Kleopatra dhe Mark Antoni, në kërkim të provave të dashurisë legjendare



Arkeologët do të nisin gërmimin në tre zona të Egjiptit pranë Detit Mesdhe, ku mund të gjendet varri i të dashuruarve fatkeq, Kleopatra dhe Mark Antoni. Në një deklaratë, Këshilli Suprem i Gjërave Antike të Egjiptit, bëri të ditur se tre vendet janë identifikuar gjatë muajit të kaluar me anë të një vëzhgimi me radar në tempullin "Taposiris Magna".
Tempulli është i vendosur në Liqenin e Mariut, i cili sot quhet Abusir, pranë qytetit të Aleksandrisë dhe është ndërtuar gjatë mbretërimit të Ptolemit II (282-246 p.K.). Mbretëresha e famshme e Egjiptit dhe gjenerali romak kryen vetëvrasje në vitin 31 p.K. Që atëherë është kërkuar varri i tyre.
Ekskavatorët kanë gjetur gjithashtu një numër tunelesh brenda në tempull, tre prej të cilëve mund të jenë përdorur për varrime. Drejtuesit e gërmimeve besojnë se, Kleopatra dhe Mark Antoni mund të jenë varrosur në një tunel më të thellë, të ngjashëm me ato që janë gjetur. Vitin e kaluar, arkeologët në zonë nxorën një statujë bronzi të perëndeshës Afërditë, një kokë alabastri të një statujë të Kleopatrës, një maskë që mendohet se i përket Mark Antonit dhe një statujë pa kokë të epokës ptolemiane.
Nga ekspedita u gjetën 22 monedha që kanë imazhin e Kleopatrës. Zahi Hawass, arkeolog egjiptian, tha se statuja dhe monedhat shfaqin një fytyrë të pashme, duke hedhur poshtë teorinë se, Kleopatra ishte "thuajse e shëmtuar".
Akademikët në Universitetin britanik të Njukastellit në vitin 2007 arritën në përfundimin se, mbretëresha e famshme nuk ishte veçanërisht e pashme. Konkluzioni i tyre bazohej në skicimin e Kleopatrës në monedhën romake që e shfaq atë me hundë të mprehtë dhe buzë të holla.
Marrja e fronit
Nëna e Kleopatrës ishte Kleopatra V e Egjiptit. Kleopatra lindi nga bashkimi i nënës me vëllanë e saj, Ptolemi XII, i cili ishte pasardhës direkt i gjeneralit të Aleksandrit të Madh, Ptolemit I Soter.
Centralizimi i pushtetit dhe korrupsioni shkaktuan humbjen e Qipros, duke e bërë mbretërimin e Ptolemit një prej më katastrofikët e dinastisë. Ptolemi XII vdiq në mars 51 p.K, duke bërë 18-vjeçaren Kleopatra dhe vëllanë e saj 12 vjeç, Ptolemi XIII, monarkë të përbashkët. Tre vitet e para të mbretërimit ishin të vështira për shkak të problemeve ekonomike, urisë, përmbytjeve të Nilit dhe konflikteve politike. Edhe pse Kleopatra ishte martuar me vëllanë e saj më të ri, ajo shumë shpejt shfaqi shenja se nuk kishte në plan ta ndante pushtetin me të. Në gusht 51 p.K. marrëdhënia mes dy sovranëve u përça krejtësisht.
Kleopatra e hoqi emrin e Ptolemit nga dokumentet zyrtare dhe vetëm fytyra e saj filloi të shfaqej në monedha, duke shkuar kundër traditës ptolemiane që drejtuese femra duhet të drejtoheshin nga bashkëudhëheqësit meshkuj.
Kjo shkaktoi komplotin e oborrtarëve të udhëhequr nga eunuku Potinus, i cili e hoqi Kleopatrën nga pushteti, duke bërë Ptolemeun udhëheqës të vetëm rreth vitit 48 p.K. Ajo u përpoq të rebelohej, por u detyrua të ikte nga Egjipti bashkë me motrën e saj, Arsinou.
Vrasja e Pompeit
Ndërkohë që, Kleopatra ishte e dëbuar, Pompei u përfshi në luftën civile romake. Në vjeshtë të vitit 48 p.K. Pompei iku nga forcat e Jul Çezarit në Aleksandri, duke kërkuar azil. Ptolemi që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeç, pa nga froni i tij kur Pompei u vra nga një prej ish-oficerëve të tij që tani ishte në shërbim të Ptolemit. Pompeit iu pre koka para gruas dhe fëmijëve të tij që ishin në anijen nga ku ai zbriti.
Ptolemi mendohet se e urdhëroi vrasjen për t'i hyrë në zemër Jul Çezarit, duke u bërë kështu aleat i Romës, me të cilin Egjipti ishte në borxh të madh financiar në atë kohë. Kjo ishte një llogaritje shumë e gabuar e Ptolemit. Kur Çezari mbërriti në Egjipt, dy ditë më vonë dhe Ptolemi i shfaqi kokën e Pompeit, ai u tërbua. Çezari pushtoi kryeqytetin e Egjiptit dhe ngarkoi veten si arbitër të pretendimeve rivale të Ptolemit dhe Kleopatrës.
Kleopatra
E etur për të përfituar nga zemërimi i Çezarit me Ptolemin, Kleopatra u kthye në pallat e mbështjellë në një tapet persian. Kur tapeti u hap, ajo u ngrit në këmbë e iu prezantua Çezarit nga shërbëtorët. Mendohet se Çezari u mahnit nga veprimi dhe ajo u bë shumë shpejt e dashura e tij.
Nëntë muaj pas takimit të tyre të parë, Kleopatra lindi djalin e tyre, në vitin 47 p.K. Në këtë pikë, Çezari braktisi planet për të aneksuar Egjiptin dhe filloi të mbështeste kërkesën e Kleopatrës ndaj fronit. Pas një lufte të shkurtër civile, Ptolemi XIII u mbyt në Nil dhe Çezari e rivendosi Kleopatrën në fronin e saj me vëllanë e saj më të vogël, Ptolemi XIV, si bashkësundues.
Pavarësisht diferencës 30-vjeçare në moshë, Kleopatra dhe Çezari, u bënë të dashur gjatë qëndrimit të tij në Egjipt. Kur u takuan ajo ishte 21 vjeçe dhe Çezari 52. Në vitin 47 p.K, ajo lindi djalin Ptolemi Çezar (me nofkën Cezarion, që do të thotë "Çezari i vogël"). Kleopatra pretendoi se, Çezari ishte babai dhe i kërkoi atij ta emëronte trashëgimtar, por Çezari refuzoi, duke zgjedhur stërnipin e tij, Octavian si pasardhës.
Cezarioni mendohej se do të bëhej trashëgimtari i Egjiptit dhe Romës, duke bashkuar Lindjen dhe Perëndimin. Kleopatra dhe Cezarioni vizituan Romën ndërmjet vitit 47 - 44 p.K. dhe mund të kenë qenë të pranishëm, kur Çezari u vra më 15 mars të vitit 44 p.K. Pak para ose pas vrasjes, ajo u kthye menjëherë në Egjipt.
Kleopatra dhe Mark Antoni
Në vitin 42 p.K. Mark Antoni i kërkoi Kleopatrës të takohej me të në Tarsus, që ta pyeste mbi besnikërinë e saj. Kleopatra mbërriti aty dhe ia mori mendjen aq shumë Mark Antonit, sa ai vendosi ta kalonte dimrin e vitit 41 - 40 p.K. me të në Aleksandri. Për të mbrojtur dhe Cezarionin, ajo i kërkoi Mark Antonit të urdhëronte vrasjen e motrës së saj, Arisnoe, që jetonte në tempullin e Artemisës në Efesus. Ekzekutimi u krye në vitin 41 p.K. në shkallët e tempullit dhe kjo shkelje shenjtërie skandalizoi Romën. Më 25 dhjetor 40 p.K. Kleopatra solli në jetë dy binjakë me baba Mark Antonin, Aleksandër Helios dhe Kleopatra Selene II. Në vitin 37 p.K. Mark Antoni u martua me Kleopatrën, sipas ritit egjiptian edhe pse ai ishte i martuar në atë kohë me Oktavia Minor. Ai dhe Kleopatra patën dhe një fëmijë tjetër, Ptolemi Filadelfus.
Në vitin 31 para Krishtit, gjenerali Oktavian shkatërroi forcat e kombinuara të Antonit dhe Kleopatrës në betejë. Pasi dëgjoi një lajm të rremë se, Kleopatra kishte vdekur, Antoni u hodh mbi shpatën e tij. Mbetur pa shpresë, Kleopatra vrau veten, duke vendosur në kraharorin e saj një gjarpër helmues.
Antoni dhe Kleopatra
Një prej femrave më të famshme në historinë e njerëzimit, Kleopatra VII, ishte faraonia e bukur dhe brilante e fundit e Egjiptit. Historia e dashurisë me gjeneralin romak, Mark Antoni, është cilësuar si një prej romancave më të mëdha të historisë së njerëzimit. Pavarësisht se historia e tyre e dashurisë skandalizoi shoqërinë romake, ata u martuan në vitin 36 para Krishtit. Por në vitin 31 para Krishtit, gjenerali Oktavian shkatërroi forcat e kombinuara të Antonit dhe Kleopatrës në betejë. Pasi dëgjoi një lajm të rremë se Kleopatra kishte vdekur, Antoni u hodh mbi shpatën e tij. Mbetur pa shpresë, Kleopatra vrau veten, duke vendosur në kraharorin e saj një gjarpër helmues.
Fëmijëve të saj që i kishte me Mark Antonin iu fal jeta, ndërsa Cezarionin e Cezarit, Oktavi, e vrau në vend dhe muajin Gusht e shpalli si ditë të fitores së tij ndaj armiqve të Romës, muaj që edhe në ditët e sotme njihet si i tillë në kalendarin Romak. Pas kësaj fitoreje të ulët edhe pse ai e quante të lavdishme, Oktavi u vetshpall Augustus Perandori i parë i Romës.
Legjenda misterioze dhe e dhimbshme e Kleopatrës është riprodhuar disa herë dhe është shfaqur nëpër kinema, teatro e televizione në mbarë botën. Versionet e historisë së treguar në këto riprodhime kanë shumë ndryshime nga njëra-tjetra, por në thelb të gjithë e përshkruajnë si një mbretëreshë të drejtë dhe liberale, ndërkohë që Kleoptra nuk ka qenë aspak liberale dhe në pjesën më të madhe të sundimit të saj ka vendosur interesin e saj personal mbi atë të popullit. Një ndër filmat më të njohur që krijoi famë shumë të madhe në vitin 1963 ka qenë "Kleopatra" i regjizorit Xhozef L. Mankiewicz, film i cili zgjaste 184 minuta. Rolin kryesor, atë të Kleopatrës e luante me mjeshtëri dhe hijeshi të madhe Elizabet Tejlor, ndërsa rolin e Mark Antonit, Ricard Burton.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers