Konspiracioni i Jonestown: 913 persona kryejnë vetvrasje në grup



Më 18 nëntor 1978, në një zonë të banuar të xhunglës Guyanese, prifti Jim Jones urdhëroi 913 pjesëtarët e kultit të tij religjioz që të vrisin veten duke pirë helm dhe kështu bënë. Por çfarë konspiracioni fshihet pas?
Kultistët kishin pësuar lavazh truri nga megalomaniaku Jones, i cili e kishte emërtuar fshatin e tyre në xhungël si vetja e tij dhe i mbante ndjekësit e tij si skllevër, për të mos thënë zombi. Edhe Jones vetë u gjend i vdekur. Ai kishte qëlluar veten me pistoletë ose ndoshta dikush tjetër e kishte vrarë. Me nofulla katrore, flokë sterrë të zinj dhe syze të errëta dielli që e bënin të dukej si një agjent sekret që pinte ilaçe antipsiqike, Jones zë vend përkrah Charles Manson në ikonografnë amerikane të demonëve.
Por, a ishte Jones me të vërtetë një njeri i vetmuar dhe i çmendur për të cilët amerika është aq e famshme? A mund të jetë bindës fakti që mbi nëntëqind persona morën jetën e tyre me dëshirë vetëm sepse ai i kishte këshilluar kështu? Mos ndoshta ka ndonjë shpjegim tjetër për këtë mister?
Jo shumë larg nga masakra e madhe në Jonestown (fshati i Jones, siç e kishte quajtur prifti i çmendur), filluan menjëherë pëshpëritjet dhe aludime të çuditshme për disa eksperimente njerëzore në kontrollin e mendjes, madje edhe genocig, dhe një prezencë e çuditshme e CIA-s në të. Këto histori sugjeronin se të paktën qeveria e Shteteve të Bashkuara mund ta kishte parandaluar masakrën Jonestown, por nuk bëri asgjë. Thashethemet më të guximshme dhe ndoshta të ekzagjeruara tregonin se Jonestown ishte një kamp përqendrimi i CIA-s i ndërtuar si një bazë sekrete, ky qeveria sekrete tentonte të riprogramonte psiqikën amerikane. Gjithashtu, ka patur sugjerime të "Jonestown" të tjerë paralele dhe se konspiracioni nuk përfundoi me vdekjet në Guyana.
Jim Jones lindi më 13 maj 1931, biri i një anëtari të Ku Kluks Klan-it në Lynn, Indiana. Mamaja e tij, siç pretendonte Jones, ishte Indiane Cherokee, por ky fakt nuk është verifikuar kurrë. Si një fëmijë i pakontrolluar dhe paedukuar mirë, Jones filloi të mahnitej pas punëve të kishës që në moshë të vogël. Në vitin 1963 ai kishte arritur të krijonte kongregacionin e tij në Indianapolis: Tempulli i Njerëzve të Ungjillit të Kishës. Ishte një kongregacion interracial, diçka e padëgjuar më parë në Indiana në atë kohë. Jim Jones bënte pareshtur fushata në interes të njerëzve me ngjyrë. Gjithashtu, thuhet se ai vuante nga magji të çuditshme që e bënin t'i bienin të fikët shumë shpesh, merrte këshilla nga krijesa jashtëtokësore, praktikonte shërim me anë të besimit dhe kishte përjetuar shpesh vizione dhe ndjesi të një holokausti nuklear.
I bindur se Dita e Betejës së Fundit ishte shumë afër, se vetë Indianapolis ishte një shënjestër e sulmeve, Jones kërkonte udhëheqje. Atë duket se e gjeti në janar të vitit 1962 në një çështje të gazetës Esquire. Një artikull disi ironik, përshkruante nëntë vendet më të sigurta në botë për t'u larguar nga stresi dhe ankthi i një konfrontimi nuklear. Një nga këto nëntë streha ishte Brazili. Aludimet për lidhjen e Jones me CIA-n nisin pikërisht aty.
Sipas një artikulli në "San Jose Mercury News", fqinjët e Jones në Belo Horizonte, Brazil (ku ai jetoi para se të shpërngulej për në Rio De Janeiro), tregonin se ai hiqej si një marins në pension, i cili "merrte një pagesë mujore nga qeveria e Shteteve të Bashkuara". Ata gjithashtu mbanin mënd se Jones, i cili më pas pretendonte se ishte detyruar të punonte si zhigolo për të mbajtur familjen, jetonte si një njeri i pasur. "Disa njerëz këtu besonin se ishte një agjent amerikan i CIA-s", raportoi një fqinj.
Në kundërshtim me raportimet e kryera nga fqinjët e Jones, biografi i tij Tim Reiterman thotë se familja e tij jetonte në Brazil, në mënyrë mjaft të thjeshtë dhe modeste duke mbijetuar me oriz dhe bizele. Kur Jones u kthye ne Shtetet e Bashkuara, pas vrasjes së Presidentit Kennedy, ai u tha ndjekësve të tij se e kishte kaluar kohën në Brazil duke ndihmuar jetimët. Më pas e shpërnguli kishën e tij në Ukiah, Kaliforni dhe më pas në San Francisco ku u kthye në një fondacion i drejtuar nga politikanët lokalë.
Para se Jones të arrinte në Brazil, kishte bërë një ndalesë në in Georgetown, Guyana. Edhe pse ndalesa e tij kishte qenë mjaft e shkurtër, arriti të fitonte vend në mediat lokale duke akuzuar kishën se përhapte komunizëm. Sipas Reiterman, dukej se ishte një tentativë e kalkuluar mirë për t'u bërë i njohur si antikomunist.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ai i torturonte anëtarët e sektit të tij me premtime se do ta zhvendoste Tempullin e Njerëzve nga Guyana në Bashkimin Sovjetik. Në librin e vitit 1979, një ish-përkrahës fanatik i Jones, Phil Kerns (nëna e të cilit vdiq në masakrën masive), ngriti hipotezën e një konspiracioni nga ana e sovjetikëve në Jonestown.
"Jones ka qenë një marksist i betuar", shkroi Kerns, "i cili ka patur kontakte të vazhdueshme me oficerë të qeverisë kubane dhe sovjetike gjithashtu". Ndërmjet të tjerave, Kerns shkruan se pak para masakrës së Jonestown, dy persona të Tempullit të Njerëzve dhuruan 500.000 dollarë të parave të sektit tek ambasada sovjetike.
Përfaqësuesit e Jones në fakt, janë takuar shpesh me zyrtarët sovjetikë, aq shpesh sa që u kthyen në një barsaletë që qarkullonte në rrethin diplomatik të Guyana-s. Jones u kishte thënë ndjekësve të tij nga ana tjetër se CIA kishte "infiltruar" grupin e Jonestown për një mision sekret.
Më pas sigurisht të gjitha thashethemet të çonin në dyshimin se masakra e Jonestown ishte një makinacion i CIA-s. Gjithsesi, qëndrimi jo serioz i Tempullit me sovjetikët, është një tjetër fakt që të çon drejt lidhjes së kultit me Agjencinë. Reiterman, një skeptik i teorive konspirative, cilëson se "prezenca e CIA-s në Guyana-n socialiste mund të merrej me mend". Ata me siguri mund të kenë shfaqur interes ndaj kontakteve të tempullit me sovjetikët.
Por, pse interesohej me të vërtetë Jones për sovjetikët? Ai ndoshta mund ta ketë ditur se ëndrra e tij profetike rreth shpërnguljes së tempullit drejt Bashkimit Sovjetik, ishte vetëm aq, një ëndërr. Më pas u kthye menjëherë në favor të vetvrasjes në masë. Një ndjekës i Jones e pyeti atë përpara vetvrasjes nëse ishte e mundur që ta harronin të gjithë planin dhe të arratiseshin për në Rusi, por Jones i tha se nuk ishte e mundur. Nëse CIA ishte ajo që kishte infiltruar tempullin ose nëse tempulli ishte madje vetëm një pjesë e një operacioni të saj, strehimi i pjesëtarëve të kultit në ambasadën sovjetike do të kishte patur një qëllim akoma më shumë pragmatik.
CIA ishte e para që "mori vesh" lajmin e Jonestoën dhe raportoi vetvrasjet në masë. Vetvrasjet u pasuan nga një sulm i urdhëruar nga Jones, drejt një partie të udhëhequr nga Kongresmeni Leo Ryan në Guyana për të investiguar abuzimet e aluduara ndaj të drejtave të njeriut në Jonestown. Njerëzit e urdhëruar për të qëlluar me armë zjarri sulmuan partinë e Ryan në pistën e fluturimit Kaituma teksa ishte gati të nisej. Katër persona mbetën të vdekur. Shumë të tjerë u plagosën duke përfshirë këtu edhe Reiterman, i cili në atë kohë ishte reporter i San Francisco Examiner. Ndër të plagosurit ishte gjithashtu edhe zyrtari i ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Richard Dwyer.
I plagosur, por në gjendje të mirë
A u kthye Richard Dwyer për në Jonestown pas sulmit në pistën e fluturimit? A ishte ai prezent gjatë masakrës? Sipas raportimeve të regjistruara në një kasetë audio në kohën kur filloi sulmi, dëgjohet vetë zëri i Jones, i cili urdhëron, "Nxirreni Dwyerin që aty!" Reiterman mendon se ky ishte një "gabim fatal" nga ana e Jones, pasi Dwyer nuk duhej të ishte pjesë e njerëzve të plagosur. Edhe pse e vërteta ka mbetur në hije, implikimet e tij në këtë çështje janë të çuditshme dhe misterioze.
Dwyer ishte një agjent i CIA-s
Nga ana e tij, Dwyer as nuk e konfirmon por as nuk e mohon se ka qenë një agjent i CIA-s, por në vitin 1968 ai është identifikuar si personazh i një botimi "Kush është kush në CIA". Një muaj pas masakrës, gazeta e zonës së bregdetit, San Meteo Times (gazetë e vendlindjes së Leo Ryan), raportoi se zyrtarët e Departamentit të Shtetit kishin bërë me dije se agjenti i CIA-s ishte dërguar menjëherë për në Jonestown gjatë sulmit në pistën e fluturimit të partisë së Ryan. Dwyer mohoi shkrimin e gazetës, duke thënë se nuk ka qenë atje në atë kohë. Sipas një raporti, ndalesa tjetër e Dwyer-it pas Guyana ishte Grenada.
Megjithatë, Dwyer nuk ka qenë i vetmi karakter i lidhur me misionin eventual të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Guyana. Vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, John Burke, më pas shkoi të punonte për stafin e komunitetit të inteligjencës të CIA-s. Richard McCoy, një tjetër zyrtar i ambasadës, ka bërë me dije punët e tij për kundërinteligjencës së Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Qeveria socialiste e Guyana-s ka tërhequr për vite me radhë vëmendjen e shërbimit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara. Nëse atje ka patur operacione të fshehta, asnjeri nuk ka pse të çuditet.
Ndihmësi i Leo Ryan, Joseph Holsinger kishte frikë se CIA mund të ishte duke kryer një operacion sekret aq të keq saqë mund të shokonte edhe gardianët më të stërvitur të CIA-s. Në vitin 1980, Holsinger i cili e kishte zbuluar tashmë prezencën e Dwyer-it në Jonestown, mori një tezë të dërguar nga një profesor i U.C. Berkeley. I quajtur "Colonia Penale", teza shpjegonte me detaje të imtësishme se si programi i kontrollit të mendjes së CIA-s, i quajtur MK-ULTRA, nuk kishte përfunduar në vitin 1973, ashtu si CIA kishte raportuar në Kongres. Në të kundërt, raportonte teza, thjesht ishte transferuar jashtë spitaleve publike dhe burgjeve, drejt kufijve të izoluara dhe të sigurta të kulteve religjioze. Holsinger besonte se Jonestown ishte pikërisht një nga këto kulte.
Në vendin e vetrasjeve masive janë gjetur në fakt një sasi shumë e madhe ilaçesh psikoaktive të kontrollit të mendjes. Larry Layton, zëvendësi i Jones, i cili ishte pjesë e skuadrës së sulmit në pistën e fluturimit dhe në një farë mënyre i kishte shpëtuar masakrës Jonestown, u bë i akuzuari i vetëm për vrasjet masive. Nga mënyra se si përshkruhej ai, dukej se ishte duke u zhytur në një "gjendje ekstaze posthipnotike", ndërkohë që zhytej edhe më thellë në magjinë e Jones. Vetë babai i Layton-it, e quante atë "robot". Sipas raporteve, kunati i tij, i cili kishte përpiluar kontratën e qirasë së fshatit të ashtuquajtur Jonestown me qeverinë e Guyana-s, ishte një mercenar i rebelëve të UNITA-s në Angola që mbështetej nga CIA. Babai i Layton-it, sipas Holsinger, ishte një biokimist përgjegjës për luftën kimike në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara në DGP-në (Dugway Proving Ground) e Utah-ut.
Vetë Jones, i cili hiqej si një simpatizant i Bashkimit Sovjetik, ka qenë dikur një mbledhës fondesh për Richard Nixon dhe gjatë të njëjtës periudhë kohe, Jones e deklaroi veten një rimishërim i Jezu Krishtit dhe Leninit në të njëjtën kohë.
Më pas u grit një problem i ri, ai i trupave. Numërimi i trupave të Jonestown zbriti deri në rreth katërqind brenda dy ditëve pas vetvrasjeve duke ngritur kështu spekullime se personat që kishin arritur të arratiseshin ishin ndjekur nga pas dhe ishin vrarë. Në çdo rast, mjeku ligjor i Guyana-s, Leslie Mootoo, dëshmoi se të paktën shtatëqind nga trupat e të vdekurve dukeshin se ishin vrarë me dhunë dhe nuk bëhej fjalë absolutisht për vetvrasje.
"Unë besoj se është e mundshme që Jonestown të ketë qenë një eksperimet mizor për kontrollin e mendjes", tha Holsinger gjatë një konference në vitin 1980. "Vizita zyrtare e Leo Ryan ndoshta ka penetruar në maskimin e tyre dhe mund të përbënte rrezik për ekspozimin e operacionit sekret. Qeveria ose agjenti i saj CIA, e kanë vlerësuar si të domosdoshme, shfarosjen e më shumë se nëntëqind qytetarëve amerikanë për të mbrojtur sekretin e operacionit".
"Operacioni", nëse ka patur një të tillë, pasi në këtë çështje kemi të bëjmë vetëm me aludime dhe spekulacione, mund të ketë vazhduar më tej edhe pas vetvrasjeve masive. Vite më vonë dihet se janë bërë disa përpjekje për të ripopulluar Jonstown me refugjatë domenikanë dhe indokinezë, të mbështetura këto nga organizata e Billy Graham. Gjithashtu, ka patur edhe një kult të ngjashëm me atë të Jonestown në Guyana në kohën kur Jones ishte ende aktiv në misionin e tij mizor. David Hill, një "Rabin" sipas mënyrës së tij, së bashku me tetë mijë ndjekësit e tij, kishte krijuar një kult që njihej me emrin "Kombi i Izraelit". David Hill ishte aq i plotfuqishëm saqë arriti të fitonte nofkën "zëvendëskryeministër" gjatë udhëtimeve të tij nëpër të gjithë vendin.
Një shënim tjetër mjaft i çuditshëm: Një memorandum i cili me sa thuhet ka kaluar nga Jones tek avokati i Tempullit të Njerëzve, Mark Lane, i cili gjithashtu i ka shpëtuar masakrës, tregonte ata të dy që planifikonin zhvendosjen e Grace Walden në Jonstown. Walden ka qenë një dëshmitar kyç në vrasjen e Martin Luther King Jr. Më pas Lane rihapi çështjen e vrasjes së Martin Luther King Jr. duke përfaqësuar vetë të akuzuarin kryesor të vrasjes së tij, James Earl Ray. Kur memoradumi doli në pah, Lane mohoi se kishte biseduar me njëri lëvizjen e Walden për të zgjidhur çështjen e vrasjes. Ai gjithashtu pretendoi se memorandumi ishte një pjesë e një misioni sekret të inteligjencës ushtarake rreth vrasjes së King, ndoshta në tentativë për të diskredituar emrin e tij dhe nëpërmjet tij edhe emrin e Walden.
Shumica e anëtarëve të Tempullit të Njerëzve pa përfshirë këtu drejtuesit, ishin të gjithë njerëz me ngjyrë. Në të njëjtën kohë, shumica e lidershipit ishin të bardhë. Joyce Shaw, një ish-pjesëtar i Tempullit, dikur kishte spekuluar se historia e vetvrasjeve në masë ishte një maskim për "një lloj eksperimenti të tmerrshëm, ose të një plani të neveritshëm racist…një plan si ai i gjermanëve nazistë për të shfarrosur njerëzit me ngjyrë".
Në vitin 1980, Komiteti i përhershëm i Shtëpisë së Bardhë për Shërbimet e Inteligjencës deklaroi se nuk kishte asnjë provë që të mund të inkriminonte ose të përfshinte Agjencinë Qendrore të Inteligjencës me masakrën e Jonestown.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers