashtëzakonisht cilësor në Stavka dhe e përdori atë për ta ndihmuar që të fitonte luftën. Ai mësoi prej tyre dhe u zhvillua vetë si komandant. Në Teheran, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Perandorak, Gjenerali Sër Alan Brooke, u impresionua dhe mendonte se Stalini kishte një "tru të kalibrit më të lartë ushtarak".
Megjithatë, trashëgimia e Stalinit qe larg nga të qenit heroike. Vetëmashtrimi i tij përsa i përket kohës së sulmit nazist pothuajse rezultoi në humbje katastrofike. Menaxhimi inkompetent i forcave sovjetike nga ana e tij në 14 muajt e parë të luftës pati pasoja tragjike. E gjitha kjo nënkuptonte se, humbjet qenë shumë më të rënda nga sa mund të kishin qenë. Një Stalin i lehtësuar mundi t'i shijonte festimet e fitores së tij, por 27 milionë sovjetikë të vdekur gjatë luftës jo.
Clive Pearson është lektor Historie në Gloucestershire College near Cheltenham dhe Course Leader për Departamentin e Historisë.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Google+ Followers